Nga Mehmet Biber
Pjesa e dytë
-“Shqipëria, e vetme përballë Botës” – National Geographic – 1980
Memorie.al / “Të realizojmë të gjitha detyrat, e të shpartallojmë bllokadën”, shkruhet në një parullë në qytetin shqiptar të Shkodrës – por izolimi i Shqipërisë prej botës, është thjesht rezultat i politikës së saj të brendshme. Pa aleate dhe e rrethuar nga shtete që historikisht kanë pasur ambicie për tokën e saj, Shqipëria është organizuar në një mënyrë të tillë, që t’ia dalë vetë, nën diktatin e rreptë të Enver Hoxhës, që qëndron në fuqi prej 36 vjetësh. Simbolet e kazmës dhe të pushkës, mbizotërojnë në vendet publike. Hoxha, një dogmatik marksist-leninist, më 1961, i preu marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, të cilët ai i konsideroi “revizionistë”, dhe forcoi lidhjet me Kinën, dy vjet më vonë. Rruga për t’ia dalë mbanë i vetëm, është një rrugë e vështirë. Makinat në këtë vend janë të ndaluara, ndaj shqiptarëve i bie që të shkojnë kësaj rruge, hipur në biçikletë.
Vizitat e gazetarëve janë fare të rralla. Vitin e kaluar, Mehmet Biber, një fotograf turk që jeton ne Stamboll, mundi të siguronte një vizë vetëm pak muaj pasi gazetari Sami Kohen, një tjetër rezident i Stambollit, kishte mbaruar një vizitë atje.
Nga bisedat me Z. Kohen dhe përshtypjet e veta personale, Z. Biber, na solli këtë reportazh, i cili është i pari reportazh i plotë për Shqipërinë, që botohet në revistat amerikane, që prej shumë vitesh.
Reportazhi i gazetarit turk, Mehmet Biber
SHTETI NDALON “OPIUMIN PËR POPULLIN”
Shiu e kishte bërë gri Liqenin e Shkodrës dhe i kishte mbështjellë si qefin Alpet e Veriut që vigjilojnë mbi kufirin me Malin e Zi. Përgjatë shtratit të liqenit që është i lundrueshëm deri në Detin Adriatik, shtrihet Shkodra, kryeqyteti i vjetër i Ilirisë.
Mbi të, si një klloçkë që e mbron, ngrihet një kështjellë mesjetare që të sjell ndërmend mjeshtrit venecianë. Në një nga parqet është ngritur një monument për të nderuar pesë partizanë që sakrifikuan vetveten, duke ndalur 300 pushtues nazistë…! (?!) Pranë këtij monumenti, gjendej edhe Muzeu i Ateizmit që me çuan ta vizitoja.
Nën sloganin e Marksit “Feja është opium për popullin”, drejtori, një tip i ftohtë, me zë të ashpër dhe i veshur në gri, më tha se feja e kishte penguar gjithmonë pavarësinë e Shqipërisë.
Meqë turqit e identifikonin kombësinë me përkatësinë fetare, myslimanët shqiptarë (gati 70 % e popullsisë) konsideroheshin si turq. Kristianët ortodoksë (rreth 20 përqind) quheshin greke dhe katolikët quheshin latinë.
Shërbimet fetare nuk bëheshin në gjuhën shqipe, e cila ishte e ndaluar dhe nuk kishte as edhe një alfabet të vetin, deri me 1908-ën, por bëheshin në tre gjuhë të huaja: arabisht, greqisht dhe Latinisht.
“Gjatë luftës për ndërtimin e kombit shqiptar” -vazhdoi ai, ndërsa më tregonte stendat me abuzimet e klerikëve, – “kishat shërbyen si një kolonë e pestë për fashizmin, imperializmin e kundërrevolucionin”.
Regjimi i Hoxhës e ekzekutoi klerin, i dërgoi nëpër kampe përqendrimi ose i vuri të bëjnë “punë prodhuese”. Vendet e tjera komuniste u përpoqën ta përkulin fenë; Shqipëria e ndaloi atë, duke u vetë-deklaruar më 1967 si “shteti i parë ateist në botë”.
Çdonjëra nga 2.169 xhamitë, kishat, manastiret dhe qendrat e tjera të “obskurantizmit dhe misticizmit”, u mbyllën, u fshinë nga faqja e dheut ose, u transformuan në palestra, klinika, magazina apo stalla. Katedralja e Madhe e Shkodrës, sot tundet nga britmat e 2000 tifozëve të basketbollit.
Brezi i ri i Shqipërisë, njeh vetëm ateizmin. Besimi në Marksizëm-leninizëm, ka zëvendësuar besimin fetar. Librat e Enver Hoxhës të publikuar në gazeta, të transmetuar ne radio e tv, të qëmtuar për slogane shërbejnë si Testamenti i Ri. Hoxha nderohet si Mesia – pafundësisht i zgjuar, largpamës e dashamirës, por edhe i pamëshirshëm ndaj armiqve të tij.
UDHËHEQËSI I NGRITUR NE QIELL
Duke jetuar i ndarë nga të tjerët në një zonë të ruajtur ushtarakisht në anë të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, dhe duke lëvizur me një “Mercedes” me perde, Enver Hoxha është i kudondodhur.
Portreti i tij shikon poshtë nga çdo mur, bile edhe nga kamionët e traktorët. Emri i tij është gdhendur mbi faqet e maleve, me germa dhjetëra metra te gjata. Në vendlindjen e tij – një shtëpi dykatëshe në Gjirokastër – është vend pelegrinazhi kombëtar.
Mjeshtër i vetëruajtjes staliniste, Hoxha likuidoi pa mëshirë të gjithë opozitën e tij në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Elita revolucionare, e bindur që natyra njerëzore mund të riformohet me anë të indoktrinimit të vazhdueshëm, i ka vënë si qëllim vetes që të farkëtojë një qytetar shqiptar të ri, i cili pa bërë asnjë pyetje, do të jetë gati të bëjë çdo sakrificë në luftën e atdheut kundra ‘rrethimit të egër imperialisto-revizionist”, që të ndërtojë një shoqëri socialiste të çliruar nga herezitë e individualizmit, mendimit të pavarur ose, moralit të huaj.
Ndërkohë që lufton për të rimodeluar qytetaret e tij, ky vend i vogël, njëherë e një kohë një vend i prapambetur, tani ai ka bërë hap impresionues drejt zhvillimit.
Merr si shembull Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, të quajtur “Çeliku i Partisë”; hidrocentralin e Fierzë të quajtur “Drita e Partisë”; numrin 700.000 të studentëve, krahasuar me 56.000 në vitin 1938; dy stacione radioje në vitin 1945, që në dy dekada shkuan 52; mesatarja e jetës që thuajse është dyfishuar në katër dekada, – janë padyshim arritje të konsiderueshme.
Regjimi gjithashtu po përpiqet që ta shkulë nga rrënjët strukturën klanore patriarkale, që ka qenë struktura e vetme shoqërore në malësinë e ashpër shqiptare. Ai po i zhduk gjakmarrjet që deri në vitin 1920, ishin përgjegjëse për vdekjen e një në katër meshkuj shqiptare. Ai e ka ndrydhur gjakmarrjen, për tradhti bashkëshortore.
(Tradita e malësisë i jepte burrit të drejtën që ta vriste gruan e përdale dhe dashnorin e saj. Familja e gruas në një aprovim ritual, e dërgonte nusen me fishek në pajë.) Reformistët i ndaluan martesat që në djep, shitjen e vajzave 12 vjeçare në martesë, dhe i sulmuan zakonet që i prangosnin gratë, tradicionalisht të konsideruara “flokëgjatë e mendjeshkurtra” në një rol inferior.
Asnjë cep i jetës shqiptare, nuk i ka shpëtuar manisë së Enver Hoxhës për kontroll. Njerëzit me emra “të papërshtatshëm ose fyes”, sipas pikëpamjes politike, ideologjike apo morale, janë të detyruar t’i ndërrojnë ato. As edhe të vdekurit nuk i kanë shpëtuar manisë së Hoxhës për reformim. Varrimet, të paguar nga shteti, bëhen në varreza të përbashkëta, pa ndarje fetare.
Ktheje mbrapsht monedhën shkëlqyese të luftës kundër analfabetizmit dhe do të shohësh anën e errët të kontrollit të vazhdueshme të mendimit, sepse Drejtoria e Agjitacion Propagandës, vendos se çfarë librash shqiptarët duhet të lexojnë, ashtu si është shteti që vendos se kush duhet të punojë ku, kush do të shpërblehet e kush do të dënohet.
Shoqëria vigjilente mbyll dyert e saj
Dora e pamëshirshme e historisë ka ngulitur në mendjen e shqiptarëve, se me sakrifica të mëdha mund të ecin përpara. Pas tri javëve në Shqipëri, unë kuptova sesa i vogël isha për të depërtuar në murin e fortë të këtij eksperimenti social.
Asnjëherë në udhëtimet e mia rreth botës, s’kisha hasur në një shoqëri kaq të mbyllur, saqë u ndjeva sikur të isha në një shkretëtirë.
I shoqëruar dhe kontrolluar vazhdimisht ndjeva se me makinën e verdhë me të cilën lëvizja, shikohesha si një shpërndarës i shpejtë i lebrës. Shoqëruesi im, Bashkim Babani, qëndronte gjithmonë pas meje, për të parë se çfarë do të regjistronte telekamera ime.
Ai më lejonte të fotografoja nga jashtë ndërtesat industriale, por jo t’i vëzhgoja ato në brendësi. Hidrocentralet, gjithashtu, nuk mund t’i vizitoja.
Te një punishte më dhanë raki për të pirë, por nuk më lejuan të shihja si prodhohej. Kërkesat e mia për të vizituar familje dhe shtëpi, ishin politikisht të ndaluara dhe nuk u morën asnjëherë parasysh. Asnjë fotografi të bunkerëve, gomarëve, sigurisht asgjë primitive.
Por, Bashkimi kurrë nuk më ndaloi që të bëja dublime të kartolinave shqiptare. Një qytetar i ndaluar në hyrjen e Teatrit të Kukullave në Tiranë, mbeti i fokusuar në aparatin tim. Bashkimi më hodhi poshtë çdo shpresë, për të fotografuar një ceremoni martesore.
Qeveria nuk lejon që të paraqiten festimet tradicionale. Nuk pashë rrugëve ndonjë qen apo mace, simbole të luksit borgjez. Një herë pata një bisedë në turqisht me një vendës.
Bashkimi menjëherë ndryshoi bisedën në shqip dhe përktheu përgjigjet me zhargone të zakonshme partiake. Nuk munda të kuptoj mbrojtjen e tij. Ai ishte korrekt dhe miqësor, siç janë shumica e shqiptarëve.
Vetëm një herë pata mundësi të shikoja thyerjen e këtij zakoni, kur në një fermë afër Shkodrës, një adoleshent m’u afrua duke më tundur para fytyrës me forcë një slogan kundër të huajve. U mundova mjaft që t’i jepja një rrjedhë më intime bisedës, duke i treguar Bashkimit për jetën time në Stamboll me gruan dhe djalin.
Por ai kurrë nuk më dha mundësinë të krijoja një ide mbi jetën dhe mendimet e tij private. Në të vërtetë, ai dukej se kishte maskën që gjithë kombi i tij mbante veshur me krenari. As muret qe ai i kishte ngritur rreth vetes, nuk munda qe t’i kaloja. Ai ishte gjithmonë korrekt dhe i sjellshëm, ashtu si edhe shumica e shqiptarëve.
Vetëm një herë hasa një të çarë në mikpritjen shqiptare – kur një djalë i ri që mblidhte rrush në një fermë në Shkodër, qëndroi para meje dhe më bërtiti në fytyrë, me një slogan kundra të huajve.
Unë u përpoqa të krijoja një atmosferë familjare, duke i treguar Bashkimit për jetën time në Stamboll, për gruan dhe djalin, por ai, ashtu si edhe Enver Hoxha nga “Mercedesi”, kurrë nuk e ngriti perden që na ndante, për të me lejuar qoftë edhe për një sekondë, që të shihja mendimet e tij personale.
Dukej se ai e kishte bërë tërësisht pjesë të tijën atë lloj qëndrimi dhe atë maskë që edhe kombi i tij mban në fytyrë, në një mënyrë aq sfiduese. Memorie.al