Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të një grupi intelektualësh të fushave dhe profesioneve të ndryshme, të cilët kishin studiuar në Poloni, në fundin e viteve ’50-të u kthyen në atdhe dhe u caktuan me detyra të larta në disa nga sektorët e ekonomisë shqiptare. Si u arrestuan ata nga Sigurimi i Shtetit në fillimin e muajit shkurt të vitit 1973, pasi ishin survejuar, ndjekur dhe përgjuar për vite me radhë që nga periudha kur ishin kthyer nga studimet, duke u akuzuar si “Grupi i agjentëve polakë”, që përbëhej nga 10-të ish-studentë shqiptarë që vinin nga familje të lidhura shumë ngushtë me pushtetin komunist të asaj kohe. Pasi, njëri nga më kryesorët e grupit që ishte Drejtor i Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi” në Tiranë, kishte babanë dëshmor, vëllanë “Hero të Popullit”, dhe kunatin Kryetar Gjykate, humbi jetën në rrethana tepër misterioze teksa vuante dënimin në burgun e Ballshit…?!
Zoti Alibali, në ç’periudhë keni studiuar në Poloni dhe si u bë e mundur shkollimi juaj jashtë?
Ka qenë viti 1956 dhe mund të thuash që mua më ra “llotaria” sepse ishin shumë maturantë në të gjithë Shqipërinë. Të jemi të sinqertë nuk ishte vetëm “llotaria”, por edhe dëshira e atyre që sundonin dhe na qeverisnin në atë kohë. Më thanë për të shkuar në Poloni, më doli emri, por Polonia ndonjë vend i dëgjuar për shqiptarët nuk ishte, pasi ne kishim lakmi Bashkimin e lavdishëm Sovjetik dhe mua nuk më erdhi fort mirë, pasi më mirë ishte të shkoja në Rusi, se në Poloni.
Por nuk e refuzuat të drejtën e studimit dhe shkuat në Poloni…
As nuk bëhej fjalë, sepse këto ishin vetëm hamendje. Kur shkuam, u nisëm me vapor nga Durrësi i ramë nga Deti i Zi, në Kostancë dhe pastaj, me tren të gjithë këta studentët shpërndaheshin, nëpër shtetet e caktuara. Kur shkuam ne në Poloni, atje gjetëm një popull fisnik, të vuajtur, akoma ishte më shumë se gjysma e Varshavës e shkatërruar dhe njerëzit jetonin në gërmadha. Po, ata janë popull punëtor dhe ja dolën, sot Varshava, është një nga qytetet e bukura të Europës.
Sa student ishit gjithsej kur shkuat dhe në çfarë kushtesh u akomoduat?
Shkuam nja 40 studentë dhe vetëm 20 vetash i gjetëm atje, d.m.th. 60 student, mund të ishim në fakultete të ndryshme. Jetonim nëpër shtëpitë e studentëve dhe kushtet ishin relativisht, shumë të mira në krahasim me kushtet tona. Por edhe pritja ishte shumë e ngrohtë. Është një popull shumë mikpritës dhe si të thuash hahet me mikpritjen e shqiptarëve.
Para se të niseshit, ju kishin dhënë ndonjë porosi për atje?
Edhe pse ne ishim të zgjedhur, pasi vinim të gjithë nga familje të Luftës dhe me tradita, i kuptonim gjërat sepse ishim djem të rritur, mbas vështirësive, ne na dhanë shumë porosi, duke na thënë: kini kujdes mos provokoni, mos bëni, d.m.th. disa gjëra, që ne nuk i hasëm atje, pasi ata ishin popull shumë miqësor dhe të gatshëm për të ndihmuar për çdo gjë.
Kishit njohje me njëri tjetrin?
Nuk para njiheshim me njëri-tjetrin, pasi vinim nga shkolla të ndryshme dhe qytete të ndryshme, por shqiptari miqësohet menjëherë, pasi ishim të gjithë të një niveli.
Cila ishte përshtypja juaj e parë që krijuat për popullin polak?
Ata ishin një popull antikorformist. Sepse Polonia është vetë nga natyra, një popull shumë kërkues, kur si pëlqen një gjë, ai nuk të lavdëron. Pasi kishin edhe ato plane për Kooperativat Bujqësore, sepse ata e kishin afër atë “Nënën e madhe”, Bashkimin Sovjetik, por nuk e donin kolektivizimin, prandaj atje pati edhe reaksione. Por fermat ishin shumë të organizuara dhe më të mira, pasi kishin mekanikën bujqësore etj.
Çfarë situate politike ishte kur shkuat ju në Poloni?
Kur shkuam ne, u bë Plenumi i VIII-të dhe Gomulka, nga një njeri që ishte në burg, u bë sekretari i pare i Partisë Komuniste Polake. Për ne, Partia Komuniste Polake ishte Parti Demokratike, pasi ajo i kishte të hapura me popullin të gjitha çështjet e saj. Ne kishim një herë në javë, takim në ambasadën tonë në Varshavë dhe, ndonjë llaf dhe opinion edhe e dëgjonim dhe diskutonim. Mirëpo ne dinim më shumë informacione, për divergjencat Shqipëri-Poloni sesa ata ta të ambasadës.
Pse dinit më shumë…?!
Sepse ne lexonim gazetat dhe informoheshim, se ku janë fërkimet e tyre. Aq më tepër që morëm vesh që, Kazhimierzh Mijal, kishte ardhur në Shqipëri, mirëpo arsyet e ardhjes së tij në Shqipëri, ne studentët nuk ua bënim pyetje autoriteteve polake.
Kishit frikë?
Jo se kishim frikë, por ata nuk na përfillnin. Sipas mendimit tim, i bindur në këto gjëra, Shërbimi i Fshehtë polak në Shqipëri, nuk ka pasur aktivitet. Regjimi jonë ishte primitiv dhe regjimi polak donte të rregullonte, kokat primitive të udhëheqësve tanë, por jo, ato nuk rregulloheshin dot.
Çfarë raportesh kishit me njëri tjetrin, ju personalisht me kë kishit shoqërinë më shumë?
Ne kemi shkuar jashtëzakonisht mirë me njëri-tjetrin, rreth 60 vetë sa ishim atje. Unë me Vedat Buzin kam pasur shumë shoqëri, se ai ishte në një shkollë me ne, ishte shkolla Bujqësore, por kishte edhe Inxhinierinë Ushqimore dhe Vedati ishte atje, teknolog për verërat e për pijet e ndryshme, por takoheshim shpesh, sepse ne shqiptarët, kishim mall për njeri-tjetrin. Dhe në përgjithësi ishin djem shumë të mirë. Vedatin unë e kam njohur si një njeri që i ka shokët e rrallë, shumë i pastër dhe i sinqertë. Ai, nuk ishte ambicioz dhe skuqej kur ne e kundërshtonim, për ndonjë ide të tijën. Pastaj tek ne ndikoi shumë ambienti që ishte, si ta quash, Polonia ka një nivel qytetarie shumë të lartë. Atje flitet me “Ju me zotëri”.
Gjatë kohës që me Vedatin ishit në Poloni, kishit ndonjë dyshim se ju ndiqnin dhe ju survejonin?
Unë me Vedatin, në atë kohë nuk kishim ndonjë dyshim se na survejonin, fare. Por unë tani kam marrë edhe ato dokumentet e Sigurimit nga Autoriteti i Dosjeve dhe aty del që na kanë survejuar dhe gjëmuar nga prapa, kudo ku kemi shkuar. Por prap e them, se ne kemi shkuar shumë mirë dhe nuk kemi pasur atje me asnjë shqiptar tjetër kontradikta. Ishim djem që e prezantonim edhe kombin me dinjitet.
Kur u kthyet në Shqipëri, si ishte gjendja?
Kërkesat ishin të mëdha për njerëzit me kualifikime, pasi ne kishim jo vetëm kulturën, por edhe praktikat i kishim shumë të forta. Kështu që ne sipas profesioneve, gjithsecili shkonte në vendin e vet. Ne kishim shumë inxhinierë për mekanikën bujqësore, për hekurudha, për ndërtim, ndërsa unë isha për Veterinari.
Ku ju emëruan kur u kthyet në Shqipëri?
Kur u kthyem në Shqipëri, mua më emëruan në rrethin e Krujës dhe atje kam punuar pothuajse 10 vjet. Flinim nëpër familje nganjëherë, sepse kur ata kishin nevojë, na thërrisnin shpesh dhe mjeku veteriner është shumë i dashur për fshatarin. Ekonomia private në atë kohë ishte e mire, por kur u bënë kolektivizimit u përkeqësua gjendja. Më pas kam punuar në fermën e Thumanës
Po kur u kthyet këtu e vazhduat shoqërinë me ish-shokët student të Polonisë?
Edhe këtu, takoheshim shpesh me njëri-tjetrin, pasi ishim mësuar atje në Poloni ku njëherë në javë e shumta, njëherë në dy javë, mblidheshim te ambasada shqiptare atje. Kurse këtu, kur erdhëm prapë takoheshim shpesh. Dhe bënim muhabete dhe diskutime të zakonshme. Mirëpo këto diskutime na u kthyen si të jashtëzakonshme.
Përse…?
Sepse të gjithë punojnë me shkencë, por edhe Sigurimi i Shtetit, më saktë Drejtoria e Brendshme pra, edhe ajo punonte me shkencë, kush flet e kush s’flet. Por ne ishim njerëz të lire. Por ne nuk kishim pretendime te pushteti, pasi ne kishim pretendime te vetja jonë, pasi vetëm unë nga familja ime, kisha 3 oficerë efektivë: Xhevati, Agimi, dhe Besniku.
Pasi u kthyet në Shqipëri, ju vazhduat ta ruanit atë shoqëri dhe diskutonit për ndryshimin, që ekzistonte mes dy vendeve…?
Po patjetër, ajo ishte tema kryesore e bisedave tona dhe bisedonim pa rezerva me njëri tjetrin, pasi shoku mbetet shok. Erdhëm këtu dhe takoheshim, pinim ndonjë birrë dhe kafe, për aq sa ishin mundësitë tona. Fati im ishte atje në Poloni, ku ne pamë shumë dhe praktikat i bënim në kombinate ushqimore dhe kishim një eksperiencë…
Kur erdhët këtu me çfarë realiteti u përballët nga ana profesionale?
Këtu filloi të bëhej Kombinati i Mishit, ai qe një kombinat shumë modern dhe projekti ishte austriak, nëse nuk gabohem. Edhe, kombinati s’po ecte hiç, sallami dilte i bardhë dhe nuk blihej. Mirëpo ata të udhëheqjes dhe qeverisë thonin: si t’ia bëjmë tani, pasi specialistët e huaj ikën dhe popullit i nevojitej sallami, pasi ai nuk blihej dhe dilte skarco i tëri?! Atëhere kush nga inxhinierët ka qenë jashtë, në kombinat, u tha. Dhe kur erdhëm ne për herë të pare, bënim praktikë te laboratori ushqimor, por aty vërenim që gjërat nuk shkonin mirë profesionalisht dhe filluam të bënim shumë vërejtje. Por disa herë na erdhi drejtori dhe na tha, që të mos merreshim shumë me vërejtje.
Pra ju i kishit thënë ndonjë fjalë më shumë…?
Patjetër, kjo gjë ishte realitet dhe prandaj na paralajmëroi drejtori. Aty si duket u futëm në “rreth”, por ne ishim të futur në “rreth” në një farë mënyre, që kur erdhëm nga Polonia, dukej se na shikonin ndryshe nga ata që kishin studiuar në vende të tjera.
Përse ndodhte kjo?
Polonia ishte një vend jo shumë i dëshiruar, për regjimin komunist të Tiranës, pasi atje atëhere pati shumë ndryshime, erdhi Gomulka dhe iku ai brezi i vjetër i stalinistëve dhe u bënë disa reforma në lidhje me demokracinë. Kurse këto vendet e tjera ishin më të qeta. Pra Polonia kishte namin e keq, pasi kishte dalë Gomulka, për të kundërshtuar Hrushovin dhe ishin këto përplasjet midis partive. Tani, meqenëse udhëheqja jonë, kishte disa kontradikta dhe ishin prishur paksa, aq sa ne mund të kuptonim me udhëheqjen polake, ne u trajtuam më keq sesa shokët që ishin në demokracitë e tjera.
Po kur u kthyet këtu…?
Kur u kthyem këtu ne na shikonin, flas për Sigurimin e Shtetit, sikur kishim shkuar atje, për me i marrë edhe ne ato huqet e tyre, për të rrëzuar këtu pushtetin popullor. Në fakt ne merreshim me shkencë, pasi këto punët tona, ishin punë shkence, por ato shokët e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, kishin bërë ato relacionet e tyre që për ne, ishin jo të favorshme. Na ndiqnin, po ne nuk e kuptonim pasi të gjithë, ishin njerëzit tanë, unë isha me tre oficerë në shtëpi, Vedat Buzi, ishte vëllai i “Heroit të Popullit” Hyqmet Buzi, që ishte vrarë dhe për ditën e dëshmorëve, vizita e parë që bëhej, shkohej të nëna e Vedatit, pasi dhe babai i tij ishte Dëshmor i Atdheut.
Ju nuk kishit kuptuar gjë, që ndiqeshit dhe survejoheshit nga Sigurimi i Shtetit?
Absolutisht asgjë. Unë flija i qetë dhe shkoja me shërbime, pa asnjë lloj problemi. Nuk e ndjeva fare që do të arrestohesha dhe ndjekjet ishin histori në vete.
Si e kujton ditën e arrestimit?
Me 1 Shkurt të vitit 1973, vijnë dhe më thonë: në emër të popullit je i arrestuar! Më vijnë në zyrë, pasi ajo puna është si e atij doktorit, që kur hyn në ambulancë, vishet me përparësen e bardhë që ta njohin të tjerët. Kështu edhe kjo punë, ata të Sigurimit, vinë atje ku punoja unë dhe hyjnë ashtu me autoritet. Na vunë hekurat, sikur kishim bërë ndonjë gjë të madhe fort.
Kush ju arrestoi?
Ishte Drejtori i Drejtorisë së Tiranës, Kadri Gojashi. Nuk e njihja, se s’kisha pasur kurrë punë me këta, por pashë letrën e urdhër arrestit, ku ishte emri i tij, që kishte firmosur arrestimin tim.
Ku ju çuan…?
9 muaj në çimento, me dy batanije të holla, duke na bërë hetuesi.
Çfarë ju pyesnin në hetuesi?
Në hetuesi pyetja ishte: “Flisni për veprimtarinë tuaj armiqësore”! Po ku ishte veprimtaria jonë armiqësore, kur ne nga mëngjesi, deri në darkë luftonim për planet, që kishim detyrë profesionale dhe detyrë shtetërore. Tani të gjitha punët tona u shumëzuan me zero, sepse sipas akuzave që na bëheshin, ne kishim kryer veprimtari armiqësore, duke punuar për të rrëzuar pushtetin popullor. Kjo ishte “formula” që na u komunikua.
Sa veta ishte grupi juaj që u arrestuat?
Ne u arrestuam 10 vetë. Bashkë me mua u arrestua Vedat Buzi, Drejtor i Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi”, që kishte suksese shumë të mëdha. Më pas ishte Sofokli Lulo, inxhinier tokash, Spiro Nikolla nga Vlora, kryeinxhinier i Parkut të Tregtisë në Tiranë, Burhan dhe Shuaip Nurja, dy vëllezër nga Shkodra, Faik Gojani Ne në grup ishim 12 vetë.
Si ju trajtuan gjatë hetuesisë, ushtruan dhunë fizike ndaj jush?
Trajtimi në hetuesi nuk qe i keq, pasi ata e panë, se ne nuk ishim nga ata që duhet me i torturu, por ishte trajtimi çnjerëzor në biruca. Të arrestohesh në shkurt dhe të flesh, me dy batanije në çimento, për një njeri që gjithë jetën kishte jetuar mire, nuk ishte pak! Edhe hetuesit e morën vesh, sesa na vlente ne lëkura për të qenë aty, pasi edhe krye hetuesi, ishin vetë nën presionin e dikujt tjetër. Me të vërtetë që atyre nganjëherë u vinte zor, që të bënin pyetje, pasi ne ishim të gjithë të Partisë. Vedat Buzi, ishte vëllai i Heroit të Popullit, Hyqmet Buzit, dhe s’ishte gjë normale, t’i bëje pyetje për veprimtari armiqësore, kundër pushtetit popullor?!
Kur u zhvillua gjyqi ndaj jush?
Gjyqi u zhvillua pas 10 muajsh, që ne kishim mall me dal nga dhoma, për me na marr në hetuesi. Kur shkonim në hetuesi, ishte gëzim i madh fort, pasi ne do rrinim si njerëzit në karrige. Gjyqi ishte gjyq ushtarak dhe 5 vetë nga ata, anëtarët e gjyqit, ishin bashkëpunëtorë me vëllain tim, Xhevatin, ishin në një Drejtori, atë Politiken. Ato kishin turp me e pa shokun e vet në sy, pasi e njihnin se kush ishte. Tani megjithëse duhet t’i jepej famë, këtij “Grupi të polakëve”, që kanë studiuar atje. Polonia kështu e ashtu, përveç Xhevatit, futën edhe një tjetër, pilot, vëllain e një shokut tonë, familje shumë e mirë në Shkodër, familja Nurja.
Kush u dënua më shumë nga grupi juaj?
Spiro Nikolla, që ishte më i rëndësishmi, mori 24 vite. Sofokli Lulo me 15 vite, Vedat Buzi me 15 vite, unë me vëllanë, Xhevatin, me nga 10 vite dhe po kështu edhe Adem Nurja me Faik Gojani me nga 10 vite. Akuza ishte; “agjitacion dhe propagandë, kundër pushtetit popullor”, kur ne vetë, ishim të pushtetit popullor?! Si mund të fliste drejtori i Kombinatit Ushqimor, kundër vetes së vet?! Si mund të flisja unë kundër punës sime, kur kisha një sukses jashtëzakonisht të madh?!
Gjyqi u bë publik apo me dyer të mbyllura?
Gjyqi u bë më dyer të mbyllura dhe hermetik, që të mos dëgjonte njeri, asnjë fjalë.
Dëshmitarë kush ishte?
Dëshmitarë nuk doli njeri, se s’kishin se çfarë të thoshin. Ne gjoja na bënë 3 ditë gjyq, por nga një gjysëm ore dhe rrinim dhe bënim muhabet me njëri tjetrin. Atyre u vinte turp, me na pa në sy.
Ndërkohë që ju ishit arrestuar dhe u dënuat, me familjen tuaj, çfarë ndodhi?
Mbas dënimit tim, me familjen u sollën keq, pasi gruan unë e kisha në Institutin e Projektimeve dhe kur rashë unë në burg, e transferuan në Ndërmarrjen e Ndërtimit në Tiranë, si zbatuese e thjeshtë. Pensionin e Luftës të pleqve ua hoqën.
Ku ju dërguan për të vuajtur dënimin?
Vëllain tim që kishte qenë oficer, Xhevatin, e çuan në Spaç, kurse mua me Vedat Buzin e disa shokë të tjerë, na çuan në Ballsh. Atje kemi punuar shumë, ça mund të bënim tjetër?! Atje na vdiq Vedati!
Si e kujton vdekjen e tij?
E kujtoj si të ketë ndodhur tani, pasi ishim shokë të ngushtë dhe në burgun e Ballshit. Ne ishim duke parë një film, sepse një herë në javë, na jepnin për të parë film, u ndamë me Vedatin, duke i thënë natën e mire njëri tjetrit. Kur në mëngjes, na thonë që; Vedati vdiq. Si vdiq i thashë unë?! Natën, më thane, kishte pasur ngatërrim zorrësh, por unë nuk e di diagnozën e saktë, që u dha për të. E morën dhe e kishin çuar në spital, po si duket rrugës ka vdekur…?!
Si u komentua atëherë dënimi dhe vdekja e tij, në një kohë që ai ishte vëllai i “Heroit të Popullit”?
Asokohe thoshin si nën vesh, që; Hysni Kapo nuk ka qenë absolutisht dakord që Vedati të dënohej, pasi si të thuash Hysniu e ka pasur në patronazh familjen e tij, pasi vëllai i Vedatit ishte Hero i Popullit. Por ja që kjo ndodhi, pasi kishte të tjerë mbi Hysni Kapon…/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016