Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e dyzetepesë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Panoramë për-ngjethëse!
(Koha e gjarprit!)
Meditime
I. Na taksën vrimat e zeza të kohës sterrë, në qerthullin e të cilës piketuan lëmin dhe ngulën strumbullarin! Zezona përfshinte galaktikën që vërtitej vijës eliptike të orbitës ku na ngujuan, pa shans shkëputjeje jashtë parabolës, me ballin e frontit ekstrem, strumbullari apo skaji fundor i litarit dhe kërthizë gravitacioni, e Degës së Punëve të Brendshme, me fillim e mbarim në gjoja, Gjykatat Popullore.
II. Nga vatha në portën-shtrungë, kalonim dy nga dy dhe vargoseshim shkallinave të shtufit në udhën e Kalvarit, për t’u degdisur në mbretërinë e Hadit, ku rrjedha e Letit na gllabëronte dhe na zhyste në labirintin e Dedalit, nga ku s’shpresonim se do ri gjenim sërish, udhën e kthimit. Zvarriteshim në galeritë zigzage, pas shinave të ngrëna nga korrozioni, si pas fillit të këputur të Arianës, hallakateshim në pjatinat e ndryshkura djathtas-majtas, përshkonim furnelat me ngjitje-zbritjet, deri në ballinën lindore, ku parabola kridhej në terr.
Ngarkonim vagonin me halle e derte dhe përshkonim itinerarin, tash në kundër-drejtim, shkelnim të njëjtat furnela, shina, pjatina, gjersa dilnim dhe e zbraznim në trimozhë, për të rinisur ciklin sërish e sërish, deri në shterim. Mes territ shtynim vagonët, shtynim edhe kurmet e nxirë. Pritëm në prehrin e Hadit muzgjet, agimet, rrotacionin e turneve, të javëve, të muajve, të stinëve, të viteve; pritëm ekuinoksët pranverorë, verorë, vjeshtorë, dimërorë dhe pritëm…, e pritëm lirinë…! Horizonti sterronte dhe ajo s’pipëtinte gjëkundi, po ne i kapnim sinjalet, në pikëpjekjet sinusoidale politike dhe e ndjenim që po vinte. Po, po vinte!
I gëzoheshim, shpresonim dhe e dëshironim me afsh…! Pllakosur ndër ëndërrime nokturne dhe tretur mes orbitës së errët, bash si petka zie, tentonim të ajgëtonim tej brerores që na qarkonte, të zhbironim ndryshimin, të pikasnim transformimin e materies dhe ushqenim shpresën e një pritshmërie ndryshe, aspironim për ditë më të mira e, më të begata. Perceptonim perspektivën e nesërme nëpërmes zymtisë së të sotmes, kapnim ndryshimin e kohës që ecte tej pështjellimit opak…, bash si meteorologët e pagabueshëm, parashihnim lirinë që avitej dhe e pritëm me durim, paçka se nëpër terr, paçka se nën terror!
Paçka se vetëdija lajthiste thellë nëntokës, me një shqisë të panjohur nga shkenca humane, që mbase të lirëve s’iu hynte në punë, ne iu kundërvumë dhe ia dolëm ta nuhasnim në parfumin e luleve pranverore; ta frymonim në rrymat ajrore, që sillnin erërat perëndimore; ta ndijonim në cicërimat e zogjve që ktheheshin nga shtegtimet ndërkontinentale; ta perceptonim në transparencën qiellore, mes kuqëlinës së diellit, kur fshihej në tramont dhe na dërgonte mesazhe qëndrese me rreze silura; ta preknim mbi eshtrat e thyera nga dajaku dhe prangat që ripërtëriheshin pas çdo seance dhune; te mushkëritë e gërryera nga të ftohtët dhe të nxehtit e qelive që gjenin forca riaftësimi dhe na furnizonin me ajër; te gjaku që derdhej dhe rigjenerohej, për të rizgjuar qelizat e drobitura.
Ne sizifët modernë, u shndërruam në feniks, u ringjallëm nga hiçi, sa herë na pandehën të vdekur dhe fituam kthjelltësinë në terrin e galerave, kthjelltësuam arsyen në pellgun e mjerimit, ku na kllaposi regjimi, përftuam perceptimin dhe stërvitëm imagjinatën, për t’i shpëtuar kularit ideologjik, kur të “lirët” e humbën pusullën.
III. Erozioni transformon materien.
Ndryshimit dialektik, s’mund t’i shpëtojë as globi, që në rrjedhën e shekujve pëson çarje të pariparueshme, as trajtat që përftojnë do forma fantazmagorike, si pasojë e skizmës së vazhdueshme, as relievi që diku thyhet, diku hahet, diku zhduket, ndrydhet gjeografia me dete, ishuj, male, fusha; forcat madhore, kanë shuar kontinente, shtete, rajone, qytete; magma vullkanike gllabëroi Atllantidën dhe zhyti Pompein, nën mbretërinë ujore, etj., etj.
Ligjit universal, s’i shmangen dot materia dhe gjallesat, aq më pak specia humane, sidomos të dënuarit politikë, që i trajtonin mizorisht, sa pas një viti iu murrëteheshin fytyrat, pas dy u nxiheshin, pas tre e më shumë, plori thellonte brazdat dhe shumonte rrudhat, freskia venitej, kokat rripeshin, leshrat thinjeshin, sytë rroposeshin ndër zgavra gjersa humbnin dritën, mishi flashkej, lëkura squllej dhe zhvoshkej çikrra-çikrra sa zbardhëllonin eshtrat. Ndërsa koha shtangej, datat ndërronin, kalonin javë, rrokulliseshin muaj, stinë, vite, zhvisheshin dekadat si skelete amorfë, që i shtresëzon kronosi si fosile dinosaurësh, në tumultën e monotonisë.
IV. Ndryshimi nxit jetën, po në burg mungonte spontaniteti, njëtrajtshmëria kthehej në plojë të stërzgjatur, ploja në monotoni dhe jeta zbrazej, ekzistenca humbte domethënien dhe merrte trajta kobtare sa vyshknin shpresat.
Mbase tjetër kund natyra të shtang me befasitë dhe variacionet e menjëhershëm, por burgu shkiste në viskozitetin e padallueshëm e të Pakapshëm nga syri njerëzor, tabloja shtangej dhe bota ngurosej. Gdhije në trnerr dhe ngrysje nën dhunë. Kridheshe nga një natë zymtie në një ditë edhe më të zymtë, sepse s’ekzistonin mëngjese të bardhë, mesditë të ndritshme, tizgje kuqal, por vetëm rrufe e bubullima dhe një mot i damllosur për ibret, ku ndalte lavjerrësi mes kobit zezonë dhe koha kacavarej ndër thepa, e shqyente era dhe ndehej gjerdheve, si rreckë e flakur.
Ndërkaq, mjerimi si një emisar i zi, të përthithte në mbretërinë e Hadit dhe të ngjishte ballinave të galerave, ku s’dalloje dot ditët, javët, muajt, stinët, vitet, dekadat, sepse nocionet përziheshin mos o zot! S’kishte as pranverën, ngaqë lulet vyshkeshin që gonxhe; as verë, sepse dielli ndryshkej që në ag dhe në mesditë qepej pas kupës qiellore; vjeshtës i mungonte larushia e bojërave; kurse në dimër, bora flakëronte e zezë dhe koha njëjtësohej me damkën e meitit.
Në kontinentin Spaçian, stinët të kallnin krupën, zhegu dhe thëllimi përthyheshin në të kundërt, bënte o ftohtë dhe ftohtë, o vapë dhe vapë. Jashtë galerave në dimër, të depërtonin dridhmat në asht, brenda tyre në verë, të akullonte acari sa se platitën dot as peliçja, që na u ngjit mbas shpine si zhguall breshke, as mushamaja, që u bë pergamenë e çdo stine. Mes mjegullnajës së kronosit, mjerimi na zbrazi trutë dhe shpirtin, teksa fantazia merrte krahë, arsyeja mprihej gjer në gjakim dhe logjika kthjellohej në perfeksion. Atje mungonin analet. Historia s’pipëtinte gjëkundi.
Ritet dhe ngjarjet përsërisnin e ndiqnin njëra-tjetrën me njëtrajtshmëri funebre, epokat treteshin në eter, koha kthehej në hiç dhe shtriqej në hapësirën boshe me tempin e kërmillit, duke përndarë zezonën mono-krome, si eklips dritë-hijesh. Ndërsa ditë-netët, stinët, vitet e plotë e të brishtë, i ngjisnin magmës që djeg e përzhit gjelbërimin. Mbi tablonë Shqipëri-burg, ndehej tisi i agonisë, që ngërthehej dhimbshëm mbi telat gjembaçë. Kush rrekej të shqyente atë rrjetë, mbetej në cergë dhe përskuqte majat e piramidave, të njëzet e tetëmijë kilometërshit, të harruar nga bota. Sipër dhe poshtë truallit Arbëror, reflektuan pllanga, që me të kuqen e frikshme determinuan: “Epokën e gjakut, apo kohën e Enverit”!
V. Epokë dhe kohë vrastare!
Qepur me pejza gjaku, si shëmbëlltyrë e botës shtazore. Mbase në analet historike, Epoka homofage do regjistrohet si Kohë vampirësh, që për pesë dekada, u zvarrit mbi truallin tonë dhe la vazhdën e gjakut, si kërmilli jargët. Kohë mizorish, pa data, pa histori, pa memorie! Kohë emblemshqyer, inkuizitorësh komunistë! Kohë kainësh, që nisi me tradhti dhe përfundoi ashtu! Kohë edipësh, që shuan epshet me mëmat e tyre! Kohë incestuoze, që u ngjiz në tufë dhe polli grupazhe! Kohë tru shpëlarësh! Kohë kopukësh identikë! Kohë laviresh kolektive! Kohë pa identitet…!
VI
Profanët e lashtët i ndanë epokat, përpiluan kalendarët hënor e diellorë, yjorë e tokësorë dhe ndonëse naivë, ia mbërritën. “Epoka e gjakut apo koha e Enverit!” i fshiu të gjitha. Homo-sapiensi, iu rikthye zanafillës. U zhyt në kaosin total. Përmbysi fazat, riktheu apokalipsin dhe përzgjodhi speciet me metodën e selektimit politik, si në kohën e Noes. E shndërroi robin në identitet shifror, ku shifra lajthiste dhe humbte në mugëtirën e mijëvjeçarëve, si kalendarin Maja, që shkartisi në labirintet e koklavitur, edhe dijetarët më të zotë.
Nisi numërimi së prapthi. Na privuan nga përvoja humane e, na ndrynë në thellësi të shpellave mamuthore. Reduktuan intelektin, aq sa mesazhet u desh t’i përcillnim me metoda primordiale, me vizatime në guva, në dhe, në rërë, në trungje, në shkëmb. Iu rikthyen proto-homosit, për të përcaktuar rendin kronologjik, iu referuan kujtesës dhe krahasueshmërisë me fenomenet ciklikë. Na shënjuan fli, në ditirambet dedikuar iks apo, ipsilon perëndie komuniste.
Na ngucën në vrimat e Hadit, (paçka se i quajtën miniera), nga ku pararendësit mezi dolën me përpjekje titanike. Fshinë s’dihet sa shekuj mijëravjeçarë, ngjallën paleologun, neologun, na rikthyen te pllaka e gurit dhe e argjilës, te lëkura, te papirusi, te pergamena, te ashta; servirën mjetet që paraardhësit i kishin shpikur njëherë. Na shpronësuan nga e drejta e trashëgimisë natyrore, na pajisën me alete primitive prej guri, druri, ashte; denatyruan pamjen dhe propaganduan lakuriqësinë, na shtynë të konsumonim rrënjë, insekte, reptilë, fruta të egër, bar!
E rrafshuan historinë si Akejtë Trojën e Priamit, zeruan epokat dhe na imponuan hiçin. Shkuan dëm përpjekjet titanike, gjer te e sotmja. Mbi analet mijëvjeçarë, tendosën perden e territ dhe shuan sakrificat humane, mohuan sprovat e brezave; ndërruan spiralen e rendeve, tretën epokat dhe nderën harresën, i bënë shekujt mishmash, sa s’arrije të ndaje ku mbaronte njëri dhe ku niste tjetri; s’dalloje dot njeriun prehistorik, nga i neandertalit, kafshën e sapo çuar mbi këmbët e pasme, nga civili i kuruar. Fshinë nga memoria zbulimet, tash do duhej të rilindnin sërish marko-polot, magelanët, ameriko-vespuçët, kristofor-kolombët që të ri eksploronin globin.
VII
Teoricienët dhe praktikantët komunistë, zbuluan një tokë të re në zemër të së vjetrës, “KONTINENTIN e HARRESËS” dhe u rrekën të kandisnin dynjanë, se; “Epoka e gjakut apo, koha e Enverit”, po hapte një faqe unike në historinë botërore, sistemin që do ngjallte dinamikën e munguar, do nxiste gjindjen drejt progresit, me një fjalë do ishte promotori, që do nxirrte komunitetin nga “shpella” kapitalist-revizioniste, do eliminonte shfrytëzimin e njeriut nga njeriu, do rivendoste barazinë mbi pronën, do lulëzonte kultura, arti, letrat; kësisoj propaganduan parajsën dhe e baltosën më zi, e krodhën miletin në abisin e iluzionit, përdhosen inteligjencën e homo-sapiensit dhe prodhuan një tip hibridi, pa din e pa iman, një Shiva të shpëlarë e të neveritshëm, që do njihte për nënë e baba, Partinë dhe Enverin; sajuan recidivistin e paskrupullt, homo-socialistus.
Kësisoj rendi dhe kronologjia humbi drejtpeshimin, u shkërmo progresi teknologjik dhe u ringjallën instinktet e proto-homosit qe kallën luftën brenda specics, si shtazët në zanafillë, stimuluan mbijetesën kanibaleske, ku më i forti i rezistonte furtunës. Përmbysën shtresëzimet historike, i përzien kohët për ibret, s’dallohej matriarkati nga patriarkati, skllavopronarizmi nga feudalizmi, kapitalizmi nga socializmi, gjer te epoka e atomit. Injoruan lindjen e Krishtit. E nisën erën me Marksit dhe epokën me triumfin e marksizëm-leninizmit, mishëruar në atë vrasjet, vëllavrasjet, birë vrasjet e Revolucionit Bollshevik.
Shenjtëruan mashtrimin mbi “KONTINENTIN e HARRESËS”, nderën amnezinë universale dhe i bënë referencat lesh arapi, nakatosën ngjarjet, epokat, rendet, organizimet; prehistorinë që polli historinë dhe duhej t’i shërbente si model, për të identifikuar klasifikimin rendor, e bënë rrokopujë. Kallën mendime kontraverse, që prodhuan ide kontraverse, për pasojë, sajuan histori kontraverse. Mbivendosën epokat dhe nisën de-klasifikimin e rendeve, mes kontraversitetit dhe konfonduan mijëvjeçarët. Vorbulla kolektive nxiti çorodinë kolektive ku edhe më stoikët humbën toruan dhe endeshin kuturu mes dilemës hamletiane: “Të rrosh, a të mos rrosh…”?!
Çorodia kapi apogjeun, kur mbi të tjera mbivendosën “Epokën e gjakut, apo kohën e Enverit” dhe nisën vallen çmendurake globale. Tufa e djajve ndërkombëtarë, predikoi triumfin e komunizmit mbarëbotëror, që sipas tyre mbetej çështje “kohe”. Në valle hynë edhe lugetërit tanë, që fshinë të shkuarën dhe nisën erën shqiptare, ditën “KUR LINDI PARTIA”. Sipas kodoshëve, 8 Nëntori 1941, nënkuptonte datën një, të vitit një, të shekullit një. Pra konvertuan me produktin kafshëror, datat, vitet, shekujt, madje edhe trutë humanë dhe nisën turr-a- vrapin me nismë; “sokakun e të marrëve”, nxitën arratinë e të urtëve, me prag; “lëndinën e lotëve” dhe destinacion gulagun stalinian. Teksa delirantët ulërinin: “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë”, të urtët gojë-kyçën dhe në heshtje piketuan varrin.
VIII
Komunizmi projektoi; “njeriun e ri”, një inçest i mendjeve diabolike, që përdhosi qenien humane. U vdiq inteligjenca, mërgoi dituria, kultura, trashëgimia, përvoja e brezave, robin e kthyen në nul kuturisës, pa busull e pa hartë. Bash ky lejfen inçestuoz, u konvertua në beduin që endej pa referencë në shkreti dhe rendte e rendte, drejt mirazhit të paarritshëm e të pakapshëm. Digjej dhe vdiste nën djegësirën e dunave të ëndrrës, pa arritur oazin që synonte. Dhe turra-vrapi pindarik vijonte. Sa binte njëri, të tjerë rrëmbenin stafetën e mjeranit dhe rendnin, gjersa pësonin fatin e të parit.
Nëse maratonomaku vdiq, ca hapa larg vendit ku e prisnin athinjotët, por çoi kumtin e fitores, maratonomakët tanë komunistë, shuheshin pas iluzionit, pa mbërritur askund, pa përçuar asnjë vlerë, madje pa arritur të kuptonin, qëllimin e kuturisë vdekëtare. Loja e mirazhit zgjati gjithë “Epokës së gjakut apo kohën e Enverit” sido që një pakicë e pikasën sakrificën që s’ia vlente mundin, por iu mungoi guximi të flisnin dhe shtangën si krushqit e legjendës. Ndërkaq për kë mëtoi të mbijetonte në “KONTINENTIT e HARRESËS”, vuvëria u kthye normë dhe heshtja kapak floriri.
Kush deshi të ruante kokën, mirëqenien, rehatinë familjare heshti, kush foli dhe u orvat t’iu tregonte të tjerëve ligatinën ku kish ngecur rrangalla socialiste, iu nënshtrua programit, e denigruan, e anatemuan, e shanë, e vranë, i ngjitën lloj-lloj nofkash: kain, ponc pilat, jago, najad, driad, anakronik, shtrigan, magjistar, mashtrues, pengues, i ndërsyen stuhitë dhe e plasën në Tartar. “Llapaqenët” i kllaposën në gulagun stalinist, teksa në “Golgotën” moderne, zotëroi paniku, frika dhe terrori që e shndërruan “KONTINENTIN e HARRESËS”, në varrezë kolektive.
IX
Njerëzia u katandisën vuv, mjerimi dhe mediokriteti zunë qoshen! Të gjorët rob me mendje amorfe dhe tru uniformë, u kthyen ne kufoma shëtitëse! Iu vardisën metodave të harruara me vakt: lindnin në tufë, rriteshin ne tufë, rronin në tufë, vdisnin në tufë, në tufë iu vunë edhe kularin, fillimisht me dhunë, më pas vullnetarisht. Nën kthetrat e sfidës ndaj gjithësisë, me okelion: “të gjithë ndaj te gjithëve”, s’u qederos kush për tmerrin që i priste, përfund humbellës socialiste, po vërtiteshin në abis, si delet e Panurgut. Ideologët shtruan lëmin me driza ideologjike, nën diktatin e Njëshit dhe e detyruan popullin të vraponte këmbëzbathur, gjer në zgrip të sfilitjes.
“Një për të gjithë, të gjithë për një”, gjëmonte Njëshi dhe rreshti i lolove tru-shpërlarë, ngutej për sakrificën sublime, kush e kush t’i blatonte gatishmërinë e, të vetësakrifikohej në emër të hiçmosgjë-së, duke nxitur edhe të ngjashmit, të kryenin akte vetë-flijimi. Vargu zgjatej me kokën në greminë dhe bishti në boshllëk, duke përshpejtuar me vepra, moralin e fabulës së famshme të Rablesë. Sajuan edukimin pervers: “Të mendojmë dhe veprojmë si revolucionarë”! ulërinte Zeusi nga maja e Olimpit dhe të poshtmit nxisnin trushpërlarjen kolektive, apo auto shkëputjen nga tradita, nga rrethi familjar, miqësor e shoqëror, me një fjalë; sërishmi tufëzim, sipas moralit të fabulës së mësipërme.
Me lëvizje rraskapitëse: “Të punojmë, të jetojmë, të vigjilojmë si në rrethim”! kompletuan trushpërlarjen dhe kafshëruan miletin, që të jepte xhanin në punë pa bereqet. Maskarada kolektive, e kufizoi në ekstrem kohën e lirë, askush s’mendonte për probleme të tjera, veç halleve të përditshmërisë. Shpikën dekorata idiote dhe medalje për hiçmosgjë! “Yllin e Heroit”, e fituan edhe të vdekurit pas ferrës, edhe ata që s’kishin hedhur një pushkë, edhe kush ra nga mani dhe përfundoi mbi hunjtë e gardhit, madje edhe kalamajtë fatkeq që i zuri rreziku të humbnin jetën në lodra “luftash”. Dekorata tip; “Heroi i popullit”, u shndërrua në kryq!
Mbasi sikterisën kryqin dhe gjysmë-hënën e përdorën medaljon dhe ua varën në ballë arkivoleve të fatzinjve që humbin jetën ndër aksidente banalë, si rasti dukagjinases qyqare, që e rroposi dheu në hekurudhën Rrogozhinë-Lushje, dhe shokët në tentativë për ta shpëtuar, e vdiqën me çekun e qylykes; edhe për Dino Qoset dhe Ismet Bruçët, që humbën jetën në fatkeqësi natyrore, apo për Agron Elezët, që iu shemb piramida mbi krye, etj.
Ndërkohë prindërit duhej t’iu gëzoheshin dekoratave, edhe kur ua sillnin fëmijët në tabut: “Hallall qumështin e gjirit biro, të rrojë Partia!” lumturoheshin dhe këndonin si të ndërkryer. Me “teserën e Partisë Komuniste”, marria kapi kulmin, bënë anëtar edhe të vdekurit, që s’iu dhanë “triskën e frontit” me gjallje!
“Heroit të Punës Socialiste”, ia nxorën kallajin, s’lanë mjelëse, lopçar, çoban, druvar, traktorist, tekstilist, minator e tornitor, pa u varur në qafë nga një llamarinë, demek i stimulonin të punonin për llogari të mijëvjeçarit të ardhshëm, kur njerëzia s’po mbushnin barkun me bukë.
Në “KONTINENTIN e HARRESËS”, sajuan të shtunat komuniste, një imitim pervers nga Revolucioni i Tetorit, ku populli duhej të rropatej pa shpërblim, shpikën të dielat stakonoviste, ku sërishmi me punë angari, secili duhej të kontribuonte në aksionet e lagjes, qytetit, katundit, krahinës dhe shpërblimi i munguar, për punën e papaguar, tashmë përkthehej; në plumba në zemër të armikut!
“Ne jemi dy milionë shqiptarë, secili vret në luftë njëqind ushtarë, me armë hedhur në sup…”, etj., etj., ngrinte tonet Primo-tenori. Britma zaptonte njëzet e tetë mijë kilometërshin katrorë dhe ndiqej nga kori i servilëve tru-shpërlarë, që plotësonin kësisoj butaforadën socialiste. Iu kryqëzonin nga një kallash me fishekë mësimorë mbi gjokse, iu ngjishnin mbi surrat maskën e gëzueshme karnavaleske, iu nxitnin instinktin e urrejtjes për gjitonin dhe i hidhnin yxhym mbi dordolecët-armiq, në bunkerë e llogore. E ndrynë miletin kazermave, në zborin shtatëmbëdhjetë ditor, ku me pushkë stralli, sfidonin ushtaraket e botës, ndërsa me punën angari, sfiduan ekonominë globale.
Megalomania militariste dhe rendimenti dështak, stimuluan indiferencën, teksa rutina ushqeu mefshtësinë dhe u kthye në makth për masat. Në “KONTINENTIN e HARRESËS”, trushpërlarja kolektive u kthye në mani. Gjersa lindi “REPUBLIKA e LOLOVE”! Kush tentoi t’i shpëtonte përndjekjes, u kamuflua pas mjeteve të harruara, nisi shkarravinat në shpellat antike. Ai iu përshtat kohës, u laturis por shpëtoi kokën, kujt i mungoi aftësia përfundoi në ferr. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016