Nga Bashkim Trenova
Pjesa e njëzetë e një
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
“Armiqtë e popullit”
Në stazh për komunist në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit
Në fund të një viti punë i bëra edhe unë së bashku me të tjerët analizat e gjakut. Nuk më dolën mirë. Mjeku më kërkoi që të shtrohesha për kurim në spital. U shtrova për herë të parë dhe të fundit në jetën time në spital. Në një dhomë me mua kishte edhe të shtruar të tjerë, të “ngarkuar” me krom, bakër, zink, karbon, etj. Ishin minatorë, që “përfaqësonin” të gjitha minierat dhe të gjitha llojet e rezervave minerare të vendit. Minierat ishin “zhvendosur” në mushkëritë, në gjakun dhe në trutë e tyre. Minatorët, kur parakalonin para tribunës së udhëheqjes së Partisë me rastin e 1 Majit, cilësoheshin si “krenaria e krenarisë” së klasës punëtore, si “shtylla e saj vertebrale”. Ata “çanin bllokadën”, që borgjezia ndërkombëtare dhe tradhtarët e marksizëm-leninizmit kërkonin t’i impononin Shqipërisë! Ata ishin garancia e sigurt e fitores dhe e mbrojtjes së socializmit. Sloganet nuk mungonin. Vendet në spitale, në paradhomën e vdekjes së ngadalshme, indiferente, mungonin. Kur mendon pastaj se minatorët shqiptarë, kryesisht me origjinë fshatare, e ndjenin veten të “privilegjuar” edhe pse e njihnin rrezikun, por së paku siguronin një pagë që ishte jetike për familjen e tyre, siguronin pagën e jetës së gjymtuar dhe të vdekjes së sigurt të parakohshme.
Pasi dola nga spitali mua më larguan nga reparti i bateristve dhe më kaluan në repartin e motoristëve. Nuk doja të largohesha nga bateristët. Isha mësuar dhe miqësuar me ta, të gjithë njerëz të thjeshtë, hallexhinj. Pak nga pak, ata kishin filluar të më flisnin për hallet e tyre, jo duke u ankuar, por si njerëz që kërkojnë të ndajnë diçka të tyren me një njeri, ashtu siç ndahet një kafshatë në uri, një dhimbje njerëzore. Në këto biseda, midis të tjerave, mësova mjaft edhe për jetën e Milto Mimës.
Milto, vëllai i aktorit Prokop Mima, në radhën e “armiqve të popullit”!
Milto ishte mjeshtër për gjithçka. Vetë punëtorët e thërrisnin “mjeshtër” dhe “shef” edhe pse nuk ishte shef. Ata e thërrisnin edhe “shpirt njeriu” dhe i tillë ishte Milto Mima. Me emrin e tij lidheshin një sërë novacionesh të Ofiçinës së Automjeteve të Ndërtimit. Milto, megjithëkëtë, ishte në radhët e armiqve të regjimit, jo se kjo ishte zgjedhja e tij, porse ai ishte vëllai i Prokop Mimës.
Regjimi nuk ia kishte falur Prokopit faktin që gjatë viteve të Luftës, ai kishte bërë pjesë në rininë e Ballit Kombëtar, organizatë politike nacionaliste, kundërshtare e komunizmit. Prokopi kishte edhe një “dobësi” tjetër, kishte studiuar në Perëndim. Këto ishin arsye mëse të mjaftueshme që ai të arrestohej në vitin 1945 dhe më pas të dërgohej ushtar në repartin e batalionit të punës. Në këtë repart dërgoheshin të rinjtë që konsideroheshin si kundërshtarë të regjimit, apo që vinin nga familje që konsideroheshin si të tilla.
Prokop Mima arriti të bëhet një prej aktorëve më të rëndësishëm në historinë e teatrit shqiptar, një mjeshtër i deklamimit të gjuhës shqipe. Diktatura pati “kujdes” që rolet e tij të ishin përgjithësisht të karakterit negativ dhe që kështu të vlerësohej ai më pas edhe nga publiku. Spektatori diti si ta vlerësojë këtë artist të madh. Edhe Milto luajti një rol të vogël në një pjesë teatrale të vënë në skenë nga trupa amatore e Ofiçinës së Automjeteve të Ndërtimit, por edhe atij i dhanë një rol negativ, ashtu siç bëhej edhe me të vëllanë.
Si “ushtar” i Partisë nuk mund të kundërshtoja vendimin për të kaluar tek reparti motorist. U ndava me bateristët dhe fillova punë tek motoristët. Nga avujt e plumbit dhe të acidit që mbulonin hapësirën e repartit të bateristëve, nuk kurseheshin as punëtorët e reparteve të tjera të ofiçinës, sidomos ata të repartit elektrik, që ishte fare pranë, por edhe ata të motoristëve. Asnjë masë mbrojtëse nuk ishte menduar si e nevojshme, asnjë aspirator apo ventilator i thjeshtë. Pushteti i vetëquajtur i klasës punëtore, jo vetëm që s’e bënte fort qejfin qeder, por “kujdesej” që punëtorët të qëndronin sa më larg problemeve të tilla, t’i izolonte në një injorancë totale. Asnjëherë, në asnjë organ shtypi, në radio apo në televizion, në asnjë revistë shkencore, nuk janë botuar gjatë diktaturës shifra, qofshin edhe të manipuluara, që të dëshmojnë mbi aksidentet në punë dhe vdekjen nga këto aksidente apo nga kushtet e papërshtatshme në punë. Në kongreset e Partisë dhe në fjalimet e diktatorit, ky problem është i paqenë edhe pse thuhej në pambarim që “Njeriu është kapitali më i çmuar!”
Në repartin e bateristve të ftohtin e thellë të dimrit e “largonim” duke u afruar herë pas here pranë kazanit ku shkrihej plumbi dhe duke shtrirë duart tona mbi të. Tek motoristët i ftohtit depërtonte thellë në çdo qelizë të trupit. Një sobë e improvizuar nga një fuçi benzine, qëndronte në mes të repartit për t’u ndezur vetëm një herë në mëngjes për disa minuta dhe një herë tjetër në pushimin e drekës. Punëtorët edhe pse nuk arrinin kurrë të ngroheshin, gjenin arsye të gëzoheshin si të marrë me sobën e tyre, që i kishin vënë detyrën e vështirë për të ngrohur një “fushë futbolli”. Të tilla ishin dimensionet e repartit të motoristëve dhe anekseve të tij. Në të futeshin për t’u djegur dërrasa të vjetra të karrocerive të kamionëve. Zjarri ndizej pasi ishte hedhur brenda një sasi benzine dhe leckash të lagura me benzinë. Djegia e benzinës krijonte një presion gazrash, që shpërthente fuqishëm duke hedhur përpjetë sobën. Ky ishte momenti i pritur. Të gjithë shpërthenin në të qeshura të marra. Pas kësaj fillonte puna. Era frynte nga çdo anë. Dritaret, që zëvendësonin hapësirën e një muri të repartit, ishin më tepër pa xhama se me xhama, dikund me kartonë e dikund me kompensatë.
Mua, sidoqoftë, më ndihmoi fati. Një punëtor, që punonte në një sektor çmontimi pranë repartit të motoristëve, kishte improvizuar njëlloj mangalli nga një diferencial kamioni. Eshref quhej. Për mbiemrin nuk jam i sigurt. Më duket se e kishte Demneri. Ishte nga një familje e vjetër tiranase dhe ruante dialektin e origjinës. Ai ishte gjithnjë i vrenjtur dhe i vrazhdë. Herë pas here, Eshrefi mbushte plot “mangallin” e tij me prush dhe e sillte në vendin ku punoja unë. Më vonë mësova se Eshrefi ishte nga të deklasuarit. Kështu cilësoheshin me gjuhën e kohës ata që kishin patur një origjinë tregtare apo të themi borgjeze. Dëshironte apo jo, ai ishte kështu pjesë e kontingjentit të “armikut” të klasës. Eshrefi u soll me mua si një mik i mirë edhe pse nuk u bëmë kurrë miq. Ai ishte krenar. Ai e dinte vendin e tij si edhe përse kisha shkuar unë në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit. Logjikisht unë bëja pjesë në anën e atyre, që e kishin deklaruar atë dhe familjen e tij si të deklasuar, gjë që i nënkuptonte ata si armiq.
Gjatë tre viteve, sa qëndrova në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit, mësova se midis punëtorëve kishte jo pak të tillë si Milto Mima apo si Eshrefi. Tek motoristët edhe një tjetër, Eshref quhej edhe ai, ishte me njollë në biografi. I tillë ishte edhe Veliu. Të dy këta ishin specialistë dhe punëtorë të aftë. Shefi i repartit mbështetej gjithnjë në “gatishmërinë” e tyre kur shtronte në mbledhje të kolektivit probleme të mprehta, që hasnin në kundërshti, si p.sh., ai i ngritjes së vazhdueshme të normës në punë. Nëse do të duhej ndjekur logjika e kohës, ata duhet të ishin të parët që duhet të kundërshtonin apo të sabotonin një rritje të normës e të prodhimit. Sipas kësaj logjike, jo armiqtë e klasës, por vetë klasa punëtore, e bashkuar si grusht çeliku rreth Partisë, duhej që me një entuziazëm, gjithnjë të paparë, të ishte në pararojë. Ajo duhet të ishte mbështetje e sigurt e Partisë, pra edhe e rritjes së prodhimit dhe e normave në punë. Realiteti nuk ishte kështu. Armiqtë duhet të tregonin “zellin” e tyre në punë, ndryshe diktatura e proletariatit dinte si t’i lante llogaritë me ta. Klasa punëtore e lodhur, e sfilitur nga varfëria dhe uria nuk kishte forca të ndiqte “entuziazmin” e rremë socialist, t’i gëzohej një realiteti fiktiv, që s’pushonte së kërkuari prej saj sakrifica dhe vetëm sakrifica, kursim kudo dhe në gjithçka, përjashto vështirësitë dhe privimet e pafund.
Tek motoristët, përveç dy Eshrefëve dhe Veliut, ishte edhe një tjetër, një djalë i ri me pak flokë të rëna, biond i ndrojtur, që bënte pjesë tek të deklasuarit. Emri i tij nuk më kujtohet. Mbiemri ishte Llagami. Vinte ndonjëherë pranë tornos ku punoja unë për të më treguar poezitë, që kishte shkruajtur e që nuk do t’i botoheshin kurrë gjatë diktaturës. Në propagandën e saj Partia e Punës mbështeste me të madhe talentet e dala nga klasa punëtore, por sipas saj, jo të gjithë punëtorët ishin pjesë e klasës punëtore. Punëtorë ishin bërë edhe pasardhësit e borgjezisë, por ata gjithnjë i takonin klasës borgjeze edhe pse kjo klasë praktikisht ishte e paqenë në socializëm! Rreth njëzet e pesë vjet më pas, kur u përmbys komunizmi, punëtori “borgjez” Llagami erdhi dhe më takoi në redaksinë e gazetë “Rilindja Demokratike”. Dukej i gëzuar, por nuk bëri asnjë deklaratë entuziaste, nuk shprehu asnjë urrejtje, ishte si gjithnjë i rezervuar, i ndrojtur edhe në buzëqeshjen e tij.
“Armiq” e të deklasuar kishte në të gjitha repartet. Në repartin e tapicerisë ishte Tixhja. Një vëlla i saj kishte vite që ishte arratisur jashtë shtetit dhe nuk ishte bërë i gjallë që nga ajo kohë. Ndoshta ishte vrarë në tentativë për të kaluar kufirin shtetëror. Tek reparti elektrik ishte Çim Karapici. Në një repart tjetër ishte Xhafa. As Tixhja, as Çimi dhe as Xhafa, nuk kishin bërë diçka që të meritonin të klasifikoheshin si armiq. Për Xhafën më kishin thënë se i vëllai i tij, ishte apo kishte qenë i burgosur në burgun e Spaçit dhe kishte marrë pjesë në një revoltë të përgjithshme që u bë aty dhe që u shtyp me egërsi nga diktatura. Në repartin mekanik ishin të tillë Hakiu dhe vëllai i tij, Bashkim Shala. Vonë, ndërsa punonim për të ndërtuar një pallat me punë vullnetare, pashë aty edhe një të moshuar, dukej rreth të shtatëdhjetave. I veshur me çizme llastiku ai përziente me këmbë rërën dhe gëlqeren, herë pas here i hidhte ujë përzierjes. Të tjerët e thërrisnin “Bacë”. Mora vesh se Baca ishte, në mos gaboj, xhaxhai i Hakiut dhe Bashkimit. Ai porsa kishte dalë nga burgu ku kishte vuajtur dënimin si nacionalist, si anëtar ndoshta apo si simpatizant i Ballit Kombëtar. Pas burgut, Baca ishte martuar dhe kishte edhe një vogëlush. Ai kishte ende energji për të jetuar dhe për të mos i hedhur tej vitet që i kishin mbetur. Punonte aty me shpresë se do t’i jepnin një apartament të vogël edhe familjes së tij të vonë. Mundet që Baca ishte edhe “fajtori” përse Hakiu dhe Bashkimi ishin “të prekur”!
Në listën e “të prekurve” të Ofiçinës së Automjeteve të Ndërtimit bënte pjesë edhe një inxhinier mekanik, Tonin, më duket se quhej. Ai kishte një lidhje fisnore, ndoshta ishte nip i një kleriku katolik, patër Anton Harapit. Ky i fundit në kohën e pushtimit gjerman të Shqipërisë, në shtator të vitit 1943, ishte emëruar anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës. Mbas luftës ai tentoi të organizojë në malësitë e Veriut një vatër rezistence kundër pushtetit komunist. Në qershor të vitit 1945. u arrestua. Me vendim të datës 16 shkurt 1946, dënohet si “kriminel lufte” nga një Gjykatë Speciale dhe ekzekutohet si “armik i popullit dhe sabotator i pushtetit”. Tonini dhe askush nuk i’a diti as varrin patër Anton Harapit, por atij i kërkohej të paguante për të. Më kujtohet në një mbledhje të organizatës së Partisë të Ofiçinës së Automjeteve të Ndërtimit, dikush kërkoi që Tonini të largohej nga puna, sepse ai ishte nipi i Anton Harapit. Kjo kërkesë bëhej pas afro 30 vitesh që Anton Harapi ishte ekzekutuar dhe nuk dihej ku i ishin tretur kockat. Tonini, ndoshta, as kishte lindur kur ishte dënuar dhe ekzekutuar patër Anton Harapi.
Mund të vazhdoja më tej listën e atyre me “njollë në biografi” në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit, por as i njoha të gjithë dhe as kam për qëllim të jap statistika të plota. Pastaj, në një far mënyre, në atë që është e zakonshme, në jetën e përditshme, në veshjen, ushqimin, vështirësitë, shqetësimet, sforcimet edhe nuk pashë ndonjë ndryshim midis atyre dhe të tjerëve. Varfëria kishte të njëjtën fytyrë tek të gjithë. Të gjithë vinin në punë duke mbështjellë me një copë gazete, dy copë të mëdha buke si dy copë tullash. Brenda tyre të gjithë shtinin ose dy-tri speca të skuqur ose pak djathë dhe një apo dy domate, ose një vezë omlet apo të zier. Të gjithë vinin në punë të veshur me një palë pantallona disavjeçare apo me një fustan a fund të dalë boje, me çorape të arnuara e këpucë të grisura, që nuk u rezistonin ujit të shiut.
Të gjithë ktheheshin pas punës së lodhshme dhe të keq shpërblyer në apartamentet e tyre pa hapësirë, pa estetikë, pa ngrohje dhe krejtësisht të ngjashëm. Ata me “njollë në biografi” ishin të sigurt se “njolla” nuk do t’u hiqej as pas vdekjes dhe do t’u trashëgohej fëmijëve e të afërmve të tyre brez pas brezi. Ata nuk ishin të sigurt se deri ku do të shkonte goditja ndaj tyre dhe kur do të jepej goditja e radhës, kë do të godiste ajo sot dhe kë nesër. Të tjerët e dinin edhe ata se krejt pa pritur dhe pavarësisht nga ata vetë, një ditë mund të bëheshin me “njollë në biografi”. Për këtë mjaftonte edhe një fjalë, një anekdotë, një pakënaqësi apo qoftë edhe një pyetje si, p.sh.: “edhe sa kohë do të mungojnë në treg preshtë”?! Në fund të fundit të gjithë gjendeshin të ekspozuar përballë të njëjtës trysni, të sigurt në pasigurinë e tyre ekonomike, politike dhe sociale. Në këtë të përgjithshme nuk bënin përjashtim as komunistët e Ofiçinës.
Me Kadri Roshin dhe Sulejman Dibrën në stazhin e partisë te OAN-ja!
Në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit unë fillova stazhin për kandidat i Partisë së Punës në të njëjtën kohë me Pjerin Vatën, që ishte një koleg i im i punës në Radio Tirana. Pak më vonë erdhën për të bërë të njëjtin stazh edhe Pranvera Nushi, një grua e mirë, korrekte me profesion dentiste si edhe Sulejman Dibra dhe Kadri Roshi, të dy aktorë të njohur të teatrit dhe të kinematografisë shqiptare.
Kadri Roshi, përsa i takon stazhit, edhe ishte edhe nuk ishte njëlloj si ne të tjerët. Ndryshe nga ne, që nuk kishim qenë kurrë më parë komunistë dhe prisnim të bëheshim komunistë, Kadri Roshi kishte qenë komunist. Nëse ne nga kandidatë partie do të bëheshim anëtarë partie, Kadriu ishte kthyer nga anëtar partie në kandidat partie, për t’u bërë sërish anëtar partie. Nëse për ne stazhi ishte një provë, për Kadri Roshin ishte së pari një masë ndëshkimore partie dhe pastaj një provë për ta shlyer këtë masë.
Kadri Roshi ishte një kolos i teatrit dhe i kinematografisë shqiptare. Ai, e filloi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qenë një ndër krijuesit e tij. Në Teatër ai nisi si sufler për t’u bërë mbret absolut i skenës. Ai numëron rreth 180 role në skenë dhe në kinematografi. Lavdia nuk i mungoi, po kështu edhe varfëria. Kadriu u nderua me tituj të shumtë të lartë si “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit” dhe, siç ka thënë vetë: “Më thonë ‘Nderi i Kombit’, por në xhep s’kam një kacidhe, jetoj me një pension që s’më del për ujin dhe dritat…”!
Në një gjendje të ngjashme e takova Kadri Roshin në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit. E sollën aty për ta dënuar, për ta poshtëruar, për t’a injoruar dhe ndoshta edhe për ta harruar. As në organizatën e Partisë së Ofiçinës së Automjeteve të Ndërtimit dhe askund nuk dëgjova të thuhej hapur se përse ishte sjellë si kandidat partie Kadri Roshi, pra pse ishte marrë masë partie ndaj tij! Thuhej se ai kishte patur një debat të acaruar me një zyrtar të lartë partie. U përhapën ndërkohë lloj-lloj opinionesh të pafavorshme lidhur me karakterin dhe moralin e tij. Pavarësisht prej tyre, në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit, Kadriu u prit nga punëtorët dhe të tjerët me të gjithë respektin dhe dashurinë që meritonte si artist i madh.
Kadriu u caktua të punojë në repartin elektrik, që ishte përballë bateristve, ku ai vinte herë pas here për të takuar Milto Mimën dhe për të ngrohur paksa duart në kazanin e shkrirjes së plumbit. Gjatë kohës që qëndroi në Ofiçinë ai u pagua si një punëtor fillestar, si një nxënës në zanat, pra si në ditët e para të punës të një punëtori 16 vjeçar, si një anonim. Rroga nuk i dilte as për shtëpinë dhe as për vete. Punëtorët e shihnin se me se ushqehej artisti dhe ndanin me të varfërinë e tyre, domatet dhe specat. Në varfëri të gjithë ishim të barabartë, por nëse për vete ata e pranonin varfërinë si një anormalitet “normal”, nuk mund të pranonin që edhe artisti i madh, i admiruar prej tyre, të ishte i barabartë me ta. Osman Gashi, magazinieri i Ofiçinës, pas ca kohësh filloi të vinte në punë me dy paketa të mbështjella me gazetë. Në njërën prej tyre ishte dreka e përgatitur për Kadri Roshin.
Peripecitë e Kadri Roshit në OAN-it, për ta përjashtuar fare nga partia?
Edhe në këtë varfëri të përhershme dhe të përgjithshme mundoheshim të gjenim ndonjë orë të këndshme, të zbaviteshim disi. Zakonisht, në fundin e pesëmbëdhjetëditëshit, kur merrnim edhe rrogën, qëndronim në një birrari të vogël diku aty pranë Spitalit Civil. Kadriu ishte i ftuari i të gjithëve dhe kënaqësia, humori i tryezës. Me të “konkurronte” vetëm Rustem Habibi, një punëtor mjaft simpatik, burim i pashtershëm gazi me çdo lëvizje dhe batutë të tij. Vetë Kadriu thoshte se Rustemi e kishte të natyrshëm humorin, ndërsa për vete, thoshte se ai e kërkonte, e luante atë për të na dhënë neve kënaqësi, për të krijuar një ambient sa më të këndshëm. Dhe, ç’humor të natyrshëm mund të kishte Kadri Roshi i dëbuar nga “mbretëria” e tij, skena e teatrit, për të lidhur dhe zgjidhur fijet e kuqe e blu të mekanizmit elektrik të kamionëve?! Ç’humor të natyrshëm mund të kishte ai kur nuk do të mund të paguante një gotë birrë për veten e tij apo për t’u ofruar miqve një gotë?
Ata që e sollën Kadriun në Ofiçinë e ndoqën nga pas edhe këtu. Me sa më kujtohet, janë bërë dy mbledhje të organizatës së Partisë të Ofiçinës, ku është kërkuar që atij t’i ndërpritej periudha e stazhit dhe të përjashtohej nga Partia si i padenjë për të qenë në radhët e saj. Në një rast më kujtohet se Kadriu kishte shkuar për peshk në fundjavë dhe atje ishte harruar pas peshkut, pra një ditë nuk u kthye në punë. Kaq mjaftoi që ai të kalonte në “skaner” në Komitetin e Partisë së Rajonit, për t’i kujtuar se biografia e tij kishte rrezik të nxihej nga një “njollë” e pashlyeshme. Kjo “histori” u mbyll sepse Partia u tregua “zemërgjerë” dhe Kadriut i’u dha edhe një herë mundësia që të “ndreqej”, të kthehej në rrugë të mbarë! Diçka e ngjashme u përsërit edhe në një rast tjetër. Partia i zgjati edhe një herë dorën e saj të “ngrohtë” Kadriut. Ai i shpëtoi përjashtimit nga radhët e saj, gjë që do të ishte katastrofale për të, karrierën e tij si artist dhe për familjen e tij , pa përmendur se vetë teatri shqiptar do të humbiste një kolos të pazëvendësueshëm.
Artisti i madh Kadri Roshi nuk u përjashtua nga Partia. Ai vazhdoi stazhin e kandidatit gjatë një viti e gjysmë për t’u ribërë anëtar i Partisë së Punës. Gjatë kësaj kohe ai, me trupën amatore të teatrit të Ofiçinës, vuri në skenë dy pjesë teatrale, “Fisheku në pajë”, i Fadil Krajës dhe “Komisari Memo”, i Dritero Agollit. Në një farë mënyre ai qëlloi me fat që e sollën në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit, ku drejtori Agim Hysa dhe sekretari i Partisë, Sazan Qalliu ishin dashamirës të teatrit dhe të artit në përgjithësi. Ishin ata që i dhanë mundësi dhe i krijuan kushtet Kadri Roshit të vinte në skenë këto dy pjesë dhe, natyrshëm, të ngjitej sërish vetë në skenë.
Në jetën time “Fisheku në pajë dhe “Komisari Memo”, përbëjnë dy ngjarje të paharruara dhe të papërsëritshme. Kadri Roshi, ndërsa vinte pranë kazanit të plumbit tek bateristët për të larguar për disa minuta të ftohtit nga trupi i tij delikat, më kishte “pikasur” si të përshtatshëm për të më “angazhuar” në trupën që do të luante “Fisheku në pajë”. Ai më besoi rolin kryesor, atë të Gjelosh Nikës, një malësor me të gjitha virtytet dhe zakonet e tij të mira apo të kaluara nga koha. “Fisheku në pajë”, konkurroi në Festivalin e Teatrove Amatore të kryeqytetit dhe fitoi flamurin e Festivalit ose, thënë ndryshe, vendin e parë. Juria e Festivalit mua më nderoi me “Medaljen e artë”, ndërsa një apo dy të tjerë nga trupa e jonë, i nderoi me medalje të argjendta.
Gëzimi i të gjithëve, i punëtorëve “artistë”: Agim Tabaku, Vaide Krasniqi, Engjëllushe Amataj, Dylbere Mejdani, Mihal Risto, i Cenit, që me fuqinë e një buldozeri dhe saktësinë e një kompjuteri, zhvendoste dhe ngrinte “muret” e skenës, ishte i papërshkrueshëm. Duartrokitjet, entuziazmi i sallës dhe i yni, u shoqëruan, megjithëkëtë edhe nga një keqardhje e thellë. Ne ishim porositur që të mos qëndronim gjatë në skenë në fund për të përshëndetur publikun, na ishte thënë që perdja e skenës do të mbyllej menjëherë. Këto masa paraprake ishin marrë që të mos i lihej kohë Kadri Roshit si regjisor i pjesës të dilte në skenë, që të mos duartrokitej edhe ai sepse një “i dënuar” nuk duhej të duartrokitej, sepse duartrokitjet mund të interpretoheshin si një mos aprovim i asaj që kishte vendosur Partia për Kadri Roshin! Kadriu e gëlltiti në heshtje këtë “surprizë”, siç e kam parë të gëlltisë, jo një herë, edhe lotët e tij.
Jo shumë aktorë profesionistë kanë patur nderin dhe fatin të kenë partner të drejtpërdrejt në skenë Kadri Roshin. Unë “aktori” amator, në pjesën e dytë dhe të fundit ku kam luajtur, e kam patur këtë rast. Pas “Fisheku në pajë”, në Festivalin e ardhshëm të teatrove amatore të kryeqytetit, trupa amatore e Ofiçinës së Automjeteve të Ndërtimit, u paraqit me “Komisari Memo” të Dritero Agollit. Dy ishin rolet kryesore, ai i komandant Rrapos dhe i komisarit Memo. Kadriu luajti në rolin e komandant Rrapos dhe unë në atë të komisarit Memo. Si tek “Fisheku në pajë”, por sidomos këtu tek “Komisari Memo”, më ka lënë një mbresë të thellë disiplina e hekurt artistike e Kadri Roshit. Në prova, njëlloj si në skenë para spektatorit, ai nuk ishte më Kadriu kryeneç, rebel, por personazhi në shpirtin dhe në trupin e Kadriut. I vetmi shqetësim i tij ishte që në skenë asnjëherë komandanti, d.m.th. ai në rolin komandantit, të mos gjendej në një pozicion që do ta tregonte atë më lart se komisari, sepse komisari ishte Partia. Ai kishte kujdes në mënyrën se si do t’i drejtohej komisarit edhe kur mendonte ndryshe, kujdes për të treguar se, në fund të fundit, duhej të dëgjonte gjithnjë komisarin, d.m.th Partinë, urtësinë dhe drejtësinë e saj! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016