Nga Astrit Kola
Pjesa e dytë
Memorie.al / Burimet historike kanë evidentuar qartë marrëdhëniet e ngushta të Esat Pashës me Serbinë, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe Jugosllavinë Mbretërore të Versajës, të drejtuara nga i njëjti personazh emblematik i politikës serbo-jugosllave të dy dekadave të fundit të shekullit të XIX-të dhe çerekshekullit të parë pasues, miku i Esatit, Nikolla Pashiq, themelues dhe kryetar i Partisë Radikale të Serbisë. Këto marrëdhënie, vetëm në një interval të shkurtër kohor, kanë qenë marrëdhënie partnershipi, dhe kryesisht gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, ndërsa në pjesën tjetër të kohës, ato kanë qenë marrëdhënie vasaliteti, përderisa Esati është paguar për “shërbimet”.
Rrjedhimisht, kanë qenë edhe marrëdhënie interesash reciproke, ndër të cilat determinonte kanë qenë ato të pranimit të restriksionit të trojeve administrative shqiptare, në favor të zgjerimit të hapësirave territoriale dhe interesave jetike të Serbisë dhe, më vonë, të Jugosllavisë Mbretërore.
Jo më kot, në letrën e tij drejtuar kryeministrit francez, Mileranit, Pashiqi e cilëson Esatin “kryetar i qeverisë së Principatës së Shqipërisë”, autoriteti administrativ i së cilës shtrihej vetëm në Shqipërinë e Mesme, ndërkohë që kërkesat aneksioniste të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene në Paris, shtriheshin mbi gjithë Shqipërinë Veri-Lindore, duke prekur shumë pak treva të “Principatës” së Esatit, me rezidencë në Durrës.
Në dokumentacionin arkivor të shfrytëzuar për këtë dossier, jugosllavët e pranojnë me plot gojën, faktin e “shërbimeve” që u kish kryer Esati, pa fshehur edhe financimin sistematik të tij, të mbështetësve në terren, e deri të qeverisë së tij fantazmë, e përbërë nga njerëz që bënin pazhin dhe maxhordomin në suitën e Pashait zulmëmadh. Serbët dhe Pashiqi, jo më kot u treguan aq dorëlëshuar dhe e financuan Esatin me shuma marramendëse, që arrinin në 120 mijë franga ari në muaj.
Në mbledhjen e delegacionit jugosllav më 11 janar 1920, u diskutua gjerësisht mbi Esat Pashën, rëndësinë e kartës së tij politike për Jugosllavinë në të kaluarën dhe në kushtet aktuale, rolin politik që mund të luante ai në zhvillimet në Shqipëri dhe me praninë e tij në Paris, si do ta ndihmonin jugosllavët atë, etj.. Ja çfarë u tha në këtë mbledhje:
DISKUTIMET NË MBLEDHJEN E DELEGACIONIT TË JUGOSLLAVISË PRANË KONFERENCËS SË PAQES NË PARIS, SE SI DO TË NDIHMOHEJ ESAT PASHË TOPTANI
“Z. Trumbiç pyet se çfarë do të bëjmë në të ardhmen me Esat Pashën”?
- Pashiq përgjigjet se; në njëfarë mënyre, ne të gjithë jemi vënë në dijeni lidhur me atë çfarë ai ka bërë për ne. Kur të sqarohet përfundimisht problemi shqiptar, Esati sigurisht që nuk mund të kthehet më në Shqipëri, dhe ne në këtë rast, duhet ta mbështesim dhe ta mbajmë.
- Drashkoviç na përmendi shërbimet që ai na ka bërë, duke na kujtuar se Esati ka edhe ambicie politike. Na mbetet detyrimi për ta përkrahur atë, por, mbi të gjitha, ne duhet t’i mundësojmë daljen para Konferencës së Paqes dhe marrjen e fjalës në emër të popullit shqiptar.
- Pashiq theksoi se mund të tentohet për këtë qëllim ndërhyrja tek z. Klemanso (kryetar i Konferencës së Paqes), por njëkohësisht shprehu dyshimin se kjo nuk do të pranohet (pra dalja e Esat Pashës para Konferencës së Paqes dhe marrja atje e fjalës në emër të popullit shqiptar – shënim i përkthyesit A.K)”.
Më 11 janar 1920, nga Beogradi, kryetari i Këshillit Ministror të Jugosllavisë, Davidoviç, i dërgonte një letër ministrit Popoviç në Paris, në të cilin e njoftonte:
“Kryekomandanti ynë ushtarak i qarkut të Ohrit, na bën të ditur se Komiteti i mbështetësve të Esat Pashës, i deklaroi komandantit të postës së Dibrës, se atyre (anëtarëve të Komitetit – mbështetës të Esatit-shën. i A.K.), nuk po u jepej ndihmë financiare dhe mjetet e duhura.
Ky komitet ka njerëz besnikë, të shpërndarë në të gjithë qarkun. Në fakt, marrëdhëniet e Komitetit në fjalë, në raport me autoritetet tona civile dhe ushtarake, janë tejet të pakëndshme.
Ju lutemi njoftojeni për këtë Esat Pashën, dhe luteni atë që të ndikojë mbi Komitetin e tij për të ndryshuar qëndrimin ndaj autoriteteve tona”.
(Ç. Nr. 1827 – Arkivi ish-Jugosllavisë, 336-27-V-VII/9-5204).
Kryeministri Pashiq u vu në dijeni për situatën në Dibër krijuar midis mbështetësve të Esatit dhe autoriteteve serbe, dhe për shkak të ndjeshmërisë së lartë ndaj problemeve që lidheshin me Esatin dhe mbështetësit e tij në Dibër, ai iu drejtua me një telegram, më datë 12 janar 1920, ministrit jugosllav të Punëve të Brendshme, në të cilin i shkruante:
“E mora telegramin tuaj Nr. 1837. Komiteti i Dibrës nuk i ka marrë ende urdhrat nga shefi i tij Esat Pasha. Nuk i ka marrë edhe për arsye kohe, ngaqë ju na bëtë me dije vetëm dje, më datë 11 janar.
Më datë 6 janar arriti dërgesa e Ministrisë së Financave Nr. 142416, që i paguan Esat Pashës 120 mijë franga për muajin dhjetor, por që, në fakt, janë për llogari të muajit nëntor.
Përveç kësaj, po ju vë në dijeni se nesër, më 13 janar, delegacioni nuk ka para për të paguar Esatin për llogari të muajit dhjetor.
Megjithatë, ai, një pjesë të këtyre parave duhet ta dërgojë në Selanik dhe, që nga Selaniku, paratë duhet t’i dërgohen Komitetit të tij në Dibër.
Në ndihmë të Esatit akoma nuk ka mbërritur pagesa për muajin dhjetor. Gjithashtu nuk ka arritur asnjë këst pagese, nga sasia prej 500 mijë frangash.
Përveç kësaj, duke shkurtuar procedurat, ju lutem njoftojeni me telegram Jovanoviçin, që t’i paguajë 20 mijë franga Omerit (kryetar i Komitetit esadist në Dibër-shën. i A. K.), që të kthehet e të shkojë të bindë Komitetin, për të vazhduar veprimtarinë dhe aksionet”.
Pashiq
Arkivi ish-Jugosllavisë, 336-27-V-VII/9-5204).
Më 13 qershor 1920, Avni Rustemi vrau Esat Pashën në Paris. Në pamundësi për të mësuar fakte konkrete, sesi e përjetoi Pashiqi humbjen e mikut të tij personal, telegrami i mëposhtëm dhe interesimi për hallet dhe problemet financiare të familjes së Esatit, nëpunësve dhe të afërmve që e shoqëronin, dëshmon pre-dispozicion maksimal dhe dëshirën për ndihmë.
Menjëherë pas vrasjes së Esatit, Pashiqi informoi Beogradin me anë të një telegrami, ku shkurtimisht shkruhet: “Sot pasdite u vra Esat Pasha para Hotelit “Kontinental”. U vra nga revolveri i një arnauti nga Jugu i Shqipërisë”.
Pashiq
(Arkivi ish-Jugosllavisë, 336-27-VII-VII/9-6750)
Pa kaluar as dy ditë nga vrasja e Esatit, më 15 qershor 1920, me anë të një telegrami, titulluar “Personalisht për kryetarin e Këshillit Ministror, z. Davidoviç”, Pashiqi e njoftonte:
“Nëpunësit pranë Esat Pashës kanë mbetur pa kurrfarë të ardhurash materiale. Dhe kjo sepse Esat Pasha ishte izoluar dhe dyllosur edhe financiarisht nga autoritetet franceze.
Esat Pasha nuk e pranoi ndihmën tonë kohët e fundit, për muaj të tërë. Është e domosdoshme dhe duhet që këtyre nëpunësve t’u vijmë në ndihmë me një shumë jo më të vogël se 100 mijë franga ari.
Ju lutem urdhëroni që e gjithë kjo shumë të vendoset në dispozicion të tyre dhe bashkë me të edhe pagesa e gjithë detyrimit tonë për Esat Pashën, kur dihet se nuk e kemi paguar atë që i detyrohemi atij dhe ngaqë nëpunësit e tij, nuk kanë ku të drejtohen tjetërkund për ndihmë.
E konsideroj këtë si një detyrim moral dhe si interes politik”.
Pashiq
(Arkivi ish-Jugosllavisë, 336-27-XI-XII/9-6446)
Në përgjigje të telegramit të Pashiqit, zv. ministri i Jashtëm Ninçiç, më 17 qershor 1920, i dërgon kryeministrit serb telegramin tepër sekret, në të cilin e njoftonte:
“U urdhërua ambasada jonë në Paris, që të paguajë 120 mijë franga ari. Mund ta përdorni këtë shumë për shlyerjen e borxheve të Esat Pashës.
Nëse duhet akoma më shumë për pagimin e borxheve të tij, na njoftoni. Përsa i përket gruas së Esat Pashës, qeveria vendosi që t’i paguajë, në formë pensioni, shumën prej 30 mijë franga ari në vit, duke filluar që nga 15 qershori”.
Tepër sekret, Nr. 3131.
Ninçiç
(Arkivi ish-Jugosllavisë, 336-27-VI-VII/9-6492)
Po atë mbrëmje, në një mbledhje të jashtëzakonshme të drejtuar nga Pashiqi, delegacioni jugosllav diskutoi lidhur me situatën e krijuar pas vrasjes së Esatit, por ku, natyrisht, nga përmbajtja e proces-verbaleve, është zbardhur pjesa më e parëndësishme, dhe pikërisht ajo që bën fjalë lidhur me ndihmën e kërkuar nga familja e Esatit dhe përgjigjja zyrtare e palës jugosllave, ku thuhet:
“Z. Pashiq e njoftoi delegacionin, se tek ai kishin shkuar ministri i Punëve të Jashtme të Esat Pashës, Terko (Pavli Terka), dhe kushëriri i tij i parë, Xhemil Vlora.
Ata i ishin lutur z. Pashiq që të shtonte shumën e përcaktuar për shlyerjen e borxheve të Esatit, me qëllim që të shlyenin borxhet e tjera të mbetura, qoftë për shkak të humbjeve në llogaritë rrjedhëse, ashtu edhe për shlyerjen e dëmeve të luftës dhe pensioneve e pagave të njerëzve të tij.
Z. Pashiq për të gjitha këto njoftoi qeverinë dhe i kërkoi shtesë fondesh”.
(B. Krizman – B. Hrabak, proces-verbale, faqe 296).
Në vazhdën e detyrimeve ndaj Esatit dhe në përgjigje të telegramit Nr. 3131, të nesërmen e mbledhjes së delegacionit, më 18 qershor 1920, Pashiqi i dërgoi një telegram kryetarit të Këshillit Ministror të Jugosllavisë, ku theksonte:
“Ambasada dhe delegacioni ynë nuk kanë më para dhe nuk mund t’i akordojnë më shtesë nëpunësve dhe familjes së Esat Pashës.
Ju lutem bëni ç’është e mundur pranë ministrisë së Financave”.
Pashiq
(Arkivi ish-Jugosllavisë, 336-27-VI-VII/9-6492)
Menjëherë nga Beogradi iu dërgua një shkresë e detajuar Mihajlloviçit, (i dërguari jugosllav me punë në Paris), ku bëheshin të ditura vendimet e marra në Beograd, për kompensimin financiar, shpërblimet dhe pensionimin e familjarëve të Esat Pashës, e ku tekstualisht theksohej:
“Sipas urdhrit të z. Pashiq, kam nderin t’u bëj të ditur se u urdhërua sjellja dhe shlyerja e parave nga shuma e dërguar në dispozicion të ambasadës sonë, të dërguara në adresë të familjes dhe nëpunësve të z. Esat Pasha.
- Të jepen 15 mijë franga nga shuma e akorduar si pension vjetor për familjen e të ndjerit Esat Pasha, shumë kjo e akorduar për 6-mujorin e dytë të këtij viti, e që përfaqëson gjysmën e pensionit vjetor, që qeveria ka akorduar për familjen e të ndjerit.
- Zotëri Terkos (Pavli Terkës), ministrit të Punëve të Jashtme pranë z. Esat Pasha, t’i jepet shuma prej 10 mijë franga ari, të akorduara për të nga qeveria mbretërore e Jugosllavisë si ndihmë vjetore.
- Zotëri Stavrit t’i jepet shuma prej 10 mijë franga ari dhe t’i bëhet e qartë, se kjo shumë mund të rritet nëse ai e dëshiron atë njëherësh, gjithmonë nëse nuk bie dakord të marrë pension mujor, të akorduar nga Qeveria Mbretërore.
- Zotëri Terko (Terka) i parashtroi propozimin z. Pashiq për marrjen e shpërblimit për nëpunësit që kanë punuar pranë të ndjerit Esat Pasha.
Kërkoni nga z. Stavri kopjen e këtij propozimi me shkrim dhe, pasi ta siguroni këtë kopje, jepini atij gjysmën e shumës që ka kërkuar për të z. Terko (Terka). Paguajeni për 3-4 muaj, me qëllim që të qetësohet…”.
(Arkivi ish-Jugosllavisë, 336-27-VI-VII/9-6720).
Por pa kaluar as dhjetë ditë nga vdekja e Esatit, në Beograd shpërtheu alarmi për fatin e sëndukut metalik, ku Pashai ruante arkivën sekrete me dokumentet dhe korrespondencën e vyer.
Për panikun e serbëve dhe shtënien e menjëhershme në dorë të këtij sënduku, bën fjalë edhe telegrami tepër sekret i datës 23 qershor 1920, drejtuar Pashiqit nga Beogradi, ku ndër të tjera shkruhej me ton urdhërues:
“Esat Pasha ka patur midis sendeve të tjera edhe një sënduk metalik, në të cilin ruante arkivën e tij të besuar dhe sekrete dhe për këtë ka patur edhe mirëkuptimin dhe pëlqimin tonë.
Në rast se Esat Pasha këtë sënduk, nuk ia ka dhënë për ruajtje ambasadës sonë, duhet të shkoni menjëherë tek truproja personale e tij, një djalosh me emrin Pashk, sa nuk është vonë.
Në asnjë mënyrë ky sënduk nuk duhet të mbetet në dorë të ministrit të Punëve të Jashtme të Esatit (Terkës), sepse kjo do të ishte diskredituese për ne”. / Memorie.al
Tepër sekret, Nr. 3173.
Ninçiç
(Arkivi i ish-Jugosllavisë, 336-27-VI-VII/9-6357).