• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Monday, May 19, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime

“Të nesërmen e lirimit tim nga burgu shkova në Tiranë, por druhesha të shkoja në shtëpinë e motrës, pasi i shoqi, ishte zv/ministër i Industrisë e Minierave dhe…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik nga Vlora

“Aspirant Refati, i ra me dru në kokë të burgosunin që shkoi tek telat, ta vrisnin rojet, e shtriu për tokë dhe me një gur të madh që mezi e ngriti, i ra në…”/ Ngjarja tronditëse në kampin e Rinasit në ’56-ën
“Mësuesi i letërsisë, Kiçua, më tha të lexoja me zë një tregim të Aleks Çaçit, ku pronari, Qazimi, që ishte babai im, kishte përzënë nga puna, për një shishe vaji…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik nga Vlora
“Pasi vuri nga një buqetë me lule te prindërit, Roberti shkoi te varri i mikut të tij, por shtangu dhe nga pas dëgjoi zërin e rojtarit; kam 35 vjet në këtë punë, por…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
“Përballë shtëpisë sonë në ‘Rrugën e Kavajës’ u dëgjuam dy krisma revolveri dhe pamë të shtrihej i gjakosur trupi pa jetë i djalit 20-vjeçar, kurse atentatorët…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik nga Vlora
“Të nesërmen e lirimit tim nga burgu shkova në Tiranë, por druhesha të shkoja në shtëpinë e motrës, pasi i shoqi, ishte zv/ministër i Industrisë e Minierave dhe…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik nga Vlora

Nga Reshat Kripa 

Pjesa e dymbëdhjetë

Memorie.al / “Nganjëherë, kur fëmijës i bien në kokë sprova të rënda që në moshën më të njomë në skutat e fshehta të shpirtit të tij, lind një farë peshoreje, një peshore e llahtarshme, me të cilën ai peshon punët e kësaj bote. Duke e ndier veten të pafajshëm, ai iu nënshtrua fatit pa bërë zë. Nuk u qa aspak. Ai që s’ka përse të qortohet, nuk qorton të tjerët”!

  (Viktor Hygo, “Njeriu që qesh“)

Gjithashtu mund të lexoni

“Ferit M., e kishte kthy shtëpinë në zyrë hetuesie, ku në nji orë të caktueme, do të ishin të detyruara t’i vinin disa prej vajzave të gjimnazit të Shkodrës, që duke u dridhë…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Te ‘Burgu i Ri’, do mësojsha dinamikën e vrasjes së Bardhosh Danit, Brahim Dërgutit e Mark Cacës, të cilët duke dasht me u arratis, ishin tradhëtue e spiunue prej…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

                                                              RINI E COPËTUAR          

                                                      Kushtuar familjes dhe shoqërisë,

                                                                 Autori

                                                     Vijon nga numri i kaluar

RIKTHIMI NË FAMILJE 

11 dhjetor 1955. Orët e fundit të qëndrimit në kamp. Prisja të dëgjoja të thërrisnin emrin tim. Hodha dhe një herë vështrimin nga kapanonet, ku kisha jetuar për kaq kohë, kuzhina, infermieria, dyqani. Më tutje ishte miniera. Tashti do t’i lija të gjitha. Polici thirri emrin tim. Mora dengun e plaçkave në krah dhe u drejtova për në zyrat e komandës. Aty do të bëhej kontrolli i plaçkave dhe imi. Më kishin kontrolluar kur më futën në burg. Po më kontrollonin edhe tani që po dilja. Rregullorja e brendshme, kështu e përmbante.

Oficeri i rojës po mbushte fletën e lirimit. Si e mbaroi, më vështroi në fytyrë dhe tha:

– “Këtë do ta dorëzosh në zyrën e pasaportizimit, pranë Degës së Punëve të Brendshme, Vlorë, brenda një jave”.

– “Hej dreq! – mendova – Përsëri më duhet të shkoj në atë derë”?!

Kisha kujtime shumë të hidhura nga ai vend. Nuk doja t’i dëgjoja as emrin.

– “Një porosi ke nga unë, – vazhdoi oficeri. – Vuri drynin gojës, se përndryshe do të kthehesh përsëri këtu”.

Ai kishte të drejtë. E ndieja se vërtet po lirohesha, por gjithmonë do kisha pas krahëve, dikë që priste të më shkiste diku këmba. Kjo më bëri të mendoja, se isha liruar me kusht.

Mora dengun me rroba dhe dola në rrugën automobilistike, pranë portës së hyrjes në kamp. Po afrohej mesdita. Një grup familjarësh prisnin të takonin të afërmit e tyre. Më në fund isha i lirë. Kisha një dëshirë të madhe të thërrisja me zë të lartë:

– “Jam i lirë! Jam i lirë”!

Nuk guxova. Nuk e dija, në isha me të vërtetë i lirë. Aty pranë ishte kampi i rrethuar me tela me gjemba. Brenda tij jetonte dhimbja. Një burrë që porsa kishte mbaruar takimin, afrohet dhe më pyet:

– “Ku do të shkoni”?

– “Në Vlorë”.

– “Paskeni rrugë shumë të gjatë. Nuk besoj të arrini sonte. Brenda është një ‘Gaz’ që pruri ushqime dhe do të kthehet në Tiranë. Atje do të shkoj dhe unë. Ejani të pushojmë në shtëpinë time dhe nesër ju përcjell për në Vlorë.

Zemërgjerësia e tij, më preku tepër. Kishte të drejtë. Nuk mund të mbërrija dot në Vlorë atë mbrëmje. Vendosa të shkoj në Tiranë, te Drita.

– “Faleminderit, por kam motrën në Tiranë”.

– “Ashtu?! Shumë mirë. Në ç’lagje banon motra”?

– “Në Pazarin e Ri”.

– “Unë banoj në ‘Rrugën e Pishës’. Jemi afër me njeri-tjetrin”.

Nuk vonoi shumë dhe makina erdhi. Hipëm në karrocerinë e saj. Binte një shi i lehtë, që sa vinte shtohej. Kur mbërritëm në Burrel, ishte kthyer në një rrebesh. Por ne e ndjenim veten të sigurt, brenda karrocerisë së mbuluar. Së bashku me ne, ishte edhe një nuse e re, me një djalë jo më të madh se tetë vjeç. Ishte nga Rrësheni. Kishte qenë në takim me të shoqin. Ndërsa bashkudhëtari i Tiranës, kishte takuar të vëllanë. I njihja që të dy. Ishin njerëz të mirë. Burri i mirditores, kishte edhe një vit për të bërë, kurse tiranasi, pesë vjet. Megjithatë, nuk u hapa shumë. Burgu më kishte bërë që të tregohesha i matur. Ishte periudha e ndodhive, nga më të çuditshme.

Në Tiranë mbërritëm rreth orës tetë të darkës. Makina ndaloi pranë stacionit të trenit. Zbritëm dhe shkuam të paguajmë. Burri që ishte me mua, diçka i tha shoferit.

– “Sa kushton”? – pyeta.

– “Për ty asnjë lek. Zoti ta bëftë mbarë”!

– Falemnderit!

U largova me përshtypjen se në këtë botë, paskan mbetur njerëz të mirë.

– “Hajde të nisemi tani”! – tha burri dhe zuri dengun nga njëra anë.

Ai më shoqëroi deri te porta e Dritës. Atje u ndamë. E falënderova dhe hyra brenda. Nga shkallët po zbriste doktor Kërçiku, me të shoqen.

– “Mirëmbrëma”! – fola unë.

– “Mirëmbrëma! – u përgjigjën. – Ku shkoni”?

– “Te motra, Drita”.

Një shkëndijë shpërtheu në mendjen e doktorit. Më pa me vëmendje. Pastaj hodhi vështrimin nga dengu i rrobave dhe kuptoi gjithçka.

– “Mos je Reshati”?

– “Po”.

– “Urime, urime”! – thirri gjithë gëzim, duke më shtrënguar duart.

U kthye prapa dhe duke rendur sipër thirri:

– “Drita, sihariq, sihariq! Dil të shohësh kush ka ardhur”?!

Motra doli e habitur nga thirrja e doktorit. Më pa dhe qëndroi disa minuta pa folur. Nuk më njohu. Kishim pesë vjet, pa u parë. Më kishte lënë fëmijë dhe tashti kthehesha djalë i rritur. Vitet e burgut, kishin bërë që të tregoja më i madh. Por kur pa kostumin që më kishte dërguar, lëshoi një britmë dhe u drejtua duke thërritur:

– “Shpirti i motrës! Vëllai i vogël i motrës”!

U përqafuam me një mall të paparë. U trondita së tepërmi. Pas kaq vitesh, po përqafoja i lirë një pjesëtar të familjes. Ndieja ngrohtësinë familjare.

– “Tani shkoni brenda dhe urime dhe një herë tjetër”! – tha doktori dhe u largua.

Në dhomë u takova me Hysenin dhe dy vajzat, Oshkën gati tetë vjeçe dhe Orën, tre vjeç e gjysmë. Pas pak shkuam në kuzhinë. Drita shtroi tryezën. Kishte gatuar fasule me mish derri. Pastaj nxori një pjatancë, me mollë e portokalle. Kisha pesë vjet, pa shijuar asnjë frut. Nuk e di, por ajo darkë, m’u duk më e shijshmja, që kam provuar ndonjëherë. Pas darke, Hyseni mori vajzat dhe shkoi në dhomën e gjumit. Donte të na linte vetëm, motër e vëlla të bisedonim.

Qëndruam deri vonë. Unë i tregoja jetën time në burg, ndërsa ajo për familjen.

Fatushja ishte në Vlorë, me babanë dhe nënën. E kishin transferuar përsëri në qytet. Agimi me Besnikun, të dy në Rinas, i pari i lirë, ndërsa i dyti i burgosur. Liria ishte transferuar në Ulëz, ndërsa Qamileja, vazhdonte në Tiranë.

– “Nesër në mëngjes, do të shkojmë te Qamileja”, – tha Drita

– “Nuk do ishte më mirë, ta lajmëroje të vinte këtu”? – i thashë unë.

Druhesha të shkoja në shtëpinë e saj. I shoqi, ishte zëvendës ministër, i Industrisë dhe Minierave. Kisha frikë mos prania ime atje, i shkaktonte ndonjë dëm. Atëhere as që e mendoja se vetëm pas disa muajsh, si rezultat i Konferencës së Tiranës, do ta shkarkonin dhe internonin në Selenicë dhe Vlorë, ku më vonë do të vinte edhe motra.

Qamileja erdhi të nesërmen, së bashku me dy fëmijët, Anitën që kishte moshën e Oshkës dhe Rezartin, pak më shumë se katër vjeç. Anita shkoi të luante me Oshkën, ndërsa Rezarti, m’u  ngjit mua, sikur të ishim njohur me kohë. Ndejtëm atë ditë së bashku. Në pasdite, bëmë edhe dy vizita, te hallë Fitneti dhe teze Zyhraja. Në mbrëmje, shkuam të bisedojmë në telefon me Fatushen. Lajmëruam me telegram Lirinë dhe Besnikun, ndërsa Agimit, i dërguam lajmin me një shokun e tij.

                                                                               * * *

Të nesërmen mora trenin për në Rrogozhinë. Drita donte të më mbante, por nuk mundja. Përveç mallit për vendlindjen dhe familjen, duhej të isha atje, brenda shtatë ditësh, për t’u paraqitur në Degën e Brendshme. Kisha zënë vend pranë dritares. Vështroja qytetet dhe më vinte çudi. I kisha parë kur kalonim nga një kamp në tjetrin. Por atëhere, i shikoja me syrin e një të burgosuri, ndërsa tani, me syrin e një qytetari të zakonshëm. Për çudi, më dukeshin krejt ndryshe.

Në Rrogozhinë, mora autobusin që shkonte në Vlorë. Kur kaluam Qafën e Bestrovës, para meje u shpalos pamja e qytetit tim. Një melankoli më pushtoi. Nostalgjia, më brente shpirtin.

– “Ja dhe qyteti im! – mendoja. – Atje më presin prindërit, Fatushja, ndoshta edhe Neri”.

Pa dashur, mendja më shkoi te ajo. A më kishte pritur?! Po përse të më priste?! Ajo nuk më kishte premtuar gjë. Ishte një enigmë, që do të zgjidhesh së shpejti. Autobuzi mbërriti në stacion. Ishte po ai, ku kishim ngjitur traktin e fundit, traktin fatal. M’u kujtua Dhimitri, ai që na denoncoi. Ç’të ishte bërë vallë?! Më vonë mësova se ndodhej në Moskë, për studimet e larta në degën e Akademisë së Aviacionit. Kishte marrë shpërblimin, për shërbimin e kryer.

Në stacion më priste babai. Më përqafoi, më puthi në ballë dhe më tha:

– “Mirëserdhe në familje, or bir”!

U nisëm. Nuk kishim bërë veçse pak hapa, kur drejt nesh po vinte duke vrapuar Fatushja. Lotët kishin mbuluar fytyrën e saj. Edhe unë u preka tepër. Sytë m’u përlotën. Zemra më kishte lëshuar.

– “Lërini lotët për në shtëpi”, –  tha im atë.

Ai ishte një burrë i fortë. Kishte përballuar shumë situata të vështira. Ishte gati gjashtëdhjetetre vjeç. Megjithatë, dinte ta kontrollonte veten. Në shtëpi, na priste me padurim nëna. Përsëri përqafime, përsëri lot. Takova edhe gjyshen, xhaxhallarët me gratë e tyre, fëmijët e xhaxhait.

Atëhere banonim në shtëpinë e Thoma Shytit, në lagjen “Varosh”, përballë godinës së ish-Degës së Punëve të Brendshme, që tashmë ishte kthyer në Poliambulancë. Dega ishte vendosur në një godinë të re, në hyrje të qytetit. Shtëpinë tonë, e kishin kthyer në zyra administrate dhe më pas kishin strehuar familje të tjera.

Në atë shtëpi kishim dy dhoma. Njëra ishte më e madhe me dimensione 4 X 3 metra. Ajo shërbente si dhomë gjumi, për babanë, nënën dhe mua, njëkohësisht edhe si dhomë pritje dhe ndenjje. Dhoma tjetër, ishte e vogël, 3 X 2 metra. Ajo ishte dhoma e Fatushes. Në dy dhomat e tjera, banonte xhaxhai.

FATUSHJA 

Po hyja në një botë tjetër. Burgu më kishte transformuar. Nga një fëmijë i qeshur dhe gaztor, isha kthyer në një djalë serioz dhe fjalë pakët. Më dukej vetja, si i huaj, në qytetin tim. Më dukej sikur nuk njihja njeri! Ditët e para nuk dilja nga shtëpia. Ku të shkoja?! Shumica e shokëve të shkollës, ishin në universitet. Nuk e dija, se ç’qëndrim do të mbanin. Do të afroheshin me mua, apo do të qëndronin larg?! E ndieja veten shumë të ndrojtur. Burgu më kishte transformuar, më kishte bërë një njeri të mbyllur në veten e tij. Jorgua ishte ushtar, ndërsa Myrtezai, ishte vendosur familjarisht në Peshkopi. I vetmi njeri i afërm, më dukej Neri, por nuk e dija ç’qëndrim do të mbanim karshi njeri-tjetrit.

Babai me nënën më qëndronin pranë. Mundoheshin të më bënin të harroja periudhën e burgut. Bisedat i zhvillonin me shumë takt. Asnjëherë nuk më kishin hedhur në sy, atë që kisha bërë. Unë e kuptoja përse e bënin një gjë të tillë. Por më pranë nga të gjithë, më qëndronte Fatushja, motra ime

Ajo luajti rolin kryesor, në përshtatjen time me jetën e re. Më shpinte në kinema dhe teatër, të vetmet vende dëfrimi që ekzistonin në atë kohë. Më takonte me shokët dhe shoqet e saj, pa u ndrojtur. Motra bënte pjesë, në elitën e inteligjencës së qytetit. Ishte në atë pjesë të saj, që nën zë mbi quhej; “borgjezia e re shqiptare“. Ishin shumë arsimtarë, mjekë, inxhinierë, ekonomistë, por vetëm një pjesë prej tyre, bënin pjesë në inteligjencën e vërtetë. Me pak fjalë, ajo i përkiste asaj pjese të shoqërisë shqiptare, që ruante fisnikërinë e klasës prej nga rridhte dhe traditat e saj më të mira.

Ndieja një kënaqësi të madhe, kur bisedoja me të.

Nuk kisha më shumë se dy javë, që isha liruar. Fatushja më tha:

– “Sonte do të vemi në mbrëmjen e vallëzimit që organizojnë mësuesit e shkollës tonë”.

Mbrëmja kaloi më së miri. U prezantova me kolegët e motrës. Midis tyre dua të përmend Odisenë nga Palasa dhe Lumen nga Elbasani. Ishin një çift i mrekullueshëm. Një përshtypje të veçantë, më bëri edhe çifti Shezai Borshi me të shoqen, dy arsimtarë të vjetër të shkollës. Kishin një mënyrë të veçantë kërcimi, një mënyrë klasike. Kishte lezet t’i shikoje. Kur kërcenin ata, të tjerët uleshin dhe i linin solo.

Unë rrija i ndrojtur. Më dukej vetja si i huaj në atë ambient. Atëhere motra, më merrte për të kërcyer. Këtë gjë bënin edhe shoqet e saj të ngushta. Vija re se kishte edhe disa që më shikonin shtrembër. Bile hidhnin edhe ndonjë romuz. Por motra, bënte sikur nuk dëgjonte. Të tilla mbrëmje, organizoheshin shpesh në shkollën e saj.

Një mbrëmje kishte prerë bileta, për në teatër. Kishte ardhur teatri i Durrësit me pjesën “Familja e peshkatarit”. Shkuam. Admiroja interpretimin e shkëlqyer të aktorëve, por ndjeja një zhgënjim me tekstin e dramës. Tek unë influenconte akoma, mentaliteti i burgut. Atje çdo gjë shikohej me dy ngjyra, bardhë e zi. Nuk mund të pajtohesha me paraqitjen e realitetit historik që pasqyroheshin në atë pjesë.

Një gjë e tillë më diziluziononte. Ndaj në mbarim të çdo akti, kur salla oshtinte nga duartrokitjet, unë qëndroja në heshtje.

– “Duartrokit se po bie në sy”, – më tha motra me ngadalë.

Instinktivisht fillova të duartrokasë, pa e ditur edhe vetë përse. Kur mbërritëm në shtëpi ajo më tha:

– “Përse nuk duartrokisje”?

– “Nuk më bënte zemra. Në burg, historinë ma kanë mësuar ndryshe…”!

– “Unë të kuptoj, ndoshta ti ke të drejtë për të gjitha ato që mendon. Por duhet të përshtatesh me ambientin real, duke ruajtur karakterin tënd. Duhet ta shohësh realitetin, ashtu si është në të vërtetë dhe të mos lësh shkak, për t’u përsëritur tragjedia e kaluar”.

Ajo luajti rolin kryesor në ringjalljen time. Këtu qëndron madhështia e karakterit të saj. Kjo gjë i dedikohet vetëm asaj. Kështu, pak nga pak, fillova të ambientohesha me botën që më rrethonte. E njoha atë ashtu si ishte në të vërtetë, plot me intriga, servilizma, formalizma, despotizma dhe arrogancë. Por në të njëjtën kohë edhe me fisnikëri, mirësjellje dhe dinjitet.

Trashëgimia familjare, eksperienca pozitive që më kishin mësuar ata burra të shquar në burg dhe rruga e drejtë në të cilën më futi ime motër, formuan karakterin tim. Zgjodha rrugën e ndershmërisë, rrugën e dashurisë për njerëzit. Por, në të njëjtën kohë, nuk harroja rrugën nga kisha ardhur, për të bërë dallimin midis të keqes dhe të mirës, midis moralit dhe dekadencës shpirtërore.

Fatushja zuri një vend të veçantë në jetën time. Është influenca e atyre ditëve të vështira që kaluam së bashku në ato vite, që ndikuan në formimin e kësaj bindjeje. Në ndërgjegjen time vendin e saj, nuk mund ta zërë askush. Ajo ishte simboli i vetëmohimit dhe sakrificës për familjen, por në mënyrë të veçantë për ne dy vëllezërit, që fati na kishte degdisur në humnerë. Ajo nuk na u nda për asnjë çast, që nga Vlora në Bulqizë dhe që nga Maliqi, në Rinas, deri sa u kthyem përsëri në gjirin e familjes, deri sa u kthyem përsëri në jetë. Më prapa, ajo u bë mësuesja e jonë, për të mos na lejuar të hidhnim  ndonjë hap të pamatur, që mund të na kushtonte shtrenjtë.

Kishin kaluar vetëm pak ditë nga lirimi im, kur erdhën nga Ulëza Aliu me Lirinë dhe Agimi nga Rinasi. U çmallëm me njeri-tjetrin. Na mungonte vetëm Besniku. Aliu me Agimin, qëndruan vetëm dy ditë. Duhej të shkonin në punë. Liria qëndroi dy javë. Me vete kishte edhe djalin e vogël, Ilirin, që nuk kishte mbushur akoma vitin.

Nga shokët e burgut, vinte vetëm Klitua, me të motrën e tij, Lushen. Ishin mbrëmje të këndshme. Rrinim deri vonë duke biseduar. Klitua ishte njeri me horizont të gjerë. Bisedonim për letërsinë dhe artet, për shkencat dhe teknikën. Në këto biseda, binte në sy edhe niveli i lartë i sime motre.

Klitua më fliste edhe për Nerin. I dinte ndjenjat e mia ndaj saj. E kishim biseduar shpesh herë këtë çështje, kur ishim në burg…! Kishin banuar disa kohë, pranë njeri-tjetrit.

– “Kur i fola për ty, ajo u hodh përpjetë nga gëzimi” – më tregonte ai. – Donte të mësonte çdo gjë, që kishte lidhje me ty.

Heshti dhe nuk foli më. As unë nuk e ngacmova më tej. Nuk guxoja, nga frika se mos dëgjoja ndonjë lajm, që do të më trondiste. Doja ta lija fantazinë time, të lundronte në ëndrrën e saj. Memorie.al

                                                         Vijon numrin e ardhshëm 

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari Historik 09 Shkurt 2024

Next Post

“Papa Llambro Ballamaçin, e masakruan me bajonetat e armëve dhe po atë ditë, andartët vranë edhe vëllanë e tij, Sotirin, si dhe V. Tallabakun e V. Balojanën...”/ Masakra greke e vitit 1914, në Korçë

Artikuj të ngjashëm

“Premtimi i rrejshëm i Sigurimit: Ruzhdi Rroji dhe dënimi i pashmangshëm i tij…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosuri politik, për tradhtinë e Qamil Gavoçit e Lilo Zenelit dhe ndërhyrjen e Abaz Bekteshit!
Kujtime

“Ferit M., e kishte kthy shtëpinë në zyrë hetuesie, ku në nji orë të caktueme, do të ishin të detyruara t’i vinin disa prej vajzave të gjimnazit të Shkodrës, që duke u dridhë…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Te ‘Burgu i Ri’, do mësojsha dinamikën e vrasjes së Bardhosh Danit, Brahim Dërgutit e Mark Cacës, të cilët duke dasht me u arratis, ishin tradhëtue e spiunue prej…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Pas 34 vitesh, kur u hap varri i At Serafinit, nga infermierja Marie, një besimtare katolike, që kishte varrosur vetë, u gjet…”/ Historia e trishtë e fratit që vdiq nën torturat e Sigurimit, në 1947-ën
Kujtime

“I ligu Sirri Çarçani që ishte dërgu me mision nga Tirana pas prishjes me Jugosllavinë, hyni në qelinë time dhe më tha; e shikon atë qoshe, aty do të varim ty, sepse…”! / Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Aq shumë më kishte torturue hetuesi, Ali Xhunga, saqë s’lëvizja dot dhe më mbanin policët për krahësh e, kur ai më futi tytën e revoles në gojë, që unë të hapja sytë, luta zotin…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Aq shumë më kishte torturue hetuesi, Ali Xhunga, saqë s’lëvizja dot dhe më mbanin policët për krahësh e, kur ai më futi tytën e revoles në gojë, që unë të hapja sytë, luta zotin…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Kur dola në korridor me shku në W.C. dhe polici nuk e kishte mendjen, i djegur nga etja, futa kokën në kovë, por tetar Qaniu, pasi bërtiti; lëshoje, lëshoje, më qëlloi…”/ Dëshmitë e Ahmet Bushatit

May 19, 2025
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Ali Xhunga, i përkiste atij lloji të pështirë hetuesish, si dikur Zhozef Fushe i Francës, që kishte kuptue në kohën e duhun, se për të ba karriere, duhej…”! / Dëshmia e ish-të burgosurit politik, Ahmet Bushati

May 19, 2025
Next Post
“Papa Llambro Ballamaçin, e masakruan me bajonetat e armëve dhe po atë ditë, andartët vranë edhe vëllanë e tij, Sotirin, si dhe V. Tallabakun e V. Balojanën…”/ Masakra greke e vitit 1914, në Korçë

“Papa Llambro Ballamaçin, e masakruan me bajonetat e armëve dhe po atë ditë, andartët vranë edhe vëllanë e tij, Sotirin, si dhe V. Tallabakun e V. Balojanën...”/ Masakra greke e vitit 1914, në Korçë

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!