Nga Shpendi Topollaj
-Refleksione për librin e Tahsin Xh. Demirajt “Në syrin e ciklonit”-
Memorie.al / Në kujtesën e popullit tonë, vështirë se do të shlyhet ndonjëherë ajo ndodhia e vitit 1991, që siç erdhi papritur, ashtu edhe u quajt po kaq papritur: Eksodi. Thuajse nuk e kishim dëgjuar kurrë më parë këtë fjalë. Ose edhe ai që e kishte ndeshur diku, kurrë nuk e kishte menduar, se ajo do të bëhej kryefjala jonë e përditshme. Eksodi ishte i dhimbshëm. Pak të thuash tragjik. Na ikën të afërmit, miqtë, shokët. Ikën burrë, gra, por dhe pleq e deri fëmijë të vegjël. Ikën pa e ditur se ku shkonin. Iknin drejt të panjohurës, asaj që nuk e kishin provuar, por që gjithsesi, duhej të qe shumë më e mirë se ferri që po linin pas. Aty për aty, nuk menduan gjatë. Humbur se humbur kishin qenë. Më keq nuk kishte se ku të vente. Ne që mbetëm i përcollëm me lot ndër sy, teksa na e bënin me dorë që majë atyre anijeve që askush nuk e di se si nuk fundoseshin.
Përsëri deshën të na gënjenin; “ikën fundërrinat” – na thanë. Por ne e kishim të qartë si drita e diellit, se ata ishin njerëz të mirë, që e donin shumë vendin e tyre, por ai po i përzinte. Dhe jo për faj të tij, por të një klike njerëzish të poshtër, të pangopur me pushtet dhe me gjak. Kishte aty shumë e shumë njerëz të ndershëm. Edhe intelektualë kishte. Dhe njëri nga këta ishte i mrekullueshmi Tahsin Demiraj, ai artisti dhe antikomunisti i flaktë.
Kur më në fund pa se lutja e një populli të tërë; “Ooo Zot i madh, të lutemi edhe një herë…! Vërtetë shumë të kemi bezdisur pooo…vere dorën në zemër edhe kësaj here… Aaaman ooo zot, jepi fund këtij cikloni se na shoi si racë, na bastisi, na rrëzoi, na bëri rrafsh me baltën,” u dëgjua, mes mijra e mijra ikanakëve që u ishte sosur durimi, Tahsini që mezi e kishte pritur këtë ditë, së bashku me gruan dhe djalin e vogël, u larguan nga qyteti ynë.
Largimin e tij, ne që e patëm njohur dhe dashur e përjetuam me trishtim të thellë. Nuk do ta kishim më mes nesh, atë burrë simpatik, me atë shikimin sugjestiv dhe zërin e vendosur e melodioz, – tipare këto të një aktori që luante rolin e ndonjë personazhi epik. Ai vërtetë kishte një lidhje të fortë me skenën, por ishte i ndërgjegjshëm se në jetë, po luante vetveten.
Kishte patur një jetë të trazuar, në një vend tmerrësisht të trazuar nga cikloni më i keq, ai i politikës. Dhe jo i çdo politike, por asaj komunistes, ku shumica kanë të drejtë të thonë si ai, se; “Jeta mua më ka zënë me gurë”.
Kishte hipur në atë anije fantazmë, ky burrë i përlotur, që gjithsesi e kishte një mëdyshje, kur dëgjonte thirrjet e nxitjet e disa të panjohurve: “Ikni, ikni”! Ata kishin thënë; “…ne e kemi marrë me pushkë e me pushkë do ta lëshojmë…”!
Dhe, në të vërtetë, ashtu siç ishin betuar, ashtu edhe e bënë, nuk e lëshuan po na thanë ne të iknim, ne që mbijetuam, na thanë të iknim dhe ne qorrat ikëm pa e ditur se ç`po bënim, ikëm, morëm arratinë…dhe atyre u mbeti përsëri Shqipëria. Ata ishin betuar që të mos e lëshonin dhe nuk e lëshuan, na thanë ne që të ikim, që të mbeteshin vetëm në Shqipëri, që të mbetej Shqipëria vetëm e tyrja…!
Nuk ishte e thjeshtë ikja e turmave, eksodi i paparë, ishte i studiuar mirë nga ana e tyre…! Ishin përsëri mësime të mbrapshta se nuk kishin si të ishin ndryshe, boshatisej vendi nga të pakënaqurit, të ndjekurit e të persekutuarit e, kështu mbeteshin përsëri myteberët, pa iu hyrë gjemb në këmbë…! “Mbeti e tërë pasuria kombëtare në duart e tyre, e bërë me gjak e sakrifica…”!
Këto mendime nuk iu ndanë asnjëherë Tahsinit edhe atje në dhe të huaj. Ai kishte herë pas here brejtje ndërgjegjeje, se mos ndofta kishte gabuar që i kishte kthyer krahët atdheut. Atë e mundonte pyetja që i bënin vetes shumë të tjerë si ai: “Mos kishin qëndruar kur duhej të iknin dhe kishin ikur, kur duhej të qëndronin”?! Kishte ikur, por zemrën nuk e kishte marrë me vete. Dhe si për ta vërtetuar këtë, fillon të shkruaj. Gjersa bëhet një libër i tërë, të cilin kur e boton, ua shpërndan shokëve dhe miqve të tij në Durrës, e në tërë Shqipërinë.
Unë, sepse e prisja këtë libër prej tij që ai e kishte titulluar; “Në syrin e ciklonit”.
Teksa e lexoja, sikur çmallesha me shokun tim që dikur atje në shtëpinë e tij, tek mbante veshur një rrobdeshambër dalë boje dhe qëndronte ulur mbi një zhezlong të vjetër, iu drejtua djalit të tij dy vjeçar dhe më tha: “E shikon këtë ti? Në Sorbonë ka për të studiuar”! Unë qesha atëherë, por ai paskej pasur shumë të drejtë. Për Sorbonën e fëmijëve tanë, kishte punuar dhe vetë ai, Tahsin Demiraj, të cilit edhe pse nuk i kurseu aftësitë e ndershmërinë, përsëri nuk iu nda fati i qenit.
Kur Shqipëria ishte çliruar, ai edhe pse fëmijë i vogël, e kishte parë me sytë e tij, aktin e parë të tragjedisë së madhe që po pllakoste e cila, si çdo akt i parë ishte paralajmërimi kobzi i asaj që do të ngjiste më pas. Protagonistët ishin ata, që deri pak kohë më parë, kishin luajtur një rol në jetën e vendit e tani si mjeranë, merreshin përpara si bagëti, lidheshin me njëri tjetrin me copa telash apo me litarë dhe ecnin të shoqëruar nga çlirimtarët. Pra ishte koha nga e cila vetë ai kujton:
“Çdo mëngjes që niseshim për në shkollë, mësuesi na kishte porositur, që të kalonim nga manat e pazarit, për të parë të varurit që i tundte era e pastaj, të shkonim në shkollë”!
Epo më thoni se ku tjetër keni ndeshur të tilla makabritete. Kujtoni të gjithë tragjikët grekë dhe u siguroj se askund, nuk keni parë skena kaq çnjerëzore e rrëqethëse, askund nuk urdhërohen fëmijët, të shohin të vdekurit para se të fillojnë mësimet. Mesa dukej realiteti i Shqipërisë së asaj kohe, ia kalonte edhe fantazisë së tyre. Kjo pra ishte pedagogjia e pashpirt e komunistëve. Kështu ata donin të edukonin njeriun e ri, ndjekës të idealeve boshe, mjaft që të tregoheshin besnik ndaj rendit “më të përparuar” dhe ideatorit të tij, famëkeqit Enver Hoxha.
Bir i një oficeri atdhetar të kohës së Mbretërisë, së Zogut, Tahsini e kishte ndjerë deri në palcë diskriminimin, përbuzjen dhe shpërfilljen, prandaj e urrente atë regjim despotik, me tërë forcat e shpirtit. Kur u njoha me të, ai kishte ikur nga Lushnja dhe e kishin caktuar në një punë të rëndomtë, në Ndërmarrjen e Gomë-Plastikës në Durrës.
Që në bisedat e para me të, vetiu më lindi pyetja: “Si e shpërdorojnë kaq banalisht kulturën”?! “Jo e shpërdorojnë – ndreqi ai – e urrejnë për vdekje. Dhe të kulturuarin e kryqëzojnë si armik. Kanë bindjen se sa më injorant të jetë njeriu, aq më shumë e do Partinë. Dhe këta Partinë e kanë mbi atdheun. Këtu është fatkeqësia që do të shohim se ku do na shpjerë”!
Pikërisht, rrugën që na çoi drejt greminës e turpit, përshkruan Tahsini në këtë libër, mjaft interesant. Ka këtu tregime dhe esse. Ato janë marrë tërësisht nga jeta, pra janë ngjarje, vende dhe emra të vërtetë. Në to buron dashuria e autorit për njerëzit e mirë me të cilët ai punoi. Dhe ata nuk janë pak. Me këtë ai sikur kërkon të na thotë, se nuk ka si qëllim të nxjerrë mllefet e tij. Ne gëzohemi që ai flet me aq respekt për ta; shumë prej të cilëve, janë figura të njohura të artit, letërsisë dhe kulturës tonë në përgjithësi. Janë ata që sido që ishte ajo kohë, mbetën njerëz të papërlyer.
Shoku i tij, poeti Faslli Haliti e ka thënë bukur “…Tahsin Demiraj, i përvuajturi i madh i regjimit, ia arriti qëllimit, ai e shkroi këtë libër, që s`do të mund të anashkalohet lehtë, sepse tregimet, essetë, memuaristika e tij sundohen nga jeta, popullohen me njerëz të mirë e të liq, me të kulturuar e injorantë, me progresistë e konservatorë, me të talentuar, të penguar nga sistemi, mediokër beniaminë të sistemit të vjetër, tashmë. Personazhet e tregimeve janë kryesisht një drejtor, inspektor, brigadier, sekretar partie zuzar, një shefe kuadri autoritariste, maskiliste, pa shkollë, injorantë që vet-demaskohen me gafat që bëjnë në të folur e me qëndrimet e tyre vanitoze përpara vartësve”.
I parë kështu, libri mund të quhet; parada e kohës. E asaj kohe ku një brigadier rrufjan, që ishte si “ata demat që u shkojnë pas mëshqerrave të njoma” me poshtërsinë e tij, e detyron Anitën e bukur të mbytet si Ofelia, pikërisht në Ditën e Shën Valentinit. Por në këtë libër shohim dhe shumë analiza të mprehta, e sidomos të periudhës aq të nxehtë të përmbysjes së madhe.
Një sy i vëmendshëm e pati pikasur kthesën, që kur dolën rripat e dollarit, në atë dyqanin ku më parë nuk mund të hynte kushdo. Mund të blihej për tre dollarë, një rrip mesi për vajza. Ky qe dhe lëshimi i parë, por dhe çudia e parë që tregonte, se sistemi ishte i detyruar ashtu në heshtje, ta pranonte dështimin.
Kurse Tahsini e ka kapur me mjeshtëri, atë lëshimin që erdhi më pas; lejimin e qoftexhinjve, me ato karrocat e rrangallë. Me një ironi të hollë, ai na e jep atë botë që po binte dhe atë botë që po vinte. Ja sesi shkruan ai: “Qoftexhinjtë mbinë si mizat pas shiut. Qarkullonin fjalë, se shiteshin qofte me mish qeni. Aty rrotull ku tregtoheshin qofte, qenë parë edhe bishta të këputur qensh. U sajuan gjithfarë karrocash ambulante. Ushtria ambulante e qoftexhinjve, po e merrte situatën nën kontroll. Qoftet do të nxirrnin vendin nga gremina. Qoftet po pushtonin Shqipërinë…! Qoftet do të vendosnin për pluralizmin, për të ardhmen…!
Megjithëse qofte nuk duhej të kish, as për ata që i gatuanin, se vetëm 2 kg. mish në muaj mund të merrte çdo familje edhe dale se kur mund t`i merrte, kur t`i vinte radha…! Po, ja që e morën dhe atë mish, po të bëje llogari, duke i hequr kockat, eee…sa qofte do të dilnin…?! E pamundur që nga ai kontingjent i pakët mishi, era joshëse e qofteve, të kutërbonte qytetit qoshe më qoshe…!
Flitej se në stacionin e trenit, në Tiranë qenë arrestuar qoftexhinjtë e parë për qofte të dyshimta…! Qytetet binin erë mish të pjekur, ishin rralluar me shpejtësi kafshët shtëpiake, si macet, qentë dhe gomerët, piqeshin e hanin njerëzit, qofte qeni e gomari…! Kështu u katandis Shqipëria, i vetmi “Fanar ndriçues i socializmit ngadhënjimtar”.
Në libër autori, duke bërë fjalë për këtë katandisje mjerane, na thotë se pati edhe njerëz, ish komunistë atdhetarë e të mençur, që e panë gabimin, apo fajin që u bë, duke e mashtruar këtë popull. Ai bën fjalë për korifeun e dramaturgjisë shqiptare, Xhemal Brojën i cili atje në internim ku ishte, linte testamentin e pendesës: “Nuk më tremb vdekja. Veç ndjej një kallo në shpirt, një brengë që as varri nuk do të ma tresë.
Dhe kjo jo vetëm për vuajtjet dhe zhgënjimin tim dhe tuajin, por për gjithë shokët e miqtë, të gjithë të persekutuarit, për vendin e popullin, para të cilëve ne ish-komunistët që kemi vënë një gur në themelet e këtij sistemi të kobshëm, duhet të kërkojmë falje. Ne që kontribuuam për të sjellë këtë kolerë, s`na mbetet veçse një bidon vajguri në dorë, të drejtohemi në qendër të qytetit, e duke i kërkuar falje popullit t`i vëmë shkrepësen vetes…”!
Dikur Tahsini, më kishte dhënë për të lexuar librin e Kontit Las Kazi “Memorialet e Shën Helenës”, të përkthyer nga babai i tij. Mbaj mend se me këtë rast, nisën diskutimet për historinë dhe ai më tha që edhe ne shqiptarët, e kemi të bukur historinë dhe me të mund të mburremi. Vura re se ai e donte shumë vendin e tij. Dhe u gëzove kur pashë, se akoma më shumë ai e donte atë, tani që ishte larg tij.
Në shkrimin; “Amfiteatri”, ai thotë: “Ky Amfiteatër u ndërtua 2000 vjet më parë, njëkohësisht me Koloseun në Romë dhe afërsisht aktivitetet i kanë pasur të njëjta. Do të kenë dhënë edhe këtu shfaqje trupa të huaja grekë e romakë. Kemi qenë edhe ne protagonistë të atij shkëlqimi dhe duhet të kemi qenë më parë se Roma, se edhe jemi më afër truallit të dramaturgjisë, se jemi edhe më të lashtë se ata…! Për të gjetur se ç`kemi qenë e, çfarë vendi na takon, duhet ta thotë e t`i verë vulën eruditi ynë, mendjendritur Kadare…”! Edhe pse ai e di se Italia është e bukur dhe fundja na ushqen, përsëri Tahsini, e mbyll librin me fjalët: “Ne, mbetëm gjithë jetën të huaj”.
Ndofta atij i mungon shumë Atdheu. Kurse ne tani që ai na dërgoi këtë libër, nuk e ndjejmë shumë mungesën e një shoku e miku të mirë, e një demokrati të orëve të para dhe të një intelektuali shpirtmadh. Duke lexuar atë që ai ka shkruar, kuptojmë se ai nuk na harron për asnjë çast. Dhe na shtohet nderimi për atë njeri, që si një orakull, parashikoi se fëmijët tanë, do të studionin në Sorbonë, pa patur frikë, se dikush do t`u thotë se; “Para se të vini në shkollë, shihni të varurit atje te manat e qytetit”! /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016