Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente me siglën “sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin muajt qershor të vitit 1975, ku ambasadori shqiptar në Pekin, Behar Shtylla, me anë të një raport-informacioni dërguar sektorit të Jashtëm pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së në Tiranë, informon “mbi punën e zhvilluar me njerëzit që ndodhen në Republikën Popullore të Kinës në kuadrin e fushatës për dhënien llogari e zgjedhjet në parti”, ku ai evidenton sjelljet e specialistëve shqiptarë që asokohe ndodheshin atje për specializim. Raport-informacioni i plotë i ambasadorit shqiptar nga Pekini, lidhur me “sjelljet e pahijshme” të specialistëve dhe komunistëve: Vaso Dhono, Muharrem Shehu, Avdurrahim Ekmekçiu, Çlirim Mançe, etj., si dhe mbledhjet e organizatave bazë të partisë, ku “u zgjodhën në mënyrë unanime si sekretar, shokun Engjëll Leka dhe si zëvendës sekretar, shokun Kristaq Teneqexhiu”.
Dokumenti me raport-informacioni e hartuar nga ambasadori shqiptar në Pekin, Behar Shtylla, dërguar sektorit të Jashtëm pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me punën e sjelljet e specialistëve shqiptarë, që ndodheshin në Republikën Popullore të Kinës
AMBASADA E REPUBLIKËS POPULLORE
TË SHQIPËRISË NË PEKIN
Pekin 25.6.1975
KOMITETIT QENDROR TË PARTISË PUNËS SHQIPËRISË
(Sektorit të Jashtëm)
T I R A N E
Bashkëngjitur ju dërgojmë informacionin lidhur me punën e zhvilluar me të gjithë njerëzit tanë që ndodhen në Kinë, në kuadrin e fushatës së zgjedhjeve në Parti.
Ambasadori
Behar Shtylla
I N F O R M A C I O N
Mbi punën e zhvilluar me njerëzit që ndodhen në R.P. të Kinës në kuadrin e fushatës për dhënien llogari e zgjedhjet në parti.
Në bazë të udhëzimeve që morëm nga Sektori i Jashtëm i K.Q. të PPSH-së, dhe në zbatim të detyrave që nxori organizata bazë e Partisë në përfaqësi, me të gjitha organizatat bazë të Partisë, organizatat bazë të Bashkimit të Rinisë, grupet e praktikantëve e specialistëve, studentët, etj., pavarësisht se mbledhjet për dhënie llogarie në zgjedhje do të zhvillonin vetëm dy organizata bazë partie, ajo e specialistëve në Pekin, dhe e grupeve të praktikantëve që mësojnë në uzinat metalurgjike nr. 1 dhe 5 të qytetit të Shangait.
Morëm masa që në këtë fushatë, si aksion politik dhe ideologjik, të përfshiheshin të gjithë njerëzit tanë që ndodheshin në R.P. të Kinës. Sipas udhëzimeve që u dhamë organizatat bazë të Partisë dhe ato të Bashkimit të Rinisë, organizuan punimin e kryeartikullit në gazetën “Zëri i Popullit”, për këtë fushatë me të gjithë njerëzit.
Pastaj nga ana jonë, në bazë qytetesh zhvilluam mbledhje me të gjithë njerëzit si në: Pekin, Shangai, Guangzhou, Tiencin, etj. Analiza e punës u zhvillua me partishmëri, me frymë kritike e autokritike, këto ishin të adresuara me emra, për probleme konkrete e të argumentuara.
Kështu p.sh., më rëndë nga të tjerët u kritikua shoku Qemal Cani, që është dhe zëvendës sekretari i organizatës bazë i cili, në një rast për një çështje shumë të thjeshtë, i kish futur disa njerëz në një rrugë pa krye. Po kështu u kritikuan komunistët Avdurrahim Ekmekçiu dhe Çlirim Mançe, të cilët nuk kanë marrë pjesë aktivisht në diskutime si dhe nuk kanë zhvilluar kritikën e autokritikën.
Nga 14 komunistë gjithsej diskutuan 10, ndërsa 4 të tjerët që ishin përgatitur, u tërhoqën sepse dolën problemet. Doli se komunistët në mbledhje kanë ardhur vazhdimisht të përgatitur, dhe janë treguar aktiv në diskutimin e problemeve. Kështu ata kanë dhënë kontributin e tyre për mbarëvajtjen e punës në organizatat bazë të partisë.
Kjo organizatë bazë në këtë mbledhje trajtoj problemin: “Të ngremë në një shkallë më të lartë nivelin e punës së organizatës, për përsosjen e mëtejshme të figurës morale të komunistëve dhe praktikantëve”. Lidhur me këtë ajo u ndal kryesisht në dy drejtime kryesore, lidhur me shijet dhe sjelljet. Problemi përgjithësisht u trajtua në prizëm ideologjik dhe për këtë, kishin shfrytëzuar mirë materialet e Partisë dhe të shokut Enver.
Raporti në disa raste, i referohej direkt shokut Enver. Siç doli nga raporti dhe nga diskutimi lidhur me shijet, shumica e dërrmuese e njerëzve, përfaqësojnë denjësisht njeriun tonë të ri, të edukuar nga Partia dhe shoku Enver. Megjithatë u theksua se ‘zjarri’ në këtë drejtim, duhet mbajtur vazhdimisht i ndezur pasi, janë vërejtur tek ndonjë i ri rastet, kur ata mbajnë flokët dhe favoritët e gjata, më shumë se ç’duhet.
Për këtë çështje, u kritikua mendimi tek ndonjë i ri se, me që jemi larg atdheut, mund ta ndjejmë veten “ca më të lirë”, kështu që mund t’i mbajmë si të duam flokët dhe favoritet. Në këtë drejtim theksi u vu në punën e vazhdueshme që duhet të zhvillojë organizata bazë e Partisë, dhe ajo e Bashkimit të Rinisë, me njerëz të tillë për të krijuar tek ata koncepte të shëndosha.
U kritikua gjithashtu puna me hope dhe në disa raste shfaqjet e indiferentizmit. Ndërsa lidhur me sjelljet doli, se nga shokët kinezë, jo vetëm që u pritëm shumë mirë dhe ngrohtë dhe që u janë krijuar të gjithë kushtet e duhura.
Kur disa praktikantë të grupit të furrnaltave, të cilët kishin ardhur kohë më parë, që në takimet e para ata ju thanë: “po ç’ju desh juve që të vinit këtu, pasi do të mërziteni shpejt sepse koha nuk kalon”, e të tjera fjalë si këto, të cilat për një moment, në disa nga praktikantët e grupeve të reja, krijoi një farë mërzitjeje.
Theksojmë se grupi i furrnaltave, përbëhet nga 40 vetë dhe ndër ta ishte vetëm 1 komunist. Për këtë grup ju kemi informuar vitin e kaluar, kur ndodheshim në seminar. Po kështu ja kemi ngritur si problem dhe Sekretarit të Partisë së Kombinatit Metalurgjik, gjatë vizitës që bëmë në atë objekt.
Natyrisht që neve na është dashur që të bëjmë një punë të veçantë për të gjithë kohën me atë grup pasi, në përbërjen e tij kishte dhe njerëz të tillë si, Ruzhdi Biza, inxhinier elektrik, pa parti, i cili zhvilloi një punë që shkaktoi ndarjen e njerëzve në grupe.
Në raport dhe në diskutime, u sollën shembuj që megjithëse të rrallë por që kanë ndikuar në manifestime sjelljesh të pahijshme me njëri tjetrin. Kështu p.sh., praktikantët Vaso Dhono dhe Muharrem Shehu, grinden me njëri tjetrin, anëtari i Bashkimit të Rinisë Edmond Abazi, gjatë një ndeshjeje sportive, qëllon pa asnjë arsye komunistin Ramazan Çamani.
Për të dyja rastet organizata bazë e Partisë është mbledhur e i ka thirrur që të tre, e i ka kritikuar rëndë. Për anëtarin e Bashkimit të Rinisë, çështja u shtrua në organizatën bazë dhe për të tre u vendos që të paralajmëroheshin.
Që nga ajo kohë, gjendja paraqitet e mirë, ndërsa me shokët kinezë, kanë marrëdhënie shumë të mirë. Në fund, organizata bazë me vendim unanim, zgjodhi Sekretar shokun Haki Pupuleku dhe Zëvendës Sekretar, shokun Qemal Cani.
Po kështu dhe në organizatën bazë të partisë së specialistëve në qytetin e Pekinit, po me anonimitet, zgjodhi si Sekretar shokun Engjëll Leka dhe si Zëvendës Sekretar, shokun Kristaq Teneqexhiu. Organizata bazë në fund përcaktoi dhe detyrat për përmirësimin e mëtejshëm të punës në të ardhmen.
Dy komunistët e ‘Shoqërisë së Lundrimit Detar’, kohët e fundit erdhën në qytetin e Shangait dhe filluan që të bëjnë jetën e partisë në organizatat bazë të praktikantëve që mësojnë në uzinat nr 1 dhe 5. Memorie.al
Faik Golemi
Pekin 24.6.1975
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016