Nga Ali Buzra
Pjesa e njëzetenjë
– JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Bedri Kaza
Mbas shpartallimit të forcave të Brigadës së Dytë, partizanët e kapur robër u çarmatosën dhe i shpërndanë nëpër shtëpitë e fshatarëve, në Zgosht, duke u dhënë ushqim, e më pas u lanë të lirë. Nga dëshmitë e marra së fundmi prej Ramadan Allës, 87 vjeçar, nga Zgoshti, thuhet se Isaku, partizanët e çarmatosur i ka ngritur në një makinë për në Elbasan, mbasi shumica e tyre qenë nga Elbasani e fshatrat. Këtë version e dëshmon edhe Fatime Bajraktari (Biçaku), e cila e ka mësuar nga vëllai i saj Isufi, pas vitit ’90-të, ish-pjesëmarrës në këtë betejë. Isak Alla, nuk ishte njeri i shkolluar e nuk është se mund të kishte njohuri ushtarake mbi ligjet e luftës, por ai qe një burrë fisnik, kishte karakter burrëror e për rezultat, nuk ka keqtrajtuar të dorëzuarit.
Më lart kemi përmendur problemin, që shpesh thuhet se janë bërë plaçkitje nga ballistët etj. Në fakt, kjo mund të ketë ndodhur nga të dy palët, si nga partizanët, po ashtu edhe nga ‘Balli’, por është e nevojshme të përmend një dëshmi të një ushtari të Isakut, Nazif Allës, i cili ishte kushëri i tij. Ai ka dëshmuar se, kur shkojnë në Orenjë, Isaku e vendos atë roje nate, dhe i jep porosi të prerë, që të qëllojë cilindo që mund të dalë për të plaçkitur fshatarët orenjas. “Edhe Kamberi, po tentoi, – i thotë ai, – do ta ndalësh me armë”. Kjo tregon për atë, se Isak Alla, personalisht nuk ishte për keqtrajtim të familjeve fshatare, edhe në zonat që njiheshin si mbështetëse të Frontit Nacional-Çlirimtar.
Në Kostenjë, ushtarët e tij zënë rob dervishin e Teqes së Martaneshit, i cili shoqëronte Baba Fajën. Duke qenë se dervishët nuk martoheshin, mbanin mjekër e kishin disa veçori, që nuk parapëlqeheshin nga besimtarët e tjerë myslimanë, një nga të afërmit e tij e keqtrajton dervishin, duke u tallur me të, ndërkohë që Isaku nuk ndodhej aty. Kur vjen Isaku në shtëpi, jo vetëm i ndalon këto veprime, por nis dy persona ta shoqërojnë atë deri në fshatin Lunik. Këtë e dëshmojnë jo vetëm banorët e Zgoshtit, por personalisht rastin në fjalë, ma ka treguar një e moshuar, e shoqja e Selaudin Metës nga Kostenja, e cila fliste me detaje për kujdesin që kish treguar Isak Alla për dervishin martaneshas.
Janë të shumtë bashkëkohësit që e kanë njohur Isakun, të cilët rrëfejnë, se ai qe burrë i matur, trim, bujar e besnik. Në fund të vitit 1944, para se të vijnë forcat partizane në fshat, Isaku i mbledh të gjithë ushtarët e çetës së tij, diku aty në lagjen e fisit të Shpatës. U thotë se luftën e fituan komunistët e se vetë nuk do të dorëzohej. U jep porosi dy tre personave që të bëjnë kujdes, mbasi mund t’i ndjekin komunistët, ndërsa nipit të tij Zylyf Shpatës, i thotë të largohet për disa kohë nga fshati e, të kthehet mbasi të qetësohet gjendja. Bashkë me vëllezërit e tij, Halilin e Kamberin, ai bashkohet me Azis Biçakun, duke kaluar në arrati.
4.1 Isak Alla arratiset, ndërkohë mbi familjet vepron dhunshëm terrori komunist
Fillimisht, në dhjetor të vitit 1944, partizanët u vënë zjarrin shtëpive të Isak Allës. Digjen dy shtëpitë e tyre; ajo e miqve ishte kullë trekatëshe, ndërsa tjetra, e cila quhej shtëpia e grave dhe e fëmijëve, ishte dykatëshe. Iu morën mbi 300 kokë bagëti të imta, 16 krerë lopë, 2 kuaj, një mushkë dhe 2 qetë e parmendës. Morën gjithë bulmetin e mbledhur. Dëshmitarët e gjallë kanë treguar se shumica e bagëtive të imta u therën, duke u përdorur ushqim për partizanët e komandën e tyre gjatë qëndrimit në fshat. Disa prej dëshmuesve, që në atë kohë kanë qenë fëmijë, me ironi flasin sot se ballistët janë akuzuar në të kaluarën se hanin pula, ndërsa ne jemi dëshmitarë të themi sot, se partizanët hanin mish qingji, që ua grabitën familjeve të fshatit.
Gjatë dimrit 1944-45, grupi i armatosur, qëndroi kryesisht në rrethinat e fshatit, në pyll e në shpella. Në shpellë ata mbanin ushqim e municion. Shpesh afroheshin gjatë natës pranë shtëpive, e strehoheshin në to. Me gjithë terrorin e egër nga ana e shtetit, familjet e fshatit ua kanë hapur derën e i kanë pritur të arratisurit, me çfarë u gjendej në shtëpi, si në Zgosht, ashtu edhe në Letëm. Menjëherë mbasi iu dogjën shtëpitë, Isaku me vëllezërit vijnë në fshehtësi e, blejnë shtëpinë e së shoqes së Ali Allës. Kjo e fundit, kishte vetëm një vajzë të martuar dhe jetonte e vetme.
Mbasi e blejnë shtëpinë e saj, strehuan aty nënën e tyre, si dhe gratë e fëmijët të mbetur pa strehë. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Partizanët e djegin edhe këtë shtëpi, duke i nxjerrë familjarët në qiell të hapur, në mes të dimrit. Ishte një reagim i pazakontë dhe i pamëshirshëm i shtetit të sapoformuar të ashtuquajtur demokratik e popullor, që luftonte tashmë me gratë, pleqtë e fëmijët e familjeve që e kundërshtonin atë. Më pas familjarët u strehuan në fshatin Dorëz, te Shaban Alla, kushëri i tyre.
Viktimë e përndjekjeve menjëherë pas lufte, u bë edhe Xheladin Alla. Ky ishte i biri i Avdi Allës, i cili qe vëlla me Selmanin, babain e Isakut. Xhel Alla, gjatë periudhës së luftës, ishte dhe mbeti besnik ndaj djalit të xhaxhait të tij, Isakut, në situata nga më të ndryshmet. Thuhet se ishte trupgjatë, afro 1 m. e 90 cm., e dallohej jo vetëm për forcën fizike, por edhe për trimëri e besnikëri të pashoqe. Kur Isaku me vëllezërit kaloi në arrati, i kërkoi edhe Xhelës të shkonte me ta. Ky i fundit duke patur fëmijët e vegjël dhe duke menduar edhe faktin se, ashtu si dhe kushërinjtë e tjerë të tij, ai kishte qenë një ushtar i thjeshtë i çetës balliste, nuk do të kishte arsye për ta ndjekur.
Megjithatë, Xhela fillimisht qëndroi në gjysëm ilegalitet. Mbas djegies së shtëpive të Allajve, partizanët rrethojnë edhe shtëpinë e tij, së cilës i vënë zjarrin, por nuk u dogj e gjitha, mbasi ishte në një çati me të vëllanë, Tahirin, i cili nuk qe përzier gjatë luftës. Ndërkohë, Mustafë Shabani e mbante atë si korrier të fshatit, e kjo ndikoi që të shpëtonte nga djegia e plotë edhe shtëpia e Xhelës. Pushkatimet pa gjyq, nisja e djegies së shtëpisë dhe ndjekja e personave që ishin të afërm me vëllezërit Alla, bëri që Xhela të mos u besonte partizanëve. Në këto kushte, ai vazhdonte të qëndronte në arrati.
Një ditë janari të vitit 1945, duke qëndruar i fshehur në pyjet e dushkut përbri zallit të Funarësit, vuri re se Forca partizane të Ndjekjes, kontrollonin territorin në afërsi të tij. Aty kalonte rrugës një grua nga Zgoshti, me thes ngarkuar për në mulli. Ai, duke menduar se nuk do ta ndalonin gruan, i flet asaj dhe shoqërohet me të drejt mullirit, për të mos rënë në sy, mirëpo partizanët i ndalojnë. E pyesin për emrin e ai nuk gënjen. Komandanti i njësitit nxjerr listën ku mbante emrat e personave për arrest dhe sheh që ishte personi i kërkuar. E arrestojnë menjëherë dhe e nisin për në Elbasan. E mbajnë dy muaj në hetuesi, nën masa shtrënguese, duke i kërkuar të tregojë vendndodhjen e grupit të armatosur të kushërinjve të tij.
Por Xhela qëndroi i patundur përballë torturave nga më çnjerëzoret. Duke mos mundur ta thyejnë apo ta vënë në shërbim të tyre e nxjerrin në gjyq, ku dënohet me 101 vjet burg. Në shtëpi i konfiskojnë pasurinë; i marrin 30 dele, dy qe parmende, bylmet, si dhe disa orendi shtëpiake, qilima etj. Fëmijët dhe gruaja qëndronin në kasollen e barit, mbasi një pjesë e shtëpisë ishte e djegur. Djali i vetëm dhe fëmija më i madh ishte Ramadani, 13 vjeç, ndërsa tre vajzat, ishin të mitura. Nga Elbasani e çojnë në burgun e Burrelit. Për këtë djali i tij, Ramadan Alla, rrëfen sot dhimbshëm ngjarjen për babain e tij, me të cilin nuk mundi të jetojë e të gëzojë, mbasi ia mori regjimi komunist në moshën më të volitshme, për të punuar e mbajtur familjen.
Disa herë ai shkon në Burrel te burgu, për të takuar babanë. Rrugën e bënin gjithmonë më këmbë, duke fjetur jashtë, në kohë të mirë e në kohë të keqe. Për herë të fundit, shkuan në vitin 1949, bashkë me xhaxhanë e tij. Folën me të nga përtej hekurave. – “Mos më prisni, se unë nuk vij më, – u tha ai, – po rrimë natë e ditë në ujë”. Largohen xhaxha e nip me zemër të pikëlluar sa më s’ka, nga vuajtjet që kalonte njeriu më i afërm i tyre në burgun mizor të Burrelit. Pas një jave u njoftuan nga Dega e Punëve të Brendshme Librazhd, se Xhela kishte vdekur. Kështu u mbyll në moshën 40 vjeçare, jeta e Xheladin Allës nga Zgoshti, i cili nuk kishte kryer asnjë krim, asnjë vrasje, por u dënua me burg për jetë, se kishte qenë ballist, dhe se nuk pranoi të bashkëpunojë me Sigurimin, për kapjen e kushërinjve të tij, që qëndronin në arrati si kundërshtarë të regjimit.
Ashtu si dhe shumë të dënuar të tjerë të regjimit të diktaturës, Xheladin Alla, sot nuk ka një varr, ku të bëjnë vizita fëmijët si dhe nipërit e mbesat e tij. Burgu komunist u mohonte të drejtën më elementare dhe njerëzore të afërmve e familjes të varrosnin të vdekurin. Falë sjelljes dinjitoze të burrave drejtues të fshatit Zgosht, familja e tyre më pas, nuk pati probleme. Djalit të tij, Ramadanit, 17 vjeçar, tanimë i ra barra e familjes. Pas një viti, me një bashkëfshatar të tij, ai shkon në Selitë, ku ndërtohej ujësjellësi. Punon aty për disa kohë, e më pas fillon në Kombinatin e Drurit Elbasan.
– “Pavarësisht se nuk përndiqeshin, – rrëfen ai, – frikën e kishim, ndiheshim të trishtuar se çfarë nuk na dëgjonim veshët”. Ramadani ishte punëtor i gjallë. Ai kishte kryer arsimin fillor në fshat me rezultate të shkëlqyera. Punoi deri sa doli në pension në stabilimentin e sharrës në Steblevë si punëtor krahu, por falë aftësive intelektuale e sjelljes korrekte në punë, ai ka kryer atje edhe detyrën e faturistit e, të magazinierit.
Në gjithë vitet e jetës së tij, Ramadani jetoi me brengën për gjetjen e eshtrave të babait të tij, të groposur nuk dihet se ku nga diktatura. Pas përmbysjes së komunizmit, ai nis menjëherë të kërkojë gjurmët e këtij evenimenti tragjik. Në vitin 1991, i kërkon ndihmë edhe organeve të Punëve të Brendshme në Librazhd, për të ndërmjetësuar pranë institucionit të burgut në Burrel. Me gjithë këmbënguljen e tij nuk u bë e mundur të gjenden dëshmuesit, dhe vendi ku qe varrosur i ati. Kështu Ramadan Alla nga fshati Zgosht, është pjesë e mijëra trashëgimtarëve të ish- të burgosurve të diktaturës, që u mungon varri i njeriut më të afërm të familjes.
Në fillim të vitit 1945, partizanët djegin tre shtëpi të tjera të Allajve. Ndërkohë arrestohet Hamit Alla, djali i Jonuz Allës, i cili dyshohej se u dërgonte furnizim të arratisurve. Atë e dënojnë me dy vjet burg. Mbas djegies së shtëpive, familja e Nazifit Allës, u strehua përkohësisht te Selim Brazhda në Dorëz, ku ky i fundit kishte motrën të martuar me Hid Brazhdën, e më pas te Bajram Brazhda, ku ai kishte marrë gruan e tij, ndërsa familja e Jakupit Allës, u strehua te Islam Shalja, ku ai kish marrë gruan e pare. Pas afro një muaji familjet kthehen në fshat dhe ndërtojnë nga një kasolle për t’u strehuar. Pas 2-3 muajsh ua djegin edhe kasollet, duke u marrë edhe atë pak mall e bagëti që u kish mbetur. Jetuan kështu për shumë kohë me vështirësi e mundim dhe vetëm pas dhjetë vitesh, mundën të ndërtojnë me shumë sakrifica shtëpitë prej guri, mbi gërmadhat e shtëpive të djegura.
Terrori mbi fshatin Zgosht nuk ndërpritet gjatë vitit 1945. Në 14 mars të këtij viti, pikërisht në Ditën e Verës, partizanët u vënë zjarrin shtëpive të Zylyf Shpatës, nipit të Isak Allës. Për këtë, Qerim Shpata, djali i Zylyfit, sot na flet për ngjarjen, që e ka mësuar nga prindërit e tij. Familja e Zylyf Shpatës, në atë kohë përbëhej nga tre kurorë. Zylyfi, kishte ikur e punonte usta, diku në malësinë e Shkodrës, me Lilajt e Zabzunit. Vëllai i tij Hyseni, ishte blegtor e qëndronte me delet në zonat fushore që i merrnin çdo vit me qera. Latifin, kushëri i parë i tyre, me të cilin ishin të pandarë, e thërret Komanda partizane, me sa dihet e Brigadës së XVIII-të, që e kishte vend-komandën te shtëpitë e Qoshit dhe e torturojnë, duke e shtrënguar të tregojë për vëllezërit Alla. Ai nuk mundi të kthehej në shtëpi me këmbët e veta. E rrahën keqas, duke e gjymtuar, saqë shkojnë ta marrin të afërmit me kalë, duke e mbajtur për krahu gjatë gjithë rrugës.
Nëna e Qerimit, e shoqja e Zylyfit Shpatës, e ka përshkruar ngjarjen rrëqethëse të marsit 1945, të cilën e ka jetuar me dhimbje të thellë. “Latifin, – ka treguar ajo, – e morën partizanët e nuk dinim se çfarë do të bënin me të. Vetë Zylufi qe larguar, ndërsa Hyseni ndodhej me bagëti në fushë. Mbasi vjen brigada partizane, fillimisht marrin rreth 100 shtjerra që i patën në shtëpi, mbasi delet ishin në mera. Siç na thanë më vonë, një pjesë të shtjerrave i therën te shtëpitë e Qoshit, ku qëndronte brigada me partizanë. Mua më kërkuan të shtroja darkën për partizanët që kishin ardhur aty. Gratë e shtëpisë e shtinë disa herë furrën me bukë. Sofra nuk ngrihej. Hanin një palë e pastaj uleshin të tjerët. U shtruam për të ngrënë gjizë, pekmez dhe oshmar me gjalpë. Mbasi hëngrën të gjithë, fillova të fshij thërrmijat në sofër, siç bëhej zakonisht mbas ngrënies.
Komandanti partizan, më thotë: – “Mos i fshij thërrmijat, se i fshijmë ne. Nxirri fëmijët jashtë, e më sill dushk e kashtë, se shtëpitë do t’i djegim”. – “Ku do të m’i lini fëmijët jashtë”? – i përgjigjet ajo. – “Kemi urdhër, shtëpia do të digjet, prandaj bëj si të them”, i flet tashmë ashpërsisht komandanti. E kështu mbasi hëngrën e pinë sa deshën u vunë zjarrin shtëpive duke na lënë jashtë”. (Ende transmetohen sot filmat e kohës së diktaturës për periudhën e luftës. S’është e vështirë për të nxjerrë konkluzione, ku me gjithë arnimet e bëra prapë se prapë në to rezulton se ballistët hanin e pinin në shtëpitë e fshatarëve, por nuk ua vinin zjarrin më pas.
E ky akt bukëshkelës ka ndodhur e është vepruar me urdhër të komandave partizane.) Pas këtij veprimi të dhunshëm e barbar, ata shkojnë në Dorëz dhe po atë natë djegin shtëpitë e Sherif Hidrit, i cili kishte një motër të martuar te Selman Alla. Mbas djegies së shtëpive, familja e Shpatës që përbëhej prej 16-17 persona, strehohet në shtëpinë e Ismail Shpatës deri në vitin 1949. Në këtë vit kthehet Zylyfi e së bashku ndërtojnë shtëpinë dykatëshe me gurë mbi gërmadhat e shtëpisë së vjetër. Në kushtet e një presioni dhe terrori të ashpër mbi fshatin Zgosht, duke e konsideruar atë si qendër të anti-komunizmit, pas çlirimit të vendit, janë rrahur e torturuar mjaft burra të fshatit që dyshoheshin se ndihmonin vëllezërit Alla, që ndodheshin në arrati, ndërkohë në Zgosht disa persona janë pushkatuar pa gjyq.
Në vitin 1945, u pushkatuan pa gjyq, Xhel Qoshi e Shefqet Qoshi. Për këtë, Haki Qoshi, sot 81 vjeçar, ka rrëfyer se Shefqet Qoshi dhe vëllai i tij Ramadan Qoshi ishin mobilizuar që të dy partizanë, me Brigadën XV-të. Shefqeti në profesion ishte ushtarak. Ai për disa kohë, kishte qenë i veshur xhandar. Në kohën që vendos të pranojë të shkojë me brigadën, Isak Alla e merr vesh dhe i thotë të mos shkojë se komunistëve nuk u zihet besë, por Shefqeti me idenë se kishte qenë një xhandar i thjeshtë e nuk qe i përzier në veprime luftarake vendos të shkojë. Bashkë me të vëllanë ata arrijnë deri në Gjirokastër. Këtu, thërritet nga komanda e Brigadës dhe akuzohet se do arratisej në Greqi. Aty, në prani të ushtarëve dhe të vëllait, Ramadanit, e pushkatojnë pa gjyq.
Në momentin e pushkatimit, kanë rrëfyer të pranishmit, ai e pret me gjoks plumbin duke u shprehur se; “komunizmin nuk e dua”. Në brigadë me ta ishin ishin edhe dy-tre fshatarë të tjerë nga Zgoshti mes të cilëve edhe Veli Alla, dëshmitar i ngjarjes. Shefqeti ishte vetëm 27 vjeç, i sapomartuar, por tirania komuniste nuk njihte kufi e arsye njerëzore. Xheladin Qoshi, ishte bari në mal me bagëtitë. Ai ishte xhaxhai i Shefqetit. Mbasi e torturojnë në mënyrën më mizore, duke e akuzuar se mbante lidhje e ndihmonte të arratisurit, e pushkatojnë pa gjyq. Varri i tij edhe sot ndodhet në Mal të Zgoshtit. Me gjithë presionin, përndjekjet dhe dhunën e ushtruar ndaj banorëve të fshatit, Zgoshti e ka mbrojtur, strehuar dhe ndihmuar grupin e të arratisurve.
Kryetar Këshilli Nacional-Çlirimtar në Zgosht, u zgjodh Mustafë Shabani. Mustafa ishte burrë i urtë i mençur dhe i besës. Gjatë luftës ai nuk qe përzier por i dëgjohej fjala. Të moshuarit në Zgosht dëshmojnë se Isaku gjatë viteve të arratisë qe takuar e këshilluar disa herë me të. Ai dinte më mirë se kushdo se ku ndodhej grupi i armatosur, por kurrë sigurimi i shtetit nuk mësoi gjë nga ai. Edhe Isak Alla, megjithëse në kushte të rënda e të rrezikshme, i besonte Mustafë Shabanit, burrit të mençur e besnik të fshatit Zgosht.
Duke qenë kryetar Këshilli në fshat në kushte tepër të vështira, ai, me durimin, besnikërinë dhe zgjuarsinë që e karakterizonte, diti të mbrojë fshatin dhe grupin e të arratisurve që ndiqeshin këmba-këmbës nga forcat e ushtrisë e të Sigurimit të Shtetit. Falë qëndrimit burrëror të Mustafë Shabanit, të Xhemal Allës etj, (që ishin në qeverisje, më pas), familjet e fshatit Zgosht, nuk u përndoqën më. Me përjashtim të familjes së Isak Allës që u internua, në Zgosht nuk pati familje të tjera të cilësuara e të deklaruara si kulakë, megjithëse të gjithë burrat e fshatit Zgosht, gjatë luftës qenë pjesëtarë të çetës balliste të tij. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm