Nga Luljeta Progni
Memorie.al / Ilir Çullhaj, ka lindur në fshatin Çermë të Lushnjës, atje ku regjimi komunist, i kishte detyruar të jetonin në kasolle me baltë, prindërit e tij…! Atje lindi Iliri, i internuar. U rrit atje në Çermë dhe po atje vazhdon të jetojë edhe sot. Historia e Ilir Çullhajt, na tregon se si një njeri lind e rritet në internim dhe vazhdon të jetë i dënuar, për të qëndruar aty ku lindi, me damkën e “armikut të popullit”. I dënuar të kalojë çdo ditë atyre rrugëve, ku u rrit i përbuzur, të takojë rrugëve të atij fshati, persona që dikur e persekutuan, i mohuan bukën, të drejtën e arsimit, i morën buzëqeshjen e fëmijës, i grabitën ëndrrat për të ardhmen. E megjithatë, Iliri nuk ndjen urrejtje për askënd e, aq më pak, hakmarrje.
Ishte 7 dhjetor 1970, kur kancelari gjerman Willy Brandt, vizitoi në Varshavë memorialin në përkujtim të hebrenjve të vrarë nga nazizmi. U ul në gjunjë në shenjë ndjese, ndaj viktimave të nazizmit. Ishte vizita e parë nga një kryetar i qeverisë gjermane në Poloni, pas Luftës së Dytë Botërore.
Imazhi i tij, i gjunjëzuar para historisë tragjike të hebrenjve, ishte një akt që ndikoi thelbësisht në përmirësimin e imazhit të gjermanëve në arenën ndërkombëtare. Sepse pas Willi Brand edhe kancelarë e zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit gjerman, kërkuan ndjesë vazhdimisht për viktimat e nazizmit.
Në Shqipëri janë me mijëra viktimat e totalitarizmit komunist, që kurrë nuk e morën ndjesën e askujt, për krimet që shteti kreu mbi ta dhe fëmijët e tyre. Nga xhelatët jo e jo, por as nga pasardhësit e tyre, që trashëguan partinë – shtet. Gjatë regjimit komunist, nga viti 1944 deri në 1990, rreth 6.000 njerëz janë vrarë, 34.000 janë burgosur dhe më shumë se 50.000, u dërguan në kampet e internimit.
Ilir Çullhaj ka lindur në kampin e internimit në Çermë të Lushnjës. I ati, Hysen Çullhaj, kaloi pesë vite në kampin e Tepelenës. Më pas, u transferua në kampet e internimit në Lushnjë. Gjatë asaj kohe, u dënua dy herë dhe kaloi 10 vite burg. Pas burgut, bashkë me familjen, u vendos në kampin e internimit në Çermë të Lushnjës. Dënimi vinte për shkak se babai i Hysenit, Veiz Çullhaj, ishte arratisur, pasi ishte shpallur armik i popullit.
Ilir Çullhaj lindi në Çermë, atje u rrit dhe sot vazhdon të jetojë ende në Çermë. Përveç vuajtjeve të tjera të jetës së tij të mundimshme, ai ka një peng që vjen si apel për politikën dhe shoqërinë shqiptare, në 30 vjet. Një ndjesë e munguar nga xhelatët dhe pasardhësit e tyre. Iliri rrëfen me dhimbje historinë e mundimshme të familjes, si babai dhe e gjithë familja, u internuan në Tepelenë. I ati ishte vetëm 14 vjeç.
Iliri është rritur me rrëfimet e dhimbjes së babit të tij. I ka treguar çfarë ndodhi në Tepelenë dhe si trajtoheshin fëmijë, gra e pleq. Të bindur se kalvari i vuajtjeve do të ishte i gjatë, djemtë e familjes Çullhaj, nisën të ndërtojnë jetën në internime. Më i madhi i familjes u martua në kampin e Tepelenës. Ka vuajtur bashkë me të atin, persekutimet e vazhdueshme. Kohën kur diktatura i kërkonte të mohonin gjyshin e arratisur, Veizin.
Pas kampit të Tepelenës, familja e tij vazhdoi internimin në kampet e Lushnjes. Nëna dhe babai i Hysenit do të ndërtonin jetën në Çermë të Lushnjës, sepse aty i intrenuan. Atje lindi dhe u rrit Ilir Çullhaj. Lindi dhe u rrit si “armik i popullit” në një kasolle në Çermë të Lushnjës. Ai kujton vuajtjet si fëmijë, persekutimin nga regjimi komunist. Nuk e pati kurrë të drejtën e arsimit. Pa dyshim ky është një peng që do ta mbajë përgjithmonë Iliri Çullhaj. Por çfarë nuk do ta harrojë kurrë, është përbuzja që ka ndjerë kur ishte fëmijë. Kur ra regjimi komunist, Iliri dhe familja e tij, u përpoqën të kthehen në vendin e tyre në Elbasan. Por nuk ia dolën dot sepse persekutimi vazhdoi.
Në pamundësi për t’u kthyer në vendin e origjinës, Iliri nisi të përmirësojë jetën aty në Çermë, ku e dënoi dhe degdisi diktatura. Ai thotë se ndjehet tashmë i respektuar, por vazhdon të vuajë brengën e braktisjes nga institucionet, për t’i kthyer të drejtën që i takon. Ilir Çullhaj nuk urren askënd, as ata që e persekutuan, por kërkon që dikush t’i kërkojë falje e, për ata që kurrë nuk u penduan për krimet që bënë, të ketë një gjykim.
Historia e Ilir Çullhajt, na e tregon qasjen që pati shteti dhe shoqëria shqiptare, në 30 vjet, ndaj kësaj shtrese që u persekutua padrejtësisht. Tregon se si një njeri lind e rritet në internim dhe vazhdon të jetë i dënuar, për të qëndruar aty ku lindi me damkën e “armikut të popullit”. I dënuar të kalojë çdo ditë atyre rrugëve, ku u rrit me damkën e armikut të popullit, të takojë rrugëve të atij fshati, persona që dikur e persekutuan, i mohuan bukën, të drejtën e arsimit, i morën buzëqeshjen e fëmijës, i grabitën ëndrrat për të ardhmen. E megjithatë, Iliri nuk ndjen urrejtje për askënd e aq më pak hakmarrje.
Pas 30 vitesh, duket krejt e pamundur që të mund të rikuperohet dhimbja e mijëra shqiptarëve që vuajtën diktaturën komuniste. Duket krejt e pamundur që Ilir Çullhaj e të ngjashmit e tij, të shohin një ditë imazhe të ngjashme me atë të 7 dhjetorit 1970, të kancelarit gjerman, të gjunjëzuar para përmendores që përshkruan dhimbjen njerëzore të hebrenjve…! Përkundrazi, në Shqipëri kemi parë e me sa duket, do të vazhdojmë të shohim xhelatët në foltoren e kuvendit të Shqipërisë, në poste ministrash e, në të gjitha dikasteret e administratës publike.
Ilir Çullhaj e të ngjashmit e tij kanë parë e me sa duket do të shohin edhe për shumë kohë, Gramoz Ruçin e bijtë e tij të kollarisur me shallin e pionierit e banderolat e diktatorit, tek revokojnë historinë e dhunës diktatoriale të 45 viteve, që e mbajtën Shqipërinë të izoluar nga e gjithë bota. Ndërsa Ilir Çullhaj, është ende në pritje që dikush t’i kërkojë ndjesë për jetën e mundimshme të etërve të tij, burgjeve e kampeve të internimit, që dikush t’i kërkojë ndjesë, pse lindi në internim dhe u rrit atje e, patjetër dikush t’i kërkojë ndjesë, pse Ilir Çullhaj është akoma duke jetuar në vendin ku diktatura e dënoi padrejtësisht.
Dëshmia e plotë e Ilir Çullhait!
“Xhaxhai im i madhi, Isufi, xhaxhai im i dyti, Xhaferri, babai im Hyseni, që është akoma gjallë, xhaxhai im i ndjerë, Shefqeti, dy xhaxhallarët e tjerë, që lindën në kampin e Beratit, se kur u arratis gjyshi, që u largua la gruan shtatzënë, Hysniu dhe Tomorri. Nuk kishte për gajle se vdisnin, vdisnin fëmijë apo pleq, nuk e kishin problem fare. Bile një oficer, një kapter me emrin Tomorr, më duket.
Siç më tregonte xhaxhai im i madh Isufi; ‘Ai i çonte fëmijët me zor nga shtrati që të dilnin në apel, ishin të sëmurë, ishin të ngrënë apo të pangrënë, i kapnin me zor, gjithashtu dhe pleqtë. Bile ka qenë një rast – tha xhaxhai; sapo na kishte marrë gjumi në mëngjes, se i ftohtë i rëndë, do bëheshe apeli në orën 5:00 të mëngjesit, na ka marrë ky kapter Tomorri, me forcë na ka nxjerrë aty, me shqelma, me të shtyrë që të bënim apelin’.
Qenë pa martuar, bile xhaxhai im Xhaferri, atje u ka njohur me bashkëshorten, me Bedrien, ndjesë pastë xhaxhai im i dyti Xhaferri, me të bijën e Feta Xhikës, që ishte i arratisur politik. Atje u njohën dhe atje vunë kurorë në kampin e Tepelenës (Bënës). Xhaxhai, ne i përkasim asaj zone edhe nusja e xhaxhait, Bedria, i përket asaj zone. Kishim lidhje të hershme me një fjalë, se krushqitë bëheshin sipas fiseve të mëdha që i përkisnin asaj kategorie. Dhe aty u njohën pasandaj, kur u liruan i shpërndanë; në Gjazë, në Savër, në fund përfunduam këtu në Çermë.
Ndodhi kjo që në ’67-ën, babai do bënte shkëputjen me të atin e tij, se vinin letrat, deri në ’67-ën i lejonin, mbas ’67-ës, doli një vendim që; “O të ndërprisni kontaktin me njerëzit tuaj, ose ju do shkoni prap atje ku keni qenë”! Babai nuk pranoi, nuk pranoi. Bile i nxuarrën, ka qenë nji qendër emulacioni, kinemaja e popullit, siç i quanim ne. Aty diskreditoheshin njerëzit me një fjalë, i erdhi radha babait”.
Përndjekja nga Sigurimi
“Unë kam lindur në ’68-ën, shkollën fillore e kam bërë këtu. Në vitin ’83 mbarova shkollën tetëvjeçare dhe u regjistrova për në shkollë të mesme. Më kanë lënë vetëm një vit. Se ç’ndodhi…?! Në vitin ’84, këtu u hodh Xhevdet Mustafa, diku në një fshat këtu sipër nesh. Xhevdet Mustafa kishte takuar me njerëzit e mi në Bruksel, me gjyshin tim, me dajën tim, me të gjithë njerëzit që ne i kishim të arratisur atje, në atë shtet.
Atë ditë që u ekzekutua Xhevdet Mustafa, ne na kanë shumëfishuar rojet, që mos kishim kontakt me as njëlloj njeriu, sepse dyshohet se Xhevdeti do vinte e do merrte takim me neve. Ai zbarkoi në Divjakë, me gjithë njerëzit e vet. Atë ditë na kanë ruajtur me dyfek. Bile ne po rregullonim një kuzhinë, se kemi pasur nji shtesë me plitharë, siç i themi ne.
Po punoja unë, babai, ndjesë pastë e vëllai, se nuk rron më, edhe po i thosha babait; ‘O baba po këta që vijnë me dyfek kështu…?! Shshsh – më thosh – mor çun, se na ruajnë ne, mos kemi kontakt me njeri, se mos irritohemi ne dhe shkojmë i dalim krahë bandës, Xhevdetit me shokët e vet. Shiko ku arrinte gjykimi i Sigurimit. Na ka mbajt atë ditë, tërë ditën e ditës të izoluar, me një fjalë.
Silleshin shumë ashpër, sepse ne ishim kjo lloj kategorie, edhe nuk shoqëroheshim me fëmijët që ishin me pozita, e fëmijëve të Sigurimit. Nuk shoqëroheshim me ta, shoqëroheshim vetëm me njerëzit të kallëpit tonë. Kjo gjithmonë binte në diktat. Edhe në brigadë kur punoja unë, mbas viteve ’84, që dola në punë, po me këta njerëz shoqërohesha edhe në brigade”.
Jeta në internim
“Mundësitë u bënë në mënyrë selektive. Ja ne mbetëm këtu, shumë familjarë të tjerë ikën, ne pronësinë e kemi në fshatrat e Elbasanit, Biçakaj quhet. Por edhe atje depërtoi ligji 7501. Ndërtesat tona që i kishim atëherë me mund, ishte rrëzuar, i kanë bërë shkollat e fshatit. Hapëm një gjyq për shtetëzimet që na u bënë ne, natën e datës: 3.4.1946.
Na adresuan dhe në gjykatë, na i pezulluan; ‘pse nuk kishim mbajtur shënim’, por ne vajtëm i kapëm ata njerëz, që ishin Këshillat Popullorë atëherë, dhe i formuluan të gjitha ato çka na kishin marrë ne. Pavarësisht se ne nuk arritëm të merrnim dot asgjë, as shënime, asgjë. Po na i pezulluan. Ky pushtet i sotëm, kjo demokraci na i pezulloi. Po ne, fundja-fundit, këto nuk i patëm grabitur, ne i patëm trashëguar, i kishim të trashëguara.
Nuk pata njeri as me qeverinë e Kolabracionistëve, as të Kuislingve. Xhaxhai e babai, që u ekzekutuan në Elbasan, ai qe me ‘Normalen’ e Elbasanit, ishte edhe inxhinier-projektues rrugësh në Belsh të Elbasanit. Po ndihemi krenarë, vetëm për këtë se kemi të drejtën e fjalës e, nuk jemi të përbuzur ngado. Po për sa i përket përfitimeve, që ne na takonin ligjërisht, për këtë nuk jemi dhe nuk mbetemi të kënaqur, në asnjë moment deri më sot.
Se çdo ndodhë më mbrapa, ia lemë kohës ta vlerësojmë atje ku duhet. Po deri më sot, nuk jemi të kënaqur. Që mos të marrësh ti, përjashtohesh nga masa e dëmshpërblimit, ku ti u more forcërisht nga shtëpia, u dëbove, u shtetëzove dhe sot nuk njihesh, je akoma në vend dëbimi, dhe sot mos njihesh si i tillë. Këtë se pranojmë dot. Nuk e pranojmë dot”!
Mungesa e një faljeje
“Po pishman na ka mbetur kjo, që gjithë ata xhelatët tanë, që një pjesë sot ende rrojnë, asnjëherë nuk u morën gjykim për monstrozitet dhe krimet e tyre, që kishin bërë kundra kësaj kategorie si puna jonë. Unë, trashëgimi fëmijëve të mi, do t’i lë, (i kam të vegjël), dhe do u them që ju, nuk kini dijeni çka i ndodhi gjyshit apo gjyshes, apo xhaxhait apo dajës, apo gjyshit apo stërgjyshit.
Që ju nuk keni të drejtë të kërkoni këto gjëra, për punë hakmarrje. Këto do t’ja transmetoni dhe fëmijëve të mi. Kështu ma transmetoi im at, kështu do ja transmetoj edhe unë. Ama për ata që nuk shfaqin ndonjë farë pendese, qofshin edhe ata gjallë, që kanë bërë krime të ndryshme, këtë ne e kërkojmë, e kërkojmë me insistim, që të ketë një rigjykim. Një rigjykim…”! Memorie.al