Nga Kastriot Dervishi
– Dhimitër Beshiri – avokati i Nexhmije Hoxhës, një histori kriminale –
Memorie.al / Ish-hetuesi Dhimitër Beshiri, asnjëherë nuk e tregoi vendin se ku ishte pushkatuar Xhelal Koprencka. Prej kohësh, një e përditshme mbush faqet e saj duke bërë propagandë në favor të personave që drejtpërdrejt kanë ushtruar diktaturën komuniste në Shqipëri. Ishte e kuptueshme që pas vitit 1991, këta që ishin bërë “avokatë” e “juristë”, të bëheshin edhe avokatët e kriminelëve të diktaturës, duke vepruar sipas parimit që; “krimineli mbron kriminelin”. Njëri prej tyre ishte edhe Dhimitër Beshiri, avokati që mbrojti Nexhmije Hoxhën dhe një personazh të ngjarjeve të 2 prillit 1991. S’do mend që aty ku ishte gjaku, ishte edhe Beshiri, i cili në përfundim të gjithë procesit, do të bëhej edhe publicist, duke botuar librin “Gjyqi i kafeve”.
Sigurisht që Nexhmije Hoxha, nuk meritonte një gjyq kafesh, sepse ajo vjedhjen e kishte treguar për 45 vjet, duke mos lënë para, flori e katandi, nëpër shtëpi të shqiptarëve, por meritonte një gjyq për krimet që ajo dhe i shoqi, i kishin shkaktuar këtij vendi.
Ndoshta njerëz e mbajnë mend sesi ankohej për shkeljen e të drejtave të njeriut, për klientin e tij gjatë vitit 1992, avokati i Nexhmije Hoxhës, Dhimitër Beshiri. Për atë që nuk e njeh, ose ia ka harruar emrin, po ja kujtojmë: është njëri nga hetuesit më gjakatarë të diktaturës komuniste, që mbronte krye-kriminelen më të famshme, që prodhoi ai regjim.
Po sjellim në vëmendje të publikut pushkatimet e fundit të diktaturës, sigurisht të përbindshme, si ato të viteve të para kur u vendos në pushtet kjo farë e keqe. Një rast i tillë është ky i Xhelal Koprencës, njeriut që u tregua i papërkulur nga diktatura komuniste, edhe kur ajo i mori jetën. I dënuar disa herë, më 1979, Xhelali pati dënimin e fundit.
Këtë herë në grup, së bashku me disa të tjerë. Xhelal Koprencka, cilësohej se ishte në konkurrencë me organizatën tjetër “Revizioniste” kundër-revolucionare, që vepronte në Spaç dhe që përbëhej nga Fadil Kokomani e Vangjel Lezho.
Xhelali ishte arrestuar më 23 shkurt 1979.
Dokumenti arkivor: Xhelal Koprencka, i akuzuar nga Dhimitër Beshiri
Të akuzuar si pjesëmarrës në organizatën antisocialiste “Nacionaliste”, dhe për agjitacion e propaganda armiqësore, krime këto të parashikuara nga nenet 57 e 55/1 të Kodit Penal të RPSH-së, me datën 20.2.1979, organet e hetimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, filluan çështjen penale për krijimin e organizatës kundërrevolucionare “Nacionaliste”, nga të dënuarit që vuajnë dënimin në Repartin e Riedukimit 303, Spaç.
Nga hetimet e zhvilluara, ka rezultuar se i pandehuri Xhelal Komprencka, armik i tërbuar i shtetit të diktaturës së proletariatit dhe ndërtimit socialist të vendit, gjatë qëndrimit në repartin e riedukimit 303 Spaç, ka bashkuar rreth vetes armiqtë e betuar të pushtetit popullor, të pandehurit;
Irfan Vroni, Eduart Marashi, Bardhosh Gjonzeneli, Napolon Koleci, Sarandi Lulo, Ernest Kraja, Florenc Rusi, Gaspër Gaspëri, Thoma Bejo, Pal Ndreca dhe Nuredin Sula, me të cilët formoi organizatën “Nacionaliste”, ne platformën politike të së cilës, kishte përmbysjen e pushtetit popullor dhe restaurimin e kapitalizmit në Shqipëri.
Materialet e administruara ne dosjen hetimore, vërtetojnë se veprimtaria armiqësore e të pandehurve, është kryer në këto rrethana: Në muajin shkurt të vitit 1977, i pandehuri Xhelal Koprencka, ka shkuar për të vuajtur dënimin në repartin e riedukimit Spaç, mbasi u dënua për të katërtën herë, nga gjykata popullore, edhe me 10 vjet heqje lirie, për krimin e agjitacionit e propagandës armiqësore.
Qysh në kontaktet e para me te dënuarit në këtë repart, ai u përpoq që nëpërmjet bisedave mbi situatën ndërkombëtare dhe gjendjen e brendshme të vendit, të lidhura këto me lajmet që botohen në shtypin e përditshëm, të grumbullonte rreth vetes elementë me pre-dispozicion të theksuar armiqësor, të cilët ishin të gatshëm të hidheshin në forma lufte klasash më të ashpra, si mjet i vetëm që u mbetet atyre, që janë të destinuar të vdesin, si armiq të revolucionit e të socializmit.
Si rezultat i kësaj pune, i pandehuri Xhelal Koprencka, krijoi shoqëri të ngushte me të pandehurit Irfan Vrioni, i dënuar tre herë për agjitacion e propagande armiqësore e, tentative arratisje jashtë shtetit dhe me të pandehurin Eduart Marashi (Vata), i biri i Llesh Marashit, i ekzekutuar me varje nga pushteti popullor, si kriminel lufte dhe organizator i lëvizjes kundër-revolucionare të Koplikut me 1946, i dënuar dy herë për veprimtari armiqësore.
Në biseda me këta persona ky i pandehur, e prezantonte veten; “si politikanët të aftë, që e njihte mirë situatën ndërkombëtare dhe gjendjen brenda vendit” dhe mbi këtë bazë, tërhiqte “konkluzione”, se së shpejti pushteti popullor do të përmbysej, si rezultat i revoltës se masave punonjëse, të udhëhequra nga opozita, që sipas tij ndodhet brenda udhëheqjes se partisë e shtetit, ose nga ndërhyrja ushtarake e amerikanëve në Shqipëri, nëpërmjet territorit jugosllav.
Duke i përpunuar këto ide të lidhura ngushtë edhe me tradhtinë e revizionistëve kinezë, i pandehuri Xhelal Koprencka, intensifikoi veprimtarinë e tij armiqësore, me synimin që të krijonte organizatën “Nacionaliste”, e cila sipas tij, do të ishte shpëtimtare e kombit shqiptar, me qellim që natarëve të organizatës, t’u bëhej e qartë programi dhe detyrat që dilnin, si për sot ashtu dhe për të ardhmen, i pandehuri përgatiti platformën politike të saj, në të cilën restaurimi i kapitalizmit në Shqipëri, e parashikonin se do të vinte në dy variante dhe konkretisht:
Varianti i parë, është përmbysja e pushtetit popullor nga brenda, si rezultat i ndryshimit të situatës. Sipas pikëpamjes se të arrestuarit Xhelal Koprencka, mbas tradhtisë se revizionistëve kinezë, gjendja ekonomike në vendin tonë do të keqësohej, populli do të çoroditet dhe për rrjedhim, do të ngrihej kundër sistemit.
“Në udhëheqje, – vazhdonte ai, – ka kontradikta, sepse të gjithë janë kundër katërshes kryesore, kështu që situata e krijuar, do t’u japë atyre mundësinë, për të drejtuar popullin e revoltuar dhe përfundimisht shteti i diktaturës së proletariatit, do të rrëzohet.
Organizata “Nacionaliste”, sipas të pandehurit Xhelal Koprencka, do t’i parashtronte drejtuesve të revoltës dhe gjithë popullit, nevojën e vendosjes se një regjimi të ri, me emërtimin “Nacionalizëm”, duke kërkuar që anëtarët e saj, të marrin pjesë në udhëheqje, si njerëz të persekutuar prej shumë vitesh, si kundërshtarë politikë të regjimit në fuqi dhe që kishin kontribuar me të gjitha mundësitë, për përmbysjen e pushtetit popullor.
Si gjatë përpjekjes për të marrë pushtetin, ashtu dhe kur ta merrnin atë. theksonte i pandehuri, do të mbështetemi te amerikanët, të cilët janë konsekuent kundër komunizmit.
Varianti i dytë, do të jete revolta politike e të dënuarve që vuajnë dënimin në repartin 303 Spaç. I pandehuri Xhelal Koprencka udhëzonte, se në rast se varianti i parë nuk realizohej, për arsye të ndryshme, të cilat nuk varen nga ne, atëherë ne do të vëmë në zbatim variantin tjetër dhe konkretisht:
Nëpërmjet një incidenti që do të provokojë një anëtar i organizatës, me një nga nënoficerët e shërbimit të repartit 303 Spaç, do të shpallin revoltën politike, duke kërkuar që të vinte një anëtar i Byrosë Politike, për të biseduar me ta.
Në këtë rast, me siguri qeveria do të dërgojë kundër nesh forca ushtarake dhe që ne do ta udhëhiqnim revoltën, do të urdhërojmë përleshjen trup me trup, nën parullën: “Pa gjak e sakrifica, nuk ka liri”. (Kjo aktakuzë e miratuar nga Prokurori i Përgjithshëm, Rrapi Mino, u përgatit nga hetuesi Dhimitër Beshiri).
Dy ditë më vonë, më 22 shkurt 1979, hetuesi Dhimitër Beshiri. cakton grupin e hetimit të çështjes, i përbërë nga: Dhimitër Beshiri, Irfan Shaqiri, Bashkim Asllani, Shkëlqim Lubonja dhe Llambi Gegeni. Memorie.al
Lista e personave të dënuar politikë, të hetuar nga Dhimitër Beshiri
- Rakip Arif Cenka
- Zyfer Xhevair Zyfi
- Manol Aleks Qirici
- Abdyl Hakan Banushi
- Genc Leka
- Vilson Blloshmi
- Bedri Blloshmi
- Sulejman Sefer Osmani
- Nikollë Gjok Perlesi
- Nikolla Hanë Gjoka
- Mirdash Xhevahir Serjani
- Xhevdet Nevruz Kreka
- Zef Mark Gopçi
- Riza Elmaz Toro
- Xhemal Din Bala
- Neim Tasim Hoti
- Mark Lala
- Prel Pjetrush Paja
- Drita Ali Ahmeti
- Arqile Thoma Melo
- Ilia Anastas Paparisto
- Shefqet Beqir Rexha
- Zeqir Mahmut Roshica
- Tomor Alush Kaloshi
- Gjet Ndue Nolaj
- Shefqet Kelmendi
- Xhemal Ibrahim Bardhi
- Murat Jaho Marta
- Bebi Xhelo Shameti
- Vladimir Aleko Kosturi
- Xhevat Halit Tarushi
- Mehmet Liman Brami
- Halit Mehmet Fiku
- Arshim Myrzel Lanaku
- Vildan Adem Ballhysa
- Florenc Refik Rusi
- Neshat Bektash Hyseni
- Hysen Jonuz Panja