Nga ARTUR AJAZI
-Dëshmia e ish-mësuesit Riza Çiftja, një nga pinjollët e familjes së pasur dhe aristokrate elbasanase, që shërbeu në fshatrat e Laçit të Kurbinit-
Memorie.al / Mes dhjetëra e dhjetëra familjesh të qytetit të lashtë të Elbasanit, padyshim edhe familja e njohur Çiftja, mbetet dera nga ku dolën intelektualët dhe patriotët, që i dhanë vlera të padiskutueshme rrethit të tyre familjar e shoqëror, qytetit, dhe pse jo edhe vendit. Duke folur mbi origjinën, historikun dhe episodet e kësaj familje, pasardhësit e familjes Çiftja, tregojnë fragmente nga historia e xhybes së qëndisur me ar për Hrushovin dhe violina e tyre, dhuratë për gazetarin Ehremburg. Nga Tasim Çiftja, i cili shpëtoi Mitrush Kutelin në kënetën e Maliqit, tek Riza dhe Hektor Çiftja që rrëfejnë historinë e familjes para dhe pas viteve ’45.
Pasardhësit e familjes Çiftja të Elbasanit, me historinë e tyre pak të shkruar, por shumë të dëgjuar, bëjnë pjesë tek ato familje që trashëguan pasurinë, kontribuuan si patriotë, por pësuan burgun dhe persekutimin në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Shekujt për këtë familje, kanë qenë me mjaft ngjarje, por pjesa më e hidhur mbetet ajo pas mbarimit të Luftës në dhjetorin e 1944-ës, ku disa prej tyre u burgosën, të tjerë u vunë në shënjestër dhe pak mundën t’i shpëtojnë furtunës që përfshiu të pasurit e Elbasanit në luftën e klasave.
Nga gjiri i familjes Çiftja, ka kontribuar për Pavarësinë e Elbasanit, mbështetës të Shkollës ‘Normale’, bamirës për qytetin e fenë. Ndër breza ka shumë mësues e shkrimtarë, të gjithë me ‘Normalen’ e Elbasanit. Kjo familje, që ka ende një nga shtëpitë e vjetra në anë të Kalasë, ruan histori të veçanta, që lidhen me Hrushovin, Kutelin dhe Ehremburgun. Riza Çiftja, një ndër trashëgimtarët e kësaj familjeje, gjithashtu edhe Hektor Çiftja, pedagog i Universitetit të Elbasanit, sjellin detaje të historisë së kësaj familjeje, para vitit ’45 dhe persekutimin e mënjanimin e saj pas ardhjes së regjimit komunist.
Familja Çiftja para shekullit XX-të
Familja Çifta ka një histori shumëshekullore. Nga kjo familje ekzistojnë disa dyer që rrjedhin nga i njëjti trung. Një varr 500-vjeçar i trungut të familjes Çiftja, ka qenë i vendosur në varrezat e vjetra të qytetit (aty ku ndodhet parku “Rinia” sot). Rizai, i biri i Aliut, një prej pasardhësve të kësaj familjeje tregon pak nga historia e trashëguar gojarisht në familje.
“Katragjyshi im, ka qenë një tregtar i madh për mëndafshin. Në kohën e Turqisë, tregtarët e Shkodrës u lidhën me të për mallrat e mëndafshit. Katragjyshi im i mblidhte dhe ata vinin i merrnin me shumicë. Në një kohë të caktuar, ai punoi për ta, por më pas linjën e tregtisë, e ndoqi vetë. Merrte mallin me kafshë, e dërgonte në Shkodër dhe nga aty në Raguzë. Merrte mall në Raguzë, shkonte në Venedik, në Gjenovë, më pas në Aleksandri të Egjiptit, kthehej në Stamboll, nga aty në Manastir dhe më pas kthehej në Elbasan. Kjo rrugë zgjaste deri në tri vjet dhe udhëtimi ishte me rrezik. Në shumë zona, duhej të paguante doganë, pasi s’e linin të kalonte. Dilte me një fitim, 20-30 mijë lira turke, në atë udhëtim. Kur kthehej, bënte një festë të madhe me miqtë, sepse ishte kthyer shëndoshë e mirë”.
Më pas, për disa breza nuk dihen gjurmët e tij, deri tek Hasan Çiftja, kryetar bashkie, prefekt dhe mbështetës i lëvizjeve patriotike, gjatë Pavarësisë. Hasani pati 5 djem dhe tri vajza: Aliun, Xhaferrin, Qamilin, Kadriun (që vdiq në Austri, kur ishte student) dhe Qazimin (që vdiq në Manastir, po gjatë kohës që ishte student). Familja Çiftja, ishte e vendosur përballë murit të Kalasë (“Skampës” sot), ku banonte familja e Dervish Bej Biçakçiut. Rizai tregon se të parët e tij, kanë ndërtuar urën e Zaranikës.
“Katragjyshi im kontribuoi për ndërtimin e urës së vjetër të ‘Zaranikës’. Fillimisht, në tentativën e parë ndërtimin e saj, e mori uji i rrëmbyeshëm i përroit dhe shumë filluan ta vinin në lojë, për idenë e dështuar, por ai nuk u ndal. Sapo mblodhi edhe një herë paratë, nxori tellallin (kasnecin) dhe tha se; kush do të nxirrte një gur nga Zaranika për urën, do të paguhej 5 mexhide, ose një lirë turke (për atë kohë, aq para, mbante një familje për një javë). Atëherë të gjithë shkuan për të nxjerrë gurët, madje edhe ata që e vunë në lojë. Para se t’u jepte paratë, ai u tha se ishin bërë tashmë shërbëtorët e tij, pasi më parë e kishin tallur, duke thënë se ura nuk do të qëndronte.
Pasuria që krijoi, u nda nga shtatë familje elbasanase, që lidhën miqësi me Çiftet, ndër të cilat mbiemra shumë të njohur në Elbasan. Kur erdhën ushtarët e Austro-Hungarisë, ura që u ndërtua nga katragjyshi, u dëmtua. Hasan Çiftja, gjyshi im, si stërnip i ndërtuesit të parë, e riparoi me shpenzimet e veta dhe kontribuoi edhe për ndërtimin e xhamisë së Gurabardhës. Ura ka qenë në këmbë deri vonë. Udhën e të atit e ndoqën të bijtë. Madje, kur hyri Haxhi Qamili në qytet, të gjithë pasanikët që nuk kishin kontribuar për fenë myslimane, u përballën me burgim e keqtrajtime. Aqif Pashës, i dogjën shtëpinë dhe shumë të tjerë i keqtrajtuan në mes të qytetit. Pasi shoqëruesit e Haxhi Qamilit, e arrestuan gjyshin tim, e pyetën se çfarë kishte bërë për fenë. Ai u tregoi për xhaminë e Urën, që mbanin emrin Çiftja. Kjo vepër e shpëtoi nga pushkatimi.
Si patriotë
Hasan Çiftja, ishte ndër elbasanasit e pasur që kontribuoi për arsimin. “Hasani, gjyshi im, ishte djalë i vetëm. Është firmëtar i deklaratës së Pavarësisë në Elbasan, më 25 nëntor 1912. Kur u bë Kongresi Arsimor i Elbasanit, Hasani, bashkë me të birin, Aliun, u caktuan në komisionet për ngritjen dhe mbarëvajtjen e ‘Normales’. Në vitin e parë të ‘Normales’, kur mbaroi, u bë një ceremoni për popullin dhe u bënë shumë dhurata. Hasani dorëzoi një sahat për nxënësit e ‘Normales’. Ndërkohë, Aliu ishte një ndër organizatorët e mitingut që është bërë në Elbasan, për alfabetin latin të gjuhës shqipe.
Ai kontribuoi për çështjen kombëtare. Vëllezërit Çiftja, ishin edhe ndër organizatorët kryesorë gjatë protestës për të mos lejuar transferimin e ‘Normales’ nga Elbasani. Familja Çiftja, renditej ndër paritë e Elbasanit në atë kohë. Aq e vërtetë është kjo, sa ushtria hungareze, kur do të ikte, mori parinë elbasanase si mburojë, që të mos sulmohej nga vendasit. Nga familja jonë, u mor Xhaferr Çiftja, djali i madh i Hasanit. Nga kjo ngjarje është edhe një foto e vjetër, që dëshmon se paria e qytetit, është renditur krah një gjenerali të Austro-Hungarisë, gjatë largimit”.
Historia e violinës së Ehremburgut
“Hasani dërgoi të birin, Kadriun, në Austri në shkollë. Atje ai u vendos në një dhomë me Ethem Haxhiademin, pasi familjet tona ishin të lidhura në krushqi. Kadriu vdiq në Austri prej të ftohtit dhe trupi erdhi i balsamosur, për shkak të kohës që duhej për të mbërritur. Babai im, për nder të Kadriut, shkoi tek Aleksandër Xhuvani dhe pagoi për një periudhë kohe konviktin dhe ushqimin e nxënësve të ‘Normales’, që vinin nga rrethet. Fjalimin në varrimin e Kadriut, e ka mbajtur Adem Jahja, si shok i ngushtë i tij dhe violina që Kadriu e kishte blerë në Austri, iu fal atij.
Në atë kohë, vjen për vizitë gazetari rus më me famë i asaj kohe, Ilija Ehremburg. Qenë vitet ’45-’47 dhe për nder të tij, orkestra e Shtëpisë së Kulturës, e udhëhequr nga Mit’hat Sejdini, ku bënin pjesë disa violina, luajti një pjesë për të. Më ka treguar e bija e Adem Jahjes, se Ehremburgu, kishte kërkuar pikërisht violinën e ardhur nga Austria, për ta blerë. Mit’hat Sejdini, ia dhuroi Ehremburgut, pasi ia mori Adem Jahjas, duke i kërkuar që të blejë një tjetër. Ndër shumë histori të kësaj familjeje, është edhe Xhybja e famshme që iu dhurua Hrushovit, gjatë vizitës në Elbasan”. Rizai tregon gjithashtu, se kjo xhybe, iu fal për pajë, një prej vajzave të birësuara në familjen e tij.
“Gjyshi im, ka pas blerë edhe një xhybe të Bushatllinjve të Shkodrës, të qëndisur me fije ari. Xhyben e ka mbajtur e shoqja dhe ia dha pajë, njërës prej vajzave që e rriti familja jonë dhe më pas është marrë nga Komiteti Ekezekutiv i rrethit këtu, për t’iu dhuruar Hrushovit, si një simbol i çmuar shqiptar, në vizitën e tij në Shqipëri, në vitin 1959. Në familjen Çiftja, janë rritur shumë vajza, të cilat ishin të varfra dhe kishin mbetur pa njeri. Familja i rriste si vajzat e veta, iu bënte pajën dhe i martonte. Ky fenomen ka ndodhur edhe në familjen e Aqif Pashës”.
Hasan Çiftja, si u bë kryebashkiak
Hasani, nuk ishte as me Vërlacin, as me Aqif Pashën. Në një periudhë kur Elbasani mbeti pa kryetar bashkie, e vendosin përkohësisht, pasi ishte i pranueshëm për të dyja palët. Ishte koha kur ishte formuar qeveria e Durrësit dhe u formua dhe ajo e Lushnjës. Në këtë periudhë i vjen letër nga Durrësi, ku shkruhej: “Elbasani, me kë qeveri është”? dhe Hasani Çiftja, mbledh këshillin për ta vendosur këtë, ndërsa vetë ikën, për të mos u përfshirë në vendim. Kur përgjigjja u bë e detyrueshme, Hasani deklaroi se; zgjidhte qeverinë më të vjetër, duke dhënë një përgjigje të zgjuar.
Duhet të kemi parasysh se në atë kohë, një qeveri e preferonte Aqif Pasha, ndërsa tjetrën Vërlaci. Ai gjithashtu ka qenë edhe prefekt i Elbasanit. Hasani do të kujtohet edhe si një ndër kryebashkiakët, për t’u marrë shembull, pasi në kohën e një krize për bukë, kur çmimi ishte rritur në mënyrë artificiale nga tregtarët, ai arriti të ulë çmimin. I mblodhi të gjithë prodhuesit, u kërkoi të ulnin çmimin dhe kur ata nuk pranuan, hapi dy furra me paratë e veta dhe prodhoi bukë me çmim real. Të gjendur përballë kësaj, prodhuesit e ulën çmimin. Lidhjet mes familjeve të Elbasanit ishin të ndërsjellat.
Rizai tregon se; mbiemrat e njohur të Elbasanit, ishin të lidhur me fisin Çiftja. Vajza e parë e Hasanit, është dhënë tek Qazim Matraxhiu, prefekt i administratës së Fan Nolit dhe vëllai i gazetarit, Emin Matraxhiu. Vajza e dytë ishte dhënë tek Kamber Sejdini, oficeri që përfaqësoi qeverinë shqiptare, pranë oficerëve holandezë, të ardhur për ndihmë në Shqipëri. Ndërsa vajza e tretë, u dha tek Hafyz Musa Basha, i biri i Haxhi Aliut, që ka qenë drejtues i Komitetit Mysliman Shqiptar dhe kontribuoi për Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Dhe djemtë, po ashtu morën nuse, nga dyer të njohura.
Lidhur me këtë, Rizai tregon: “Babai im, Aliu, ka marrë vajzën e Ali Kopilit, një prej tregtarëve më të mëdhenj në Elbasan, ndërsa gruan e dytë, në familjen e njohur Hastopalli. Ndërkohë një nga djemtë, Xhaferri, merr vajzën e Emin Haxhiademit”. Kjo familje ka shkëmbyer edhe me familjen Bungo. Aqif Pasha, ishte nuni i Qamil Çiftes dhe marrëdhëniet familjare, ishin mjaft të afërta. Rizai tregon se; me djepin e familjes së tij, është rritur edhe djali i Aqif Pashës.
“Më ka treguar babai, që Ibrahim Biçakçiu, që do të bëhej edhe kryeministër në vitin 1944, është përkundur në djepin tonë. Aqif Pashës, i lindën dy vajza, por nuk po lindte djalë. Gratë, nisur nga besëtytnitë, meqë në shtëpinë tonë kishte 5 djem, morën djepin tonë. Ndoshta ishte rastësi, por më pas lindi Ibrahimi, djali i vetëm i Aqif Pashës. Kamo Sejdini, burri i hallës sime, është vrarë bashkë me kolonelin holandez, Tompson, në mbrotje të qytetit të Durrësit, nga sulmet e forcave rebele. Kur Komisioni Ndërkombëtar, caktoi ushtarë holandezë të drejtojnë ushtrinë shqiptare, Zogu caktoi Kamo Sejdinin, një ndër ushtarakët e shkolluar jashtë, që të përfaqësonte ushtrinë shqiptare”.
Persekutimi i fisit Çiftja, nga regjimi komunist!
Por pas çlirimit, filloi persekutimi për familjen Çiftja. Djemtë e Hasanit, pësuan fate të ndryshme. Kështu, Qamil Çiftja dhe një tjetër qytetar elbasanas, u bënë barinj derrash, me qëllimin e vetëm, diskreditimin e tyre. Qamili kishte alergji fetare, për derrat. Një ditë në sheshin midis bashkisë së vjetër (sot ndërtesa e re) dhe Komitetit Ekzekutiv (sot Prefektura), përgjegjësi i tyre, qëllimisht largohet dhe takon tek dera e Komitetit Ekzekutiv, një kuadro dhe i lë dy rojtarët, bashkë me derrat. Derrat s’po përmbaheshin; sa largohej njëri, me një anë, të tjerë merrnin vrapin, në anën tjetër të sheshit të kalldrëmtë.
Me thupër në duar, rendnin pas derrave që largoheshin nga tufa. Ndërsa rojtari tjetër, humbi ndjenjat nga kjo situatë, Qamili ndonëse vetëm, s’e prishi terezinë. Lë derrat dhe shkon fill tek përgjegjësi e, i thotë: “Derrat s’po bëhen zap. Mos kemi mbledhje dhe duhet t’i bie dhe t’i fusim brenda….”?! Përgjegjësi e kuptoi ironinë dhe ia kthen: “Hajt nisi shpejt, për nga rruga e Fushës së Sportit të Vjetër…”! Tasim Çiftja, nipi i Hasanit, djalë i Xhaferrit, u arrestua, pasi u cilësua pjesë e një grupi armiqësor, kundër Shqipërisë, ndër të cilët edhe Salim Ceka, që përktheu Shopenhauerin. Gjyqi ishte fals dhe me akuza absurde.
Pas vendimit me burg, Tasimi u dërgua në Maliq, ku qëndroi bashkë me Makensen Bungon, Virtyt Gjylbegun dhe Hamza Tushën, nga Fushë-Mbreti, duke i caktuar në punë tepër të vështira, për tharjen e kënetës së Maliqit. Teksa punonin me kokë ulur në kënetë, të rinjtë dëgjojnë të bërtiturat e gardianëve, ndaj Dhimitër Paskos. Pakkush e dinte kush ishte, pasi ai njihej me emrin Mitrush Kuteli, por dëgjonin sesi në çdo kohë, e torturonin për normën që duhet të përmbushte. Ata kishin si komandant, për shkak të fizikut më të fuqishëm dhe punës më të madhe, të shkojë e të marrë Dhimitër Paskon, për ta kaluar në brigadën e tyre.
Hamzai arrin ta sjellë dhe djemtë i thonë të mos merakosej më për normën, se do t’ia realizonin ata. Kështu arriti të shpëtonte Mitrush Kuteli, për shkak se në kënetë rreziqet ishin shumë të mëdha, mund të përfundoje në baltë e, të vdisje. E kush do ta besonte se pikërisht, Tasim Çiftja, që në vitin 1943, në një artikull në gazetën “Bashkimi i Kombit”, do të botonte fejtonin; “Si i thurte tregimet z. Mitë”, do ta shpëtonte pak kohë më vonë në kënetën e tmerrshme të Maliqit, shkrimtarin e madh. Tasimi shkruante dhe ka lënë libra, të cilat Hektor Çiftja, i ruan me dëshirën për t’i botuar. Ai, si një intelektual i përgatitur, nuk i shpëtoi rrebeshit kundër familjeve të pasura dhe intelektuale. Virgjil Çiftja, djali i vogël i Xhaferrit, u arrestua si armik, kur ishte vetëm 13 vjeç.
Në vitet 1947-’50-të, ai ndiqte shkollën shtatëvjeçare “Bardhyl Popa”. Kur ishte në klasën VII-të, i ndodh një ngjarje që do të shënonte jetën e tij: u bë disidenti më i ri në Elbasan. Sipas disa të dhënave, në muret e shkollës, ishte shkruar shprehja: “Çohu o popull, se na shtypi Rusia” dhe kjo shprehje, pasi ishte krahasuar shkrimi, kishte rezultuar e Virgjilit. Ai, vetëm 13 vjeç, i mbërthyer nga dy persona, futet në një “Xhip”, dhe s’u mor vesh se ku e çuan. Që prej asaj dite Virgjili, për gjashtë muaj rresht, pasi u torturua në birucat e nëndheshme të Hotel “Grand”-it (sot turizmi i vjetër), u dërgua në Shkollën e Riedukimit (Koloninë), në Tiranë, (e njohur ndryshe si “Shkolla e Vagabondave”) ku qëndroi plot tre vjet.
Pasi e lirojnë, e dërgojnë ushtar në brigadën e punës, në “Rrapin e Treshit” në Tiranë, i vetmi formacion ushtarak i ngritur qëllimisht, për të rinjtë me biografi të keqe. Në repart, për tre vitet e shërbimit ushtarak, në vend të pushkës pati kazmën e lopatën. Me mbarimin e ushtrisë, Virgjili punoi punëtor krahu, në ndërmarrjen e Bonifikimit. Vdiq i ri nga azotemia, për shkak të punëve të vështira që bëri dhe torturave që pësoi për shumë vite.
Riza Çiftja, si i shpëtoi burgosjes?!
“Në atë periudhë ishte koha e miqësisë së madhe me Jugosllavinë. Në libër, ishte një shprehje për Kosovën, që mësuesi na e kish thënë ta fshinim, por ne nuk e fshimë. Në kohën kur arrestojnë disa të rinj në ‘Normale’, mua më lajmërojnë që do të arrestohesha dhe largohem për në Tiranë. Fillova shkollën atje, por nuk aplikova për burse, sepse e dija, që nuk do e merrja. Drejtor patëm Shemsi Totozanin, ndërsa mësues gjuhe, Ziaudin Kodrën, i cili filloi t’i pëlqente komentet e mia dhe i lexonte. Mbarova shkollën dhe u emërova në Tepelenë, në Koshtan, 9 orë larg. Varfëria ishte ekstreme.
Ushqimet gjendeshin me triska. Ne morëm dy dhi, i bëmë pastërma. Zienim patatet, i prisnim, i thanim dhe i ruanim për t’i zier sërish, kur do t’i hanim. Komiteti i Partisë në Elbasan, dërgon një shkresë në Tepelenë, që unë të pushohem nga puna dhe më pushojnë. Rikthehem në arsim në vitin ’55, në Laç të Kurbinit (rrethi i Krujës), në një katund. Më çojnë në Fushë-Milot. Më trasferojnë që aty e, më çojnë në katunin Gramëz. Kështu kaluan vitet e mia në arsim, derisa dola në pension në qytetin e Laçit, ku kam banuar me familjen time, për vite me radhë”.
Brezat e familjes Çiftja, vazhdojnë. Rizai ka një djalë, dentist dhe një vajzë, nëpunëse në Itali, ku jeton bashkë me familjen e saj, ndërsa djali i Tasim Çiftes, Hektori, është pedagog i gazetarisë, në Universitetin e Elbasanit. Kjo familje që njohu shkëlqimin e pasurinë para çlirimit, do të njihte shtetëzimin e saj, persekutimin dhe një jetë të vështirë më pas, deri në ardhjen e demokracisë. Hektori tregon se; forma që kishin zgjedhur djemtë dhe vajzat fisit Çiftja, për t’i shpëtuar varfërisë intelektuale dhe vështirësive të ditës, ishte një konkurs që bëhej mes tyre, sa herë që mblidheshin me njëri-tjetrin.
Të kthyer në punëtorë krahu, bashkoheshin në mbrëmje në shtëpi dhe recitonin vargjet e Dantes dhe shumë autorëve botërorë, duke bërë konkurs me njëri-tjetrin, për të mos rënë në gjendjen e vështirë dhe për t’i shpëtuar realitetit tragjik, që nuk kurseu familjet e pasura, edhe pse njiheshin për kontributin e tyre patriotik dhe ishin të gjithë të shkolluar nga ‘Normalja’, e Elbasanit, që me të drejtë është konsideruar, si; Universiteti i Parë Shqiptar. Memorie.al