Nga Altin Raxhimi
Pjesa e parë
Memorie.al / I fundmi i tre reportazheve tregon rrënjët shqiptare të krye-klerikut hebre të Athinës, si ia marrin hebrenjtë vlonjatë; “Do marr çiftenë…”, mbas ceremonish fetare dhe fatet e familjes hebreje me mbiemër Tepelena. Paraditen e dy korrikut të vitit 2016, duke duruar vapën mes djersësh që shkonin çurk, mbi dyqind veta e mbushën dingas sinagogën këtu në qendër të Athinës. Pesë vajza nga komuniteti hebre janjiot, do bënin ceremoninë e kalimit në adoleshencë, bat mitzvah- në, që sipas traditës bie diku nga dymbëdhjetë a trembëdhjetë vjetëshi. Pas kësaj, do ishin zonjusha. Katër prej vajzave vinin nga familje hebreje nga aty, dhe njëra kishte ardhur nga zona e Nju Jorkut, me familje dhe të afërm.
Rabini i sinagogës nisi këndimin e lutjeve. Është vetëm njëzetegjashtë vjeç dhe gratë e komunitetit nën zë çuçurisin, si t’i gjejnë nuse, por pa ndonjë sukses të dukshëm. E ka mbesë vajzën nga Amerika. Sinagoga në rrugën “Melidoni”, ka mbi një shekull. Me transformimet që ka pësuar Athina, kjo rrugë as njëqind metra e gjatë, rri si xhep.
Dikur i mbivendosej zonës ku lulëzonte industria e lëkurëve dhe shtëpitë e klasës tregtare të fillim-shekullit të njëzetë, mbi “Monastiraki” dhe “Thisio”. Tani në të djathtë teposhtë, sheh gërmimet që nxorën sheshit Athinën romake, dhe në të majtë, suva të rëna dhe të ngjyera me grafit, pas falimentimit të atyre industrive të viteve tetëdhjetë – strehë emigrantësh nga Lindja e Mesme, dyqanesh sendesh të përdorura dhe kovaçhanash.
As njëqind metra mbi “Melidoni”, gjendet pjesa veriore e rrethit, nga ku soditet Akropoli prej kafenesh të shtrenjta. Në hyrje të rrugës, blloqe betoni që pengojnë trafikun e makinave, në hyrje të sinagogës, një postbllok si ata ngjitur ambasadave. Ceremonia vazhdonte nën mërmërimë dhe mes pëshpërimave në masë greqisht, dhe ndonjë në anglisht, kalonte nëpër të dhe ndonjë gjë në shqip. Ishin nga Kohenët e Shqipërisë, fis të cilët në 1990-ën, u shkulën të gjithë për në Brooklyn të Nju Jorkut. Ceremoninë do e bënin për Revekën, vajzën e Elia Kohenit.
Pas bekimeve të rabinit, bekimet vajzave do ua jepnin baballarët. Urimin për të bijën Elia e nisi në anglisht, por pastaj i tha para sallës, “tani do të të uroj si na kanë uruar gjyshërit në kohën e tyre. (Hóma na piánis ma hrisáfi na génete)”. Që do të thotë, “tu bëftë flori edhe dheu që prek”. “Atë moment, s’mbeti njeri në sinagogë pa iu mbushur sytë me lot”, kujton Zanet Batinu, drejtoreshë e Muzeut Hebraik të Athinës dhe kushërirë e Batinove të Shqipërisë. Edhe vajza e Batinut ishte për batmitzvah.
“Gjyshja ime s’përmbahej. Jo vetëm ngaqë kishte kohë që s’e kishte dëgjuar atë urim të vjetër, por edhe se si e tha, si e shqiptoi sipas të folmes së vjetër”. Në greqishte standarde folja “të bëhet”, shqiptohet “ginete”, por Elia Koheni foli në dialektin e dikurshëm të Janinës. “U organizua nga Gabi, Gabriel Negrini, nga ai rabini atje”, – thotë Nesim Koheni, xhaxhai i Revekës, i cili ndoqi ceremoninë. “Ai donte të mblidhte komunitetin, të njiheshin me njëri-tjetrin”. Kushedi e sata herë është kjo që del përpara ky emër!
Për herë të parë e hasa në fillimet e këtij kërkimi pranverën që shkoi, nga autori më elegant mbi hebrenjtë e Greqisë, një tetëdhjetë e kusur vjeçar, tani i tërhequr pranë sinagogës së cilës i ridha jetë në Hania të Kretës, Nikos Stavrulakis. Stavrulakis ka bërë një libër mesmerizues mbi Selanikun – ese mbi një koleksion fotografish të 1910-ës, i cili tregonte një qytet të fshirë nga kohërat. Mbushur me dyqanxhinj e hamallë sefardinj dhe dervishë tarikatesh. Ai libër e kthen atë qytet në elegji. “Por nuk di shumë për janjiotët”, – më thotë në telefon Stavrulakis.
“Pyet Gabrielin, Gabriel Negrinin që jeton në Athinë. Thuaji që të kam çuar unë”. Një rabin sefardi prej Sarajeve, njohës me themel i hebraizmit, jo vetëm ballkanik, po aty më çon, te Gabriel Negrini. Negrini pati nisur studimet për muzikë elektronike në Kretë, por aty pati zbulimin e religjionit dhe para dy vjetësh u bë rabini i Athinës dhe gjithë Greqisë, në këtë sinagogë që është prej fillimit të shekullit të njëzet. Dhe lajmi mori dhenë dhe u dha edhe nga gazeta ‘The Forëard’ e hebrenjve të Amerikës.
Tani, fotoja e tij në faqe zyrtare është me kipà a homburg dhe tefilin. Përfshihet në gjurmime të muzikës së hebrenjve dhe në muzikë eksperimentale. Di t’i bjerë shofarit, bririt të dashit, që përdoret gjatë Festave të Mëdha hebraike, është mohel, (synetëzues ritual), ka zë shumë të mirë. Ka kryer studime teologjike në Izrael. “Ka aktivizuar komunitetin”! – më thotë Allegra Matsa nga Janina. “Është i aftë të angazhojë të rinjtë. Rabinët paraardhës ishin në moshë dhe të stilit të vjetër. “Meh”! (“Shiko”), – më shkruan Moses Elisafi, kardiologu që kryeson Komunitetin Hebre të Janinës.
“Rabin Negrini është nga Shqipëria”. Kur dikur nga vitet njëzet Josef Negrini nga Janina, la të shoqen Anetën të ve, kjo e kalonte më shumë kohën, te vajzat e martuara ndër hebrenj të Vlorës. Nga vitet tridhjetë, i erdhi edhe djali i madh, Mojzja, i cili në Janinë si çilimi, kishte shitur gazeta. Nga vitet gjashtëdhjetë, Aneta e la vendin dhe iu bashkua një djali tjetër të sajit, që jetonte në Izrael, por Mojzja, i cili ishte aktiv edhe në jetën kulturore të Vlorës, doli në pension si llogaritar në Ndërmarrjen Tregtare të Ushqimit Social, ndërmarrjes që furnizonte restorantet e qytetit.
Dhe Mojzja pati Fiton si djalë dhe Fitua, dikur nga të njëzetat, u martua me një fqinjën e vet në pallat në Vlorë, e cila vinte nga një familje e njohur e krishterë orthodokse e Mifolit – një teze e saj është psikologe e njohur për fëmijë në Tiranë. Fito dhe Greta Negrini, lindën fillimisht Revekën që studion për dentiste në Athinë dhe në vitin 1988, tre vjet para se të merrnin plaçkat për në Greqi, ku Mojzja kish të vëllanë, lindën djalin, Gerionin. Gerioni është Gabrieli, rabini Gabriel Negrin.
“Di shqip”? “Siç e di unë greqishten, me copa”, – më thotë Nesim Koheni. “S’preferon ta flasë a ta dëgjojë”, – më thonë të tjerë. U përpoqa të lidhem si me Fito Negrinin, ashtu dhe rabin Gabrielin, por nuk ia dola. Më përmendën probleme sigurie. “Pas 1990-ës, tjetër gjë ishte hebreu janjiot i kthyer nga kampet e përqendrimit, tjetër ai nga Halki që i shpëtoi i gjithi Holokaustit, dhe tjetër gjë ai që vinte nga Shqipëria e Enver Hoxhës”, shkruan Marie-Elizabeth Handman, një antropologe franceze, që i pati studiuar ata në atë periudhë.
Hebrenjtë shqiptarë, shkonin shumë më mirë me ata të feve e tjera, të cilëve u jepnin pulën e Pesahut, ndërsa nuk pinin për Ramazan, por të paketuar në Izrael, ishin fillimisht më të tulatur dhe më konservatorë. Nga ana tjetër, në pjesën më të madhe, hebrenjtë shqiptarë janë si shqiptarët e tjerë dhe s’e vrasin mendjen për fenë. Kur Andon Meloja, fëmija që doli nga martesa e parë e një hebreu, me një johebre në Shqipëri, pati kërkuar të regjistrohej në komunitetin hebraik të Athinës, ku jeton, para tre vjetësh, e habitën. Donin ta çonin për ta bërë synet.
“U thashë; Me mua doni të talleni ju? Unë jam burrë tetëdhjetë e tre vjeç”, – thotë Meloja, inxhinier në pension, grek i Delvinës nga i ati, hebre Delvine nga e ëma, martuar me shqiptare me origjinë myslimane, jetuar në Fier gjatë komunizmit. Por si hebrenjtë e tjerë, tregojnë solidaritet të madh me njëri-tjetrin. Dhe në Izrael, një pjesë e mirë e bashkëshortëve johebrenj, apo fëmijët e lindur nga nënë johebreje prej shqiptarëve, janë konvertuar në judaizëm, proces më i gjatë dhe më i mundimshëm se konvertimi në krishterim apo islam. “Dallojnë dhe në Izrael shqiptarët”, – më thotë Matsa. Kanë bërë më përpara nga shumë janjiotë të tjerë të vendosur atje.
Disa nga ata që shkuan në moshë në Izrael apo tjetërkund, e kishin të vështirë. Pepe Kantozi, i cili vdiq viteve nëntëdhjetë në Karmiel, qante rrethin shoqëror që kish lënë pas. “Kur shkoja në Vlorë e, më merrte babai në telefon nga Izraeli, nuk më pyeste si je e si shkon”, – thotë Zhaneta Solomoni-Jakoel, “por se ç’bënte e, si i kishte punët Baçi, ç’bënin Xhevoja, Ruzhdiu e Kudreti, si ishte Shazja…”, – shokët e vet të “Rrugës Justin Godard”. “Por dhe nga brezi i parë, pati që ia dolën dhe zunë punë të mira, ato që kishin lënë në Shqipëri”, – thotë Gerion Kureta.
“Brezi i dytë pastaj, ai që lindi atje, shpërtheu. Patën sukses të paparë”. Sidomos pas të nëntëdhjetave, filluan të rivinin për vizitë shumë syresh. Shemo Sollomonin, me të cilin u lidha në fillim për të mbledhur eksperiencat e hebrenjve janjiotë të Shqipërisë, e gjen në Vlorë çdo dy vjet, ku ka blerë dhe shtëpi. Çdo vit pelegrinon në apartamentin e vet në Tiranë, Zino Matathia, doktori, i cili të thotë se u mbrujt në dy placenta, nga Shqipëria dhe nga Izraeli. Kur pat parë një vajzë hebreje serbe me banim në Izrael, të dilte në televizor në 1999-ën, e të thoshte se ishte e gatshme të shkonte të luftonte në Kosovë, ai pat shkuar si vullnetar në një spital për refugjatë kosovarë, që pati ngritur ushtria izraelite në Bllacë.
Kur lëvizi në Janinë me të shoqin dhe vajzat në 1990-ën, Zhaneta Jakoeli qau gjashtë muaj rresht, se e merrte malli për Vlorën. Tani, televizorin në apartamentin e saj në Janinë, e mban tek kanalet shqiptare dhe kur kthehet nga Vlora verës, sjell me vete një valixhe me romane shqip dhe në të dyja vizitat që bëra te Jakoelët, ajo shpesh e kthente bisedën tek letërsia. “Edhe kur bëjnë festë për bar dhe bat mitzvah-të shqiptarët, – thotë ajo, – siç para ca kohësh vjetësh në Amerikë, ia marrin; O do marr çiftenë, e do dal për gjah”!
Nisim Koheni rrëmon prej Bruklini kujtimet e nënës dhe babait, duke i plotësuar me librat e shkruara për janjiotët dhe hebrenjtë. Anna, dentistja dhe kushërira e tij që u pat larguar në rini dhe i pati tërhequr njerëzit e vet në Nju Jork, është mbase shqiptarja më entuziaste sot në Amerikë. Por vëllai i madh i Nisimit, nuk do t’ia dijë për vendin e shqiptarët. Nuk të çudit.
Marrëdhënia me këtë vend, i cili krijoi një nga diktaturat më brutale, më mjeruese dhe më poshtëruese në Evropë, u bë gjë e vështirë për të gjithë ne që jetonim aty. Dhe marrëdhënia e tyre me vendin ka ngecur në këstin e fundit të dëmshpërblimit të përndjekjes të të atit, të cilit i mori mbrapsht jeta, si dajës tim, kur bënë pesë vjet burg politik në rini nga fundi i viteve dyzet. Dhe njerëzit e së shoqes në Vlorë. Nuk është kjo gjithçka, për mirë apo për keq.
“Kemi lindur në Shqipëri, jemi rritur në Shqipëri, – më thotë Nesimi. – Unë shqiptar e konsideroj veten”. Para tetë vjetësh, në Shqipëri u kthye nga Izraeli, Geri Kureta, i cili mban këtu një biznes lodrash për fëmijë. Më thotë se edhe brenda Izraelit, diskursi mbi identitetin hebre – i cili sidomos pas Holokaustit u lidh me shpërnguljen në atë vend, ka ndryshuar. “Nuk është e domosdoshme të jesh hebre dhe të jetosh atje, – thotë. – Mund të jesh hebre kudo, siç edhe ndodh”.
Elio Jakoeli, një nga fëmijët e dy të mbijetuarve janjiotë nga Aushvici, që erdhën dhe u vendosën në Tiranë, ka dyqan të vetin në Brooklyn, por më thotë se biznesi nuk i ecën siç do. Brezin e vet në Tiranë, vitlindja 1953, e kujton me mall. “Nuk vjen brez si ai”, – thotë. “Të sinqertë, të hajrit”. Tiranas tipik, 24- karatësh, ky Elio. Ndonjëherë e ngacmon dhe ideja të kthehet e të jetojë këtu.
Jakov Sollomoni, i cili tani vonë ka shkruar disa libra mbi përvojën hebreje të Shqipërisë, ishte nga ata që u largua me të katra në 1991-in dhe sot jeton në Ber-Sheba, buzë shkretëtirës së Negevit në Jug të Izraelit. Si stil, rrëfimi i tregimeve të tij lëviz nga një drejtim në tjetrin, si muhabet shtruar, dhe përdor shprehje të shqipes të atij që e ka atë gjuhë të vetën. Një greqishte popullore e mësoi nga familja. Anglishtes dhe rusishtes i hyri vetë, madje pati sjellë në shqip dhe një vjershë të Lermontovit. Tani merret vesh dhe në hebraisht. “Por për të shkruar, shqip shkruaj”.
“Brezi i ri është ndryshe”, – më thotë. Djali dhe nusja zbatojnë kashrutin, rregullat strikte dietetike të hebrenjve besimtarë, dhe mbajnë shabatin. “Ne jo”, – thotë. “Gruaja më bën shpesh tavë Elbasani”. Gjellë më antikosher nuk ka. Rashela Sollaku, e lindur Matathia, është nga ata pak hebrenj janjiotë, që nuk lëvizën në Izrael. Inxhiniere kimiste, ajo vendosi të rrijë në Shqipëri, të kujdeset për të shoqin, i cili do vëmendje shëndetësore. “Është dhe mysliman me origjinë”, – thotë.
Ajo është mbesa e Mateo Matathisë, që u kujdes të merrte shtëpitë e gjyshit në Vlorë, gjë që i dukej e pamundur në 1997-ën, kur njëra nga ato u dogj dhe një hajvan pati zhargavitur mureve një kryq nazist-edhe atë mbrapsht, me sens anti-orar. “Është vonë për të lëvizur”, – thotë, kur e takoj në një kafene në qendër të Lushnjës. “Jetën e kam këtu”. Por njëri djalë, informaticien i studiuar në Romë, po përgatitet t’i vejë në Izrael, në kërkim të kësaj pjese të rrënjëve të veta.
Në javën e parë të tetorit, dy ditë pasi hebrenjve u fillonte viti 5776, gjej në dyqanin e tij në Janinë, Marko Batinon, djalin e atij Pepos që kish shpëtuar fizarmonikën nga ushtarët shqiptarë, kur në 1946-ën, e përzunë me gjithë familje. Takova dhe të ëmën, Ninetën. Pepoja, i cili ndërroi jetë para pak vitesh, deri sa mbahej e rrinte në dyqan, kur i dilte shqiptar në derë, ia shtronte muhabetit shqip!/ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm