Nga Fadil Paçrami
Pjesa e tetëmbëdhjetë
Memorie.al / Ç’është burgu? Është vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria? Me pak fjalë: të jesh i lirë do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cënuar e dhunuar të tjerët. Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të planit biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.
E rastit kjo? Atëhere si? Duhej prishur fejesa dhe duhej parë si e pse ndodhnin gjithë këto. U vunë një tok pikëpyetjesh që i kalonin kufijtë e një fejese e martese, duke arritur deri te vetë ai dhe CIA.
Mehmet Shehu, e ndjeu menjëherë goditjen. Shenjat qenë dhënë prej kohësh dhe diç kishte vënë re si kish ndjerë edhe mbetjen disi vetëm. Pa qartë, se lëmshi po i mbështillej po i vinte fundi. Filloi të mos ndihej i sigurt as në shtëpinë e vet, (njihte mirë teknika të përgjimit), as në zyrë e në marrëdhëniet me të tjerët. Nisën kështu ecejaket jashtë në rrugë dhe bisedat çu-çu-çu, vetëm me të shoqen. Në Kongresin e VIII-të të partisë, që u hap në fillim të nëntorit, ku ai mbajti raportin për planin e ri pesëvjeçar, siç pati ndodhur nga hera, që kur qe bërë kryeministër, u vu re një ftohje e ndarje në mes tyre, aq sa në delegatët pati që e shprehen hapur këtë.
Shumë u përpoq Mehmet Shehu, të tërhiqte duartrokitjet e tyre, shpesh edhe duke ngritur zërin e me fraza të fryra e pompoze, por s’ia doli. Kjo u pa qartë nga të gjithë. E ndjemë atë edhe ne atje në burg, duke dëgjuar radion dhe nga shtypi. Kongresi kështu i vuri vulën, asaj që kish projektuar ustai dhe i shtoi ankthet për çirakun.
Enver Hoxha, si mjeshtër i prapaskenave të këtij lloji, pas kongresit, vajti për pushime disa ditore dhe e la të bluante e të hahej me veten, në fakt të binte në depresion e degradim. Ndërkohë, kishte shtuar masat e survejimit, që të mos bënte ndonjë të pabërë – t’i hipte aeroplanit e t’ia mbathte për diku. Kur u kthye nga Vlora me helikopter, atyre që u ndodhën të pranishëm, u bëri përshtypje se as nuk u përshëndet me Mehmet Shehun, që kishte dalë edhe ai me të tjerët ta priste, por i vrenjtur e si me inat, i hip veturës dhe u largua.
Në mbledhjen e parë të Byrosë Politike, që u bë ato ditë, Enver Hoxha e plasi sherrin, lëshoi hapur e drejtpërdrejtë edhe një sërë kritikash e vërejtjesh ndaj Mehmet Shehut, ftoi edhe të tjerët të bënin po ashtu. Ndër më të rreptët, qenë Ramiz Alia e Kadri Hazbiu, jo me të gjitha nga koka e tyre dhe nuk u thanë pak. Mbledhja zgjati deri vonë. Papritur Enver Hoxha tha se; ‘gjithë sa dolën, ishin vërtetë serioze, sonte nuk i japim dot fund, pra e lëmë të vazhdojmë nesër’. Para se të largohej, duke iu drejtuar Mehmet Shehut, i foli: “T’u bënë shumë vërejtje dhe u ngritën shumë çështje, duhet të mendohesh seriozisht, e di që kjo do të jetë një natë e vështirë për ty”. Kaq, dhe u ndanë.
Në shtëpi arriti vonë, të tijët po e pritnin të shqetësuar, po ai nuk u zgjat me ta, tha se ndihej i lodhur e, do shkonte të flinte dhe shkoi në dhomën e tij. Të nesërmen në mëngjes, megjithëse kaloi ora shtatë, kaloi edhe teta, ai nuk po ngrihej, kur pas pak zjeu shtëpia, u fol se e kishin gjetur të vdekur, të mbuluar në gjak. Po ndonjë krismë arme, s’ishte dëgjuar nga askush…! Gjithandej u dukën roje, erdhi dhe Ministri i Punëve të Brendshme i asaj kohe, Feçor Shehu, por s’e lanë të hynte brenda. Kush kishte urdhëruar për këtë? Veç një fjalë e Enver Hoxhës, mund të kishte një fuqi të tillë. Ç’kishte ndodhur?!
E vranë?! Si, kush?! Thonë se në atë shtëpi, kur qe rindërtuar e zgjeruar, ishte krijuar edhe një hyrje-dalje e fshehtë për në dhomën e tij. U fol edhe se kishte lënë e ishte gjetur një letër e shkruar prej tij, e njohur kjo dhe e përsëritur kaq here, me ata që vrasin veten. Pra, vrau veten?! E vranë?! Enigmë! Këtë deshi Enver Hoxha – likuidimin e tij. Në mbrëmje, në emisionin e radios të orës tetë, megjithëse ngjarja qe bërë e ditur që në mëngjes, u dha lajmi për vetëvrasje.
Sido e çfarëdo të ketë ndodhur e të thuhet, ai pati fundin e merituar – atë të një xhelati, si cilido tjetër i tillë para tij. Rëndësi ka të dihet jo si, por pse-ja, për çka u mundova të hedh, me aq sa janë folur, sado pak dritë. Të tjerë mund të dinë e të thonë më shumë e më saktë.
PARADOKSE
Duke i parë zhvillimet e këtyre 50 vjetëve më thellë dhe me objektivitet, del se ka patur jo pak, por disa paradokse. Ka vërtet disa gjëra, që bien në kundërshtim me mendimet zyrtare të mëparshme dhe me sa mund t’i pëlqej sot, njërës a tjetrës forcë politike, pa llogaritur këtu ekstremet. Ndonjë gjë mund të duket si e çuditshme, në vështrimin e parë, sikur ka diçka kontradiktore. Por e tillë që koha, të tilla edhe kushtet. Më vonë, kur analizat dhe arsyeja të ndihen të çliruara nga pasionet, nostalgjitë e revanshizmat, kur logjika të mbështetët e të veprojë në bazë të dokumenteve, historia do të mund të japë gjëra të sakta, më afër së vërtetës. Kjo është dialektika e ngjarjeve – më të kundërta.
E rëndësishme është të gjenden e të vlerësohen drejt shkaqet, faktorët përcaktues, pikënisjet e qëllimet. Nuk di sa mund të jem në gjendje dhe i qartë, por me sa të më jetë e mundur, e pa ndonjë pretendim, duke u ngritur edhe mbi paragjykimet e kohës, do të përpiqem të jap ndonjë mendim, si një person që i jetova për së afërmi, disa nga ngjarjet për të cilat do të flas, të para me një sy kritik, gjatë viteve të gjata të burgut, ku kam njohur edhe zhgënjimet, si dhe shqetësimin që të mos vazhdohet si më parë edhe sot, me pamjet bardhë e zi. Nuk nisem, pra, as për të nxirë, as për të zbardhur, as për t’i bërë qejfin ndokujt, as nga koniunkturat.
Fola për kohën e kushtet, ç’kam parasysh me këto? – Ishte ajo një kohë e antagonizmave, ballafaqimeve e përplasjeve të mëdha, në sfondin botëror: ndarja e zonave të influencës dhe lufta e ftohtë; kurse në atë të brendshëm: luftërat për rrugët e zhvillimit e, ato për pushtet. Jashtë tyre as që mund të diskutohet. – Përcaktuese janë edhe kushtet e vendi, ato gjeografike: në kapërcyell midis Lindjes e Perëndimit; ato historike: i ndarë më dysh si komb, i vogël si vend dhe i kërcënuar nga shumë anë; i pa zhvilluar dhe i varfër; me ndasira të vjetra fetare e krahinore, pa tradita demokratike dhe me mbetje të theksuara feudale, deri te ato fisnore. Të gjitha këto, mendoj, kanë peshën e tyre dhe duhen marrë në konsideratë, që të mund të jemi sa më të saktë e më afër të vërtetave. Pa u zgjatur, do të qëndroj në tri nga momentet me peshë për ato kohë, që kanë tërhequr shpesh vëmendjen dhe është folur më shumë.
(Një sqarim: duam s’duam, duke folur për periudhën 50-vjeçare të shkuar, detyrohemi të merremi me personat politikë të kohës, të lidhur me ngjarjet kryesore përcaktuese për fatet e vendit, por gjithmonë, duhen bërë dallime midis shkaqeve, rezultateve objektive dhe motive shtytëse e qëllimeve subjektive, të cilat, siç ndodh shpesh, nuk puqen, bien edhe në kundërshtim.)
– 1948-të, ndarja me Beogradin
Më lart kam folur për këtë, duke radhitur ndodhje e fakte, tani do të përqendrohem në vlerësimin e tyre. Janë të njohura si lindi Partia Komuniste e Shqipërisë, e ndihmuar dhe nën tutelën e asaj jugosllave; (flitej shumë për internacionalizmin atë kohë dhe çështjen e përbashkët); zhvillimet që mori Lufta Nacionalçlirimtare te ne, për nga ngjashmëria e formave, mjeteve e qëllimeve, me ato në Jugosllavi si dhe politika nënshtruese e ndjekur deri në atë kohë, nga partia e shteti i ri shqiptar i dalë nga lufta- po shkohej shkallë – shkallë, drejt humbjes së pavarësisë së vendit dhe kthimit në një republikë të shtatë të Jugosllavisë. Kjo deri në shkurtin e ’48-ës, me Plenumin e VIII-të famëkeq. Por pa kaluar veç 2-3 muaj, gjithçka ndryshoi. Pse?! Si?! Vendimtare e përcaktuese këtu, është: prishja e Moskës me Beogradin, kjo as që diskutohet. Mundësitë këtu qenë dy:
Enver Hoxha, si kreu i partisë dhe i shtetit në atë kohë, do të anonte nga Beogradi dhe ky do të qe fundi i Shqipërisë si shtet më vete, e vend i pavarur; apo do të anonte nga Moska dhe ky do të ishte shpëtimi, nga ky rrezik i dukshëm. Siç dihet, ndodhi e dyta. Nuk qe aspak e lehtë, përkundrazi, por kështu i ndodhi. Ishte kjo një prove, se jo çdo gjë kishte marrë fund, dëshmi kjo e kundërvënies së hapur të kombit mbarë, në çastin ekstrem ndaj politikës së deri atëhershme, një shpërthim i vitalitetit, vendosmërisë e guximit për të mbrojtur pavarësinë e, qenien e tij me çdo kusht e sakrificë.
Pra edhe u reagua menjëherë nga (komunistët), masat më të gjëra, porsa u fol hapur, se ç’përfaqësonte Beogradi në atë kohë. Enver Hoxha, e dinte këtë, kuptoi edhe nga ishte shansi për qenien e tij, pra edhe u hodh në anën e Moskës, kundër Beogradit. Objektivisht kjo qe një kthesë, shpëtimtare për vendin. Thashë objektivisht dhe e theksoj këtë, duke patur parasysh rezultatin – Shqipëria shpëtoi, vendi i tërë u ngrit dhe mbrojti pavarësinë e vet, vendi edhe partia e shteti, gjetën forca dhe e treguan veten, hodhën poshtë një politikë thellësisht të gabuar, duke ndërmarrë një kthesë të thellë, si u fol.
Motivet subjektive të Enver Hoxhës, ta themi hapur e pa ekuivokë, qenë të tjera. Prej kohësh, sidomos pas tetorit të ’44-ës në Berat, me futjen e partisë e të Sigurimit në dorë të Koci Xoxes dhe likuidimin e Nako Spiros, më ’47-ën, kishte ndier se po i vinte fundi, prandaj nuk e la t’i ikte ky shans, u kap fort pas tij dhe si në raste të tjera, kur ia deshi puna, tregoi aftësira manovruese për t’ia arritur qëllimeve në të mirë të vet.
Mendoj se kjo ndarje: midis rezultatit në dobi të vendit – që përbën anën subjektive dhe motiveve që e shtynë E. Hoxhën të veronte ashtu, – që përbën anën subjektive, duhet të bëhet. Ato nuk mund të identifikohen. Të hedhim ujin e pistë por jo edhe foshnjën që lindi, jeton edhe sot, do të jetojë dhe në të ardhmen. Që motivet subjektive qenë ato për të cilat fola, kjo provohet edhe me faktin se kthesa që pritej nuk u bë – filloi, erdhi duke u mpirë dhe më pas u hoq dorë.
Enver Hoxha, forcoi pozitat e tij në krye të partisë e të shtetit, doli edhe si shpëtimtar i situatës, ngriti vlerat e veta, por nuk tha se dënonte dhe nuk ndreqi nga sa qenë bërë keq deri atëherë, as për kohën e Luftës, lidhur me forcat e vërteta nacionaliste (jo për bashkëpunëtorët e pushtuesve fashistë italianë e gjermanë, ballistët, zogistët, etj.), as për gjyqet e pas çlirimit, as për dënimet e përçuesve të një politike më luajale e demokratike, si Sejfulla Malshova, Nako Spiro, etj. U ec prapë në rrugë pa rrugë, Beogradit ja zuri vendin Moska, izolimi i vendit erdhi duke u thelluar në vitet që ndoqën, nuk u kalua në një politikë të pavarur, më të mençur e demokratike, sado që u fol shumë për këto.
– 1960-ta, shkëputja nga Moska
Më lart kam folur për këtë, si e sa ndodhi. Po përse? Ç’ishte Shqipëria për Moskën? Që në shekullin e kaluar, kur lindën shtetet kombëtare të Ballkanit, filluan edhe te ne përpjekjet e lufta për krijimin e shtetit shqiptar, vendi ynë, u ndodh pa miq e përkrahës, madje pati edhe kundërshtarë e armiq, një nga më të egrit ishte edhe Rusia e asaj kohe. Shtetet fqinje në verilindje, ato të jugut, edhe të përtej detit, para e pas ‘12-ës, ç’nuk bënë, kush e kush të shkëputnin ndonjë copë Shqipëri. Disa edhe ja arritën. Dhe, siç dihet, Rusia qe nga hera dhe hapur nga ana e shteteve fqinje sllavo-ortodokse, kundër një Shqipërie të pavarur, në kufijtë e saj etnike. Një rol negativ të veçantë, kanë luajtur për këtë lidhjet e saj të vjetra të sllavizmit e të ortodoksisë, me vendet ballkanike rreth nesh.
Edhe pas përmbysjes se carizmit e fitores së Revolucionit të ’17-ës, del se Moska, nuk ishte çliruar nga këto lidhje e pozita të vjetra. Ndryshe, si mund të shpjegohen ato qëndrime aq mohuese, e trajtime mospërfillëse nga ajo në bisedimet dhe marrëdhëniet trepalëshe; anglo-sovjeto-amerikane, gjatë Luftës dhe ato fill pas mbarimit të saj, lënia nën një lloj tutele ndaj Beogradit, deri në ’48-ën, mospranimit ose futja me vonesë në Informbyro, Traktatin e Varshavës dhe KNER-in, si dhe ndihmat tejet të kufizuara, për rimëkëmbjen e zhvillimin e vendit?
Shqipëria i ndjeu thellë të gjitha këto, sado që asnjëherë nuk u fol hapur. Kishte, pra, arsye të qe e pakënaqur ndaj kësaj politike, paçka se flitej plotë zhurmë për miqësinë e ndihmën sovjetike, duke kaluar deri në servilizma të tilla, sa të viheshin gjithandej buste e fotografi të udhëheqësve moskovitë dhe flamurë të Bashkimit Sovjetik, për vite me radhë, deri më 60-ën, kur u bë shkëputja e njohur nga Moska. Nuk qe, pra, e rastit, ajo që ndodhi që mbarë vendit e, mbështetën hedhjen e këtij hapi.
Por edhe në këtë rast, motivet e vërteta që e çuan Enver Hoxhën të bënte atë që bëri, prapë qenë subjektive. Fenomeni Hrushov, që tronditi themelet e klaneve udhëheqës në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera socialiste të Lindjes, çoi në rënien e ndërrimin e tyre dhe në disa masa liberalizuese tek ato, bënë që Enver Hoxha, ta ndiente për së afërmi rrezikun për vete, pra edhe reagoi në atë mënyrë. Britmat për; “tradhti të marksizëm-leninizmit”, “revizionizëm”, e të tjera ishin maska, fasada. Po rezultati cili qe, si mund të vlerësohet ai?
Ndryshe nga rasti me Jugosllavinë, them se këtu duhen dalluar edhe pluse, edhe minuese – se pati nga të dyja. Pluse – se po shkëputeshim nga ajo lloj vartësie e nënshtrimi i padurueshëm, sa as që mund të bëhej fjalë, për shtet sovran; se krijoheshin kushte për marrëdhënie edhe me të tjera vende, e të barabarta. Njerëzit besuan në këtë dhe mundësitë qenë. Ishte pra një shans, po të qe përdorur e shfrytëzuar. Mirëpo kjo nuk ndodhi, mbeti një mundësi dhe kaq.
Minuse – se u thellua më tej izolimi i vendit, u shtuan masat shtypëse, u kalua në kufizime të mëtejshme ndaj lirisë së individit deri te goditja e pashembullt ndaj fesë. Të gjitha këto erdhën duke u shtuar gjatë viteve ’60-të e ’70-të, me përmasat që morën burgimet e internimet edhe në radhët e komunistëve e familjeve të tyre, përndjekja e intelektualëve, goditjet e masat shtrënguese ndaj të rinjve, për modën, degjenerimi e korrupsioni i pushtetarëve, mallkimet zhurmëmëdha, kundër liberalizmit e ndikimeve të huaja.
Të gjitha këto flasin qartë e përforcojnë, sa u fol për më lart, për dallimin e rezultateve objektive nga motivet e qëllimet e vërteta subjektive, që nxitën e udhëhoqën diktatorin, në veprimet që ndërmori në atë kohë. Vitet ’80-të, deri në përmbysjen. Pas gjyqeve të viteve ‘70-të, prishjes me Kinën më ‘78-ën, ngjarjet e viteve ’80-të, u vunë kapakun. Në këtë periudhë e, deri në fillimet e ’90-ës, kur ndodhi përmbysja, nuk mund të flitet më për pluse, por vetëm për minuse, sepse me gjithë vdekjen e Enver Hoxhës, gjithë sa u bënë, synonin vetëm për të siguruar vazhdimësinë.
Enver Hoxha, duke ndier fundin e tij, jo vetëm se po e linte shëndeti, por edhe nga tronditjet e diktaturës, mendoi për vazhdimësinë, kujt t’ia linte trashëgiminë. Mehmet Shehut, që prej vitesh kish qenë krahu i djathtë i tij, nuk ia pat besën, se qe sa i egër, e i të papriturave, aq edhe i etur për pushtet e lavdi, pra, edhe e likuidoi, me atë lojë mjeshtërore prej hileqari, si e kam shpjeguar më lart.
Hysni Kapo, shërbëtori besnik, por i pa aftë e nën mediokër, kishte vdekur. Kadri Hazbiu, qeni i rojës, qe i komprometuar keqas, me bëmat e krimet e Sigurimit. Pra, zgjodhi Ramiz Alinë, që e kishte mbajtur afër, viteve të fundit më shumë, sado që i shikonte me shqetësim pavendosmërinë dhe akrobacitë e tij. Si i dha gjithë porositë dhe e kungoi mirë e mirë, i vuri edhe një mbështetëse nga pas – Nexhmijen, ia besoj atij trashëgiminë. Jo më kot u betua ky, që në ditët e para për vazhdimësinë.
Është vështirë të thuhet, se çdo të kishte ndodhur po të kishte lënë trashëgimtar Mehmet Shehun – do ta kishte mbytur në gjak këtë vend, ose do kishte patur fundin e Çausheskut, por zgjedhja që bëri, për nga rezultatet, nuk pati ndonjë plus për vendin. Demagogjia dhe hiletë e Ramiz Alisë, për t’i zgjatur jetën asaj që kishte trashëguar dhe për t’i shtyrë tutje proceset demokratike, që patën përfshirë atë kohë të gjithë vendet e Lindjes, bënë që të jemi të fundit, në pranimin e pluralizmit.
Tjetër janë sa thuhet nga ai, në shkrimet e fjalimet e tij, u përpoq ta paraqesë veten edhe në gjyq tani së fundi, tjetër edhe ajo që ndodhi me kalimin pa shumë dhembje në zhvillimet demokratizuese të vendit. Rezultatet janë një gjë, ndërsa motivet që e udhëhoqën, si në rastet që u përmendën më lart, qenë të tjera: ai s’qe për rrugën që morën ngjarjet dhe çuan në përmbysjen e diktaturës enveriane, por s’pati nga t’ia mbante e, ç’të bënte; qe edhe i dobët e i frikshëm dhe gjithçka e bëri, për të shpëtuar të mundshmen nga trashëgimia e ustait, tok me lëkurën e tij. Llogaritë s’i dolën, kjo është tjetër.
A nuk janë këto vërtet, disa nga paradokset e kohës? Ka edhe të tjera, po ç’tē zgjatem. Dhe të gjitha këto, në emër e për hir të kujt? Të socializmit që degjeneroi në diktaturë – në një regjim totalitar me pasojat që tashmë dihen…?! E rëndë kjo për të gjithë ata që besuan, luftuan, punuan e sakrifikuan për idetë e tij, por koha – kjo gjykatëse sa e drejtë ,aq edhe e rreptë, foli fort për këtë. Me dhembje i them këto sot edhe unë si shumë e shumë të tjerë, sepse për ato luftova që i ri, gjatë Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe më pas, mirëpo…! Jeta bën të vetën, nuk të pyet ajo, do a s’do, të pëlqen a s’të pëlqen dhe cili je.
Fakti mbetet ai që është. Një paradoks edhe ky, që e paguam shtrenjtë, kush më parë e kush më pas, kush më shumë e kush më pak, e pagoi gjithë vendi. Nuk duhej të qe ky shpërblimi, mirëpo… E vërteta është bijë e kohës, thotë një fjalë e urtë. Pra, edhe i themi këto të vërteta, duke i parë në sy ashtu siç janë, si mësime të historisë. Sigurisht nuk janë të prera me thikë dhe nuk duhen marrë thjesht bardhë e zi. Askush, nisur nga këto, nuk mund të mohojë Luftën Nacionalçlirimtare, vlerat e rolin e saj shpëtimtarë për fatet e vendit, si një nga faqet më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016