Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon për herë të parë disa pjesë nga seanca parlamentare e 30 qershorit të vitit 1994, kur Kuvendi Popullor, në unanimitet të plotë, vendosi që 27 qershori, të futej në kalendarin kombëtar, si ‘Dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek’. Kush ishte deputeti që mori i pari nismën për miratimin e asaj rezolute dhe disa nga diskutimet e deputetëve të tjerë si: Halit Shamata, Mendu Dërguti, Ihsan Çabej, Sadik Bejko, Moikom Zeqo etj., të cilët me argumente dhe fakte historike evidentuan masakrat e shovinistëve grekë ndaj Çamërisë, për afro një shekull. Rezoluta në fjalë asokohe gjeti mbështetje dhe u firmos edhe nga një grup deputetësh të tjerë, si: Azem Hajdari, Vasil Gjika, Shaban Memia, Pjetër Pepa, Ibrahim Vasjari, Gëzim Luli, Mitro Çela, Lindita Prifti, Esat Çoku, Afrim Jupi, Natasha Shehu, Uran Butka, Ihsan Çabej, Tomorr Malasi, Moikom Zerqo, Tonin Ujka, Blerim Çela, Kujtim Gina, Halit Shamata, Kol Tonaj etj.
Plot 27 vjet më parë, më 30 qershor të vitit 1994, gjatë një seance plenare, Kuvendi Popullor i Shqipërisë vendosi me unanimitet të plotë që 27 qershori, të futej në kalendarin kombëtar si ‘Dita e genocidit ndaj Shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek’. Ajo nismë u mor nga deputeti Abedin Elmazi (me origjinë çame) dhe gjeti mbështetje e u firmos edhe nga një grup deputetësh të tjerë, si: Azem Hajdari, Vasil Gjika, Shaban Memia, Pjetër Pepa, Ibrahim Vasjari, Menduh Dërguti, Gëzim Luli, Mitro Çela, Lindita Prifti, Esat Çoku, Afrim Jupi, Natasha Shehu, Uran Butka, Ihsan Çabej, Tomorr Malasi, Moikom Zerqo, Tonin Ujka, Blerim Çela, Kujtim Gina, Halit Shamata, Kol Tonaj etj. Nga diskutimet e tyre, ne kemi përzgjedhur ato të Halit Shamatës, Ihsan Çabejt, Mendu Dërgutit, Moikom Zeqos e Sadik Bejkos, pjesë nga të cilat po i botojmë në këtë shkrim.
Fjala e deputetit Halit Shamata
“Tragjedia çame apo holokausti shqiptar i maskuar, jo rastësisht në harresën e 59 vjetëve të diktaturës, është gjithsesi një çështje e hapur dhe, si e tillë, lë të hapur mjaft çështje që merren me problemin tërësor ndërkombëtar. Ajo gjithmonë përfaqëson e synon të jetë një promemorie kombëtare dhe më tej akoma, për t’i prerë udhën çdo dhune e qëndrimi shoven antishqiptar dhe antihuman, në emër të paqes dhe fqinjësisë së mirë. Përmbajtja dhe miratimi i këtij projekti përfaqësojnë një memorial të dyfishtë për njërën prej tragjedive dhe brengave më të mëdha të shqiptarëve të shtrirë në të gjithë dimensionin e shekullit me të cilin përgatitemi të ndahemi”.
Fjala e deputetit Menduh Dërguti
“Popullsia çame u shndërrua në një minoritet shqiptar brenda shtetit grek mbas vendimeve të padrejta që morën fuqitë e mëdha lidhur me kufirin jugor të Shqipërisë në vitin 1913, zonë e cila iu shkëput territorit nënë dhe kaloi si territor brenda shtetit grek. Çamëria, që përbënte Shqipërinë e Jugut ose të Poshtme, gjithnjë ka qenë e banuar nga shqiptarët dhe duke filluar nga pushtimi romak e më vonë, ai bizant e turk, ajo nuk ka pasur ndonjëherë ndryshime të qenësishme në përbërjen e saj etnike. Dokumentet që hedhin dritë për këto fakte historike shumëshekullore janë të shumta. Më lejoni të kujtoj ndonjë prej tyre, pasi koha nuk më lejon të bëj një paraqitje të plotë të problemit. Straboni, duke folur për gjuhën e Ambrahisë, theksonte se për ata që hyjnë me anije në këtë grykë deti, në të djathtë kanë Akrananet që janë grekë, nga ana e majtë është Nikopoli dhe Kastiole që janë epiriotë. Grigor Akropoliti, historian bizantin dhe kryekomandant i ushtrisë, në mes të tjerash pohonte se malet e Pindit ndajnë Epirin e vjetër dhe të ri nga toka greke. Ndërsa në periudhën e sundimit osman, të gjitha dokumentet që flasin për Vilajetin e Janinës e quanin këtë trevë me emrin Arnautllëk. Turqit osmanë, mbas pushtimit të Janinës në vitin 1431, shqyrtuan trevën e saj dhe e klasifikuan atë, siç pohon Konica, një pjesë të Shqipërisë. Janë shumë domethënëse dhe të pakundërshtueshme të dhënat që dalin nga regjistrat e administratës osmane, ku jo vetëm dëshmohet ekzistenca e popullsisë shqiptare, por dhe emrat e vendeve, qyteteve, fshatrave, në përgjithësi toponimia dhe antroponimia e këtyre regjistrave zyrtarë shprehet në trajtat e pastra shqipe e jo greke. Mendoj se gjatë kësaj periudhe të gjatë historike, ku përgjithësisht fati i dy popujve më të vjetër të Ballkanit ka qenë i njëjtë, me të mira e të këqija të përbashkëta, miqësia e bashkëpunimi kanë shprehur një domosdoshmëri. Siç kanë pohuar shumë studiues të huaj e grekë, prania e faktorit shqiptar në historinë e shoqërisë greke ka qenë e një rëndësie kapitale. Enklavat e sotme arvanite, të krijuara që në shekujt e mesjetës e kanë dhënë me bollëk gjakun, djersën, mendjen e tyre për lirinë, zhvillimin e përparimin e shoqërisë greke pa përmendur këtu faktorin shqiptar në revolucionin grek të vitit 1822, që për sa i përket dimensionit është i barasvlershëm me atë grek. Por, pikërisht pas fitores së revolucionit e krijimit të shtetit të pavarur grek, më 1830, ngjarjet marrin një kthesë të madhe. Faktori grek, që për shqiptarin ishte një mik në halle dhe në luftë për liri, kthehet në një faktor tepër të rrezikshëm për trojet shqiptare. Në këtë kohë fillon pretendimi grek për një ekspansion drejt Veriut, pra për shtrirjen në Çamëri. Tentativa të tilla janë bërë në vitin 1854, më 1873 dhe veçanërisht gjatë luftërave ballkanike të viteve 1912-1913, po nuk është arritur që Shqipërisë t’i shkëputet ndonjë copë tokë. Pas 1913-ës, filloi ekspansioni intensiv grek i realizuar nga qarqe shoviniste reaksionare që u imponojnë herë pas here forcave shtetërore zbatimin e një politike antishqiptare, antidemokratike dhe antihumane, që shkallëzohej duke marrë karakterin e fushatave kriminale, që kishin për qëllim spastrimin e plotë etnik të popullsisë çame. Ky krim i organizuar, që veproi gjatë 32 vjetëve, pra deri në vitin 1945, u realizua me mjetet më çnjerëzore si: vrasje, burgime, dëbime, internime, plaçkitje, djegie, përdhunime, masakrime masive, për të cilat dëshmojnë shumë të huaj që kanë qenë të pranishëm okularë gjatë këtyre ngjarjeve të shëmtuara dhe antihumane. Ky tmerr filloi më 23 shkurt të vitit 1913 në Paramithi, me masakrimin e 72 burrave. Pas Luftës së Parë Botërore, qeveria greke mori vendimin për dërgimin e popullsisë myslimane çame në Turqi, duke i ndërruar me emigrantët grekë të Azisë së Vogël. Ishte Lidhja e Kombeve, e cila mbasi përcaktoi nacionalitetin shqiptar në Çamëri, hodhi poshtë vendimin e qeverisë greke. Pika kulmore e masakrës çame arriti në vitet e Luftës Antifashiste, kur forcat terroriste të Napolon Zervës, Theodhoiri Vitos etj., filluan persekucionin masiv, familje të tëra u zhdukën, gra e vajza u çnderuan, pleq e fëmijë u pushkatuan, fshatra e qytete u dogjën, një masakër e vërtetë që përfundoi në vitin 1944-1945 me dëbimin e 23 mijë çamëve që u strehuan në Shqipëri, duke marrë fund shpërngulja çame dhe shfarosja e tyre etnike. Në shenjë respekti për vëllezërit tanë çamë, që u martirizuan në mbrojtjen e identitetit të tyre shqiptar, ne si komision jemi dakord që dita e 27 qershorit të shpallet në kalendarin kombëtar si dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek dhe të ngrihet në Konispol pranë trojeve martire të Çamërisë një memorial. Me këtë akt, ne jemi të bindur se realizojmë një detyrë, një borxh moral ndaj popullsisë së martirizuar çame, bëjmë një hap përpara në rivlerësimin e historisë, hedhim akoma dritë në politikën antikombëtare të diktaturës së kuqe që tragjedinë çame e la në harresë, madje dhe ta varrosë, dhe së fundi, duke institucionalizuar masakrën çame, ne e ngremë problemin çam si një aspekt të çështjes sonë kombëtare, i cili brenda normave demokratike të lirive dhe të drejtave të njeriut do të gjejë zgjidhjen e vet. Kështu, minoriteti grek e problemi çam dhe trajtimi i tyre brenda dimensioneve demokratike do të shndërrohet në ura të qëndrueshme të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërshtetëror, duke ecur në gjurmët e traditës historike të fqinjësisë së mirë e të ndihmës reciproke”.
Fjala e deputetit Ihsan Çabej
“Nuk ka fatkeqësi më të madhe, më të dhimbshme dhe më të trishtueshme kur nëna përkujton humbjen e fëmijës së vet. Është fjala për tragjedinë asgjësuese që pësoi provinca e Jugut, Çamëria, së cilës duan t’i mohojnë origjinën. Ka historianë që duan të vërtetojnë se Ballkani në lashtësi quhej Ilirian Penisola, ose Gadishulli Ilirian, i banuar kryesisht nga fise ilire, për të cilët është vërtetuar në mënyrë të prerë që janë paraardhësit tanë. Pra, siç duket, të parët tanë kanë qenë banorët e hershëm të këtyre trevave që shtrihen gjatë bregdetit Adriatik e Jon, këto të fundit quajtur prej grekëve Epir, domethënë kontinent, sepse ata ishin përqendruar kryesisht në ishujt. Vetë klasikët grekë kufirin verior të tyre e përshkruajnë te Termopilet. Por gjatë shekujve, greku u shty hap pas hapi drejt Veriut në kontinent dhe fiset ilire erdhën dalëngadalë duke u tërhequr. Dinakëria doli më fituese ndaj trimërisë. Romakët e pushtuan gadishullin dhe sundimin romak e pasoi sundimi bizantin. Në shekullin e 6-7 para erës sonë vërshuan këtu barbarët aziatikë sllavë, të cilët sot pretendojnë paradoksin absurd se Kosova e dardanëve ilirë, ardhës në këto treva brez pas brezi që nga lashtësia, na qenka djep i sllavizmit. Në shekullin e 15-të, gadishulli u pushtua prej hordhive osmane, por ndërkaq, Bizanti e kishte hedhur farën e ortodoksisë dhe të helenizimit në një shkallë të konsiderueshme në krejt Jugun e gadishullit dhe kjo rrugë nuk u ndërpre dhe prej pushtuesve, të cilëve u interesonte një shision sa më i thellë dhe sa më i ashpër i Kishës së Kostandinopojës me atë të Romës. Për këtë qëllim, Porta e Lartë krijoi në Stamboll Patriakanën, së cilës i la të administronte të gjithë kristianët e rajonit. Privilegjet që iu akorduan patrikut të parë, Geradios, u trashëguan nga pasardhësit e tij. Patriakana zbatonte me përpikmëri urdhrat e pasanikëve grekë të lagjes Fanar të Stambollit, kështu që grekëve iu krijuan të gjitha kushtet për të zënë krejt pjesën Jugore të gadishullit dhe për të helenizuar edhe krahina të tjera jo të tyret. Njëkohësisht, Kostandinopoja u bë një alternativë tërheqëse për të gjithë banorët e Ballkanit dhe në shekullin e 18-të, shqiptari, i vënë midis dy zjarreve: midis serbëve barbarë në Veri dhe grekëve grabitqarë në Jug, u detyrua të përqafonte fenë islame për të fituar kredi politike dhe për të shpëtuar nga shfarosja.
Fjala e deputetit Sadik Bejko
Për masakrat duhet folur thjesht dhe rëndë, si në ditët kur përkujtojmë zitë dhe gjëmat kombëtare. Të flasësh për këtë nuk do të thotë të flasësh për nacionalizëm. Për mua, atdhetarizmi dhe nacionalizmi janë gjëra krejt të ndryshme. Shqipëria ka një hartë, një gjeografi masakrash dhe spastrimesh që e rrethojnë në të katër anët, në të gjithë kufijtë e saj. Ajo duhet të ketë dhe librat e masakrave dhe memorialet e tyre. Shfarosja është nxitur me luftërat, djegiet, uria, në përhapjen e sëmundjeve masive si murtaja, janë masakra të vjetra dhe të reja si ajo e Manastirit, e Tivarit, e Nishit, e Çamërisë etj. Masakrat janë prirë nga një luftë e kulturës, e osmanizmit, e serbizimit, e konvertimit malazez dhe helenizimit. Ka një shkencë të tërë shqiptar vrasëse. Janë shkenctarë dhe memorandume, me libra të trashë, ka klerikë që e kanë përdorur fenë në shërbim të asimilimit, pastaj bandat e gjakatarëve xhelatë, deri edhe te ushtritë pushtuese shfarosëse. Kufijtë tanë mbajnë erën e hirit dhe të mishit të djegur për së gjalli të njeriut. Jemi një komb ende i përçarë në pesë shtete. Në këtë kuptim, masakra çame e 27 qershorit 1944 është e kundruar në tragjedinë e lashtë të shqiptarëve, veçse ajo ishte në vazhdën e shumë masakrave. Çamët provuan dëbime, madje edhe këmbimet andallagjitë. Pastaj Çamëria, së fundi, provoi edhe tragjedinë më të zezë, spastrimin etnik, është një krim që e nxitën me të gjitha ngjyrat e zeza të krimit, një krim dhe spastrim etnik klasik, në atë frymë që solli Lufta e Dytë Botërore me filozofinë fashiste për zhdukjen e racave, për djegien për së gjalli, asgjësimin absolut të racave që nuk i duam. Një zgjerim i tillë i kufijve me asgjësimin përfundimtar të një kulture tjetër, nuk mund të mbulohet me atë që çamët paskan qenë bashkëpunëtorë të fashizmit.
Fjala e deputeti Moikom Zeqo: Ja e vërteta e masakrës së Parimithisë
Në seancën e Kuvendit Popullor të datës 30.06.1994, ku mjaft deputetë në fjalën e tyre evidentuan masakrat e grekëve ndaj popullsisë myslimane shqiptare të Çamërisë, deputeti Dr. Moikom Zeqo, studiues e historian i njohur, në mes të tjerash u shpreh: “Ngjarjet dhe faktet historike në vetvete ruajnë pafundësisht autonominë e tyre, ato nuk mund të shlyhen dhe përbëjnë materien e paasgjësueshme të kujtesës kombëtare, kujtesë e cila ka të bëjë me dinjitetin, lirinë dhe individualitetin tonë në shekuj. Në këtë kuptim, është plotësisht e drejtë dhe obligim kombëtar të përkujtojmë 27 qershorin 1944 si ditën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek dhe të ngrihet një memorial në Konispol. Çështja çame është një dimension tejet i dhimbshëm i tragjedisë kombëtare shqiptare. Është e pabesueshme, po kështu është: çamët, një popullsi autoktone e stërlashtë shqiptare, nga më fisnikët e më të talentuarit, nga më të persekutuarit e kombit tonë dhe padyshim të krejt Ballkanit, me një folklor të pazakontë e mahnitës, e vitalitet të kulluar, u janë nënshtruar disa herë gjenocideve. Po genocidi që filloi më 27 qershor 1944, pra 51 vjet më parë në qytetin martir të Paramithisë, ku brenda një dite u vranë 701 burra si dhe 212 gra e fëmijë, vazhdimi i masakrës së Pargës më 28 gusht 1944, ku u zhdukën 200 vetë, në Filat dhe Vanar ku e pësuan dhe qindra të tjerë të pafajshëm, shpërngulja me dhunë nga trojet e tyre është kryevepra inferale e bandave shoviniste të gjeneralit famëkeq Napolon Zerva dhe përbëjnë një natë të Shën Bartolomeut për shqiptarët. Ky genocid ishte dhe spastrimi i parë etnik në përfundim të Luftës së Dytë Botërore në Evropë”.
Fjala e deputetit Abedin Elmazi me origjinë nga Çamëria: “Grekët nxorën fëmijët nga barku i nënës…”!
Në diskutimin e tij, deputeti Abedin Elmazi, i cili ishte i pari që mori nismën për përkujtimin e genocidit grek ndaj popullsisë myslimane shqiptare të Çamërisë, në mes të tjerash u shpreh: “Ne po diskutojmë një nga aspektet më të dhimbshme të tragjedisë sonë kombëtare, tragjedinë e fundit të popullsisë myslimane të Çamërisë, mbas një heshtjeje të gjatë të diktaturës komuniste, e cila i braktisi të drejtat dhe historinë e lavdishme të kësaj popullsie, sikundër bëri për krejt problemin tonë kombëtar. Falënderoj grupin e deputetëve, që përkrahën propozimet e bëra nga unë në deklaratën që mbajta para tre javësh në parlament, duke i paraqitur ato në trajtën e një projektligji. Falënderoj gjithashtu Kryesinë e Kuvendit Popullor dhe ato të grupeve parlamentare pjesëmarrëse, që e futën në rendin e ditës me përparësi vlerësimin historik të qëndresës së pashembullt të vëllezërve shqiptarë të Çamërisë, të cilët u martirizuan në mbrojtje të identitetit dhe qenies së tyre shqiptarë. Dita e 27 qershorit 1944 mbetet në historinë e popullit shqiptar si një nga ditët më të dhimbshme të saj. Ajo gjithashtu mbetet një nga ditët më të errëta të historisë së marrëdhënieve shqiptaro-greke, një nga dëshmitë më tipike të padrejtësive të shumta që i janë bërë kombit shqiptar. Pas shfarosjeve, persekutimeve të vazhdueshme, mohimit të çdo të drejte, si popullsi etnike dhe autoktone e lënë padrejtësisht nën sundimin grek nga fuqitë e mëdha më 1913, Çamëria dhe popullsia e saj shqiptare e besimit islam, u bënë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore viktima të një pastrimi të pashembullt etnik. Ky akt, i kryer nga bandat kriminale të shovinizmit më të tërbuar grek me gjeneralin Napolon Zerva në krye, ishte i pabesë dhe i rrufeshëm. Ishte vazhdim i një genocidi të egër të nisur që më 1913 ndaj popullsisë të pafajshme etnike dhe autoktone, krejtësisht e pambrojtur, e cila u kishte rezistuar në mënyrë shembullore nëpër shekuj me radhë rrebesheve helenizuese, ishte nga më çnjerëzorët dhe i përmasave më të mëdha që ka njohur historia, ishte unikal”. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016