Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë), i cili i përket datës 16 korrik të vitit 1982, ku ndodhet biseda e regjistruar, ndërmjet Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi, me historianin e njohur, Prof. Dr. Kristo Frashëri. Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, historiani, Frashëri, ka shkuar në takim në zyrën e Presidiumit të Kuvendit Popullor, me kërkesën e Presidentit dhe biseda e zhvilluar në mes tyre, ka në fokus rishkrimin e historisë, kryesisht asaj të rrethit të Dibrës, prej nga ishte me origjinë Haxhiu dhe ku ai kishte të gjithë veprimtarinë e aktivitetin e tij, që nga koha e Monarkisë së Zogut e periudha e pushtimit të vendit, 1939 – 1944. Ai i kërkon historianit Frashëri, që kur të rishkruajë historinë e Luftës të krahinës së Dibrës, të ketë shumë kujdes e të zbatonte porositë e tij.
Dokumenti arkivor me proçes – verbalin e bisedës në mes Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi, me historianin, Kristo Frashëri
SHËNIME NGA BISEDA E SHOKUT HAXHI LLESHI
ME HISTORIANIN KRISTO FRASHËRI
(më 16.7.1982)
Sh. Haxhi Leshi: Hajde shoku Kristo, urdhëro.
Sh. Kristo Frashëri: Mirsejugjeta, shoku President, si jeni me shëndet?
Sh. Haxhi Lleshi: Të kam marrë në telefon, por nuk të kam gjetur. Më ka pëlqyer shkrimi yt. Ti je historian i mirë. Për historianë, të tillë kemi nevojë.
Sh. Kristo Frashëri: Kam qenë i sëmurë, nja tre muaj, prandaj…
Sh. Haxhi Lleshi: Tani je mirë, apo jo? Gëzohem që je mirë. Sa vjeç je ti Kristo?
Sh. Kristo Frashëri: Jam 63, shoku President, por ikin vitet.
Sh. Haxhi Lleshi: Kam dëgjuar një ditë një plakë që ishte 80 vjeç dhe më tha: sikur të isha 70, do të isha shumë i ri. Pra, të rinj jemi relativisht. Do të punojmë sa të jemi me Partinë dhe me Enver Hoxhën. Sa mirë që erdhe. Unë për historikun e Dibrës, kam biseduar me disa shokë.
I thashë shokut Haki Toska: Kriston e kemi pasur në Dibër gjatë Luftës dhe ai e njeh mirë atë zonë. Ne na intereson, se ai mund ta bëjë mirë këtë punë. I kam thënë dhe Ramiz Alisë. Kam biseduar edhe me Ndreçi Plasarin dhe Jovan Bardhin. Nuk e kam fjalën se del emri im, por për Luftën.
Sh. Kristo Frashëri: Tani ka ardhë koha, kam kërkuar në Institut që të më lirojnë. Para disa ditësh, shkova tek shoku Aleks.
Sh. Haxhi Lleshi: Tani duhet bërë kjo punë, është detyrë, por duhet dhe pasion. Po nuk e bëmë ne për Dibrën e Madhe, kush do ta bëjë? Pse, jugosllavët do ta bëjnë?! Kishin bërë ata një film për Ibe Palikuqin, sikur ajo kishte dashuruar dhe jo luftu! Por, kur bëmë ne një emision, nga frika se mos u dilte e vërteta në mejdan, i bënë zhurmë shumë televizionit tonë, në mënyrë që të mos e shikonin andej.
Sh. Kristo Frashëri: Kam qenë një muaj në shtëpinë e Ibe Palikuqit. Si motër e kisha, dhe këmishët ajo m’i lante. Sa e mirë ishte Ibja.
Sh. Haxhi Lleshi: Po, për këtë emision vunë zhurmues që të mos shikohej andej. Ata të gjithë e mohojnë, tërë aktivitetin e Brigadës së 18-të. Ne luftuam atje. Maqedonasit vetëm 50 vetë, mezi u bënë. Kurse ne ishim një brigadë e tërë.
Kur erdhi Miladini, i thashë: more Miladin, ja si janë maqedonasit, na dhanë fjalën dhe nuk erdhën në Sofroçan. E thonë vetë ata, populli, ju na keni çlirua, thonë ata. Kështu që ti do të bësh një punë me vlerë të madhe.
Sh. Kristo Frashëri: Unë mendoj se do ta bëj në rregull punën, do punoj në orët e lira.
Sh. Haxhi Lleshi: Do të bësh një punë shumë të dobishme dhe të mirë.
Sh. Kristo Frashëri: Këta shokët, si shoku Sul e të tjerë, ato materialet që kanë, duhet t’i sjellin. Nga shtatori mendoj, se do t’ja filloj sistematikisht. Besoj se do të më lehtësojnë në punë.
Sh. Haxhi Lleshi: E pe një roman të Skënder Jasës? Mua m’u duk i mirë, ti si t’u duk?
Sh. Kristo Frashëri: I mungon boshti nga ana letrare, material ka. I pranoj vërejtjet e mija Skënderi dhe tani po punon për t’i realizuar ato.
Sh. Haxhi Lleshi: E ke për detyrë që t’i bësh vërejtje. Material ka, për të bërë historikun.
Sh. Kristo Frashëri: Në fillim kishte vetëm kujtime, po duhen dhe dokumente. Tani ka.
Sh. Haxhi Lleshi: Koha punon. Ja p.sh. për Lidhjen e Prizrenit, u bë një punë shumë e mirë për 100 vjetorin e saj.
Sh. Kristo Frashëri: Tani mendoj se ka material të kënaqshëm. Në punë e sipër do gjenden të tjera.
Sh. Haxhi Lleshi: Edhe shoku Enver e bëri të qartë tani. Do hiqen shumë gënjeshtra, servilizma, subjektivizma. Mehmet Shehu e nxirrte popullin reaksionar, sikur vetëm ai kishte luftuar.
Dhe për Tiranën, bile kështu donte të dilte, që e kishte çliruar ai dhe jo tjetër. Kishte marrë dhe meritat e të tjerëve. Po në luftën e Tiranës, ishte Hysni Kapo dhe Gogo Nushi, që e bëri pëllëmbë dhe barrikadë. Po pse, vetëm një Mehmet Shehu e bëri luftën?!
Kam parë Ndreçi Plasarin në një emision dhe e nxirrte Okshtunin dhe Skraparin, sikur të ishin reaksionarë! Mehmet Shehu thotë: Mora letër nga Haxhi Lleshi. Po ai ishte urdhër i Shtabit të Përgjithshëm dhe jo letër siç do ta paraqesë ai armik.
Më 1939, i them Ahmet Camit: mos u dorëzo!
-Po u dorëzuan oficerët jugosllavë dhe grekë, e jo ne, – më tha. Dhe u dorëzuan bashkë me të tjerët. Dhe më 1943, kështu u dorzue. Plaçkiti dhe disa Gollobordas. Nuk e vuri kurrë, as yllin partizan. Bile, u dorëzua me armë në dorë. Këtë nuk duhet ta bëjmë hero. Edhe i vëllai u vra kur do të çonte një letër që i dhashë unë.
Bile unë shkova në varrimin e tij. Ejup Camin 2-3 orë shërbim e kisha si përkthyes dhe u vra. U bë dëshmor. Bënë artikuj të ndryshëm për të, sa më s’thuhet. Po edhe në gusht 1943, ai ishte me Italinë, kur ne çliruam Zerqanin. Ata Camajt përfunduan kriminelë lufte. Por nuk duam t’i hapim këto defterë. Prandaj nga këto, ruaju.
Sh. Kristo Frashëri: Unë jam historian dhe do t’i them, si i thotë historia. Unë do të ruhem, por edhe ju më ruani.
Sh. Haxhi Lleshi: Të shikojmë anën pozitive të Luftës sonë dhe të heronjve. Kështu p.sh., Elez Isufi luftoi kundër turqve, kundër malazezëve, kundër serbëve, la nam.
Sh. Kristo Frashëri: Është figurë e madhe. Dibra ka katër heronj të Luftës Nacionalçlirimtare, por nuk ka asnjë më përpara! Pse? Ka figura të shquara Dibra, qysh më përpara.
Sh. Haxhi Lleshi: Gjithë jetën ka luftu ai, më 1922, më 1924 dhe vazhdimisht. Në Dibër u bë rezistencë e madhe, ndaj regjimit të Zogut. Ai hyri deri në Tiranë. Bajram Curri erdhi deri afër në Krujë, ndërsa Halit Lleshi erdhi nga Elbasani. Dhe e mbylli me nder Elez Isufi.
Sh. Kristo Frashëri: Është figurë e shquar ai.
Sh. Haxhi Lleshi: Fisi im, ka tërë jetën në shekuj, tradita patriotike. 4-5 breza në kohën e Turqisë. Halit Lleshi, që më 1912-1913, ka zhvilluar luftë për liri dhe pavarësi të vendit. Është dhe ajo kënga:
“Hajredin Pasha krye-çelik,
Nuk është Dibra Selanik…”!
Kështu kemi luftuar edhe kundër serbëve. Jemi djeg nga serbët, një gjysh i ynë ka qenë me Ali Pashë Tepelenën. Halit Lleshi morri pjesë dhe organizoi kryengritjen më 1922. Lufta e ’22-shit, ishte prelud i 1924-ës.
Kush u lidh me Partinë? Dibra luajti rolin kryesor, por edhe krahinat e tjera luftuan. Fadil Hoxha, Mahmud Bakalli, Veli Deva e të tjerë, erdhën në 1942-1943 në Kosovë, kurse Enver Hoxha e kishte organizu që më parë luftën atje .
Me Babën u takua shoku Enver, që më 1939. Unë i kisha thënë Babës: filloje, kur akoma nuk kish fillu lufta, se pare kam unë. Pastaj u formua Partia. Me Babën kam qenë 9 vjet shokë atje, që më 1939-ën. Jam 52 vjet shok revolucionar me të.
Ndaj, me popullin, me masën, të dalë siç është e vërteta. Më pëlqeu ajo kënga për Idriz Seferin, autori i saj ka studiu më parë dokumente. Pra, të bazohemi në dokumente. Sulën kemi kryetar të komisionit.
Sh. Kristo Frashëri: Atë dua dhe unë, të mbështetem në dokumenta.
Sh. Haxhi Lleshi: Ke bërë gjë deri tani?
Sh. Kristo Frashëri: Jo, do ta filloj tani nga shtatori. Kapituj – kapituj, do ta bëj.
Sh. Haxhi Lleshi: Dibra ka qenë e para në Veri. Këtu nuk është puna vetëm për mua, se unë me gjithë shokët, ecëm në rrugën e drejtë të Enver Hoxhës. Unë kam qenë dhe më përpara, pa qenë në Parti, se me komunistët kam qenë. Kam prit e përcjell Shaqir dhe Hysni Demën në shtëpinë time. Nuk kisha armiqësi personale. Unë jam ndeshur me Tempon. Mua më lajkatoste dhe në anën tjetër, ndryshe i shkroi Enver Hoxhës.
-Jo, i thashë unë, do të bëhet siç thotë Enver Hoxha. Ti Tempo nuk ke forca. Ne kemi dhe armë. Vetëm kështu do të bëhet.
Një bajraktar kishte Dibra. Pari kishte. Ne lidheshim me ata të Gostivarit, Kërçovës, e të tjerë. Koçi do të më kishte varë disa herë, po ishte Enver Hoxha. Që më 1941 e kam filluar unë. Kush do ta fillonte, Taf Kaziu me shokë? Apo Mustafa Kruja, që ndiqte politikën e fëlliqur. Tre herë e kam takuar Muharrem Bajraktarin. I thashë, do të përfundosh keq e më keq. Kishte forca reaksionare.
Kam luftuar unë. Populli u bashkua me Partinë. Të parët e filluam ne që në prill të 1941-shit. Por pa Partinë dhe Enver Hoxhën, do të na kishte ngrënë dreqi, por ama, ne e filluam. Këtu nuk është puna Jug apo Veri. Puna është si ta mbyllësh. Qazim Koculi ishte komandant më 1920-ën, por përfundoi keq. U hodh në koshin e plehrave.
Populli ka luftu në shekuj. Nuk pyesja unë, nëse ka amerikanë, anglezë, e të tjerë. Mehmeht Shehu ishte spiun i Fullcit. S’pyesja unë se ka Tito. etj. Më interesonte se ishte antifashist e atëhere nuk e dinim ne. Mua më kishin akuzuar, po nuk kishin ç’të thoshin. Thanë se Haxhi Lleshi po lufton kundër nesh, ndaj më internuan në Stari-Beçe.
Kur u zu njëherë Babë Myslymi me një xhandar atje, unë pagova 30 napolona për ta shpëtuar Babën. Gjeta dhe një revole të keqe. Nuk deshi baba, por unë i thashë: do të zësh mënd ti, apo jo?! Çfarë me lidhte me Myslym Pezën? Vetëm lufta për Atdheun.
Zogu u morr vesh me Pashiqin dhe organizuan vrasjen e Halitit. Po Haliti nuk u bë me Zogun. Katër vjet ka nejt farefisi ynë në mal, në luftë kundër Turqve.
Feçor Shehu kishte lidhje me UDB-në që më 1950-ën. Në Strugë, Ohër, Kosovë, luftuam me fshatarët e Strugës.
Sh. Kristo Frashëri: Do të japin llogari tani. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016