Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente të panjohura arkivore të vitit 1989 me korrespodencën zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe titullarit të saj, Reiz Malile, me ambasadën shqiptare në Paris dhe kreun e shtetit, Ramiz Alia, ku bëhet fjalë për letrën e presidentit francez, François Mitterand, që sapo i kishte dërguar nominalisht shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, me adresë: Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, ku ai e ftonte që të merrte pjesë në ceremonitë e festimeve të 200 vjetorit të Revolucionit Francez që do të zhvilloheshin më 13 e 14 korrikun e atij vitit, ku ishin ftuar 35 kryetarë shtetesh dhe Kadare ishte në listën e 12 miqve të ngushtë personal të presidentit francez që kishte “harruar” Ramiz Alinë. Përse e firmosi kreu i shtetit shqiptar të asaj kohe, Alia, lejen për shkrimtarin Kadare dhe çfarë shkruhet në raportin e tij mbi qëndrimin në Francë ku ai morri pjesë në ceremonitë festive të 200 vjetorit të Revolucionit Francez dhe bisedat kofidenciale me presidentin Mitterand?
Informacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme për letrën e presidentit francez
Drejtoria e Dytë
INFORMACION
Ambasada franceze në Tiranë na dorëzoi një letër për shokun Ismail Kadare, dërguar nga Presidenca e Francës. Letra ishte e mbyllur. Shoku Ismail Kadare ishte në Itali dhe më datën 1 qershor u kthye. Më datën 2 qershor i dorëzuam letrën. Ai na vuri në dijeni se ishte një ftesë nga ana e Presidentit të Francës, Fransua Miteran, për të marrë pjesë në festimet e 200- vjetorit të Revolucionit Francës. Është i ftuar për datat 13 e 14 korrik të këtij viti. Me notë sot po njoftojmë ambasadën franceze në Tiranë që ftesën ia dorëzuam shokut Ismail Kadare.
Tiranë, më 3.6.1989
Th. Haxhi
……………………………………………………………………………………………………
Letra e presidentit francez, François Mitterrand për shkrimtarin Ismail Kadare
Presidenti i Republikës
Paris, më 9 maj 1989
I dashur Zotni
Franca celebron këtë vit me një shkëlqim të veçantë 200-vjetorin e Revolucionit të saj. Shpresa e emancipimit që u ngrit atëherë në vendin tim, shumë të tjerë që nuk ishin francezë e përqafuan gjithashtu atë. Duke festuar atë që shënoi për Francën agimin e një historie të re, ajo kërkon të bëjë lidhjen e të kaluarës me të tashmen, të idealeve të djeshme me betejat e sotme për një botë më të drejtë dhe më të lirë. Dëshiroj që arti, dëshmitar i pasurisë së pafundme të kulturave të botës, të marrë gjithashtu pjesë në festë dhe në veçanti ata të cilët, si juve, kanë ditur të gjejnë fjalët për të shprehur të drejtat e njerëzve. Prandaj do të isha i lumtur që ju të merrni pjesë pranë meje në manifestimet e 13 dhe të 14 korrikut, të cilat do të përbëjnë momentin më të rëndësishëm të këtyre ceremonive. Ju lutem pranoni, Zotni, shprehjen e ndjenjave të mia të mira!
Fransua Miteran.
Zotit Ismail Kadare
Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë
Tiranë.
………………………………………………………………………………………………..
Letra e ministrit Reiz Malile, për Ramiz Alinë, lidhur me telegramin nga Franca
Shoku Ramiz
Dje u takova me shokun Ismail Kadare, biseduam dhe i thashë të bënte një informacion të hollësishëm për vizitën e tij në Francë, sidomos për takimin me presidentin Miterand, kjo me qëllim që të nxjerrim ndonjë konkluzion për të çuar më përpara marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Francës. Bashkëlidhur ju dërgoj kopje të informacionit që shoku Ismail më dërgoi nga plazhi.
Tiranë më 26 korrik 1989.
Reiz Malile
…………………………………………………………………………………………….
Informacioni i shkrimtarit Ismail Kadare mbi qëndrimin e tij në Francë
Informacion rreth qëndrimit në Francë me rastin e 200-vjetorit të Revolucionit Francez
Midis datës 12 dhe 25 korrik qëndrova në Francë me ftesë të Presidentit të Republikës Franceze, Fransua Miteran, për të marrë pjesë në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez. Si përfaqësues i kulturës shqiptare, bëja pjesë në grupin e vogël prej 12 vetash që ishin të ftuar personalë të presidentit. Ky grup të ftuarish u trajtua me po atë respekt si edhe 35 shefat e shteteve të ftuar nga vendet e paktë që patën një ftesë të tillë. (Ishte i vetmi vend ballkanik dhe vendi i dytë bashkë me Poloninë, nga Lindja). Ndër 12 të ftuarit, gjysma ishin shkrimtarë, ndër të cilët një amerikano-latin, (Markez-nobelist), një afrikan (Soynka-nobelist), një turk (Kemal), dy amerikanë (Starjon, dhe Vejsel) një shqiptar (d.m.th. përfaqësues i Evropës). Kjo listë të ftuarish u njoftua disa herë nga mjetet e informacionit francez. Gjatë ceremonive, pritjeve dhe darkave të shtruara nga presidenti Miteran pata rastin të takohem e të bisedoj me personalitete të ndryshme, qoftë politikë, qoftë shoqërorë. I’u tërhiqte vëmendjen fakti që Shqipëria përfaqësohej nga një personalitet i kulturës. Shfaqën interes për marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera si dhe për kulturën shqiptare. Kam biseduar më gjerësisht me ministrin e Kulturës së Francës, Zhak Lang, me ministrin e Jashtëm francez, Roland Dyma, me shkrimtarë, filozofë, etj. Më shkurt, kam biseduar me kryeministrin francez Rokar, si edhe me të ftuar nga vende të tjera si Perez de Kuelar, gra presidentësh (zonja Kohl) etj. Midis të ftuarve politikë, m’u dha rasti të bisedoj me Presidentin e Jugosllavisë, Derzhovek, si edhe me ministrin e Jashtëm, Lonçar. Me presidentin jugosllav folëm për problemet e Kosovës dhe ndonëse biseda u zhvillua në prani të Zhak Lang, ai pa përfillur kurrfarë diplomacie, tha se si slloven, ai i kuptonte plotësisht shqiptarët, se ishte në anën e tyre dhe se ishte kundra shovinizmit serb. Kur Zhak Lang e pyeti se a mund të bënte diçka më tepër si president, ai ngriti supet me një gjest gjysmë të dëshpëruar. Më datën 22 korrik, presidenti Miteran më ftoi për të ngrënë mëngjesin në pallatin presidencial (Elize). Qëndruam mbi një orë e dhjetë minuta. Biseda që bëmë u përqendrua në këto motive:
Historia dhe kultura e popullit shqiptar, për të cilën ai kishte një njohje të mirë.
Për letërsinë si dhe konkretisht për librat e mi të botuara në Francë, pjesën më të madhe të të cilave ai i kishte lexuar.
Për “mbylljen” e Shqipërisë, për të cilën ai shprehu mendimin se ndonëse e kupton ndonjë sentiment tonin, ka mendimin se peizazhi i sotëm politik evropian pre supozon një zgjerim marrëdhëniesh.
Lidhur me këtë, unë u përpoqa t’i shpjegoj se ka forca reaksionare sot në botë, që ndonëse bërtasin për “mbylljen” e Shqipërisë, janë tepër të interesuara që Shqipëria të jetë pikërisht “e mbyllur”, d.m.th., e izoluar nga bota. Sado që kjo mund të duket paradoksale, këto forca e urojnë këtë. Shembull: Serbia, e cila mbi këtë ka bazuar një pjesë të strategjisë për Kosovën.
Ai tha se e kuptonte logjikën e kësaj dhe kur Franca fliste për këtë mbyllje, ajo s’ka asnjë prapamendim ose dëshirë të kundërt. Pyetjes prej tij se si u zhvillua “tranzicioni i pushtetit”, d.m.th., në mënyrë të qetë dhe pa tronditje, (jo) siç ka ndodhur në disa vende të Lindjes, iu përgjigja thjesht pozitivisht. Dëshironte të dinte për shokun Ramiz Alia. E dinte që kishte punuar me propagandën dhe kulturën dhe se unë e njihja. Ndihej një simpati e tij për të. Folëm gjerësisht për problemin e Kosovës dhe të Jugosllavisë.
- Pas pyetjes së tij se kishte dy informacione për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë, njëra që e bënte të keqe, por jo aq tragjike dhe tjetra që e bënte tragjike, unë iu përgjigja se ishte shumë më tragjike se shpërfytyrohej. Ai tha: “Edhe unë jam me këtë që thoni ju”.
- Pas fjalëve të mia se ende vazhdon te një pjesë e inteligjencës shqiptare mendimi i vjetër se Franca mund të ketë një lidhje sentimentale me Serbinë, ai iu përgjigj shumë vendosmërisht: “Kjo gjë ka perënduar tashmë. S’ka më asnjë bazë”.
C. Shpjegimin tim se as Shqipëria nuk ka tendencë për aneksimin e Kosovës (ndryshime ideologjike, religjioze, etj.), dhe as Kosova për të njëjtat arsye ndoshta, nuk e ka këtë tendencë, ai e gjeti krejt të logjikshme. Shkurt, fjalët se Shqipëria është e interesuar për stabilitetin e Jugosllavisë, ai e gjente absolutisht reale dhe në logjikën e gjërave. Për çështjen e të drejtave të njeriut, objeksionit tim se sa më shumë të lidhen të drejtat individuale me ato të grupeve etnike dhe të popujve, aq më efikas do të jetë ky aksion, ai u përgjigj se Franca kohët e fundit përherë e më tepër po e bën këtë lidhje. Lidhur me këtë, Miterani tha se pavarësisht nga idetë që mbron çdo vend dhe që ishte e drejtë e secilit t’i mbrojë, kohët e fundit koncepti për të drejtat e njeriut sa vete po fiton një konsensus më universal (botëror) dhe se ai shpreson se Shqipëria nuk do të jetë kundra kësaj koncepti të unifikuar për to. Ky koncept është edhe një nga formulat bazë të paraqitjes së çdo vendi përpara komunitetit të popujve. Ai shtoi se në kushtet e represionit të gati gjysmës së kombit shqiptar që jeton në Jugosllavi, mendon se Shqipërisë i intereson të jetë një vend aktiv për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Folëm gjithashtu për organizimin e festive të 200-vjetorit, për të cilat ai qe kritikuar nga opozita. Së fundi tha se shpresonte të më takonte përsëri në të ardhmen./Memorie.al
Ismail Kadare
Tiranë, më 27. 7. 1989
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016