Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon proçes-verbalin e mbledhjen së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së të mbajtur në 15 gusht të vitit 1956, ku Enver Hoxha dhe anëtarët e Byrosë diskutuan dhe vendosën që fshatarësisë kooperativiste t’i hiqeshin dhe t’u kufizoheshin numri i bagëtive që ata mbanin në oborret e tyre. Si ranë dakord të gjithë anëtarët e Byrosë Politike me atë vendim dhe kundërshtimi që i’u bë vetëm nga Liri Belishova dhe bashkëshorti i saj, Maqo Çomo, i cili në atë kohë mbante postin e ministrit të Bujqësisë…
Dokumenti arkivor me proces-verbalin e kësaj mbledhje i cili ka qenë i klasifikuar si “Tepër sekret”, për vite me radhë, bëhet publik pas deklasifikimit të një sërë dokumenteve arkivore nga ana e Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë.
Proces-verbal i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Më datën 15.8. 1956
Byroja Politike e K.Q. të PPSH. më datën 15 gusht 1956 mori në shqyrtim këto çështje:
- Mbi caktimin e delegacionit të partisë që do të marrë pjesë në Kongresin e VIII të PK të Kinës, si dhe të delegacionit qeveritar që do të veje në RP të Mongolisë dhe RDP të Koresë.
- Mbi dërgimin e përgjigjes shokut Hurshov për kohën e ardhjes në vendin tonë.
- Mbi pagën orare të punëtorëve që punojnë pa norma dhe kategorizimin e disa proçesve të punës.
- Mbi numrin e bagëtisë personale që duhet të kenë familjet e kooperativave bujqësore.
- Mbi emërimin e shokut Mihal Prifti njëkohësisht edhe ministër fuqiplotë në Republikën e Finlandës.
- Mbi takimin e shokut Enver me ministrin jugosllav, Arsa Milatoviç.
Mbi numrin e bagëtisë personale që duhet të kenë familjet e kooperativave bujqësore
Shoku Enver Hoxha: Pastaj kemi edhe çështjen e bagëtive për oborret e kooperativave bujqësore.
Shoku Hysni Kapo: Në statutin e sotëm të kooperativave bujqësore është caktuar sasia e bagëtive për çdo oborr. Komisioni që është ngarkuar për studimin e statutit dhe Ministria e Bujqësisë, janë të mendimit që të qëndrojë përsëri norma që ekziston. Neve e pamë këtë me aparatin e Komitetit Qendror, unë bisedova edhe me shokët Muratov e Krillov dhe ata ishin të mendimit që të pakësohet norma që është sot. Ne mendojmë që të kufizohet numri i bagëtive për çdo familje kooperativiste. P.sh. nga 1-4 lopë ose buallica, që u lejohet një familjeje kooperativiste në bazë të statutit ekzistues, të caktohet 1-2 lopë ose buallica. Po kështu edhe për delet etj., siç paraqiten në relacion. Po të marrim parasysh vendet e tjera si Bullgarinë dhe Rumaninë, ata kanë më pak. Prandaj neve themi që mund të bëhet një zbritje e tillë sipas pasqyrës që është paraqitur. Ne e ngremë tani këtë çështje pse do të botohet projekt-statuti i kooperativave dhe pastaj nuk është mirë që në kongres të bëhen korrigjime të mëdha. Këta të Ministrisë së Bujqësisë kanë frikë, se mos kjo do të shkaktojë një hezitim nga ana e fshatarëve për të hyrë në kooperativa.
Shoku Pilo Peristeri: Ata thonë që nuk kemi kullotë.
Shoku Hysni Kapo: Përveç bagëtisë kolektive, këtu duhet menduar edhe për ushqimin e bagëtisë individuale. Puna është që këto të jenë për të plotësuar nevojat e tyre. Neve na ndodh sot që disa fshatarë të kenë bagëti individuale më shumë se ajo e kolektivizuar. Ne demokracitë popullore kanë shumë kufizime.
Shoku Maqo Çomo: Neve qysh në fillim e diskutuam këtë çështje që ta mbajmë këtë numër ose jo, megjithëse është i madh. Ne mendojmë që të mbahet përsëri kjo normë duke qenë se jemi në fazën e kolektivizimit dhe kjo do të bëjë që të mbajmë edhe ato që kemi. Ne nuk mund të marrim në krahasim Rumaninë ose Bullgarinë, pse kanë 2-3 ha. tokë kopsht personal. Ne themi që kjo çështje të mbetet në statut siç ishte, por të vëmë një nen ku të thuhet se asambleja të vendosë numrin më të ulët, dhe kjo bëhet me punë politike.
Shoku Gogo Nushi: Unë jam i mendimit që ta zbresim numrin e bagëtive personale, ashtu siç thotë shoku Hysni, pse e para është çështja e prokupacionit të njerëzve dhe ana tjetër është çështja e kullotës për të cilat duhet t’u caktojmë sipërfaqe të mëdha për kullota. Unë them që është më mirë ta bëjmë këtë tani, se sa pastaj…
Shoku Rrapo Dervishi: Ne në Gjirokastër kemi pasur propozime të zbritet numri i bagëtive personale, sepse ka ndodhur që fshatari mban për vete pjellat dhe kolektivizon shterpat. Në fillim kjo do të ketë një farë rezistence, por më pas do të rregullohet. Unë nuk e quaj këtë masë si të vështirë për kooperativat ekzistuese, se sa për ato që do të ngrihen.
Shoku Spiro Koleka: Më duket që neve duhet të largohemi nga ajo që kemi pasur, pse këto shifra që kemi inkurajojnë ato të ekonomive private. Po të shikojmë në Bullgari, ato e ulën numrin e bagëtisë në një lopë ose buallicë, kurse neve e lëmë 1-2 lopë ose buallica, ata kanë 3-5 dhen, kurse neve e lëmë 15-20 krerë. Unë them që neve të vendosim sipas propozimit të këtyre shokëve dhe kjo është dalja në bazë të situatës që kemi.
Shoku Beqir Balluku: Edhe unë jam për zbritjen e numrit të sotëm të bagëtive personale sepse bagëtitë e oborreve po na kthehen në kope dhe kjo do të sjellë që këta të interesohen më tepër për kopenë e tyre, se sa për kooperativën.
Shoqja Liri Belishova: Unë mendoj se ne tani jemi në kohën e kolektivizimit dhe në këtë fazë duhet të favorizojmë futjen e fshatarësisë në kooperativa. Pastaj ata të vendeve të tjera po e zgjerojnë, kurse neve po e ulim numrin e tyre. Ekonomia ndihmëse është një ndihmë për plotësimin e nevojave të tyre dhe neve kjo na intereson. Përsa i përket kullotave, ata kanë mundësi t’i sigurojnë për vete më lehtë kurse për ato të kolektivizuarat është më zor t’i ushqesh. Pastaj neve pse ta vendosim këtë në masa administrative, po të jemi të fortë mund t’a bëjmë me anën e bindjes.
Shoku Haki Toska: Në Korçë shumica e fshatarëve të kolektivizuar nuk i kanë arritur këto norma dhe bëjnë luftë për t’i arritur. Unë them që është më mirë që këtë t’i ulim sa më parë.
Shoku Rita Marko: Ato të Bullgarisë dhe të Rumanisë janë mësuar me lope, kurse fshatari jonë është mësuar me dele dhe e llogarit një lopë me 20 dele. Unë mendoj që të mos shpejtohemi dhe mos bëjmë që kjo ta kufizojë delen në një kohë që duhet ta shtojmë.
Shoku Koço Theodhosi: A ka mundësi kooperativisti që të mbajë 20-30 dele, lopë, derra etj me atë ushqim që ka?
Shoku Hysni Kapo: Nuk ka mundësi dhe do të vijë një kohë që t’i sigurojmë ushqimin nga ana e shtetit. Puna është që sot nuk e kanë këtë shifër dhe në qoftë se do ta korrigjojmë është më mirë që këtë ta bëjmë tani, se sa më pas kur do të kemi më shumë të pakënaqur.
Shoku Enver Hoxha: Unë them që kjo tabllo që paraqiti Maqua me shokët e Ministrisë së Bujqësisë, nuk është në frymën e kolektivizimit të bujqësisë, kjo është për një individ të mirë dhe nuk lejon të ecësh përpara në shpejtimin e kolektivizimit. Sipas mendimit tim nuk duhet të bëhen lëshime në këtë drejtim. Çështje tjetër është që fshatari si çështje të rëndësishme ka tokën dhe pastaj vjen bagëtia. Kur të vijë çështja që partia ta bindë fshatarin të futet në kooperativë, për të futur tokën, kjo është një gjë ndihmëse. Pastaj për dëshirën që ka ai për kooperativën duhet t’ia fusim edhe për bagëtinë që është ekonomi ndihmëse. Pastaj ta marrim konkretisht, këto nuk ka kush i ushqen, prandaj është më mirë që neve të shikojmë se ku do të kullosi bagëtia kolektive, se sa ajo individuale se ashtu na dalin dy probleme. Tani kullotat janë të numëruara, nga një anë kemi direktivën e Kongresit dhe duhet të hapim toka të reja. Ne do të interesohemi për kolektivat. Praktikisht ai nuk ka ku t’i ushqejë ato. Është e vërtetë që nga kjo masë tani do të mbeten disa të pakënaqur, por nesër do të jenë më shumë, prandaj më shumë t’a bëjmë qysh tani.
Unë them që në interes të kooperativizmit, të të ardhmes etj., është që neve të vendosim këtë. Prandaj unë jam dakord me atë që propozojnë shokët e aparatit, bile unë isha me Spiron që dhen dhe dhitë të ishin më pak, por më mirë të mbete sipas pasqyrës që është paraqitur.
Si përfundim e gjithë Byroja politike është dakord që numri i bagëtive personale i familjeve kooperativiste të jetë sipas pasqyrës që është paraqitur nga ana e aparatit të Komitetit Qendror.
Shoku Maqo Çomo: Unë e kuptoj këtë që thoni ju por them se për konditat e sotme nuk është mirë të bëhet.
Shoku Enver Hoxha: Kjo nuk është e drejtë që thua ti, me i lënë më shumë bagëtive ekonomive individuale, pse kjo e pengon kolektivizimin.
Në fund vendoset që për këtë çështje të dalë një protokoll i Byrosë Politike, i cili t’u dërgohet për njoftim sekretarëve të parë të komiteteve të partisë të rretheve e të qarqeve dhe të vihen në dijeni kuadrot kryesorë të partisë e të shtetit.
(Protokolli për këtë çështje është diktuar nga shoku Enver dhe mban Nr. 26/A, datë 15.8.1956)
Mbajtësi i proçesit Sadik Myftiu/Memorie.al
(A.Q.SH. Fondi 14 /AP V.1956 d.47 fq.39)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016