Dashnor Kaloçi
Pjesa e katërt
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), të cilat i përkasin qershorit të vitit 1973, kur në Tiranë u mbajt Plenumi i IV-ët i Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku Enver Hoxha mbajti raportin kryesor me temë “Të thellojmë luftën ideologjike kundër shfaqjeve të huaja dhe qëndrimeve liberale ndaj tyre”. Fjala e panjohur e Enver Hoxhës i cili u mbajt kryesisht vetëm për artin e kulturën dhe u shëndrua në “giotinën” e shkrimtarëve dhe artistëve, pasi aty u “prenë shumë koka” të tyre, duke u shkarkuar fillimisht nga detyrat dhe funksionet që kishin pasur deri në atë kohë, për të përfunduar më pas fshatrave më të largët të Shqipërisë, në miniera dhe në kantiere ndërtimi, si dhe burgjeve e internimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, si: Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Mihallaq Luarasi, Lluk Kaçaj, Sherif Merdani, Minush Jero, Kujtim Spahivogli, Ibrahim Uruçi, Dhimitër Shuteriqi, Edi Luarasi, Zhani Ciko, Leka Bungo, Bujar Kapexhiu, Novruz Yzeiri, Dorjan Nini, Francesk Radi, Justina Aliaj, Vilson Kilica, Hamide Stringa, etj.
“Fenomene të kësaj natyre janë vënë re edhe në muzikën e lehtë, sidomos në atë ritmike, ku ka pasur deformime të vijës së qartë melodike dhe u është hapur rrugë ritmeve të shfrenuara. Kjo u duk sidomos në Festivalin e 11-të të Këngës në Radio-Televizion. I tërë opinioni ynë shoqëror e refuzoi me indinjatë atë muzikë vulgare, ato këngë të përçmuara dhe atë paraqitje snobiste që ky festival na nxori në skenë. Ai me të drejtë e konsideron dhe e dënon atë si një ofendim që i bëhet traditës më të mirë kombëtare, frymës popullore dhe partishmërisë së artit tonë. Shfaqje të tilla të huaja janë dukur edhe në disa piktura, në paraqitjen skenike të ndonjë vepre teatrale e operistike, në kopertinat e librave etj. Shmangie të tilla kanë ndikuar drejtpërsëdrejti si në formën, ashtu edhe në brendinë e letërsisë e të artit tonë. Këto prirje të shtrembra janë në kundërshtim me partishmërinë e letërsisë e të artit, me rolin formues dhe edukues, me karakterin popullor e kombëtar të tyre. Ato vënë një barrierë midis artit dhe popullit, zbehin natyrën demokratike që duhet të ketë arti ynë, prishin shijet e masave punonjëse”.
Kështu u shpreh në mes të tjerash Enver Hoxha në fjalën e tij të mbajtur në Plenumin e IV-ët të Komitetit Qëndror të PPSH-së që u zhvillua në datat 26 dhe 27 qershor të vitit 1973, i cili u mbajt kryesisht vetëm për artin e kulturën dhe u shëndrua në “giotinën” e shkrimtarëve dhe artistëve, pasi aty u “prenë shumë koka” të tyre, duke u shkarkuar fillimisht nga detyrat dhe funksionet që kishin pasur deri në atë kohë, për të përfunduar më pas fshatrave më të largët të Shqipërisë, në miniera dhe në kantiere ndërtimi, si dhe burgjeve e internimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, si: Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Mihallaq Luarasi, Lluk Kaçaj, Sherif Merdani, Minush Jero, Ibrahim Uruçi, Dhimitër Shuteriqi, Edi Luarasi, Zhani Ciko, Leka Bungo, Bujar Kapexhiu, Novruz Yzeiri, Dorjan Nini, Francesk Radi, Justina Aliaj, Vilson Kilica, Hamide Stringa, etj., ku pjesa më e madhe e tyre dolën nga burgu apo u kthyen në Tiranë vetëm pas shëmbjes së regjimit komunist në fillimin e viteve ’90-të.
Për më shumë se çfarë u tha nga Enver Hoxha në Plenumin e IV-ët të Komitetit Qëndror të PPSH-së, na njeh dokumenti arkivor që Memorie.al po e publikon për herë të parë në disa pjesë (me disa shkurtime), duke filluar nga shkrimi i sotëm.
Fjala e Enver Hoxhës në Plenumin e IV-ët të Komitetit Qendror të të PPSH-së, të mbajtur në Tiranë më 26 dhe 27 qershor 1973
Duhej demaskuar dhe shpartalluar ky deviacion. Duhej të kalohej nga kritikat e rregullta e të drejta, nga këshillimet në debate të hapëta, masive, siç e praktikon Partia në këto raste, kur njerëz të tillë spekulojnë me batakçillëqet e tyre. Ky veprim u vu në lëvizje me fjalën që mbajta në Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe më vonë në mbylljen e punimeve të Plenumit të fundit të Komitetit Qendror. Natyrisht, Partia e kuptoi menjëherë se ku duhej rrahur çekani dhe u çua në këmbë. Filluan debatet e zjarrta kudo. Si reaguan këta të dy përpara kësaj situate? Shumë keq, jo si komunistë, po si antikomunistë. Ata u frikësuan se do t’u dilnin të palarat, do të hapeshin gojët e njerëzve të thjeshtë që ata i kishin përbuzur dhe kërcënuar. Fadil Paçrami u përpoq të mos shkonte në këto mbledhje, pastaj u detyrua nga të tjerët të shkonte. Ç’qëndrim mbajti ai ndaj kritikave dhe pyetjeve që i drejtoheshin? Qëndrim nga më arrogantët. Asnjë autokritikë nuk bënte, bile fliste me “ne” dhe jo me “unë”. “Ne”, natyrisht, ishte komiteti, komiteti, pra, i kishte fajet dhe jo ky. Todi Lubonja mbante të njëjtin qëndrim arrogant dhe nuk i njihte fajet e tij.
I gjithë ky qëndrim i tyre jo komunist u kundërvihej qëndrimeve parimore dhe me frymë partie të të gjithë shokëve të tjerë të sektorit të kulturës e të arteve etj., si edhe të atyre shokëve që gjatë punës dhe veprimtarisë së tyre kishin bërë gabime, por që ndershmërisht i njihnin ato dhe bënin autokritikë. Fjalimi im në mbledhjen e përgjithshme të komunistëve të aparatit të Komitetit Qendror, i dha një zgjerim e një thellim më të madh debatit që kishte filluar në Parti për ndreqjen e gabimeve e të metave që ishin shfaqur në punë në të gjithë sektorët dhe në njerëzit. Siç e dini, në këtë fjalim vura theksin në çështjen e konservatorizmit dhe të liberalizmit dhe iu drejtova drejtpërdrejt me këtë rast Fadil Paçramit, me një pyetje, që duhej të ishte shumë preokupuese për të, që duhej ta bënte atë të reflektonte thellë dhe t’i përgjigjej kritikës së hapët dhe të drejtpërdrejtë që i bëja. Këtë vendim e mora jo rastësisht, por pasi bëra një analizë të gabimeve të Fadilit dhe të përpjekjeve që kishte bërë Partia për ta ndrequr atë. Kjo analizë më nxori në disa konkluzione që do t’i radhis më poshtë dhe kishte ardhur koha që Fadili duhej pyetur përpara Partisë: “Ishte ai me vijën e Partisë, apo me vijën e armikut”? Të nesërmen e ditës që mbajta fjalimin (ku ishte i pranishëm edhe vetë Fadili, sido që nuk bën pjesë në atë organizatë partie), ai kërkoi takim me mua.
Unë nuk u shpejtova ta thërrisja, pse një takim i tillë i kërkuar prej tij bëhej i shpejtuar. Ai nuk po merrte mundimin as të thellohej, as të reflektonte mbi gabimet e tij dhe mbi pyetjen time, kështu që do të më përsëriste ato gjëra pa vlerë që kishte thënë në mbledhjet e tjera. Prandaj e lashë në pritje, me shpresë se do të mendohej, do të reflektonte. Kaloi më tepër se një javë dhe e thirra në takim. Fadili erdhi me një defter të vogël xhepi, ku kishte shënuar disa pika. “Të dëgjoj”, i thashë. Ai bisedën e filloi duke më thënë se kritika që unë i bëra në mbledhje, ishte e drejtë dhe gjoja e pranonte. Kjo ishte vetëm formula për të qenë gjoja në rregull, pse në fakt duhej t’i përgjigjej pyetjes që i vura: “Je ti me vijën e Partisë, apo je me vijën e armikut”? dhe të shpjegonte pse është kështu ose nuk është ashtu. E dëgjuam me durim, tok me shokun Hysni, dhe aq sa deshi ai të fliste, po nuk foli shumë. Fjala e tij konsistonte në disa pikëmbështetje, gjoja në formë tezash, për të na thënë se “kam punuar mirë, se aktiviteti im është pozitiv, se në konservatorizëm kam forcuar veprimtarinë, por nuk kam qenë dhe aq ekzigjent ndaj liberalizmit, se kam pasur disa shfaqje sporadike, ca intelektualizëm, ca mendjemadhësi”. “Disa fjalë, disa gjeste të mia shokët i kanë keqkuptuar”, etj.
Kjo ishte gjithë biseda e tij lakonike, e matur, e peshuar. Asgjë konkrete, autokritikë shumë e dobët, për të mos thënë hiç fare. Pasi mbaroi, u detyrova t’i thosha ç’kërkonte nga unë, pse në fakt ai asgjë nuk po më kërkonte mua Sekretarit të Komitetit Qendror. Pas pyetjes që i bëra, më tha: “Dua të më këshilloni”. E këshilluam, e kritikuam shoqërisht, i thamë se kjo ekspoze që bëri ishte foshnjarake, false, ishte autokritikë e një fajtori që përpiqet të fshehë fajet dhe ia numëruam këto faje, por me paturpësinë më të madhe, ai i hidhte poshtë, ashtu siç bëri edhe këtu përpara Plenumit. “Ju kanë informuar gabim, – thoshte, – s’ka ngjarë tamam ashtu, po kështu”, etj. Një taktikë e tillë, natyrisht, nuk e shfajësonte atë, prandaj e këshilluam të reflektonte thellë në punën, në qëndrimet dhe në gabimet e tij, në rast se donte të ndihmonte Partinë dhe veten e tij. “Mbledhja e Komitetit Qendror të Partisë është përpara, atje të jesh më i hapët”, i thashë “se është e nevojshme që nga pikat e defterit të vogël, të dalësh në autokritikë të hapët me shkrim dhe të ma dërgosh”. Dhe këtë autokritikë ma dërgoi. Ajo është në dispozicionin tuaj, e lexoni shokë, pse, siç do ta shihni, është shumë tipike. Ju i dëgjuat ato që tha, por tani do të them mendimin tim për këtë autokritikë dhe disa konkluzione që kam nxjerrë prej saj, të cilat përforcojnë konkluzionet që kisha arritur më parë.
Diskutimi i tij këtu tregoi plotësisht fytyrën e tij të vërtetë. Kur mbarova së lexuari me kujdesin më të madh autokritikën e Fadilit, u krodha në mendime dhe pyeta veten: “Si është e mundur”?! Prandaj u riktheva përsëri dhe e lexova atë për të dytën herë. Për fat të keq, në gjithë autokritikën, ku ai bënte analizën e punës dhe të gabimeve të tij, Fadil Paçrami fliste vetëm, e theksoj, vetëm dy herë për Partinë dhe këto dy herë fliste kundër. “Është fakt, – thotë ai, – shtrembërimet dhe deformimet që janë bërë në vijën e Partisë”, etj., etj. Në një vend tjetër thotë se “pas Kongresit të V-të të Partisë ka pasur dhe ka diskutime”, kjo ka lidhje me “krijimtarinë e viteve 60-të”, periudha që përcaktojnë Fadili me shokë. Më Partia nuk del, por për këtë do të flas më poshtë. Ky njeri flet si udhëheqës partie, si komunist? Punon dhe lufton ai sipas vijës së Partisë, sipas direktivave të saj? I ndjek, i zbaton direktivat e kongreseve, të Komitetit Qendror, të Byrosë Politike? Asgjëkundi nuk do të gjesh një afirmim të tillë, një referencë të tillë në autokritikën e tij me shkrim. Ai shkruan si një element që qëndron jashtë Partisë, mbi Partinë, nuk konfondohet me Partinë.
Ai shprehet me terma të tillë “unë mendoj”, “unë kam menduar dhe mendoj”. Thëniet e Partisë, direktivat e kongreseve dhe të Komitetit Qendror pa kurrfarë ndjenje thjeshtësie dhe me paturpësinë më të madhe, ia atribuon vetes. Sukseset në lëmin e kulturës dhe të arteve nuk mungon që një pjesë të mirë t’ia dedikojë vetes “që lufton me të gjitha forcat për të renë, për novatoren”. Ç’punë ka bërë Partia këtu, ç’punë kanë bërë njerëzit e artit dhe të kulturës në këtë çështje, pak rëndësi kanë për Fadilin. Pse të ngjasë kjo harresë e një çështjeje kardinale, siç është Partia dhe vija e saj? Ku janë vërtetuar gabimet e Fadil Paçramit? Sigurisht në kuptimin e shtrembër dhe të gabuar të vijës së Partisë nga ana e tij, në zbatimin gabim të saj në praktikë dhe në luftën e hapur që ai i ka bërë vijës dhe vetë Partisë. Atëherë logjika më e thjeshtë ta do që në këtë ose në atë problem ku ai ka gabuar, duhet të përmendej, qoftë edhe një herë, cila ka qenë vija e drejtë e Partisë që ai e ka shtrembëruar. Këtë Fadili nuk e bën, ai e harron. Mos është kjo një koincidencë e thjeshtë? S’ka mundësi të jetë kështu dhe sidomos në një dokument të tillë që ai e konsideron si “kredon e 30 vjetëve të jetës së tij, si një kuadër i frontit ideologjik”.
Gabimet e Fadil Paçramit në zbatimin e vijës së Partisë janë të djathta. Ai e ndien rrezikshmërinë e tyre, por nuk ka guximin dhe kurajën komuniste t’i denoncojë, t’i njohë haptazi, t’i analizojë thellë, t’u gjejë burimet dhe qëllimet që të çlirohet dhe të shërohet. Ai e ka të zorshme të mos njohë asgjë, diçka thotë, por e minimizon, gjen arsye të rastit, për ta shpjeguar përdor formula dhe slogane të njohura si “intelektualizmi”, ngre të ashtuquajturat anë pozitive të punës së tij për t’i zvogëluar dhe errësuar këto të meta, siç e patë dhe e dëgjuat vetë në tribunë. Por, me të gjitha këto manovrime e të tjera, as gabimet e tij të mëdha nuk i nxjerr në shesh dhe as burimin ku e kanë dhe ku synonin këto veprime ai nuk i vë në dukje. Neve na duhet të ndihmojmë Partinë, në radhë të parë, duke u përpjekur të shfaqim sa të jetë e mundur mendimin tonë realist dhe të bazuar në faktet. Këtë mendim ne e shfaqëm një herë, por po e përsëritim edhe tani. Në autokritikat standarde që po bën Fadili thotë se burimi i gabimeve të tij të djathta liberale qëndron në atë “që kam qenë i prirë për të bërë deri në fund luftën kundër konservatorizmit” dhe, si konsekuencë, “nuk kam pasur po atë prirje për të bërë të njëjtën luftë edhe kundër liberalizmit”.
Këtë e arsyeton duke thënë: “Kjo ka ndodhur sepse prej shumë vjetësh kam pasur një formim dhe angazhim kundër obskurantizmit dhe prapambetjes” etj. Lufta kundër obskurantizmit mesjetar dhe modern, kundër klerikalizmit mesjetar dhe modern, kundër konservatorizmit të ri dhe të vjetër, kundër patriarkalizmit, dokeve e zakoneve të këqija, kanuneve skIlavëruese për njerëzit etj., ka qenë në themel të luftës së Partisë sonë, qëkurse u formua. Kjo ka zhvilluar, zhvillon e do të zhvillojë edhe për shumë kohë një luftë të ashpër kundër tyre, si në platformën ideologjike e politike, ashtu edhe në atë praktike. Dhe krahas kësaj, Partia, mbi gërmadhat e kësaj bote të urryer të vjetër, ndërton botën e re, shoqërinë socialiste, përparimtaren. Dhe në qoftë se ka pasur prirje për këto luftëra, pavarësisht se Fadili nuk e pohon, këtë prirje ia ka mësuar Partia. Por, duhet të theksojmë, siç e pohon edhe vetë, se në të dy krahët e kësaj lufte, qoftë kundër konservatorizmit, qoftë pro së resë, jo vetëm nuk ka shkëlqyer, por ai ka dalë nga binarët e Partisë. “Kam gabuar, — thotë, — në çështjen e konservatorizmit, pse kësaj i kam pasë vënë theksin”. Të vësh theksin në të, nuk është gabim, por t’i hapësh rrugën liberalizmit, nën pretekstin se gjoja lufton konservatorizmin, këtu qëndron shtrembërimi i vijës.
Partia vazhdimisht e ka shpjeguar teorikisht dhe me luftë konkrete ç’është konservatorizmi, si shfaqet, format e ndryshme që merr, ku e ka burimin, si duhet demaskuar e luftuar ai në rrethana të ndryshme, të veçuara e të koklavitura, në sektorë të ndryshëm. Po kështu ka vepruar Partia edhe për pikëpamjet oportuniste, revizioniste, liberale e moderniste. Një luftë e vazhdueshme e ashpër po zhvillohet çdo ditë. Fadil Paçrami, për të arsyetuar dhe për t’u gjetur një burim të paqenë gabimeve të tij të djathta në vijë, na thotë: “Kam treguar një zell të tepruar për luftën kundër konservatorizmit”. Mirëpo ky pohim nuk vërteton tezën e tij, por vërteton një pikëpamje shumë të rrezikshme dhe zor të pohueshme nga ai vetë, që unë do ta shpreh ca më poshtë dhe që e thanë këtu hapët dhe në mënyrë të shkëlqyer edhe shokët e Plenumit. Fadili, si anëtar partie, si udhëheqës dhe si letrar, siç e pretendon veten, a ka qenë i angazhuar kaq fuqimisht kundër obskurantizmit mesjetar, kundër klerikalizmit, kundër dokeve e zakoneve të vjetra? A është dalluar ky mbi të tjerët, qoftë edhe mbi ato cucat e thjeshta heroike të malësisë? Aspak! A ka shkruar ai ndonjë satirë, ndonjë libër o ndonjë dramë kundër fesë, kundër priftërinjve o hoxhallarëve? A ka mbajtur ai konferenca dhe artikuj specialë për këto çështje që të mund të thoshim sot këtu: “Po, kjo është kështu, siç thotë Fadili”. Jo aspak! I gjithë argumenti i tij në këtë çështje është se në një libret opere të një poeti, për Skënderbeun, na ishte vënë edhe një prift popullor që Fadili, sipas tij, propozoi të hiqej. Të paktën ne mund të themi se, për sa i përket luftës në këto drejtime, Fadil Paçrami ka bërë shumë më pak sesa ka bërë një anëtar i thjeshtë i Partisë.
Të gjithë komunistët e shëndoshë, duke zbatuar vijën e Partisë, luftojnë konservatorizmin, por jo për të qenë liberalë dhe oportunistë, por për të mos qenë as konservatorë, as liberalë, luftojnë, pra, si liberalizmin, edhe konservatorizmin. Derisa Fadil Paçrami përqafoi dhe mbrojti pikëpamje të djathta, në kundërshtim me vijën e Partisë, kuptohet dhe shpjegohet “zelli i tij i madh për luftën kundër konservatorizmit, prapambetjes etj”. Për Fadil Paçramin, konservatorizmit me kuptimin e vjetër, si me thënë klasik, i shtohet edhe “konservatorizmi ri”, që ekziston sipas tij në Parti. Pra vija e Partisë sonë, sipas mendimit, sipas fakteve, të thëna dhe të bëra nga Fadil Paçrami, qenka konservatore dhe duhet të liberalizohet, të modernizohet, të likuidohet dhe të krijohet një parti e re. Dhe kësaj pune antiparti dhe thellësisht armiqësore, i’u futën Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja. Kur Fadili pohon se ka pasur prirje të luftonte konservatorizmin dhe nuk kishte prirje të luftonte liberalizmin, pohon vetë se nuk luftonte në vijën e Partisë, por në kundërshtim me të dhe kundër saj, pse me këto pikëpamje çdo gjë që nuk ishte liberale, siç e mendonte Fadili, ishte konservatore, pra duhej luftuar me të madhe.
Në luftën në të dy krahët ai nuk ishte në vijën e Partisë dhe këtë e pohon vetë, sido që luftën kundër konservatorizmit, sipas tij, ai kërkon ta kalojë si “një çështje pozitive”. I njëjti problem, i njëjti koncept i tij për sa u përket “obskurantizmit dhe prapambetjes”, kundër të cilëve ishte angazhuar Fadili, siç thotë. Të luftosh, si pretendon ai, kundër obskurantizmit dhe prapambetjes klerikale, mesjetare dhe feudale, kjo nuk të çon në atë që ra Fadili, në obskurantizmin dhe degjenerimin e letërsisë e të artit borgjez dekadent modernist. Pra, lufta e tij nuk ka qenë aspak në vijën e Partisë, ajo nuk ka qenë e bazuar në ideologjinë tonë, bile ka qenë shumë formale dhe konkretisht në kundërshtim të hapët, pse Fadili nuk mundi dhe nuk donte të dallonte se ato koncepte liberale ku kishte shkarë, i mbrojnë dhe i përkrahin po ata obskurantistë, armiq të përparimit e të progresit të njerëzimit. Prandaj asgjë pozitive nuk ka në tezat që Fadili sjell në mbrojtje të gabimeve të tij të pambrojtshme. Fadili në autokritikën e tij thotë se “nuk kam ditur kurdoherë të dalloj atë që është me të vërtetë e re dhe përparimtare”. Ka mundësi që ndonjë shok edhe të mos i dallojë këto që thotë Fadili në mënyrë indirekte, por ai është i detyruar të pohojë më tej, natyrisht në forma të përgjithshme, se “kur i kam parë ndikimet e huaja, kam zvogëluar rrezikun e tyre, kam bërë lëshime dhe këto ndikime të huaja e lëshime i kam bërë në letërsi dhe në arte, në poezi, në muzikë dhe në pikturë, nuk vlerësova rrezikun në rritje të shfaqjes së rrugaçërisë, modat, thyerjet e disiplinës etj”.
Siç shihet, ky nuk është as një gabim i thjeshtë, as i veçuar dhe as rastit, ku ka mundësi të bjerë ndonjë person jo i ngritur politikisht dhe ideologjikisht. Këto janë gabime të shumta antiparti dhe në një front të gjerë. Fadili vetë, me të drejtë, e ekskludon çështjen se këto ai i ka bërë se nuk ka qenë i ngritur. Mirëpo këto gabime të tij në front të gjerë, ka ardhur koha t’i njohë, t’i përcaktojë, t’u gjejë edhe prejardhjen. Natyrisht, në radhë të parë ai nxjerr “pikëpamjet intelektuale» të tij, të cilat, sipas tij, e kanë hedhur në një kontradiktë. Cila është kjo kontradiktë? Gjoja angazhohet fort në revolucion, kurse në praktikë ai bën të kundërtën e asaj që thotë. Kjo me fjalë të tjera do të thotë të mos jesh revolucionar ose me fjalë slogane “kontradiktë” dhe “intelektualizëm” të fshehësh atë që është e qartë, të jesh në kundërshtim me vijën e Partisë, në teori dhe në praktikë, dhe të maskosh luftën kundër saj. Si mund të ngjasë ajo që thotë Fadili se “jam angazhuar dhe kam rënë në liberalizëm, kam folur drejt dhe kam vepruar shtrembër”? «Kjo është kontradikta ime», thotë ai! Me të vërtetë kontradiktë e çuditshme për një person, që e quan veten komunist dhe revolucionar. Por do të ishte fatkeqësi që të tillë komunistë t’i shpjegojnë kaq thjesht gabimet dhe pas çdo parashtrimi të tyre të dalin me refrenin, siç del Fadil Paçrami: “Kjo nuk bën tiparin tim kryesor, ose këto janë gjëra të vogla përpara së përgjithshmes së punës sime”.
Që Fadil Paçrami është një intelektual i sëmurë, nuk ka asnjë dyshim, por që të pranojmë me naivitet se ai është një revolucionar, nuk na lejojnë faktet dhe veprimtaria e tij dhe këtë ne nuk e hamë. Aq sa është i pamohueshëm intelektualizmi i tij i sëmurë, aq është i dyshimtë edhe revolucionarizmi i tij. Të gjitha argumentet që ai sjell (kurdoherë këtë e bën me terma të përgjithshëm për të vërtetuar se gjoja ka luftuar për të renë, për të bukurën, për revolucionaren etj.), nuk qëndrojnë në këmbë, edhe pse e di që puna dhe pikëpamjet e tij tregojnë anën e keqe të “revolucionit” ala Fadil, ai shton se para fenomeneve konkrete nuk ka mbajtur kurdoherë qëndrim të drejtë, ka pasur lëshime, liberalizëm etj. Shkarjen e Fadilit në “intelektualizëm”, sipas tij, e kanë shkaktuar rrethet intelektuale, ku ai jetonte dhe punonte, presionet e tyre e kanë bërë këtë të gabojë. Por për çudi presionet e këqija kanë influencuar, kurse presionet e njerëzve të mirë e me partishmëri të letërsisë e të arteve dhe që janë shumica dërrmuese, nuk kanë influencuar tek ai. Vihet pyetja: Kanë qenë intelektualët e sëmurë që kanë influencuar te Fadili, apo ka influencuar, ndihmuar dhe inkurajuar ai tek ata si komunist i shtrembër dhe si sekretar i komitetit të Partisë që merrej me këtë sektor? Sigurisht që të dyja palët kanë influencuar te njëra-tjetra dhe krijonin kështu një pengesë dhe një sëmundje në gjirin e shkrimtarëve dhe të artistëve tanë të shëndoshë popullorë.
Këtë përgjegjësi që mban ai për gabimet që ka bërë, e njeh shkarazi tani në orët e fundit, pse deri tani i ka mohuar me arrogancë, siç i mohoi edhe këtu, gjithashtu, me arrogancë. Por edhe tani në orët e fundit ai nuk mungon të thotë: “Derisa kanë ndodhur gabimet në këto fusha, siç janë Festivali i 11-të i Këngës në Radio-Televizion, ndikimet në poezi, muzikë e pikturë, dhe me këta sektorë merrem unë, kam edhe përgjegjësi”. Dhe ku qëndron përgjegjësia? Ai shton: “Se nuk i kapa, nuk u ngrita me kohë kundër tyre, nuk bëra probleme të Partisë”. Sipas Fadil Paçramit, Partia bënte gjumin e madh, Fadil Paçrami ishte “Papa i letërsisë dhe i arteve”. Partia, sipas tij, nga një parti leniniste, ishte reduktuar e atillë që çdo gjë e priste, “ta sinjalizonte, kapte, ta bënte çështje”, vetëm Fadil Paçrami. Ky megaloman, harron se gjithë aktivitetin revolucionar në këto fusha dhe në të gjitha të tjerat e ka udhëhequr dhe e udhëheq Partia, ndërsa Fadil Paçrami dhe disa shokë të tij kanë udhëhequr veprimtarinë antiparti. Veprimtarinë antiparti të tyre këta elementë kujtojnë se Partia, teorikisht dhe praktikisht, nuk po e luftonte çdo orë, çdo ditë.
Fadil Paçrami harron ose nuk dëshiron të thotë se kundër qëndrimeve të tij dhe të shokëve të tij, Partia ka reaguar vazhdimisht, që nga organizatat-bazë dhe deri në udhëheqjen më të lartë. Këta e kanë kritikuar shumë herë dhe ashpër Fadilin dhe veprimet e tij, padrejtësitë që ai ka bërë ose që është orvatur të bëjë, të cilat, kur janë njohur, janë vënë menjëherë në vend. “Këto gjëra të këqija”, thotë Fadili me paturpësinë më të madhe, “nuk i kapa”. Por këto i kapte dhe i bënte çdo ditë probleme të komunistëve dhe të masave Partia. Kjo, nga ana e saj, luftonte kudo e me sukses kundër intelektualizmit që të mbulonte ty, luftonte që organizata-bazë të udhëhiqte, kurse ti dhe shokët e tu bënit një luftë antiparti që ta eliminonit ditë nga mesi. Partia luftonte kundër teknokratizmit që ti me sistem punoje për ta sjellë dhe solle në institucionet kulturore e artistike njerëz të degjeneruar, servilë e pa vlerë, që të bënin qejfin dhe me anën e tyre imponoje me arrogancë e me frikësime në ata elementë që të kundërshtoin; Partia luftonte për vijën e masave, kurse ti e kundërshtoje këtë vijë.
Ti s’ke zbatuar direktivat e kongreseve të Partisë, të Komitetit Qendror. Në Parti dhe në udhëheqjen e saj këto të janë vënë në dukje shumë herë. Të gjitha çështjet e drejta që Partia dhe populli luftojnë për t’i mbrojtur dhe për t’i zbatuar në jetë, të gjitha të këqijat që duhen luftuar ndodhen të qarta në të gjitha dokumentet e Partisë. Ti pse nuk i ke pasur ato parasysh? Pse nuk i ke zbatuar? Përse nuk i ke korrigjuar ti gabimet, kur të janë vënë në dukje? Këto pyetje kanë rëndësi. Je ti me vijën e Partisë apo me vijën e armikut? Nuk mjafton tani në orët e fundit të pohosh se ke një intelektualizëm të sëmurë ose je mendjemadh. Shumë shokë kanë bërë gabime të ndryshme në punë, kanë pasur edhe shfaqje të intelektualizmit ose të mendjemadhësisë, por asnjëherë nuk u është vënë pyetja kështu, pse gabimi është i mundshëm, por ata e kanë kuptuar, janë korrigjuar, janë bërë shokë shumë të mirë, pse kanë pasur besim të madh, të pafund te Partia. Kurse ty, Fadil, ky besim të është lëkundur, të është zhdukur. Dhe provat që sollëm këtu dhe që do të them edhe më poshtë e vërtetojnë këtë. /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016