Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e parë
Memorie.al/ Plot 35 vite më parë, në mesin e shkurtit të 1991-it, me mijëra shqiptarë të ardhur në qytete dhe rrethe të ndryshme të vendit, u dyndën turma turma në drejtim të porteve të Durrësit, Shëngjinit, Vlorës, Himarës, Sarandës etj., dhe pasi rrëmbyen forcërisht të gjitha mjetet lundruese detare që gjendeshin aty, duke filluar nga më të voglat, si; motoskafët, peshkarexhat, rimorkiatorët etj., e deri te anijet e mëdha të transportit të tonazhit të rëndë, pjesë e Flotës Tregtare Shqiptare dhe të huaja, madje dhe anijet luftarake, me të cilat udhëtuan në det të hapur drejt brigjeve dhe porteve italiane. Këto ngjarje të paprecedentë që nuk kishin ndodhur kurrë më parë gjatë gjithë periudhës 45 vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, asokohe bënë xhiron e botës në pjesën më të madhe të kanaleve televizive, për shkak se mbërritja e tyre në portet e brigjet e gadishullit Apenin, u filmuan dhe u transmetuan direkt nga stacionet kryesore televizive italiane, si RAI, etj., e po kështu më pas edhe nga mediat më prestigjioze të shteteve të ndryshme të Evropës.
Ndërsa mbarë bota po shikonte e habitur nëpërmjet ekranit skena apokaliptike deri në kufijtë e çmendurisë, (njerëzit ishin ngjitur dhe kishin zënë vend në çdo pjesë të anijeve, si bletët në koshere), që nuk ishin parë që nga Lufta e Dytë Botërore, regjimi komunist me në krye Ramiz Alinë, që ishte në agoninë e tij, nuk e pa të arsyeshme t’i transmetonte ato në emisionet e lajmeve në të vetmin kanal televiziv, siç ishte asokohe Radio-Televizioni Shqiptar, duke pasur frikën e drojën se pasqyrimi i atyre lajmeve, do e shtonte më tej eksodin biblik drejt vendit fqinjë. Të paktën ky ishte “version zyrtar” i përfolur rëndom asokohe dhe më pas, sepse në të vërtetë arsyeja kryesore që nuk u pasqyruan ato ngjarje nga Radio-Televizioni Shqiptar, ishin zgjedhjet parlamentare që do mbaheshin më 31 mars të atij viti! Si dhe fakti tjetër, se krahas mijra shtetasve që kishin rrëmbyer ato anije, ishin edhe me dhjetëra ushtarakë, si marinarë, oficerë, policë e punonjës civile të ndërmarrjeve dhe objekteve ushtarake, si Pashalimani etj., gjë e cila do e rëndonte pozitën e Partisë së Punës, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare!
Këto ngjarje të cilat që nga ajo kohë e në vazhdim, për gati 35 vite me radhë, janë të njohura rëndom si “eksodi i parë i marsit”, (pasi kjo gjë u përsërit dhe në gusht të atij viti), kanë mbetur pothuaj fare të panjohura dhe sot e kësaj dite askush nuk ka një informacion të saktë se sa shtetas shqiptarë mundën të largoheshin në drejtim të Italisë, cilat ishin anijet dhe mjetet e tjera lundruese detare që u morën forcërisht prej tyre dhe sa veta humbën jetën e u mbytën në tentativë për të arritur në kuvertat e bordet e tyre dhe cilët ishin personat e arrestuar nga policia e forcat e ushtrisë?
Sa më sipër, të gjitha këto kane mbetur të mbuluara me mister, pasi që nga ajo kohë e deri më sot, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk janë botuar as dokumente arkivore ku të jenë pasqyruar ngjarjet e shkurt-marsit 1991! Nisur edhe nga ky fakt, në këtë shkrim po publikojmë disa dokumente arkivore me siglën “Sekret”, të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ndodhen komunikatat operative të Degës së Përgjithshme pranë Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, në të cilat krahas ngjarjeve të tjera të jashtëzakonshme të ndodhura në të gjitha rrethet e vendit, janë pasqyruar edhe ato të “eksodit të anijeve”, të cilat e kanë zanafillën më datën 15 shkurt 1991, me anijet e peshkimit “Hajdar Dushi” dhe “Jonufra”, të cilat ishin të parat që u rrëmbyen nga porti i Vlorës, për të vazhduar më pas me të tjera anije, deri nga dhjetëditëshi i parë i muajit mars. Të gjitha këto e të tjera, Memorie.al po i publikon bashkë me faksimilet përkatëse, në dy shkrime radhazi.
KOMUNIKATA OPERATIVE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 16 SHKURT 1991, LIDHUR ME RRËMBIMIN E ANIJEVE “HAJDAR DUSHI” DHE “JONUFRA” NGA PORTI I VLORËS DHE LARGIMIN E TYRE DREJT ITALISË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 16.2.1991
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 38
VLORA
– Më datën 15.2.1991, anijet e peshkimit “Hajdar Dushi” dhe “Jonufra”, kanë dalë në orët e vona të datës 14 për peshkim. Nga radarët janë konstatuar se po dalin jashtë zonës së peshkimit. Anijet mbërrijnë në Brindizi me datën 15.
Kapiteni i anijes “Jonufra” është lidhur me radio dhe rezulton se dy anijet janë rrëmbyer forcërisht nga 15 persona që kanë marrë “Jonufrën” me ekuipazhin dhe nga 6 të tjerë atë “Hajdar Dushi”. Po në këtë datë është konstatuar marrja e një lanxhe me motor, çka tregon se personat që kanë shkuar me anijet, janë transportuar me të. Anija “Jonufra” është mbytur.
PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT
ANDREA OPARI
KOMUNIKATA OPERATIVE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 23 SHKURT 1991, LIDHUR ME TENTATIVËN PËR RRËMBIMIN E ANIJES “MUJO ULQINAKU” NGA PORTI I VLORËS DHE RRËMBIMIN E ANIJES SË FLOTËS TREGTARE “LEZHA”, E CILA U LARGUA DREJT BRINDIZIT
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 23.2.1991
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 44
VLORA
– Më datën 22.2.1991, në portin e ri 14 persona të armatosur pistoleta, me thika dhe dinamit, tentuan të futeshin forcërisht në anijen “Mujo Ulqinaku”, por u ndaluan nga forcat e anijes së kufirit. Në kohën kur njeri tentoi të futet, roja hap zjarr. Në këtë kohë personat u larguan.
– Më datën 25.2.1991, gjatë mbrëmjes deri rreth orës 23.00, ka pasur dyndje personash në portin e Vlorës, për të hipur në anije dhe për të shkuar në Itali. Me ndërhyrjen e organeve të rendit, gjendja u qetësua dhe anijet u nxuarën në radë.
Rreth orës 03.00 të datës 26.2.1991, anija tregtare e Durrësit, “Lezha”, largohet nga rada në drejtim të Brindizit, me drita të fikura. Me gjithë drejtimin e BUD-it, ajo mori drejtimin për në Itali. Gjithashtu janë gjetur dhe dy varka të marra nga porti i ri.
PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT
KOSTANDIN BOZO
KOMUNIKATA OPERATIVE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 4 MARS 1991, LIDHUR ME RRËMBIMIN E ANIJES “KANINA” NGA PORTI I VLORËS E CILA U LARGUA DREJT ITALIËS DHE TENTATIVA E ANIJES “DALIP LALA” NGA PORTI I DURRËSIT, E CILA MBETI NË RËRË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 1.3.1991
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 50
VLORA
– Më datën 28.2.1991, një grup prej rreth njëmijë vetash shpërtheu rrethimin e portit të vjetër, në kohën kur në port u ankorua anija “Kanina”. Me gjithë përpjekjet që u bënë nga forcat e kufirit dhe të policisë duke hapur zjarr në ajër, rreth 200 veta hipën në anije dhe u nisën për në Itali.
– Më datën 28.2.1991, në afërsi të porteve në Vlorë ka grumbullime njerëzish që presin për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Shumë të rinj u futën në një anije të prishur e shkëputur nga porti dhe lundruan në det në mëshirën e dallgëve dhe të erës.
Në portin e ri në një anije të prishur janë futur rreth 30–35 persona dhe po mundohen ta riparojnë. Në portin e ri 15 persona sulmuan postën kufitare dhe pasi u hap zjarr kundër tyre, ata u larguan. Në pikën e Rradhimës në një anije të dëmtuar e pa karburant, kanë vajtur 30 persona për ta riparuar e marrë atë.
DURRËSI
– Më datën 28.2.1991, anija “Dalip Lala” e Ndërmarrjes së Peshkimit, u rrëmbye nga 6 persona, ekuipazh të anijeve të ndryshme të portit dhe u shkëput nga porti pa bërë kontroll. Gjatë udhëtimit për në plazhin e Durrësit, ku do të merrnin rreth 30 – 40 pjesëtarë të familjes, u pengua nga forcat tona dhe mbeti në rërë. U kapën kapiteni dhe 14 persona që donin të kalonin kufirin.
– Më datën 28.2.1991, ora 01.00, u shkëput nga ura e peshkimit pa u kontrolluar anija e peshkimit “Kanina”. Ajo u ndoq nga forcat e kufirit me një anije tjetër peshkimi deri në thellësi 6 milje, por nuk u kap, pasi të dyja anijet kishin një shpejtësi. Nuk ka dijeni për personat që mund të ketë anija.
PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT
HAKI LIÇAJ
KOMUNIKATA OPERATIVE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 4 MARS 1991, LIDHUR ME RRËMBIMIN E NJË ANIJE NGA ISHULLI I SAZANIT PREJ USHTARAKËVE TË ISHULLIT DHE NJË ANIJE TJETRE NGA PORTI I DURRËSIT, TË CILAT U LARGUA DREJT ITALISË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 4.3.1991
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 52
VLORA
– Më datën 2.3.1991, në fshatin Poro u gjet një kufomë, të cilës i mungonte koka dhe krahu i majtë. Rreth 150 m. larg u gjet një vatër zjarri, ku janë djegur teshat dhe koka.
– Më datën 2.3.1991, anija gurë-mbajtëse me emër “Currila”, e cila u rrëmbye nga 600 veta, iku në drejtim të Italisë.
– Më datën 3.3.1991, anija e peshkimit që ishte ankoruar në Ishullin e Sazanit, iku për në Itali me 23 ushtarë efektivë të ishullit, 6 marinarë, 4 civilë, 3 peshkatarë e dy vizitorë. Me vete kanë marrë 2 automatikë dhe 3 pushkë.
– Më datën 3.3.1991, në portin e ri janë grumbulluar shumë njerëz dhe kanë hipur në një anije të prishur që po mundohen ta rregullojnë.
– Më datën 3.3.1991, në portin e Rradhimës, 3 – 4 makina transportojnë njerëz. Ata gjuajnë me dinamit në tokë dhe në det.
– Më datën 3.3.1991, gjatë natës turma njerëzish kanë shqyer dyert e 5 zyrave të administratës në portin e ri, kanë ndezur zjarr dhe janë djegur dokumentet.
DURRËSI
– Më datën 3.3.1991, u muar rimorkiatori “Dyrrahu” nga një pjesë e ekuipazhit dhe disa punëtorë të portit, gjithsej 10 veta dhe ikën në drejtim të Italisë.
– Më datën 3.3.1991, ora 22.00, persona të panjohur qëlluan me armë e tentuan të futen në port, ku tentojnë të marrin rimorkiatorin “Debatiku”. Për këtë u ndalua Fatmit Xhemal Tonuzi, punëtor në port.
PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT
ALI MËZYRI
KOMUNIKATA OPERATIVE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 5 MARS 1991, LIDHUR ME RRËMBIMIN E ANIJES “KOZMA NUSHI’ NGA BAZA E PASHALIMANIT NGA 200 USHTARAKË E MARINARË DHE ANIJES CISTERNË QË FURNIZONTE ISHULLIN E SAZANIT ME UJË ME 250 VETA NË BORDIN E SAJ, TË CILAT U LARGUAN DREJT ITALISË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 5.3.1991
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 53
VLORA
– Më datën 4.3.1991, janë larguar për në drejtim të Italisë anija “Kozma Nushi” e Pashalimanit me rreth 200 ushtarë, marinarë e oficerë, cisterna e ushtrisë që furnizon Sazanin me rreth 250 vetë, marinarë, oficerë dhe punëtorë, si dhe rimorkiatori i ngarkuar me njerëz.
– Më datën 4.3.1991, u kthyen 4 anije që ishin rrëmbyer nga shtetas të ndryshëm dhe që vajtën në Itali. Gjatë kontrollit u konstatua se ishin kthyer 5 shtetas.
DURRËSI
– Më datën 4.3.1991, anija e ekspeditës detare Durrës, e shoqëruar nga dy motoskafë me 22 veta, kaluan ujërat territoriale për në Perëndim. Dalja nga porti është bërë konform rregullave.
– Më datën 4.3.1991, është larguar në mënyrë të paligjshme anija e ekspeditës detare “Heronjtë e Linasit”. Nuk dihet se persona ka pasur.
PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT
QEMAL HAJDARI
KOMUNIKATA OPERATIVE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 5 MARS 1991, LIDHUR ME RRËMBIMIN E PESHKAREXHËS “FADIL DAUTI’ NGA PORTI I VLORËS DHE NJË ANIJE RUMUNE QË SHKOI NË NDIHMË TË ANIJES “LEZHA” TË CILAT U LARGUAN DREJT ITALISË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 6.3.1991
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 54
VLORA
– Më datën 5.3.1991, u rikthye bashkë me 21 persona civilë e ushtarakë anija cisternë. Me këtë anije u larguan për në Itali 60 shtetas shqiptarë, 3 oficerë, 1 nënoficer dhe 4 marinarë dhe jo 250 shtetas që është vënë në komunikatën e datës 4.3.1991. Shtetasit shqiptarë u çuan në Itali nga një anije sovjetike, të cilës i kërkuan ndihmë në det të hapur. Anija cisternë nuk shkeli fare në Itali.
– Më datën 5.3.1991, u largua për në drejtim të Italisë e mbushur me 20 – 30 punëtorë të uzinës së Pashalimanit, peshkarexha “Fadil Dauti”.
– Më datën 5.3.1991, janë paraqitur te roja operative e Uzinës Sodë- PVC-së 4 persona të panjohur të cilët i kanë thënë; erdhëm me not nga anija maune që ka mbetur në çekinë para uzinës. Aty ka gra, fëmijë dhe të moshuar që janë në gjendje të keqe. Thojani qeverisë të na çojë patjetër në Itali, se përndryshe do të hedhim në erë me dinamit, repartin e elektrolizës së uzinës. Janë marrë masat e duhura.
DURRËSI
– Më datën 5.3.1991, u largua për në drejtim të Italisë, anija peshkarexhë “Panajot Papa”, e Ndërmarrjes së Peshkimit Vlorë, që ishte për riparim në Durrës, me 30 persona.
– Më datën 5.3.1991, nga porti detar u larguan për në drejtim të Italisë me një numër të konsiderueshëm shtetas shqiptar, 11 anije të lundrimit të brendshëm të tonazheve të ndryshme, nga anije peshkimi, deri në 500 tonëshe, si dhe një anije rumune që priste në radë e ngarkuar me sheqer, e cila shkoi për të ndihmuar anijen “Lezha”, që kishte dhënë sinjal për ndihmë dhe u mor forcërisht për në drejtim të Italisë.
Po ashtu anija “Teuta” e ngarkuar me lëndë eksplozive për eksport, ku ishin futur rreth 1000 persona pësoi defekt, e për rrjedhjë nuk lëvizi. Shumica zbritën vullnetarisht, kurse të tjerët nuk pranuan. Ndërsa anija “Skënderbeu” me rreth 2000 vetë, u përplas në të dalë të portit, e pësoi defekt e mbeti aty. Në portin e Durrësit ka dyndje shtetasish shqiptarë, për t’u futur në anije. Më datën 5.3.1991, u ndalua Adriatik A…P….vjeç 16, për arsye se u kap duke….mensën e anijes “Teuta”.
– Më datën 6.3.1991, ora 03.40, ka rënë zjarr në anijen “Iliria” 3000 tonëshe, ku ishin future shtetas shqiptarë. Në afërsi të saj ndodhej anija “Teuta” e ngarkuar me lëndë eksplozive. Me masat e marra, zjarri u shua./ Memorie.al
PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT
ARTILIER SHEHU
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016














