Nga Elsa Demo
– Edison Gjergo nuk kishte lindur për hero, por për artist –
Memorie.al / Intervistë me Islam Spahiun, ish-i burgosur politik, përkthyes nga disa gjuhë, mik për 30 vjet me Edison Gjergon, piktorin e famshëm që u burgos nga regjimi komunist dhe vuajti për vite me radhë në kampin e Spaçit. Viti 2009, mbante dy përvjetorët e lindjes dhe të vdekjes së piktorit, që si çdo gjë, e cila kërkon të dalë në dritë, kalon njëherë nëpër një terr të thellë. Koha që po jetojmë është një terr i thellë, kulturor dhe shpirtëror.
Z. Spahiu, kur jeni njohur me Edison Gjergon?
Në vitin 1957-’60, unë punoja skenograf në Estradën e Shtetit, e sapokrijuar. Vendin e punës, e kisha pranë Teatrit Popullor; aty ngjitur gjendej Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Kështu, duke frekuentuar atë klub, pata rastin të njoh shumë artistë e shkrimtarë të asaj kohe, në mes të cilëve edhe Edison Gjergon.
Ai, atëherë, me sa mbaj mend, punonte si piktor dhe bënte reklamat e filmave që shfaqeshin në kryeqytet. Ishte i ri dhe binte në sy për sqimë në veshje dhe seriozitet në sjellje. Erdhi rasti që të uleshim në një tavolinë, me nga një gotë alkool përpara. Se si kaluam përnjëherësh në një intimitet gazmor.
Çfarë ju lidhi?
Shumë kohë më vonë, lexova këtë aforizëm të Niçes: “Ndarja e gëzimeve, jo ndarja e vuajtjeve, bën mikun”! E pikërisht ky fenomen ngjau mes nesh. Ne, siç duket vuanim shpirtërisht njëlloj dhe për t’iu shmangur hidhërimit, kërkonim të kundërtën e tij: gëzimin. E këtë na e dha një komunikim i thellë idesh. Paskëtaj, mezi ç’prisnim rastin që të takoheshim.
Në atë kohë, unë merresha me studimin e Dantes dhe me pasion rilexoja “Komedinë Hyjnore”, në origjinal. Arrita të mësoj përmendësh ndonjë këngë, e disa vargje që më pëlqenin më shumë. Me këtë entuziazëm, ia deklamoja Edisonit, i cili kënaqej e disa herë më lutej, t’i përsërisja. Konfidenca personale, kaloi në atë familjare. Nëna ime e donte shumë, e thërriste; “biri i nënës”.
Po atë ngrohtësi gjeja edhe unë në familjen e tij. Veç kësaj, aty gjeta një nivel shoqëror, që më ngjalli admirim; një familje qytetare që e karakterizonte patriotizmi dhe intelektualizmi. I ati i Edisonit, ekonomist, kishte mbaruar studimet përkatëse në Universitetin e Bukureshtit. Asokohe ishte në pension e, jo vetëm kaq, i tërhequr nga jeta publike, sepse ishte i zhgënjyer nga jeta politike në vend.
E ëma arsimtare që gëzonte prestigj. Vëllai, Aleko, ish-inxhinier kimist, por edhe i hedhur në jetën shoqërore, nga pasioni për sportin, u bë i njohur si spiker e komentator e transmetues për ndeshjet e futbollit. Edisoni vazhdonte studimet në Institutin e Arteve.
Por në atë familje, ndjehej jo vetëm një frymë kulture e përgjithshme, por edhe e artit muzikor. E gjithë familja, duke filluar nga kreu i saj, e njihnin mirë muzikën klasike. Edisoni, pavarësisht nga teoria, ai praktikisht në këtë drejtim, qëndronte mbi nivelin e një profesionisti të zakonshëm. Mendoj se këtë avantazh, atij i jepte edhe temperamenti i tij, tejet i ndjeshëm, i cili e çonte në thellësi të pazakonta. Asnjëherë nuk ishte i cekët.
Çfarë do të thotë kjo?
Ishte i thellë, madje i pëlqente misteri. Aty ku kishte diçka gati të pakuptueshme, ai entuziazmohej. Duke mos qenë në pajtim me ambientin, ai vuante shpirtërisht dhe vetëm shpirtërisht. Duke mos duruar më, kërkonte mënyrën për të dalë që andej.
E provoi në artin e pikturës, por kjo dukej dhe dënohej. Atëherë u lëshua pas pijes; pra pinte, pinte, pinte…! E në këtë gjendje, ai i krijoi veprat e tij më të mira, ashtu si Modiliani, piktori i tij më i dashur.
Cilët ishin miqtë e tij?
Nuk pati shumë. Ndër më të afërtit ishte përkthyesi i famshëm, Robert Shvarc. Ky i fundit, veprat e përkthyera, para se t’i botonte, ia jepte Edisonit, i cili, siç thoshim me humor, i përpinte. Kishte intuitë të mprehtë. Kështu ai e pasuronte shpirtin.
Na tregoni diçka për Gjergon në studio?
Nuk ishte vetëm vend i punës, por një “rifuxhio”, siç i thosha me të qeshur. Pra, një strehë për t’u shkëputur nga një ambient armiqësor që e vëzhgonte, e hetonte, e përfliste. Në studio ai krijonte një ambient intim, ku zhvillonte idetë, ëndrrat që i hidhte pastaj në telajo.
Atje vinin miqtë, po nuk mungonin persekutorë, spiunë, vëzhgues. Megjithatë, ai nuk donte ta besonte një ultësi të tillë. Përveç pikturës, atje ndjehej muzika klasike. Kishte studiuar në Institutin e Lartë të Arteve, ku studentët nuk kishin parë me sy, asnjë vepër origjinale të artit botëror.
Ju keni përmendur se Edisoni nuk dinte ndonjë gjuhë e huaj. Atëherë, ku ishin vendosur burimet e tij?
Çuditërisht ai e njihte mirë artin modern. Duke pasur parasysh izolimin hermetik, karantinën ideologjike që karakterizonte sistemin diktatorial. Filluan të vijnë në Bibliotekën Kombëtare, revista të huaja, por vetëm shkencore, si p.sh.; “La semaine des hôpitaux”.
Një ditë hasa aty në revistën e artit, “Les jardin des arts”, por kjo nuk zgjati shumë, se e hoqën menjëherë. Mirëpo mua m’u dha një rast fatlum: një i afërt i imi, punonte në një zyrë ku vinte gjithë shtypi i huaj, e ky me destinacion udhëheqjen. Përfitova nga ky rast e tashmë për afro pesë muaj, kaloja nëpër duar revista të tilla, si; “Epoka”, “Paris Match”, “Stampa”, por ajo që pati më shumë rëndësi, sigurova revistën e artit, që përmenda më sipër.
Edisonit i kishte ardhur dhe një televizor, e më në fund, deri këtu arriti mundësia për të parë e dëgjuar, atë që ishte thuajse e pamundur. E, kështu, në këtë “klimë”, Edisoni krijoi veprat e tij të lira dhe të sforcuara. Të sforcuara ishin ato që ai duhej t’i ekspozonte. E megjithëse të tilla, tablotë e tij spikatnin për një ndjeshmëri të hollë e moderne, të ngjyrës. Kjo vihej re lehtë, për ata që e njihnin dhe e ndjenin pikturën.
Ju e keni përmendur edhe si njeriun që ju nxiti të përktheni Dostojevskin!
Ai më nxiti të përktheja “Net të bardha”, të Dostojevskit. Po ashtu edhe “Shpirtërorja në art”, të Kandinskit. Këtë të fundit, kur e botova, ia bëra kushtim kujtimit të tij.
Po ju cilat vepra pëlqeni prej tij?
“Pusi 542” dhe “Epika…”, kam qenë dëshmitar kur realizonte “Epikën…”, madje që në ngjizje të saj.
Kur duken “hijet” në horizont?
Bashkë me Isuf Kazazin, i cili pat qenë pianist në Teatrin e Operës dhe Baletit, bëheshim tre. Në kohën e lire, do të ishim bashkë thuajse gjithmonë. Por nuk do të zgjaste shumë kjo gjendje.
Gjuajtja e shtrigave kundër “armikut të klasës” në vitet shtatëdhjetë, arriti në çmenduri. Kontrollohej çdo lëvizje, çdo fjalë e kujtdo. Supersticioni i përndjekjes quhej “vigjilencë revolucionare”; ai që nuk denonconte, konsiderohej më i keq se armiku.
Po njeriu fundja ka nevojë edhe për komunikim e, si rrjedhojë, edhe për miq. Treshja jonë i ra në sy Sigurimit. Në të vërtetë, ne vumë re ca “hije”, që na ndiqnin, por nuk u vumë rëndësi. “Treshes” do t’i hiqej një: unë do të pushohesha nga puna (isha mësues në atë kohë) dhe do të internohesha në Belsh të Elbasanit. Kur u lirova, më thërritën në Degën e Brendshme dhe më pyetën për Edisonin.
Aty e pashë që atë e survejonin, siç bënin zakonisht, para se të arrestonin ndonjërin. E vura në dijeni Edisonin. Po ç’të bënim? Isufin e kishin hequr nga Opera dhe tashmë ishte punëtor i thjeshtë në një ndërmarrje (ky konsiderohej “i deklasuar”, siç thuhej për ata që u përkisnin familjeve të mëdha, ishte madje dhe nipi i Qazim Mulletit).
Si ndodhi arrestimi?
Një ditë janari të vitit 1975, ne kishim lënë takim në lulishten e rrugës së “Elbasanit”. Kur vajta në orën e caktuar gjeta Isufin, por jo Edisonin. Shkuam tek studioja e tij në rrugën e “Kavajës”. Meqë studioja ishte në katin e pestë, përtuam të ngjiteshim dhe dolëm në trotuarin e rrugës përballë dhe i thërritëm Edisonit.
Reagimi u duk veç nga kapaku i dritares që lëvizte. Ne, duke mos dyshuar për asgjë – e çuditshme kjo! – i ngjitëm shkallët e pallatit. Te porta e studios, gjeta portierin e Klubit të Shkrimtarëve, F.C, i cili bënte sikur rregullonte çelësin e derës së shkallmuar.
Ai posa më pa, shtyu derën, duke hapur skenën tronditëse. Në mes të studios, kishin bërë një grumbull në formë piramide, me kuadrot e studios, mbi të cilën rrinte ulur një person me bllok e laps në dorë. Në katër anët e mureve të studios, ishin rreshtuar agjentët e tjerë të Sigurimit, mes të cilëve dallova sekretarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Sapo hyra, ai që ishte ulur në majë të piramidës së improvizuar, më pyet me vrazhdësi:
– “Çfarë do këtu”?
– “Edison Gjergon”.
– “Pse”?
– “Desha ta takoj”.
– “Pse”? – përsëriti.
– “Thjesht, pse e kam shok”.
– “Nuk është këtu…”!
– “E shoh…, – thashë shumë i fyer. – Mirë, a mund të largohem”?
– “I lire”! – më tha si me ironi.
A mund të bënit gjumë të qetë pas kësaj?
E me të vërtetë, qeshë “i lirë” për ca kohë. Pas një përndjekjeje intensive, një vit më vonë, do të më arrestonin edhe mua, kur punoja si disenjator, në Fabrikën e Tullave në Vorë.
Kur u takuat pastaj?
Në hetuesi. Do të ma sillnin të lidhur Edisonin, për të na ballafaquar. Ne e pranuam miqësinë e ngushtë që na lidhte, por jo akuzat që kishin përgatitur ata. Edhe unë, natyrisht, do të dënohesha e, do të dërgohesha në kampin e Spaçit, aty ku ishte Edisoni, por nuk u lidhëm më bashkë. Për këtë e kam fajin vetëm unë.
Edisoni bëri çmos që të merrej vesh me mua; ai ua shfaqi dëshirën dy shokëve të kampit, të cilët qenë “të hekurt” dhe prandaj më vonë, ranë si heronj: Xhelal Koprenckës dhe Fadil Kokomanit. Edisoni rrinte më shumë me këtë të fundit.
Ata, veç tjerash, i lidhte dhe dashuria për muzikën klasike. Fadili kish mbaruar për gazetari në Bashkimin Sovjetik, por kishte një horizont të gjerë kulturor. E kështu, përmes këtyre të dyve e ndonjë tjetri, ne informoheshim për njëri-tjetrin, e, si të thuash, gjithsesi komunikonim.
Çfarë ndodhte me të në kamp?
Rrinte i mënjanuar, e shtypte keq alergjia, nga llumi i shoqërisë që përbënte atë kolektiv demoniak aty. I kishin caktuar punën e piktorit, në dhomën ushtarako-politike të komandës së kampit. E po të shihje stendat me shkrimet dhe figurat propagandistike, edhe aty ndjehej shija e hollë e një piktori, padyshim të madh.
Përse gjithë kjo mëri me Edisonin?
Unë jam duke shkruar kujtimet dhe marrëdhënia me Edisonin zë një vend të veçantë. Aty do të flas më gjatë. Tani për tani them: “Për këtë, e kam fajin vetëm unë”. As kur u liruam, aty nga viti 1982, nuk arritëm të lidheshim më. Tashmë na rëndonin vështirësitë materiale të jetesës, sepse nuk na jepnin punë.
Ai filloi bojaxhi në ndërmarrjen “Mjetet Mësimore”. E më në fund, ngjau ajo e papritur që për mua qe shokuese. Isha duke pirë me mikun tim K.F., kur më erdhi lajmi i tmerruar i vdekjes së Edisonit. E pikërisht ky çast sublime, qe goditja që më zbuloi atë që më fshihej në brendësi. Kuptova që ai paskësh qenë miku im më i shtrenjtë.
Ky qe ndëshkimi më i madh shpirtëror për mua. Nuk e di se si, veç kur e pashë veten në gjirin e familjes së tij, nënës dhe vëllait të tij, Aleko. E përcolla, i dhashë lamtumirën për herë të fundit, por plaga që mora me këtë rast, nuk më është mbyllur ende. Ajo më lëndohet, sa herë mendoj për të.
A kishte një qëndrim të shpallur Edison Gjergo, kundër regjimit?
Ai besonte se komunizmin e kishte sjell në fuqi prapambetja, anti-komunizmi i tij, kishte formë humane. Tek ne, anti-komunizmin, duket se e kanë bërë ata që u kanë marrë shtëpinë ose tokën. Edisoni nuk kishte lindur për hero, por për artist. Ai brutalitet e dogji. Ajo kohë donte heronj.
Kush ishte piktori i dënuar, Edison Gjergo?
-Sipas familjarëve të tij-
Aleko Gjergo, ishte një nga dy djemtë e Vangjel dhe Kornelia Gjergos. Ishte katër vjet më i ri se i vëllai, Edison Gjergo. Ishte farmacist në profesion. Edisoni ishte për të një njeri, që nuk e kuptoi kurrë realitetin, sepse nuk donte ta kuptonte. “Ajo që ai s’njihte fare, ishte politika. Paradoksale është se; pikërisht për politikë u dënua. U akuzua për “agjitacion e propagandë, nëpërmjet pikturës”!
Aleko kujtonte, se pati edhe një relacion të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku flitej për pikturën e Gjergos, si; një pikturë antipopullore, antikombëtare. Ishte një relacion i Dritëro Agollit dhe Kujtim Buzës. Po ashtu, ai kujton, nga të tjerë, sepse vetë nuk ka qenë aty, që Edisoni të ketë thënë në gjyq; “S’e kuptoj, ç’do me thënë realizëm socialist. Për mua piktura është pikturë.”
– “Ai gjithmonë thoshte për shumicën e piktorëve, që s’e kuptojnë pikturën”, – shton i vëllai. Çdo ekspozitë, ai e mban mend si një makth të madh. A do të pranohej apo jo puna e Edisonit?! Portretin e Zonjës Çurre (Heroinë e Popullit), ai e quante një vepër të realizmit socialist. “Pusi 542”, i vitit 1967, nuk do të pranohej.
“E mbaj mend një flakë të madhe të bukur dhe njerëzit të vegjël. E preu më katërsh. Kurse tek “Epika…”, është periudha e blues, për analogji me Pikason, që ka një periudhë blu”! Po ashtu nuk i ishte pranuar “Skënderbeu”, i vitit 1968. Por me “Epikën…”, ai pati kulmin e famës, për mirë dhe për keq.
“Epika e yjeve…”, është realizuar në një kohë kur kishte një farë liberalizimi në arte. Bashkë me Edi Hilën, Skënder Kamberin, edhe Edison Gjergon etj., dukej se kishte një brez të ri modern, në pikturë. Në këtë kuadër, u arrestua: familje borgjeze, ai vetë vazhdimisht në kontradiktë me kryesinë e Lidhjes Shkrimtarëve dhe Artistëve, bënte autokritika gjysmake”!
Alekoja nuk di asgjë me siguri, se ç’është bërë me veprat e konfiskuara të të vëllait. Ato që ai di që kanë mbetur, janë nën të drejtën autoriale të së shoqes dhe vajzës, Eda. Eda mban emrin e të atit, që ajo nuk e njohu kurrë. Lindi tre muaj pas vdekjes së Edison Gjergos.
Jeton me të ëmën, me të cilën emigroi drejt Italisë, në vitin 1991. Ka prirje të jashtëzakontë drejt shkencave ekzakte, konkretisht drejt astro-fizikës. Tre vjet më parë, shtypi italian do të fliste për një 17-vjeçare, e cila kishte shkruar si bashkautorë me Margherita Hack, librin, “Kështu flasin yjet”. Memorie.al