Nga Ali Buzra
Pjesa e dyzetedy
– JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Bedri Kaza
Me vendim të Gjykatës Ushtarake të Tiranës, me funksion në Elbasan, Shefqeti dënohet, fillimisht me 25 vjet heqje lirie. Në një seancë tjetër i ulet dënimi në 20 vjet e 10 muaj, si dhe konfiskimin e pasurisë personale të luajtshme e të paluajtshme, me motivacionin e deklarimit fajtor për krimin e tradhtisë ndaj atdheut. Shefqet Alla, 44 vjeçar, baba i tre fëmijëve e me nënën të moshuar kryen dënimin në Fabrikën e Çimentos Elbasan, në Ballsh, Spaç e Burrel. Djali i tij i madh, Kasemi, në atë kohë 22 vjeçar, mbajti barrën e familjes. Për çdo dy muaj, ai shkon të takojë babain e tij te burgu, duke i dërguar, ushqime, kafe e duhan. Te burgu, Kasemi ka shkuar edhe me njerkën e tij. Në Burrel, tregojnë familjarët, shkon një herë edhe nëna e tij e moshuar, e cila e përmalluar për të birin, e bën shumicën e rrugës më këmbë, bashkë me Kasemin.
Kasemi ishte i martuar me vajzën e Islam Shalas nga lagja e vet. Gruaja e tij, Dylberia, mbasi u dënua i vjehrri, u privua nga e drejta për të shkuar lirshëm te të afërmit e familjes së saj. Nga meraku që të mos u krijonte atyre probleme, ajo detyrohej të qëndronte e distancuar. Vëllait të saj, Hyqmetit, për një farë kohe i u mohua e drejta për të vazhduar arsimin e lartë. E përmalluar për të afërmit e saj, prindërit, vëllezërit e motrat, të cilët i shikonte çdo ditë, por që nuk mund të komunikonte lirshëm me ta, kjo grua trime dhe e vendosur, respektonte e nderonte krenare, burrin e saj, si dhe familjen e tij të pafajshme. Ajo lindi e rriti me mundime fëmijët, të cilët nuk u lejuan të kryenin arsimin e lartë.
Babai i saj, Islami, vendosi t’i falte një mëshqerrë, që e kishte rritur e shoqja me shumë merak për të. Mirëpo ishte problem për t’ia dhënë. Do të akuzoheshin se po ndihmonin djalin e “armikut”. Ditën nuk mund ta çonin, por edhe lëvizjet natën mund të krijonin më shumë probleme. Për këtë, ata ndoqën një rrugë tjetër ilegale. E dërguan mëshqerrën te disa të afërm në lagjen e “Skejajve”, duke e lënë aty rreth një muaj. Shkon Kasemi, diku aty te “Guri i Rezit” e ia sjellin aty. E merr mëshqerrën dhe vjen në shtëpi, duke kaluar nëpër lagjen “Balca”, me argumentin se e ka blerë në Elbasan. Këto janë disa nga detajet e panumërta të përndjekjes e persekutimit ndaj familjarëve të Shefqet Allës në Dorëz, që me shumë dhimbje i rrëfejnë të afërmit sot. Shefqeti lirohet në vitin 1982, tashmë në moshën 64 vjeç, duke i kryer gjithë vitet e rënda të burgut komunist.
Ai jetoi edhe 4 vjet pranë familjes. Ndërroi jetë në vitin 1986, pa mundur të shohë përmbysjen e regjimit, të cilin e urrente aq shumë. Ashtu siç ndodhte kudo, që kishte fatkeqësi në familjet e përndjekura, viheshin në lëvizje punonjësit e Sigurimit të Shtetit dhe veglat e tyre. Kështu në varrimin e Shefqetit, shoqëruan xhenazen, 5-6 burra, mes të cilëve Selman Korra, Selman Brazhda, Shefqet Mema, Qemal Mema dhe krushku i Lushnjës, me dhëndrin. Dy burrave të lagjes që hapën varrin, iu bë presion nga një kuadër komunist i kooperativës, duke u thënë se nuk duhet të hapnin varrin e “armikut”. Megjithatë, ata nuk e lanë punën, bënë varrin, por nuk u kthyen më në shtëpinë e Shefqetit. E pra, çfarë përjetonin vallë, këto familje, kur në varrim nuk merrnin pjesë fqinjët, të afërmit e bashkëfshatarët e tyre? Ky ishte modeli stalinist bolshevik, që u instalua në Shqipëri, ku veç të tjerash, të privonte edhe nga e drejta për të nderuar e respektuar të vdekurin, në momentet e fundit drejt varrit.
Në burgjet e Burrelit, të Spaçit, Qafë Barit etj, kanë vuajtur dënimin ajka e intelektualëve shqiptarë. Të burgosurit e tjerë që nuk ishin të arsimuar, kanë mësuar shumë penj tyre. Për këtë kanë folur Shefqeti, Ram Kurti, Nebi Dosku, Haxhi Balliu etj., për të cilat rrëfejnë sot të afërmit e tyre. Megjithëse, në kushte të rënda të burgut, atje mbizotëronte kolektiviteti, ndihma e respekti për njëri-tjetrin. Kjo frymë ruhej edhe mbas lirimit nga burgu. Për këtë, do të përshkruaj një eveniment, që ka të bëjë me djalin e vogël të Shefqet Allës, Limanin. Në vitin 1974, ndodhesha ushtar në një repart artilerie në Çorum të Kavajës. Aty nga mesi i muajit maj, u përzgjodh një togë ushtarësh, që plotësonte gjatësinë trupore, si dhe me të dhëna pa probleme në biografinë familjare, që do të përgatiteshin për në paradën ushtarake të 29 Nëntorit, ku parakalimi do të kryhej para udhëheqjes së Partisë e Enver Hoxhës, në Tiranë.
Në këtë grup u caktova edhe unë. E filluam stërvitjen në Brigadën e Kavajës. Më pas na dërguan në repartin e Plepave Durrës, ku stërviteshim disa grupe në kuadrat këmbësorë në formacionin “sup armë”. Ditët e para në Plepa kaluam mirë. Stërvitja bëhej kryesisht para dite, ndërsa pas dite vetëm 2 orë. Aty nga mesi i muajit qershor, jepet urdhër për të shkuar në drejtim të Kepit të Rodonit në një aksion për korrje gruri. Na dërguan me makina ushtarake, kuptohet në karroceri, bashkë me prapavijën, e u stacionuam në afërsi të fshatit Shetaj të Durrësit. Me vete kishim kompletin e pajimeve të ushtarit; një fletë çadre, dy batanije, armën tip “Karabinë Simonov”, kundra-gaz, e mjetet e ngrënies për në fushim, si gavetë, pagure, lugë etj. Sapo mbërritëm, ngritëm kampin e fushimit, duke ndërtuar çadrat me nga katër persona në secilën. Një batanije e shtruam në tokë për dyshek e me tjetrën mbuloheshim. Aty pranë u vendos kuzhina, por ujë të pijshëm nuk kishte.
Fshati ku mund të kishte puse, ndodhej larg vendit ku ndodheshim ne. Aty pranë ndodhej një si tip gjoli, ku uji pothuaj ishte i ndenjur. Atë ujë përdorte kuzhina për të gatuar, aty pinim edhe ne. E largonim lymin e kuq të bretkosës e mbushnim pagurët. Uji, jo vetëm ishte i ngrohtë, por mbante një erë të keqe. Për grupin e oficerëve që na shoqëronte, gatuhej më vete. Ujin për ta e merrnin ushtarët e prapavijës në fshat. Gjella e drekës nuk futej në gojë, po kështu edhe fasulet që gatuheshin për mëngjes. Për darkë kishte vetëm çaj dhe një racion bukë. I gjithë ushqimi kundërmonte erë të keqe. Na furnizuan me drapërinj, e për çdo ditë shkonim në punë, në disa kodrina të thata rreth gjysëm ore larg fushimit. Atje korrnim tërshërë e jo grurë. Që në fillim, na u bë e qartë norma ditore, që ishte 700 metra katrorë, të cilën do të korrnim e lidhnim. Norma do të realizohej, domosdo, në të kundërt do të qëndroje atje deri sa ta mbaroje, e pastaj të ktheheshe te çadrat për të ngrënë drekën. Ushtarët u rregulluan vetë, dy e nga dy për të punuar.
Po rrija. Jo vetëm se isha i dobët fizikisht, por nuk kisha punuar ndonjëherë me normë, e as në korrje, nuk më qe dhënë rasti. – “Do të punojmë bashkë”, – më thotë një shok, me të cilin vinim nga i njëjti repart i Kavajës. Ai ishte një vlonjat, Sabri Lame quhej, me sa më kujtohet ishte nga fshati Sevaster. Sabriu, kishte trup të mirë e te fuqishëm, ishte me profesion shofer, por kishte punuar në kooperativë. Nuk i dhashë përgjigje, as po, e as jo, sepse e dija që atij, duke punuar me mua, i duhej të bënte më shumë se norma. U shpërndamë nëpër kodrina. Brigadieri i fshatit, bënte matjen e parcelave duke vendosur kufijtë me shenja sipas normës për çdo dy veta. Sabriu, nuk e prishi zemrën. Sado që përpiqesha të punoja, ai kryente shumë më tepër punë sesa unë.
Problem ishte jo vetëm uji i pijshëm që e merrnim me vete në pagure, por edhe ushqimi. Ngriheshim në orën 03.00 të mëngjesit, niseshim për rrugë. Në orën 04.00 fillonim punë. Punohej deri në orën 11.00, por shkonte edhe deri në orën 12.00, mbasi norma ishte e lartë, e parcelat kishin ferra e barëra të këqija, gjë që vështirësonte punën. Mbas dite ishim të lirë. E vetmja gjë e mirë ishte se deti qe afër, por ashtu të rraskapitur nga puna e të ngrënë keq edhe kjo nuk bënte efekt. Aty nga mesi i rrugës, që bënim vajtje e kthim për në punë, në një pjerrësi kodre, ndodhej një parcelë e mbjellë me perime, të cilën e kishte reparti ushtarak i Ndërmarrjes Bujqësore Ushtarake. Parcela ishte e thurur e në krye të saj qëndronte roja, një ushtar ky i repartit të NBU-së. Teksa kalonim aty për çdo ditë, sytë na shkonin te domatet e bostanet që dukeshin nga rruga.
Ata mund të ishin një ushqim shumë i mirë për ne, krahasuar me gjellën bajate që gatuhej te kuzhina jonë. Një ditë ushtarët kishin pikasur një pus në një grykë përroi me ujë të ftohtë, që ishte larg parcelave ku punonim ne. Shkuam bashkë me Sabriun e mbushëm ujë aty, duke përdorur një copë tel që ndodhej në anë të pusit, të cilin si duket e kishin lënë shokët tanë. Pusi nuk ishte shumë i thellë. E lidhëm telin në rripat e pagureve dhe mbushëm ujë. I pimë një herë paguret me etje dhe i mbushëm përsëri për t’i marrë me vete. Për herë të parë pas kaq ditësh, u ngopëm me ujë të ftohtë. E kishim përfunduar punën dhe morëm rrugën për te fushimi. Kur mbërritëm te perimorja, pamë se ushtari roje, ishte në fund të parcelës, në afërsi të rrugës. Në qafë, ai kishte një manikotë prej fashoje, që tregonte se ishte mjekuar.
Kur u afrova vura re, se ai ishte Liman Alla, djali i vogël i Shefqet Allës nga Dorëzi. Edhe ai më njohu menjëherë, megjithëse ishim të zhveshur në mes e lart, e të nxirë e bërë sterr nën rrezet përvëluese të diellit, duke punuar në kodrat e thata të Shetajt. U takuam dhe e prezantova me Sabriun, duke i thënë se ishte një shoku im nga Vlora. Limani më tha se ishte ushtar në repartin e punës aty pranë, duke parë pak me ndrojtje nga Sabriu, mbasi të gjithë e dinin se ushtarët e NBU-së, ishin nga shtresa me biografi të keqe, pa të drejtë arme. “Qenke mirë këtu, si roje”! – i thashë. – “Mirë jam”, – u përgjigj. – “Çfarë problem ke në qafë”?! – “S’kam gjë”. E pashë se donte të tregonte diçka, por ruhej prej Sabriut. – “Fol, pa merak, ky është miku im” – i thashë. Limani filloi të tregojë problemin. Aty në fshatin Shetaj, ishte një mjek, i internuar.
Ai kishte qenë në burg për shumë vite me Shefqetin. Një ditë, Limanit i del një puçërr e vogël në qafë e, shkon ta mjekojë në ambulancën e fshatit. Kur mjeku, i shënon emrin në regjistër, e pyet se nga është. Ky i thotë, nga Librazhdi, fshati Dorëz. Mbasi mësoi se ishte djali i Shefqetit, i tregon se e njihte babanë e tij nga burgu. Duke patur të drejtën e dhënies së raportit mjekësor, ai i jep raport për disa ditë e, i thotë që të shkonte përsëri. Mjeku rekomandonte se pacienti nuk duhet të bënte punë të vështirë. Kështu, Limanin e vendosin roje te perimorja. Miku e bëri punën e tij. – “Më ka ndihmuar miku i babës”, – e përfundoi rrëfimin, gjithë kënaqësi, Limani.
-“Tani, pritni”, – na tha. Më mori gjimnastorkën ushtarake, që unë e mbaja të lidhur për mezi, e hyri në kopsht. Futi në të domate, dhe dy bostane të vegjël, duke shikuar nga të gjitha anët, se mos e shihnin.
Na u duk sikur na “fali botën”. – “Hajdeni, përsëri” – na tha, por pasi të ndaheshim nga shokët. Në moment, m’u kujtua e i tregova për ujin e ftohtë, që mbushëm te pusi në grykën e përroit. – “Mos pini atje, -na tha ai, uji është me krimba. Hapëm paguret, e kthyem ujin në dorën që e bëmë kupë. E ç’të shihnim. Në ujë kishte krimba të vegjël të bardhë. O zot, filluam të ndjejmë një ndjesi për të vjellë. I derdhëm paguret. U ndamë me Limanin duke e falënderuar për gjithçka. Mbasi kaluam një kthesë, u ulëm me shokun e i hëngrëm bostanët. Ishim vërtet të uritur, për çdo ditë. Kur shkuam në fushim, gjellën nuk e përdorëm, por e hëngrëm bukën me domate e kripë. Ishin ditët e fundit të aksionit në Shetaj. Ne morëm edhe dy a tre herë të tjera domate nga Limani. Nuk donim t’i binim shumë në qafë, se po qe se do të diktohej, atë do ta bënin problem. Limani ishte i guximshëm; “vetëm mos tregoni e, mos ju shohin, – na thoshte ai, se ju jap sa herë të doni”.
Kështu, ndihmoi Liman Alla, ushtari me “biografi të keqe” ushtarët e paradës ushtarake me “biografi të mirë”, që rropateshin kodrave të Kepit të Rodonit duke korrur tërshërë. Në ditën e fundit të aksionit, unë dhe Sabriu, u vonuam. Ishim në një cep, larg të tjerëve, e parcela kishte shumë ferra e driza. U detyruam të qëndronim mbi një orë pas shokëve. U ndamë te rruga me Limanin, i cili na furnizoi me domate, e shkuam te fushimi. Ashtu tejet të lodhur e rraskapitur, vendosëm të shkonim një herë në det e, pastaj ta hanim drekën. Djersa na qe tharë në trup. Drekën e hëngrëm me domatet, ndërsa u dhamë edhe shokëve të çadrës sonë. Në mbrëmje, pata të vjella e dhimbje të barkut. Siç duket, u ftoha në det. Darkë nuk hëngra. Gjatë natës, dola disa herë jashtë, e pothuaj nuk fjeta fare.
Në mëngjes do të niseshim për në repart, në Plepa. Na u tha se urdhri ishte për marshim, mbasi situata konsiderohej “territor i okupuar”. Nuk qëndroja dot në këmbë. Me oficerët nuk kishim njohje. Ata nuk ishin të repartit tonë. Sabriu, i tha komandantit të kompanisë, që të më merrnin me makinën e prapavijës, se isha i sëmurë. Realisht, kishte shumë ushtarë që ankoheshin për dhimbje e se ishin të pamundur për marshim. Komandanti, nuk pranoi, duke u përgjigjur se s’ka vend në makinë. Sabriu, filloi t’i lutej, duke i thënë se është shumë i sëmurë. Ndërhyra, duke i thënë, mos e lut se do të eci! Oficeri më shikoi me inat, duke thënë se “s’ka ca të nënës e ca të babës”. Mëngjesi u hëngër aty, ndërsa gjella e drekës u mor nëpër gavetat e aluminit. Unë nuk shkova të marr ushqimin, por Sabriu më mori gavetën e shkoi ta marrë. U nisëm aty rreth orës 8.00 të mëngjesit. Pajimet, m’i morën shokët, ndërsa mbaja vetëm armën, të cilën shpesh e përdorja si shkop duke e vënë qytën në tokë.
Marshimi u nis i rregullt në kolonë për një, por gjatë rrugës, kolona u orientua. Ushtarët ankoheshin gjatë rrugës për dhimbje të këmbëve e të trupit. Oficerët që na shoqëronin, nuk mundën të vendosnin më rregullin në marshim. Aty rreth orës 8.00 të mbrëmjes, mbas gati 12 orë udhëtimi më këmbë, unë bashkë me Sabriun e disa shokë të tjerë, mbërritëm në Shijak. Kishte të tjerë edhe para edhe pas nesh. Aty kishte ujë për të pirë. Ishim shumë të etur gjatë rrugës. Në xhep kisha 50 lek. Me to bleva 7 arançatat, për shokët dhe për vete. Ata ishin shumë të shijshme e na bënë mirë. Mbasi i piva dy prej tyre, e ndjeva veten të lehtësuar. Mbas dy apo tre orësh mbërritëm në repartin e plepave, të lodhur e stërmunduar deri në palcë. Kur u ngritëm në mëngjes, disa ushtarë ecnin duke çaluar, por edhe të tjerët ishin të ciflitur.
Ditën tjetër filluam stërvitjen, por nuk përbënte problem, mbasi ishte si orë mësimi, me pushime 10 minutëshe. Ajo që do të na torturonte më pas, ishte se erdhi urdhri që të punonim mbas dite. Gjatë muajve në vazhdim, çdo mbas dite, në orën 4.00, shkonim të punonim, në kodrat e Hamallajt, ku bënim tunele të ushtrisë për mbrojtje. Tunelet, hapeshin rreth 2.5 metra lartësi, e mundet rreth 1.5 metra gjegjësi, aq sa bëhej e mundur të kalonte karroca me dheun që gërmonim gjatë punës. Në çdo tunel punonin dy veta. Gërmonim, mbushnim karrocën dhe e nxirrnim jashtë, pa asnjë lloj sigurimi teknik. Normë nuk kishte, por ishe i detyruar të punoje, nga ora 4 mbas dite, me sa më kujtohet deri në orën 7.30. Në tunel futeshim pa këmishë, të zhveshur në mes e lart, sepse gjatë gërmimit binin cifla dheu, e rrobat bëheshin për t’u larë. Punoja me një shok tjetër, sepse Sabriu u shtrua në spital, i sëmurur me dizanteri e ftohje, ku kaloi mbi 2 muaj. Siç duket, këtë e mori që nga aksioni i Shetanit, por e përballoi për disa kohë, ashtu në këmbë.
Qëndrimi në Plepa, Durrës, ku paradite bëhej stërvitje rreshtore e mbas dite punë në tunele, ishte për ne një torturë e vërtetë. Tre javët e fundit të muajit nëntor, i bëmë në fushën e aviacionit në Laprakë, Tiranë. Aty ndodhej e gjithë trupa e parakalimit të paradës së vitit 1974. Ishin 34 kuadrate me ushtarë këmbësorie, që do të parakalonin me hap rreshtor, trupa të të gjitha armëve të artilerisë tokësore, detare, ajrore, të tankeve etj. Do të demonstrohej forca ushtarake e shtetit më 29 nëntor, me rastin e ditës së çlirimit. Kjo periudhë tre-javore, ishte koha e vetme më e mira që kalova, gjatë mbi dy viteve të shërbimit ushtarak, ku ushqimi ishte i mirë dhe i bollshëm, po ashtu edhe kushtet e fjetjes, për kohën qenë të mira. Herë pas herë vinin drejtues të lartë të ushtrisë, e na bënin biseda, ku flitej për grupin armiqësor në ushtri. Aty, na u tha edhe për arrestimin e ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku, të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume etj.
Një ditë erdhi kryeministri Mehmet Shehu, i cili u prononcua shumë ashpër për “armiqtë e brendshëm e të jashtëm” që punonin kundër Shqipërisë socialiste. U bënë dy prova gjeneralë pas orës 12.00 të natës në bulevard, para datës 29 nëntor. Pas parakalimit u shpërndamë nëpër pikat përkatëse sipas reparteve. Në nëntor të vitit 1975, duhet të liroheshim, por u shtua periudha e shërbimit edhe për një muaj e gjysmë. Do të na lironin në fund të dhjetorit, por nuk ndodhi. U shpall një iniciativë, gjoja sikur doli nga ne, për të kryer një muaj aksion në bujqësi. “Aksionet vullnetare” ishin praktikat prioritare që e shoqëruan gjatë gjithë kohës sistemin komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri. Ato përfshinin punëtorët, kooperativistët, të rinjtë e të rejat, nxënësit e shkollave, studentët, ushtarët, e në raste të veçanta edhe pleqtë.
“Kishin të drejtë” pushtetarët komunistë, sepse kjo ishte një pune e papaguar, ndërsa flitej me bujë për shfrytëzimin e njeriut në botën kapitaliste, ku punëtori me pagën që merrte nga kapitalisti, mund të blinte edhe makinë, ndërsa punëtori shqiptar nuk mund të mbante normalisht familjen me buke e ushqime. Fshatarësia, që përbënte afro 80 % të popullsisë me pagën që merrte mund të blinte një buke misri në ditë. Kështu e kryem aksionin në muajin janar 1976, duke punuar me bel tokën në vreshtat e fshatit Dushk të Lushnjës. Pas lirimit nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, fillova menjëherë punë në Dranovicë të Kostenjës, ku isha emëruar mësues i ciklit fillor, me katër klasë kolektive. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm












