Nga Idriz Lamaj
Pjesa e dymbëdhjetë
Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim
– Kosova në kohën e Shqipnisë etnike –
Marrëdhëniet e Xhafer Devës me ‘Bllokun Kombëtar Indipendent’ dhe misionet e tyre parashutiste në Shqipëri e Kosovë
Memorie.al / Alushi Nr. 455 – 43 – 1800 28/6/1950. “Në momentin e hedhjes piloti, duhet të tregohet shumë i kujdesshëm. Nuk duhet të ngutet për arsye, se mund të shoh zjarre ose drita jashtë zonës së zbarkimit. Zjarre e drita të shtëpive të katundeve. Nuk duhet të bahet hedhja, po nuk pa zjarret tona nji të vetëm dhe trekëndëshin”.
Për Grupin Kosovarë Nr. 443 24/6/50. “Vazhdojnë udhëzimet. Njerëzit që do të hidhen duhet t’u jepni ushqim të paktën për pesë ditë. Këtu mungon çdo gjë, populli nuk ka as për vete. Asht shumë vështirë me gjetë ushqim edhe me pagesë. Lutemi që të gjitha paguret tona dhe të shokëve Kosovar, të mbushen me mjaft. Dërgoni çokollata dhe marmelatë. Parashuta e dengut material, duhet të jetë e bardhë që të shihet lehtë në pyllin e errtë”.
Nr. 441 24/6/150. “Vazhdojnë udhëzimet. Nëse ndodh gabim i madh në hedhje të njerëzve, nëse ata zbresin shumë larg zonës së shënueme, duhet te lidhemi menjëherë në kontakt komunikimi me njeni-tjetrin, nëpërmes lidhjes me Romën. Ju duhet me njoftue vetëm kryetarin e grupit dhe numrin e kuotës. Komunikimi midis nesh duhet, patjetër të filloj të njëjtën ditë prej orës katër, t’ue vazhdue për çdo orë, deri sa të piqemi me shokët kosovar”.
Nr. 11 GR 18 (Alush) 23/6/1950. “Presim zbarkimin e njerëzve. Datë njëzetepesë gershor. Ora njëzetedy e tridhjetë – në zonën e dhanë”. – Për Grupin Kosovar- Riza Ali Osmani Nr. 424 Ora 11:26 19/6/50. “Parashohim zbarkimin e kosovarëve në Fushën Saxha Putosi (Pylli Këthellë) Harta – Perlati” Nr. 10 LI 23/6/50. “Mos gaboni me bë hedhjen para datës njëzetepesë. Vazhdojnë udhëzimet në komunikimin tjetër”.
Për Grupin Kosovarë. Më në fund, caktohet data 26 gershor (1950) e cila sa heroike është edhe fatale. Xhafer Deva, shkon në bazën ushtarake për t’u përshëndetur me grupin e tij dhe për të dhënë udhëzimet e fundit. Kryetar i misionit shtatë vetash, caktuar prej Xhafer Devës, ishte kapiten Riza Osmani, i njohur me pseudonimin ‘Oskar’ dhe zëvendës i tij, Destan Berisha, me pseudonimin ‘Amedeo’.
Grupi përbëhej nga Riza Osmani, Shaqir Kabashi, Hajredin Vuçitërni, Beqir Bajgora, Ahmet Kabashi, Musa Vuçitërni dhe Destan Berisha. Me këtë grup ishin edhe dy parashutist të ‘Bllokut’. Kosovarët e veshur në uniformë ushtarake dhe të armatosur me armë të lehta automatike, hyjnë në aeroplan dhe nisen për në Laje të Mirditës, ku do të bëhej zbarkimi. Me qenë se Kolë Çuni, kishte njoftuar me radio, natë të kthjelltë me dritë hane, zbarkimi do të bëhej midis orës 11 dhe 12 të natës.
Komandanti i grupit kosovar të gjitha udhëzimet i kishte marrë me gojë, pa ndonjë letër shënimit, por ‘Nik’, me anë të radios, kishte marrë nga Xhafer Deva këto udhëzime për Grupin Kosovarë. Udhëzime Grupit “Oscar”:
- Grupi “Oscar”, është përgjegjës për zhvillimin e një aktiviteti rreptësisht brenda kufijve të shërbimit informativ.
- Grupi “Oscar”, është supozuar të veprojë në zonën e Matit. Për një kohë kaluese dhe me vështrim të faktit që dy njerëz të tij, nuk janë caktuar për të bërë pjesë në grup deri sa rrethanat do të na lejojnë te plotësojmë këtë, me ç’rast do t’u jepen udhëzimet e rastit.
- Deri sa të realizohet parashikimi i pikës 2, këto udhëzime definitive i jepen “Oscar-it”:
a). Të bashkohen me grupin e Gjon Gjinajt. Resp. Alushit. Kjo si të shihet e arsyeshme mbas këshillimit në mes tuajin dhe në lidhje me zhvillimin e nje aktiviteti në favor të çështjes tonë. Një bashkëpunim i ngushtë duhet të jetë qëllimi kryesor, tue i lanë kryesimin Gjonit ose Alushit.
b). ‘Oscar’, nën kryesinë e tij, ka me caktue dy ose tre anëtarë prej grupit të vet me kalue sa më shpejt kufirin e veriut. Këtë me ndihmën e përkrahjen e Gjonit dhe të Nik (Kol Çunit) në drejtim të Malësisë së Gjakovës – ku ka me marrë kontakt me Tahir Hoxhën dhe me ndihmën e tij duhet të kalojë kufirin sa më parë.
c). Ari, pjesëtuar në tri pjesë, resp. Alushit, Gjonit dhe Nikit, ka me u dorzue nga ana e ‘Oscar’, në prezencën e dy anëtarëve të grupit te tyre.
d). Udhëzime të veçanta për Alushin, Gjonin dhe Nikun, sa i përket ndonjë ndërhymje të armikut. Nëse ju të tre gjinden nën presion të ndokujt, njoftoni menjëherë ‘Oscar’, sepse është i ngarkuar me ju dhënë shifrat e komunikimit urgjent. Këto i din vetëm ai. Udhëzime ‘Oscar’ për veprim të menjëhershëm. Këto informata duhet të mblidhen:
- Gjendja në Kosovë, duke zbuluar objektivin e autoriteteve jugosllave lidhur me Shqipërinë.
- Cilat janë forcat reale të emigracionit shqiptar në territorin jugosllav, d.m.th., në Kosovë. Numri, organizimi, prijsat, trajtimet e autoriteteve jugosllave. Sidomos duhet të përmenden emrat e atyre që gëzojnë besimin e autoriteteve jugosllave resp. të atyre që kanë ra ose janë në rënie e sipër nën ndikimin e tyre.
- Deri ku shqiptarët e Kosovës e pëlqejnë ose nuk e pëlqejnë qëllimin e Jugosllavisë, sa i përket ndërhyrjes së saj në Shqipëri. Shëno njerëzit që janë në favor ose kundër.
- Çdo gjë që mundesh për të kuptuar mbi veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Jugosllavisë në territoret shqiptare, në të dy anët e kufirit. Kufizoj informacionet ekskluzivisht në Shqipëri.
- Cila është gjendja nga pikëpamja ushtarake ne Kosovë. Shëno garnizonet: forcat, llojet e armëve (mundësisht) oficerët komandues, aeroportet dhe të gjitha informatat në lidhje me një veprimtari ushtarake në të ardhmen e afërme.
- Mundësisht një pasqyrë të gjendjes ekonomike në Kosovë, duke përfshirë aktivitetin e minierave të Trepçës, Obiliqit, Streckës, Allatinit dhe të Zlletovës në Maqedoni. Versioni shqip i këtij teksti udhëzimesh, lexohet me vështirësi për arsye se dorëshkrimi i Devës i imtë dhe me lapës, gati është shlyer. Këtu kemi sjellur përkthimin e versionit anglisht, i cili, ashtu si raportet e tjera të kësaj natyre, bëheshin edhe anglisht për Zyrën Amerikane të Shërbimit të Jashtëm.
Udhëzimet e Devës dhënë grupit të tij parashutist janë të hollësishme dhe të gjithanshme. Ai me kolegun e tij amerikan, Roger, kërkojnë të dhëna të sakta, qoftë edhe nga fshatrat më të thella të vendit, sidomos te Rrafshit të Dukagjinit. Si p.sh., cilat familje ishin dëmtuar kohët e fundit, sa kishte depërtuar influenca e spiunazhit jugosllav në këto familje, ku mund të mbështeteshin në rast të zbarkimit eventual, ku mund të rekrutoheshin njerëz për luftë, nëse bëhej zbarkimi me një forcë të konsiderueshme për të shpërthyer kufirin nga Malësia e Gjakovës, etj. etj.
Tani te kthehemi te zbarkimi fatal i Grupit Kosovar. Në ora 23:05 minuta të datës 26 gershor 1950, fillon hedhja e parashutistëve. Para se të binin në tokë, fillon ndeshja e përgjakshme luftarake midis forcave te Alush Leshanakut, që ishin nja tetë veta në pritje, dhe forcave të policisë që kishin rrethuar vendin. Aty ndeshja me armë vazhdon afër dy orë dhe Riza Osmani e Nue Frisku, vriten gjatë zbarkimit, duke hapur zjarr prej ajri. Në ndeshje e sipër plagoset prof. Alush Leshanaku. Aty plagoset edhe Gjon Gjinaj, që me forcat e veta kishte futë në rrethim te fortë forcat e policisë, të cilat kishin rrethuar Alushin me grupin e tij.
Parashutistët kosovar nxirren nga rrethimi dhe tërhiqen së bashku me të plagosurit nga territori i luftimit. Persona të ndodhur në atë ndeshje, bëjnë fjalë në letra me njëri tjetrin, për qëndresën heroike të forcave te Gjon Gjinajt dhe të Alush Leshanakut. Si mbas njoftimeve të mëvonshme me radio, nga forcat policore komuniste, vriten dhe plagosen nëntë veta. Mbasi kalojnë dy muaj nëpër malet e Mirditës, parashutistët kosovar, nisën për në Malësi të Gjakovës. Udhëheqësi i grupit, ‘Amedeo’ (Destan Berisha), e njofton Devën nga terreni, me anë të radios marrë-dhënëse.
Amedeo. Nr. 22 12/9/1950. “Ndodhemi në udhëtim e sipër. Sonte kaluem Drinin. Ndodhemi në Malësi të Gjakovës. Në Tropojë. Mbasi të zamë qendrën, do t’ju lajmëroi”. – Amedeo Për Amedeo. 12/9/50 “Mbërrita prej udhëtimit të gjatë. Veprimtaria e juaj në zonën ku ndodheni, asht nji prej shërbesave tona për çështjen kombëtare. Në bashkëpunim të ngushtë me Tahir Hoxhën, priten informata të sakta dhe të shumta mbi lëvizjet ushtarake në të dy anët e kufirit. Qëndroni aty ku jeni. Tahir Hoxhës të fala të përzemërta.” – Xhaferi.
Parashutistët e Devës nuk e kishin terrenin e përshtatshëm në Kosovë si ata të ‘Bllokut Kombëtar Indipendent’ në Mirditë dhe Shqipërinë e Veriut. ‘Blloku’ kishte çeta të forta nëpër male dhe parashutistët u bashkëngjiteshin menjëherë atyre. Ata kishin krijuar edhe besimin në popullsinë e vendit, ku vepronin çetat dhe gjenin strehim e mbrojtje. Kurse misionarët e Devës, që mund të quhen lirishtë vullnetarët e vdekjes, kalonin të përcjellur prej çetave Mirditore deri në Shqipëri të Veriut dhe pastaj çdo gjë varej në kontaktet e tyre familjare brenda në Kosovë, gjë që e trazonte Xhafer Devën më së tepërmi.
Në Kosovë nuk kishte më çeta që vepronin maleve, prandaj Xhafer Devës i duhej, të përgatiste parashutistët kosovar në formën tradicionale; në mbështetje për strehim tek të afërmit ose miqtë e tyre personal. Për tre muaj, mbas orëve të stërvitjes ushtarake, Xhafer Deva kalonte orë të tëra me grupin e vet parashutist, duke i’u shpjeguar në hollësi hartat topografike dhe duke biseduar rreth lidhjeve të tyre familjare në Kosovë, dhe kujt mund t’i afroheshin për strehim. Si mbas korrespondencës së Devës me Shaqir Kabashin dhe Destan Berishën, dy prej parashutistëve, Hajredin Vuçiterni, kishte bërë një veprim fatal qysh në fillim, kur hynë në Kosovë.
Mbas disa muaj strehimi në Kosovë, në vend që të priste të vihej në lëvizje, ai bien në kontakt me Sheh Hasanin cili, i kishte thënë se mund t’ia shpëtonte jetën, nëse ai punonte për UDB-ën. Deva i kishte këshilluar me kohë njerëzit e vet, se duhej të qëndronin larg Sheh Hasanit dhe Hysen Prushit, për arsye se ata ishin bâ çerdhe e UDB-ës. Tahir Hoxha i Gashit, e kishte njoftuar Devën me kohë, që nga mesi i vitit 1949, se të paktën në rrethet e kufirit verilindor, midis Kosovës dhe Shqipërisë, nuk vepronte ndonjë çetë kosovare dhe se çeta e tij, ishte zvogëluar në shtatë veta.
Tahir Hoxha ishte vu në kontakt me Xhafer Devën nga mesi i vitit 1949, me anë të Pal Bib Mirakajt, i cili ishte ndërlidhës i grupit të çetave te Mirditës dhe të Pukës, me çetën e Tahirit në Malësi te Gjakovës. Si mbas letrave të Devës, Sheh Hasani e kishte takuar Hajredinin para se t’a njoftonte UDB-ën dhe i kishte thënë atij, se për ta bindur UDB-ën, duhej të pohonte se ai e kishte vrarë Kapiten Riza Osmanin dhe i kishte marrë arin që kishte me vete për grupin e tij dhe grupin e ‘Bllokut Kombëtar Indipendent’. Mbas disa muajsh Hajredini, kthehet me mision të UDB-ës në Itali, për të vrarë Xhafer Devën dhe një prift kroat, të grupit të ustashëve, që UDB-a e cilësonte të rrezikshëm, emri i të cilit, nuk përmendet në letrat e Devës.
UDB-a e kishte pajisur Hajredinin me një pasaportë dhe qitë në Trieste të Italisë. Me të marrë vesh se Hajredini ndodhej në Trieste, Xhafer Deva, i shoqëruar nga nje oficer amerikan, shkon ne Trieste, e nxjerr Hajredinin nga burgu i policisë dhe e sjell ne Romë. Hajredini i tregon Devës në hollësi planet e UDB-ës dhe personin me të cilin duhej të takohej në Ambasadën e Jugosllavisë në Romë, i cili si mbas letrave të Devës, është nje person me mbiemrin Popoviq, kushëri i afërm i Milladin Popoviqit, ose vëllai i tij.
Disa vjet më vonë (15 shtator 1962) Deva i shkruan Destan Berishës një letër të gjatë në të cilën ndodhet edhe ky paragraf për Hajredinin: “Nuk kam pa ma budall se Hajredinin. Ai pohon në UDB-e, se e ka vra Rizan, kurse Rizaja asht vra ne Shqipni, nga forcat e policisë, e për vrasjen e të cilit, ti e shumë të tjerë jeni dëshmitarë. Ai u thotë atyre, se e ka marrë arin, kurse ari i asht dorëzue në rregull Kol Çunit i cili, ka njoftue menjëherë qendrën në Romë, se të hollat dhe materiali tjetër, asht dorëzue në rregull. Ai bahet mik i Sheh Hasanit, tue qenë i njoftuem prej nesh, se Sheh Hasani me shumë të tjerë, ishin në shërbim të UDB-es. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016