Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Autoriteti për Informim i Dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, të cilat janë pjesë e një dosje ku bëhet fjalë mbi historinë e rrallë dhe të panjohur të Ilia Lekës me origjina nga fshati Glinë i minoritetit grek të Gjirokastrës, familja e të cilit nga viti 1945-së jetonte në internim në fshatrat e Myzeqesë dhe babai i tij, Theodhoriu, ishte arrestuar që në vitin 1951 dhe vuante dënimin në kampe dhe burgje, i akuzuar si “agjent i Zbulimit Grek”.
Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për ta rekrutuar Ilian dhe më pas për ta arrestuar atë dhe arratisja e Ilias, së bashku me të vëllanë Kriston dhe xhaxhanë e tyre në Greqi, ku pas disa letrave kërcënuese që Ilia i bënte Enver Hoxhës, Ramiz Alisë e Adil Çarçanit, ku i’u kërkonte që ta nxirrnin të atin nga burgu dhe bashkë me gruan e djalin, ta lejonin të vinte në Greqi, ata të tre bënë një grevë urie para ambasadës shqiptare në Athinë, e cila zgjati deri në vitin 1984.
Grevë e cila shkaktoi probleme të mëdha diplomatike në mes dy vendeve, pasi sensibilizoi jo vetëm parlamentin grek dhe qeverinë e Athinës, por edhe shtypin grek dhe disa parti ultra-nacionaliste e qarqet shoviniste vorio-epiriote, me në krye Mitropolitin Sevastianos, që e shfrytëzuan atë për interesat e tyre, si dhe fjalimet e Ilia Lekës në Parlamentin Europian dhe Kongresin Amerikan, për shkeljen e të drejtave të njeriut në regjimin komunist në Shqipëri, deri sa e detyruan Enver Hoxhën të dilte dhe të deklaronte publikisht: “I them me përgjegjësi popullit vëlla grek se në burgjet shqiptare janë vetëm 46 shtetas nga minoriteti grek dhe vetëm 4 prej tyre për faje politike”, si dhe Ramiz Alinë që ta lironte nga burgu Theodhori Lekën në vitin 1989, duke e lejuar të shkonte përgjithmonë në Greqi.
Telegramet “Tepër sekrete” të ambasadorit shqiptar në Athinë, Ksenofon Nushi, dërguar Ministrisë së Jashtme në Tiranë, për Enver Hoxhën, Ramiz Alinë, Adil Çarçnin dhe Hekuran Isain
DESHIFRIM TEPËR SEKRET
Nr. 315 Nga Athina
MINISTRISË SE JASHTME
Të arratisurit vazhdojnë të qëndrojnë para ambasadës. Ka gjysmë ore që kanë filluar të ripërsërisin në një megafon sharjet e zakonshme kundër pushtetit tonë, për persekutimin e 400 mijë vorio-epirotëve, etj., dhe kërkojnë që të lejohet familja e Ilia Lekës të vijë në Greqi. Banorët rreth e rrotull ambasadës kërkuan që të pushojnë dhe policia i detyroi të mos përdorin më megafonin. Nga sa shohim, natën do ta kalojnë para ambasadës. Kemi marrë masat e vigjilencës dhe puna vazhdon normalisht.
Çeno
………………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Shkrimet e shtypit grek për Ilia Lekën, Shqipërinë dhe grevën e tre minoritarëve të familjes Leka, para ambasadës shqiptare në Athinë
Shtypi grek
Gazeta “Akropolis” e datës 7 shkurt 1984, boton artikullin me titull “Grevë urie jashtë ambasadës shqiptare filluan të arratisurit vorio-epirot, sillni njerëzit tanë nga skëterra e Hoxhës. Nuk na ndihmoi qeveria”, shkruar nga Peris Halaxias. Në të thuhet:
“Jemi grekë, të arratisur nga Shqipëria. Erdhëm në atdheun tonë për të luftuar. Çfarë kërkojmë? Atë që kërkon çdo prind. Të shohim gratë dhe fëmijët tanë, që janë rob në vendin e Hoxhës. Nëse nuk na sjellin familjet tona, do të vdesim këtu jashtë ambasadës shqiptare”.
“Dy vorio-epirotë, Ilias Lekas, 34 vjeçar, së bashku me xhaxhanë e tij, Spiro Lekas, 47 vjeçar filluan dje në mëngjes në orën 9, grevën e urisë jashtë ambasadës, që gjendet në rrugën “Karakristu – 1”.
Kërkojmë të komunikojmë me njerëzit e familjeve të tyre që mbahen rob nga Hoxha dhe të mund të jetojnë në Greqi si të gjithë familjarët. Kërkesa e tyre është e drejtë dhe e respektueshme. Por nëpunësit e ambasadës shqiptare mbyllën derën dhe deklaruan se nuk kanë asnjë marrëdhënie me kërkesat e dy personave që bëjnë grevë.
Në lidhje me pyetjet e “Akropolit”, nëpunësit e ambasadës shqiptare theksuan se ata nuk kanë asnjë marrëdhënie më çfarë ndodh jashtë ndërtesës së tyre.
Fatkeqësi
Ndërkohë Ilias Lekas me xhaxhanë e tij, Spiro Lekas, ndërtuan në trotuarin e Spitalit të Marinës së Athinës një çadër, vendosën parulla të mëdha dhe fotografi të të afërmve të tyre, që torturohen në Shqipëri. Ata deklaruan:
“Në se nuk do të shohim gratë dhe fëmijët tanë, nuk ikim prej këtej. Jemi të vendosur që të vdesim…”.
34 vjeçari Ilias Lekas tregon në “Akropolis” problemin e tij.
“U arratisa me xhaxhanë tim nga burgjet e Shqipërisë me 12 prill 1982. Erdhëm në Greqi, sepse jemi grekë. Lufta jonë është e drejtë. Dua të shoh Marine, gruan time dhe djalin tim Anestin, që sapo ka mbushur 5 vjeç. Dërgoj letra, por disa “humbasin” të tjerat kthehen mbrapsht me justifikimin se këta njerëz nuk ndodhen në Shqipëri. Kohët e fundit mësova se më morën djalin dhe e mbajnë peng. Gruas i bëjnë shantazh. Duan që ajo të nënshkruajë divorcin me justifikimin se jam armik i popullit të Shqipërisë. Ndryshe e ardhmja e saj është e pasigurt. Babanë tim e akuzuan se kërkoi të hapen kufijtë dhe të funksionojnë kishat e mbyllura. E mbyllën në burgjet ç’njerëzore të Spaçit. Është shumë keq. Një luftëtar i ’40-tës, një grek që torturohet nga një tiran. Asnjeri nuk bëri gjë për të. Për zgjidhjen e problemit ndoqëm rrugën qeveritare. Përgjigje nuk morëm. Tani ose do të shohim njerëzit tanë këtu, ose do vdesim nga uria. Po bëjmë grevë dhe kërkesat tona janë të drejta”.
Vendet e torturimit
Në krah të Ilias qëndron xhaxhai i tij, Spiros Lekas, i cili ka hedhur shikimin e tij përballë ambasadës, por asnjë nuk mallëngjehet nga greva e urisë që bën. Spiros Lekas, ka gruan, Ekaterinin, 42 vjeçare dhe tre fëmijë, Vasiliqin, 20 vjeç, Thomanë 18 vjeç, dhe Vangjelin 16 vjeç. I kërkuam të na thotë diçka për jetën e tij:
“Kam kaluar tortura të tmerrshme, filloi të tregojë Spiros Leka, në skëterrën që e quan parajsa Hoxha, kalova një jetë të mbushur me poshtërime dhe përbuzje. Kujtoj atë ditë kur ndaloi një makinë e Sigurimit dhe një njeri që kishte brenda më tha:
-Në emër të popullit arrestohesh për akuza politike. Por unë nuk kisha sharë asnjë njeri. Megjithatë më arrestuan. Më lidhën duart dhe më goditën. U mbusha gjithë gjak. Mbas pak ditësh kërciti druri, u detyrova të nënshkruaj të gjitha ato që më akuzonin. Nga burgjet u arratisa. Tani jam në atdheun tim dhe do të vazhdoj luftën dhe ose do të vijnë njerëzit e mi ose do të vdes”.
Nga autoritetet e policisë u bë e ditur se grevistët do t’i lenë në atë vend që janë, por nuk do të lejohen të përdorin megafona, sepse shqetësojnë të sëmurët në Spitalin Ushtarak të Marinës në Athinë.
Pyetjet në Parlament
Greva e urisë e të arratisurve vorio – epirotë, Ilias dhe Spiros Lekas, para ambasadës shqiptare në Athinë “arriti” dje në Parlament, me pyetjet e deputetit, zotit, Aris Buluku. Kërkesa e dy grekëve të arratisur ishte të marrë informata për fatin e të afërmve të tyre, që ndodhen në kampet e përqendrimit të Shqipërisë, dhe bile t’ju jepet leja për daljen nga Shqipëria dhe vendosjen e tyre në Greqi.
Shënimi i artikullit shoqërohet me këtë diçiturë:
- Ilias Lekas, së bashku me vorio-epirotët e tjerë që po përkrahin grevën e urisë, ndërkohë që bisedon me drejtorin e policisë së zonës së dytë, zotin Vasilis Curapa.
- Vetëm fotografi mbetën nga fytyrat e tyre të dashura.
A jetojnë vallë? Dhe nëse jetojnë deri kur?
Shtypi grek
Gazeta “Rizospastis”, e datës 16 shkurt 1984, boton shkrimin me titull “Sevastiani organizon ditë e natë zi për për të “skllavëruarit”… dhe nën titullin: “Provokacion në prag të vizitës së Papandreut në Janinë”.
Në të thuhet:
“Janinë – Forcat reaksionare në fshatrat kufitare të Konicës dhe Pogonit, me në krye zotin Sevastianos, po organizojnë zi tre ditore me vigjillin ditë e natë, me të rëna të kambanave, për “skllevërit” e “Vorio-Epirit”, pak ditë para vizitës së kryeministrit grek në qytetin e Janinës, në kuadrin e festimit të 71-vjetorit të çlirimit nga turqit.
Këto veprime të palejueshme e provokuese të Dhespotit i denoncojnë më komunikatën e tyre katër komuna të rajonit, duke i bërë thirrje popullit që t’i izolojë. Ata i bëjnë thirrje gjithashtu qeverisë që të marrë masa ndaj veprimit të lirshëm të Mitropolitit të Konicës, që kthehet kundër vullnetit të vendit për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Shqipërinë. Të marrë masa për demokratizimin e jetës publike të Konicës dhe Pogonit në sektorët që ndodhen akoma nën influencën e rrethit të Dhespotit. Së fundi, të ndërmerren përpjekje të reja për t’i zhvilluar më tej marrëdhëniet kulturale e tregtare me Shqipërinë”.
Gazeta “Vradini” e datës 12 shkurt 1984, boton shkrimin me titull: “Vorio-epirotët, të pa frikësuar vazhdojnë”, me nëntitujt: “Ndërsa qeveria u përpoq me marifet që t’i largonte, që të kënaqte shqiptarët”, “Edhe Siantos kishte pranuar se shqiptarët i therin gratë”, shkruar nga Th. Dhrakiqis.
Në të thuhet:
“Në mes të ftohtit dhe duke përballur shtetin zyrtar greke, që dëshiron që t’i zhvendosë, për të mos bërë të pakënaqur Hoxhën, Ilias dhe Spiro Lekas, po vazhdojnë sot, për të njëmbëdhjetën ditë, grevën e urisë, jashtë ambasadës shqiptare.
Dje, të dy grevistët me anë të një letre të hapur drejtuar ministrit të Rendit Publik, pyesin me indinjatë “kush e qeverisë Greqinë e lirë, ambasada shqiptare apo qeveria greke”?!
Ndërkaq delegacioni i deputetëve të “Demokracia së Re”, i përbërë nga z. Vajati, Vezdrevoni, Vujukllaqi, si dhe deputeti i pavarur, Hondrokuqi, vizituan dje vorio-epirotët për t’i përkrahur në luftën që bëjnë.
Mesazhe përkrahje vijnë nga e gjithë Greqia
Njerëz që kanë nënshkruar apo anonimë, që besojnë në respektimin e të drejtave të njeriut, kanë firmosur në librin që është hapur në vendin e grevës.
Gjithashtu shumë telegrame vijnë çdo ditë në sillogjet vorio-epirote. Ndërmjet këtyre telegrameve janë ato të Lëvizjes Demokratike të Mësuesve të arsimit të mesëm të ONENED-it të Janinës, të shkollave, sillogjeve, organizatave, etj.
Mitropoliti i Konicës, Sevastianos, dërgoi dy përfaqësuesit e tij në Athinë, ndërsa shpalli zinë tre ditore dhe vigjëllimin, me rastin e mbushjes së 70-vjetorit të autonomisë së Vorio-Epirit.
Bashkimi koordinues Studentesk i Luftës Vorio-epirote, me anë të rezolutës së tij, kërkon nga qeveria greke që të gjejë zgjidhje problemi i grevistëve dhe i bën thirrje popullit të Athinës, që të, mërkurën e ardhshme me 22 shkurt. Në orën 16 e 30 mbas dite, të ndodhet në mitingun e protestës në Propiles. Ndërkohë, provokimi i shqiptarëve të ambasadës vazhdojnë, dhe për çdo ditë vëzhgojnë lëvizjet e grevistëve dhe të atyre që grumbullohen, i fotografojnë nga dritaret gjysëm të mbyllura.
Një autobus me policë ndodhet përherë i parkuar jashtë ambasadës dhe mbron ambasadorin K. Nushi dhe nëpunësit. Deri tani, shteti grek nuk ka shprehur mendim, por faktet tregojnë se është krejt në kundërshtim me qëndrimin e grevistëve që ndodhen përballë ambasadës. Partia Liberale, me anë të komunikatës së saj, e karakterizon qëndrimin e qeverisë ndaj dy grevistëve, ç’njerëzore dhe kombtarisht idhnake, ndërsa të në njëjtën kohë i denoncon popullit grek aktin e qeverisë së PASOK-ut. Me këmbënguljen e gjithë këtyre, grevistët deklarojnë “vetëm të vdekur do të na heqin që këtej. Nuk duam asgjë, veçse familjet tona. Ku është veprimi ynë i padrejtë”?
Në po ato faqe gazete, vazhdon shkrimi: “Ta nxisë Qeveria”, “Problemi i Vorio-Epirit mbetet, akoma dhe sot, i hapur nga OKB dhe pret zgjidhjen e tij në favor të Greqisë. Për rrjedhim, është nevojë kombëtare që qeveria e PASOK-ut, edhe pse me vonesë, ta nisë procedurën për lëvizjen përsëri të çështjes vorio-epirote. Heshtja që mbajnë është krim. Indiferenca jonë është krim.
Këto i theksoi në deklaratën e tij, sekretari i përgjithshëm i ESKE, zoti Al. Zografos, me rastin e grevës së urisë të të dy vorio-epirotëve të arratisur jashtë ambasadës shqiptare në Athinë. Z. Zografi u kujton disa fakte të pa përgënjeshtrueshme të drejtësisë që vërtetojnë helenizimin e Vorio-Epirit, të cilat janë:/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016