Nga Shpendi Topallaj
Memorie.al / Stefan Cvajgu, krahas shumë gjërave të mençura që na ka lënë, në gjithë veprën e tij, ka dhe një thënie mjaft të goditur, ku thotë se; “Të moshuarit, parapëlqejnë të tregojnë për fitoret e korrura dhe të heshtin për dobësitë”. M`u kujtua kjo, kur po lexoja librin me kujtime të të ndjerit Feruz Mataj, “Kur koha kërkon të flas”. Ashtu siç e prisja, pasi e kam njoh mirë si atë, ashtu dhe opinionin e përgjithshëm për këtë njeri të jashtëzakonshëm, fjalëpakë e punë-shumë, ai nuk kishte asnjë arsye që të heshtte, për dobësitë e tij, pasi në çdo rrethanë, edhe kur zilia dhe marria e kohës e goditi rëndë moralisht, njohu vetëm suksese dhe fitore.
Koinçidoi që librin e tij t`a merrja ndër duar fill pas atij të një politikani, që pasi nuk linte njeri pa sharë, pa pikën e gajles, le pastaj të modestisë, mburrej se ishte Mesia, që i vetëm paskej bërë mrekullira dhe tani linte përshtypjen se vetë Papa, duhej të niste proçedurat për lumturimin dhe pastaj shenjtërimin e tij. Kurse Feruzi, që nuk e di pse ende nuk i ishte dhënë titulli më se i merituar “Mjeshtër i Madh”, me një thjeshtësi të habitshme, sukseset e tij, ia atribuon të tjerëve, kolegëve dhe vartësve të tij, në ç`do detyrë të rëndësishme shtetërore që kreu.
Asnjë mburrje nuk mund të gjesh në ato qindra faqe, veç modesti të pabesueshme dhe respekt e dashuri pa kufi për të tjerët. Virgjili, poeti mantovas që veç mistereve të jetës njerëzore, i këndoi aq bukur edhe dashurisë për punën, e pati formuluar mjaft mirë atë postulatin; “Finis coronat opus”, pra; “Fundi kurorëzon veprën”.
Por Feruzi, si gjithmonë që shpejtonte t’u para dilte punëve, e kish kurorëzuar veprën e tij, pa pritur fundin. Vjen një moment, që njeriu duhet ta thotë përfundimisht fjalën e tij, që s`është tjetër, veçse mesazhi që ai duhet t’u lërë brezave. Jo për të përjetësuar emrin e vet. As për të gdhendur veprën e tij, në gurin e madh të historisë.
Por për të kryer deri në fund shërbimin e tij për shoqërinë. Ai që di të zbatojë parimin sokratik; “Njih veten”, pra ai që kur analizon jetën dhe punën e tij në vite dhe nuk sheh aty tjetër veç dashurisë dhe nderimit për të tjerët, ai që e gjykon se gjithë ç’ka mundur të bëjë për njerëzit, e ka bërë me ndershmëri e përkushtim, ai që e sheh shpërblimin në sytë dhe buzëqeshjen e çiltër të të tjerëve, ai pra që ka pasur si qëllim që t’ua bëjë atyre jetën sa më të lumtur e të begatë, natyrisht që edhe duhet t’u flasë nga lartësia e përvojës së tij që:
“Kur unë të zhdukem në hiçin
Nga i cili erdha,
Ti mos u trand,
Vazhdo ec më tutje.
Dhe nga kënga ime e copëtuar
Të bësh një melodi,
Që brezi tjetër që vjen pas,
Ta njohë të vërtetën
Madhështi”!
Feruzi kish bërë atë që i ndjeri, Dr. Moikom Zeqo, thoshte: “Edhe pse nuk ka shkruar libra më parë, me një ngulm të admirueshëm, ai shkroi më në fund librin e jetës”. Dhe të shkruash librin e jetës, kur e ke këtë mundësi, është dhurata më e çmuar që një njeri si ai, u ka lënë të tjerëve. Sot punët kanë ndryshuar disi. Brezi që lindi dhe u rrit në demokraci, e ka pak të vështirë t’a kuptojë, ndofta dhe t’a besojë, se edhe në diktaturë, kishte njerëz që edhe pa e njohur, udhëhiqeshin nga parimi i Horacit; “Virtus post numus”, që do të thotë “Më parë virtyti, pastaj paraja.”
Duke përshkruar vendlindjen e tij, Feruzi, ky bir i denjë i Lekdushit të krahinës së Kurveleshit, na shpjegon vetë: “Kur kundroj mozaikun e krijuar nga këto çaste të njëpasnjëshme të çdo viti të jetës sime, më duket se është formuar nga gurëza për mua, të shndritshëm e verbues, por dhe nga copëza të hirta e plot shkëlqim.
Gjithsesi, ndjej një lehtësi frymëmarrjeje që mozaiku i gjithë së shkuarës sime shkruan: ‘një jetë e ndërtuar mbi pasionin për punën’, pasion që ka lindur që ditën kur erdha në këtë botë, që me frymëmarrjen time të parë…! E kam kuptuar se ky pasion ka qenë i rrënjosur në shpirtin tim, përderisa gjatë gjithë jetës sime, ka qenë muza dhe kuptimi i saj…”!
Askush nga ne, për aq sa kemi arritur në jetë, nuk mund të përjashtojë influencën e familjes në formimin tonë. Është kjo arsyeja që edhe Feruzi, kur flet për fëmijërinë e tij, i ngre himne nënës, babait dhe të parëve të tij. Ai u është mirënjohës atyre për edukatën që i dhanë. Në formimin e njeriut, familja ka rëndësinë e një institucioni. Në gjirin e saj ne na krijohet bindja se Atdheu është mbi gjithçka, se dashuria për të, nuk mund të ndahet asnjëherë nga dëshira për të qenë i lirë dhe i ndershëm, apo për të dashur dijet, arsimin, punën dhe njerëzit në përgjithësi.
Familja është gjëja më e shenjtë, thesari më i çmuar dhe bukuria e jetës së njeriut – thotë vetë ai. Edhe në shtëpinë ku ai kaloi vitet e fëmijërisë, i bëhej se ajo porta e hyrjes me hark thoshte: “Ejani miq, ejani se ju presin zotërit e mi shumë të dashur e mikpritës…”! Feruzi nuk i ndan cilësitë e familjes së tij nga ato të të gjithë asaj krahine, ku kanë dhënë jetën për flamurin kuq e zi dhe ku kanë murosur vlerat më të larta morale…!
Rruga e jetës së djaloshit Feruz Mataj, ka qenë tepër interesante. Ka pasur në të dëshira, vullnet e këmbëngulje për t’u bërë njeri dinjitoz dhe i vlefshëm për vete dhe shoqërinë. Në mënyrë mjaft origjinale dhe plot figuracion, Feruzi rrëfen se qysh kur ishte i vogël, midis kalit fodull dhe mushkës, preferonte këtë të fundit. “Urata e shtëpisë sonë, për mua, ishte mushka. Ishte ajo që na jepte lehtësitë e përditshme me punët e shumta që kryente, ndaj dhe unë sa herë shkoja në haur për ta pare. I jepja nga një grusht tagji, e kashaisja dhe e përkëdhelja… e së bashku kënaqeshim, aq sa nuk lija ditë pa e parë”!
Ajo u bë instinktivisht simboli i punës. Feruz Mataj, është shembulli tipik që si për shkollim, ashtu edhe gjatë karrierës së tij, ngjiti shkallët e kulturimit dhe detyrave mjaft të larta, pa ndihmën e kurrkujt. Ai çau në jetë me zgjuarsinë e tij, me këmbënguljen, me mirësinë e tij dhe sidomos me ndërgjegjen e theksuar në kryerjen e detyrave të ngarkuara. Si erdhën dhe u vendosën familjarisht në Tiranë, ai teksa regjistrohej në klasën e katërt, i zotohet drejtorit të shkollës, se do të ishte një nxënës shembullor, “e prej zotimit që mora i a kultivova vetes, idenë se me çdo kusht, premtimin që e thashë, do ta mbaja”. Gjithë jetën Feruzi mbeti burrë i besës, pra i mbajtjes së fjalës së dhënë.
Të barabartët bashkohen, thoshin romakët dikur. Dhe ai gjeti dhe u bashkua me shokë të pjekur para kohe, si; Kujtim Spahivogli, Met Myftiu e Hektor Caci, me të cilët u angazhua në Lëvizjen Antifashiste. Feruzi, edhe pse ende fëmijë, nuk ishte nga ata që mund të qëndronte mënjanë, kur atdheu kishte nevojë për kontributin e cilitdo. Pas çlirimit të vendit, ai me mendjen top për të ndjekur një shkollë teknike, fillon Teknikumin “7 Nëntori”, dikur shkolla me aq tradita “Harri Fultz”. Këtu ende zbatohej parimi i të nxënit, nëpërmjet veprimtarisë dhe Feruzi, aktiv e serioz, duke rënë në sy për cilësi mjaft të mira, zgjidhet sekretar i Rinisë së shkollës, dhe fiton atë simpati që kishte pasur para lufte, një njeri emërmadh, si Mustafa Gjinishi.
Dhe siç do karakterizohej edhe më pas, ai mbeti përherë njerëzor dhe i guximshëm, për ta thënë fjalën e tij ashtu siç mendonte se ishte e drejta dhe e vërteta. Gjithmonë për të arritur atë që synonte, ashtu sikurse nuk ishte i një mendjeje me të atin, që kërkonte ta dërgonte në shkollë për pedagogji, edhe kur i doli bursa për inxhinieri hidroteknike në Rumani, ai nuk u dorëzua, por e gjeti mënyrën të ndërrohet me një shok tjetër dhe të përfundojë në Gdansk të Polonisë, pikërisht në atë qytet, kantier anijesh, pushtimi i të cilit ishte pranuar si fillimi i Luftës së Dytë botërore, sido që ai kishte mendimin, se ishte Durrësi i 7 prillit të vitit 1939, qyteti që i takonte kjo datë historike.
Dhe kur rasti e solli që aty të vinte për studime dhe shoku i tij shqiptar Gani Ismailati, Feruzi u lumturua. “Tek e shihja të zbriste nga shkallët e trenit, m’u duk se më solli me vete gjithë dashurinë e vendit tim. Kur e përqafova, m’u duk sikur po thithja ajrin e qytetit të Tiranës…! Në atë çast, më mbushi në shpirt me gjithë dashurinë që më mungonte…”! Teksa studionte në Universitetin Politeknik, Feruzi mbeti ai kurveleshasi që dashuronte detin, ndaj paprerë ëndërronte që edhe Durrësi i lashtë, të bëhej një port i zhvilluar.
Ai e kuptonte se të tillë do ta bënin njerëzit, ndaj iu fut studimeve me qëllim që gjithë dijet dhe mundësitë e tij, t`i vinte në shërbim të kësaj ëndrre. Ndaj ai e quan veten të përzgjedhurin e fatit. Kjo e vinte nga ana tjetër dhe para përgjegjësive të mëdha, për të përvetësuar atë “kështjellë kulture”.
Njeriu kudo që të dërgohet për studime, s`duhet të harrojë se atje e ka çuar populli dhe vendi i tij, të cilët e presin në gjirin e tyre – ky është mësimi që del nga kapitulli ku ky autor, përshkruan me nostalgji vitet e shkollimit në atë qytet që ai na e jep me gjithë hollësitë e tij historike, kulturore dhe artistike, derisa u titullua inxhinier.
Ëndrra e djaloshit lekdushas, merr rrugë, kur ai caktohet në Durrës, ku fillimisht e priste detyra jo e lehtë e nxjerrjes së anijeve të mbytura dhe pastaj kthimi i tyre në gjendje pune. Me entuziazëm, besim në vetvete dhe me dashurinë e gatishmërinë e kolektivit, kjo u bë e mundur. Sikurse u mundësua zgjerimi dhe përballimi i shumë proceseve nga ky kantier, ku meritë të veçantë pati edhe vetë Feruzi i emëruar drejtor i tij.
Feruzi ishte drejtues vizionar dhe me iniciativë krijuese. Ai dinte të zgjidhte njerëzit e duhur për punën e duhur. Ama ishte dhe organizator i shkëlqyer. Feruzi dinte të fitonte zemrat e njerëzve. Madje ai dinte të ishte mik edhe me njerëzit e artit dhe kulturës. Ja se çfarë thoshte afërsisht, në kujtimet e tij, artisti i shquar Qemal Kërtusha: “Nuk e di sesi, por ai na hipnotizoi me begraundin e tij kulturor…! Biseda me të na ngjallte një lirshmëri e kënaqësi dhe ky njeri me buzëqeshjen e tij shumë të sinqertë, vetëm brenda disa muajsh u bë epiqendra e shoqërisë sonë”.
Më pas, nuk kishte sesi ky kuadro me kaq arritje të mos binte në sy dhe të mos bëhej i domosdoshëm për detyra të tjera me më shumë përgjegjësi. Feruzi caktohet zëvendëskryetar i Komitetit Ekzekutiv në Durrës, Kryetar i këtij Komiteti, po ashtu Kryetar edhe në rrethin e Elbasanit për katër vjet, pastaj Drejtor i Ndërtimit të Kombinatit Metalurgjik, që ishte vepra më e rëndësishme që po ndërtohej te ne dhe që në të kishte mijra e mijra punonjës. Kudo që shkonte, ai ishte i mirëpritur, pasi para tij, atje mbërrinte fama që gëzonte, si njeri i punës dhe me zemër të madhe, si një drejtues me aftësi të spikatura që sillte një erë të re dhe dinte t’u imponohej me logjikën, aftësinë dhe autoritetin e tij edhe atyre të udhëheqjes.
Nuk llogariten vështirësitë që i dilnin Feruzit dhe shokëve të tij në detyrat që kreu. Por besimi se njeriu kur do, mund të bëjë gjithçka, dhe të fitojë mbi çdo pengesë, ishte bindja e palëkundur e këtij “Buldozeri” të mençur të punës. Sa e sa shembuj na jepen në kujtimet e tij, ku ai qëndis me fijet e shpirtit të tij të pastër, gjithçka bëri së bashku me të tjerët, për plotësimin e detyrave. Por janë edhe shumë nga kolegët dhe punonjësit e thjeshtë, që shkruajnë me aq ngrohtësi për këtë kuadër, që ishte dhe mbeti shembull frymëzimi për këdo. Sikur vetëm titujt e atyre shkrimeve të lexosh, do shohësh se sa e kanë dashur shokët këtë njeri dhe drejtues të pashoq.
Ata e quajnë; “vëlla, arkitekt të drejtimit dhe organizimit, njeri i përkryer, i së resë dhe progresit, mbështetës i hallexhinjve, njeri i sakrificave, elitar i gjeneratës së kuadrove të atyre viteve, nga i cili në çdo gjë mund të mësosh, mburrja dhe krenaria e Metalurgjikut, mik që edhe sot mbetet ‘shefi ynë” etj., etj. fjalë që burojnë nga zemrat e atyre që patën fatin të punojnë me të. Këto vlera të Feruzit, ishin më se të mjaftueshme për ta caktuar atë edhe në detyrën e zëvendësministrit të Komunikacionit, në vitin 1981. Dhe pastaj si rrufe në qiell të pastër, vjen “rënia”.
E vura në thonjëza këtë fjalë, pasi edhe kur intriga dhe meskiniteti i kohës, pasi e vetëvranë Mehmet Shehun, e ndëshkoi, duke e transferuar në Urën Vajgurore, si “sabotator”, Feruzi mbeti po aq madhështor dhe i respektuar jo vetëm nga ata të ndërmarrjes së tij, por nga i gjithë populli i Beratit. Sikurse e tregoi mëse miri se cili qe, gjatë detyrës tepër të vështirë, kur ai u ngarkua nga qeveria, tashti demokratike, që të siguronte me ndihmën e operacionit “Pelikan”, furnizimin e njerëzve të uritur me ushqimet e domosdoshme.
Rrugë e pa rrugë, mes njëmijë e një pengesash, deri edhe grabitjeve nga njerëz të dëshpëruar, ai e kreu me faqe të bardhë detyrën, duke skalitur te cilido shqiptar, portretin e tij atdhetar, çka fare mirë e ka shprehur gjenerali Giberto Ghinassi, përfaqësuesi i palës italiane i ndihmave në periudhën 1991-’93, i cili e quan Feruz Matajn; “Njeriu më i ndershëm dhe korrekt që kam njohur në Shqipëri”.
Por Feruzi pas kësaj detyre, duke shfrytëzuar përvojën e tij të vyer dhe gjithmonë duke respektuar deri në një ligjet dhe rregullat e shtetit, krijoi dhe firmën e tij private, ku u punësuan shumë njerëz dhe ushqehen disa familje durrsake. Dhe mbi të gjitha, Feruzi gjatë gjithë jetës, me gjithë angazhimet e pafundme që ka pasur, mbeti një familjar i shkëlqyer dhe një bir dinjitoz i vendlindjes së tij, Lekdushit, vendit të ashpër dhe aq të shtrenjtë, ku nisi të formësohet ai mozaiku i jetës së tij, që pa frikë mund të themi, se; e meriton plotësisht atë shkrimin e pashkruar, por aq të lexueshëm: “Një jetë e ndërtuar, mbi pasionin për punën”!
Dhe ja pse ky libër, më bëri të shfaqja një mospajtim të vockël me Stefan Cvajg, duke arsyetuar se; Feruz Mataj kur rrëfen, nuk ka përse t`u shmanget dobësive, pasi jeta e tij, qe vetëm sukses. Dhe suksesi më i madh ishte deri sa ndërroi jetë, se në çdo rrethanë, ai mbeti Njeri! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016