Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e pestë
Memorie.al / Grupi Operativ Special që u krijua menjëherë pas arrestimit të ish-Ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehut, në mesin e muajit tetor të vitit 1982, në krye të të cilit ishte zv/ministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, (njëkohësisht mbante edhe funksionin e Drejtorit të Sigurimit të Shtetit) dhe si vartës të tij kishte Enver Zenelin e Hasan Ulqinakun, ndërmjet masave të tjera, siç ishin; studimi dhe analiza e një numër të madh dosjesh arkivore që i përkisnin një periudhe të gjatë kohe, (1945-1982), u bëri thirrje dhe u kërkoi edhe disave prej ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes së PPSh-së dhe ish-kuadrove të lartë drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, oficerëve të Sigurimit të Shtetit, etj., që të jepnin me shkrim, ato që ata dinin, apo kishin dyshime, lidhur me “veprimtarinë armiqësore”, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, apo dhe personave të tjerë, me të cilët ata i kishte lidhur puna apo jo, gjatë periudhës që ata kishin shërbyer pranë asaj ministrie, apo në Degët e Brendshme në rrethe, në sektorin e Zbulimit Politik, pranë përfaqësive tona diplomatike të akredituara në shtete të ndryshme të botës, etj.
Ndër ish-funksionarët e lartë të PPSh-së dhe kuadrot drejtuese e oficerët e Sigurimit të Shtetit, etj., që iu përgjigjën kësaj thirrje, duke dhënë dëshmitë e tyre me shkrim pranë Grupit Operativ Special, ishin: Liri Belishova, (ish-anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së për propagandë, artin dhe kulturën), Nesti Kerenxhi, (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Punëve të Brendshme), Xhule Çiraku (ish-gjeneral-leitnant, Drejtor i Drejtorisë së Dytë të Sigurimit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Rexhep Kolli (ish-gjeneral-leitnant, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Zija Kambo (ish-gjeneral-major dhe komandant i Gardës së Republikës), Zoi Themeli (ish-gjeneral-leitnant, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Myftar Tare, (ish-kolonel dhe zv/ministër për Zbulimin Politik, i arrestuar në vitin 1949 dhe nxjerrë në lirim), Nevzat Haznedari, (ish-gjeneral-major dhe Kryetari i Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme), Hekuran Pobrati (ish-kolonel dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit), Feti Smokthina (ish-kolonel dhe Komandant i Gardës së Republikës), Zylfi Saliu (ish-kolonel, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit, kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe, e deputet i Kuvendit Popullor), Lelo Sinaj, (ish-oficer madhor dhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit), Halil Zeneli (ish-kolonel i Sigurimit dhe kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe), Ilo Manushi (oficer madhor dhe drejtor i Drejtorisë së Kuadrit të Ministrisë së Brendshme), Mark Dodani (ish-nënkolonel, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit dhe zv/kryetar i Degës së Brendshme Sarandë), Xhemal Bejto Fasllia, (ish-gjykatës dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme), Ibrahim Kubati (ish-agronom i diplomuar në Bullgari, drejtor i rezervateve të gjuetisë në disa rrethe të vendit, ku shkonte udhëheqja e lartë e PPSh-së për gjueti, i dënuar me pesë vjet burg politik), Ali Kubati, (ish-oficer i Zbulimit Politik në disa shtete të botës dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës), etj.
Nga letrat në fjalë të dërguara në adresë të Grupit Operativ Special pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo personalisht ministrit Hekuran Isai, në vitet 1982-1983, në numrat e kaluar, kemi publikuar letrat e Liri Belishovës, Hekuran Pobratit, Xhule Çirakut, dhe Mark Dodanit, kurse në këtë shkrim, kemi përzgjedhur për botim, letrën e Ibrahim Kubatit, drejtuar Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, (degës së Sigurimit), e cila mban datën 19 nëntor të vitit 1982, pak ditëve pasi ai ishte liruar nga burgu i Spaçit, (me amnistinë që u dha asokohe nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë), ku ai vuante dënimin që nga viti 1980, si i burgosur politik.
Si u u dënuan si “armiq të popullit”, gjashtë shokët më të ngushtë të Myslym Ketës?!
Ibrahim Kubati, prej disa vitesh kishte shërbyer si drejtor i rezervateve të gjuetisë në disa rrethe të vendit, ku shkonte udhëheqja e lartë e PPSh-së për gjueti, (Dajt, Kune-Vain. Velipojë, Divjakë, Elbasan, Librazhd, Karaburun, Korçë, etj.) njihej edhe si njeri i afërt i Kadri Hazbiut, i cili e merrte shpesh me vete kur shkonte për gjueti. I arrestuar në vitin 1980, si pjesë e një “grupi armiqësor”, ku bënin pjesë edhe i vëllai i tij, Ali Kubati (ish-oficer i Zbulimit Politik në disa shtete të botës dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tiranës), Bardhyl Mano, ose siç njihej ndryshe si; Lola Mano (ish-funksionar i lartë me disa detyra shtetërore), Edip Ohri, (ish-kolonel, komandant i Aviacionit Luftarak të Shqipërisë dhe deputet në Kuvendin Popullor), Sabri Pilkati (ish-prokuror dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës), Shyqëri Këllezi, (djali i xhaxhajt të Abdyl Këllezit, ish-shoqërues personal i Enver Hoxhës gjatë Luftës dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave), të cilët u dënuan me vite të gjata burgu politik.
Të gjithë pjesëtarët e këtij “grupi armiqësor”, përveç miqësisë së ngushtë me njëri tjetrin, kishin edhe lidhje krushqie, pasi Sabri Pilkati, kishte për grua motrën e Myslym Ketës, Edip Ohri, kishte për grua, motrën e Ali dhe Ibrahim Kubatit, kurse Myslym Keta, kishte për grua, motrën e Bardhyl Manos. Po kështu të gjithë këta, kishin qenë edhe shokët dhe miqtë më të ngushtë të Myslym Ketës, (“Hero i Popullit”), që nga periudha e Luftës, si pjesëtarë të njësiteve guerile të Tiranës e formacioneve partizane, miqësi të cilën e kishin ruajtur edhe pas vdekjes “aksidentale” të tij (në 1966), duke e vazhduar atë, deri ditën që u arrestuan. Në këtë grup shokësh, bënin pjesë edhe kolonel Adnan Qatipi dhe Safet Kurti, (ish-pjesëtarë të njësiteve guerile me Myslym Ketën) të cilët nuk u arrestuan si të tjerët, (gjë e cila, edhe për shkak të intrigave të Sigurimit, bëri që të hidheshin hije dyshimi mbi ta), por patën dhe ata probleme, duke u shkarkuar nga detyrat që kishin, apo duke i nxjerrë në pension, (Safet Kurti), ende pa mbushur 50 vjeç!
Siç do të shohim edhe nga letra në fjalë e Ibrahim Kubatit, gjatë procesit hetimor, hetuesit kanë insistuar që ai, të pranonte akuzën, ku thuhej se ata, pjesëtarët e atij grupi, në biseda mes tyre dhe me të tjerë, shprehshin se; Myslym Keta nuk kishte vdekur aksidentalisht, por atë e kishte eliminuar Sigurimi i Shtetit, pasi udhëheqja e lartë, kishte shumë frikë nga ai. Kjo gjë, e cila është përfolur nën zë edhe gjatë periudhës së regjimit komunist, bëhet e ditur edhe nga ish-oficeri i lartë i Sigurimit të Shtetit, nënkolonel Mark Dodani, në letrën që ai i’a dërgon ministrit Hekuran Isai në vitin 1982, ku ai tregon se; në vitin 1965, e kishte thirrur zv/ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-major, Rexhep Kolli, (që njëkohësisht ishte dhe Drejtori Sigurimit të Shtetit), i cili i kishte ngarkuar si detyrë, që ai (Marku), të vriste Myslym Ketën, pasi sipas tij, “Lymi kishte kaluar në tradhti e donte të arratisej nga Shqipëria”.
Për atë gjë, gjeneral-leutnant Rexhep Kolli, i kishte treguar Markut edhe urdhrin me shkrim, të firmosur nga ministri i Mbrojtjes, gjeneral-leitnant Beqir Balluku dhe ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Kadri Hazbiu. Ndërsa me këto u njohëm në tre shkrimet e kaluara nga letra e Mark Dodanit, lidhur me bisedat e shokëve dhe miqve më të më ngushtë të Myslym Ketës, (Edip Ohri, Bardhyl Mano, Sabri Pilkati, Shyqëri Këllezi dhe Ibrahim e Ali Kubati), si dhe për ato që u kërkonte hetuesia atyre, etj., na njeh letra e Ibrahim Kubatit, (që publikohet nga Memorie.al), si dhe bën të ditura edhe raportet e marrëdhëniet që kishin pjesëtarët e atij grupi me njëri tjetrin, arrestimin e dënimin e tyre!
DOKUMENTI ARKIVOR ME LETRËN E IBRAHIM KUBATIT, I SAPO LIRUAR NGA BURGU I SPAÇIT ME AMNISTINË E VITIT 1982, DËRGUAR MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME, HEKURAN ISAI
MBI DISA ÇËSHTJE QË KANË TË BËJNË ME PROCESIN HETIMOR
KUNDËR MEJE DHE PERSONAVE TË TJERË QË LIDHEN ME MUA
- Thelbi i gabimeve të mija, ishte thënia se në udhëheqje, ka divergjenca. Për këtë ndër të tjera, kam përmendur thënien e Spiro Moisiut, kur bisedonte me Bardhyl Manon. Bardhyli i thoshte se; ty ta ka mbledhur Mehmet Shehu, ndërsa shoku Spiro, thoshte; se unë kam Enver Hoxhën, qe ja mbledhë atij. Hetuesi Bashkim Asllani, më thoshte se Spiro Moisiu, është armik i Partisë, ai ka simpatizuar edhe gjermanët. Po kështu më ka thënë se; edhe Myslym Keta, është armik i Partisë.
- Në hetuesi, kam deponuar një thënie të Bardhyl Manos, për Muhamet Prodanin. Sipas Bardhylit, Mehmet Shehu ka dashur ta mbrojë Muhametin, por s’ka arritur sepse, ka vendosur shoku Enver. Mehmet Shehu këtë haber, ja dërgoi Muhametit, nëpërmjet të tjerëve (ka të ngjarë të jetë Sabriu (Pilkati).
- Ditët e para të hetuesisë, filloi të qarkulloj një dosje që ja vunë emrin e “Kasus Kleit”. E lexonin atë me radhë dhe me hidhnin romuze. U kujtova se im vëlla, e ka të shënuar në gjendjen civile, emrin; Jo Ali, por Muhamet Ali, kështu që ishte shumë afër emrit Muhamet Ali (emëri i boksierit, Kasus Klei).
Nuk mbaj mend ç’ia bëra, por jam zënë me ta dhe Kristofori më premtoi, se edhe atë tim vëlla, do ta arrestonte. Dhe e arrestoi. Unë, edhe gjatë gjyqit edhe tani, nuk di se çka bërë ai, dhe nuk është në kompetencën time kjo punë, por dua të përmend disa gjëra të tjera, që mund t’i nevojiten Partisë.
Si në hetuesi ashtu dhe në gjyq, se çfarë u kurdis me Sabri Pilkatin, një thënie gjoja e imja, për një studim për pastrimin e radhëve të Partisë, në një kohë që tim vëllai, sapo i kishte rënë infarkt dhe ishte pa ndjenja. Në kaush e pyeta vëllanë, se çfarë kishte bërë, mbasi s’kuptova gjë, se edhe në gjyqin tim, Sabriu tha se nga Aliu kishte frikë, kurse unë, i dukesha ndryshe.
Im vëlla ishte i mërzitur e më dha kurajo, ma këshilloi që të qëndroj mirë, më tha që edhe në pozicion të keq, të japim shembull të mirë, e në fund më tha: se ai kishte bërë autokritikë, sepse kështu e kishte këshilluar Kristofori, në emër të Mehmet Shehut dhe të Kadri Hazbiut, megjithëse çështjet nuk qëndronin.
- Sigurisht që në hetuesi, isha i detyruar që të jepja llogari për gabimet e fajet e mija. Ndërmjet të tjerash, mbrohesha dhe tregoja për punën time, si kuadër, komunist etj., i flisja për biografinë, për vuajtjet e mija e të familjes, e kështu me radhë.
Gjatë bisedimeve me Bashkim Asllnin, kur unë i thosha se Rajoni i 4, donte të më bënte anëtar të Komitetit të Partisë, ai thoshte se; nuk e lëmë ne të bëhej kjo punë, kur unë u thosha për pllakën përkujtimore të shtëpisë që ishte në plan për t’u rivënë, ai thoshte nuk e lamë ne të vihej, e kështu me radhë. Me një fjalë, vinte veten e organet Sigurimit, mbi Partinë.
- Hetuesia e jonë u mbyllë shpejt e pa pritur dhe unë (besoj se edhe të tjerët) u gëzova për këto, e për më tepër që u hoqën ato thëniet e tjera. Bile Bashkimi më thoshte, firmos shpejt, se jua falëm nenin e organizatës, sikur kjo të varej prej tyre dhe jo nga faktet. Kështu që ballafaqimet i bëmë shpejt dhe firmat u hodhën pa përgjegjësi. Për këtë periudhë, kam këto konstatime: –
Ballafaqimin e parë e bëra me Sabri Pilkatin: ai tha se kishte biseduar me mua, dhe unë pranova, duke menduar se kjo bëhet për fakt të krijimit të treshes. Me sa më kujtohet, në ballafaqimin me Bardhylin dhe Edipin, u thanë gjera të përgjithshme, u bë humor, qeshem sikur ishim të gëzuar. Në gjyq u cituan thënie të pakonfirmuara, sidomos në adresë të babës tim dhe nënës. Në gjyq heshta, vetëm për të mos bërë figur të keqe, sepse ishte gjyq i hapur dhe do të dëmtohesh interesi i gjyqit.
- Tani që dola nga burgu, mora vesh për një trajtim shumë të keq që i kanë bërë nënës time, kur vinte në hetuesi për t’u interesuar, e tallnin, e shanin deri sa e vranë, d.m.th., e bënë të plasë, pa kuptuar dhe se ç’po ndodhte. Kjo është vepër e Kristoforit me shokë dhe unë prej tyre do ta kërkoj.
I njohur me këtë gjatë procesit hetimor, vura re se ata kishin vendosur për qëllimet e tyre të ulëta, të zhduknin edhe të gjallët edhe të vdekurit. Se si kanë manipuluar me Bardhylin për nënën, e me Edipin për babanë, që ka 20 vjet që ka vdekur, por mbaj mend thëniet e tyre se; Kubatët e masin veten me hijen e mëngjesit, tallje për këtë familje, mohim të gjithçkaje që i ishte bërë, e tjera.
Mbaj mënd gjithashtu, se Bardhyli dhe Edipi, i vriste ndërgjegjja për këtë, megjithëse në kaush nuk bënin asnjë bisedë për këtë. Në atë kohë, nuk dija asgjë për lidhjet e Kristoforit me S… (e kunata) dhe nuk shpjegoja dot, se ç’kishin me time motër, që vetëm ka punuar e lodhur gjatë gjithë jetës së vet!
Pse nuk u bind hetuesia dhe Kristofori, për nënën e babanë, nga shpifjet se gjoja nëna ka pas folur për lugë floriri me Bardhylin, në një kohë që ajo kishte mbi dhjetë vjet që nuk dëgjonte, ose babai për krushqit, në një kohë që dy dhëndrit (burrat e motrave) i mbante në shtëpi dhe i donte aq shumë (njëri është nga Labëria dhe tjetri nga Gjirokastra)?
Erdhi një kohë në hetuesi, që Bashkim Asllani më kërcënonte, se do të arrestonte nënën, por edhe djalin sa të rritej edhe pak, se ishte i vogël 13 vjeç. Ç’thonin, e bënin ata në atë kohë, u priste shpata, por do të vinte dhe dita e sotme.
- Edhe unë kam gabuar në hetuesi, e kur e analizoj sot, nuk arrij të kuptoj psenë! Sigurisht kam pësuar shok nervor e kur e pashë se s’kisha ç’të bëja, kalova në indiferentizëm. Janë dhe metodat e hetuesisë që ndoshta më influencuan negativisht. Ç’thonin, bënin, më arrestuan vëllain, më kërcënuan se do arrestonin nënën, motrën, pastaj donin të arrestonin dy kunetërit e tjerë.
Bashkim Asllani, më tundte një numër të revistës “Rruga e Partisë”, ku Teki Tartari (kunati im), kishte shkruajtur një artikull e thoshte, ne e shikojmë, ka frikë, do ta sjellim këtu. Më mbanin gjithë natën në këmbë, e mundoheshin të më sugjestiononin, më çonin në dritaren e dhomës së hetuesisë, që të shikoja vëllain si merresh ne pyetje.
Me siguri se ka komplote, se Bardhyli është agjent e gjithçka tjetër, më bindnin, e pastaj kërkonin prej meje, të shkruaja maketin e organizatës, të pranoja planin e arratisjes së Bardhylit e Myslymit. Kërkonin t’u provoja, se nuk isha agjent. Më çmendën dhe ndihem deri tani vonë, i pirë. Kur bëhesh fjalë për Myslym Ketën, më pyetën se cilin ka patur shok të ngushtë përveç Bardhylit, unë i përmenda Hamid Haxhinë.
I fola për të, për pikëpamjet anadollake të tij, për pazarin e vjetër, për ahengjet, të cilat Bashkimi i formuloi, që nuk e mbaj mënd hiç. Më thanë se Xhavit Topçiu, është agjent i SIMIT, më treguan një informacion prej dy faqesh, i bërë aga Adnan Qatipi, në datë 15.10.1980, i shkruajtur me bojë stilografi, më pyetën se çfarë bisedash kisha bërë me të.
I thashë që komentonim vdekjen e Titos dhe reparacionet e luftës e diçka tjetër, nga të cilat Bashkimi hartoi një proçes-verbal, që as më kujtohet se çfarë shkruante. Për Miço Kallamatën dhe Vito Koçin, kisha relatuar disa herë me shkrim. Për Miçon, kisha përmendur epitafet e një romani të tij, barcoleta, kisha thënë se kohët e fundit kishte ndryshuar, për Viton kisha përmendur që më kishte thënë një barcaletë, se i pëlqenin veprat e udhëheqësit, por ato nuk zbatoheshin, e ndonjë gjë tjetër.
Për të më ndihmuar, ata më treguan se çfarë thoshte Bardhyli për to, e pastaj ato ju shtuan proçesit. Për Skënder Xhikun dhe Teki Tartarin, rezistova deri afër vitit të ri, por pastaj dhe për to firmosa diçka, që m’u dukën të lehta dhe sipas Bashkimit, shërbenin vetëm për t’i tërhequr veshin, e asgjë më tepër.
Po kështu nuk rezistova dhe për thëniet me Bardhylin dhe Edipin, të marra nga maketi i organizatës, e ndonjë thënie tjetër, pasi ishin gjithnjë brenda nenit të agjitacionit. Edipin, ç’është e vërteta, e rëndova, pasi ai më atakonte motrën, për arsyet që dihen. Në këtë drejtim, influencoi shumë Kristofori, i cili më bindi se Edipi, kishte mbi 20 vjet që bashkëjetonte me një femër tjetër e, duke më njohur dobësinë time në këtë drejtim, më bindi se ishte i degjeneruar.
Sikurse kam vepruar unë, ka shumë mundësi, që të kenë vepruar edhe të tjerë, sepse me sa mbaj mënd, bëhesh një lojë nga Kristofori, se cili duhet të jetë kryetari. M’u fiksua se donin t’ja ngjishnin vëllait, mbasi vura re se gjithçka fliste kundër Kubatëve, dhe iu përvesha Bardhylit dhe Edipit, e nuk pyesja më se çfarë bëja. Po kështu bënte edhe Bardhyli, që donte të hiqte nga vetja, e kështu me radhë. Si rrjedhim, proçesi i gjyqit doli i fryrë.
- Kam biseduar në mënyrë të sinqertë me Bashkim Asllanin. I thoshe dakord, unë kam bërë gabime të pafalshme, e në këtë drejtim, siç themi edhe vete, më ka marrë në qafë Bardhyli. Sigurimi i dinte këto gjëra, që para vitit 1968-‘69, mbasi Asllan Haka, ishte shok i ngushtë me Bardhylin dhe Sabriun. Deponimet e tij me të mijat, përkonin.
Në atë kohë, afrohen me Bardhylin mbasi kalojmë në një organizatë partie, e filloj e merrem edhe unë me gjuetinë, i ngarkuar nga lartë. Pse më latë, pse s’më ndihmuat, kur ju keni ndihmuar edhe të tjerë?! Ai qeshte! Vazhdoja ta pyesja: Asllani u largua nga ai grup, por fliste shumë mirë për ta, e me sa duket vendin e tij e zura unë, sepse ai u ngarkua me detyra të tjera. Çfarë pritnit të ndodhte, të shtoheshin viktimat?!
Ai prapë qeshte, e pyesja prapë; pse Adnani apo ndonjë tjetër, (për të cilët kam referuar) hapnin muhabete armiqësore? Kjo është nxitje. Ai nuk përgjigjej. Tani i bëj vetes edhe pyetje të tjera. Siç kam relatuar, Bardhyli më ka pas thënë, se Asllani ka një rini të errët, me ‘Ballin Kombëtar’ dhe nuk i dihet mirë periudha e Luftës. Njëkohësisht është shokë shumë i ngushtë me Feçorin, bridhnin bashkë dhe ishin të ç’thurur moralisht, njëlloj.
Mos vallë edhe në drejtim, ka koordinim të punës armiqësore?! Kadri Hazbiu e Mehmet Shehu, e kishin shok Bardhylin, e njihnin prej kohe, mos vallë edhe këta e linin që të zmadhohej infeksioni me dashje, apo e kultivonin vetë atë, për ta përdorur kur të donin, për ndonjë qëllim të tyre?!
- Mundet edhe të gaboj, por në hetuesi edhe pas saj, e ndjeja veten në eufori, si të droguar, mendoja e flisja budallallëqe e pa përgjegjësi. Në këtë gjendje, ishte dhe Edipi, për të cilin këtë fenomen, e kam vënë re që në vitin 1975, kur i folëm njëri tjetrit.
- Në një bisedë me Kristoforin, kur i thashë që; pse silleni kështu me njerëzit e Partisë, më tha se ne kishim pikëpamje revizioniste dhe se ishim më të rrezikshëm se reaksionaret e tjerë, ose borgjezët me tendenca properëndimore.
Tiranë, më 19.11.1982
IBRAHIM KUBATI
d.v.
Shënim:
Më datën 12 nëntor 1982, së bashku me shokun Elham Kadia, zëvendëskryetar i Degës së qytetit, në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, në bazë të porosisë së dhënë, u shkua në Spaç, për të bërë disa tërheqje nga radhët e atyre të dënuarve që liroheshin me dekret.
Midis tyre, u thirr edhe Ibrahim Kubati. Me të, u organizua një bisedë e përgjithshme, nuk u konkludua për ta tërhequr, mbasi ai në bisedë, na tha se unë kam disa gjëra, që lidhen me proçesin hetimor timin, e që bëjnë fjalë për hetuesit e çështjes.
Lidhur me këtë nga ana jonë, iu tha se; çfarë kini është mirë që t’i drejtoheni Partisë. Në datën 19, Ibrahim Kubati erdhi në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë dhe u takua nga unë dhe shefi i seksionit te grupimeve, Koço Eftimi. Në këtë takim, na pruri edhe materialin e mësipërm. Përfundimisht, Ibrahim Kubati premtoi se; do të jem njeri i Partisë, çfarë do të shikoj e do të dëgjoj, do të njoftoj menjëherë, në organet e Sigurimit të Shtetit, por bashkëpunimin, në mënyre sekrete me organet e Sigurimit të Shtetit, e refuzoj në mënyrë kategorike. /Memorie.al
Puntori Operativ
Reshat Islami
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016