Nga Prof. Myslym Islami
Pjesa e parë
-Enveri kishte gënjyer për takimin me Ali Kelmendin-
Memorie.al / E ndiej për detyrë qytetari t’i jap lexuesit një parashtrim apo shpjegim mbi arsyet të cilat më kanë shtyrë t’i shtoj këtë pasthënie monografisë, kushtuar jetës dhe veprës së Ali Kelmendit. Siç ju kam informuar që në hyrje, këtë monografi e kam hartuar gjatë viteve ’80-të të shekullin XX-të. Në mars të vitit 1987, librin e përfundova dhe ia dorëzova redaksisë së Ndërmarrjes së Botimeve “8 Nëntori”. Mbas disa muajve, mësova se recensionet ishin formuluar me vlerësim nga tre specialistë me emër, e megjithatë, nuk e kuptoja psenë e mosdhënies së materialit për redaktim dhe përse procesi i përgatitjes për botim, nuk kishte filluar ende. Unë kisha dorëzuar, së bashku me tekstin e monografisë, fotot, dokumentet, si edhe kopertinën. Në ato ditë, dikush shumë miqësisht, më pëshpëriti duke më thënë se materiali ishte tërhequr në Komitetin Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. Por ndoshta, ky dashamirës nuk e dinte apo nuk pati kurajo, unë s’e di, të më tregojë se në cilin sektor kishte mbetur, apo cili titullar e kishte në dorë. Zotnia, edhe sot, në vitet e demokracisë, kërkon të mbetet anonim…!
Pse nuk ma botonin monografinë e Ali Kelmendit?!
Çështja, siç dukej, ishte konspirative dhe pa pëlqimin e tyre, redaksia nuk mund ta planifikonte për botim. Pas shumë muajve apo pas një viti, u thirra në redaksi me porosi të drejtorit të ndërmarrjes së botimit dhe më kërkuan shumë shpjegime, për sa e sa pikëpyetje, e dyshime. Përgjigjet i kërkonin me shkrim, se do të dërgoheshin lart. Kishin sugjeruar që të hiqeshin paragrafë, faqe të tëra e kërkonin veçanërisht, që platforma, vendlindja e Kelmendit, Kosova e historia e saj, të shkurtohej.
Një nga kërkesat që më befasoi dhe që më nervozoi pas atij angazhimi shumëvjeçar, pas përfundimit të monografisë, ishte që të paraqitej sikur ishte punuar me bashkautor, kandidatin e Byrosë Politike, shokun Pilo Peristeri. Në vërejtjet e tyre, “shokët” e Komitetit Qendror të PPSh-së, këmbëngulnin që figura e Enver Hoxhës, të zinte një vend të posaçëm dhe shkrimet e tij për Ali Kelmendin, të ishin në qendër të referimeve.
Nga i gjithë dokumentacioni i kohës, nuk më rezultonte që Enver Hoxha, të ishte takuar ndonjëherë me Ali Kelmendin. Si të veproja? Nuk ishte e lehtë! Vendosa ta mbaja materialin gjatë, nëpër duar…! Vitet e kthesës demokratike, e gjetën librin në shtypshkronjë, pasi ua kishin dhënë për recension edhe dy profesorëve të tjerë.
Redaktor u caktua Sami Çabej, të cilin e zgjodha vetë, si mik që e kisha, por, edhe për faktin se më kishte redaktuar monografinë kushtuar Vasil Shantos. Shtypshkronja “8 Nëntori”, filloi radhitjen, kurse aparatin ilustrues, e kishin dërguar në tipografinë e madhe, se kishte reparte më të specializuara për fotot, faksimilet dhe kopertinën.
Në ato ditë përleshjesh, që u rrëzua diktatura dhe që vala e ndryshimeve, e përmbysjeve, e rishikimeve krijuan edhe situata të pakontrolluara dhe ngjarje të papëlqyera për shumë institucione e ndërmarrje, më shtynë që të bëja të pamundurën, për ta tërhequr librin nga shtypshkronja. Në tipografi, gjithë materiali ilustrues ishte zhdukur dhe asnjë nga Drejtoria dhe reparti, nuk ishte në gjendje të më jepte shpjegime!
Kuptohet, dëshpërimi në këto raste është i madh, sepse ishin vlera; kisha bërë një punë shumë të lodhshme e me shumë shpenzime, duke shkelur e hulumtuar në të gjitha qytetet e qendrat që kishte jetuar e vepruar Ali Kelmendi, duke marrë takim, me sa e sa bashkëluftëtarë të Kelmendit, miq e të njohur e në shumë raste, me familjet e tyre, sepse një pjesë nuk jetonte, apo vazhdonin dënimet nëpër burgjet dhe kampet e përqendrimit.
Vetëm jashtë shtetit nuk më lejuan për kërkime në arkiva, apo në takime me antifashistë e revolucionarë, sepse, sipas titullarëve të Ministrisë së Arsimit e të Kulturës, “Për Ali Kelmendin, të gjitha i ka thënë shoku Enver. Nuk e shohim të arsyeshme të ndërmerrni kërkime jashtë shtetit”. Për fat, disa nga këto dokumente i kisha fotografuar dhe po i sjell në libër, duke falenderuar gjithë bashkëluftëtarët e Kelmendit, që treguan ndjenjë, bile, disa u kthyen në hulumtues, vetëm e vetëm, që kjo monografi të dilte sa më e plotë.
S’ka histori të keqe, por të vërtetë dhe jo të vërtetë
Ky gjykim e parim ka qenë parësor në krejt punën time kërkimore. Realizimi kërkonte mundim të madh, aftësi komunikimi me bashkëbiseduesit, përgatitje të veçantë për çdo takim, pyetje dhe mbi të gjitha, kërkohej ndershmëri e kurajo dvile. Gjatë grumbullimit të materialit dhe hartimit të monografisë, jam përpjekur që t’i afrohem sa më pranë të vërtetës në trajtimin e situatës, ngjarjeve dhe vetë jetës e veprës së Ali Kelmendit.
Monografi nuk do të thotë fotografim. E rëndësishmja qëndron tek interpretimi i dokumenteve. Deri më sot, nuk është shpikur ndonjë aparaturë që të verifikojë sesa i vërtetë është në ato që kujton, bashkëbiseduesi. Kujtimet dhe tregimet e tyre dhe, në një farë mase, qoftë edhe në përqindje të pakët, subjektivizëm ka edhe në dokumentacion, sepse edhe ato, njerëzit i kanë konceptuar.
Ky shkak, dhe më tepër një e vërtetë tjetër, që do ta sqaroj më poshtë, më shtynë që të përgatis ketë pasthënie, sepse më ndihmoi triumfi i demokracisë dhe zhvleftësimi i sistemit totalitar dhe i dogmatizmit enverian. Nuk mund të mos e pohojmë, se të gjithë lexuesit e kanë mundësinë të shohin arkivat apo brezat e rinj, që nuk e kanë jetuar diktaturën 50-vjeçare, të kuptojnë falsifikimet e përvetësimet, që i janë bërë Historisë të Shqipërisë. Konceptimin e qartë do ta jepte për lexuesin botimi i dokumenteve, që gjithsecili të kishte gjykim të pavarur për ngjarje dhe individë.
Jeta e Ali Kelmendit
Ali Kelmendi, si të gjithë të rinjtë viteve ’20-30-të të shekullin XX-të, u hodh në valë të ngjarjeve që po kalonte Shqipëria dhe trevat e kombit jashtë kufirit shtetëror. Ai u detyrua që të ndërpriste studimet në Austri, në Vjenë, për psikologji, sepse Austrisë, duke qenë në krahun e koalicionit që humbi Luftën e Parë Botërore, i duhej të përballonte periudha të rënda politike dhe ekonomike. Në këto rrethana, Ali Kelmendi kthehet në Pejë, pranë familjes.
Familjen dhe Kosovën e gjeti në një gjendje shumë të rëndë. Ushtria serbe po ndërmerrte masakra dhe operacione të papara. Në këto kushte, Ali Kelmendi u hodh në male dhe filloi luftën me armë kundër shovinistëve serbë. Ai shpejt u detyrua të kalojë kufirin e të vendoset në krah të burrave më me zë të kombit, që për formimin e Ali Kelmendit, siç është shprehur vetë, ka qenë një universitet më i rëndësishëm. Nga Bajram Curri, “Plaku i Maleve”, që ishte si një copë shkëmbi i shkëputur nga Alpet e që kishte në vetvete veti e virtyte, Kelmendi thithi mençurinë e prijësit.
Nga burrat plot dije e kulturë, si; Bedri Pejani, Hasan Prishtina, Ibrahim Gjakova e të tjerë, preku atdhetarizmin shqiptar. Ali Kelmendi, i parritur mirë, u cilësua nga të tjerët burrë. Ai, nga ato që dëgjonte dhe që prekte, krijoi vetëdijen e së vërtetës të mos ekzistencës të kufijve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës e që s’do të kishte forcë që të ndalte bashkimin e trojeve shqiptare. Shpejt u rreshtua në krahun e Avni Rustemit, Halim Xhelos, Sejfulla Malëshovës, Haki Stërmillit e të dhjetëra të rinjve të tjerë demokratë, të organizatës “Bashkimi”, anëtar i së cilës u bë edhe Ali Kelmendi.
Rrjedha e ngjarjeve, pak më vonë e njohu dhe e lidhi me burra të tjerë të shquar të demokracisë dhe të kulturës shqiptare, si me Fan S. Nolin, Luigj Gurakuqin, e të tjerë. Synimi im në këtë jetë e vepër të Kelmendit, është të jap çdo gjurmë në kohën e vet, peshën dhe vlerën që kishte për Shqipërinë, plejada e të rinjve, si Ali Kelmendi, që iu kundërvunë shovinizmit të jashtëm dhe fashizmit që po i nxirrnin “brirët”, e që po thurnin si merimanga rrjetën apo shtrirjen e tyre në Shqipëri.
Ata iu kundërvunë edhe Monarkisë, e cila po vinte në peshore interesat e kombit sa me Beogradin e Athinën e sa, nga fundi, me Romën, që po hidhte rrënjë me kapital e spiunazh e që po e kapte për gryke e kësisoj, po e kthente Shqipërinë në një koloni të pashpallur.
Komiteti Qendror urdhëroi të mos më viheshin në dispozicion materialet
Një arsye tjetër që më shtyu të shkruaj këtë pasthënie, është edhe një fakt që mësova në maj të vitit 1993, plot pas dhjetë vjetëve nga fillimi i punës për monografinë që më zemëroi dhe më dëshpëroi pa masë. Një “copë letër”, që e lexova vetë e që sot ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit (A.Q.SH.), ku kanë kaluar tashmë dokumentet e ish-Arkivit të Partisë së Punës së Shqipërisë (A.Q.P.), me të cilët ish-drejtuesit e Komitetit Qendror të PPSh-së i kishin dhënë porosi të prerë ish-përgjegjësit të AQP-së, që të mos më viheshin në dispozicion të gjitha dokumentet që dispononin për Ali Kelmendin, apo që lidheshin me jetën e veprën e këtij personaliteti.
Besoj është e tepërt, të zbërthej mendimin e tyre se çfarë i shqetësonte. Çfarë i shtynte e çfarë i trembte? Kuptohet, që unë si studiues, pa e ditur në atë kohë porosinë e prerë, nuk mund të harroj dhe s’kam pse të mos e pohoj: sa lodhesha, sa dëshpërohesha, sa nervozohesha kur më përcillnin me duar bosh; kur më servirnin materiale pa rëndësi, kur më mbulonin fraza e faqe të tëra, kur më përgjonin apo më qëndronin mbi kokë dhe aq më tepër, kur m’i mbanin skedat për verifikim dhe kur mbi to, me bojë kine, mbulonin paragrafë, emra, ngjarje dhe faqe të tëra. Ai shërbim tinzar, ajo porosi, që s’ka asgjë të përbashkët me kërkesat shkencore, e të cilat e vrisnin studiuesin, pasi në këtë mënyrë, nuk mund të bëhej shkencë, i largonte merakun e madh, ndershmërinë, sepse pavarësisht nga pikëpamja, e vërteta duhet të mbetet e vërtetë, sepse ndryshe, paramendimi e shtyn studiuesin, t’i trajtojë dukuritë, ngjarjet, personalitetet, jo siç rezultojnë, por siç e kërkojnë bindjet e tij, ose siç duan t’ja diktojnë padrejtësisht, të tjerët me synime mizore.
Unë s’mund të harroj e, habitesha kur dëgjoja të përsëritur përgjigjen e arkivistëve: “…Mirë, mirë e ke ti, që ngulmon, por janë dokumente sekrete…! Janë dokumente të ‘Fondit Rezervë’, janë konspirative”. Tani, që po botohen dokumentet origjinale, dalin në shesh sa e sa të ashtuquajtura materiale “sekrete”, që nuk i kanë dhënë dhe e shtyjnë studiuesin në përfundime e gjykime jo të sakta.
Lexuesi, me të drejtë mund të presë përgjigje për pyetjen që mund t’i lindë. Përse kjo Monografi, e cila u vlerësua me çmim në konkursin kombëtar, është penguar për botim? Përgjigjen e kësaj pyetjeje, do ta parashtroj më poshtë, por më parë dëshiroj t’u bëj të ditur lexuesve dhe në veçanti, të rinjve. Po tani, ç’më shtyn të ngul këmbë që të botohet kjo monografi?
Së pari, kam bindje të padiskutueshme se Ali Klemendi, ka pasur një shpirt të madh atdhetari dhe ka bërë sakrifica të pa imagjinuara për liri, pavarësi, tërësi tokësore, demokraci dhe për zgjidhje sociale e zhvillim.
Së dyti, rreziku i fashizmit vazhdon edhe sot, në kohët moderne, bile edhe në shtete e kombe të fuqishme ekonomikisht.
Së treti, për të kuptuar shtrembërimet, falsifikimet dhe keqinterpretimet që janë bërë nga Enver Hoxha, në veprat e tij dhe në Historinë e PPSH-së e, si rrjedhim, nga tërë historiografia shqiptare, figurës dhe veprës së Ali Kelmendit, plejadës e ngjarjeve të kohës së tij. Koha është treguesi më i mire. Figura si ajo e Ali Kelmendit, nuk vdesin.
Nuk është vendi këtu të rreshtojmë çfarë kanë pohuar e shkruar në kujtime, shumë ithtarë enveristë, që me sajesat e tyre kishin mbushur dhoma të tëra, që i thonin arkiv e që zinte gjysmë kati në selinë e Komitetit Qendror. Tipa si Sevo Tarifa e Sulo Gradeci, ishin ekzemplarë.
I pari, në çdo muaj tetori, muaji i ditëlindjes së Enverit, lexonte leksione nëpër shkolla e ndërmarrje të mbushura me fjalët: “Komandanti legjendar”, “Arkitekti”, “Klasiku”, “Marksist-Leninisti i Madh” dhe shprehjet që kërkonin duartrokitje; “Malet para tij ishin të ulët”, “Dielli para tij ndriçonte më pak”.
Nexhmija, e cila nginte kultin e Enverit
Shumëfishoheshin foto, bëheshin albume, artikuj çdo ditë në “Zërin e Popullit” se ndryshe, tronditej Nexhmija. Valuta derdhej lumë për veprat në seri, që t’ia kalonte edhe Vladimir Iliç Leninit.
Të gjitha botimet viheshin përpara gazetarëve, skenaristëve, regjisorëve, kompozitorëve, piktorëve, skulptorëve e deri tek ata që qëndisnin, që gdhendnin, që thurnin me fije argjendi apo që shkruanin me gurë në shpatet e maleve, emrin e tij. Edhe në burgje e në kampet e përqendrimit, shkruheshin citatet e emri i tij dhe të burgosurit politikë e kundërshtarë, detyroheshin të lexonin e, të konspektonin veprat e Enverit.
Nexhmije Hoxha kishte disa funksione të njohura, por dhe të panjohura. Pa pëlqimin e saj, nuk hidhej hap. Një rrjet i tërë njerëzve të Sigurimit, i sillnin opinione dhe kryenin misione të posaçme, me porosi të drejtpërdrejtë të saj. Si drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, iu besuan çelësat ashtu si magazinierit, çelësat e ideologjisë, të historisë dhe të çdo gjëje që shkruante klasiku.
Nexhmija kishte detyrë specifike; ishte peshorja e kuadrove të lartë e të vetë Byrosë Politike. Për çdo mbledhje të nivelit të lartë partie, plenumi apo kongresi, ajo dhe vetëm ajo, caktonte presidiumin deri në radhitjen e tyre, domethënë, kush në të majtë e kush në të djathtë të shokut Enver.
Ndiqte shtypin, televizionin dhe çdo veprimtari me synimin si e sa herë përmendej, citohej apo dilte në ekran shoku Enver. Ai duhej të ishte në komandë. Po të rastiste që të kalonin dy ose tri ditë e nuk figuronte apo nuk përmendej emri i tij, thërriste urgjentisht kryeredaktorët, drejtorët e institucioneve përkatëse, krijonte alarm.
Shpejt improvizonte, qoftë edhe një vizitë në Galerinë e Arteve, ku Enverin ta rrethonin e ta ndiqnin me gojë hapur “ajka” e artit, e letërsisë, e kulturës dhe e shkencës, vetëm e vetëm që në popull të mbahej gjallë psikoza, se; ai dhe vetëm ai, drejtonte dhe vendoste, se vetëm ai dhe vetëm ai, ndriçonte dhe ngrohte.
Si iu vinte Enveri nofka, njerëzve të shquar?!
Dihet gjithashtu, se Enver Hoxha në periudha e vite të ndryshme, kur ia donte situata, ka përfolur, përqeshur apo iu ka ngjitur nofka, shumë njerëzve të shquar dhe në forma nga më të çuditshmet.
Pa skrupull ka shpifur për; Nolin, Konicën, Fishtën, Mit´hat Frashërin, Sejfulla Malëshovën, Hasan Reçin, Zef Malën, Dhimitër Fallon, Andrea Plasarin, Kostandin Boshnjakun, Omer Nishanin, Vasil Shanton, Anastas Lulon, Ymer Dishnicën, Sadik Premten, Tuk Jakovën, Hysni Lepenicën, Skënder Muçon, Koço Tashkon, Bedri Spahiun, Tahir Kadarenë, Stefo Grabockën e deri te Qemal Stafa e Nako Spiru.
E lista e të sharëve shtohej deri sa vdiq. Mjafton të shihen plenumet e kongreset, bile edhe pas vdekjes, që të kuptohet shifra e krimeve dhe lista e plotë e emrave. Kjo flet katërcipërisht për shpirtin e tij, të një birboje, denigruesi, ciniku e megalomani.
Ndëshkimet monstruoze të Hoxhës
Nga viti 1941 e deri në vitin 1970, Enveri ka përjashtuar 30.000 anëtarë partie. Nga 21 anëtarë e kandidatë të Komitetit Qendror të Partisë Komunistë Shqiptare, që udhëhoqën luftën, 19 u përjashtuan, u burgosën ose u pushkatuan.
Nga 7 anëtarët e parë të Komitetit Qendror Provizor të vitit 1941, u pushkatuan, u burgosën ose u vranë, 6 prej tyre. Nga 80 kuadrot drejtuese të formacioneve kryesore të Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare, mbi 60 janë pushkatuar, burgosur ose përjashtuar.
Mjafton të njihesh me materialet e Plenumit të Dytë të Beratit, Plenumit të Pestë e të Tetë dhe në pëllëmbë të dorës, të jepet kuadri e bëmat e zeza të Enver Hoxhës. Portretin e tij, nga shkolla në Gjirokastër, në Liceun e Korçës dhe deri në Francë, ia ka sjellë në formë bindëse, shoku i tij Foto Bala, një intelektual me emër.
Pse iu pre bursa në Francë nga ministri i Arsimit, Marash Ivanaj, për arsyen e vetme të mosmarrjes së provimeve, e vdiq në burg këtë patriot, e mendimtar të madh. Të njohësh ç’ka shkruar Musine Kokolari, i vëllai Isa Kokolari apo intelektualët Nexhat Peshkopia, Fejzi Dika, Nonda Bulka, Mentor Çoku, Babameto, të vjen turp e çudi se si ky erdhi në krye të luftës dhe të shtetit.
Çfarë ka shkruar Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica, Skënder Luarasi, Omer Nishani, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Nako Spiru, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Liri Belishova, Justina Dishnica, Drita Kosturi, Sotir Vullkani, Stefo Grabocka, Kiço Ngjela, Kasëm Trebeshina dhe po të vazhdohet, lista është pa fund dhe këta që përmendëm janë disa nga dëshmitarët më të afërt të jetës e veprës se tij të zezë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016