Nga Sami Repishti
Memorie.al / Këto kujtime që po publikojmë më poshtë në këtë shkrim, kanë për autor Prof. Sami Repishtin, i cili u arrestua në vitin 1946 në qytetin e Shkodrës nga forcat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit dhe pas 14 muajsh torturash, u dënua me 15 vjet burg politik. Pas vuajtjes së dënimit, ai u lirua nga burgu në vitin 1956 dhe mundi që të arratiset në Jugosllavinë e asaj kohe, ku përsëri u dënua me burg. Më pas ai emigroi në shtetet e Perëndimit dhe u vendos përfundimisht në SHBA-ës si azilant politik, ku jeton dhe aktualisht me familjen e tij. Kujtimet e lëna nga Prof. Repishti, janë për Cin Serreqin, i cili u arrestua në vitin 1946, (i akuzuar për pjesëmarrje në ‘Kryengritjen e Postribës’) dhe pasi u mbajt për disa kohë në hetuesi, duke u torturuar në mënyrën më çnjerëzore nga kapiten Fadil Kapisyzi etj., edhe pse nuk pranoi asnjë nga akuzat, ai u nxor në gjyq ku u dënua me vdekje me pushkatim dhe u ekzekutua në fundin e vitit 1947. Këto kujtime, vijnë pas kërkesës së bërë disa vite më parë nga e bija dhe djali i Cin Serreqi, (Dorota Serreqi Lako dhe Filip Serreqi), të cilët gjetën rastin për ta falenderuar publikisht profesorin e nderuar për gatishmërinë që ai tregoi, dhe njëkohësisht duke u bërë një apel gjithë shoqërisë shqiptare, që të mos harrojnë vuajtjet dhe persekutimin që kanë kaluar një pjesë e shqiptarëve, në mënyrë që ato të mos përsëriten më.
Para së gjithash, gëzohem që i ndjeri, viktimë e pafajshme, Cin Serreqi, paska lënë fëmijë e që jetojnë akoma, të paktën pa frikë. Të gjithë pjesëtarëve dhe trashëgimtarëve të atij dëshmori, viktimë e pafajnis në Shqipni, i dërgoj ngushëllimet e mija më të thella dhe njëkohësisht uroj çdo të mirë dhe vetëm ditë përherë e ma të mira, në jetën e tyne dhe të familjeve. Ata e meritojnë.
Për të ndjerin Cin Serreqi, kam disa kujtime që nuk shuhen. Natyrisht janë të forta dhe të dhimbshme, por na jemi të rritur tashmë, besoj edhe të pjekun, dhe kemi mjaft fuqi me përballue lajme e ngjarje që na thyejnë zemrën.
Duhet të ketë qenë rreth mesit të nandorit, kur në një korridor të Sigurimit të Shtetit (të shtëpia e Çurçisë, si e quejshnin na atëherë), prunë një ditë të ndjerin Cin. Atë e vendosën në një qoshe. Hapi krevatin dhe u mbule me një jorgan, pa thanë asnjë fjalë.
Në një vrimë të vogël nën shkallë, vuante avokat Paulin Pali, që gjëmonte gjithë kohën nga plagët e marruan dhe nga boshti i thyem i kurrizit, që e kishte këputë përgjysëm atë trup të gjatë gati dy metra. Mue më kishin vu në një raft pa kapakë, i shtrim dhe i heshtun nga dhimbjet dhe nga frika që kishte mbulue gjithë atë ndërtesë fatkeqe mortore.
Për disa orë, asnjë nuk merrte guximin me fillue bisedën. Afër orëve të darkës, na dhanë me ngrënë diçka nga ushqimi që sillte shtëpia. Por, darka ishte zakonisht koha ma e papërshtatshme me ngrënë, sepse torturat zakonisht, bëheshin zakonisht mbas darket, në orët e vona të natës.
Një roje pyeti: “Kush asht Cin Serreqi”. I ndjeri Cin, nxori kokën dhe u përgjigj: “Unë”. “Merre këtë, – tha roja – e ke nga familja”. Me gjithë tmerrin që jetonte, ai u përgjigj njerëzisht: “Faleminderit”. “Merre mor qen’ – përsëriti roja – mos më falendero mua” dhe u largue. Kur ra terri i natës – në korridor nuk kishte dritë – filluem me lëvizë.
Unë dola nga rafti dhe u afrova te vrima e Paulin Palit, e pyeta nëse dëshironte gjë (atij nuk i erdhi gjë nga shtëpia). Ai më tha se kishte shumë etje. I dhashë një kupë të vogël me kos. Ai u kënaq pa masë.
“Më vranë fare”, – më tha – po më vrasin jo me plumb por me tortura”. I tregova emrin tim, e ai kishte dëshirë me fol ma gjatë, por unë nuk kisha guxim me ndej pranë tij, nga frika e rojës që lëvizte pa ndërprerje.
-“Sa kohë ke që je këtu”, – më pyeti i ndjeri Cin. Emnin tim e mësoi nga roja.
-Afër një muaj, – ju përgjigja. “A të kanë torturue”? Shumë, – ju përgjigja, jam i dërmuem.
“Kush të ka torturue”? Pothuaj të gjithë me radhë ose si grup. Por ai që më torturon çdo ditë, është kapiten Fadil Kapisyzi. Ai buzëqeshi. “E kemi pas mik shtëpie familjen e tij”. I kam thënë: “Pse më torturon? Ne kemi qenë edhe miq shtëpie. Ti më njeh mue”. Por ai nuk donte të dinte, për asgjë dhe për asnjë njeri. “Si ndiesh”? e pyeta. Sot ma mirë. Nuk kam dhimbje”. Nga pamja e jashtme dukej mirë, megjithëse ishte e vështirë me e dallue nga mungesa e dritës.
Nuk kishte plagë në fytyrë dhe lëvizte pa vështirësi, gjë që tregonte se, nuk kishte këmbë, brinjë, ose krahë të thyem. Por ajo që më tërhoqi vëmendjen, ishte njëfarë nënshtrimi i plotë, si njeri që ka humbur vullnetin me jetue. Ma vonë e kuptova se e akuzojshin për Lëvizjen e Postribës, diçka që ai e mohonte me gjithë fuqitë e tij.
“Nuk kam ditë gjë, dhe nuk kam pasë asnjë lidhje. Nuk kam njohë asnjë nga Postriba. Nuk e di pse ma kanë vesh mue këtë…! Në shtëpinë tonë ka ardh Dom Nikoll Deda, për vizitë, si mik shtëpie dhe nuk kemi fol për politikë. Këtë vizitë, e kanë cilësua mbledhje konspirative, ku janë përpunue planet për kryengritje, dhe kjo asht akuza e vetme që meriton me më humbë jetën…”, më thoshte Cini!
Pushoi pak dhe filloi përsëri: “Unë e kuptoj se këtu po luhet një lojë e ndytë dhe e rrezikshme. Ata duan të zhdukin disa persona, që në mendimet e tyre, tregojnë rrezikshmëri, dhe unë kam frikë, se do të jem njeni nga ata…”!
Nuk shihja mirë shprehjet e fytyrës së tij, sepse ishte terr në korridor. Por mbasi tha këto fjalë, u shtri dhe mbuloi kokën. Nuk ndigjova za. Ndoshta lotonte në heshtje. Të nesërmen me daljen e dritës, e pashë ma mirë. Nuk dukej keq dhe nuk jepte përshtypjen e një njeriu që vuante nga torturat.
Meqenëse në mëngjes nuk e torturojshin, (oficerët torturojshin gjatë natës dhe flejshin gjatë ditës), ne kishim mundësi me u ndje ma të qetë, të paktën deri në mbrëmje. Atëhere kemi shkëmbye disa mendime me të ndjerin Cin dhe Paulin Palin. Paulini ankohej se, e kishin zanë tuj hikë me barkë në Itali dhe se tashti e akuzojshin se ka dashë me nxjerre sekretet e shtetit përjashta.
Ai kishte pasë materialin e gjykimit të Shoqatave të Padër Faustit dhe Kristian-Demokratëve me Padër Gjon Shllakun në krye. I kërkojshin lidhjet me ambasadat e huaja dhe ai nuk jepte, sepse nuk kishte pasë asnjë lidhje.
Kështu vazhdonte tortura. Por Paulini kishte vdekë pothuej në torturë dhe me trup të këputun në mes dhe me dhimbje të mëdha, ecte me duar e më këmbë për me shkue në tualet (kur na lejojshin).
I ndjeri Cin, ecte drejt por i heshtun, pa folë asnjë fjalë, as kur shkonte dhe as kur vinte. Në një farë kohe filluem përsëri një bisedë me shumë kujdes. Shqetësimi i tij ishte familja dhe fat i saj. Kishte frikë se mos i kanë internue – nuk e di sepse – dhe qante hallin e tyne në internim. “Më vjen shumë keq për ata”, thoshte.
“Janë ende të parritun dhe vuejn për shkakun tim…! E vetmja gjë që mund të them, asht se nuk kam ba asnjë shkelje të ligjit, dhe asnjë veprimtari kundër kësaj qeverie. Për këtë e kam ndërgjegjen të qetë…!
Nuk i kam shkaktue unë këto mjerime për vete dhe për ata…! Kjo më lehtëson disi, sepse nuk jam fajtor…! Por, natyrisht unë kam qenë tregtar dhe ndoshta kjo mjafton…”!
Shpesh herë Cini mendonte për situatën në përgjithësi dhe dëshpërohej për formën sekrete, tepër sekrete të gjendjes sonë. “Nuk besoj se ka njerëz përjashta…e tham këtu në Shqipni, se në botën e jashtme sigurisht që nuk ka…e që të jenë në dijeni për atë që ngjet këtu…!
Kam frikë se jemi viktima të panjohura për të tjerët, e, megjithëkëtë na rrezikohet jeta për asgja…! Sepse unë nuk kam ba asgjë me meritue këtë trajtim…”!
Disa herë ishte shumë i kthejllët, e sikur parashikonte se do ta vrasin.
“Gjithë ky inat kundër meje”, – thoshte – nuk shpjegohet, veçse në qoftë se e kanë vendos me më zhdukë…”!
Nuk më kujtohet se sa kohë kemi qenë bashkë, por duhet të ketë qenë disa ditë. E morën një ditë e unë nuk e pashë ma deri ditën e gjykimit, 21 nandor 1947, në sallën e gjyqit të ish-kinemasë. Ishte i lidhun me zinxhirë bashkë me Dulo Kalin. Unë isha pjesë e grupit dhe isha i lidhur me një fshatar nga Bërdica.
Kur u ulëm në bankat e të akuzuemëve, më shikoi, buzëqeshi pak dhe uli kokën. Kjo ka qenë një nga pamjet më të vështira që kam përjetue. Dukej qartë se ai i ishte nënshtrue fatit, dhe fati i tij ishte tragjik. Dukej se ishte i bindun se do ta pushkatonin, megjithatë nuk kuptonte përse…! Ndoshta kjo dilemë e mundonte shumë. Por dukej i qetë dhe i vendosun mos me i ligështue.
Gjatë pyetjeve të Prokurorit, (Namik Qemali), përgjigjej shkurt dhe nuk pranoi të ketë ba mbledhje, ose të ketë veprue kundër pushtetit. Ata e sulmojshin, ai heshte. Qetësia e tij e jashtme, (Zoti e di se si ishte ndie përbrenda), ishte me të vërtetë heroike.
Ata që nuk kanë përjetue çaste të tilla, nuk mund ta përfytyrojnë ose të kuptojnë se si është e mundun që, një individ i pafajshëm ballafaqohet me rrezikun e vdekjes që i vjen nga akuza të rrejshme…që edhe pushteti e di që janë të rrejshme.
Herën e fundit që e pashë ka qenë dita e vendimit (27 nandor 1947), kur na tërhoqën me kamiona e na çuan në qelitë e burgut, veç e veç. Aty na ndanë. Nga 22 të burgosun, 9 u dënuen me vdekje. Ata u ndanë nga ne dhe u mbyllën në qelitë e tyne, të izolueme përsëri.
Në qelinë time, i vetmuem, nuk mund të zijsha vend nga këto kujtime të llahtarshme dhe nga komedia e komunistëve me përfundim tragjik.
Tani që po shkruaj këto radhë, më kujtohen fjalën e Papa Gjon Pali i II-të, në aeroportin e Rinasit në vitin 1993, i cili tha: “Ajo që ka ndodh këtu në Shqipni, nuk ka ngja askund. Europa duhet ta dijë këtë dhe nuk duhet ta harrojë”!
Asht një e vërtetë e thjeshtë por thellësisht tragjike, një tragjedi që thellohet edhe ma shumë sot me papjekuninë dhe papërgjegjësinë e shoqnis shqiptare, për të marrë mësime nga e kalumeja, tue fillue me respektin e viktimave të murtajës komunste.
Familjarët e të ndjerit Cin Serreqi, viktimë e komunizmit, mund të ngushëllohen sot, sado pak qoftë, me kujtimin e tij si njeri i ndershëm, deri në vdekje, martir i pafajshëm dhe prind i dhimbshëm, që në momentet ma të vështira të jetës, shqetësohej ma shumë për fatin e familjarëve, se parë atë të vetes tij. Për mue ai mbetet një shembull i shkëlqyeshëm qytetarie të sinqertë dhe guximi civil./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016