Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Albert Lancaster Lloyd, një nga studiuesit e folklorit më të mirë të Anglisë, i cili merrej me studimin e muzikës folk, duke shkruar këngë dhe duke realizuar e prodhuar disqe të ndryshme të kësaj fushe, ku në punë e tij ai përqendrohej kryesisht në Europën Juglindore, duke bërë regjistrime të ndryshme, në disa shtetet ballkanike si: Shqipëri, Bullgari e Rumani, etj., por gjithashtu ai bëri regjistrime edhe në Angli e SHBA-ës. Letra që Lloyd i dërgonte në vitin 1958, Komitetit për Marrëdhënie Miqësore e Kulturore me Botën e Jashtme në Tiranë, ku ai i shprehte përgëzimet më të sinqerta kryetarit të atij komiteti, për botimin e librit “Vallet popullore në Shqipëri”, me autor etnomuzikologun e njohur shqiptar, Prof. Ramadan Sokoli, ku disa nga shkrimet e tij, ai i përktheu në anglisht dhe i botoi në “Journal of the International Folus Muzik Consill”, siç ishte studimi: “Ritmika në muzikën tonë popullore’, që u publikua në një përmbledhje studimesh, rreth muzikës së disa popujve të Europës. Si u bë e munduar ardhja në Shqipërinë komuniste e studiuesit britanik të folkut, i cili gjatë gjithë kohës u shoqërua nga kolegu i tij, Sokoli (nën survejimin e rreptë të organeve të Sigurimit të Shtetit) dhe përshtypjet e vlerësimet e tij për Shqipërinë dhe kolegët në vendin e vogël të Ballkanit, pas së cilit ai ishte magjepsur prej folklorit të tij!
Ka qenë fundi i muajit tetor të vitit 1982, kur një grup studiuesish shqiptarë të Folklorit dhe të Etnomuzikologjisë i dërguan një letër Nexhmije Hoxhës, (Drejtore e Institutit të Studimeve Marksiste- Leniniste), ku i kërkonin asaj që të shikohej mundësia e botimit të një nekrologjie në shtypin tone, për profesorin e Universitetit të Londrës, Albert Lancaster Lloyd, i cili kishte ndërruar jetë atë ditë, në një nga klinikat e kryeqytetit britanik, Londër.
Kush ishte Albert Lloyd?
Albert Lloyd, ka qenë një ndër ata të pakët personalitete të artit e kulturës botërore, që kishte mundur të çante perden e hekurt të regjimit komunist të Enver Hoxhës, para viteve ’90-të dhe të vendoste kontakte, duke vizituar disa herë kolegët e tij në vendin e vogël komunist të Ballkanit. Bert Lloyd, lindi në viti 1908 nga prindër të cilët ishin dhënë shumë pas muzikës, duke qenë këngëtarë të muzikës folklorike. Ai, në fillim të viteve ’20-të, emigroi në Australi (si emigrant ekonomik) dhe aty që në moshën 15 vjeçare, u dha i tëri pas folklorit dhe muzikës, duke mbledhur këngë folklorike, të cilat i kishte dëgjuar që i vogël, kur ja këndonin prindërit e tij, teksa e vinin në gjumë. Kur Lloyd u kthye në Londër, pas nëntë vitesh të emigrimit të tij, ai mbante në duar një pako të madhe me libra, në të cilat kishte ushtrime muzikore, balada të ndryshme, të cilat i kishte mësuar nëpër lëndinat e kullotat, atje mes staneve të largëta të barinjve që ai kishte frekuentuar, për afro një dekade.
Gjatë viteve të Luftë së Dytë Botërore, Lloyd u ngarkua nga Shoqata Muzikore e Punëtorëve, që të shkruante një hyrje të shkurtër për këngët folk, të titulluar “Anglezi këngëtar”, (Londër 1944). Kjo ishte një vazhdim për këngën folk angleze, që nga koha kur Cecil Sharp, shkroi këngën e folkut anglez. Lloyd e la punën e reporterit të “Picture Post” në vitin 1950 dhe u bë një nga studiuesit e folklorit më të mirë të Anglisë, i cili doli në krijimtari të lire, e merrej me studimin e muzikës folk, duke realizuar këngë dhe shkruante e prodhonte disqe e regjistrime të ndryshme të kësaj fushe. Në punën dhe kërkimet e tij, Lloyd u përqendrua kryesisht në Europën Juglindore, duke bërë regjistrime të ndryshme, në disa shtetet ballkanike si: Shqipëri, Bullgari e Rumani, etj., por gjithashtu ai bëri regjistrime edhe në Angli e SHBA-ës. Për gati 20 vite me radhë, ai ishte drejtori i “Topic Records”, ku ai shkroi dhe prezantoi me dhjetëra programe për Radion BBC, duke ekzaminuar e nxjerrë në pah kulturën folklorike të Bazenit të Orinocos, si versione të ndryshme nga ajo e paraardhësve. Po kështu në këtë radio, ai transmetoi shumë programe me folklorin e mbledhur prej tij në Shqipëri. Lloyd u bë një nga personalitetet e shquara jo vetëm të Anglisë, por edhe më gjerë në Europë dhe në botë. Ai ndërroi jetë më 29 shtator të vitit 1982, në moshën 74 vjeçare, duke lënë vetëm bashkëshorten e tij, Sharlotën dhe një vajzë.
Ramadan Sokoli: Si u njoha me Albert Lloyd?
Një nga personalitetet kryesore të etno-muzikologjisë dhe folklorit shqiptar, i madhi Prof. Ramadan Sokoli, ka qenë një nga miqtë më të afërt që Albert Lloyd, kishte në Shqipëri, me të cilin ka mbajtur letër-këmbim të rregullt, deri pak kohë se ai të ndahej nga jeta. Lidhur me këtë, Prof. Ramdan Sokoli kujtonte: “Në tetor të vitit 1958, ish-kryetari i Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme, kishte marrë një letër nga Albert Lloyd, i cili e përgëzonte atë për botimin e librit tim, me titull “Vallet popullore në Shqipëri”.
Njëkohësisht ai i kërkonte atij një kopje të librit tim, që sapo kishte dalë në gjuhën frënge, por këtë gjë i’a plotësova unë. Pas disa muajsh, mora një letër falenderimi nga vetë Lloyd. Përmes asaj letre, ai më paraqiste një ekspoze të punës së tij në fushën e Etno-Muzikologjisë. Fillimisht, me gjithë dëshirën time të madhe, sepse asokohe marrëdhëniet, me një shtetas anglez shëmbëllenin me një “truall të minuar” e ca më keq për “intelektualët e dyshimtë”, të përndjekur nga regjimi e Sigurimi i Shtetit, njësoj si heretikët gjatë mesjetës. Rrjedhimisht letra ime e parë drejtuar Lloydit, mban datën e 23 marsit të vitit 1960, e më pas vazhdoja që t’i dërgoja ndonjë shkrim timin, që kisha botuar në shtypin periodik.
Disa nga këto shkrime ai i recensionoi në “Journal of the International Folus Muzik Consill”. Pas kësaj, ai më kërkoi që një studim timin, në lidhje me ‘Ritmikën në muzikën tonë popullore’, që të përkthehej në anglisht dhe ta botonte në një përmbledhje studimesh, rreth muzikës së disa popujve të Europës. Këtë kërkesë të Lloyd-it, ja plotësoi Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë, i cili ja dërgoi studimin e përkthyer dhe i bëri atij, një ftesë për të vizituar Shqipërinë, së bashku me bashkëshorten e tij. Kërkesës së bërë, Lloyd i’u përgjigj me shumë kënaqësi dhe kur erdhi këtu në Shqipëri, unë pata rastin që ta takoja e ta njihja nga afër, por gjithmonë nën mbikëqyrjen e “Engjëjve të rojës” (Njerëzit e Sigurimit të Shtetit).
Pas asaj vizite, Albert Lloyd ka ardhur dhe dy herë të tjera në Shqipëri dhe përsëri me kërkesën e tij, unë jam takuar me të, por gjithmonë nën mbikëqyrjen e rreptë e njerëzve të Sigurimit të Shtetit. Për vdekjen e Lloydit, unë u njoftova nga bashkëshortja e tij, Sharlota, një zonjë e nderuar. Për mua ishte një moment prekës, madje pikëllues dhe menjëherë kërkova nga pushtetarët e lartë, që të publikohej në shtyp një nekrologji e tij, si një koleg e mik i shqiptarëve, gjë e cila u realizua pas disa javësh, pasi u dha leja nga “lart”.
Letër-këmbimi i Prof. Sokolit me Albert Lloyd!
Pas kësaj miqësie që prof. Ramadan Sokoli dhe Albert Lloyd krijuan me njëri tjetrin, etno-muzikologu i njohur shqiptar, nuk mund të mos i kthente dot përgjigje mikut e kolegut të tij anglez dhe ai mori guximin për t’i dërguar një letër, ku midis të tjerash i shkruante:
“I dashur z. Lloyd
Ju shpreh falenderimet e mija më të mira për atë që më kujtuat, me këtë kartë postale të bukur, urime për vitin e ri. Mësimet, puna kërkimore, studimet e reja, më kanë penguar t’u përgjigjem më shpejt, sikur e kisha vendosur. Duke i besuar zemërgjerësisë suaj, besoj se do më ndjeni. I nxitur nga interesimi juaj shumë dashamirës dhe mendimi juaj zemërgjerë, se mund të gjeni ndonjë vlerë tek shkrimet e mija, morra guximin t’ju dërgoj bashkangjitur një monografi modeste mbi ‘Melodikën tonë popullore’.
Përmbledhja në frëngjisht, nuk do t’ju jap përveçse skemën, mbi të cilën mbështetet punimi. Siç do të shihni, e ashtuquajtura monografi, nuk është një publikim i këtij viti e tashmë ja shoh të metat. Më takon që t’ju sinjalizoj, që me gjithë vëmendjen e plotë që kërkohet në shtyp, kanë shpëtuar gabime të shumta, pikërisht nëpër shembuj muzikorë. Unë nuk arrita ta korrigjoja, madje as më të zakonshmen Errata Corrige! Siç më ngjan deri më sot, nuk e ka lexuar askush, me përjashtimin tim…!
Por nuk më shqetëson fort heshtja e shtypit, pasi puna është vetë jeta për mua….! Do të ishte me shumë vlerë për veten time, që ju të thoni sinqerisht, pikëpamjen tuaj mbi këtë subjekt. Të jini të sigurt, që do të më bëni favorin më të madh, duke më thënë çdo të keqe që ajo punë meriton. Vitin e kaluar, u botua gjithashtu një punim i gjatë mbi “Humorin e satirën në lirikën tonë popullore”, ku unë kërkoja të hulumtoja vetë, mënyrën se si e ndjente e qeshte populli ynë.
Para disa muajsh, u botua dhe një monografi mbi ‘Dramatikën tonë popullore’. Kjo nuk qe një ndërmarrje e lehtë për mua, bëhej fjalë për diçka të pastudiuar te ne. Nuk është çështje vetëm të mbushje zbrazëtirat e të ndriçoje pika të errëta të veçanta, por gjithashtu të nisje trajtimin e të kanalizoje kërkimin. Dihet që përfundimet e punimeve shkencore, varen dhe jo rrallë, nga kushtet e mjetet.
Së fundmi, kam dhënë për shtyp një punim modest ‘Mbi Meteorologjinë tonë popullore’, ndërkohë që tani jam duke mbaruar një libër me titull: ‘Folklori ynë fëmijërorë’ që me shumë gjasa do të më intrigojë për një kohë të gjatë. Siç e shihni, unë kaloj nga një punë te tjetra, nga fundi i këtij viti, do të botohet një libër më në fund, vëllimi im për “Morfologjia e folklorit tonë muzikor”. Më falni zoti Lloyd e më ndjeni, që s’po flas për gjë tjetër, veçse për punën time”.
Lloyd: Shqipëria një vend i rrallë!
Gjatë vizitës së tretë dhe të fundit që muzikologu i madh me famë botërore, Albert Lloyd, bëri në Shqipëri në fillimin e qershorit të vitit 1979, ai dha edhe një intervistë, e cila ishte e para dhe e fundit për të në shtypin shqiptar. Qëllimi i asaj vizite për Lloyd-in, ishte njohja nga afër e etno-muzikologjisë shqiptare dhe folklorit të vendit tonë, pas së cilës ai ishte i magjepsur për pasurinë e madhe të saj. Ai kishte si qëllim, që në këtë aspekt, të përgatiste një libër mbi muzikën popullore shqiptare. Lidhur me këtë, ndër të tjera në atë intervistë, Lloyd shprehej: “Kam tre qëllime që më nxitin që të shkruaj një libër të tillë.
Së pari: si studiues folklori më ka bërë një përshtypje të madhe origjinaliteti i muzikës popullore shqiptare, e cila në shumë aspekte, dallohet nga muzikat e tjera folklorike të Europës dhe shpesh herë ajo ofron fenomene e spektakolare.
Së dyti: ekzistojnë shumë pak të dhëna mbi muzikën popullore shqiptare, qoftë edhe në revistat më të përparuara të Perëndimit. Kështu që, çfarëdo që të shkruaj unë, kjo do të përbëjë jo vetëm diçka të re për lexuesin e zakonshëm, por edhe për specialistin.
Por e treta, dhe më e rëndësishmja, është ajo që unë ushqej një admirim të pafund për Shqipërinë. Dëshira ime është që me një botim mbi Muzikën Popullor Shqiptare, t’i zgjeroj njohuritë e njerëzve dhe konceptin e tyre mbi Historinë e Shqipërisë. T’u bëj të qarta luftërat e aspiratat e saj, sepse në Angli, njerëzit pak e kuptojnë Shqipërinë, aty shumë pak, dihet për këtë vend. Dhe mua më duket se të shkruash një libër mbi Muzikën Folklorike Shqiptare, kjo do të ishte një mënyrë për të paraqitur diçka nga karakteri i shqiptarit, nga shpirti i tij, për të treguar, në një farë shkalle historinë e këtij populli.
Tek ne në Angli, ka një numër shumë të vogël shkrimesh që botohen për Shqipërinë, që veç të tjerash, janë dhe shumë abstrakte dhe shumë të njëanshme. Në këtë drejtim, nëpërmjet Muzikës Popullore, mund të paraqitet një tablo pak a shumë e gjerë e jetës së popullit shqiptar”.
I pyetur në lidhje me studimet në fushën e Folklorit, nga homologët e tij shqiptarë, Lloyd u shpreh: “Kjo pyetje ka një rëndësi të madhe, sepse folkloristët dhe etnografët shqiptarë, kanë standartet shkencore ndër më të lartat, megjithëse bota e jashtme nuk e kupton këtë dhe as specialistët e huaj.
Në Perëndim, ata s’kanë asnjë ide mbi cilësinë jashtëzakonisht të lartë të zbulimeve ne fushën e Etnografisë dhe të Folklorit që bëhet në Shqipëri nga studiues shumë të kualifikuar. Për mua, studiuesit e Folklorit në Shqipëri, janë të paktën të barabartë me folkloristët më të mirë të Perëndimit dhe kjo jo vetëm për sa i përket saktësisë shkencore dhe punës së palodhur, pa hyrë në hollësitë e metodës. Shqipëria për mua është një vend i rrallë”. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016