Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e dymbëdhjetë
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
Misioni i parë i Prengë Bibë Dodës
Ardhja e Prengë Bibë Dodës, u parapri nga lëvizja intensive e krerëve të Mirditës, të cilët u përsëriten autoriteteve, kërkesat e tyre. Në komunikimin me zyrtarët osmanë, ata jepnin argumente, pse nuk duheshin emëruar kajmekamë myslimanë në Mirditë. Sipas krerëve, “kajmekamët e emëruar, nuk kanë patur aftësitë e duhur dhe as njohjen e zakoneve e të ligjeve, duke bërë që punët e popullit, të ngatërrohen. Ne kërkojmë kthimin e djalit të Bibë Dodë Pashës, që me dashamirësinë e Sulltanit është rritur në Stamboll dhe ka marrë arsim në shkollat e qeverisë. Ne të gjithë e dëshirojmë dhe jemi të lumtur ta kemi midis nesh, meqenëse ai i njeh punët tona dhe do të gëzonte autoritetin e duhur”. (223)
Pastaj, me 5 prill 1876, krerët e Mirditës, u takuan me Valiun Hamdi Pasha dhe i kërkuan kthimin e djalit të Bibë Dodës dhe emërimin e tij, si kryetar të Mirditës. (224)
Por Porta e Lartë, nuk ishte e gatshme të pranonte plotësisht kërkesën e krerëve mirditas. Flitet për zëvendësimin e Hajdar agës, pseudokajmekamit të Mirditës, me Kapidan Gjon Dodën, i cili do ta administronte vendin, sipas zakoneve të tjera. (225)
Kështu funksionin e kreut të Krahinës, u gjykua ta merrte në fillim një nga Kapidanët dhe në një periudhë të mëvonshme, ai mund të zëvendësohej me lehtë, me një kajmekam mysliman, ndërkohë që kreu natyror i mirditasve, mund të punonte kudo, përveç krahinës së Mirditës.
Duke parë se kjo manovër e autoriteteve turke, nuk pinte ujë dhe Gjon Doda, nuk do të pranohej të ushtronte funksionin e tij zyrtar, Valiu Hamdi Pasha, ndërron mendim dhe në vend të tij, emëron Reshit Beun, nga paria myslimane e Shkodrës. (226)
Prengë Bibë Doda, erdhi në vendlindje në moshë të re dhe që në fillim, u ballafaqua me detyrën e vështirë të udhëheqjes së Mirditës, atëherë në prag të kryengritjes. Djali 18 vjeçar, nuk i njihte krerët dhe popullin, prandaj iu desh që të mbështetej tek Abat Doçi, i cili e orientoi drejt një politike të pavarur, nga Porta. Po kështu, pushtet në vendimet e tij, kishte dhe e ëma, Margjela.
Në ditët e para të dhjetorit, para kuvendit të Shënpalit, Prend Doçi, dërgohet për bisedime në Cetinë. Për këtë qëllim, ai akreditohet me një letër përcjellëse të Prengë Bib Dodës, për Princ Nikollën, në të cilën në mes të tjerash, shkruhet: “Prenkë Bibë Doda, Princit Nikollë, Oroshi, më 5 dhjetor 1876, Ju falem nderit, Lartmadhëri, për kujdesin e veçantë dhe ruajtjen e kushëririt tim, Kolës. Don Primo Doçi, do t’ju përcjellë ndjenjat e mia të respektit, po ashtu edhe nga kapedani Kolë. Jetoi i tëri, për respektimin e Lartmadhërisë Suaj, në të cilin Don Primo Doçi, do të gjejë të gjitha kualitetet e larta edhe në masën më të madhe, do ta vërtetojë (nëse është e mundur), lidhjen dhe vëllazërinë e dy popujve tanë…”. (227)
Fakti është se, Dom Prend Doçi, solli jo vetëm një traktat lidhje, por çka është me rëndësi, edhe të holla. Para mirditasve, ishte një program politik i përcaktuar, për të jetësuar autonominë, siç kishte qenë në kohën e Bibë Dodës.
Me këtë kërkesë, Prenga u kujtonte autoriteteve, angazhimin që kishin dhe në zbatim të tij, Mirdita do të mobilizohej në krah të turqve, në një luftë të ardhshme turko-malazeze. Në praktikë, gjërat shkuan ndryshe. Princin e ri, autoritetet turke në Shkodër, nuk e lanë të niset për në Mirditë dhe në vend që ta lejonin të shkonte në Orosh, e dërguan në Podgoricë, në shtabin e fuqive vepruese, kundër Malit të Zi. (228)
Ky qëndrim i Stambollit, bëri që Kapidani i ri, të lidhej me ato shtete që e përkrahnin autonominë e Mirditës. Shfrytëzimin e pakënaqësisë së mirditasve, nga fuqi të huaja të interesuara, e paralajmëron Konsulli francez, në Shkodër:
“Kundërshtimi për të kthyer të riun Prengë Bibë Doda në atdhe dhe për ta emëruar Kajmekam, do të thotë t’i bësh mirditasit të gatshëm, në një çast të caktuar, për Austrinë”. (229)
Me çështjen e Mirditës, ishte e angazhuar edhe Austro-Hungaria, që kishte fituar të drejtën e protektoratit të kultit, mbi katolikët. (230)
Por Austro-Hungaria, për interesat e saj, do të bisedonte edhe me Perandorinë osmane, (231)që do të thotë se; Vjena kërkonte zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe respektimin e autonomisë së Krahinës. Austro-Hungaria, ishte që në Siujdhesën Ballkanike, të krijohej dhe te ruhej një balance, në mes popujve që jetonin aty dhe një balancë të influencës së Fuqive të Mëdha Europiane. Numri i shteteve të reja, dhe territoret e tyre, do të vareshin edhe sipas kompromiseve që do të bënin shtetet europiane, që kishin interesa në Ballkan. (232)
Duke folur për çështjen shqiptare, Haymerle, kishte theksuar se ekspansioni legjitim’’ i Shqipërisë, nuk paraqet rrezik drejtpërdrejte për Austro-Hungarinë. Prandaj, theksonte Baroni; “ekzistonin të gjitha arsyet, që përkrahnin shqiptarët”. Por ai kundërshtoi diskutimin e deputetit Dr. Plener, kur ai përdori shprehjen; “kombi shqiptar”. (233)
Ndërkohë, për lëvizjen në Mirditë, u interesua edhe Italia. Atje, në shtator të vitit 1876, u krijua një komitet arbëresh, për të ndihmuar kryengritjen. Por për shkak të synimeve të qeverisë italiane ndaj Shqipërisë, ndihma e këtij komiteti, qe krejt e pakët!
Ideja e “Principatës”, u mbështet edhe nga Princi Nikolla i Malit te Zi, i cili donte ta përdorte këtë lëvizje, për interesat e tij. Në atë situatë, Prengë Bibë Doda, mendonte se kishte ardhur koha, për të kaluar nga kërkesa për ruajtjen e autonomisë tradicionale, në një kërkesë më të avancuar: krijimin e Principatës së Mirditës, që do të ishte autonome dhe nën sovranitetin e atij shteti, që do të ndihmonte në jetësimin e saj. Mendohej se rreth këtij projekti, do të bashkoheshin edhe malësi të tjera, fqinje të Mirditës. Një diplomat i kohës, theksonte se, të gjithë malësitë përreth, “qëndrimet e tyre, i rregullojnë sipas Mirditës…! Ushtria Osmane, do të ketë të bëjë me një konfederatë, nyja e të cilës, është Mirdita…! Ky është një fakt interesat, rrjedhimet e të cilit janë të rëndësishme”. (234)
Duke e parashikuar qëndrimin e Portës Lartë ndaj autonomisë së Mirditës, Prenga, kishte menduar për aleanca të reja. Projektin e “Principatës së Mirditës”, ai ua kishte bërë të njohur ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, në Stamboll. Qëndrimi i diplomatëve të huaj, kishte qenë i ndryshëm në varësi të interesave të secilit shtet. Ambasadori i Francës, e kishte këshilluar Princin e ri, që të rrinte në pritje të zhvillimeve dhe pastaj të vendoste, duke patur parasysh interesat e popullsisë, ndërsa Ambasadori i Austrisë, kishte kundërshtuar çdo përpjekje, për të shkaktuar trazira dhe kishte theksuar: “Këtij vendi, i përshtatet status quo-ja”.
Vjena ishte e shqetësuar për shtimin e depërtimit sllav në këtë pjesë të Ballkanit. Në lidhje me qëndrimet e Vjenës, Prengë Bibë Doda, thekson se; “për shkak të interesave të veçanta, kjo fuqi po përpiqet të më bëjë për vete, duke më premtuar ndihma dhe përparësi të tjera, me qëllim që të mbetën si në të kaluarën, nën varësinë e plotë të Portës. Megjithëse më premton përkrahje, ajo ndjek qëllimin, për të cilin është e interesuar”. Në zbatim të kësaj politike, prapa të cilës fshiheshin interesa të veçanta, me 2 nëntor 1876, Qeveria austro-hungareze, i dërgon zyrtarisht Prengë Bibë Dodës, mendimin e saj, që; “të ruajë autonominë, si ndaj Portës, ashtu dhe ndaj Malit të Zi”. Qeveria ruse nga ana e saj, kërkonte ta shfrytëzonte lëvizjen e Mirditës, në funksion të luftës së Malit të Zi, duke i vënë si kusht Prengës, që të lidhte aleancë ushtarake me Cetinën dhe të sulmonte prapa shpine ushtrinë osmane, sapo Mali i Zi, të hynte në luftë. Të njëjtin qëndrim, mbajti dhe Konsulli rus në Shkodër, i cili përpiqet t’i mbajë mirditasit në gjendje gjysëm kryengritëse, për t’i përdorur prapa shpinës së ushtrisë turke, në rast të luftës kundër malazezëve.
Nga ana tjetër, diplomatët caristë dhe emisarët serbë, në nëntor të vitit 1876, krijuan si kudo edhe në Shqipëri, përshtypjen se; “Rusia nuk mund të pajtohej me situatën e krijuar dhe se së shpejti; do të hynte në luftë. Ata u përpoqën ta bindin Prengë Bibë Dodën; ta fillonte kryengritjen, pasi sipas tyre; “Mirdita nuk do të gjente asnjëherë një moment më të përshtatshëm, për të fituar autonominë e saj, se sa tani që ushtritë osmane, po pakësoheshin në Shqipëri, për tu përqendruar në kufirin rus”.
Por Kapidani mirditor, u dha të kuptonte diplomatëve caristë se ai do të lëvizte, vetëm kur të fillonte gjëmimi i topave në Danub, domethënë, kur Rusia t’i shpallonte me të vërtetë luftë Perandorisë Osmane. (235)
Ndërkohë një grup i intelektualëve shkodranë që ndiqte me vëmendje situatën, nëpërmjet Lorenc Gurakuqit, sekretarit personal të Prengë Bibë Dodës, u përpoq ta vinte këtë kryengritje, në shërbim të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Intelektualët shkodranë, e nxitën Prengën, të hartonte planin për krijimin e një principate të Shqipërisë së Epërme, me qendër Mirditën dhe të kërkonte përkrahjen e fuqive europiane. (236)
Ishte i njëjti projekt, që ia kishin kërkuar edhe të atit. Krijimi i një principate të tillë në Shqipërinë e Veriut, në situatën e krijuar nga kriza ballkanike, kishte rëndësi të madhe, për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, si ndaj Perandorisë Osmane, tashmë në shkatërrim e sipër, ashtu dhe para Fuqive të Mëdha dhe dinastive ballkanike, që mbështeteshin prej tyre.
Konferenca Ndërkombëtare e Fuqive të Mëdha, që u mblodh në Stamboll me 24 dhjetor 1876, për të rregulluar çështjet që kishin dalë nga lufta serbo-malazeze kundër Turqisë, tregoi se Rusia, nuk kishte asnjë qëndrim miqësor ndaj mirditasve. Shën Petërsburgu, parashtroi kërkesën, për; “reformat” që Perandoria Osmane duhej t’i bënte në trevat kryengritëse, pa u interesuar fare, për problemin e Mirditës. Nën presionin rus, po atë ditë, Porta e përkrahur nga Anglia, shpalli Kushtetutën, dhe deklaroi se në kuadrin e saj, do të zgjidheshin të gjitha problemet që shqetësonin kombësitë e Perandorisë, prandaj e konsideroi konferencën ndërkombëtare, të panevojshme. Me anullimin e konferencës, shumëkush mendoi se pas kësaj loje të Stambollit, Rusia do t’i shpallte luftë Turqisë. Njëri prej tyre, ishte edhe Prengë Bibë Doda.
Me këtë rast, ai filloi përgatitjet për kryengritje. Fatkeqësisht, ngjarjet ndërkombëtare, u zhvilluan ndryshe nga se pritej dhe i kishte parashikuar Prenga. Me këmbënguljen e Fuqive të Mëdha, Konferenca i zhvilloi punimet, jo në Stamboll, por në Londër. Rusia nuk u fut në luftë, madje deklaroi se do të merrte pjesë në punimet e konferencës, pavarësisht se i filloi përgatitjet, për të fituar me armët e veta, atë që nuk e kishte arritur me anën e aleatëve të saj të dobët. Synimet demagogjike të Rusisë, ndaj Kapidanit mirditas, u dukën edhe gjatë punimeve të Konferencës Ndërkombëtare të Londrës. Këtu Rusia, nguli këmbë për autonominë e Bosnjës, Hercegovinës, Bullgarisë dhe Rumelisë lindore, kurse problemin e “Principatës Autonome të Mirditës”, nuk e shtroi as për diskutim.
Për më tepër, në përfundim të Konferencës, në mars të vitit 1877, u lidh paqja midis Turqisë dhe Serbisë. Mali i Zi, nuk deshi ta nënshkruante, por u detyrua të pranonte zgjatjen e armëpushimit, deri me 12 prill 1877. Kështu Mirdita, u braktis nga Rusia, Serbia e Mali i Zi dhe mbeti e vetme përballë Portës së Lartë. Këtë rrethanë, vendosi ta shfrytëzonte Qeveria turke, që të likuidonte rezistencën e re të mirditasve dhe venomet e tyre të lashta. Nxitësi i këtij aksioni energjik, ishte gjenerali i rreptë, Dervish Pasha, emri i plotë i të cilit, ishte Ibrahim Dervish Pasha, komandant i forcave të armatosura të Vilajetit të Shkodrës, i cili e kishte treguar veten, si armik i betuar të shqiptarëve.
Përballë dëshirës popullore për luftë
Nuk mund të thuhet me siguri se Kapidan Prenga, zgjodhi luftën si mjetin më të mire, për të realizuar qëllimet e tij politike. Ai ishte i vëmendshëm ndaj këshillave të konsujve të Fuqive të Mëdha dhe sipas porosisë së tyre, u përpoq t’i përmbante forcat e tij nga veprimet luftarake.
Në kushtet kur dukej se Rusia dhe Mali i Zi do të hynin në luftë, mirditasit, mezi presin që të fillonin kryengritjen. Në këto kushte, Prengë Bibë Doda, shkoi në Mirditë dhe i dha hov lëvizjes kryengritjes. Duke dashur që të përfitonte nga situata, Prenga, hyri në marrëdhënie me qeveritarë serbë dhe malazezë. (237)
Në këto rrethana, më 27 dhjetor 1876 në Shpal, u mbajt një kuvend me përfaqësues të bajrakëve të Mirditës, Pukës dhe Malësisë së Gjakovës. Atje u vendos: “Të fillonte kryengritja në të gjithë Mirditën; të shtrihej ajo në të gjitha krahinat veriore të Shqipërisë; të mos pranohej asnjë lloj kompromisi me turqit; të mos lejohej vendosja e kajmekamit turk në Mirditë dhe të dërgohej një delegacion në Malin e Zi, për të kërkuar armë të tipit të ri dhe municion”. Pas kuvendit, pjesëmarrësit e tij u shpërndanë nëpër krahina, për të organizuar kuvende dhe ngritjen e popullsive të tyre në luftë. Përfaqësuesit e këtij Kuvendi, u shpërndanë edhe në Malësi të Madhe, Shalë, Shosh e Shkrel. Synimi i Prengë Bibë Dodës, ishte që kryengritja e Mirditës, nëse fillonte, të mos ishte e izoluar, si në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.
Ai kërkonte të siguronte mbështetje morale e materiale dhe e shihte Mirditën, si qendrën e një kryengritje të përgjithshme, që do të përfshinte edhe treva të tjera të Shqipërisë, nëse situata, do të ishte e favorshme për një gjë të tillë. Kapidani ishte i ndërgjegjshëm, se vendimi për kryengritje nuk do të pritej mirë, në të gjitha qarqet diplomatike në Shkodër, prandaj bëri përpjekje, për ta justifikuar këtë vendim të krerëve, siç del nga letra që i dërgon konsullit austriak, më 2 shkurt 1877: “Duket e pabesueshme, por është e vërtetë se turqit, kanë hartuar një plan për masakrimin e përgjithshëm të shqiptarëve. Jam i detyruar të shpallë haptas …se; ky popull; është përgatitur dhe ka vendosur të qëndrojë me guxim; për të siguruar vetëmbrojtjen në vend…! Tmerret në Bullgari, janë përgatitur tani për popullsinë e këtushme”. (238)
Ndërsa në letrën që i shkruante Kolona Çekaldit, Konsullit të Francës në Shkodër, duket se ai i ka parasysh, sugjerimet që i kishte dhënë diplomati francez, për të mos e provokuar Portën. “Duke ndjekur në çdo rrethanë, rrugën e mendimeve dhe të bindjeve të popullit të Mirditës … jam lidhur ngushtë pas politikës së bashkimit në një regjim të vetëm, të të gjithë banorëve … të vihem karshi qeverisë, në mënyrë që ajo të mos ketë mundësi, të shkatërrojë veprën paqësore të filluar nga unë, sipas dëshirës së popullit”. (239)
Pra, duket se lufta, nuk ishte nxitur nga Prenga dhe situata në terren po zhvillohej në atë mënyrë, që ai nuk mund ta kishte nën kontroll. Por koha provoi se, nuk ishin pjekur kushtet për atë kryengritje. Faktorët e brendshëm, ishin akoma të përçarë dhe malësitë e tjera, e lanë Mirditën të vetme përballë turqve. Mali i Zi, nga ana tjetër, nuk tregoi se ishte partner i besueshëm i mirditasve, por ishte i interesuar që mirditasit, ta humbnin luftën, që pastaj ta kishte më të lehtë, përballë popullsive katolike të Malësisë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
- Ligor Mile, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet franceze, vëll. I-II, Tiranë: 1978-1979
- Duka Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme të Francës-Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër, Versajë, 5 prill 1876, shih, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- Duka Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme të Francës-Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër, Versajë, 5 prill 1876, shih, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër-Dukës Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, letra Nr.101, Shkodër 13 prill1876, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I.
- Jashar Rexhepagiq, Tema të zgjedhura dhe bashkëkohore pedagogjike, Shtëpia Botuese “Libri Shkollor”, Prishtinë, 2002, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Botime të veçanta, XXXIX, Libri 11, f.490-491
- Gazeta “Glas Cernogorca”, 30 gusht 1876, shih Luigj Mratini, Princi pa forn i Mirditës,…, f.26
- Relacion i Fournie, Ambasador i Francës në Stamboll dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës Frejsines, Stamboll 14 shkurt 1880, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- Ambasadori në Vjenë Nigra, ministrit të Punëve të Jashtme Brin, dok. 67 Viena. 3 gusht 1892 Reservatio 1743/674. I Documenti Diplomatici Italiani, Seconda Serie: 1870-1896, Volume XXV, (15 MAGGIO 1892- 14 dicembre 1893), Ministëro Degli Afari Esteri, Commissione për la Publicazione Dei Documenti Diplomatici, Instituto Poligraco e zecca Dello Stato, Liberia Dello Stato, Roma MCMXCVIII p. 52.
- Balkan Situation, Source: The American Journal of International Laë, Vol. 3, No. 2 (Apr., 1909), pp. 448-451 (URL: http://www.jstor.org/stable/2186137).
- Daut Dauti. Çështja shqiptare në diplomacinë britanike 1877-1880, Logos 2012,f. 163,164.
- Daut Dauti. Çështja shqiptare në diplomacinë britanike…, f. 164
- Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër-Dukës Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, letra Nr.101, Shkodër 13 prill1876, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- Jasterbov, Dokumente diplomatike ruse, Nr.31, Shkodër, dhjetor 1876
- Aleks Buda, etj, Historia e Popullit shqiptar, Vëllimi II, Rilindja Kombëtare, vitet ’30 të shekullit XIX-1912, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, botimet “Toena”, Tiranë 2002, f.136
- Aleks Buda, etj, Historia e Popullit shqiptar, Vëllimi II, …, f.136
- HHStAPA A-Vj, Raport i Konsullit austro-hungarez nga Shkodra për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë, viti 1877
- Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër-Dukës Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, letra Nr.146, Shkodër 23 janar 1877, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016