Nga Kabil Bushati
Memorie.al / Më 13 dhjetor 1960, plot 55 vite më parë, në qytetin e Fierit, ndodhi një ngjarje e bujshme, që tronditi diktaturën në të gjitha qelizat e saj dhe drithëroi mbarë opinionin publik shqiptar. Tronditi thellë kryeministrin e kohës, Mehmet Shehu, ministrin e Brendshëm Kadri Hazbiu dhe nipin e tyre, Feçor Shehu. Sigurimi i Shtetit, i diktaturës, ishte qëlluar e vrarë me armë, m’u në mes të Fierit. Harap (Sejdi) Miloti, nënkryetar i Degës së Punëve të Brendshme i Fierit, vrau në shtëpi, kryetarin e kësaj Dege, Qemal Hysenajn.
Pastaj si njeri me sedër, për të mos rënë i gjallë në duart e Sigurimit të Shtetit, për t’u mos poshtëruar dhe leqendisur në torturat e kohës, Harapi vrau edhe veten. Pra Harapi, si zog shkodranit, bëri atë që, deri në atë kohë, nuk kishte arritë ta bënte, asnjë zog shqiptarit. I ktheu pistoletën në lule të ballit, kreut të Degës së Punëve të Brendshme, eprorit të tij, pastaj ia ktheu edhe vetes…! Një skenar i ngjashëm, me ato të filmave horror.
Me të ndodhur kjo ngjarje e pa zakontë, diktatura hoxhiste, përdori të gjitha mjetet dhe format, që kësaj ndodhie të përgjakshme, t’i vinte kapakun e heshtjes. Gjithçka, në çdo detaj, u fsheh me kujdes dhe u la enigmë. Asnjeri, as sot e kësaj dite, nuk e di të vërtetën, por gjithnjë janë përdorur thashethemnaja të ndryshme dhe gjithfarë alibirash. Akoma dhe sot, nuk dihen arsyet e vërteta të kësaj ngjarje. Gjithçka është sistemuar dhe përcjellur, për ne ‘Kalendat Greke’. Diktatura, i kishte te gjitha mjetet dhe mënyrat, që te linte ne heshtje varrit gjithçka.
Akoma dhe sot e kësaj dite, fëmijët, tashmë të rritur, të Harap Milotit, nuk kanë një varr për babain e tyre, ku të qajnë e të vendosin një tufë lule, Shkodre. Akoma dhe sot e kësaj dite, opinion, nuk di asgjë për rrjedhën e kësaj ngjarje, që shokoi të madh e të vogël. Asnjë version zyrtar, për këtë vrasje te dyfishtë!
Po kush ishte Harap Miloti? Një djalë Shkodre. Nga familja e përmendur dhe e respektuar e Milotëve të Kirasit. Baba i tij, ishte kryeplaku i Kirasit. Emri i tij i vërtete është Sejdi, porse shkodranët, gjithmonë e thirrën Harap. Ishte shegert tek Ulqinaku i Madh, ku punoi me ndershmëri dhe krijoi njohje të admirueshme, me gjithë Shkodrën. I lidhur me Luftën Antifashiste që në moshë të re, që në vitin 1942, ai do te bënte emër, si njeri i aksioneve të guximshme. Një djalë trim e i guximshëm, në ato vite lufte.
Koha e rreshtoi si shumëkënd nga pjesëmarrësit e Luftës Antifashiste, në krahun e komunizmit. Pas çlirimit të vendit, ai do te fillonte ndër të parët kuadro të Luftës, studimet në Bashkimin Sovjetik, në qytetet e Sevastopolit, Odesës dhe Saratovit, së bashku me Myslym Ketën e, Sami Bushatin. Shok i ngushte me Samiun. Me të përfunduar studimet, emërohet të punoje ne organet e Punëve të Brendshme, në detyra drejtuese si në Malësi të Madhe, Lezhë, Klos, etj., etj.
I përkushtuar ndaj punës dhe mbas familjes. Kështu vazhdoi deri me 13 dhjetor 1960, kur ndodhi ngjarja fatale, e cila edhe sot e kësaj dite, mbetet misterioze. Deri me sot, edhe pas viteve ’90-të, asnjë gazetë, nuk ka shkruar për këtë ngjarje. Asnjëherë në mediumet shqiptare, nuk u përmend emri i Harap Milotit. Paçka se përditë, në shtypin shqiptar, po lançohen me dokumenta, bëmat dhe gjëmat e Kadri Hazbiut, Feçor Shehut dhe të gjithë graduatëvet të organeve të Punëve të Brendshme. Ndërsa për Harap Milotin, çdo gjë qëndron në heshtje nëpër arkiva, e mbyllur në kasafortë, e ruajtur sekret më fanatizmin më të madh…!
Publiku dhe familjarët, nuk dinë asgjë për shkaqet qe e detyruan Harapin, të ndërmerrte atë akt fatal, të vriste kryetarin e Degës dhe pastaj veten! Ata banonin në një ndërtesë në qytetin e Fierit, Harapi me familje në katin e parë, ndërsa Qemali, në katin e dytë. Kaq dinë shkodranët për këtë ngjarje, kaq di dhe familja. Për Harapin, nuk janë shkruar dy rreshta në gazetë, për Harapin, asnjë gazetar nuk ka shkruar së paku dy rreshta, për Harapin, arkivat e shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme, heshtin.
Familjarët, janë ankuar për këtë, deri tek Avokati i Popullit, por as ai, nuk ka mund të zbërthejë këtë enigmë, këtë heshtje varri…! Përse? Përse nuk hapet dosja e Harap Milotit?! Le të analizojmë pak, në retrospektivë. Le të shohim se çfarë qëndrimesh u mbajtën nga diktatura, për familjen Miloti dhe Hysenaj. U mbajtën qëndrime diametralisht të kundërta. Familja e Harap Milotit, bashkëshortja me tre djem dhe një vajzë, u trajtuan si armiq dhe vuajtën nëpër punëra të rëndomta, si marangozë e saldatorë. Të pashkolluar. Të përgjuar. Dhe të diferencuar. Paçka se qytetaria shkodrane, i deshi dhe u lehtësoi brengat e përndjekjes.
Ndërsa për familjen e Qemal Hysenajt, diktatura u tregua dorëlëshuar dhe dashamirëse. I shkolloi nëpër shkolla të zgjedhura. Mjafton të përmendim, djalin e Qemalit, Kujtimin, i cili sapo mbaroi shkollën, u martua me të bijën e Xhafer Spahiut, Nënkryetarit të Kuvendit Popullor të at’hershëm dhe u caktua atashe nëpër ambasada, si në Paris e Beograd. Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe, pasi Xhafer Spahiu, ishte i afërt me Nexhmije Hoxhës.
Gjatë fillimeve te demokracisë, Kujtim Hysenaj, u lidh me ekskluzivitetin e një firme kroate, si drejtues i saj në Shqipëri, tek e cila, krijoi të ardhura të bollshme monetare. Më vonë, pas viteve ’97, Kujtim Hysenaj, zëvendësoi Fatos Klosin dhe u bë Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Informativ Shqiptar, detyrë të cilën, e kreu derisa vdiq.
Vetëkuptohet që objekt i këtij shkrimi të shkurtër dhe befasues, nuk është thellimi i ndasisë dhe armiqësimit mes këtyre dy familjeve, përkundrazi, ne po kërkojmë një realitet, një të vërtetë dhe një varr, për shkodranin Harap (Sejdi) Miloti. Nuk kërkojmë asnjë lloj hakmarrje. Ne po kërkojmë që të lehtësojmë edhe dhembjen e të gjallëve, përmes zbardhjes së ngjarjes. Sepse, nuk u vranë me njeri tjetrin, dy ushtar në kufi, por dy hierak të lartë, të Ministrisë së Brendshme. Patjetër që kjo ngjarje, do të jetë relatuar edhe në Komitetin Qendror të PPSh-së.
Pra,përveç arkivave të Ministrisë së Brendshme, dokumentacion, duhet të ekzistojë edhe në arkivat qendrore te PPSh-së. Por.., por…! Natyrshëm lindë pyetja, përse dy qëndrime, kundrejt dy familjeve, që kanë lidhje me te njëjtën ngjarje. Një diametrialitet i pashpjegueshëm?! Përse diktatura dhe titullarët e Ministrisë së Brendshme, përfshi edhe Kadri Hazbiun e Feçor Shehun, përkrahën familjen Hysenaj dhe përndjekjen familjen Miloti?!
Fakti që i vrari, Qemal Hysenaj, ishte djalë daje e bir hallet, me Fecorin dhe Feçori nip i Mehmet Shehut, nuk mjafton qe të varrosë me heshtje, gjithë këtë ngjarje. Përse Harap Milotit, akoma nuk i janë gjetur eshtrat dhe akoma nuk ka një varr?! Përse heshtin arkivat e shtetit për këtë ngjarje. Kush i fsheh? Kush është i interesuar që e vërteta të mos dalë në shesh? Edhe arkivat angleze, pas 50 vjetësh hapen. Po ato tonat, kur do te hapen?
Kur mora nismën që të shkruaj për ish-oficerin e Ministrisë së Brendshme, Harap Miloti, pyeta shumë njerëz. Pyeta ish bashkëluftëtarë të tij. Pyeta edhe komshitë e tij dhe të fëmijëve të tij, ku të gjithë, më folën me superlativa. Nuk doli asnjeri që të fliste keq për atë në Shkodër. Rastësisht, në një bisedë pyeta edhe z. Ahmet Bushati, ish – i burgosur politik, qysh me grupin e gjimnazistëve të Shkodrës. Edhe ai më konfirmoi se, gjatë kohës që ishte pjesë e drejtimit të Shoqatës së ish – të Burgosurve e Përndjekurve Politik, nuk kishte parë apo dëgjuar ndonjë dëshmi, kundër Harap Milotit.
Bile, më foli me shumë dëshirë për të, se e kishte njohur nga afër. Bile Cuf Hoxha, ish – i internuar, babai i futbollistit Arvit Hoxha, më tregonte se, ishte takuar në Shkodër afër stadiumit, me Harapin, një javë para se të ndodhte ngjarja. Ishin ndalë e kishin bërë muhabet, duke kujtuar vitet e fëmijërisë. Edhe Cufi, flet fjalët më të mira për Harapin. Po kështu, edhe miku im qysh në rini, Dush Selimi, komshi me familjen e Harapit, flet me konsideratat më pozitive, për këtë familje të ndershme e punëtore.
Dushi, që ka pasë babën shofer me Gjonin e Marka Gjonit, shton se, baba i tij, sa ishte gjallë, nuk e hiqte nga goja trimin Harap Miloti. Pikërisht këto, më dhanë spunton që të shkruaj për djalin trim të Shkodrës, Harap Milotin, pavarësisht bindjeve të tij. Unë e dija se gjer më sot, asnjë gazetar shqiptar në përgjithësi, e shkodran në veçanti, nuk ka pasur guximin t’i futet kësaj ngjarje dhe të shkruaj së paku dy rreshta, në ndonjë gazetë. E di se, Harapi ishte një temë tabu. Por e siguroj lexuesin që, edhe në numrat e ardhshëm, ne do vijojmë të botojmë shkrime për Harapin, do vijojmë t’i kërkojmë arkivave të këtij shteti, dokumenta, derisa e vërteta të zbardhet. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016