Nga Sejfi Vllamasi
Pjesa e tretë
Memorie.al / Nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, mbërrijnë delegatët e popullit dhe një shumicë patriotësh, prej brenda e jashtë Shqipërisë dhe, më 28 nëntor të vitit 1912, në mes të një entuziazmi të madh, pas 450 vjet robërie, u ngrit flamuri kombëtar dhe u shpall pavarësia e Shqipërisë. U formua një qeveri nën kryesinë e Ismail Qemalit, në të cilën merrte pjesë edhe Preng Bibdod Pasha, si nën kryeministër dhe Esat pashë Toptani si ministër i Brendshëm. Kur Ismail Qemali mbërrin në Vlorë, Seit Qemali, Murat Tërbaçi, Alem Mehmeti dhe shumë patriotë të tjerë, si rezervistë, luftonin kundër ushtrisë greke në Llogara. Këta, me t’u informuar mbi qëllimin e ardhjes në Vlorë të Plakut, e ngritën flamurin kombëtar në ballë të luftës, para se të ngrehej në Vlorë.
Situata në Shkodër
Në luftën ballkanike muhamedanët e Shkodrës luftuan 7 muaj rresht, krah për krah me ushtrinë turke. Edhe vullnetarët dibranë, kanë marrë pjesë në luftë dhe kanë luftuar heroikisht kundër fuqive serbe, në luftën e Bërdicës. Malësorët katolikë të Malësisë së Madhe, që kishin marrë pjesë në kryengritjen e 1911-s kundër Turqisë, të gabuar, e ndihmuan ushtrinë malazeze.
Mbas marrëveshjes për mbrojtjen e Shkodrës nën flamurin kombëtar, Hasan Riza Pasha u vra. Esati ia dorëzoi Shkodrën ushtrisë malazeze dhe kjo u detyrua t’ia dorëzojë fuqive detare ndërkombëtare. Më vonë Shkodra, iu dorëzua fuqive tokësore ndërkombëtare, me përjashtim të Rusisë, të cilat u vunë nën komandën e kolonelit të Britanisë së Madhe, Filips. Këta ngrehën një administratë me nëpunës shqiptarë.
Esati me anë të partizanëve të tij, Alush Lohjes me shokë, mundohej ta vinte Shkodrën nën ndikimin e tij. Për këtë qëllim, dispononte mjete financiare të mjaftueshme të dhëna nga Franca, e cila mundohej në favor të influencës sllave, kundër Austrisë. Nga ana tjetër, në Shkodër u formua “Klubi Bashkimi”, prej 12 anëtarësh, 6 katolikë e, 6 myslimanë, i cili përfshinte nacionalistët e asaj kohe.
Në muajin shkurt 1913, në Shkodër bëhet një mbledhje, ajo e Malevet, e cila përfshinte elementët pro e kundër Esatit, në të cilën mori pjesë edhe abati i Mirditës. Si orator që ishte, fjalën ia dhanë Nikollë Mirashit, esadist prej Kastratit, për të shpjeguar qëllimin e mbledhjes, i cili u shpreh si vijon: “Masi Esati me Ismail Qemalin, janë shqiptarë e vëllazën, ne do të shkojmë te Esati”.
Ded Gjoluli i përgjigjet: “Fjala jote nuk vlen, masi ti je malazias”. “Në qoftë se vetë jam një herë malazias, ti je njëqind herë austriak”, i thotë Nikollë Mirashi. Ded Gjoluli ven dorën në pushkë, por abati hyn midis dhe evitohet kështu një kasaphane. Pas kësaj u shpërnda mbledhja.
Cuf Lohja (nipi i Alush Lohjes) dhe Nikollë Mirashi, mbas mbledhjes së shkurtit, bëhen gati të shkojnë te Esati me 900 malësorë, prej të cilëve Esati mbajti vetëm 50 vetë. Këtë fuqi Esati e donte, me qëllim që ta bashkonte me fuqitë e Shqipërisë së Mesme, të përmbyste Vidin dhe të deklarohej vetë kryetar shteti. Si Cufi ashtu edhe Nikollë Mirashi, kanë qenë agjentët e Esatit, por Cufi ka qenë edhe komandant i fuqive vullnetare. Esati shkon për të marrë Vidin dhe malësorët u kthyen në Shkodër, në pritje të urdhrave të tij.
Esati, kur u kthye nga Gjermania në çifligun e tij në Laprakë të Tiranës, thërret Cufin dhe Marashin, prej të cilëve kërkoi 2.000 vetë malësorë, brenda 3 ditëve. Dhe kur këta ishin duke përgatitur fuqinë, u hap lajmi se Esati u bombardua nga Princ Vidi dhe se doli jashtë Shqipërisë. Cufin me Marashin, i thërret kolonel Filipsi, i cili u thotë të dyve, që ato fuqi do të shkonin në ndihmë të Esatit, t’i jepnin nën komandë të Preng Pashës, në ndihmë të Princ Vidit. Këta të dy refuzuan.
Esati niset prej Napolit në Paris, ku lidhet me Qeverinë frënge, e më vonë shkon në Athinë e në Nish. Prej Nishit, i dërgon një letër Alush Lohjes në Shkodër, me Selim Xhijën nga Peqini, ku e këshillon Shkodrën të lidhet me “ehli kijamin” (popullin kryengritës), për kundra Princ Vidit.
Në kështjellën e Shkodrës, flamuri ka qenë kuq e zi, për të cilin mbetën dakord të dy palët, mbasi myslimanët, me gjithë “Fetva”-në që kishte dhënë Myftiu i përgjithshëm në Vlorë, Haxhi Vehbi Dibra, nuk e pranuan flamurin me shkabë. Katolikët kanë qenë për Vidin, e me politikën e Austrisë, ndërsa myslimanët me propagandën e Esatit, më parë qenë për mbret mysliman. Më vonë, kur Esati shkoi të marrë Princ Vidin, përveç Alush Lohjes, u kthyen kundra tij (Esatit).
***
Në kohën e administratës ndërkombëtare në Shkodër, marrëdhëniet midis myslimanëve dhe katolikëve kanë qenë më të ftohta, sesa në kohën mbas Kushtetutës turke. Në këtë kohë, midis dy elementeve fetare të qytetit të Shkodrës, animoziteti ka qenë më i theksuar se në çdo vend tjetër të Shqipërisë, mbasi shumica katolike e Prefekturës së Shkodrës sundohej nga pakica myslimane, që kishte shumën në qytet. Myslimanët, të favorizuar nga Qeveria turke, kanë marrë pjesë aktive në administrimin e vendit, e cila pjesëmarrje ka qenë e shtrirë deri në male me anë të një sistemi primitiv, me “Kër Serdaran” e me “Kanunin Xhibala” (“Ligjin e Maleve”).
Myslimanët e konsideronin veten më të aftë se katolikët në administrimin e vendit, siç ka qenë edhe ndër viset e tjera të Shqipërisë, mbasi myslimanët kanë qenë nëpunës dhe të
lidhur me prona, ndërsa katolikët merreshin me zejtari e tregti. Myslimanët, duke u marrë me administratë dhe me rregullimin e konflikteve jashtë qytetit, prej shumë kohësh kishin fituar një farë kulture praktike shtetërore dhe një aftësi administrative.
Me përkrahjen politiko-financiare të Austro-Hungarisë katolikët ndërtuan Kolegjin Saverian të Jezuitëve, shkollën fillore të Françeskanëve dhe të Murgeshave. Kështu kanë kontribuar në lëvrimin e gjuhës kombëtare.
Animoziteti që ngjiste herë mbas here midis dy palëve, është shkaktuar më tepër prej interpretimeve të gabuara të ngjarjeve, prej fjalëve e akteve prekëse të njërit ose të disa personave, të shtyrë nga të huajt ose të çmendurve fanatikë, dhe gabimisht e padrejtësisht është akuzuar, ana ku bënte pjesë fajtori. Nga ana tjetër, me zhdukjen e papritur të sundimit turk dhe me instalimin e një regjimi ndërkombëtar, me një administratë moderne, u krijua një situatë e re për të dy palët. Pasi katolikët kanë qenë të përgatitur në gjuhën kombëtare, u favorizuan për nëpunës, ndërsa nëpunësit e vjetër muhamedanë, pasi u mungonte ajo përgatitje, mbetën jashtë kuadrit. Kjo përmbysje e situatës, pati efekte shpirtërore dhe materiale, mbasi ana muhamedane u prek në sedër dhe në interes.
Nga ana tjetër, shumica dërrmuese e myslimanëve, ka qenë për një mbret muhamedan, të cilin e konsideronin si një garanci për mos cënimin e besimit të tyre në të ardhmen. Në Shkodër, në kohë të internacionalit, botoheshin gazeta të ndryshme. Ndër to “Sadai milet” (“Zëri i Popullit”), që botohej në gjuhën turqishte, bënte propagandë dhe luftonte për një mbret mysliman. Kjo gazetë drejtohej prej një komisioni të përbërë prej 6 vetash, nga paria e vendit, midis të cilëve Musa Juka dhe Ymer Lutfia, kanë qenë më aktivët.
Kontradiktat e vjetra dhe të reja midis dy elementeve të qytetit, kishin shkaktuar një gjendje anarkike në Shkodër. Veç kësaj, si Esati edhe xhonturqit, zhvillonin një aktivitet të madh për ta kthyer situatën, gjithsecili në favor të vet. Teza e xhonturqve “Bashkimi i Shqipërisë me Turqinë”, u quajt një ëndërr e parealizueshme nga ana e muhamedanëve. Myftiu i Shkodrës, Adem Efendiu, iu përgjigj Beqir Grebenesë: “Ne Turqinë s’mundëm me e mbajt, kur e kishim këtu, e jo ta biem prapë; një pretendim i tillë, na skandalizon përpara opinionit botnor”.
Në fillim katolikët, nën kryesinë e Imzot Serreqit, Arqipeshkvit të Shkodrës, shkuan në Durrës dhe i bënë aktin e nënshtrimit Vidit. Më vonë edhe shumica e popullit mysliman, mbasi bënë një mbledhje në Xhaminë e Plakës, ku çështja u diskutua nga pikë-pamja fetare e kombëtare, pranuan që Vidi të njihej si Mbret i Shqipërisë. Për këtë arsye nga mbledhja, zgjidhet një komision prej 18 vetash, për të shkuar në Durrës e për të bërë aty aktin e nënshtrimit.
Xhemal Najipi, Kadiu i Shkodrës, merr një letër rekomandimi nga kolonel Filips, për Vidin, që ta pranonte komisionin në audience drejtpërdrejt, pa ndërmjetësin e Esat Pashës. Komisioni pranohet në marsin e 1914-ës, në orën 2:00 mbas dite dhe kështu Shkodra e njohu Vidin. Mbas pak ditësh edhe Alush Lohja, në krye të malësorëve, partizanë të tij, shkoi në Durrës për ta njohur Vidin.
Kryengritja e popullit të Shqipërisë së Mesme kundër Vidit
Esati, pasi e nxiti popullin e Shqipërisë së Mesme, për kryengritje kundër Vidit, me qëllim që të bëhej vetë kryetar i shtetit, u detyrua të largohej nga Shqipëria. E para qe Kavaja, ajo që ngriti flamurin e Turqisë. Kundër kësaj, qeveria vendosi të dërgojë një fuqi, më 23 maj 1914, të përbërë prej një kompanie xhandarësh dhe vullnetarësh të malësorëve të Shkodrës, që kishin ardhur në Durrës, për mbrojtjen e Vidit. Në çastin kur kjo fuqi do të nisej, në Durrës mbërrijnë me ngutësi prej Tirane, Murat e Tefik Toptani, të cilët gjendjen e atjeshme e treguan alarmante dhe kërkuan fuqi. Atëherë qeveria e ndryshoi planin dhe nën komandën e kapitenit Sarr, holandez, nisi një kompani xhandarësh, me toger Bajram Fevzinë në krye, vullnetarët malësorë dhe 20-30 vullnetarë nacionalistë, bashkë me Reuf Ficon, si nënprefekt i Tiranës.
Kjo fuqi niset mbas mesnate dhe bën një pushim në Shijak. Kur në mëngjes do të nisej për Tiranë, vullnetarët malësorë, u panë të niseshin, duke thënë: “Na kena ardhë që të mbrojmë Vidin, e jo të luftojmë” dhe u kthyen për në Durrës. Atëherë kapiten Xhavit Leskoviku, lajmëron kapiten Sarrin që të ktheheshin për Durrës, mbasi me një fuqi kaq të vogël, s’mund të niseshin për Tiranë. Sarri insistoi, por më në fund pyetën komandën me telegram urgjent në Durrës. Ky telegram mjerisht, bie në dorë të gjeneral Dewerit e, jo të kolonel Tomsonit, i cili dha urdhër për nisje. Fuqia u nis, por prej katundit në kodër të majtë të Shijakut, filloi lufta dhe mbas pak kohe, fillojnë të zbrazen pushkë nga të gjitha anët.
Fuqia qeveritare tërhiqet në kodër të djathtë të rrugës dhe shtrëngohet të kthehet në Shijak, ku shumica e xhandarëve hyjnë në një godinë qeveritare me baltë dhe tjetër në shkollë. Fillon lufta dhe disa xhandarë u vranë, nga plumbat që përshkonin muret e ndërtesës prej balte.
Kapiten Xhavit Leskoviku, shtatmadhor, e këshilloi Sarrin që në tërheqje e sipër, të mos qëndronin në Shijak, por të zinin Rrashbullin, për të evituar rrethimin. Por Sarri, që nuk e njihte vendin dhe zakonet e popullit, nuk e dëgjoi. Atëherë fuqia qeveritare u dorëzua, por dhe shijakasit më vonë u penduan dhe për t’iu shmangur përgjegjësisë eventuale, thanë se qeveria e ka prishur besën. Kapiten Xhavit Leskoviku, u përgjigj; “Sido që u bë, ne do të nxjerrim një dekret-falje prej Vidit, e çështja të mbyllet me kaq”.
Sarri shkon në Durrës dhe mori dekretin, por mjerisht u kthye vonë. Shijakasit zunë Rrashbullin, para se ta zinin vullnetarët nacionalistë, me të cilët kam marrë pjesë edhe vetë. Komandanti i kësaj force, që përbëhej prej 50-60 vetave, qe kapiten Meleq Frashëri, i cili e këshilloi gjeneral Dewerin, duke i thënë se, nuk mund të sulmohej Rrashbulli, me një fuqi aq të vogël dhe pa një përgatitje ushtarake!
Gjenerali holandez, që nga çdo pikëpamje nuk ka qenë në nivelin e lartë të misionit të tij, nuk e pranoi mendimin e tij dhe urdhëroi që të fillonte sulmi, më 23 maj 1914. Meleqi i hipur kalit, së bashku me vullnetarët, sulmon drejt rrugës në të dy krahët e saj. Meleqi u plagos dhe u vranë nga vullnetarët 13 veta, midis të cilëve edhe Ceno Shara dhe Haki Glina. Një pjesë e vullnetarëve u bë rob dhe pjesa tjetër u tërhoq drejt Durrësit.
Me disfatën e plotë të vullnetarëve, rruga e Durrësit ishte e hapur për rebelët. Durrësi në panik, priste ardhjen e tyre dhe Vidi, bashkë me qeverinë e tij dhe një shumicë personalitetesh, u futën në vapor.
Vidi dërgon Mehmet Pashë Drallën, me flamur të bardhë në dorë, për armëpushim. Lufta vetiu kishte pushuar, por kryengritësit, nuk ditën të përfitonin nga fitorja e tyre e papritur. Në atë kohë, një pjesë e kryengritësve të Kavajës, duke i rënë bories shkuan në Shijak, të cilët u bënë shkak të prishej marrëveshja dhe të mbeten pa i liruar robërit e luftës, kur kapiten Sarri, mbajti një fjalim përpara kryengritësve, e në mbarim të fjalimit të tij, thirri; “Rroftë Shqipëria”!, ata iu përgjigjën; “Rroftë Baba Dovleti”! (Rroftë Mbreti i Turqisë).
Më vonë mbërrin në Shijak, Komisioni i Kontrollit, ku delegati i Austrisë, August Krali, gjeneral Konsull, u mbajti një fjalim shqip kryengritësve, duke u thënë: “Babën që ju kërkoni, nuk e përzunë shqiptarët, por e përzunë me luftë armiqtë tuaj, serbët dhe grekërit. Ai u detyrua të ikë vetë nga Shqipëria. Këto gjëra që bëni ju, janë budallallëqe, prandaj hiqni dorë, se do të vinë serbët e do t’u therin të gjithëve”.
Robërit u liruan. Kolonel Tomsoni informohet mirë mbi zhvillimin e ngjarjeve, nga kapiten Xhavit Leskoviku dhe e dizaprovon urdhrin e Dewerit, për nisjen e fuqive në Tiranë. Mandej kërkon nga qeveria shqiptare, që të zgjedhë njërin prej të dyve për komandant. Qeveria zgjodhi Tomsonin dhe lajmëroi qeverinë holandeze, për sa u tha më lart, e cila e thirri Dewerin.
Tomsoni bashkë me Xhavit Leskovikun, përgatitën një vijë mbrojtjeje, mbasi mendohej se kryengritësit me siguri do ta sulmonin Durrësin. Vija e mbrojtjes e cila fillonte nga Ura e Dajlanit, deri në Bishti i Pallës, mbrohej vazhdimisht prej xhandarëve dhe vullnetarëve.
Më 23 maj 1914, Tirana ra në duar të kryengritësve
Më 15 qershor, afër të gdhirit, kryengritësit sulmuan Durrësin nga Bishti i Pallës, me 500-600 shijakas dhe nga Ura e Dajlanit me kavajas, të komanduar nga sheh Hamdi Shijaku. Fuqia qeveritare, e priti sulmin me trimëri. Që të dy palët kanë luftuar me heroizëm. Kryengritësit u thyen, duke lënë shumë të vrarë. Komandanti i tyre Sheh Shamdiu u plagos dhe u shërua në spital të Durrësit. Në luftën nga ana e kodrave, u vra kapiten Kamber Sejdini, patriot veteran dhe një nga oficerët më të dalluar të Shqipërisë.
Kolonel Tomsoni, bashkë me disa krerë të vullnetarëve, ishte në Gazhane, ku kontrollonte luftën. Një kavajas, kalon tinëzisht nga Ura e Dajlanit e nëpër det, i afrohet Gazhanës, fshihet prapa një shkoze dhe prej andej qëllon e vret Tomsonin. Mbas atij, vret dhe Ajdin Dragën, të vëllanë e Nexhip Dragës, pa u kuptuar aspak, se nga vinin plumbat. Por, një xhandar kurveleshas, e dikton kavajsin dhe midis dy palëve fillon një duel qitjesh, e cila merr fund me vrasjen e kavajasit.
Vrasja e kolonel Tomsonit, bëri një përshtypje jashtëzakonisht të madhe në Durrës dhe pati një efekt gati vendimtar, mbi fatin e ngjarjeve të asaj kohe. Kryengritja e popullit të Shqipërisë së Mesme, ka qenë një komplot i organizuar nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm të Shqipërisë, për të penguar stabilizimin e shtetit shqiptar, të krijuar nga gjashtë Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës, me Vidin si mbret, dhe për të krijuar kështu kushte të reja në favor të tyre, sipas qëllimeve që ndiqte çdo pjesëmarrës në komplot.
Armiqtë e brendshëm: a) Esat pashë Toptani me partizanët e tij, qëllimi i të cilit ka qenë të përzëjë Vidin, të rrëzojë qeverinë e tij dhe të deklarohet vet kryetar i shtetit shqiptar; b) turkomanët, si Musa Qazimi, myftiu i Tiranës, dhe Qamil haxhi Feza (elbasanas) etj., të cilët donin bashkimin e Shqipërisë së Mesme me Turqinë, por në qoftë se kjo do të ishte e pamundur, atëherë zgjedhjen e Burhanedinit, të birit të Sulltan Hamitit, si Mbret i Shqipërisë.
Esati në fillim pranon mendimin e turkomanëve, me qëllim që të sigurojë bashkëpunimin e tyre për përmbysjen e situatës. Armiqtë e jashtëm, kanë qenë: xhonturqtë, Franca, Italia, Greqia, Serbia dhe Mali i Zi. Këta të gjithë, me përkrahjen efektive që i bënin Esatit dhe turkomanëve, donin copëtimin e Shqipërisë. Ndërsa masa kryengritëse, e fantazuar nga propaganda esadiste dhe e turkofilëve, donte të përzinte Vidin e, t’u bashkonte prapë me Babën.
Populli i Shqipërisë së Mesme, me një karakter muskulor dhe thellësisht fetar, ka jetuar larg barbarizmave serbo-greke. Ky popull, i udhëhequr prej njerëzve fanatikë e ambiciozë dhe me një nivel politik tepër të ulët, u hodh pa rezerve, në një luftë fanatike kundër vendit të vet, duke u shërbyer pa ditur armiqve të jashtëm të tij.
Kryengritja kundër Vidit, filloi në një kohë të volitshme për armiqtë e vendit e, pikërisht kur populli i Shqipërisë së Jugut, ka qenë i angazhuar në një luftë për jetë a vdekje me grekët, për të mbrojtur vendin e vet kundër invadimit, kundër autonomisë vorio-epiriote dhe qeverisë së saj të kryesuar nga Zografosi, nga Qestorati. Po këto lodra kriminale, i bënte edhe kryeministri i Serbisë, Pashiqi, për të ngrehur një qeveri të llojit të Zografit në Dibër, nën kryesinë e Arif Hiçmetit, prej Kumanove.
Musa Qazimi dhe Qamil Haxhi Feza, në majin e 1914-ës bënë “Besëlidhjen e Krujës”, ku vendosën luftën kundër Vidit dhe bashkimin e Shqipërisë me Turqinë, me mbret Burhanedinin në krye. Në fillim të qershorit, ‘ehli-kijami’(populli kryengritës) zaptoi Krujën dhe Kavajën. Kryengritësit në vendet e shkelura, formonin këshilla ndër qytetet dhe fshatra, të cilat zgjidhnin këshillin e përgjithshëm, që kish për mision kryesor drejtimin e kryengritjes.
Më 3 qershor, para se të shkelej gjithë Shqipëria e Mesme, bëhet një mbledhje e këshillave në Shijak, ku zgjidhet i parë Këshilli i përgjithshëm, si vijon: kryetar Mustafa Ndroqi (esadist) nënkryetar Xhenabi Adili (xhonturk), major i ushtrisë turke, dhe komandant i përgjithshëm, Qamil Haxhi Feza (turkoman) elbasanas. Kjo zgjedhje, tregon një koalicion të bërë me lëshime reciproke të pjesëmarrësve, për një qëllim të përbashkët: ta përzënë Vidin dhe ta rrëzojnë qeverinë e tij. Kryengritja vazhdonte të përhapej. Më 17 qershor, fuqia qeveritare e Azisë Pashë Vrionit, dezerton dhe Lushnja okupohet prej rebelëve, si dhe Elbasani më 2 qershor.
Mbas Elbasanit, Çermenika, Quksi dhe Mokra, njëra mbas tjetrës, bashkohen me kryengritësit. Pas okupimit të Elbasanit, Korça mbetet e shkëputur prej Durrësit dhe e vetme përballë frontit grek. Prefektura e Korçës, dërgon një fuqi mjaft të organizuar prej vullnetarëve të Kolonjës, rreth 400 veta, nën komandën e Izet Zavalanit, për të hapur rrugën e, për të siguruar lidhjet me Durrësin. Kjo fuqi, sado që u këshillua prej patriotëve të Pogradecit, që të mos e fillonte luftën në Kodrat e Pleçishtit afër Mokrës, mbasi ajo krahinë ishte bashkuar me kryengritësit, e filloi luftën kundër fuqisë shumë më të madhe të Osman Çotës. Lufta u bë e ashpër.
Ibrahim Baçi prej Mokre, dhe Muharrem Udinishti, u morën krahët kolonjarëve, të cilët u detyruan të tërhiqen, duke lënë afro 50 të vrarë, midis tyre edhe Zalo bej Prodanin. Ky i fundit plak 75-vjeçar, luftoi në shesh në formë dueli, me Azis Allën, ku mbetën që të dy. Tradhtisht u vra edhe Gani Butka, i plagosur në tërheqje e sipër, prej plumbave të ardhur nga një dritare në Pogradec. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm