Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e tre
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, deklarata, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën kontroll të rreptë?!
Dokumenti me relacionin për vdekjen e Tuk Jakovës në Spitalin Civil të Tiranës më datën 26 gusht 1959, përpiluar në bazë të kartelës klinike të Repartit të Autopsisë dhe diagnoza që i shkaktoj humbjen e jetës, e firmosur nga Dr. Qirjako Lezho
R E L A C I O N
Mbi vdekjen e Tuk Jakovës të ndodhur në Spitalin Civil Nr. 2 me datën 26/VIII/1959.
Në bazë të kartelës klinike dhe Repartit të Autopsisë rezulton se:
Pacienti u paraqit në Spital brenda kohës së duhur pa vonesë me datën 19/VIII/1959, me diagnozën: ‘apendicit akute’, më orën 17:05’. Më orën 18:00’ të po asaj dite, u operua ku u gjet apendicit akut me një pjesë të vogël në majë të gangrenizuar dhe të shpuar. Ju hoq apendiciti dhe mbasi në bark ju hodhën penicilinë dhe streptomicinë, u mbyll si mbas rregullave.
Mbas operacionit, pësoi një komplikacion paralize të zorrëve të shkaktuara nga peritonit, gjendje nga e cila me mjekimet e bëra nuk mundi t’ja dali dhe me 26/IX/1959 ora 23:35’ vdiq.
Në autopsinë e bërë të nesërmen, rezultoi se: nga ana teknike operacioni është bërë në rregull dhe vendi i operuar ishte mbyllur mirë dhe fort.
Por u gjet se kemi një paralizim të zorrëve të shkaktuar nga peritonitis, i cili kishte helmatisur rëndë krejt organizmin. Veç kësaj gjatë autopsisë u gjet se një gjëndër në qafë (Thymus), e cila në moshë të rritur duhet të ishte zhdukur gati krejtësisht, ekzistonte akoma; qenia e kësaj gjëndre te të rriturit e bën organizmin shumë të ndjeshëm karshi çfarëdo lloj manipulacioni sado i lehtë që të jetë, edhe në zemër u gjetën edhe dëmtimi të enëve të gjakut që ushqejnë vetë zemrën.
Si konkluzion të gjitha këto në kompleks kanë influencuar në vdekjen, por shkaku kryesor i vdekjes ka qenë paraliza e zorrëve si rrjedhim i peritonitit që ka shpënë në helmimin e rëndë të organizmit.
Tiranë, më 27.8.1959
Dr. Qiriako Lezho
Dokumenti ‘Tepër sekret’ dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapo, nga ana e ministrit të Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Kadri Hazbiu, lidhur me vdekjen e Tuk Jakovës në Spitalin Civil të Tiranës, pas ndërhyrjes kirurgjikale që i’iu bë nga ana e Dr. Qirjako Lezho
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORIA E SIG. SHTETIT Tiranë më, 14/XI/1959
Nr. 05- 338
LANDA: Mbi vdekjen e të dënuarit Tuk Jakova
KOMITETIT QENDROR TË P. P. SHQIPËRISË
SHOKUT HYSNI KAPO
Tiranë
Me datën 26/VIII/1959, ora 23,35’ mbas 8 ditësh i shtruar në Pavionin e 15-të të Spitalit Civil Tiranë, vdiq i dënuari Tuk Jakova, në rrethanat që poshtë shënojmë:
Me datën 19/VIII/1959, rreth orës 9 para dite, duke qenë në Burgun Nr.5 ku vuante dënimin, Tuk Jakova ankohej për dhimbje barku, me këtë rast me interesimin e administratës burgut, vizitohet nga mjeku patolog Qazim Cerga (i burgosur), i cili në fillim nuk konstaton ndonjë gjë urgjente dhe me gjithë se Tuku i tregon se vuante prej shumë kohësh nga apendiciti, mjeku për qetësimin e dhimbjeve, i jep disa pika belladon dhe kompresa të ftohta. Në të njëjtën kohë, mjeku Qazim Cerga rekomandon që i sëmuri të vizitohet nga një mjek kirurg, me që pretendonte se vuante nga apendiciti.
N’ora 10:00’ të datës sipërme, Kryetari i Degës II-të Drejtorisë Sig. Shtetit, Kolonel Filat Muço, i sinjalizuar për këtë nga administrate e burgut, shkon së bashku me mjekun kirurg Llambi Ziçishti, i cili mbasi e vizitoi, nuk konstatoi ndonjë dhimbje të veçantë apendiciti (kjo ndofta nga qetësimi që i kishte shkaktuar pirja e belladonit), me gjithë atë rekomandon të mbahet në observacione dhe në rast se do t’i përsëriteshin dhimbjet, të dërgohesh me njëherë në spital.
Me qenë se rreth orës 15,00’ dhimbjet filluan të ndihen prapë, mbështetur në rekomandimin e mjekut kirurg Llambi Ziçishti, i shoqëruar po nga Kolonel Filat Muço, i sëmuri çohet në spitalin civil ku merret në dorëzim nga mjeku Qirjako Lezho, i cili i shoqëruar dhe nga mjeku Arqilea Andrea dhe infermiere Naile Ramku, mbasi i bënë të gjitha pregatitjet e nevojshme për operacion, n’ora 18,00’ e operuan me sukses. Mbas operimit, i sëmuri e ndiente veten mirë dhe për këtë falenderoi mjekët dhe Kolonelin për kujdesin e treguar.
Prej datës 19/VIII/1959 deri në datën 24/VIII/1959, përveç dhimbjeve të zakonshme t’operacionit, jo vetëm nuk pati asnjë shqetësim dhe dhimbje, por plaga shkonte drejt normalizimit saqë mendonim ta çonim për qetësim dhe kurim të mëtejshëm në ambulancën e burgut ku vuante dënimin.
Me datën 24/VIII/1959, d.m.th. 5 ditë mbas operacionit, i sëmuri Tuk Jakova pësoi një komplikacion paralitik të zorrëve, i shkaktuar (si mbas kartelës klinike dhe autopsisë), nga peritonitis që dha intosikacjon në gjithë organizmin. Kjo gjendje vazhdoi deri n’ora 23,35’ të datës 26/VIII/1959, kohë në të cilën me gjithë ndërhyrjet e vazhdueshme të mjekëve të spitalit civil Nr.2, nuk që e mundur të shpëtojë nga vdekja.
Gjatë gjithë ditës të datës 26/VIII/1959, që i sëmuri ndodhesh në gjendje shëndetësore të keqësuar, siç tregohet edhe në kartelën e klinikës, nga ana e mjekëve janë bërë përpjekje për ta përmirësuar, duke përdorur mënyra të ndryshme mjekimi si dhënie gjaku, etj., por nuk pati asnjë rezultat. Mjekët që e kanë kuruar gjatë datës 25 dhe 26/VIII/1959, kanë qenë: Dr. Qirjako Lezho, Dr. F. Paparisto dhe Dr. Aleko Bozo.
Vlen të theksohet në këtë rast, se organet t’ona nuk janë vënë në dijeni nga ana e Spitalit Civil mbi gjendjen e rëndë shëndetësore të të sëmurit. Neve e kemi marrë vesh këtë vetëm n’orën 12 të datës 26/VIII/1959, kur shkuam në spital si zakonisht për të mësuar rreth shëndetit të tij dhe për të biseduar me mjekët për tërheqjen e tij për në ambulancën e burgut.
Nga shënimet në kartelën klinike dhe autopsia e bërë mbas vdekjes, rezultoi se teknikisht operacioni është bërë në rregull dhe vendi i operuar ishte mbyllur mirë dhe fort, se i sëmuri ishte dërguar për operacion brenda kohës së nevojshme, porse më vonë, nga peritonit ju shkaktua paralizimi i zorrëve dhe helmimi i gjithë organizmit.
Gjatë autopsisë jugjet gjithashtu një gjëndër në qafë (thymus) e cila në njerëzit e moshës së rritur, duhet të jetë zhdukur krejtësisht. Qenia e kësaj gjëndre të të rriturit e bën organizmin shumë të ndjeshëm dhe të pa aftë për t’u rezistuar mjekimeve të nevojshme. Në zemër u gjetën dhe dëmtime të enëve të gjakut.
Si mbas konkluzioneve të mjekëve, rreth vdekjes së tij nuk mbetet gjë për t’u dyshuar, sidoqoftë ky është një problem që nga ana e organeve t’ona duhet të ndiqet sidomos për të sqaruar se mos mbas kryerjes së operacionit, nisur nga konsideracioni që mjekët ose personeli shërbyes i spitalit kishin karshi të sëmurit si element i dënuar anti-parti, nuk kanë treguar interesimin e duhur në kurimin e rregullt dhe të vazhdueshëm të tij, megjithëse edhe në këtë drejtim, mbështetur edhe në interesimin e organeve t’ona, nuk rezulton të ketë pas vend një neglizhim i tillë.
Mjeku që e operoi Qirjako Lezho është A.P., kirurg i mirë dhe zv/drejtor për anën teknike i Spitalit Civil Nr. 2, gruaja e tij është me origjinë jugosllave, por në drejtim të saj organet t’ona nuk kanë asgjë negative. Me të njëjtat garanci janë dhe mjekët e tjerë që kanë marrë pjesë në kurimin e tij.
Për këtë çështje, organet t’ona kanë përgjegjësi të rëndë, për faktin se:
- Nuk vlerësuan çështjen sa duhet dhe të kishin vënë menjëherë në korrent Komitetin Qendror të Partisë për sëmundjen dhe operimin e tij.
- Nuk morën masat e nevojshme që familja e tij t’ishte në korrent të sëmundjes dhe të vihesh në kontakt, me të sëmurin para dhe mbas kryerjes t’operacionit, për t’evituar në këtë mënyrë, çdo keqkuptim ose koment negative, që mund të bëhet në t’ardhmen lidhur me vdekjen e tij.
Bashkangjitur relacionit: Kopje e kartelës klinike që përmban gjithë historikun e sëmundjes dhe ndërhyrjet mjekësore. Akti i autopsisë mbi shkaqet e vdekjes si dhe një relacion shkoqitës nga mjeku Qirjako Lezho dhe një relacion nga mjeku i burgosur Qazim Cerga që i bëri vizitat e para. Memorie.al
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
GJENERAL – LEITNANT
KADRI HAZBIU
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016