Pjesa e parë
Memorie.al / Guxoi të thoshte të vërtetën dhe u kryqëzua barbarisht. Pohoi haptas se Enver Hoxha nuk u zgjodh Kryetar i PKSH-së në mbledhjen themeluese dhe përfundoi në ferrin e burgjeve të komunizmit. Ajo që ndodhi me Tuk Jakovën, njërin nga protagonistët kryesor të fillimit të lëvizjes komuniste në Shqipëri, është sa e dhimbshme aq dhe e mizore. Mita Jakova e shoqja e tij, vite më parë, në një rrëfim për emisionin “Histori me zhurmues”, të gazetarit dhe moderatorit të njohur, Pandi Laço, në TV “Klan”, zbulon për herë të parë një retrospektivë të plotë të tragjedisë, që përjetoi ish – komisari i Brigadës së Parë Sulmuese të Mehmet Shehut.
Me një kujtesë të admirueshme për moshën dhe kalvarin e vuajtjeve, bashkëshortja e Tuk Jakovës, flet për rrethanat në të cilat lidhi jetën me të, kush i besoi detyrën e kreut të njësisë së parë partizane, cilat ishin marrëdhëniet e tij me Mehmet Shehun, kur ndanin përgjegjësitë e komandantit dhe komisarit të Brigadës së Parë Sulmuese, si lindën konfliktet e para me Enverin dhe kush e inicionte qëndrimin sektar të liderëve komunist ndaj tij, për zbutje të luftës së klasave dhe marrëdhënie komprometuese, me Klerin Katolik, etj.
Pjesa e vuajtjeve dhe dramës pas dënimit të të shoqit për “tradhti të lartë ndaj atdheut”, zë një vend të veçantë në tregimin e Mita Jakovës, të cilës i është dashur të mbijetojë bashkë katër fëmijët, me shumë mundime dhe sakrifica të jashtëzakonshme.
Gjithsesi, nga gjithë përjetimet e atij kalvari të tmerrshëm, kjo grua fisnike, ka peng kushtet në të cilat i ndërroi jetë njëra nga vajzat dhe enigmën ende të pazbardhur, për mënyrën si vdiq në spitalin e burgut i shoqi, në mbrëmjen e vonë të 26 gushtit 1959…!
Ajo që ndodhi me Tuk Jakovën, natën fatale të gushtit ‘59 në spitalin e burgut të Tiranës, nuk u zbardh asnjëherë. Zyrtarisht u tha se ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë. Mjekët nga ana e tyre, ofruan dy opsione të tjera: “Vdekje pas operacionit të apandesitit dhe nga një plasje e papritur e tëmthit”.
Kanë kaluar 50 vjet nga ajo natë tragjike gushti dhe ende kanë mbetur të dyshimta rrethanat, në të cilat pushoi zemra e Tuk Jakovës, të dënuarit politik për “tradhti të lartë ndaj atdheut”. Enigmën e hershme vazhdojnë ta përjetojnë me brengë e dhimbje familjarët, shokët, miqtë, të njohurit dhe bashkëvuajtësit.
Shumëkush prej tyre vazhdon prej vitesh të hulumtojë me mënyrën e vet, për të depërtuar sado pak përtej hijeve të misterit vrastar. Sidoqoftë, Mita Jakova e shoqja e liderit të martirizuar, që është tej-lodhur në stresin e dilemave të gjithëfarllojta, ka bindjen se ajo që ndodhi natën e 26 gushtit ‘59, nuk ishte një vdekje natyrale, por një vrasje e pastër.
Në rrëfimin e saj për emisionin “Histori me zhurmues” të Pandi Laços, në TV Klan, për herë të parë zbulon një pjesë të së vërtetave që kanë lidhje me rrethanat, në të cilat ndërroi jetë Tuk Jakova në spitalin e burgut…!
Zonja Mita! Ju jeni bashkëshortja e Tuk Jakovës dhe jeni lidhur me të qysh në vitet e Luftës. Si e kujtoni momentin e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare?
Me Tuk Jakovën, jam njohur në ceremoninë e krijimit të Brigadës së Parë Sulmuese, që u zhvillua më 15 gusht 1943. Atje e pashë Tukun për herë të parë, që foli si Komisar i Brigadës. Unë isha një e re komuniste, që isha lidhur me Lëvizjen Antifashiste qysh në vitin 1942 dhe punoja brenda në qytet.
Ne ishim 15 shoqe, kryesisht të reja, që ishim inkuadruar në një çetë. Komandante e çetës tonë, ishte Kleopatra Mulliqi, një grua përparimtare që kishte përqafuar Lëvizjen, që në fillimet e veta.
Pasi mbaroi ceremonia e inaugurimit të Brigadës, Tuku me cilësinë e komisarit të saj, na thirri ne vajzave dhe na vuri në dijeni, se brigada do të fillonte të lëvizte në të gjithë Shqipërinë. Aty për aty, na porositi për të lajmëruar familjet dhe na sistemoi në çadrën e shtabit të brigadës.
Sakaq ne lajmëruam familjet dhe morëm teshat e, u sistemuam në çadrës e shtabit. Ky ishte si të thuash takimi i parë me Tukun. Gjatë ditëve në vijim, na lidhi puna dhe komunikuam disa herë. Pata rastin të flisja nga afër me të, ta njihja konkretisht dhe pa e kuptuar, përfundova në lidhjen e ngushtë. Në maj të vitit ’44, bëmë fejesën.
Çfarë cilësish kishte Tuk Jakova, që u caktua komisar i Brigadës së Parë?
Tuku ishte një nga të rinjtë e njohur në jetën ilegale të qytetit të Shkodrës. Emri i tij ishte bërë i dëgjuar, sidomos për mjaft aksione të guximshme ndaj okupatorit. Në Shkodrën e asaj periudhe, flitej sidomos për një rast ku Tuku me Sadik Bekteshin, kishin mundur të çanin një rrethim të rrezikshëm, në kohën kur shumëkush i dinte të asgjësuar. Përmbledhtazi do të thosha se jeta ilegale, e kishte bërë të njohur emrin e tij, edhe përtej qytetit të Shkodrës.
Pikërisht gjatë aktivitetit në radhët e Lëvizjes ilegale, Tuku u dallua për trimëri dhe guxim. Ai kishte një inteligjencë natyrale shumë të zhvilluar. Përsa i përket shkollimit, kishte bërë arsimin 9-vjeçar, si mund t’i themi sot. E vërteta është se përtej dëshirës së madhe të tij, për dije, nuk pati mundësi për t’u arsimuar, për arsye ekonomike. Nga familja e tyre, u shkolluan tre vëllezërit e tjerë…!
Tuku ishte një nga figurat qendrore të PKSH-së, pse nuk shkoi për t’u shkolluar në Bashkimin Sovjetik si pjesa tjetër e liderëve komunist të asaj periudhe?
Tukut, asnjëherë nuk ia ofruan shkollimin në Bashkimin Sovjetik, pas çlirimit, në kohën kur shumëkush nga kolegët e tij, shkuan aty disa herë. Pikërisht këtë, e kemi pasur merak familjarisht. Një ditë i kam thënë Enverit, kur ishte në shtëpinë tonë; “Si është e mundur që Tuku, ende nuk po shkon si gjithë të tjerët për t’u shkolluar në Bashkimin Sovjetik”?! Ai qeshi, më vuri dorën në supe dhe mu kthye si me qesëndi: “Në qoftë se të tjerët kanë bërë shkolla të ndryshme, Tuku ka shkollën e jetës, ka akademinë e përvojës”!
Tuku drejtoi Brigadën e Parë Sulmuese me një figurë tjetër historike, siç ishte Mehmet Shehu. Cilat ishin marrëdhëniet me të?
E vërteta është se ata kishin shumë gjëra të përbashkëta. Të dy dalloheshin për trimëri dhe aftësi organizuese. Të dy kishin simpatinë dhe mbështetjen e tërë partizanëve të Brigadës. Ndërkaq kishin dhe dallime midis tyre. Mehmeti, p.sh., ishte tip shumë i ashpër, shumë impulsiv. Tuku ishte i butë prej natyre. Ishte i qetë dhe i shtruar. Mbi të gjitha, ishte shumë tolerant. Ka qenë një rast p.sh., gjatë luftimeve në Pogradec, ku u zu një masë e konsiderueshme me ballistë, të cilët mbetën robër në duart e partizanëve.
Pikërisht në momentin kur pritej pushkatimi, Tuku urdhëroi lirimin e tyre! Po kështu Tuku, ishte një njeri që kishte shumë influencë në popull dhe njerëzit flisnin para tij, me zemër në dorë. Veçanërisht pjesa katolike, nga e cila ishte e vetmja figurë përfaqësuese në ato nivele, e respektonte shumë dhe i besonte për çdo gjë. Tuku kishte marrëdhënie shumë të mira, me Klerin Katolik dhe siguronte bashkëpunim të frytshëm me të, në të gjitha situatat. Pikërisht për këto marrëdhënie shpirtërore, është kritikuar rëndë më vonë.
Ndodhi në një rast që takoi një prift katolik në Tiranë, që ishte në gjendje shumë të keqe ekonomike. I dha një mijë lekë për ta ndihmuar, së paku për të shkuar në shtëpinë e tij, në Shkodër. Qëlloi që këtë ja tha Enverit. Enverit me sa dukej, nuk i pëlqeu, po siç e kishte zakon, nuk bëri gjë ballasi. Sidoqoftë nuk mund t’ia falte, e rezervoi me atë mënyrën e tij djallëzore dhe një ditë e penalizoi rëndë. E vërteta është se Tukun, kuptohet me porosinë e Enverit, kolegët e goditën, jo vetëm për simpatinë për Klerin Katolik, por edhe për mbështetje materiale ndaj tij.
Këtu fillojnë kritikat e para ndaj tij, apo jo?
Tuku për herë të parë, është kritikuar në plenumin e shkurtit të vitit ’51, si; “zbutës i luftës së klasave”. Kjo vinte nga vet natyra e tij. Ai takohej me të gjithë. I priste të gjithë që i vinin në zyrë. Dëgjonte hallet e tyre dhe mundohej tua zgjidhte. Ishte i hapur me çdo njeri, pavarësisht profileve politike të tyre dhe ndasive fetare. Po le të qëndrojmë te kritika e parë që iu bë në atë plenum, për zbutje të luftës së klasave. Kjo kishte zënë vend, qysh në raportin e mbajtur në fillim të plenumit.
I vetmi që u çua për të folur pas prezantimit të kësaj kritike, ishte Mehmet Shehu. Pas një heshtje të gjatë, ai u çua duke ju drejtuar sallës: “Çfarë keni që nuk flisni për Tukun. Për trimërinë e tij, unë vë duart në zjarr. Po Tuku është trim, vetëm kur e ka armikun përballë”! Me një fjalë krijoi mendimin se Tuku, toleron nga pozita jo të shëndosha. Gjatë kësaj kohe, Tuku ishte deputet në Shkodër. Sipas rregullit bënte takime të shpeshta me zgjedhësit.
I dëgjonte me vëmendje hallet e tyre. Ishte një periudhë që kishte shumë ankesa për papunësinë. Ja ngritën këtë shqetësim, në takime të ndryshe. Ai u angazhua me mish e me shpirt, për të vënë në lëvizje strukturat e shtetit, për t’i dhënë zgjidhje këtij shqetësimi, pa pasur parasysh biografitë e njerëzve që kërkonin punë.
I shkoi një ditë në zyrë, mbesa e Patër Anton Harapit. Ajo, pasi i sqaroi pozicionin politik të familjes, i tha se së paku, i duhej një vend pune i rëndomtë, sa për të përballuar varfërinë familjare. Tuku pa marrë parasysh se nga cila familje vinte kjo vajzë, ndërhyri dhe e sistemoi me punë, në rrobaqepësinë e qytetit.
Aty kishin filluar punë po me ndërhyrjen e tij dhe 15 vajza të tjera, që kishin një status politik të kontestueshëm për kohën. Mirëpo ndodhi që ende pa kaluar shumë kohë, të gjitha këto vajza bashkë me mbesën e Patër Anton Harapit, i hoqën nga puna. Vigjilenca e njerëzve të Partisë, me sa duket, e kishte bërë të veten.
Kur Tuku e mori vesh, u indinjua shumë. Takoi menjëherë Enverin dhe i tha se ka ndodhur një ngjarje, që ka tronditur krejt Shkodrën. Po a mund të ndërhynte Enveri, që e ideonte vet këtë marrëzi?!
Cilat ishin detyrat me të cilat u ngarkua Tuk Jakova pas çlirimit?
Për një periudhë, pas çlirimit, u caktua president i Sindikatave dhe prej andej, aty nga fundi i vitit 1946, e dërguan si të ngarkuar me punë, në Federatën Jugosllave. Ky, si të thuash, ishte një largim nga qendra, nga Tirana. U kthye nga Beogradi, në vitin 1948, në kohën kur u zhvillua Kongresi i parë i Partisë. Në atë Kongres, ai u zgjodh në një post shumë të rëndësishëm, siç ishte ai i Sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë, për kuadrin…!
Cilat kanë qenë pakënaqësitë e para të Tukut, për mënyrën si kishte nisur drejtimi dhe zhvillimi i Shqipërisë?
Pakënaqësitë kanë qenë të ndryshme. Kanë qenë pakënaqësitë politike, kanë qenë pakënaqësitë ekonomike, kanë qenë pakënaqësitë në lidhje me luftën e klasave, në lidhje me Klerin, në lidhje me shkrimin e historisë së partisë, etj. Mbaj mend kritikën e parë, për faktin që ishte kundër ngritjes së industrisë së rëndë.
Ishte vërtetë një rrethanë interesante. Tuku, në kohën që bënte detyrën e zëvendëskryeministrit, bëri disa vizita rresht në vendet e Demokracive Popullore, të destinuara këto në fushën e ekonomisë. I befasuar nga zhvillimet e tyre, ai pyeste jo pa habi, se; çfarë kishin më tepër ato vende, që ishin më të përparuara nga vendi ynë?!
I qëlloi që gjatë një delegacioni në Çekosllovaki, kishte parë mjaft qendra të industrisë së lehtë dhe ushqimore, të cilat po i zëvendësonin teknologjitë ekzistuese, me teknologji të reja. Këtu i lindi ideja, që për konditat tona, e kishim shumë të nevojshme, t’i merrnim e t’i instalonim ato në Shqipëri. Sa mbërriti në Tiranë, e propozoi në qeveri.
Njëherazi me këtë rekomandim, Tuku kundërshtoi projektin, për të ngritur industrinë e rëndë. “Kur nuk kemi këllqe, pse duhet t’i futemi një aventure të tillë”, këmbënguli ai, duke ofruar zgjerimin e industrisë së lehtë dhe sidomos asaj ushqimore.
Pastaj erdhi goditja në Plenumin e prillit 1955, ku do të diskutohej për të shkruar për herë të parë, historinë e Partisë. Para se të flasë për atë që ndodhi në atë plenum, desha të kujtoj diçka, para punimeve të tij.
Unë në atë kohë, isha me shkollë të mesme dhe kisha dëshirë të vazhdoja shkollën e lartë. Pavarësisht se isha nënë me katër fëmijë, mendoja se i kisha mundësitë e shkollimit. Teksa këmbëngula për këtë në rrugë zyrtare, më caktuan të vazhdoja shkollën e Partisë. Aty bënim leksione, ku ndër të tjera, ato për themelimin e partisë, ishin ndër më të preferuarat.
Po si trajtohej në leksione kjo çështje?
Përmendej data e 8 nëntorit ‘41 dhe fund e krye, çdo gjë i dedikohej Enver Hoxhës. Sipas tyre, akti i themelimit, ishte vepër e tij. Themeluesi ishte Enveri. Po ai dhe Sekretar i Përgjithshëm, që nga 8 nëntori ‘41, etj. Një mbrëmje teksa bisedoja me Tukun, i thashë për këtë mënyrë, si trajtohej në shkollë, akti i themelimit të Partisë. Ai u indinjua dhe aty për aty ma ktheu: “Nuk duhet lidhur çdo meritë e Partisë, me emrin e Enverit! Nuk është kështu e vërteta”!
Pastaj Tuku më shpjegoi me qetësi, si e kujtonte ai këtë akt historik. Në mbledhjen për themelimin e Partisë, ishte zgjedhur një komitet provizor, prej shtatë vetash. Pra, nga ajo mbledhje, nuk ishte caktuar asnjë udhëheqës i vetëm. Enveri u zgjodh kujdestar për financat.
Tuku, Kristo Themelkua dhe Koci Xoxja, u caktuan të merreshin me formimin e celulave, në qytete të ndryshme. Qemal Stafa, u caktua të merrej me rininë. Gjin Marku me ushtrinë. Rrahman Çitaku, me lëvizjen. Kështu që mbledhja nuk doli me një person udhëheqës, por me një organ kolegjial provizor.
Pikërisht këtë ngriti Tuku, në mbledhjen e Plenumit të prillit 1955. Për gjithçka foli aty, i referohej kujtesës, si dëshmitarë okular i asaj ngjarje historike. Mirëpo, kjo ishte goditëse për Enver Hoxhën. Deri në atë periudhë, ai nuk kishte qëlluar të debatonte, me njerëz që shfaqnin pikëpamje, në kundërshtim me ato të tijat.
Tuku foli hapur, duke shpjeguar se Enveri, në mbledhjen themeluese, nuk u zgjodh as kryetar dhe as sekretar i përgjithshëm i partisë. E vërteta është, tha Tuku, se që nga krijimi i partisë dhe deri në vitin 1942, partia drejtohej nga komiteti provizor.
Në prill të vitit ’42, u caktuan detyra të tjera dhe aty për herë të parë, u hodh ideja e krijimit të çetave partizane. Ndërkaq, në mars të vitit ’43, në Labinot të Elbasanit, u bë Konferenca e Parë e Vendit, ku Enver Hoxha, u zgjodh për herë të parë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë, i propozuar drejtpërdrejt, nga Miladin Popoviçi, i cili kishte dhënë një ndihmë shumë të madhe, për shkrirjen e grupeve komuniste dhe krijimin e partisë.
Për të gjithë protagonistët kryesorë të aktit të themelimit të partisë, ishte e njohur marrëdhënia e ngushtë e Enverit, me Miladinin. Ata kudo i shikoje bashkë. Në qytet, në fshat, në mbledhje të ndryshme. Madje ndanin të dy, gati të njëjtin qëndrim, për çështjet që dilnin. Padyshim që ky reagim i Tukut, për të thënë të vërtetën, nuk mund të kalonte pa kosto. Po nuk ishte vetëm kjo, përplasja e parë.
Zonja Mita! Flitet se Tuku një nga përplasjet e para e ka bërë lidhur me mënyrën si ishte organizuar Muzeu i Luftës Nacionalçlirimtare?
Pikërisht me këtë rast, Tuku krijoi përplasjen tjetër, me krerët e lartë të udhëheqjes së Partisë dhe të shtetit. Sa kishte marrë formë, riorganizimi i Muzeut të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kur shkoi Tuku dhe e vizitoi për herë të parë, i bëri shumë përshtypje, që aty nuk dilnin figurat kryesore, nuk dilnin të gjithë udhëheqësit që kishin drejtuar Lëvizjen, por dilnin disa figura, që nuk kishin ndonjë meritë të veçantë.
Kështu p.sh., një kënd të dukshëm, e zinte Spiro Koleka, i cili erdhi në parti nga “Grupi i Zjarrit” në vitin ‘43 dhe gjatë gjithë kohës, ka qenë pranë Shtabit të Përgjithshëm. “Me gjithë meritat që ka Spirua, – tha Tuku, – përsëri nuk e ka vendin në atë stendë”. Po kështu Tukut i tërhoqi vëmendjen fakti që në muze, nuk kishte asgjë për çetat nacionaliste, siç ishte p.sh., ajo e Riza Kodhelit, aq shumë e njohur në zonën e Korçës. Nejse të vemi tani te plenumi…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm