Nga Mehmet Musa
Pjesa e parë
-Pranvera e vitit 1981 ishte një bombë atomike kundër Jugosllavisë dhe ”bashkim –vëllazërimit!” –
Memorie.al / Po i referohemi një gazete kroate ‘VUS’, të vitit 1981, atje shkruhet se vetëm gjykata e qarkut në Pejë me gjyqtarin Ukë Muçaj dhe gjykata e qarkut në Prishtinë, me gjygjtarin Ymer Osaj, ka gjykuar në bazë te neneve 131, 133 për një vit, aq të pandehur, sa që e tërë Kroacia nuk ka gjykuar për 10 vjet! Atdheu ynë u shkretua, aktivistët më të zot dhe më të zellshëm u torturuan, u rrahën skajshmërisht nga hetuesit shqiptarë dhe u prangosën. Por megjithatë, lufta eci perpara e për këtë, kanë meritë të fuqishme e të madhe, Jusuf Gërvalla me shokët e tij, që punonin dhe vepronin me emigracionin jasht Atdheut si dhe qeveria e Tiranës, që vazhdimisht, me të gjitha mjetët, përkrahte rininë revolucionare të Kosovës, para, gjatë dhe pas vitit 1981.
Diku nga fillimi i korrikut 1981 erdhi për vizitë në Dukagjin Enver Topalli. Meqë unë kisha dokumente udhëtimi, u vendos që unë të shkoja në Gjermani, dhe të takoja Jusuf Gërvallën, për të koordinuar punën dhe veprimet atdhetare, në të ardhmen.
Me gëzim e pranova atë ofertë, por duke mos ditur adresën e tij, mendova se ndoshta nuk mund ta takoja, pasi vendndodhja e tij, mbahej sekret nga shokët e tijë, pėr arsye sigurie.
Megjithatë u nisa, sepse në Munih, punonte babëloku im Musë Mehmeti. Aso kohe nuk kishte telefona dhe mundësi komunikimi si sot. Unë shkova në konviktin ku baba Musë, banonte dhe ai u habit kur më pa. Pas qëndrimit një javë aty, u nisa nga Mynihu për Shtutgart. Rruga me tren, zgjati dy orë dhe me të arritur në stacionin e trenit në Shtutgart, fillova të shëtisja.
Pas pak zbrita shkallëve teposhtë në bodrum, aty ishte një ëmbëltore e madhe dhe kishte një radhë te madhe të njerëzve që donin të blinin akullore. Papritmas, pashë një fytyrë të njohur që punonte në ëmbëltore. Kur u afrova, pashë se ai ishte Naim Haradinaj edhe dy shqiptare te tjerë. U gëzova pa masë, kur e pashë, sepse sigurova veten se Naimi, do të më ndihmonte për qëllimin tim. Nga puna e shumtë në ëmbëltore Naimi, as që e ngrinte kokën të më shikonte, kështu që vendosa të futesha në radhë, për të blerë një akullore e atëhere, ai do të me shikonte. Me Naimin, unë njihesha që nga Deçani. Kur arrita te ai, me buzëqeshjen e tij të zakonshme, më përshëndeti dhe më dha akullore e, me tha të mos largohesha se, kur të ishte më i lirë do të bisedonim.
I thashë se kisha dëgjuar që Bardhoshi, ndihmonte studentët për ti punësuar, nga dy-tre muaj. Naimi, më pyeti nëse kisha nevojë për para dhe mëdha një numër telefoni, me të cilin mund të thërrisnja zyrën ku punonte Bardhoshi. Unë, me padurim, formova numërin dhe pas dy zileve, dikush m’u përgjigj në gjuhën gjermane, nga e cila unë nuk dinja asnjë fjalë, por dëgjova mbiemrin Gervalla. Unë iu prezantova se kush isha dhe pasi e pyeta për shëndetin e familjes, i thashë se kam dalë për punë dy tre muaj. Ai më pyeti nëse kisha indeks internacional dhe pasi iu përgjigja pozitivisht, më tregoj se në cilën anë të stacionit të trenit të prisnja dhe pas një ore e gjysëm, do të vinte atje për të më takuar dhe, do të vinte me një makinë ‘Citroën’ ngjyrë të kuqe. Pa kaluar as një orë e plotë, erdhi në stacion të trenit Bardhi dhe unë, hyra në makinën e tij dhe pas pak kohe, arritëm në Ludëigsburg, aty në zyrën ku ai punonte, në katin e dytë.
Në korridor, ishin tri dhoma. Në të majtë ishte zyra e Bardhoshit, në mes ishte zyra e një punëtoreje kroate dhe në të djathtë, ishte zyra e një turku. Që të tre punonin për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Pasi zhvilluam bisedën e rastit, Bardhi kishte interesim të dinte për gjendjen aktuale në Kosovë. Ai u interesua për çdo imtësi, sidomos për demostratën e 26 marsit, e cila kishte ndryshim shumë te madh nga ajo e 11 marsit, sepse në këtë demonstrate, u shpalosën kërkesat kombëtare, ndryshe nga kërkesat sociale, që ishin me 11 mars. I shpjegova ecurinë e asaj ngjarjeje të përgjakshme, por heroike. Vëreja se nganjëherë edhe nuk merte frymë, nga interesimi që kishte për të me dëgjuar. Gjatë bisedës, mbante në duar një cigare, të cilën herë e vinte në buzë e, herë i merrte erë. Me tha se e kishte lënë cigaren dhe me humor, më tha se duhen edhe tre javë, që të bëhet një muaj, që e kam lënë.
Gjatë bisedës vinin hallexhinj dhe hapnin derën, por kur shihnin që jemi dy veta, dilnin prapë jashtë. Unë i thashë qëllimin se perse kisha shkuar deri atje. I thashë se doja të punoja për të fituar ca para, por kryesisht, për t’u takuar me ty edhe bacalokun tënd, për të biseduar se çfarë mund të bëjmë në këto kohë të vështira për atdheun tone, kur e tërë Jugosllavia dhe , besa, më shumë se gjysma e shqiptarëve, janë në shërbim dhe, argat të ‘bashkim-vëllazërimit’ dhe rrugës së Titos. Pas bisedës fillestare, më pyeti për indeksin internacional, të cilin ia dhashë dhe brenda një jave më rregulloi lejen e punës dhe unë u punësova në një fabrikë këpucësh, që quhej “Salamander“ në qytetin Konverst‘heim. Atje zura edhe një banesë, në rrugën Adler.
Pas orarit të punës, thuajse çdo të dytën ditë, vizitonim Bardhoshin në zyrën e punës, madje me thënë të drejtën, e tepronim pak, sepse ishim shumë persona. Si sot, mbaj mend grupin e djemve që më së shpeshti vizitonin Bardhoshin dhe qëndronin afër tij, ndër të cilët, kujtoj Naim Haradinajn e Adem Bajramajn nga Gllogjani, Hafiz Gagicën nga Gjilani, Muhamet Imerajn, nga Isniqi, Haxhi Berishën, nga Prapaqani, Agron Selën apo (Selca) nga Struga, Sahit Tofajn nga Juniku, Xhafer Durmishin e të tjerë, që nuk më kujtohen emrat. Më vonë, mësova se ata dy shqiptarët e tjerë, që punonin në ëmbëltore, në Shtutgart, me Naimin, njëri ishte Haxhi Avdyl Berisha nga Prapaçani, nip i Gërvallajve dhe tjetri, ishte një student i gjuhës angleze nga Vokshi apo Pobergja, emri i të cilit nuk më kujtohet. Me këtë grup të rinjsh u shoqërova edhe unë, përsa dite qëndrova në Konverstheim.
Është interesante të përmendet fakti se, me gjithë reprezaljet, dhunën e terrorin që ushtronte UDB-a pa ndërprerë, ndaj vëllezërve e motrave të Naim Haradinajt, duke ia burgosur e torturuar tërë familjen, Naimi shquhej për një edukatë dhe sjellje të admirueshme. Ai ishte i përpikte në përmbajtje e biseda, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë. Ishte ndër më te kompletuarit me të gjitha virtytet njerëzore e kombëtare dhe kurrë nuk i mungonte buzëqeshja ndaj shokëve. Një ditë, pas pune, shkova në zyrë te Bardhoshi. Isha vetëm dhe i shpreha dëshirën që kisha, për të takuar Jusufin. Ai me tha se edhe Jusufi dëshironte të me takonte. Më caktoi ditën dhe kohën, më tha se pas një takimi që do të bënin në Favorite në park, me ca studente në konviktin e tyre, do të takoheshim të tre. Atë natë, nuk më zuri gjumi nga gëzimi dhe kureshtja, për ta takuar kryeprisin e lëvizjes çlirimtare të atdheut dhe me padurim, prisja ditën e takimit.
Dita ishte e shtunë, pas orës 13:00, ndërsa data nuk më kujtohet. Arrita në vendin e caktuar nga ora 12:30 dhe shikoja në parking, ku dallova makinën e Bardhit. Rreth orës 12:50, erdhën të dy vëllezërit, si dy lule pranvere e si dy bilbila, si dy zogj shqiponje, si dy burra shteti e, si dy lajmëtarë lirie, krah-për krah. U përshëndetëm si vëllai me vëllanë, ngrohtësisht e përzemërsisht, dhe që të tre hymë në makinën e Bardhit, i pari u ul Jusufi, mbrapa dhe, unë e Bardhi, përpara. Pas pyetjeve fillestare formale, unë u prezantova më gjegjësisht; gjyshja ime, ka qenë bijë e juaja, Faze Idrizi, motra e Hasan Idrizit të Gërvallaj, apo halla e Mujë Hasanit, pastaj babai im, si i vogël e mbanë në mend, kurë në kullën tone, kan ardhë babai i juaj, Bardhosh Dinë Kaçaku, por edhe Dinë Fazlija me mjekër të bardhë, për Dinë Fazlinë, thotë se kishte qenë mahiçarë i madh.
Jusufi pohonte, duke thënë; po, po, i di të gjitha pastaj, menjëherë filluam bisedën rreth gjendjes në Kosovë, sidomos për zhvillimin e demonstratave. Ai u interesua, në mënyrë të veçantë, për demostratën e 26 marsit, që u zhvillua atë ditë që në qytet ishte organizuar pritja e stafetës së satrapit Tito. I tregova ngadalë dhe qetë, për çdo gjë, çfarë kisha parë me sy dhe dëgjuar me veshe atë ditë, por nuk u ndala pa i treguar dhunën dhe torturat, që përjetuan para konvikteve të studentëve, vajzat dhe motrat tona, nga policia e Mehmet Maliqit. Kur dëgjoi këto ngjarje, Jusufit iu mbushën sytë me lot. Ai i fshiu lotët me shami dhe tha se po fshinte djersët se në makinë bënte vapë . Unë vazhdova të flisja ngadalë dhe të dy vëllezërit, dëgjonin me vëmendje të posaçme dhe dukej sikur, as frymë nuk merrnin.
Iu tregova edhe për qëndresën heroike të studentëve të asaj dite dhe, të një, dy, e tre prillit, si dhe vendosmërinë për të realizuar kërkesën për Republikën e Kosovës. Fola edhe për mobilizimin e UDB-së, Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë dhe të punëtorëve të Sigurimit, që të gjithë ishin shqiptarë. Folëm edhe për mjetet e informimit, shtypit ditor dhe periodik, duke filluar nga gazeta ‘Rilindja’, pastaj Radio dhe TV-Prishtina, që ishin vënë në shërbim të mbrojtjes se; “bashkim-vëllazërimit”, me sllavët e jugut. Folëm edhe për shtimin e numrit dhe aktivizimin e policëve të rinj, të përzgjedhur ndër ata që dinin të qëllonin më fort me shkop mbi popullin. Folëm për organizimin e mbledhjeve, në çdo bashki lokale, për të gjykuar dhe dënuar ngjarjet e Kosovës, me theks të veçantë në Isniq, ku kishte ardhur zyrtari nga Beogradi.
Me që humba gjatë bisedës, duke u përpjekur që ta informoj me çdo imtësi Jusufin, nuk më ra ndërmend të flisja as një fjalë, sikur mos të ndërhynte Jusufi për, Radio-Tiranën dhe Televizionin-Shqiptar. I shpjegova, se; edhe pse ushtria dhe policia jugosllave, kishin montuar paisje afër kufirit, për të penguar dëgjimin e radios dhe shikimin e Radio-Televizionit Shqiptar, populli kishte gjetur mënyra për t’i dëgjuar e parë emisionet e tyre, për t’u informuar drejtë dhe saktësisht, për ngjarjet në Kosovë. Jusufi, më pyeti për një artikull të ‘Zërit të Popullit’, të 8 prilli të atij viti, me titull “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë”? I thashë se edhe Radio-Kukësi edhe Radio-Tirana e kishin transmetuar atë nga dy tre herë në ditë. I thashë se; disa shokë tanët, e kanë regjistruar këtë artikull në shirit magnetofoni, për ta dëgjuar shokët, të cilët nuk kanë pasur rast ta dëgjojnë.
Kësaj radhe, nuk do flas më tepër për bisedën me Jusufin e Bardhoshin, jo se nuk kam ç‘të flas, por nuk dua të bie pre e individëve injorantë, që flasin me kompetencë e mendje
të vyshkur e të ndryshkur se, këtë bindje ka patur Jusufi e, atë bindje ka patur Jusufi, duke shtuar se; Jusuf Gërvalla dhe shokët e tijë; Fazli Grajçevci, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Zijah Shemsiu, Nuhi Berisha, Metush Krasniqi, Malë Morina, Xhemail Blakaj, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, që na i përpiu kulçedra serbo sllavi, me ndihmën edhe të kolaboratorëve shqipfolës, kanë qenë vetë ora e Shqipërisë, ata ishin vetë Shqipëria, ata ishin lajmëtaret e lirisë. Ajo plejadë, krahas luftës çlirimtare, u bënte thirrje atyre intelektualeve, që flinin gjumë duke e përkundur njëri tjetrin dhe duke shikuar nga dritarja e, karriget e tyre të fildishta, dhunën, masakrat e reprezaljet, burgosjet dhe vrasjet e bijve të popullit tonë, para dhe pas vitit 1981, që të zgjoheshin nga gjumi dhe të mos linin të vetmuar Ukshin Hotin.
Më së fundmi, këtyre intelektualëve u doli gjumi, mbas dhjetë viteve dhe më 23 dhjetor të vitit 1989, kur nxorën nga xhepat dhe bënë cope e grimë teserat e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Mbasi përfunduam takimin që zgjati rreth një orë e gjysëm, u përshëndetëm, duke e lënë që ata të dy, do të vinin brenda muajit atje ku banoja unë. Me porosi të tyre, unë shkova në konviktin e studentëve, ku fola për ngjarjet në Kosovë, në dhomën e caktuar. Aty, veç studentëve që takova, kishte edhe punëtorë.
Më vonë mësova se njëri ndër ta, kishte qenë edhe Sakë Fazli Gërvalla, që ishte djalë axhe me Jusufin e Bardhoshin.
Ditët kalonin shpejt, Bardhoshin nuk e linim të qetë, edhe me nevojë edhe pa nevojë, nga kureshtja të dëgjojmë ndonjë lajm nga Kosova, që sillnin mërgimtarët, por edhe të dëgjonim ndonjë këshillë nga ai. Nga ai grupi i djemve të rinj, u shoqërova edhe me Sahit Tofajn, një burrë i vlefshëm, atdhetar, trim e besnik. Ai ishte nga Juniku.
Koha e kontratës së punës me mbaronte në fund të tetorit. Një ditë pas pune, mora me vete një çantë me shishe të zbrazëta uji dhe u nisa për Ludëigsburg, që ishte larg vetëm një stacion nga Konëerst‘heim, dhe arrita te Bardhoshi në zyrë, të cilit i thashë se ditët e qëndrimit në Gjermani po me mbaronin dhe se pasi të qëndroja dy jave te babai në Mynih, do të kthehesha në atdhe. Ai më tha se në fund të shtatorit, në një ditë pune, do vinin të unë në banesë, dhe do të përshëndeteshim. I bëri përshtypje çanta me shishe të zbrazëta, se çfarë më duheshin, dhe unë i’u përgjigja se; në stacion të trenit, këtu në Ludvigsburg, ishte një krua që rridhte ujë pa ndërprerje dhe shkruhej se ishte ujë i pijshëm (Trink ëasser,). Atje i mbush shishet dhe i përdor për të pirë.
E ndjeva dhe në një farë mënyre e kuptova që ai u habit dhe u mërzit nga ajo që dëgjoi nga unë. Ishte ditë pune ajo ditë, në fund të shtatorit, unë kisha marrë leje të jem i lirë atë ditë dhe po prisja mysafirët. U ngushtova shumë nga qe nuk kisha as filxhanë, as xhezve e, as kafe për të pirë, nga një kafe, bile edhe ujin e kisha siguruar nga kroi në Ludëigsburg. Erdhën rreth orës 14:00, në rrugën Adler. Me të hyrë brenda, Bardhoshi tha: “Jetoke në rrugën e shqiponjës”. U habita, sepse nuk dija ku e kishte fjalën por ai më shpjegoi se; emri i rrugës ku banoja, Adler, në shqip, përkthehej shqiponja.
Unë, nuk kisha as tavolinë e, as karrige dhe u ulëm mbi krevat.
“Erdhëm që të përshëndetemi, meqë do të ktheheni në Kosovë. Bëjini të fala gjithë Kosovës, nga ne mërgimtarët. Gjendja në atdheun tone, është e trishtueshme, sepse pushtuesit dhe kolaboratorët, i mbushën burgjet plot e përplot me veprimtarë të çështjes kombëtare. E shkretuan atë vend, por ne nuk gjunjëzohemi. Lufta jonë, është e drejt dhe, duhet të vazhdojë, edhe pse ballafaqohemi me lloj-lloj pengesash, intriga e kurthe që kurdisin këlyshët e UDB-ës, sepse nuk ka kush më të drejte se ne, të luftojmë për liri dhe bashkim, prandaj jam i bindur 100 % se, fitorja është e jona.
Jugosllavia, një ditë, do të bjerë, si një kafshë e ngordhur përtokë. Kërkesa ‘Kosova Republikë’ një ditë jo të largët, do të bëhet realitet, sepse populli e tha fjalën e vet: Republikë kushtetutë, ja me hatër ja me luftë! Në atdhem, duhet një organizim sa më i fshehtë dhe konspirativ, kundër bishave të Karpateve. Njëherit, ne jemi të fortë e të vendosur, në rrugën drejt lirisë, sepse kemi ndihmë të pa kursyer, edhe shtetin amë, nënën Shqipëri. Ne që jemi në mërgim, aq sa jemi e të gjithë sa jemi, jemi të bashkuar si një trup, drejt realizimit të aspiratave shekullore të popullit tone”, e mbylli fjalën Jusuf Gërvalla, duke më dhënë fjalën, dhe tha; tani thuaje edhe ti mendimin tënd.
E kisha të vështirë të flisja sepse, ishte një mal i pafund distance në mesin tonë. Optimizmi i tij, se me çdo kusht do të fitojmë, ishte një nxitje e fuqishme, që me bëri të flas. I thashë se; armiku ynë shekullorë, na sakatoi shumë, duke burgosur thuaj të gjitha grupet ilegale, që vepronin për të mirën e Atdheut. Por armiku është gjithnjë armik. E keqja është se, shumë shqiptarë, janë vënë në shërbim të këtyre armiqve dhe u shërbejnë me zellin më të madh, për të lëpirë një kockë. Bastisjet, ditën e natën, nëpër shtëpitë e të dyshuarve si nacionaliste, irredentistë e, armiq të bashkim-vëllazërimit, i kryejnë vetëm punëtorët e Sigurimit, që janë shqiptarë. Keqtrajtimet, rrahjet, torturat shtazarake, i bëjnë vetëm shqiptarët, në SUP-in e Deçanit dhe të e Pejës. I përmenda të gjithë ata xhelatë te zinj, që ua dinja emrin, një nga një dhe që edhe sot, janë akoma gjallë.
Pas kësaj, ndërhyri Jusufi, duke thënë se sa më shumë shtohen torturat dhe reprezaljet, aq me shumë shtohet urrejtja dhe qëndresa e popullit, aq më shumë rritet organizimi i popullit, kundër regjimit gjakatar titist e fashist. Unë i tregova Jusufit, për shokët që kisha njohur në studime e, sidomos në demonstratat e pranverës, duke i thënë se ata janë të gatshëm, për çdo aksion. I thashë se me ta kemi kontakte të vazhdueshme, e se janë njerëz të të njëjtit ideal – shtova unë. Ai nuk më kërkoi emrat e tyre, por tha; ruajeni njeri tjetrin, të jeni të kujdesshëm e, t’i ruani fshehtësitë si sytë e ballit. Përpara kemi marsin e vitit që vjen dhe është mirë që; në shenjë të njëvjetorit të demonstratave të gjakut, të bëni përpjekje për të organizuar demonstrata, sidomos në Prishtinë dhe ku të jetë e mundur, në komuna të tjera. Lufta e jonë, duhet vazhduar me çdo çmim, dhe padyshim fitorja, do të jete e jona.
Me këto fjalë përfundoi takimi, duke më porositur përpos të tjerave, që kur të shkoja në Prishtinë, te konviktet e studentëve, të merrja tre herë thellë frymë, me ajrin e Kosovës, për atë (Jusufin). Pastaj Bardhoshi, me kërkoi adresën dhe telefonin e konviktit, ku banonte baba Musë në Mynih, duke më premtuar se do të shkonte ta vizitonte. Ai më kërkoi që numrin e tij të telefonit, mos ta shkruaja gjëkundi, por ta mbaja mënd, për të evituar çdo të papritur. Pas kësaj u përshëndetëm, duke u shtrënguar e përqafuar fort, me njëri tjetrin. Nuk mund të imagjinoja se vetëm pas 4 muajve, këta dy yje, do të shuheshin nga jeta në shërbim të çështjes së Atdheut, kurë më se tepërmi, kishte nevojë atdheu për ta. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016