Dashnor Kaloçi
Pjesa e dyzetë e një
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë për në Turqi dhe, si rezultat u emërua mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu e lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al.
Dokumenti sekret i Drejtorisë së I-rë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i miratuar nga zv/drejtori Sulejman Abazi, me planin e masave agjenturore-operative, për ndjekjen, survejimin dhe goditjen ndaj Selmim Kelmendit, Myrteza Bajraktarit, Estref Kelmendit, Agim Gjakovës, Namik Lucit, Ndue Dodës, Hil Kamanit, Llambi Kacorrit, Rustem Gjatës, Pirro Priftit, Sejfulla Tetës, Aishe Shimës, Kristina Palit, etj., që akuzoheshin për “veprimtari armiqësore në shërbim të Zbulimit Jugosllav”!
Sekret
Ekzemplar Nr. 2
Tiranë më 12.12.1983
Miratohet
Zv/Drejtori i Drejtorisë së I-rë
Sulejman Abazi
Plan masash agjenturore operative për përpunimet që inkludohen në problemin “Gorrilla”.
Në datën 10.12.1983, u analizuan së bashku me Hetuesinë e Përgjithshme, përpunimet që inkludohen në problemin e centralizuar “Gorrilla” dhe rezulton që detyrat e ngritura në përgjithësi janë realizuar. Janë siguruar materiale me vlerë operative si nga agjentura që përpunon në dhomat e izolimit objektet Selim Kelmendi, Pirro Prifti, etj., ashtu dhe nga agjentura që është për objektet e tjera në gjendje të lirë.
Nisur nga tërësia e materialeve ekzistuese, u konkludua që të propozohen për goditje objektet: Shefqet Kelmendi, Estref Kelmendi, dhe Namik Luci, përkatësisht me banim në Lezhë, Shkodër, dhe Krujë. Me qëllim për të zbuluar në thellësi e për të konkretizuar veprimtarinë armiqësore në shërbim të Zbulimit Jugosllav, e të personave që përfshihen në problemin e sipër përmendur, do të kryhen detyrat si vijojnë:
- Për ndjekjen e këtij problemi do të krijohet grupi operativ i përbërë nga shokët:
- Naim Reçi
- Sokrat Paskali
- Shefqet Matrangasi
- Et’hem Baka
Kuadrot e përmendur më sipër, do të ndjekin deri në përfundimin e procesit, detyrat që rrjedhin në dinamikën e përditshme duke informuar Degën e I-rë çdo tre ditë. Të grumbullohen provat për objektet, Shefqet Kelmendi me banim në Lezhë, Estref Kelmendi me banim në Shkodër, dhe Namik Luci me banim në Krujë (Laç) e deri në datën 15.12.1983, të bëhen propozimet për arrestimin e tyre.
Në kuadër të kësaj detyre, të bëhen relacione të hollësishme për secilin nga këto objekte, duke i zhveshur nga termat agjenturore operative.
E kryejnë: K. Ibaj, Gj. Gjoni, e N. Kondakciu.
Dega e Shkodrës të nxjerri informacionin e T.O. të bërë nga B.p. “Furtuna”, të objektit Estref Kelmendi, e këto të dërgohen në Ministri së bashku me provat e materialet e tjera për arrestim.
E kryen Gj. Gjoni, deri në datën 15.12.1983
Të bëhen planet e operacionit për arrestimin e Shefqet Kelmendit, Estref Kelmendit, e Namik Lucit. Në këtë kuadër të kryhen:
- Instalimi i T.O. në banesat e objekteve të mësipërm pas arrestimit.
- Të sigurohen 3 B.p. të përshtatshëm, të aftë për të përpunuar objektet në dhomat e izolimit.
- Të ndërtohen legjenda e vija sjelljeje për këto B.p. në dhomat e izolimit.
E kryejnë: K. Ibaj, Gj. Gjoni, e N. Kondakçiu, në vazhdim.
Të fiksohen në T.O. bisedat e B.p. “Shkëlzeni” me Selim Kelmendin në dhomën e izolimit. Gjithashtu të organizohet në hetuesi, incizimi i deponimeve të të pandehurve Selim Kelmendi, Pirro Prifti, Sejfulla Teta, etj.
E kryejnë: N. Reçi, A. Papa, në vazhdim.
Të merret filmi nga Dega e II-të, kuadrot e të cilit të paraqesin takimet e Selim Kelmendit me Kristina Palin.
E kryen N. Reçi, deri në 15.12.1983
Të studiohen mundësitë e sjelljes me kombinacion të B.p. “Furtuna”, me objektin Estref Kelmendi, dhe kontaktet e tij me Myrteza Bajraktarin, Ahmet Sadikun, e Rustem Osmanin.
E kryen Gj. Gjoni, deri në 25.12.1983
Të koordinohet me Degën e V-të për të sqaruar problemin e letrës që i dërgon Enver Hadëri, Qazim Radoniqit me banim në Elbasan. Për këtë, të bisedohet me Kryetarin e D.P.B. të Elbasanit, për ta sqaruar më tej.
E kryen: N. Reçi e S. Paskali, deri në 30.12.1983
Të nxirren dy të dhënat për Namik Lucin e Selim Kelmendin të cilat, bëjnë fjalë për aktet diversioniste ndaj përfaqësive tona jashtë shtetit dhe të bëhet një informacion për Drejtorinë e III-të.
E kryen, N. Reçi, deri në 15.12.1983
Të studiohet mundësia e dërgimit në Kosovë të Elbasanit, të objektit Kristina Pali dhe të organizohet dëgjimi i bisedave të saj me të ëmën Marie Palin, e cila vuan dënimin në atë kamp.
E kryen H. Gjondeda, deri në 30.2.1984
Të studiohen mundësitë e kontaktimit dhe përgjimit me T.O. të objekteve Hil Kamani e Llambi Kacorri, me banim në Laç të Krujës të cilët, janë lidhje e objektit Selim Kelmendi dhe që implikohen në veprimtari të përbashkët nga ky i fundit.
E kryen H. Gjondeda, deri në 30.3.1984
Të organizohet përgjimi i bisedave me T.O. midis objektit Ndue Doda dhe B.p. “Termometri”. Për këtë B.p., t’i përgatitet një vijë sjelljeje me detyra konkrete.
E kryen H. Gjondeda, deri në 15.2.1984
E dhëna e B.p., “Flamurtari” për Namik Lucin, të lidhet me të dhëna të tjera me B.p. “Furtuna”, të cilat bëjnë fjalë për mjekët dhe të përgatitet një informacion për Drejtorinë. Kjo pasi të dërgohet e dhëna nga Kruja për Namik Lucin.
E kryen N. Reçi, deri në 30.12.1983
Të studiohen mundësitë e rrethanat që nëpërmjet B.p. “Shkëlzeni”, objektit Selim Kelmendi, t’i servirim ndërlidhjen me letra me lidhjet nga jashtë, mes të arrestuarve. Kjo të bëhet nëpërmjet vijë sjelljeve të agjenturës.
E kryen N. Reçi, në vazhdim.
Të koordinohen me D.B.P. të Fierit, për dërgimin e ish B.p. “Paketa” në Tiranë, me qëllim që të kontaktojë me objektin Myrteza Bajraktari. Për këtë do të përgatiten detyra të veçanta nga D.B.P. e Tiranës.
E kryen A. Hasko, deri në Shkurt 1984
Të studiohen dosjet e Shefqet Kelmendit, Estref Kelmendit, e Namik Lucit, ku të nxirren personat që implikohen të cilët’ t’ju dërgohen rretheve përkatëse, me qëllim për të organizuar masat agjenturore operative në drejtim tyre, duke parandaluar çdo veprimit të mundshëm armiqësor.
E kryen: Gj. Gjoni, H. Gjondeda, e Ll. Zogu deri në 30.12.1983
Të nxirren të gjithë të huajt që dalin nga materialet që kanë takuar objektet e mësipërme dhe të kontrollohen në Kartotekë. Për ata që kanë materiale, të studiohen dhe të përgatiten informacione për qëndrimin në lidhje me vendin tonë. Këto informacione t’i kalohen hetuesisë. Gjithashtu të nxirren fotografitë e tyre të zmadhuara, që të përdoren gjatë hetimit.
E kryen N. Reçi, deri në Shkurt 1984
Me Drejtorinë e III-të, të sqarohet se ç’përfaqësojnë Enver Hadëri, Kurtesh Kelmendi, Apostol Tanefi, lidhje të objekteve Namik Luci, Estref Kelmendi, Selim Kelmendi, e Qazim Radoniqi.
E kryen N. Reçi, deri në Janar 1984.
Të studiohen materialet që disponohen për kastën ushtarake si: Muhamet Prodani, Skënder Backa, etj.
E kryen N. Reçi, deri në Shkurt 1984
Të studiohen materialet që disponohen për Zoi Themelin e të nxirret se çfarë ka për Namik Lucin.
E kryen N. Reçi deri në Mars 1984
Të studiohet dosja e Qamil Muhaxherit, ndjekur si kuadër i Zbulimit Jugosllav dhe të bisedohet me Degën e II-të, se çfarë materialesh të tjera ka për të.
E kryen N. Reçi, deri në Mars 1984
Të studiohet fashikulli i Skënder Riskës dhe të nxirret se çfarë ka për Namik Lucin.
E kryen S. Paskali, deri në Mars 1984
Të fiksohen me T.O., deponimet e të pandehurve Pirro Prifti e Sejfulla Teta, lidhur me hedhjen e bombës.
E kryen N. Selimi, në vazhdim
Të studiohen materialet e Meleq Qafleshit e Idriz Zeqirit me qëllim, për të parë nëse ka materiale që përfshijnë problemin “Gorrilla”.
E kryen S. Paskali, deri në Mars të 1984
Do të drejtohen B.p. “Furtuna”, tek Hysni Shala e Hasan Kaduku, lidhje të Estref Kelmendit, “Flamurtari”, “Termometri”, dhe “Bredhi”, të Krujës, tek Namik Luca, Ndue Doda, Hil Kamani, e Llambi Kacorri, B.p., “Flamurtari” e “Galeci” të Tiranës, tek objektet Agim Gjakova e Myrteza Bajraktari, B.p. “Loliumi” e “Dalta”, tek Neki Dervishi.
E kryejnë rrethet sipas përkatësisë në vazhdim
Të merret në përpunim Aishe Shima banuese në Tiranë, që është lidhje e vizitorit Rexhep Ay, që ka ardhur nga Turqia në vitin 1983.
E kryen N. Gjinopulli, deri në 30.12.1983
Të merren në survejim objektet kryesore të këtij problemi si: Myrteza Bajraktari, Agim Gjakova, Llambi Kacorri, Hil Kamani, Ndue Doda, Hysni Shala, Hasan Kaduku, e Rustem Gjata, për të fiksuar lëvizjet e kontaktet e tyre. Gjithashtu do të merren masat të forta kontrolli me agjenturë ndaj të sipërmve, me qëllim për të evituar çdo akt të mundshëm armiqësor që mund të ndërmerret nga ana e tyre.
E kryejnë: N. Gjinopulli, Gj. Gjoni, H. Gjondeda, dhe Ll. Zogu deri në 30.12.1983
Analiza e zbatimit të këtyre detyrave do të bëhet në muajin Prill të 1984.
Oficeri i Drejtimit Kryetari i Degës së I-rë
Naim Reçi Hodo Hodaj
Të realizohen dhe këto detyra:
- Të tre të arrestuarit, të vendosen së bashku me B.p. në dhomat e izolimit të pajisura me T.O.
- Nga materialet e dosjes së Ndue Dodës, dalin të dhëna interesante që bëjnë fjalë për aktivitetin armiqësor të një organizate që ka ekzistuar dikur në Mirditë, pjesëtarë të së cilës kanë qenë dhe Ndue Doda e Selim Kelmendi. Ky problem është ndjekur me dosjen agjenturore “Banaku”, nëpërmjet B.p. “Safeti” dhe “Cukali”. Të nxirren këto të dhëna me kujdes dhe të bëhet një relacion i hollësishëm ku kopjet e të cilit, t’i vendosim në dosjet e përpunimit dhe t’ja kalojmë hetuesisë. Një letër e gjetur në dosjen e Ndue Dodës, duhet të jetë shkrimi i Selim Kelmendit. Ajo t’i nënshtrohet ekspertizës dhe ti kërkohen shpjegime B.p., “Safeti”./Memorie.al
Hodo Hodaj d.v.
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016