Nga Zef Zorba
-Historia e panjohur e tragjedisë “Juda Makabe”, e Atë Gjergj Fishtës, me muzikën origjinale te Preng Jakovës dhe me regji të Zef Zorbës, e cila ishte shfaqja e parë dhe e fundit disidente në Shqipërinë komuniste”.-
Memorie.al / Me 28 nëntor 1945, grupi filarmonik i Shtëpisë së Kulturës e të Artit në Shkodër, shfaqi premierën e tragjedisë “Juda Makabe” të Atë Gjergj Fishtës, me muzikën origjinale te Preng Jakovës dhe me regji të Zef Zorbës. Guximi sa artistik aq edhe politik për të vu ne skenë në atë kohë “Judën’ gjeti përkrahjen dhe dashamirësinë e të gjithëve, sigurisht në radhë të parë, për vlerën artistike të veprës e sidomos për vështrimin e saj pakufinisht patriotik. Kjo sepse, dihej mirë që ajo do tingëllonte, sikundër edhe tingëlloi, protestë e hapur kundër regjimit, shtypjes e grabitjes.
Nën qiellin e euforisë që krijoi fitorja mbi fashizmin, pa kaluar veçse pak muaj, s’vonuan të duken re të turbullta, gjithnjë e më të kobshme, gjithnjë e më kërcënuese. Padronet jugosllavë, me miratimin e paturpshëm të liderëve tonë të asokohshëm, po i shtonin si kërpudha jetë mbytëse, emisarët e tyre, te cilët me një fodullëk të pashoq, komandonin shpotitës e mospërfillës kudo, që nga organet lokale e, deri nalt në qeveri. Ditën për diell, rrëmbeheshin e dërgoheshin në Jugosllavi, jo vetëm mallra, por edhe ushqime e, deri lëndë drusore të prera pa kriter në pyjet tona.
Spektakli i të tilla grabitjeve, ishte sa i trishtë aq dhe rrëqethëses. E përmbi të gjitha, kësaj dhune, po i shtohesh pezmi i përsëritjes së robërimit te Kosovës martire. U arrestuan me qindra e mijra kosovarë, që emisarët serbë, me pretekstin se do t’i dërgonin në Ulqin, i masakruan gjatë rrugës, ma zi edhe se nazistët gjermanë. Kush deshi me pa, kush mundi me pa, pau. Tradhtia e pacipë, po e shiste kombin për pozita, e spaleta, për 30 groshë. Zhgënjimi po shndërrohej në mllef, e mllefi në pezëm. Populli i Shkodrës dhe inteligjenca e tij, s’kishin si të qëndronin në heshtje.
Spontan, por i mbrujtun nga konstatime të pareshtura, zymtimi po merrte përpjesëtime, gjithnjë me të mëdha, revoltimi u bë zë i ditës e, zu të shpërthente në denoncime të hapta, ose të mërtisura. I tillë tharm, mori trajtën konkrete në idenë që lindi mes intelektualëve, të grumbulluar rreth Shtëpisë së Kulturës, për vënien në skenë të tragjedisë “Juda Makabe”. Sikundër dihet, vepra fund e krye, akuzë kundër çdo pushtuesi e çdo tradhtie, ndaj atdheut, i përshtatej çuditërisht dallgëve të situatës politike, nëpër të cilën po shushatej kombi.
Krahas përkrahjes entuziaste, nga populli dhe intelektualet, kjo ide, u miratua nga organet arsimore të rrethit. Na u tha atëherë (nuk e kemi të dokumentuar këtë), se u kërkua edhe mendimi i Ministrisë së Arsimit dhe se ministri i asokohshëm, Sejfulla Malëshova, ithtar i deklaruar i Fishtës, kishte dhëne miratimin e pakushtëzuar.
Por miratimi, ishte njëra ana e medaljes. Të vështira, madje shumë të vështira, shtroheshin problemet e zbatimit. E në radhë të pare, gati i pakapërcyeshëm, paraqitej problemi i muzikës skenike, për koralet dhe për ndonjë “solo”, të domosdoshme.
Ishte fillimi i shtatorit dhe premiera, duhet te jepej me 28 Nëntor, kjo për vështrimin e dyfishtë, që simbolizonte ajo datë, me synimin protestues, që kërkonim t’i jepnim.
Platforma që po përgatisnim me nxitnin, sa më thellë që po i hynim problemeve, po mufatej me kërkesa të frikshme, të cilat bëheshin gjithnjë e me të lidhura ngushtë, njëra me tjetrën: caktimi i aktorëve të përshtatshëm, grumbullimi i koristëve, skenografia, kostumet, provat, etj., etj., e sidomos muzika.
Dinin se, kur Kolegja Franceskane, e pat shfaqë “Judën”, në vitin 1916 e mbrapa, për pjesët muzikore, kanë përshtatur korale, si dhe “a solo”, nga operat lirike botërore. Po ashtu, dinim se, Atë Martin Gjoka, ishte marrë me krijimin e një opera lirike, mbi atë tekst. U konsultuam me françeskanët e kryekreje me Atë Gjon Shllakun, i cili, e vlerësoj pa masë punën që kishim ndërmarrë.
Por për anën muzikore, nuk mund të na ndihmonte, sepse Atë Martini, operën e kishte lenë të papërfunduar. Takimet me Atë Gjonin, na vleftën shumë, për këshillimet që na dha, si dhe për ndihmat materiale, që na siguroi: mjete butaforike, (mburoja, shpata etj.), si dhe mbi 30 ekzemplarë të tragjedisë, nga shtypshkronja françeskane. Por, një tjetër pikësynim yni atëherë, ka qenë Prekë Jakova.
Ai ishte i vetmi, që mund të merrej me muzikën e skenës. Por aso kohe, Preka bashkë me familjen, gjendej i izoluar në një shtëpi burg të Shkodrës, për arsye se i vëllai tij, Ndoci, ishte i arratisur. E ngrejtëm me forcë lirimin e tyre, madje para organeve eprore, nuk ngurruam së shtruari “Aut-Auitin” tonë: ose Preka, ose vepra nuk vihej në skenë. Patëm sukses, se Preka u lirua, por vetëm ai. Tani që kapërcyelli i muzikës u kalua, i duhej hy punës, me shpejtësi.
Ndihmë konkrete për çdo gjë, gjetëm tek të gjithë intelektualet e qytetit, nga te cilët me pranë na qëndruan në çdo kohe: Qemal Draçini, Kole Luka, Filip Ndocaj, Injac Zamputi, Vehbi Bala, Tefë Gjonej, Myzafer Pipa, Paulin Pali, Ramadan Sokoli, Muhamet Ademi, e shumë e shumë të tjerë, (pjesa me e madhe e këtyre, me vonë u mbytën ndër burgje, u ekzekutuan, internuan, ose sido u përndoqën politikisht).
Ndihmë shumë të vlefshme, na dha Drejtoria e Gjimnazit të Shtetit, e cila mobilizoi studentët më të mire, që na nevojiteshin, për formimin e korit. Në mes të këtyre që me dëshirë të plotë, i’u nënshtruan provave të mundshmesh, duhen përmendur: Safet Sokoli, Tish Daija, Ndoc Kujxhija, Tonin Bedeni, Gjyljjana Nenshati, Terezina Pali, Ana Daja, Neta Cepi, Gac Luli e, mbi 30 të tjerë djem e vajza.
Për ndarjen e roleve, problemi u shfaq i kundërt. Kërkonim 10 -12 vetë e, na u ofruan me dhjetëra, aktorë të sprovuar ose rishtarë, por të gjithë, plot entuziazëm. Kërkesa kryesore, ishte që, jo vetëm të gëzonin aftësi aktoreske, por ndonjëri, edhe duhej të këndonte si solist e, që të gjithë si koristë. Natyrisht, nevojitej që të kishin edhe fizik të përshtatshëm, me rolin.
Formuam kështu, një trupë me përbërje: protagonist Lec Bushati e Pjeter Gjoka, krerë luftëtarë, Loro Kovaçi, Lec Shllaku, Qazim Lila, Gac Çuni, Leo Prela, Jonuz Tuli, Pjeter Gjergji, Pjerin Ashiku, Çesk Vuksani, dhe një fëmi, që ishte Alfred Krroqi. Përvec rolit recitues, do kishim pjesë si solistë, Gac Çuni, Pjeter Gjergji, Leo Prela e, sidomos Pjeter Gjoka, i cili, përveç aftësive aktoreske, ishte edhe tenor- solist i sprovuar, shumë herë më parë.
Krahas provave recitative, që nganjëherë zgjasnin deri natën vonë, Prekë Jakovës, i binte njëra nga detyrat më të vështira.
Brenda një kohe të shkurtër, orët e ditët fluturonin, ai duhej të përballonte detyra të rënda jetësore, për veten e për familjen, por sidomos, duhej te muzikonte nëntë pjesë dhe në të njëjtën kohë, t’ua mësonte ato solisteve të korit.
Më e keqja ishte se, Preka, ne shtëpinë e vet, nuk kishte pianoforte. Një të tillë, e kishte Ndoc Shllaku, kështu Preka, ditën ose tërë natën, mund te ulesh e të kompozonte, ose ma mirë të themi, të vinte në hulli, gjithçka përbluante gjatë ditës. Tjetër vështirësi, ishte se në sallonin e teatrit, nuk kishte pianoforte.
Kështu që kushedi sa here, na u desh të transferonim grupin e koristëve, për të mësuar pjesët në Radio-Shkodra, falë interesimit te drejtorit të asokohshëm, Kolë Luka, i cili na i hapte dyert, në çdo orë. Mbas shumë përpjekjesh, na u sigurua një pianoforte, kështu tani provat, mund t’i bënim në sallonin tonë. Kjo qe një arritje e mirë sepse, paralelisht na u krijua mundësia, që të bënim edhe provat skenike.
E këto paraqisnin vështirësitë e veta, nganjëherë, gati demoralizuese: Brenda një palkoje, relativisht te vogël, e pa anekse, duheshin depozituar skena, duhet të lëviznin me dhjetëra aktorë e koristë, e për më tepër, spostimet e tyre, duhej të përputheshin edhe me grupimet korale. Pastaj, mbajtja e qetësisë ishte thuajse e pamundur, duke qenë se shumica, ishin të rinj plot gjallëri. Në mjaft raste, drejtimi duhej bërë me çjerrje, madje me britma e kërcënime.
Por, duhet te themi se, britmat tona, shpesh herë ishin të tepruara, sepse te rinjtë, bindeshin shpejt e zbatonin me shquarsi direktivat e skenës, ose te muzikës. Tjetër hall, e jo i vogël, ishte skenografia dhe veshjet. Skenaristi, kërkonte bojëra e pëlhurë: e pëlhurë nga me të ndryshmet, kërkonte Çesk Vuksani, te cilit i qe ngarkuar rekuizita.
Për veshjet e pajisjet e veta, interesoheshin vetë aktorët, kurse për ato të koristëve, rrobaqepësit e qytetit, morën përsipër ‘ti ndërtonin, madje pa shpërblime. Po ashtu, të gjithë pjesëmarrësit, angazhoheshin spontanisht në çfarëdo pune që paraqitesh, kush me rrjetin elektrik, me butaforinë, me rregullimin e pastrimin e sallonit, me shtypshkrimet, e vetë drejtori i Radios, me shitjen e biletave.
Kontributi që dha çdo njeri, ishte i papërshkruem. Të gjithë, ishin të përfshire në një zell të madh, për të bërë që shfaqja të dilte sa me mirë dhe e denjë, sepse të gjithë, kush me shprehje e, kush me heshtje, ishin plotësisht të ndërgjegjshëm se, në atë forxhë, po farkëtohej disidenca e parë e fuqishme e inteligjencës dhe e popullit te Shkodrës. Te gjithë, sikur u tjetërsuam në ato ditë.
Në mbrëmje, kur gjithnjë të përfshire në biseda artistike, mblidheshim në një pijetore, për të pirë një gotë, vinte edhe Preka. Por shpejt, vërenim se ai, vetëm fizikisht ishte me ne, sepse mendja, i fluturonte në sfera të tjera. Herë nën zë, herë heshturazi, përsëriste me dhjetëra here, vargjet që do të muzikonte. Në atë rast, njeri prej nesh, skaliti shprehjen që do të ngelte për shumë kohe: raki e lirika.
Preka po tretej. Para syve tone, po kryhej simbioza, Gjergj Fishta – Prekë Jakova. Dhe e kishim kot të ngulmonim. “Jemi vonë Prekë”, si të mos na kishte dëgjuar, s’përgjigjej. Por të nesërmen, në zgrip të kohës, vinte me pjesën e muzikuar. Ishte në ethe, por dhe ne të tjerët, në ethe ishim e, s’ia dallonim temperaturën njeri tjetrit. Flinim pak, por edhe kur na kapiste gjumi, në ëndërr, na ngacmonin qindra probleme: batuta e filan aktorit, duhej korrigjuar, evolucioni skenik i korit, duhet të nisej nga një anë tjetër, ku të gjenim prozhektorët, e sa e sa të tjera, që i diktonte çasti, rrethana, apo kushti.
Probleme të panumërta, si ajo me skenaristin, që duhej të zbatonte vijën dramatike: skena e aktit të parë (triumfi), duhej të ishte madhështore, e aktit te dytë (pusia), një skenë e zymtë dhe ajo e aktit të tretë (tradhtia), duhej të paraqiste një shteg malor, të ashpër, por jo të pakapërcyeshëm.
Patëm marrë përsipër, që një vënie në skenë, që normalisht do të kërkonte 5-6 muaj, t’a bënim në më pak se dy muaj e, me një trupë krejt diletante, dhe pa asnjë shpërblim, madje edhe nga dy bileta që i jepnim secilit, i paguanin nga xhepi i vet.
Megjithatë, falë kontributit të pakursyer, të çdonjërit qëllimi u arrit.
Me 26 nëntor, vendosem të bënim provën e përgjithshme. Natyrisht, kjo rezultoi një katastrofë e vërtetë. O emocioni, ose kushedi se ç’dreq, po na gërmonte të gjithëve, asgjë s’po shkonte mbarë. Jashtë çdo rregulli, u përpoqëm të bënim edhe përsëritje, të ndonjë skene.
Pa fryt edhe me keq. Skenat, rekuizitat, linin shumë për të dëshiruar, ndonjëri dilte në skenë, me rrobat e përditshme, dritat nuk funksiononin, aktorët harronin batutat, e deri kori, si ta bënte me kast, stononte. Gati u dëshpëruam, por na dhanë zemër kolegët, që po asistonin në prova. Afishet e reklamave, ishin shpallur gjithandej, deri biletat e premierës, ishin shitur. Kishim vetëm edhe dy ditë kohë. Guxuam e bëme të pamundurën, i’u shtruam punës. Çdo njeri, mori përsipër detyrat, e më në fund e arritëm qëllimin:
Me 28 nëntor, shfaqëm disidencën e parë me premierën e “Juda Makabe”, te Atë Gjergj Fishtës, me muzikën origjinale që thellësisht, e përkushtimisht, e hartoi e e mësoi, muzikanti Prekë Jakova, brenda një kohe rekord. Për aq sa ishin mundësitë tona asokohe (madje mbi aftësie që kishim secili), premiera u zhvillua, si mund të mendohej më mirë.
Publiku, që kish mbushur sallonin plot (sesi ja kishin dalë me hy edhe shumë të tjerë që mbushnin anët), e priti shfaqjen, duke u nisur ndjenjat e veta, me veprën madhore, me duartrokitje të pareshtura e, lot në sy. Zemrat e spektatorëve, kumbuan në unison me vargjet e Fishtës:
“N’zi eshtën shpija e tempulli
Ku nuk sundon Lirija
E shuhet gjaja e populli
Ku e t’huajve urdhnon lakmija…”!
ose
“E dielli,
kaq kob tue pa prej qiellit
prap dritë aj leshon ktij dheu…
O perëndi, a ndjeve?
tradhtarët na lanë pa Atdhe
E Ti rri e gjuen m’errfe
Lisat n’për male kot….”!
Në Shkodër, shfaqja u dha pesë here, e gjithherë salloni ishte i gremisur. Thërrisnin spektatorët e duartrokisnin: duartrokisnin e qanin si fëmijë. Tragjedinë e skenës, po e ndiente çdokush, i gjithë kombi. E jo vetëm shkodranët. Ketë, e dëshmon dhe episodi që po tregojmë: U urdhëruam të jepnim një shfaqje, për brigadat partizane, që gjendeshin atëherë në qytetin tonë. Duke qenë se pjesa dërmuese e tyre, ishin nga jugu, ndokush u tregua skeptik, se vepra s’do të kuptohej.
Por u vërtetua e kundërta. Kur në fund të aktit parë dhe të dytë, shpërthyen duartrokitjet, ndokush mendoj se ato, ishin forcë zakoni. Por, kur gjatë aktit te tretë, pati duartrokitje me skenë të hapur dhe në fund, ato u bënë të stuhishme, kushdo ndërroi mendim: dhe aq më tepër, se kur u ndezën dritat, u vërejtën rigime lotësh në faqet e partizanëve!
Vargjet e Fishtës, kishin depërtuar në zemrat e tyre, ngado ato ishin, nga Tepelena a Kukësi, nga Skrapari a Peshkopia. Gjuha e dashurisë, gjuha e lirisë, është gjuha e shqiptarit, mbi çdo dialekt ose te folme. Fishta është mbarëkombëtar.
Publikut të Shkodrës, nuk i kishin mjaftuar pesë shfaqjet që dhamë, nga të gjitha anët, na kërkoheshin replika. Kujtuam se do ja plotësonim këtë dëshirë, por ndërkohë, po përgatiteshim për të shkuar në Tiranë, për të flakëruar edhe atje “fjalën” e Fishtës e “fjalën tone”, fjalën e disidencës. S’ dinim se ajo do të pasohej shpejt, e për dekada, nga gjaku, burgjet e internimet.
Është e qartë se; “Juda Makabe”; ishte edhe kushtrim dhe akuzë, thirrje këto, që jehuan idhnake në zemrat e shkodranëve, por njëkohësisht, zhurmuan gulçuese në kokat e udhëheqjes. Diku në një zyrë në Tirane, gjëmoi llahtarshëm çjerrja: ”Ndal”!
Ishte cegëm dhjetori atë ditë, kur i njoftova grupit teatral urdhrin, se: “Shfaqja nuk do jepej më, as në Shkodër e as gjëkundi”!
Sikur hej akulli, t’ua shporonin zemrat. Qanin….! Qanim, bashkë me Fishtën dhe me shikim nga qielli dënesnim: “E lot e fëmijëve tone, m’kambë t’fronit tënd ngjasojnë…”!
Ra perdja, mbi disidencën e parë e, dhuna pastaj nuk diti me pushue……! Memorie.al
16 gusht, 1991