Nga Uvil Zajmi
Pjesa e parë
Memorie.al / Ndonëse sot, më 5 qershor 2023, u mbushën plot 35 vjet, ajo mesditë e së dielës së 5 qershorit të vitit 1988, e njohur si “Revolta” apo “Hejseli” i Kuçovës, (“Qyteti Stalin” siç njihej para viteve ’90-të), mbi atë ngjarje ka mbetur ende një dritëhije enigmatike. Po, sepse, pas takimit “Naftëtari” – “Dinamo”, zhvilluar tri dekada e gjysëm më parë, një turmë e madhe tifozësh, sulmuan arbitrat, hodhën gurë, dogjën makina, etj. Një revoltë e paparë në një stadium shqiptar të para viteve ’90-të. Cila ishte atmosfera në prag të përballjes së dyfishtë për mbijetesë? Si e kujton portieri Bozhiqi, një “ish”, kur babai i tha; të mos luante dhe Ben Vila, kur realizoi golin e vetëm, që shtangu stadiumin? Nga arbitri kryesor Besnik Kaimi, radio-kronisti Fatmir Mneri, operatori Naun Lasku, drejtuesi i ekipit “Naftëtari”, Fatmir Ismaili, futbollisti Koçi, etj., si e kujtojnë ata me rrëfime të rralla atë 90-minutësh dhe ngjarjen që tronditi, jo vetëm një qytet, një shtet, por gjithë Shqipërinë e asaj kohe.
”Dinamo”, për herë të parë në rrezik!
Në atë sezon, si asnjëherë më parë që nga krijimi i saj, “Dinamo” rrezikonte rënien nga Kategoria. Pas “17 Nëntorit”, që në sezonin 1973-‘74, i renditur i parafundit, luan dy herë me Apoloninë (0-0/2-0), duke i shpëtuar rënies, blutë ishin klubi i dytë i njohur kryeqytetas, që ndodhej në një pozitë të tillë. Fundi i sezonit 1987-‘88 ishte: 17 Nëntori kampion, Flamurtari fitues i Kupës, ndërsa sipas formulës, skuadra e parafundit, do të ndeshej dy here, me të dytën e Kategorisë së Dytë: konkretisht; “Dinamo” ndaj “Naftëtarit” si nënkampione që, me 26 maj të atij viti, në stadiumin “Dinamo” të kryeqytetit, kishte humbur finale, midis fitueseve të Grupi A dhe B:
“Traktori” – “Naftëtari” 3-0
Ndeshja “qemalstafase”, Demollari-gol, por ka pretendime…! Ndeshja e parë, “Dinamo” – “Naftëtari”, e luajtur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ditën e enjte 2 qershor 1988, përfundoi minimalisht 1-0 për vendësit. Golin e pati shënuar mesfushori Demollari, në minutën e 53-të. Takimi drejtohej nga një treshe korçare, me Dhori Priftin kryesor dhe është e rivalizuar deri në fund, madje kuçovarët pretenduan për një 11-metërsh të pa dhënë, duke nxitur pakënaqësinë e lojtarëve dhe tifozëve. Pas tri ditësh, do të zhvillohej ndeshja e kthimit dhe “Naftëtari” në gjendje të mire, kishte shpresa të mëdha për fitore. Për këtë arsye, sfida pritej me shumë interes.
Nga Tirana, vjen trajneri Bardh Deliallisi
Duke qenë se trajneri Agim Mukavelati, kishte dhënë dorëheqjen, drejtuesit e rrethit të “Qytetit Stalin”, marrin Fatbardh Deliallisin, i cili njihej në atë qytet, pasi e kishte drejtuar “Naftëtarin” edhe më parë, por për atë përballje, figuronte si këshilltar. Ekipi ishte grumbulluar te Qendra stërvitore e lojërave me dorë (te tenisi siç e quajnë atë mjedis) dhe trajtohej në restorantin pranë Muzeut, që shërben edhe si pikë turistike.
Në dispozicion, qëndronte autobusi me shofer Pandeli Fypen, i njohur edhe si bashkëpunëtor i gazetës “Sporti Popullor”. Analiza u zhvillua paraditen e 5 qershorit, rreth orës 10:00. “Nga lart dukej stadiumi që u mbush dhe as në këmbë nuk kishte vende. Ndërsa po shkonin për ndeshje, pamë policët e qytetit, jashtë shërbimit. I pyetëm dhe na thanë se kishin ardhur policë nga qytetet e tjera dhe ata do e administronin gjithçka”, kujton Aleksandër Koçi.
Të gjithë drejt Kuçovës, asnjë biletë në qarkullim…!
Kuçova gumëzhinte, madje deri në fshatra e rrethina. Interesimi, ishte i jashtëzakonshëm, deri edhe nga Fieri, Lushnja, Berati kishte të ardhur, ndonëse në qarkullim, nuk gjeje as edhe një biletë. Kur në orën 15:00 u hapen të pesta portat e stadiumit, pak minuta kanë mjaftuar, që ai të mbushej me tifozë e shumë, ndërsa të tjerë që mbeten jashtë, duke hipur edhe në plepa, apo pallate e objekte të tjera të larta, nga ku mund të dukej pak fusha. Rrugët ishin të zbrazura, dyqane të mbyllura, një qytet që flet dhe jeton vetëm me 90 minutat e shumëpritura të asaj sfide. Dhe ndeshja, me pak kronikë: E diel, 5 qershor 1988, ora 17.00, në stadiumin e qytetit, “Naftëtari” – “Dinamo” 0-1.
Shënues Arben Vila në minutën e 82′. Arbitra, një treshe nga Tirana, me kryesor Besnik Kaimin dhe ndihmës, Hajro Leskajn asistent i parë dhe Fatmir Dama. Vëzhgues Ilia Plaku, të gjithë nga Tirana. Janë ‘90 minuta që karakterizohen nga tensioni, protesta ndaj arbitrave, akuza për favorizim të “Dinamos”, polemika për mbyllje para kohe dhe që pas vërshëllimës përfundimtare, të gjithë vrapojnë e futen me shpejtësi në dhomat e zhveshjes.
Fëmija i gjakosur, shkak për protestën masive
Ky moment, pra një fëmijë i gjakosur, ka qenë një detaj që irritoi jashtë mase dhe nxiti e provokoi revoltën e shpërthimin. Forcat e rendit, kanë goditur një fëmijë, që nga përplasja në betonin e sektorit përballë, është gjakosur në kokë. Kur policët e kanë hipur mbi rrethimin, për ta nxjerrë në fushë, duke e parë të gjakosur, dikush nga spektatorët ka bërtitur, duke thënë se; “po na vrasin fëmijët”!
Pas kësaj, tifozët kalojnë kangjellat dhe vërshojnë në fushë, ndërsa të tjerë që godasin me gurë. Një tifoz tjetër, goditet dhe humbet ndjenjat e, në minutat që vijojnë, vjen një thirrje që u përhap shumë shpejt në stadium e përreth tij, se; “tifozi ka vdekur në spital”. Kjo bëri që e gjithë vëmendja të zhvendoset te ngjarja, të harrohen lojtarë e arbitra, situatë kjo që i gjen të papërgatitur forcat e rendit për një trazirë të tillë.
Ngjarja që nxiti protestën
Irritimi i madh i tifozëve bën që të kalojnë rrethimin dhe të hedhin sende, shishe, gurë. Ka plagosje të tifozëve, që dërgohen në spital, ndërsa jashtë fillon përplasja midis policisë, civilëve dhe sampistëve. Populli, ishte ndezur më shumë, pas lajmit se ka “të vdekur”. Autobusi i “Dinamos”, sulmohet dhe i thyhen xhamat, e bashkë me të shkatërrohen e digjen dhe dy automjete pranë tij, që ishin në pronësi të Ministrisë së Brendshme. Sheshi para stadiumit, ka plot njerëz, po kështu edhe në spitalin e qytetit.
Dëgjohen thirrjet “duam drejtësi”. Me një megafon, Avdyl Pilafi, Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Beratit, kërkon nga populli, që të qetësohen dhe të shpërndahen, por drejt tij fluturojnë sende, madje nuk mungojnë dhe ofendime, që e detyrojnë atë të largohet. Një kaos total, deri kur nata ka rënë plotësisht dhe rreth orës 22:30, njerëzit fillojnë e shpërndahen, pasi ka informacion se po vijnë Forca Speciale nga Tirana.
Futbollistë dhe arbitra të ngujuar deri në mesnatë
Kanë qenë orë plot tension dhe ankth, kur në atë mjedis të vjetër, aspak komod, të ngushtë, futbollistët me stafet drejtuese dhe arbitrat, kanë duruar deri sa i kanë nxjerrë. Aty kanë qëndruar për orë të tëra, futbollistë dhe arbitra. Vetëm në një çast, nga një telefon primitiv i stadiumit, drejtuesit e policisë, kanë mundur të komunikojnë direkt me ministrin Hekuran Isai, pas interesimit të tij, nga i cili kanë marrë urdhër, për të mbrojtur me çdo kusht, arbitrat e skuadrat.
Vijnë përforcime nga Tirana
Kur në Kuçovë, situata po precipitonte, e ka detyruar Ministrinë e Brendshme, të reagojë dhe rreth orës 19:00, nga Tirana janë nisur katër kamionë “Ifa” me Forca Speciale, apo siç njihej ndryshe; ‘Reparti 326’ me “Sampistët”. Nga shpejtësia, njëri prej tyre, duke marrë kthesën te “21 Dhjetori”, është përmbysur. Nisja e “sampistëve” të Forcave Speciale, tërhoqi vëmendjen e qytetarëve tiranas, që nuk dinin gjë se dhe nuk kishin ende asnjë informacion, se çfarë kishte ngjarë. Në “Qytetin Stalin”, ata mbërritën pak para mesnatës, kur situata kaotike ishte qetësuar, duke hasur vetëm një pengesë tek Ura Vajgurore, me njerëz që kishin bllokuar me gurë rrugën. Pastaj, largimi i “Dinamos” dhe arbitrave, të shoqëruar prej tyre drejt Tiranës.
Një shtet në këmbë, në kërkim të organizatorëve
E konsideruan si revoltë dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, menjëherë janë kërkuar organizatorët e saj. Një situatë e tillë, ka vazhduar disa javë në një qytet, i tëri në këmbë, familje, gra, burra, fëmijë. Në mbledhjet e zhvilluara, orientohej hapur e me forcë, ndëshkimi i akteve të dhunës dhe thirrjet kundër Partisë. Automjete të dikasterit të Ministrisë së Punëve të Brendshme që qarkullonin me persona që i merrnin, i dërgonin në Berat, midis tyre futbollistë, tifozë, drejtues, deri edhe instruktorin e Komitetit të Partisë së Kuçovës, Naim Halilaj. Për të bërë fajtore Kuçovën, u bë shpejt gjyqi dhe u dënuan 10 persona, midis të cilëve edhe Halilaj e disa sportistë.
Reagimi i shtypit: Shfaqje të huaja antisportive!
Ngjarja e ndodhur në “Qytetin Stalin”, si rrallë ndonjëherë, u bë objekt dhe u trajtua edhe në gazetën e vetme sportive të asaj kohe, “Sporti Popullor”. Kështu, në numrin e radhës, gazeta “Sporti”, kishte një kronikë të shkurtër e pak koment për atë ngjarje. Ndërsa, pas disa ditëve, në një artikull më të zgjeruar, opinioni publik, informohet se; “Pas përfundimit të ndeshjes, që u gjykua me korrektësi dhe u fitua nga “Dinamo” 1-0, një grup rrugaçësh, iu drejtuan dhomave të gjyqtarëve e të sportistëve, të dyja ekipeve, duke kryer akte vagabondazhi, të huaja për sportin tonë, ndonëse ngjarja e papëlqyeshme, nuk prish të vërtetën e pamohueshme të mjedisit entuziast e objektiv në stadiumet tona…!
Por, në pozitat e tifozit të sëmurë, bien disa herë edhe drejtues të klubeve, gjë që u reflektua te drejtuesit e Klubit “Naftëtari”, para dhe pas ndeshjes, si dhe ndonjë kuadër tjetër që, me presionet ndaj gjyqtarëve, u bënë nxitës të veprimeve të huaja nga tifozët. Futbollistëve të paedukuar dhe tifozëve të sëmurë, që krijojnë situata të rënda, t’u tregohet vendi i duhur…! Me të drejtë, organet kompetente, për sjellje të padenja në shoqëri, kanë dhënë dënime të ndryshme, me privim lirie për 10 persona, nxitës të këtyre veprimeve. Ndërsa, për ngjarjet antisportive, që bien ndesh me normat e moralit tonë, KKP të FSSH dhe sektori i futbollit morën këto masa:
- Ekipi i “Naftëtarit”, përjashtohet 1 vit nga të gjitha veprimtaritë kombëtare të futbollit dhe zbret një kategori me poshtë dhe do luajë jashtë fushës së tij.
- Për punë të dobët edukative dhe mungesë masash organizative, përgjegjësi i Klubit “Naftëtari”, Fatmir Ismaili, shkarkohet nga detyra, ndërsa trajnerit Pandi Angjeli, i hiqet e drejta për të drejtuar ekipe, në veprimtaritë kombëtare.
- Futbollistët S. Meta, R. Makashi, përjashtohen përgjithmonë nga të gjitha veprimtaritë sportive për shfaqje të huaja antisportive e nxitje të opinionit sportiv të sëmurë”.
Dëshmia e arbitrit kryesor të ndeshjes, Besnik Kaimi
Besnik Kaimi i përket një plejade me arbitra të njohur, si: Sami dhe Plarent Kotherja, Dhori Prifti, Arsen Hoxha, Hiqmet Kuka, Lulzim Konçi, etj. Asokohe, 36-vjeçarin nga Kolegjiumi i Tiranës, e caktuan të arbitrojë “Naftëtari” – “Dinamo” 0- 1, kur të tjerët ndërkohë, e patën refuzuar. Kaimi në vitin 1969-‘70 pati kryer shërbimin ushtarak në Aviacion, duke qenë edhe futbollist, mesfushor, me skuadrën e “Naftëtarit” që drejtohej nga Njazi Shehu. Pastaj dy vite në Poliçan, me “22 Tetorin” dhe rikthimi pas dy dekadash, për të vërshëllyer në sfidën e mbijetesës.
Lidhur me këto e të tjera, Besnik Kaimi, kujton: “Në ato vite shpërblimi për një ndeshje ishte 25 lekë, apo 250 lekë të vjetër për gjyqtarët e FIFA-s, 180 lekë, për ata të Kategorisë së Parë dhe 100 lekë për asistentët”, shprehet Kami. Komiteti Ekzekutiv, që mbulonte edhe Kolegjiumin e Arbitrave të Tiranës, pas një kërkese të klubit “Dinamo”, cakton Besnik Kaimin, arbitër i FIFA-s për ndeshjen. Por ai ndodhet në zborin disaditor të ndërmarrjes, në repartin “N”, në periferi të Tiranës.
Nga Komanda, e kanë njoftuar se; nuk i japin leje, që të arbitrojë në Kuçovë të dielën. “Ishte Josif Devole, përfaqësuesi i sportit në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës, që iu drejtua Ministrisë së Mbrojtjes, me një shkresë zyrtare, pas së cilës më lejuan për t’u larguar nga reparti”, kujton Kaimi për atë ndeshje, që më pas do të kthehej në “luftë”!
Zoti Kaimi, si udhëtuat drejt Kuçovës?
Me trenin e orës 08:00, Tiranë-Lushnjë, pastaj me autobus “Skoda” dhe rreth orës 11:30, mbërritëm në “Qytetin Stalin”. Te agjencia, pamë drejtues të Klubit “Naftëtari” dhe të Komitetit Ekzekutiv, që kishin dalë e kontrollonin çdo mjet që futej në Kuçovë, për të verifikuar ardhjen e arbitrave. Dyshonin se ne do të vinim me “Dinamon”, ose me mjete të Ministrisë së Brendshme. Kur arritëm, Sekretari i Partisë së qytetit na tha: “Pse keni ardhur arbitra nga Tirana? Mos e ndihmoni “Dinamon”?! Qëndruam disa orë në hotelin e vogël të qytetit, pastaj afër me stadiumin.
Ndeshje me shumë tension, çfarë mbani mend?
Ishte vapë, zagushi dhe pjesa e pare, mund të përfundonte edhe 3-0 për vendësit, por ishte portieri kuçovar, Bozhiqi, që i frenoi të shënonin. Kujtoj se, gjatë lojës, nxora 8 kartonë të verdhë, midis tyre edhe Koçit, sulmuesit kryesor, i cili protestonte vazhdimisht dhe unë që thosha: “Çfarëdo që të bësh, nuk do të ndëshkoj me karton të kuq, se nuk dua të prish lojën…”! Një atmosferë e elektrizuar që gradualisht, në shkallët e stadiumit, sa vinte e shtohej. Pas shënimit të golit të “Dinamos”, prisja rastin t’i jepja një 11-metërsh “Naftëtarit”, për të ulur tensionin, ndonëse nuk i bënte punë. Ishin minuta që vetëm për lojë, nuk bëhej fjalë më.
Cilat ishin, sipas jush, shkaqet e atij tensioni aq të madh?
Edhe sot, nëse pyet ata që e kanë përjetuar atë mesditë, nuk të japin informacion të plotë, ose detaje, që të kuptosh se cilat kanë qenë shkaqet e vërteta…! Kur një tifozeri në stadium, shpërthen në ato përmasa dhe kur për herë të parë në Shqipëri, digjeshin makina nga revolta e njerëzve pas një ndeshjeje, atëherë mendoj, se një faktor i rëndësishëm, ishte edhe situata e rëndë ekonomike në të cilën ndodhej Shqipëria e asaj kohe. Mendoj se kjo mund të ishte një ndër shkaqet dhe u gjet rasti për të shfryrë dufin aty.
Shumë pretendime për gjykimin dhe në fund ndeshja u mbyll para kohe. Ju, si mendoni se keni arbitruar?
Gjykoj se arbitrimi, ka qenë normal. Sigurisht, për çdo rast të dyshimtë, kishte pretendime nga lojtarët dhe tifozët vendës. Nuk mundej që ta mbyllja para kohe, pasi do ishte një shkelje e rëndë, sepse nuk kishte motiv madhor, apo shkaqe që i sqaron rregullorja. Nuk zhvillova minutat shtesë, pasi nga minuta 90-të, qëndrimi në fushë për gjithë, ishte me rrezik. Kujtoj gjithashtu se, futbollisti vendas Dume, ka ardhur e na ka dhënë dorën, pastaj gurë që hidheshin, njerëz që u futën apo tentonin të kërcenin rrethimin.
Më pas u ngujuat në dhoma dhe… bukë, domate e pak djathë, apo jo?
Po. Për orë të tëra, kemi qëndruar në këmbë në atë godinë të vogël të stadiumit, pa pasur asnjë informacion, çfarë po ndodhte jashtë, pasi dalja, ishte e pamundur. Vetëm asistenti Hajro Leskaj, shfrytëzoi errësirën, sepse nuk e njohën dhe bleu bukë, domate e djathë dhe u kthye sërish. Deri në mesnatë, kur erdhën Forcat Speciale, pastaj me një gaz “Aro” të Ministrisë së Brendshme, kemi udhëtuar për në Tiranë dhe në Federatën Shqiptare të Futbollit, na prisnin familjarët e shqetësuar, por edhe drejtues të sportit, Azis Tahiri, Mehdi Bushati, Kristaq Miço.
Të hënën u kthyet sërish në Berat?
Të nesërmen, në Tiranë do të fillonin punimet për Kongresin e Gruas, pra ishte festë. Kam qenë duke pirë kafe te 15-katëshi, bashkë me mikun tim, Ylli Zaçe, kur një grup me hetues (nga Fieri, Kavaja, Lushnja, Tirana, asnjë nga Berati apo Kuçova), të alarmuar, më paraqitën dokumentin dhe më kërkuan që të nisem bashkë me ta, për në Berat, pasi hetuesia, kërkonte informacion e shpjegime nga unë arbitri, për çfarë kishte ngjarë. Në sheshin para Degës së Brendshme në Berat ishin rreth 50 persona të dyshuar që, me fytyrë nga muri, qëndronin me një këmbë, si masë disiplinore, ndër të cilët, njerëz që kishin goditur policë e djegur makinat. Më pyetën nëse kishte futbollistë shkaktarë dhe vetëm pas dy orësh hetuesi, më lanë të largohem.
Në ndeshje para kësaj, “Dinamo”, kishte pasur gjithashtu pretendime, për një 11- metërsh…?!
Në fillim të sezonit, më caktuan të drejtoj derbin “Partizani”-“Dinamo”. Në një çast, hezitova të jap një 11- metërsh për “Dinamon”, çka e shtyu trajnerin Birçe, të protestojë në fund të takimit. Por kujtoj se, ndërhyri Sokol Morina, shefi i Klubit Sportiv, i cili i doli përpara e i tha: “Mos u anko, pasi ky arbitër, na mbajti në punë”! Bëhej fjalë për takimin e Kuçovës, nëse “Dinamo” do të binte në të Dytën, të gjithë do të ishin larguar.
Pas asaj ngjarjeje, a arbitruat më në Kuçovë?
Pas atij takimi dhe duke marrë parasysh atë që ngjau, nuk u ktheva dhe nuk arbitrova më asnjëherë në Kuçovë. Edhe për faktin se skuadra u ndëshkua rëndë nga Federata dhe luajti në të Dytën, e gjithashtu edhe fusha u pezullua për një kohë të gjatë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016