Nga Sabit Abdyli
Memorie.al / Petrit Alliu, hynë në radhën e mërgimtarëve të parë shqiptarë, të ardhur në Zelandën e Re, që në vitin 1951. Njohës i shumë gjuhëve të huaja, si: anglisht, turqisht dhe italisht, intelektual e sportist me shumë sukses, pasi ka luajtur volejboll për ekipin e parë të Tiranës në vitet 1947 – ‘48, më vonë edhe për shkollën amerikane “Robert College” në periudhën 1948-1951, kurse në qytetin e Aucklandit, ka luajtur futboll në vitet 1952 – ‘54. Petriti ka të kryer gjimnazin në Tiranë dhe shkollën amerikane “Robert College” në Stamboll. Sot edhe pse i shtyrë në moshë, gëzon shëndet të mirë. Është i martuar, ka një djalë e dy vajza: djali, Qerimi, infermier, jeton në Sydney (Australi), vajza Jasmina, arkitekte, jeton në Adelaide (Australi) dhe Shpresa, kontabiliste, jeton në Zelandë.
Djali, Qerimi për ta plotësuar zbrazëtirën e boshllëkun që e ndjente për Shqipërinë, me emër e mbiemër të falsifikuar, anëtarësohet në parti majtiste, në Londër. Në vitin 1985, shkon në Shqipëri, por Qerimi nuk ka mund t’i vizitojë xhaxhallarët, nënëloken, shtëpinë në Tiranë, etj., për të cilët i kish folur i ati me aq mall, sa e sa herë.
Rrëfimi i Petrit Alliut
“Unë, në prill të vitit 1992, me të zbritur nga avioni, në aeroportin e Rinasit, pas 44 vjetëve, e putha tokën nënë, u çmalla, u kënaqa me familjarët, miqtë, shokët, por edhe u mërzita kur pashë Shqipërinë më keq, se që e kisha lënë në vitin 1948” – na rrëfen Petrit Alliu, me një shqipe të rrjedhshme, kur po pinim kafe në shtëpinë e Zenel Tahirit.
“Në shtator 1948, – tregon z. Alliu, e kreva Liceun Artistik në Tiranë. Mua dhe shokëve të gjeneratës time, po atë vit na dhanë bursa për të vazhduar shkollimin jashtë shtetit. Mua, bursa m’u dha pak më vonë se të tjerëve, pasi regjimi komunist, nuk na shihte me sy të mirë, neve që ishim me prejardhje nga familjet me mirëqenie të mirë ekonomike. Po atë vit, na nisin me vaporin rumun “Transilvanija”, për në Stamboll, për të dalë pastaj në Detin e Zi, përmes grykës së Bosforit.
Duhej të shkonim aq larg, pasi marrëdhëniet Shqipërisë komuniste me Jugosllavinë e Titos, tashmë ishin prishur. Në vapor ishim 400 të rinj, që shkonim për të vazhduar shkollimin në shtetet e kampit socialist, si: Çekosllovaki, Rumani, Poloni, Rusi, Hungari, etj. dhe ne lundronim natën.
Me të arritur në Stamboll, u hodhëm nga pjesa e prapme e vaporit në det, bashkë me një shokun tim nga Tirana, Skënder Muka e quanin, kështu ishim marrë vesh fshehtas në kuvertën e vaporit. Natën, dritat e qytetit reflektoheshin në sipërfaqen e ujit dhe kishim bindjen se jemi krejt afër, madje me dukej se dritat mund t,i prekja me dorë.
“Drejt dritave…! Jepi” – më tha Skënderi, që ishte më i fuqishëm, më notar i mirë se unë. Në terrin e asaj nate, u ndamë me Skënderin…! Medet! Kurrë më, nuk e pashë. Duke notuar, e vëreja se dritat ishin tepër larg, kurse unë gjithnjë e më shumë ndjeja lodhje.
U ktheva në shpinë dhe me lëvizje të ngadalta të këmbëve e duarve, arrija të qëndroja në sipërfaqen e ujit. Me shpresa të humbura, fillova të bërtisja me atë pak zë që më kish mbetur për ndihmë, shqip e italisht. Dhe mrekullia ndodhi. Dy peshkatarë turq me barkë, më kapën për krahësh…!
Pas hetimeve të policisë turke, se kush jam, prej nga vij, etj., m’u pranua statusi i refugjatit. Me ndihmën e Organizatës për Refugjatët, u regjistrova në shkollën e njohur amerikane “Robert College” në Stamboll.
Kolegjin e kreva në vitin 1951. Aty mësova gjuhën angleze dhe turke. Po atë vit (1951), u njoha me Mazhar Krasniqin. Me Mazharin, vendosëm që edhe ne t’i bashkangjitemi refugjatëve, në mesin e të cilëve, përveç shqiptarëve, kishte edhe bullgarë, grek, rumun, e të tjerë, që bëheshin gati për në Zelandë të Re.
Me vaporin “Goja” pas 35 ditësh lundrimi, më 1 maj 1951, mbërrimë në Wellington, kryeqytetin e Zelandës së Re. Prej aty me tren, na çuan në kampin “Pahiatua”, ku për gjashtë javë, punova si mësimdhënës. Refugjatëve, jo vetëm shqiptarëve, por edhe turqve, bullgarëve, rumunëve etj., ua mësoja gjuhën angleze.
Në pjesën e dytë të muajit qershor, na shpërndajnë gjithandej Zelandës jugore. Pas një viti, unë, Mazhar Krasniqi, Shaban Kryeziu, Shaqir Seferi, Fadil Kaceli etj., u vendosëm në Auckland. Më duhet t’ju them se, ne shqiptarët, fituam shumë shpejt simpatinë e vendasve, si njerëz punëtor, të përgjegjshëm e sportistë të mirë.
Unë me Fadilin, kemi luajt futboll (në vitet 1952-’54), me shumë sukses, në ekipin “Grey Lynn Comrades” në ligën e parë. Jetonim me mall e me shpresë, se një ditë do të kthehemi në atdheun tonë. Me punë, që të gjithë kishim krijuar kushte për jetë normale. Ne, (për shqiptarët e kam fjalën), nuk kalonte java pa u takuar me njeri tjetrin.
Kështu arritëm ta mbajmë gjallë frymën shqiptare. Formuam “Lidhjen e Qytetarëve Shqiptarë” në Zelandë dhe kurdoherë, kryetari i Lidhjes, Mazhar Krasniqi e kishte mbështetjen tonë. Diku pas vitit 1970, këtu në Zelandë u mbajt një tubim i të kuqve, siç i quanim ne partitë marksiste-leniniste.
Erdhën përfaqësues të partive komuniste nga e gjithë bota, në mesin e tyre edhe dy shqiptarë, përfaqësues të PPSH-së. Me niciativën e Komuniteti shqiptar, kryetarit të saj, z. Krasniqi u organizua një demonstratë kundër tubimit të të kuqve. Protesta bëri jehonë të madhe. Media e këtushme: si ato elektronike ashtu edhe ato të shkruara (gazetat), i dhanë publicitet të madh.
Kur erdhëm në vitin 1951 në këtë ishull të largët, gjetëm një zonjë shqiptare, e ardhura para nesh në Zelandë. Dikush prej nesh ka kontaktuar me të. Dimë se ishte e ardhura nga Egjipti dhe e fliste mirë gjuhën shqipe. Ku gjendet, çka u bë me të, nuk kam informata.
Malli i atdheut është i madh. Këtë mall edhe ju tani po e ndjeni, por sot e kemi më lehtë. Komunikojmë me telefon sa herë që duam, informohemi rregullisht, rrugën drejt Shqipërisë e kemi të hapur.
Atëherë, kur shkruaja letër, nuk shkruaja gjë, e dija se letrat lexoheshin prej njerëzve të Sigurimit të Shtetit në Tiranë, po të shkruaje më shumë se; “jam mirë…”, ajo nuk arrinte kurrë për ku e kishe adresuar.
Desha t’ju them edhe këtë, kur u kthye djali, Qerimi nga Shqipëria, më solli shumë fotografi, incizime, bile edhe kompletin e veprave të Enver Hoxhës, (qesh me zë) të cilat ende nuk i kam lexuar. Memorie.al