Dashnor Kaloçi
Memorie.al/publikon historinë e panjohur të gjeneral-major Nexhip Vinçanit me origjinë nga fshati prej nga kanë trashëguar mbiemrin, njëri prej ushtarakëve madhorë më të përgatitur që kishte Ushtria Shqiptare, i cili pasi kishte kryer Shkollën Ushtarake Mbretërore të Plotësimit të Oficerëve gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut dhe gjimnazin klasik të qytetin e Shkodrës, në 39-ën, shkoi në Itali pranë Fakultetit të Drejtësisë në Romë, ku në 1941-in u përjashtua për aktivitetin e tij antifashist dhe u detyrua që të kthehej në Shqipëri. Angazhimi i tij në Lëvizjen Antifashiste në Qarkun e Korçës së bashku edhe me katër vëllezërit e tij (Aliun, Skënderi dhe Nexhipi, Saliun), si rezultat i përgatitjes së tij të lartë si ushtarak dhe aftësive që ai tregoi në shumë luftime, u emërua si komandant i Shtabit partizan të Qarkut të Korçës, komandant i Brigadës së IV-të Sulmuese dhe zv/komandant Operacioni në luftimet për çlirimin e Tiranës që drejtohej nga Mehmet Shehu.
Dëshmitë e të vëllait të tij, kolonel Skënder Vinçanit, ish-Shef i Policisë së Degës së Punëve të Brendshme të Qarkut të Shkodrës), lidhur me karrierën ushtarake të Nexhipit pas mbarimit të Luftës, ku pasi u emërua komandant i Divizionit të Peshkopisë dhe atij të Korçës, në 45-ën u dërgua për studime në Bashkimin Sovjetik, duke u diplomuar në Akademinë Ushtarake “Voroshillov” të Moskës, dhe në ‘48-ën u kthye në Shqipëri, ku u emërua Drejtor i Drejtorisë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes e zv / Shef i Shtatmadhorisë të Ushtrisë.
Vijon nga numri i kaluar
Akuzohet për komplot ndaj Ballukut
Por Enveri nuk u mjaftua me mos zgjedhjen e Nexhip si anëtar i Komitetit Qendror, sepse më pas në Plenumin e V-të të K.Q. që u mbajt në vitin 1950-të ai e shkarkoi atë nga posti i Zv / Shefit të Shtatmadhorisë dhe ai i kandidatit të Komitetit Qendror. Pas kësaj Nexhipin e çuan Shef të Degës Ushtarake në Elbasan dhe Komandant Divizioni në Tiranë, e më pas si Komandant të Mbrojtjes Bregdetare në Durrës. Në këto detyra ai qëndroi deri në janarin e 1958-ës kur e liruan fare nga Ushtria dhe më pas në fundin e atij viti, e arrestuan. Po cili ishte shkaku i vërtetë i goditjes së Nexhipit dhe si erdhi arrestimi i tij? Lidhur me këtë, i vëllai i tij, kolonel Skënder Vinçani kujtonte: “Për shkarkimin e Nexhipit nga posti i zv / Shefit të Shtatmadhorisë dhe përjashtimin e tij si kandidat i Komitetit Qendror, atëhere u tha se ajo gjë erdhi pas akuzave që iu bënë, ‘sikur ai në bashkëpunim me dy gjeneralët e tjerë Gjin Markun e Tahir Kadare, kishin tentuar që të bënin një komplot për të rrëzuar nga drejtimi, i ministrisë së Mbrojtjes Popullore, gjeneral-leitnant, Beqir Ballukun dhe ta merrnin vetë drejtimin e asaj ministrie. Kjo gjë erdhi pasi gjatë një darke në hotel “Dajti”, Nexhipi e kishte pyetur në koincidencë Mehmet Shehun, në se ishte e vërtetë se ai do të emërohej Shef i Shtatmadhorisë në vend të Ballukut. Kjo pyetje e tija u shfrytëzua nga Enveri për të ngritur akuzën, sikur Nexhipi kishte dashur që të rrëzonte me komplot Ballukun e të merrte vetë nën drejtim Ministrinë e Mbrojtjes. Por shkaku i vërtetë i eliminimit të Nexhipit, nuk kishte të bënte aspak me komplotin ndaj Ballukut, sepse ajo gjë nuk ishte e vërtetë. Nexhipi e kishte mik të ngushtë Ballukun dhe as që e mendonte atë gjë. Enveri e shkarkoi dhe e goditi Nexhipin, vetëm për faktin se në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e më pas, ai nuk u çua që të kritikonte Gjin Markun, kur ai i kërkoi Koci Xoxes që të thellonte autokritikën e tij. Këtë gjë Balluku ia ka shprehur vetë vëllait tone, Samiut, në vitin 1956-të, kur ai shkoi për ta takuar, pasi u arrestua Nexhipi dhe Kadri Hazbiu na kishte thënë se për atë gjë kishte urdhëruar Beqir Balluku. Ajo gjë nuk ishte e vërtetë sepse urdhri kishte dalë nga Enveri dhe Balluku qau kur e mësoi lajmin e arrestimit të Nexhipit. Enveri kishte pasur kontradikta me Nexhipin që nga periudha e Luftës, gjë e cila konfirmohet edhe nga dëshmia e Dr. Ymer Dishnicës, i cili na ka thënë: ‘Enveri e filloi goditjen ndaj Nexhipit duke e quajtur atë armik të partisë e të popullit për disa arsye. Një nga më kryesoret ishte ajo e xhelozisë, sepse deri në mesin e viteve ’50-të, në të gjithë Qarkun e Korçës, flitej me një simpati të jashtëzakonshme vetëm për Nexhipin dhe aspak për Enverin. Dhe e dyta ishte ajo se unë me Nexhipin ishim shumë të lidhur me njeri tjetrin, gjë e cila e tërbonte fare Enver Hoxhën”.
Arrestimi i gjeneral-major Vinçanit në 1958-ën
Lidhur me arrestimin e gjeneralit të famshëm Nexhip Vinçani, vëllai i tij Skënderi kujton: “Në vitin 1956-të kur u mbajt Konferenca e Tiranës, Enveri donte që ta implikonte dhe Nexhipin me grupin e atyre delegatëve që ngritën probleme kundër udhëheqjes së lartë të PPSH. Ndonëse Nexhipi nuk ishte fare delegate, sepse ai në atë kohë ishte me shërbim në Durrës, me detyrën e Komandantit të Mbrojtjes Bregdetare, gjatë seancave të Konferencës, Enveri iu drejtua kolonel Iljaz Ahmetit, duke i thënë: ‘Pa hë Iljaz, na thuaj çfarë iu thoshte Nexhip Vinçani lidhur me shokët e udhëheqjes’? Iljaz Ahmeti jo vetëm që nuk foli kundër Nexhipit, por përkundrazi ai e mbrojti atë. Atë që Enveri nuk e arriti dot në vitin 1956-të në Konferencën e Tiranës, e zbatoi afro dy vjet më vonë. Kështu në fundin e vitit 1957-të, kur unë isha në detyrën e Shefit të Policisë së Qarkut të Shkodrës, më lajmëruan se më kërkonte urgjent në Tiranë, ministri Kadri Hazbiu. Pasi mora makinën e kryetarit të Degës, gjeneral Hilmi Seitit, u nisa menjëherë sipas urdhrit që më ishte dhënë dhe kur erdha në Ministri, pyeta Teki Kolonecin që asokohe ishte Drejtor i Kufirit, nëse dinte gjë përse më kishin thirrur me aq urgjencë. Ndërkaq akoma pa mbaruar fjalën më kërkuan në zyrën e Ministrit, ku Kadri Hazbiu më priste në këmbë. Pasi u përshëndetëm ai më tha: ‘Skënder, të kam thirrur që të shkosh urgjent në Durrës, sepse sipas urdhrit që ka dalë nga Ministri i Mbrojtjes, ne sot do të arrestojmë vëllanë tënd, Nexhipin, me gjithë gruan e tij Memkën, sepse ajo ka marrë nga dyqani më shumë ushqime se ç’i takonin dhe t’i duhet të jesh aty pasi s’ka kush t’i mbajë katër vajzat e vogla dhe nuk duhet të lëvizësh nga ajo shtëpi pa marrë urdhër nga unë’. Unë u nisa menjëherë për në Durrës dhe kur vajta atje, nuk e gjeta Nexhipin, pasi e kishin arrestuar së bashku me gruan e tij. Për arrestimin e Nexhipit, nuk kishte dhënë urdhër Ministri Balluku, por ajo gjë u bë pas një plani të Kadri Hazbiut, i cili si duket kishte marrë urdhër nga Enver Hoxha, sepse arrestimi i një gjenerali, kurrsesi nuk mund të bëhej pa urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm. Plani i Kadri Hazbiut ishte kurdisur në këtë mënyrë: Teksa gruaja e Nexhipit kishte shkuar për të blerë në pazar, shitësja e cila ishte porositur nga Sigurimi i Shtetit, i tha asaj që të blinte disa ushqime më tepër, pasi do të hiqeshin triskat. Kështu ajo i bleu ato dhe më pas u denoncua për abuzim dhe u arrestua. Qëllimi i Sigurimit ishte që ta ndante Nexhipin nga gruaja dhe më pas asaj t’i bënin presion që të fliste dhe akuzonte Nexhipin sipas akuzave që do t’i duheshin atyre. Sigurimi ia arriti synimit që ta ndante Nexhipin nga gruaja, por Memka nuk pranoi kurrë që të fliste kundra burrit të saj, përkundrazi, ajo në hetuesi e mbrojti atë, duke thënë se Nexhipi nuk kishte asnjë faj. Gjatë hetuesisë Nexhipin e kishin pyetur rreth “komplotit” që kishte dashur të bënte për rrëzimin e Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut. Pas një muaji Nexhipin e gruan e tij i liruan nga hetuesia dhe Nexhipin e larguan nga Tirana dhe e dërguan në Fier, duke e lënë që të banonte i vetëm në një kasolle, pasi e detyruan që të ndahej nga gruaja”.
Arrestimi i dytë në ‘82-in dhe torturat në hetuesi
“Ndonëse Nexhipi konsiderohej si një nga ushtarakët më të talentuar që nga periudha e Luftës, atë e çmobilizuan dhe e lanë për shumë vjet fushave të Myzeqesë, duke u marrë me hapjen e kanaleve bonifikuese. Aty ai punoi deri sa doli në pension dhe gjatë asaj kohe survejohej rregullisht nga Sigurimi i Shtetit. Ndonëse ai kishte qenë një ndër kuadrot kryesorë të Luftës, nuk iu dha asnjëherë pensioni prej 100 lekësh që përfitonin ish-partizanët. Arrestimi i dytë i Nexhipit ndodhi në vitin 1982, pak kohë pas vrasjes së Mehmet Shehut dhe kjo gjë u bë me qëllim që gjatë hetuesisë, Nexhipi të pranonte që kryeministri Shehu kishte qenë poli-agjent. Kështu pas dhjetorit të 1981-it, atë e ndiqnin në çdo hap dhe kur erdhi tek unë në Tiranë, një njeri i që e njihte, e lajmëroi se po e ndiqte Sigurimi për ta arrestuar, sepse në Lushnje ku banonte vajza e tij, e kishin rrethuar shtëpinë me policë. Dhe ashtu ndodhi vërtet. Nexhipin e arrestuan në shtëpinë e tij në qytetin e Fierit, ku hetuesi Shkëlzen Bajraktari, shkoi me një numër të madh policësh, hetuesish e oficerësh të Sigurimit dhe me qëllim që të bënin bujë e zhurmë të madhe, atë e arrestuan në mënyrë demonstrative, në sy të gjithë banorëve të lagjes. Hetuesi Shkëlzen Bajraktari. pasi hyri me forcë në shtëpinë e tij, i bërtiti duke e quajtur: ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Nexhipin e mbajtën për 11 muaj në hetuesi, duke e akuzuar për ‘agjitacion e propagandë’, ku i bënë torturat më ç’njerëzore, saqë disa herë u detyruan që ta shtronin në spitalin e burgut në Tiranë, për ta kuruar nga të rrahurat. Hetuesit e pyesnin se përse kishte thënë se: qeveria shqiptare nuk kishte bërë asgjë për Kosovën dhe çfarë lidhje kishte pasur me agjentin Mehmet Shehu dhe bandën e Xhevdet Mustafës, që asokohe kishte zbarkuar në zonën përreth Fierit. Po kështu atë e akuzonin si ‘agjent të anglezëve’ pasi gjatë kontrollit që i bënë shtëpisë tij, i gjetën një fotografi ku ai kishte dalë me disa ushtarakë të Misionit Britanik, gjatë kohës së Luftës. Nexhipi filloi të tallej me hetuesit, duke i’u thënë se: ishte agjent i anglezëve, italianëve, francezëve dhe deri i japonezëve. Nga kjo gjë hetuesit u bënë si të tërbuar dhe e torturuan aq shumë, sa ai gati iu ngeli në dorë dhe u përmend vetëm kur e çuan në spitalin e burgut në Tiranë. Gjatë asaj kohe që e mbajtën në hetuesi, Sigurimi i Shtetit kërkoi dhe pyeti në disa rrethe me dhjetëra persona, që të pranonin t’i dilnin atij si dëshmitarë. Vetëm në Fier, Sigurimi pyeti mbi 60 persona. Po kështu hetuesit dhe Sigurimi i Shtetit vajtën edhe në burgun e Burrelit, ku vuante dënimin shoku më i ngushtë i Nexhipit, ish-gjenerali Gjin Marku, dhe i kërkuan atij të fliste për Nexhipin. Sapo i filluan pyetjet, Gjin Marku e kuptoi se e kishin arrestuar edhe Nexhipin e iu tha: ‘Turp të keni ju dhe ata që iu kanë dërguar, sepse Nexhip Vinçani është njeriu më i pastër’. Pas kësaj Gjinin e rrahën aq shumë, saqë ai nuk u ngrit për një kohë të gjatë nga dysheku. Mbas 11 muajsh hetuesie, nga që nuk gjetën dot dëshmitarë për ta dënuar, Sigurimi u detyrua që ta lironte Nexhipin, duke i komunikuar sikur kishte përfituar nga një amnisti, gjë që nuk ishte aspak e vërtetë”.
Internohet 5 vjet në Gramsh ku jetonte në një kasolle
Ditën që e liruan nga hetuesia e Fierit, Nexhipit që i kishte kaluar të shtatëdhjetat, i komunikuan internimin për në fshatin Grabovë të Gramshit, pasi më parë i kishin internuar dhe gruan e dytë në fshatin Shtyllas të Korçës. Fshati Grabovë ishte 8 orë larg Gramshit dhe atë e caktuan të banonte në një kolibe që rojet e kooperativës e kishin përdorur për të mbajtur qenin. Ajo kolibe ishte aq ngushtë, saqë nuk nxinte dot as dhe një krevat për të fjetur dhe i gjithë shiu i binte brenda. Ai jetoi aty krejt i vetëm në kushte ç’njerëzore për pesë vjet me radhë, deri në 1988-ën, duke e mbajtur frymën gjallë me ndonjë gjë që i falnin fshatarët, që iu binte rruga andej. Nexhipi paraqitej çdo ditë në zyrat e Këshillit Popullor dhe nuk e lejonin që të shkonte as për tu vizituar në qytetin e Gramshit. Njëherë që e lejuan pas tre muajsh lutje, porsa e panë në qytet, e urdhëruan që të nisej menjëherë në fshat, pasi aty do të vinte për vizitë një shok i udhëheqjes nga Tirana. Ai u nis në këmbë në atë të ftohtë dhe gjatë rrugës natën e hëngrën qentë e fshatarëve. Nga që nuk u kthye dot atë natë në shtëpinë e tij, Këshilli Popullor i fshatit kujtoi se ai ishte arratisur dhe u dha kushtrimi duke u ngritur në alarm të gjitha çetat vullnetare të fshatrave përreth”, kujtonte Skënderi vuajtjet dhe peripecitë e pafundme të vëllait të tij, gjeneralit të famshëm Nexhip Vinçani, i konsideruar si një nga heronjtë e Luftës Antifashiste në Shqipëri, i cili ndërroi jetë në 6 mars të vitit 1997, në qytetin e Tiranës, nga ku Enver Hoxha e kishte larguar që para 40 viteve, duke e akuzuar si “armik të partisë e të popullit”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016