Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes së madhe Deliallisi nga Shqipëria e Mesme, origjinën e hershme e së cilës është nga Persia e largët dhe të parët e saj njihen si themeluesit e qytezës së Shijakut që në vitin 1885, kur i pari i këtij fisi, Sali bej Deliallisi (Shijaku), zbriti nga katundi Shahinaj dhe u vendos në qendër të Shijakut të sotëm, ku ngriti dhe dyqanin e parë, gjë e cila bëhet e ditur edhe nga studiuesi i njohur i Monarkisë së Zogut, Teki Selenica, i cili e ka konfirmuar atë në librin e tij, “Shqipëria në vitin 1927”. Angazhimi i familjes Deliallisi në lëvizjet për shkëputjen e vendit nga zgjedha osmane, ku dy nga burrat e këtij fisi, Xhemali dhe Imer Deliallisi, morën pjesë si delegatë dhe përfaqësues të Shijakut në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntorin e 1912-ës dhe më pas në Kongresin e Lushnjes në 1920-ën, ku Imeri u zgjodh senator i Durrësit së bashku me Mytesim Këlliçin, Irfan Ohrit dhe Veli Krajën.
Shkollimi i djemve të asaj familje në akademitë ushtarake të Italisë e Turqisë gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, si Mustafa Deliallisi i cili pasi u diplomua në Akademinë Ushtarake të Torinos, shërbeu si kryetar i Zyrës së Rekrutimit në Librazht dhe në Mat, për t’u emëruar më pas si rreth-Komandant i Xhandarmërisë së Ulqinit dhe Shijakut, ku dhe e zuri 7 prilli i ‘39-ës, duke luftuar në krah të major Abaz Kupit kundra italianëve. Angazhimi i tyre në Lëvizjen Antifashiste, si kapiten Mustafa Deliallisi që dërgoi ndihma të mëdha Çetës së Pezës pasi kishte miq të ngushtë Shyqëri dhe Myslym Pezën, të cilët donin ta inkuadronin pranë asaj çete, por hasën në kundërshtimin e krerëve të lartë komunistë që ishin atashuar pranë saj. Dëshmia e Riza Deliallisit se si filloi goditja ndaj asaj familje të madhe nga ana e komunistëve, ku ende pa mbaruar Lufta, partizanët ekzekutuan pa gjyq në fshatin Arbanë, Kapllan, Jakup dhe Shefqet Deliallisin, në 1946-ën mbytën në tortura Beqir Deliallisin, në 1947-ën, u pushkatuan Tefik Deliallisin me “Grupin e Deputetëve”, në 1948-ën vranë në përpjekje me armë, Delip Deliallisin, në 1950-ën, vranë kapiten Mustafa Deliallisin dhe Bujar Deliallisin që bëri vetëvrasje në burg nga torturat, për të vazhduar më tej ku pjesa më e madhe e atij fisi përfundoi burgjeve dhe internimeve të regjimit komunist të Envert Hoxhës.
Marrëveshja e Mustafait me Kajo Karafilin
Lidhur me aktivitetin e Mustafa Deliallisit deri në shtatorin e vitit 1943, kur shërbente në Zyrën e Rekrutimit të Shijakut, “Piktori i Merituar” Agim Faja, i cili rrjedh nga kjo familje, na tregonte: ”Asokohe për Mustafa Deliallisin u krijua një situatë e nderë dhe ai me familjen tij duhet të ruheshin si nga italianët, ashtu edhe nga komunistët shqiptar. Lidhur me këtë vajza e Mustafait, Bukuria, më ka thënë: Në prillin e vitit 1943, familja jonë ndiqej nga italianët, pasi babai ynë, si nacionalist që ishte, kishte refuzuar të vishte këmishën e zezë të fashizmit. Për t’i shpëtuar ndjekjeve të tyre, për gjithë natën, të hipur në një qerre të mbuluar me kashtë, na çuan në fshatin Rrubje ku u strehuam te shtëpia e Haxhi Lalës. Pasi kaluam nga Shilorja, një javë më vonë erdhi Kajo Karafili, i cili na morri dhe po atë natë na çoi në Kamerras. Tre javë më vonë, meqenëse shtëpinë e kishin zënë italianët, ne shkuam te shtëpia e xha Kapllanit. Duke qenë se Mustafa Deliallisi kishte një miqësi të ngushtë me Kajo Karafilin, ata të dy kishin bërë një pakt, ku: as Kajo nuk duhet të bënte aksione në zonën e Shijakut për eliminimin e personave të ndryshëm që komunistët i shihnin si armiq, dhe as Mustafai nuk duhet të ngacmonte të rinjtë komunistë të Shijakut që kishin idealet e tyre, pavarësisht se ata nuk përputheshin. Në gushtin e vitit 1943, kur u mbajt Konferenca e Mukjes, ishte i ftuar edhe Mustafai prej mikut të tij të ngushtë, Abaz Kupit, por ai nuk morri pjesë, sepse i dinte fare mirë qëllimet djallëzore të komunistëve. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët, Mustafa Deliallisi u mundua të mbante një qëndrim të ndërmjetëm, pasi ai ishte në qytetin e tij të lindjes ku kishte njohje dhe lidhje të shumta miqësore. Edhe pse ai dinte se ku ndodheshin bazat e komunistëve, disa prej të cilave i kishte rreth shtëpisë së tij, ku vepronin Këshillat Nacionalçlirimtare dhe ku bëheshin mbledhjet e rinisë komuniste, ai nuk i godiste, dhe mundohej të mos konfrontohej me qytetarët e vet. Mustafai ka qenë një nacionalist i vendosur por edhe një antikomunist i betuar, e megjithëkëtë, ai nuk arrestoi asnjë komunist, por Mustafai shqetësohej kur gjermanët kishin arrestuar ndonjë prej tyre. Kjo bëhet e ditur edhe nga një dokument arkivor i datës 25.03.1944 (AQSH, fondi 470. Viti 1944, dosja 2, fq.1), ku kapitenit të xhandarmërisë, Mustafa Deliallisit, i kërkohej një informacion nga gjermanët, për arsimtarët e Shijakut. Në listën e këtyre, me përjashtim të Sulejman Rostenit nga Rada, për të gjithë të tjerët Mustafai ka shkruar se ata janë me sjellje politike të mirë. Po kështu, në nëntorin e vitit 1944, kur forcat gjermane në kuadër të operacionit të koduar “Hefenfarht” arrestuan me qindra shijakas të cilët i dërguan në bregun e Erzenit për t’i pushkatuar, Mustafa Deliallisi shkoi menjëherë aty dhe i tha komandantit të regjimentit gjerman, që t’i lironte menjëherë, duke u bërë ai garant me jetën e tij. Midis atyre të arrestuarve shijakas që gjermanët i kishin vënë në grykën e mitralozit, kishte dhe shumë komunistë të cilët shpëtuan vetëm në saj të ndërhyrjes së Mustafait. Falë ndërhyrjes së tij, asnjë shijakas nuk u internua në kampet e përqendrimit të gjermanëve në Prishtinë apo në Zemun të Jugosllavisë”, tregonte piktori Agim Faja, për Mustafa Deliallisin, i cili në bazë të një marrëveshje që kishte bërë me Kajo Karafilin, nuk do t’i ngacmonte komunistët e Shijakut.
Nuk lejoi dhunimin e kufomës së Kajos
Pas shtatorit të vitit 1943, kur kapitulloi Italia fashiste, Ustafa Deliallisi morri detyrën e Rreth-Komandantit të Xhandarmërisë së Shijakut, detyrë të cilën e mbajti deri në mbarimin e Luftës në fundin e vitit 1944. Lidhur me aktivitetin e Mustafait, Agim Faja, tregonte: “Më kanë treguar disa veteran shijakas, më 10 janar të vitit 1944, kur në betejën e Lis-Patosit u vra trimi Kajo Karafili, kufoma e tij u ekspozua në sheshin e Pazarit të Shijakut, m’u përpara fasadës së shkollës. Kufoma e Kajos ishte e shtrirë në tokë dhe ata që e kishin sjellë, ishin përpjekur fillimisht që t’i vinin nën sqetulla dy hunj të gjatë në formë bige, në mënyrë që ajo të qëndronte e mbështetur pas murit, por nuk kishin mundur dot. Për këto manovrime shumë ç’njerëzore kishin protestuar edhe njerëzit që ishin grumbulluar aty. Kur kishte ardhur nga Durrësi me makinën e tij, Faje beu (Mustafa Deliallisi), tepër i nervozuar, ishte futur në mes të njerëzve dhe i kishte shpërndarë ata. Pas kësaj, ai dërgoi shoferin e tij, Myrte Varoshin, për të blerë ca kambrik, me të cilin mbuloi kufomën e Kajos, që më pas e hipi në një makinë dhe e nisi në drejtim të Kavajës. Po atë ditë, Mustafai ishte grindur keq me ata që sollën kufomën e Kajo Karafilit në Shijak, pasi ai nuk lejonte asnjë që të dhunonin kufomat, dhe sikur ato të ishin të kundërshtarëve të tij.
Vrasja e Kapllanit, Jakupit e Sheqetit
Në nëntorin e vitit 1944, kur Mustafa Deliallisi ishte ende në postin e Rreth-Komandantit të Shijakut, komunistët i shkaktuan një tragjedi të madhe familjes Deliallisi, duke i ekzekutuar tre burra prej tyre. Lidhur me këtë, piktori Agim Faja, tregonte: “Në prag të mbarimit të Luftës, Mustafai morri një letër nga Dali Ndreu, me të cilin kishin qenë së bashku studentë në Akademinë Ushtarake në Torino dhe ishin zënë byrazerë me njëri tjetrin. Atëhere, dy vëllezërit e Mustafait, Kapllani dhe Jakupi, si dhe nipi i tyre 24 vjeçar, Shefqeti, (djali i Imer beut), vendosën që të shkonin në Shtabin e partizanëve në Pezë. Mustafai, i cili kishte një përvojë të keqe me komunistët, i këshilloi ata që të mos shkonin duke u thënë; ‘Po të më dëgjoni mua, më mirë shkoni dhe lahuni në det e atje mbytuni vetë, se sa të shkoni dhe të dorëzoheni vetë tek partizanët. Ata nuk kanë besë’. Dhe vërtetë ashtu ndodhi. Sapo ata shkuan në Arbanë me një pajton, i kishte parë një nga komandantët e lartë partizan dhe i kishte pyetur se kush ishin. Me të marrë vesh që ata ishin nga Deliallisët e Shijakut, ai kishte bërtitur: ‘Aaaa…bejlerët e Shijakut?! Të pushkatohen pa gjyq’. Dhe ashtu u bë, Kapllani, Jakupi dhe Shefqeti u pushkatuan në vend më 3 nëntor të vitit 1944 në fshatin Arbanë”, tregonte Agim Faja lidhur me vrasjen tragjike të dy vëllezërve të Mustafait dhe nipit të tyre.
Vetëvrasja e Mustafait
Në fundin e nëntorit të vitit 1944, kur shumë nga eksponentët kryesorë të organizatave nacionaliste, Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, u larguan nga Shqipëria, Mustafai nuk pranoi që të largohej, edhe pse morri letër nga miku i tij i ngushtë, Abaz Kupi. Pas largimit të gjermanëve nga Shijaku, më 16 nëntor 1944, Mustafai shkoi në shtëpi për t’i dhënë lamtumirën familjes dhe ai u tregoi atyre planin që kishte bërë për të dalë në mal. Aty nga fillimi i vitit 1945, ai krijoi një çetë prej 40 vetash dhe vepronte në zonat e Vorës, Manzës, Sukthit, Rrashbullit e në katundet e Shijakut. Një javë pas daljes së tij në mal, komunistët i’a internuan të gjithë familjen e tij në kalanë e Beratit. Gjatë kohës që Mustafai qëndronte i fshehur në mal, atë e ndihmonte shumë, Shaban Shahini, i cili e lëvizte me pajtonin e tij nga një shtëpi te tjetra. Me pajtonin e Shabanit, Mustafai shkoi deri në Tiranë, ku morri pjesë në një mbledhje që u bë në Rrugën e Durrësit. Ai u rrethua dy herë nga forcat e Ndjekjes në Rrashbull dhe në Manzë, por të dyja herët mundi që të çante rrethimin dhe vazhdoi të qëndronte në arrati, deri në fundin e vitit 1948-të. Lidhur me vrasjen e Mustafait, e mbesa e tij, Fitnetja, tregon: “Xhaja jonë Mustafai, u vra në shtëpinë tonë më 18 dhjetor të vitit 1948-të. Ai kishte ardhur fshehurazi por atë natë dikush e kishte parë dhe spiunuar. Menjëherë pas sinjalizimit, mbërritën nga Tirana, Forcat e Ndjekjes të Komanduara nga kolonel Kadri Hazbiu, i cili e njihte mirë Xha Fajën. Me anë të një megafoni, Kadriu i bëri thirrje që të dorëzohej, por Faja nuk iu përgjigj. Atëhere Kadriu na thirri mua dhe Skënderit, e na porosit që të shkonim dhe të bisedonim me xha Fajën. Ne ja thamë fjalët e Kadriut, por ai u përgjigj: ‘Dëgjo këtu të keqen xhaja, kur kam dalë në çetë në mal, i kam marrë parasysh të gjitha, edhe vdekjen. I thoni Kadri Hazbiut, se Mustafa Deliallisi nuk do të dorëzohet, por edhe luftë me të nuk kam për të bërë. Sa t’i djeg këto dokumente, do të “dorëzohem” vetë. Kur të dëgjohet e shtëna e armës, u thuaj të futen brenda. Kur të takosh nën Tushen, i thuaj që amanetin e saj e çova në vend’. Pas gjysëm ore, u dëgjuan dy të shtëna dhe Forcat e Ndjekjes që komandonte Kadri Hazbiu, shpërthyen derën duke qëlluar në ajër. Fajën e gjetën të vdekur pranë oxhakut, të mbështetur në jastëk, me dorën e djathtë të shtrënguar në dorezën e revolverit, grykën e të cilit e kishte futur në gojë. Xha Faja kishte vrarë vetën, ashtu siç e kishte porositur e ëma. Të nesërmen në mëngjes, trupin e tij e ekspozuan në mes të Shijakut dhe të ngarkuarit e Partisë, ja tregonin të pranishmëve, duke thënë se Mustafain e kishin vrarë në raftin e rrobave. Pasi e lanë aty për tre ditë, e morën në një karrocë dhe e çuan për ta varrosur në breg të Erzenit”, kujtonte Ganimeti, mbesa e Mustafa Deliallisit, i cili vrau vetën që të mos binte i gjallë në dorë të komunistëve.
Masakrimi i Deliallisëve
Hakmarrja e komunistëve ndaj familjes Deliallisi që kishte filluar që gjatë Luftës në nëntorin e 1944-ës me vrasjen e Kapllanit, Jakupit dhe Shefqetit, nuk u mbyll me vrasjen e Mustafait, por ajo vazhdoi gjatë me burra të tjerë të asaj familje. Lidhur me këtë, Riza Deliallisi dëshmonte: “Menjëherë pas mbarimit të Luftës në vitin 1945-së, komunistët arrestuan Beqir Imer Deliallisin dhe e mbytën atë në tortura në burgun e Durrësit, pa e nxjerrë fare në gjyq. Pas vrasjes së Beqirit, komunistët arrestuan edhe Tefik Masar Deliallisin, duke e akuzuar atë si bashkëpunëtorë me “Grupin e Deputetëve” dhe e pushkatuan në bregun e lumit të Tiranës. Pas këtyre, në vitin 1948, u vra në përpjekje me forcat e Sigurimit të Shtetit dhe Repartet e Ndjekjes edhe djali i Kapllanit, Dalipi, i cili kishte dalë në mal pas vrasjes së të atit, nga që nuk e duronte dot shtypjen e komunistëve. Genocidi i egër i komunistëve ndaj familjes sonë nuk mbaroi me vrasjen e këtyre shtatë burrave nga fisi ynë, pasi në atë kohë nga presioni i madh i organeve të Sigurimit të Shtetit, bëri vetëvrasje në burg, edhe djali i Shaqir Deliallisit, Bujari, i cili në atë kohë nuk i kishte mbushur akoma të njëzetat dhe ishte i fundit që humbi jetën nga terrori i komunistëve, sepse më pas, u arrestuan dhe përfunduan burgjeve me dënime të rënda edhe burra të tjerë nga fisi ynë, si: Abaz Mersin Deliallisi, Selami Shaqir Deliallisi dhe Skënder Gani Deliallisi. Po kështu shumë familje nga fisi ynë përfunduan internimeve ku vuajtën për vite të tëra” e përfundonte dëshminë e tij, Riza Deliallisi, lidhur me masakrimin që i bëri regjimi komunist familjes së tij dhe gjithë fisit Deliallisi, e cila pati tetë burra të pushkatuar, katër të burgosur politikë dhe shumë të tjerë që përfunduan internimeve. Kështu ia “shpërblyen” komunistët kapiten Mustafa Deliallisit, Rreth komandantit të Xhandarmërisë së Shijakut që i kishte ndihmuar ata gjatë Luftës dhe vëllai i tij, Ymer Deliallisi, në 1912-ën, kishte firmosur aktin e pavarësisë me Ismail Qemalin në Vlorë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016