Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Fadil Spahiut, me origjinë nga fshati Kolesjan i rrethit të Kukësit, i cili që gjatë periudhës së Luftës, kur ishte nxënës në gjimnazin e Shkodrës dhe konviktor në “Malet tona” së bashku me Emin Durakun, u lidh me grupet rinore të atij qyteti, ku dhe u arrestua e u burgos, pasi morri pjesë në demonstratën e 28 nëntorit të vitit 1939. Odisea e gjatë e Fadilit në disa gjimnaze të vendit, si në Shkodër, Tiranë dhe Gjirokastër, ku ai u përjashtua disa herë nga shkolla dhe u arrestua për shkak të pjesëmarrjes së tij në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, deri sa në fundin e vitit 1944, u rreshtua si partizan në Batalionin e Lumës (ku i ati, Rifat Spahiu, ishte Kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Qarkut të Kukësit), duke marrë pjesë edhe në luftën për çlirimin e Tiranës, në nëntorin e ’44-ës. Pjesëmarrja e Fadilit në aksionin për ndërtimin e hekurudhës Brçko-Banoviç, në Bosnje në shtator të vitit 1946, ku ai filloi edhe studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevo, nga ku do të largohej në vitin 1949, për në Bashkimin Sovjetik, ku ai do të diplomohej në Universitetin e Mjekësisë të Moskës, duke marrë gradën “Kandidat i Shkencave Mjekësore“. Kthimi i Fadilit në Shqipëri dhe puna plot pasion e përkushtim në Spitalin Civil të Tiranës, ai bëri emër të madh si mjek dhe si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, nga ku do ta largonin si “armik i popullit“, fillimisht në Gramsh dhe më pas në Tepelenë, ku dhe e arrestuan, duke bërë që ai të vuante plot 18 vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Kush është Fadil Spahiu?
Fadil Spahiu ka lindur në Kolesjan të qarkut të Kukësit në vitin 1926, në një familje patriotike lumjane. I ati, Rifati, ishte burrë me emër në të gjithë krahinën e Lumës e më tej, një vazhdues i denjë i traditave atdhetare dhe arsimdashëse të fisit të vet. Ai kishte mbaruar shkollën Normale të Elbasanit dhe për vite me radhë ai punoi si arsimtar në qytete e fshatra të Shqipërisë. Rifati ka qenë kryetar i Këshillit të Qarkut të Kukësit, menjëherë pas Luftës (nëntor 1944) kur përfshihej nën juridiksion e tij edhe Prizreni.
Gjimnazist në Shkodër, shok me Emin Durakun në konviktin “Malet tona“
Shkollën fillore Fadili e kreu në vendlindjen e tij dhe në vitin 1937, filloi studimet në gjimnazin e Shkodrës. Këtu ai shumë shpejt u aktivizua me grupet rinore të qytetit dhe morri pjesë në demonstratën e parë kundër pushtimit fashist më 28 nëntor 1939 ku u njoh me një nga organizatorët e saj, Emin Durakun. Aty ai ra në sy të autoriteteve pushtuese italiane për guximin dhe vendosmërinë e tij për të zhvilluar aktivitete antifashiste. Forcat qeveritare arritën t’i shpërndanin demonstruesit dhe Fadil Spahiun së bashku me disa shokë të tjerë, midis të cilëve dhe nxënës të konviktit “Malet Tona” u arrestuan prej tyre. Ende kur ishte në vitin e dytë, rreth 14-15 vjeç, atë e përjashtuan nga shkolla dhe e përplasën në birucat e burgut të Shkodrës. Prej këtej me rreth 16 të arrestuar të tjerë, atë e nisën për në burgun e Tiranës dhe pas pak ditësh, e dërguan në burgun e Burrelit. Babai i Fadilit, që në atë vit ishte mësues në fshatin Kastriot të Peshkopisë, bëri një kërkesë pranë autoriteteve përkatëse duke kërkuar që t’ja sillnin të birin në konviktin e shkollës së fshatit, gjë e cila i’u aprovua dhe Fadilin e sollën pranë të atit, me detyrimin për t’u paraqitur çdo ditë në postën e policisë së fshatit.
Përjashtohet nga të gjitha gjimnazet si antifashist dhe del partizan
Në pranverën e vitit 1940, në gjimnazin e Shkodrës filloi një revoltë brenda shkollës ku nxënësit kërkuan kthimin e 16 shokëve të tyre që ishin arrestuar në demonstratë. Ndërkohë pasi kishin kaluar rreth 3-4 muaj, Fadilin e rikthyen në bangat e shkollës ku ai përfundoi vitin e dytë. Për të shmangur kontaktet e tij me elementë revolucionarë të qytetit, atë e nisën për në Gjirokastër, që të vazhdonte vitin e tretë. Këtu ai shumë shpejt u angazhua si anëtar i organizatës antifashiste të rinisë gjirokastrite dhe u vu në krye të protestave antifashiste që u zhvilluan në Gjirokastër, më 28 nëntor të vitit 1941. Për këtë arsye, në fund të vitit 1941, Fadilin e përjashtuan nga të gjitha shkollat e Shqipërisë, ende pa e mbaruar vitin e tretë të gjimnazit. Nisur nga kjo, ai u detyrua të largohet nga Gjirokastra për të shmangur një arrestim të dytë dhe u nis menjëherë për në vendlindjen e tij. Me ndërhyrjen e prindërve, ai shkoi në Prishtinë tek disa miq të babait që të vazhdonte aty gjimnazin, por edhe aty ai fillon sërish aktivitetin revolucionar, duke shtypur dhe shpërndarë trakte të organizatës së Partisë Komuniste të Prishtinës. Aktiviteti i tij ra në sy të organeve përkatëse shtetërore dhe ai detyrohet të kthehet përsëri në vendlindje, ku sapo ishte krijuar çeta e Lumës dhe aty regjistrohet si partizan i saj. Më pas Fadili kaloi si efektiv i Batalionit të Lumës dhe luftoi në këtë formacion partizan deri në çlirimin e kryeqytetit, Tiranës, më 17 nëntor të vitit 1944.
Menjëherë mbas çlirimit të Tiranës, ai u kthye në vendlindjen e tij ku u zgjodh si anëtarë i Komitetit Qarkorë të Rinisë Antifashiste të Kukësit. Në verën e vitit 1945, ai erdhi përsëri në Tiranë për të ndjekur kursin veror që u organizua në shkollën “Nëna Mbretëreshë” me nxënësit që i kishin humbur vitet e gjimnazit për shkak të Luftës. Këtu ai mbaroi vitin e tretë, ndërsa vitin e katërt e përfundoi në qytetin e Gjirokastrës, duke marr diplomën në maj të vitit 1946. Pas pjesëmarrjes si vullnetarë për ndërtimin e hekurudhës Brçko-Banoviç në Bosnje, në shtator të vitit 1946, ai filloi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevo, në degën e Mjekësisë së Përgjithshme.
Student i Mjekësisë në Jugosllavi dhe në Bashkimin Sovjetik
Në vitin 1948-‘49, pasi Tirana zyrtare prishi marrëdhëniet miqësore me Jugosllavinë e Titos, ende pa mbaruar akoma vitin e dytë, Fadilin së bashku me studentët e tjerë shqiptarë që ishin në Jugosllavi, i kthyen në Shqipëri. Fillimisht ata grumbulluan në plazhin e Durrësit duke i akomoduar në disa hotele në pritje që të niseshin sërish me studime, por këtë herë duke i dërguar në Bashkimin Sovjetik pranë Universitetit “Maksim Gorki”. Ish – kolegë dhe shokë të tij tregojnë se Fadili ishte një student që binte shumë në sy për karakterin e tij; ai ishte tepër i zellshëm dhe aktiv në mësime. Fadili si student ishte më i miri dhe duke parë aftësitë dhe këmbënguljen e tij për të mësuar gjithçka, mjekët pedagogë e aktivizuan menjëherë në operacione në Institutin e Kirurgjisë Restauratore, që merrej kryesisht me invalidët e luftës dhe traumat e tyre. Pedagogët, që ishin shefa klinike, vazhdimisht e merrnin Fadilin secili në klinikën e vet, duke i besuar atij operacione specialiteti, si ortoped, operacione në veshka, stomak dhe mushkëri, etj.
Në vitin 1953, ndërsa frekuentonte rregullisht studimet, profesori i tij, Bllohin, që ishte Drejtor i Përgjithshëm i Institutit, i besoi dhe i propozoi temën shkencore “Mbi zëvendësimin e kyçeve me proteza metalo-plastike” dhe Fadili studioi shumë për atë temë duke u marrë me të jashtë orarit të mësimeve. Në vitin 1954, kur u diplomua si mjek, Fadili kishte arritur të kryente 8 eksperimente me kafshë (me qen), duke zëvendësuar kyçin e gjurit të këmbës së pasme me protezë metaloplastike të konstruktuar prej tij dhe të aprovuar nga këshilli shkencorë i Institutit. Pas kësaj ai institut aprovoj mundësinë e projektimit dhe aplikimit të asaj proteze te njeriu. Udhëheqësi shkencorë, prof. N. N. Bllohin, i’a besoi dje i’a dha me shkrim mendimin e tij, se “realizimi i asaj proteze te njeriu, do të shërbente si një punim i mirëfilltë shkencor për marrjen e gradës “Kandidat i Shkencave të Mjekësisë”.
Në përfundim të studimeve në Universitetin “Maksim Gorki”, Fadili u diplomua si mjek kirurg dhe në vitin 1953, ai u kthye në Shqipëri. Pas kthimit në atdhe, ai fillimisht punoi si mjek i përgjithshëm në pavijonin e tretë të Spitalit Civil Tiranë, ku menjëherë ra në sy puna e tij si kirurg. Ai kryente operacione të vështira dhe kjo bëri që emri i tij të bëhet i njohur shumë shpejt, jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Pas pak kohësh ai transferohet në spitalin e Durrësit, ku kryen edhe këtu operacione, duke qenë mjek i përgjithshëm.
Profesorët rusë e vlerësojnë si “Kandidat i Shkencave Mjekësore”
Rekomandim i profesorëve rus influencoj pozitivisht tek udhëheqja e lartë e P.P.SH.-së së asaj kohe ne Shqipëri, duke bërë që Fadilit t’i jepej e drejta e kryerjes së studimeve të aspiranturës. Për këtë qëllim ai u dërgua përsëri në Moskë, tashmë në Institutin Shkencor të Luftës kundër Kancerit pranë Akademisë së Shkencave Mjekësore të Moskës, ku asokohe punonte udhëheqësi i tij shkencor N.N. Bllohin. Në vitin 1956. Fadili realizoi me sukses për herë të parë në botë, zëvendësimin e kyçit të bërrylit, me protezë të brendshme metalo-plastike tek njeriu, që ishte një ngjarje e rrallë për mjekësinë evropiane të kohës. Trupa pedagogjike e institutit e pranoi dhe e vlerësoi me nota maksimale këtë rezultat të ri të kirurgut shqiptar, gjë e cila bëri që ai të fitonte gradën e Kandidatit të Shkencave Mjekësore. Pas kësaj, përveç operacioneve ortopedike në atë institucion, ai operoi edhe të sëmurët me kancer. Në përfundim të studimeve tre vjeçare në Moskë në vitin 1957, Fadili u kthye në Shqipëri me titullin “Kandidat i Shkencave Mjekësore”, titull të cilin në atë kohë nuk e kishte asnjë mjek tjetër shqiptar.
Mjek kirurg në Spitalin e Tiranës
Në vitin 1957 Fadili filloi punën si mjek kirurg në Spitalin e Tiranës, me një besim dhe përvojë disa vjeçare. Ai punoi me një dëshirë të veçantë për të krijuar Repartin e Ortopedisë dhe falë aftësive të tij, e krijoj menjëherë atë dhe emërohet shefi i parë i kësaj klinike. Krahas punës në klinikë, ai shërbeu edhe si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, ku jepte lëndët e Ortopedisë dhe Onkologjisë. Pas dy vjetësh u krijua edhe klinika e Onkologjisë dhe të dyja këto klinika ai i drejtoi deri në vitin 1965. Këto vite ishin vitet e suksesit më të madh në punën e tij dhe krahas kësaj, ai punoi edhe si kryeredaktor i Buletinit të Mjekësisë, që botonte Fakulteti i Mjekësisë dhe anëtar i Këshillit Shkencor të Universitetit.
Në klinikën e Ortopedisë dhe të Onkologjisë që drejtonte Fadili, asokohe filloi zbatimi i operacioneve në të gjitha nivelet. Por kjo gjë nuk vazhdojë gjatë! Kolegë të tij filluan të thurnin intriga e shpifje dhe të bënin raportime në organizatën e partisë, gjë e cila bëri që ai të etiketohej si “armik i partisë“ dhe të ndiqej nga Sigurimi i Shtetit. Pas kësaj, thirret me urgjencë mbledhja e organizatës bazë të partisë të Spitalit Nr. 2 dhe në vitin 1964, mbledhja e përgjithshme, vendosi përjashtimin e tij nga Partia, duke u akuzuar si: “i infektuar nga ideologjia e armikut“. E gjitha kjo ndodhi pasi u përgatit terreni me presione, shtrëngime dhe kërcënime nga dora e Sigurimit të Shtetit, me qëllim dënimin dhe burgosjen e mjekut Fadil Spahiu, në mënyrë që t’i hapej vendi i punës në Spitalin e Tiranës, një prej mjekëve që ishte njeriu i afërt i njërit prej anëtareve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së. Pasi e përjashtuan nga Partia, atë e larguan nga Tirana dhe e emëruan si mjek në spitalin e qytetit të Elbasanit. Por as këtu nuk punoi më shumë se dy javë, pasi oficerët e Sigurimit të Shtetit i hodhën prangat në duar dhe ai përfundoi qelive të ftohta të burgjeve politike të regjimit komunist. Pas dy vjetësh ai u lirua nga burgu dhe nga që kishte mungesë të theksuar kuadri mjekësor, ai u emërua si mjek në spitalin e qytetit të Gramshit.
Edhe pas daljes nga burgu, Fadili filloi të punoi po me atë përkushtim që e karakterizonte edhe në spitalin e vogël të qytetit të Gramshit, duke bërë të pamundurën për ta rimëkëmbur atë. Me punën e tij të drejtpërdrejtë ai e transformoj spitalin e Gramshit, duke e bërë atë një ndër spitalet më të mira rajonale të kohës. Në sajë të përkushtimit dhe meritave profesionale, emri i tij përmendej kudo si një nga mjekët më të mirë të vendit. Nisur nga kjo famë e tij, aty vinin për operacione nga e gjithë Shqipëria, me lloj lloj diagnozash dhe ai i kuronte me shumë kujdes. Në rrethin Gramshit Fadili punoi për rreth 10 vjet, deri në vitin 1976. Edhe pse rezultatet e punës si kirurg ai i kishte të jashtëzakonshme, papritur në një ditë bëhet një mbledhje e Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Gramshit, në të cilin “objekt“ kryesor ishte doktor Fadili.
Atë e cilësojnë si “armik të pakorrigjueshëm, që sillet keq me njerëzit, të aftë për të kompromentuar kuadro të larta të partisë dhe pushtetit në rrethe“. Pas kësaj, e heqin nga Gramshi dhe e dërgojnë në fshatin Progonat të Kurveleshit, gjoja në ndihmë të sëmurëve dhe familjarisht i fusin në një stallë lopësh për të banuar. Kjo gjendje nuk vazhdojë gjatë, sepse pas dy javësh ai arrestohet përsëri nga Sigurimi i Shtetit, ndërsa bashkëshorten bashkë me djemtë, i çojnë në Memaliaj./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016