Nga Arben P. Llalla
Pjesa e katërt
– Kolaboracionistët grek, projektuesit dhe udhëheqësit e gjenocidit në Çamëri (1944-1945) E vërteta e bashkëpunimit të çamëve, me gjermanët –
PARATHËNIE
Memorie.al / Periudha që kam nisur për të shkruar librin ka qenë nga viti 2008-2016, duke mbledhur materialet pak e nga pak. E kam patur tepër të vështirë për të gjetur fotografitë origjinale dhe disa gazeta në gjuhën greke, për vitet që bëhet fjalë. Shteti grek me strukturat e saj shtetërore prej rreth 70 vitesh, e ushqejnë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, me libra dhe shkrime të gënjeshtrës rreth asaj që ka ndodhur në të vërtetë nga viti 1936-1945, në lidhje me minoritetin shqiptar në Çamëri-Epiri i Jugut.
KREU III
Bashkëpunimi i vllehve me nazifashistët
(Shpallja e Autonomisë së Principatës së Pindit)
Gjatë Luftës së Parë Botërore në vitin 1917, forcat ushtarake italiane për të gjetur mbështetje në Greqi, hodhën idenë për themelimin e Principatës së Pindit me qendër Meçovën. Në krye të këtij projekti, u zgjodh Princi Alqiviadhis Diamandi, një vlleh nga Samarina e Thesalisë, me profesionin avokat. Gjatë kësaj lufte ky projekt nuk gjeti përkrahje të gjerë nga popullsia vllahe e Pindit, Princi Alqiviadhis Diamanti e braktisi Greqinë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, dhe u vendos në Rumani.
Në Luftën e Dytë Botërore, ushtria greke e drejtuar në përgjithësi nga ushtarakë të lartë me origjinë vllehe, u dorëzua lehtësisht tek italianët dhe gjermanët. Më 20 prill, 1941, e Diela e Pashkëve, gjenerali i Korpusit të Parë, vllehu Panajot Dhemestihas, gjenerali i Korpusit të Dytë, Gjeorgjio Bako, Mitropoliti i Janinës Spiridon, i cili edhe ky ishte vlleh nga Pogonia, nënshkruan dorëzimin dhe bashkëpunimin e ushtrisë greke të Epirit me gjermanët. (Mitropoliti i Janinës, Spiridon, ishte një antishqiptar i tërbuar, ai ka qenë ministër i Brendshëm në qeverinë e Autonomisë së Veriut të Epirit më 1914. Mitropoliti i Janinës, Spiridon, në vitin 1949-1956, ishte Kryepeshkop i Greqisë, ai njihej në popull me emrin “Spiridon Vllehu”, por mbiemri i familjes ishte Sito).
Pasi dorëzuan ushtrinë greke të Epirit dhe të Maqedonisë greke, gjeneralët grek me origjinë vllehe, përfituar privilegje në rang ministrash gjatë qeverive 1941-1944. Në 30 prill të 1941, ushtaraku i lartë gjerman, Afred Jod dhe ai italian, Alberto Ferrero, zgjodhën në krye të qeverisë greke kryeministër Jorgo Çolakoglu. Kryeministri Jorgo Çolakoglu, vendosi ministër të brendshëm gjeneralin, Panajot Dhemestihas, që ishte vlleh, prefekt të Trikallas u vu ushtaraku tjetër i lartë, Theodhor Sarantin, i cili edhe ky ishte vlleh. Prefekt i Larisës-Volos u zgjodh koloneli, Theodhosiso Papadheothosiu, i cili ishte vlleh. Tashmë vllehët drejtonin Greqinë dhe kjo i ndihmonte për shpalljen e pavarësisë së Principatës së Pindit.
Në maj 1941, Alqiviadhis Diamandi rikthehet në Greqi, shkon në Janinë dhe bën takime me vllehët e atjeshëm. Në verën e po atij viti, Diamandi fillon një turne në vendbanimet e vllehve, si në Samarina, Grevena, Larisa, Trikala, Elassona, e në shumë fshatra duke realizuar mbi 50 takime në këto zona, me vlleh të diplomuar në shkollat rumune dhe italiane. Gjatë këtyre takimeve me vllehët e Pindit, Diamandi hapi zyrat e Autonomisë së Principatës së Pindit në Meçovë, Janinë, Grevena, etj. Më 25 shtator 1941, Alqiviadhis Diamandi i dërgoj memorandum kryeministrit Jorgo Çolakoglu, si përfaqësues i vllehve të Pindit dhe vllehve të Ballkanit të Jugut.
Memorandumi i Diamandit përmbante në fillim disa kërkesa: a.) Emërimin e prefektëve, kryetar të komunave dhe drejtuesit vendorë, do t‟i caktojë ai. b.) Largimin e nëpunësve të përhershëm dhe transferimin e atyre që nuk janë miqësorë me këtë lëvizje. d.) Të dëmshpërblehen të dëmtuarit gjatë luftës italo-greke, dhe vllehët që u kanë afruar kafshë, lesh dhe sende të tjera për kujdesin e ushtarëve. e.) Të dënohen ata që kishin transferuar gjatë luftës italo-greke rumanozondes që kishin patur sjellje jokombëtare.
Këto ishin kërkesat kryesore të Alqiviadhis Diamandi, drejtuar kryeministrit të qeverisë së parë kolaboriste Jorgo Çolakoglu. Në vjeshtë të vitit 1941, Princi i Pindit, Diamandi u shpërngul në Larisë dhe me mbështetjen e italianëve që kontrollonin atë territori, themeloj ushtrinë “Legjionet Romake”. Në krye të këtyre trupave që përbëheshin nga vllehët, ishte Nikolao Matusi i cili kishte lindur në Samarina dhe jetonte në Larisë. Numri i vllehve që ishin me uniformë në “Legjionet Romake”, ishte rreth 2000.
Trupat ushtarake vllehe vepronin bashkërisht me ushtrinë italiane, të cilat komandoheshin nga gjenerali italian Ruzero, si në Trikalla, Elasona, Samarina, Grevena, Meçovo, Kallabaka, Larisë, Farsa. Këta terrorizonin popullsinë, u grabitnin ushqimet dhe pasurinë e tyre. Disa herë “Legjionet Romake” të vllehve, u sulmuan nga trupat partizane greke të ELAS-it.
Në 1 mars 1942, intelektualët vlleh të Greqisë dhe përfaqësues të vllehve të Shqipërisë, Bullgarisë dhe Serbisë, nënshkruan “Manifestin e Vllehve të Ballkanit të Jugut”. Në krye të listët që nënshkruan këtë Manifest të Vllahve, ishte kryetari i vllehve të Ballkanit të Jugut, Alqiviadhis Diamandi, kryetar i vllehve të Pindit, Nikolao Matusi, kryetar i vllehve të Shqipërisë, Vasili Varnduli, të Serbisë, Micele Tegojani, të Bulgarisë, Ziko Area.
Nga intelektualët vllehë të Greqisë e nënshkruan, ishin: Prof. Dimo Çutra, Dr. Kosta Taxo, Av. Xhorxhio Franko, Prof. A. Beka, Gaqi Papa, Dr. Niko Miçibuna, Prof. Dim. Kaxhigogo, Av. Kalometro, kolonel Niko Teloni, kolonel Vasilis Jorgos, Prof. Kosta Nikolesko, Prof. Jorgo Kondojani, K. Kaloera, Prof. Virxhilio Balamace, Prof. Miçele Barnda, inxhinier E. Goxhamani, inxhinier K. Stefa, inxhinier Niko A. Beka, Prof. Jorgo Balamate, inxhinier S. Peleqi, Av. K. Pituli, Av. Dim. Barnda, Av. Toli Haxhi, Joani Kopano, Prof. Zisi Haxhibira, Dr. Serxhio Triandafili, Joani Mercos, Perikli Piteni, Jorgo Gjuleka, Akile Taqi Furkoti, Atanasi Balodhimo.
Siç vërehet emrat që nënshkruan manifestin e vllehve, janë figura intelektuale të Greqisë, ata nuk ishin njerëz të rëndomtë, punëtorë, bujq, por të ngritur, që e dinin fare mirë se çfarë nënshkruanin. Pas lufte, shumica e tyre nuk u dënuan rëndë apo u përzunë nga Greqia, ashtu siç ndodhi me popullsinë shqiptare myslimane të Çamërisë, me pretekstin se gjoja ishin bashkëpunëtor të gjermanëve. Sot, fëmijët apo nipat e tyre, janë deputet, ministra, prefekt, drejtues të lartë të institucioneve shtetërore të Greqisë.
Në fund të vitit 1943, pasi po shikohej se boshti i gjermanëve po humbte luftën, drejtuesit e Legjioneve vllehe dhe pjesa më e madhe e tyre braktisën këtë uniformë dhe ju bashkuan trupave të Napoleon Zervës. Princi i Pindit, Alqiviadhis Diamanti, u largu nga Greqia dhe u vendos në Rumani. Me ardhjen në pushtet të komunistëve atje, ai u arrestua në vitin 1948, vdiq pak muaj pas arrestimit në bodrumet e Ministrisë së Brendshme në Rumani.
Kryeministri i Principatës së Pindit dhe komandanti i përgjithshëm i forcave ushtarake të “Legjioneve Romake”, Nikolaos Matusi, pas kapitullimit të Italisë fashiste më 1943, iku nga Larisa dhe shkojë në Athinë, ku bashkëpunoj me gjermanët. Pas Çlirimit të Greqisë në tetor 1944, ai u largua për në Rumani, pasi u kap nga komunistët rumun, u burgos si bashkëpunëtor i gjermanëve. Me kërkesë të Greqisë në vitin 1964, u transferua për të vazhduar burgun.
Në Gjyqin që u mbajt në Athinë, maj 1964, dëshmitar për Nikolao Matusin, u thirrën drejtuesit e lartë të EDES, për Athinën, Apostoli Papagjeorgjiu dhe drejtuesi politik, Apostol Paguco. Si dëshmitar erdhi vetëm komandanti i EDES, Papagjeorgjiu. Nikolaos Matusi në Greqi, gëzonte privilegje deri në armëmbajtje me leje edhe pse kishte qenë bashkëpunëtor i gjermanëve e italianëve, ai kurrë nuk u dënua nga gjykatat greke.
Vajza e tij, Ksenia Matusi ishte njëra nga piktoret më me emër në Greqi dhe ka gëzuar privilegje edhe pse babai i saj kishte qenë bashkëpunëtor i italianëve dhe gjermanëve, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nikolaos Matusi vdiq në moshë të thellë në vitin 1991, në Larisë.
Popullsia vllehe e Pindit edhe pse të dokumentuar zyrtarisht dalin bashkëpunëtorë të italianëve dhe gjermanëve, ata nuk u përzunë nga Greqia, përkundrazi morën në dorë drejtimin e Greqisë, dhe pjesë direkt në masakrat që ju bënë popullsisë shqiptare në Çamëri. Janë vllehët e Pindit ata që grabitën dhe shfrytëzojnë pasuritë e çamëve bashkë me orthodoksit refugjatë të ardhur nga Azia e Vogël.
Sipas historianit dhe gazetarit Dhimosthenis Kukunas, i cili ka botuar disa libra dhe dy vëllime rreth ngjarjeve të Greqisë së pushtuar 1941-1944, sjellë emrat e 8.312 vllehve që bënin pjesë në nënshkrimin e manifestit të marsit 1942 dhe në Legjionet Romake, por numri i tyre siç e kemi thënë më lartë është më i madh.
Interesant është fakti se shumica e vllehve bashkëpunëtorë të italianëve dhe gjermanëve, fëmijët e nipat e tyre gëzojnë privilegje dhe janë deputet, historianë të cilët ndër vite bëjnë propagandë antishqiptare. Pra, vllehët nuk u persekutuan apo u përzunë nga Greqia si bashkëpunëtorë të italianëve dhe gjermanëve, për një akuzë të tillë të pavërtetuar që u përzunë pa të drejtë rreth 25 mijë shqiptarë të Çamërisë.
Nga kërkimet e mia munda të vërtetojë se fëmijët apo nipat e vllehve që bashkëpunuan me italianët dhe gjermanët që gëzojnë privilegje janë: Joani Nikolao Mercos, lindi në Nimfeo të Follorinës. Banorët e këtij fshati janë vlleh dhe një pjesë e tyre të ardhur nga Voskopoja. Ishte nënshkrues i Manifestit të Autonomisë të Principatës së Pindit. Pas bashkëpunimit me italianët në Larisë, në vitin 1942, Joani Mercos u transferua në Selanik me familjen dhe aty filloj të bashkëpunonte me gjermanët nazistë.
Pas lufte u dënua me 11 vite burg. Djali i tij Nikolao Joani Mercos, i lindur më 1936, në Nimfeo të Follorinës, është avokat, shkrimtar dhe ka botuar mbi 15 libra. Nikolao Mercos, djali i bashkëpunëtorit të italianëve dhe gjermanëve ka qenë në vitin 1990-1993, këshilltar i kryeministrit Konstandin Micotaqit, për temat kombëtare të Greqisë. Merco ka bashkëpunuar ngushtë edhe me ish-kryetarin dhe ish-kryeministrin e Greqisë, Konstandin Karamanlisin.
Nikolao është figurë e nderuar e shtetit grek, por pyetja lind: Si është e mundur që djalit të bashkëpunëtori të italianëve dhe gjermanëve t’i besohen drejtimet e institucioneve të lartë të Greqisë?! Nikolao Mercos, i përket grupit të antishqiptarëve që promovon aneksimin e jugut të Shqipërisë, si dhe është mik i kryepeshkopit të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, Anastasit.
Deputeti në Kuvendin e Greqisë, Konstandin Gjulekas, i partisë Demokracia e Re, është familjar i Gjeorgjios Gjulekas, me origjinë nga vllehët e Samarinës. Gjeorgjios Gjulekas është nënshkrues i Manifestit, mars 1942, për Autonominë e vllehve të Pindit si dhe ka qenë anëtar i forcave të armatosura vllehe Legjionet Romake si dhe bashkëpunëtor i italianëve e gjermanëve gjatë viteve 1941-1944. Nuk dihet fati i Gjeorgjios Gjulekas, por deputeti në fjalë Konstadin Gjulekas, rrjedh nga e njëjta familje.
Vllehu, Konstandin Gjulekas është me profesion avokat dhe disa vite ka punuar gazetar ne qytetin e Selanikut. Që nga viti 2000, ai është deputet i Demokracisë së Re në Kuvendin e Greqisë, si dhe ka qenë disa herë zëvendësministër. Përse vllehët e Pindit kanë bërë përpjekje për një autonomi brenda Greqisë?
Gjatë periudhës së Perandorisë Osmane në krahasim me shqiptarët, vllehët kishin më shumë të drejta. Ata kishin shkollat fillore dhe të mesme në gjuhën e tyre amtare, që është e afërt me rumanishten. Lufta për asimilimin e vllehve, bëhej midis rumunëve dhe grekëve, kjo bëri që vllehët të kishin dy ndërgjegje kombëtare dhe shpeshherë të luftonin ashpërsisht njeri-tjetrit. Ishin vllehët e Grevenasë me ndërgjegje rumune, ata që vranë në tetor 1911, Mitropolitin grek Emiliaos, sepse propagandonte asimilimin e tyre.
Emrat e disa bashkëpunëtorëve vlleh
Ashtu siç thamë më lartë historiani dhe gazetarit Dhimosthenis Kukunas, sjellë emrat e 83 vllehve që bënin pjesë në nënshkrimin e Manifestit për Autonominë e Vllehve të marsit 1942 dhe në “Legjionet Romake”, që ishin bashkëpunëtor të italianëve e gjermanëve.
Ajo që bie në sy është se disa prej tyre nuk u dënuan fare, një pjesë nga 2-6 vite burg, një pakicë e vogël me burgim të përjetshëm. Vllehët që shpallën Autonominë e Pindit, që bashkëpunuan zyrtarisht me italianët dhe gjermanët nga autoritetet greke e pas vitit 1944 nuk ua persekutuan familjarët, nuk u përzunë nga Greqia.
Nuk ju hoq shtetësia greke ashtu siç ndodhi me shqiptarët e Çamërisë, të cilëve edhe pse s‟ju vërtetua asnjëherë bashkëpunimi me pushtuesit italian dhe gjerman, ata u masakruan, u përzunë përgjithnjë nga trojet e tyre, ku jetonin prej mijëra vitesh. Kjo politike klasike raciste e grekëve e vërtetuar tashmë nga librat e autorëve grek, tregon qartë ndarjen etnike dhe fetare të saj.
Alqiviadhis Konstandin Diamandi, lindi në Samarina më 1894, në një familje të pasur. Gjatë Luftës së Parë Botërore më 1917, kishte gradën nënoficer i ushtrisë greke dhe vepronte në fshatrat e vllehve të Pindit. Me përkrahjen e italianëve, atë vit themeloi ushtrinë e Principatës së Pindit dhe e vetshpalli veten Princ. Për këto veprime Diamandis u dënua nga gjykatat greke, por ai përfitoj falje nga amnistia e vitit 1927.
Në vitin 1920-1925, Alqis Diamandi ishte diplomat i Rumanisë në Sarandë, duke mbajtur kontakte me shërbimet sekrete rumune dhe italiane. Në fillim të viteve 1930, rikthehet në Greqi si përfaqësues i disa firmave rumune të drurit dhe naftës. Gjatë kësaj periudhe, Alqiviadhi filloj rekrutimet e vllehve të Thesalisë dhe Epirit, për të themeluar Principatën e Pindit me ushtrinë e saj. Me ardhjen e gjermanëve dhe italianëve më 1941, Diamadi themeloj “Legjionet Romake” të vllehve, të cilët financoheshin nga ushtria italiane.
Kryeministër dhe komandat i Principatës së Pindit, u zgjodh Nikolao Matuci. Në fund të vitit 1942, Alqiviadhis Diamantis largohet nga Greqia për në Rumani. Me ardhjen në pushtet të komunistëve në vitin 1948, atë e arrestojnë dhe vdes pas disa ditësh në burg.
Nikoloa Mattheo Matusi, lindi në 1899 në Samarina të Pindit. Pasi mbaroj universitetin në Athinë, punonte avokat në Larisë. Ishte nënshkrues i Manifestit të Autonomisë së Vllehve të Pindit, mars 1942 dhe më tek komandanti i përgjithshëm i forcave vllehe, të njohura “Legjionet Romake”. Pas kapitullimit të Italisë fashiste më 1943, iku nga Larisa dhe shkoi në Athinë, ku bashkëpunoi me gjermanët. Pas Çlirimit të Greqisë në tetor 1944, u largua për në Rumani, pasi u kap nga komunistët rumun, u burgos si bashkëpunëtor i gjermanëve.
Me kërkesë të Greqisë në vitin 1964, u transferua për të vazhduar burgun. Në Gjyqin që u mbajt në Athinë, maj 1964, dëshmitar për Nikolao Matusin, u thirrën drejtuesit e lartë të EDES, për Athinën, Apostoli Papagjeorgjiu dhe drejtuesi politik, Apostol Paguco. Si dëshmitar erdhi vetëm komandanti i EDES, Papagjeorgjiu. Nikolaos Matusi në Greqi gëzonte privilegje deri në armëmbajtje me leje edhe pse kishte qenë bashkëpunëtor i gjermanëve e italianëve, ai kurrë nuk u dënua nga gjykatat greke. Vajza e tij, Ksenia Matusi, ishte njëra nga piktoret më me emër në Greqi dhe ka gëzuar privilegje edhe pse babai i saj kishte qenë bashkëpunëtor i italianëve dhe gjermanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nikolaos Matusi vdiq në moshë të thellë, në vitin 1991, në Larisë.
Dhimostheni Nikolao Cutra, lindi më 1894, dhe ishte profesor në gjimnazin e Larisës. Gjatë qeverisë së Metaksas, u pushua nga puna me akuzën se bënte propagandë majtiste tek nxënësit e gjimnazit. Që në vitin 1941, ju bashkua idesë së Diamandit për Autonominë e Vllehve të Pindit, ishte nënshkrues i Manifestit të marsit 1941. Ishte drejtues i “Legjioneve Romake” të vllehve. Pas lufte u dënua në mungesë me vdekje. Vdiq në vitin 1961, i fshehur në rrethinat e Larisës.
Konstandin Taha, lindi në Larisë, me profesion ishte mjek. Ishte nënshkrues i Manifestit të vllehve dhe në maj 1941, themeloj “Legjionin Romak” të parë të vllehve në Larisë. Ishte drejtuesi kryesor i qendrës së “Legjioneve Romake” në Larisë. Pas lufte u dënua me 15 vite burg.
Vasileos Kristo Rapotika, lindi më 1888, në Gramusta të Pindit. Ishte njëri nga themeluesit e parë të “Legjioneve Romake”. Mori pjesë në disa beteja me italianët kundër forcave ELAS. U vra në vitin 1943, nga ELAS.
Thoma Dhimitër Pispirigos, ishte avokat nga Samarina. Ishte fanatik i propagandës për Autonominë e vllehve dhe antigrek. Gjatë kohës së lëvizjes Principata e Pindit, u rreshtua në ushtrinë italiane dhe mori gradën kolonel. Ishte anëtar i “Legjioneve Romake” dhe në Selanik ishte kryetar i Bashkësisë së Rumunëve. Pas vitit 1944 iku në Rumani, ku edhe vdiq.
Nikolao Miçibuna, ishte mjek nga Grevenaja dhe nënshkrues i Manifestit. U bë drejtues kryesor i lëvizjes së Autonomisë së vllehve në Grevena. Pas kapitullimit të Italisë më 1943, u vendos në Selanik. Pas lufte u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm