Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të ndodhur në mesnatën e 21 tetorit të vitit 1981, kur një nga repartet ushtarake të ‘Baterisë bregdetare’ të dislokuara në Gjirin e Vlorës, raportuan se në ujërat territoriale shqiptare, jo shumë larg Kepit të Gjuhëzs, kishin zbuluar periskopin e një “objekti armik” dhe pas kësaj me urdhër të Komandës së Flotës Luftarake-Detare në Ministrisë e Mbrojtjes në Tiranë, u ngritën në alarm luftarak të gjitha repartet ushtarake dhe ato të Flotës Detare të dislokuar për gjatë gjithë Gjirit të Vlorës. Dëshmia e rrallë e Mahmut Lazrit, ish – shefit të Ndërlidhjes në Komandën e Ishullit të Sazanit, lidhur me urdhrin për zbulimin që i’u dha Regjimentit të Sazanit që kishte në dispozicion tre skuadrilje: (‘Kater silurues’, dy ‘Gjuajtëse detarë’ dhe dy ‘Dragaminë’) të cilat i nxori në det të hapur në brendësi të Gjirit të Vlorës për të përmbushur detyrën luftarake nën urdhrat e komandantit të ishullit, Tasim Meçe. Si dhe përse dështoi operacioni për goditjen dhe asgjësimin e “anijes fantazmë’ pas urdhrit për të hapur zjarr mbi të që u komunikua nga Ministria e Mbrojtjes, urdhër të cilin kishte të drejtë ta jepte vetëm Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Enver Hoxha, pasi ta miratonte më parë në Këshillin e Mbrojtjes! Çfarë nxorën hetimet disa mujore që u bënë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Hetuesisë Ushtarake, lidhur me atë ngjarje e cila dhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë objekt debatesh në mes ish-ushtarakëve që morën pjesë në atë operacion luftarak dhe a ishte i implikuar vërtet Kadri Hazbiu me atë ‘incident’, ashtu siç do ta akuzonte Enver Hoxha pak kohë pas arrestimit të tij?!
“Rreth orës 10.20 minuta, gjuajtësi detar që kishte marrë urdhër për të mbajtur nën kontroll nëndetësen e huaj armike, kërkoi leje për të hapur zjarr mbi të. Këtë kërkesë që erdhi nga ajo anije që kishte mbi 20 marinarë në bordin e saj dhe që komandohej nga komisari Petro Kadëna, unë ja raportova Operativit të ishullit të Sazanit, që ishte dhe komanda jonë superiore. Në atë kohë, Tasim Meçe, që ishte komandant i përgjithshëm i ishullit, mori vetë nën komandë drejtimin operativ të situatës luftarake që ishte dhënë, pas lajmit se një nëndetëse e huaj ishte futur në brendësi të Gjirit të Vlorës. Pas raportimit tim, kërkesën e gjuajtësit për të hapur zjarr, Operativi i ishullit, ja raportoi Operativit të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili u lidh direkt me Ministrin Kadri Hazbiu dhe ja bëri prezent atë gjë. Pas asaj, nga Operativi i Ministrisë së Mbrojtjes me anë të radio-sinjalit, na erdhi urdhri: ‘Hapni zjarr, asgjësoni nëndetësen’. Këtë urdhër, Operativi i Ministrisë, ja dha me anë të telefonit, Komandës së ishullit, kurse mua, Operativi i saj ma dha me anë të radio-sinjalit. Që nga çasti që ‘gjuajtësi detar’, kërkoi leje për të hapur zjarr mbi nëndetësen e huaj, e deri në marrjen e urdhrit, i cili e aprovonte atë gjë, nuk kaluan më shumë se shtatë minuta. Urdhri për të hapur zjarr mbi nëndetësen e huaj e cila konsiderohej armike dhe që kishte shkelur në mënyrë flagrante ujërat territoriale të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, sipas të gjitha rregulloreve ushtarake që dispononte asokohe ushtria shqiptare, është dhëne direkt nga Enver Hoxha. Them kështu, sepse për dhënien e atij urdhri, nuk kishte kompetencë asnjeri tjetër përveç Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxhës dhe atë gjë ai duhet ta bënte vetëm me miratimin e Këshillit të Mbrojtjes”.
Dëshmon për Memorie.al, Mahmut Lazri, ish – ushtarak për më shumë se tre dekada me radhë, nga të cilat 13 vite (1976-1988) i kaloi me shërbim në ishullin e Sazanit, me detyrën e shefit të Qendrës së Ndërlidhjes, pranë komandës së atij ishulli, i cili për herë të parë bën publike atë ngjarje të largët të vitit 1981, kur një nëndetëse e huaj, nëpërmjet mezo-kanalit që ndodhej midis Sazanit e Kepit të Gjuhëzs, u fut në brendësi të Gjirit të Vlorës.
Rrëfimi i Mahmut Lazrit, ish-shef i Qendrës së Ndërlidhjes së ishullit të Sazanit
Në atë kohë në një repart pranë ishullit të Sazanit, ishte një aparaturë hidroakustike e quajtur ‘Radiostacioni Volkov’. Kjo aparaturë ishte sjellë nga sovjetikët që kur këta kishin qenë në Pashaliman. Ajo ishte jashtë funksionit, ndoshta sepse ishte amortizuar. Si rezultat i mosfunksionimit të saj, nëndetësja e huaj, kishte mundur të hynte në brendësi të Gjirit të Vlorës, pa u diktuar nga radarët që ishin të dislokuar në Sazan, Karaburun, dhe bregdetin e Vlorës. Mbasi unë i raportova operativit të ishullit, se ‘Gjuajtësi’ kërkonte urdhër për të hapur zjarr, ai atë gjë, i’a komunikoi eprorit të vet në Ministri dhe ky i fundit, e delegoi lart urdhrin, tek Ministri i Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu. Pas kësaj, në Qendrën e Ndërlidhjes së komandës së ishullit, ku isha unë bashkë me katër vartësit e mi, erdhi urdhri, që të hapej zjarr mbi nëndetësen e huaj armike, që kishte hyrë në Gjirin e Vlorës. Nga momenti që ‘Gjuajtësi i madh’ detar kërkoi lejen për të hapur zjarr mbi objektin nënujor, dhe deri në çastin e marrjes së atij urdhri, nuk kaluan më shumë se 7-8 minuta. Më kujtohet si tani, që ajo gjë zgjati nga ora 10.00, deri në 10 e 27 minuta. Këtë urdhër, Operativi i Ministrisë, ia dha me telefon, Operativit të ishullit. Ky i fundit, ma komunikoi mua me anë të radio-sinjalit, kujton Lazri, rreth transmetimit të atij urdhri të pazakontë, që nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë në kufjet e tij, që nga dita që ai shërbente në atë detyrë!
Kush e dha urdhrin: “Të qëlloni nëndetësen armike”
Urdhri për të hapur zjarr mbi nëndetësen armike që kishte shkelur ujërat territoriale të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, sipas rregulloreve të Ushtrisë shqiptare të asaj periudhe, është dhënë direkt nga Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Enver Hoxha. Mendoj kështu, pasi për dhënien e atij urdhri, nuk kishte kompetencë askush tjetër, përveçse atij. Dhe atë gjë ai, duhet ta bënte vetëm me miratimin e Këshillit të Mbrojtjes. Por, koha e shkurtër prej 7 minutash, që nga çasti që u kërkua leja për të hapur zjarr dhe deri në mbërritjen e urdhrit që e mbështeste një gjë të tillë, të bën të mendosh se: Enver Hoxha nuk ka pasur asnjë mundësi për të mbledhur Këshillin e Mbrojtjes. Kështu logjikisht, urdhri është dhënë vetëm prej tij. Ky urdhër për ne, përbënte një ngjarje të jashtëzakonshme pasi deri atëherë, për repartet e Marinës të dislokuara në Karaburun dhe Sazan, asnjëherë nuk është dhënë një urdhër i tillë. Përkundrazi, ne gjithmonë porositeshim që t’ju ruheshim provokimeve dhe të mos hapnim zjarr ne të parët ndaj anijeve të huaja që shpeshherë shkelnin ujërat tona territoriale. Mbas marrjes së urdhrit për të hapur zjarr ndaj nëndetëses së huaj, unë atë urdhër i’a komunikova me anë të radio-sinjalit ‘Gjuajtësit të madh’ që në gjuhën ushtarake, njihej si anija “Flamurtari”, sepse ajo komunikon e para në marrjen e urdhrave nga komanda e saj. Këtë urdhër unë e dhashë me kontroll të kundërt, që në gjuhën e ndërlidhjes, do të thotë se: ai që e merr urdhrin, duhet ta kthejë përsëri mbrapsht atë, gjë e cila konfirmon marrjen e tij. Kështu ndodhi dhe me urdhrin që unë i transmetova ‘Gjuajtësit të madh’ të cilët, më konfirmuan marrjen e tij.
Humbja e anijes që morri urdhrin të qëllonte anijen armike!
Pas urdhrit për të hapur zjarr, që shefi i Qendrës së Ndërlidhjes pranë Komandës së ishullit, Mahmut Lazri, j’ua transmetoi ushtarakëve, që drejtonin ‘Gjuajtësin e madh’ ose “Flamurtarin”, përveç sinjalit që anija e mori atë urdhër, nuk u ndie më asgjë. Në valët e radios së tyre kishte pllakosur heshtja! Lidhur me këtë episode, Lazri kujton: “Pas dhënies së atij urdhri, unë prisja përgjigjen nga ata, të cilën duhet ta transmetoja ‘lart’. Por nga anija “Flamurtari”, nuk po më vinte asnjë sinjal dhe me të ne i humbëm të gjitha lidhjet! Pasi anija ‘Gjuajtësi i madh’ nuk po përgjigjej, sipas rregullave që kishim ne të ndërlidhjes, duhet me patjetër që të hynim në lidhje me anijen e dytë, që ishte pas saj. Kjo anije ishte ‘Dragamina e madhe’. Lidhjen me këtë anije e bëmë rastësisht, aty nga ora 13.00. Pasi hymë në lidhje me të sipas urdhrave që na vinin nga eprorët tanë më lart, ne i dhamë urdhër ‘Dragaminës’, që të merrte detyrën luftarake dhe të ndiqte nëndetësen armike. Atë anije që përdorej për hedhjen e minave, e komandonte Vladimir Beja, që asokohe ishte në detyrën e Komandantit të M.R.U.-së, (Mbrojtjes Rajonale të Ujërave). Ky urdhër ju dha ‘Dragaminës’, pasi nga ana e tyre, na u njoftua se e kishin nën kontroll nëndetësen. Sipas njoftimeve që na vinin nga ‘Dragamina’, ‘nëndetësja armike’ po tentonte të largohej nëpërmjet mezo – kanalit, në ngushticën midis Kepit të Gjuhëzs dhe ishullit të Sazanit, duke lëvizur fare pranë bregut, nga ana jugore në drejtim të Sarandës. Ne nuk e besonim që ajo nëndetëse të lëvizte në atë drejtim, pasi thellësia në atë distancë ku thuhej se lëvizte ajo, ishte mjaft e vogël dhe nuk kishte mundësi reale e teknike që të kryhej lundrim aty, dëshmon ish – ushtaraku.
Dragamina shqiptare qëlloi nëndetësen e huaj
Pasi ‘Dragamina’ shqiptare që komandohej nga Vladimir Beja, (Komandanti i Mbrojtjes Rajonale të Ujërave), njoftoi pranë Qendrës së Ndërlidhjes së Komandës së ishullit të Sazanit, se kishte zbuluar nëndetësen armike dhe i kishte nën kontroll, lëvizjet e saj, nga ‘lart’ erdhi urdhri që ajo të hapte zjarr në drejtim të saj. Lidhur me këtë, ish ushtaraku Lazri, që komunikoi urdhrin e rrallë, kujton: “Mbas sinjalit që na erdhi nga ‘Dragamina’, ne i komunikuam asaj urdhrin që na u dha për të hapur zjarr drejt nëndetëses armike. Në atë kohë kur transmetuam atë urdhër, ora ishte 13 e 20 minuta. Sipas urdhrit që mori ‘Dragamina’ e komanduar nga Vladimir Beja, ajo hapi zjarr në drejtim të nëndetëses, duke lëshuar gjashtë mina. Këtë gjë ne e mësuam nga raportimet që na bëri ‘Dragamina’ me të cilën mbanin lidhje të pandërprera. Po kështu, oficerët që komandonin atë, na raportuan se gjatë lëshimit të minës së fundit që ajo lëshoi, nga pjesa e prapme e anijes, (aty ku mbahen minat), asaj i mori flakë motori. Kjo sipas tyre, erdhi pasi ajo nuk u largua në kohë, pas lëshimit të minës së fundit. Mbasi ‘Dragamina’ na komunikoi se hapi zjarr ndaj nëndetëses armike, ne i komunikuam urdhrin që të kthehej në bazë. Po kështu pas kthimit të saj, të njëjtën gjë duhet të bënin dhe pesë anijet e tjera që duhet ta ndiqnim automatikisht intenerarin e saj, si anije “Flamurtar”. Në këtë kohë, që ne i komunikuam ‘Dragaminës’ që të kthehej në bazë, nga anija ‘Gjuajtësi i madh’ me të cilën i kishim humbur ndërlidhjen që në ora 10 e 27 minuta, kur i komunikuam urdhrin për të hapur zjarr, hyri përsëri në lidhje me ne. Sapo hyri në sinjal, ‘Gjuajtësi i madh’ na pyeti se a kishim ndonjë urdhër për të. Pas kësaj, sipas urdhrave të marra, ne i komunikuam që edhe ajo të kthehej në bazë, së bashku me pesë anijet e tjera”.
Pse nuk u asgjësua nëndetësja?
Lidhur me këtë, ish oficeri Lazri, që në atë kohë ishte në pikën kyçe të transmetimit të të gjitha sinjaleve e urdhrave që u dhanë gjatë atij operacioni ushtarak, tregon: “Siç dëgjuam më vonë, që nga koha që humbëm lidhjet me ‘Gjuajtësin e madh’, ajo na ka ndjekur në sinjal me telegrafi (me tasto), por nuk na është përgjigjur në thirrjet që ne i bëmë asaj. E them me bindje, se: ‘Gjuajtësi i madh’, d.m.th., oficerët drejtues të saj, e kanë bërë vetëm nga frika për të mos marrë pjesë në operacionin për asgjësimin e nëndetëses së huaj”, kujton Lazri, duke akuzuar oficerët drejtues të anijes që humbën lidhjet me qendrën, për t’ju larguar detyrës luftarake që i’u dha. Lazri gjithashtu shton: “Dragamina’ na raportoi se lëshoi gjashtë mina në drejtim të nëndetëses dhe më pas i mori flakë motori. Sipas mendimit tim, ‘Dragamina’ nuk ka hapur zjarr drejt nëndetëses, sepse ajo nuk kishte mundësi teknike ta bënte një gjë të tillë, por urdhri që ju dha asaj, erdhi si rezultat i humbjes së ndërlidhjes me anijen ‘Gjuajtësi i madh’, e cila duhet ta bënte atë detyrë. Atë ditë pasi u kthyem të gjashta anijet në bazë, detyra luftarake nuk u quajt e mbaruar”.
Prokuroria dhe hetuesia ushtarake hetoi operacionin
Dështimi i operacionit luftarak në Gjirin e Vlorës u bë problem i madh dhe nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes u dha urdhër e u ngrit një grup kontrolli, i përbërë prej katër ekspertësh, me në krye Shefin e Shtabit të Flotës, (B. G.). Pas këtij urdhri, u bllokua i gjithë dokumentacioni i Vend-komandës së Ndërlidhjes dhe ‘Gjuajtësit të madh’ detar. Nga verifikim i atij dokumentacioni, nuk u pa asnjë shkelje. Shkëputja e ndërlidhjes ndërmjet anijes ‘Gjuajtësi i madh’ dhe Qendrës, nuk përbënte shkelje për ‘Gjuajtësin’, (pavarësisht nga rrethanat në të cilat ndodhi ajo gjë,) pasi ai fenomen njihej si defekt teknik. Pas kësaj, ajo çështje ju dha për ndjekje penale, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Hetuesisë Ushtarake, e cila u morr për një muaj me atë problem. Si përfundim, mbas hetimeve të bëra në lidhje me dështimin e operacioni, u morën masa duke shkarkuar komisarin e grupit të anijeve. Petro Kadëna, që atë ditë kishte vajtur për ndihmë në anijen ‘Gjuajtësi i madh’ dhe gjithashtu u dhanë disa vërejtje për disa ushtarakë të tjerë të lartë. Pas një jave nga ajo ngjarje, në ishullin e Sazanit, ne ushtarakëve që shërbenim atje, na u lexua një material që kishte ardhur nga Ministria e Mbrojtjes, e cila e konsideronte dështimin e operacionit luftarak për asgjësimin e nëndetëses së huaj, si: “njollën më të zezë për komandën e atij ishulli”.
Implikimi i Mehmet Shehut dhe Hazbiut me incidentin!
Rreth një vit më vonë, në tetorin e vitit 1982, kur u arrestua Kadri Hazbiu që në atë kohë mbante postin e Ministritë të Mbrojtjes Popullore, çështja e asaj nëndetëse u rihap përsëri, në procesin hetimor që i’u bë atij. Nga dy tre burime të besueshme që kanë ndjekur seancat gjyqësore në ngarkim të tij, thuhet se për atë incident, u akuzua direkt Kadri Hazbiu dhe për atë nëndetëse që mendohej të ishte me mbushje bërthamore, e cila herë u quajt sovjetike dhe herë amerikane, si pjesë e Flotës së VI-të që asokohe ishte e dislokuar në Detin Mesdhe, sipas akuzave që i’u bënë në atë kohë Kadri Hazbiut gjatë procesit hetimor dhe atij gjyqësor, ai: “si agjent i agjenturave të huaja, kishte bashkëpunuar me shërbimet sekrete të këtyre vendeve dhe kishin sjellë atë nëndetëse në Gjirin e Vlorës, me qëllim për të krijuar një incident të rëndë në mes shtetit shqiptar dhe SHBA-ve”. Gjithnjë sipas atyre akuzave, “Nëndetësja ishte sjellë aty që ajo të goditej dhe asgjësohej nga ana e anijeve të Flotës Luftarake Detare Shqiptare dhe pas kësaj, Flota e VI-të Amerikane që ishte duke bërë manovra fare pranë Detit Adriatik, nën pretekstin se i’u godit një anije e saja, do të gjente shkak, për të sulmuar ushtarakisht Shqipërinë. Dhe në këtë moment, komandën do ta merrte kryeministri Mehmet Shehu, i cili me zotësinë e tij si ushtarak, do të bënte të mundur zbrapsjen e amerikanëve dhe kështu ai do të fitonte lavdi, duke u konsideruar një hero, në mënyrë që të rifitonte prestigjin dhe pozitat e lëkundura, pas kritikave që i kishte bërë Enver Hoxha për fejesën e djalit të tij me një vajzë me përbërje të keqe politike”.
Ngjarja e tetorit 1981, ende e mbuluar me mister!
Nisur nga ky fakt, por edhe pse ashtu si pjesa më e madhe e ngjarjeve dhe historive të ndodhura gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, të para viteve ‘90-të, nuk ka një version zyrtar të tyre edhe historia e kësaj ngjarje me anijen fantazmë, vazhdon të jetë e mbuluar me mister, pasi dhe vet ish-ushtarakët që morën pjesë në atë operacion luftarak, edhe sot vazhdojnë të ndajnë opinione të ndryshme nga njëri tjetri! Pra, nuk dihet me saktësi nëse ajo anije që thuhet se u fut në ujërat territoriale shqiptare, duke u afruar deri në afërsi të Kepit të Gjuhëzës në Gjirin e Vlorës, ka ekzistuar në të vërtetë, apo ajo ka qenë thjesht një truk i sajuar nga organet e Sigurimit të Shtetit, (segmente të së cilit asokohe drejtoheshin direkt nga Enver Hoxha), për të fajësuar e akuzuar pas kësaj Ministrinë e Punëve të Brendshme që asokohe drejtohej nga ministri Feçor Shehu, (i cili ishte nën patronazhin e Kadri Hazbiut), për t’i akuzuar ata të dy më pas si “bashkëpunëtorë të ngushtë të Mehmet Shehut”, siç dhe ndodhi në të vërtetë pas ngjarjes së 18 dhjetorit të vitit 1981, kur ai u gjet pa jetë në dhomën e tij të gjumit?! Të gjitha këto hipoteza rreth asaj ngjarje, edhe pas katër dekadash, nuk kanë një përgjigje të saktë dhe vazhdojnë të mbeten ende të mbuluara me mister…?! /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016