Nga Reshat Kripa
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
-“Njerëzit që kurrë nuk e kanë njohur diktaturën dhe tiraninë, e kanë të lehtë të jepen pas retorikës për lirinë, duke harruar fare realitetin e thjeshtë e të tmerrshëm, të shtypjes së njëmendtë atje ku ekziston përnjëmend”.-
Giovani Sartori: “Edhe njëherë për teorinë e demokracisë”.
Memorie.al/ Robert Krasta, e kishte bërë zakon që në çdo përvjetor të prindërve, të shkonte në varreza dhe të vendoste një tufë me lule, mbi varrin e tyre. Vështronte fotografinë e stamposur në porcelan dhe fillonte bisedën me ta. Këtë zakon, kishte kohë që e kishte bërë. Biseda sikur i qetësonte shpirtin. U tregonte për gjithçka kishte ndodhur në familje. Ndonjëherë, kur gjente vështirësi në ndonjë gjë, u kërkonte ndihmë atyre dhe i dukej sikur ata i përgjigjeshin. Ndoshta kjo, mund të ishte ndonjë hamendje e tij, megjithatë ai e besonte.
A mund të ketë dhimbje më të madhe për një babë dhe bashkëshort? Si ka mundësi që Zoti të lejojë të kryhen krime të tilla? Ja që bota paska edhe engjëj edhe djaj. Dhe djajtë kanë pushtuar shqiptarët. Ata i kanë dëbuar engjëjt, madje edhe vetë Zotin dhe Ai i ka braktisur njerëzit që e mohuan.
– Bir, ktheu në tokë! – foli nënë Gjyla kur pa shprehjen e fytyrës të së birit.
– Në cilën tokë, nënë?
– Në tokën tënde.
– Ku është ajo, ku? Unë nuk e shoh.
– Këtu ku jetojmë edhe unë e ti. Edhe këtu ka njerëz.
– Njerëz përbindësha që kërkojnë të hanë njeri tjetrin.
– Jo bir. Njerëz të mirë ka kudo. Do t’i takosh dhe do t’i njohësh.
Agroni vështroi të ëmën dhe pasi u mendua pak e pyeti me një gjysëm zëri:
– Po unë? A e di si jam unë?
– Edhe ti je bir nëne.
– A e di se ç’kam në ndërgjegjen time?
– Thuama.
– Jetën e mikut tim më të mirë. Unë e vrava.
– Ti nuk ke vrarë njeri.
– E harrove Stefanin? Unë e vrava. Desha të shpëtoja Lumton dhe Ridën. Por nuk munda.
– Eja bir, eja në krahët e nënës tënde. Nesër do të lindë një ditë tjetër…!
U hodh në krahët e s’ëmës dhe e përqafoi si një fëmijë, duke pëshpëritur nëpër dhëmbë:
– Do të lindë vallë?
Të nesërmen shkoi në varreza. U gjunjëzua dhe derdhi lot para varrit të tyre. Puthi fotografitë në porcelan. Foli me to. Vendosi dy tufa të bukura me lule, që ia kishte dhënë Syrjau në çastin që ishte nisur. Syrjai donte ta shoqëronte, por ai nuk e kishte lejuar. Donte të ishte i vetëm në dhimbjen e tij.
Kishte ndenjur dhjetë vjet pothuajse i vetmuar në burg. Me vetminë e tij kishte mundur të përballonte gjendjen e vështirë të atyre viteve. Me vetminë e tij donte të përballonte edhe dhimbjen e tanishme. Vetmia i dukej sikur e qetësonte. Ajo ishte bërë simboli i jetës së tij.
Dhimbja e asaj nate ishte shumë e madhe, pothuajse e papërballueshme. Sikur ata dy kriminelët të ishin gjallë, nuk e dinte se ç’mund të kishte bërë. Por ata i kishte ndëshkuar Zoti, të paktën kështu pëshpëritej dhe ai nuk dinte ku ta shfrynte dufin që kishte nga brenda. Donte të zbrazej, por nuk dinte se ku.
Zëri i tij dilte nga thellësia e shpirtit dhe nuk kishte se si ato të mos e dëgjonin. U gjunjëzua pranë tyre dhe filloi ligjëratën, një ligjëratë që do të kishte ngjallur edhe të vdekurit.
– Lumto, Rida, erdha. Do të vijë edhe kur të kalojnë vite. Do të bisedojmë bashkë. Do të jemi bashkë. A më dëgjoni? Dua të më gjykoni edhe ju. Mbi ndërgjegjen time rëndon vdekja e mikut tim më të mirë. Por isha i detyruar. E bëra për t’ju shpëtuar juve nga duart e atyre sadistëve. Por s’munda. Isha i prangosur këmbë e kokë. Miqtë më kanë braktisur. Nuk më besojnë më. Nuk di si të veproj. Më thoni ju.
Ka disa çaste në jetën e njeriut që i duket sikur njerëzit e tij më të afërt, që kanë kohë që janë larguar nga kjo botë, janë gjithmonë pranë tij. Ata i flasin, e këshillojnë, i tregojnë rrugën nëpër të cilën duhet të ecë. Tek ata ai gjen mbështetje, gjen rrugëzgjidhje për hallet që i dalin.
Në këtë gjendje ishte edhe Agroni atë ditë. Besonte se të dashurit e tij, do ta ndihmonin me të vërtetë. Bisedonte me to. I dukej sikur ato ishin gjallë dhe flisnin me të. U ngrit nga varri ku ishte gjunjëzuar. Kishte marrë një vendim. Do të vazhdonte të qëndronte i vetmuar, ashtu si deri tani. Dhimbjen do ta mbante brenda vetes. Nuk do i tregonte askujt për atë që kishte ndodhur. Ajo do të ishte sekreti i jetës së tij. Atë do ta merrte me vete kur të shkonte në varr.
Me këto mendime u nis për në shtëpi.
Si ndenji disa ditë sa për t’u përshtatur me jetën e re, Agroni u paraqit në zyrën e punës pranë Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, për të kërkuar punë. Nëpunësi, pa ia hedhur sytë, i zgjati një formular. Agroni e plotësoi shpejt e shpejt.
– Do vini pas dy javësh, – i tha nëpunësi sikur fliste me murin.
Agroni u kthye kur u plotësuan ditët.
– Na vjen keq, po nuk kemi vende bosh për profesionin tuaj. Po deshët mund të shkoni si punëtor në Ndërmarrjen Bujqësore.
Agroni e dinte mirë se ku rrihte çekani. E famshmja luftë e klasave, ishte në veprimtari të plotë. Ai nuk mund të shpëtonte prej saj. Ajo do ta ndiqte deri sa të ishte gjallë, këmba këmbës. Nuk kishte rrugë tjetër. Pa punë nuk mund të jetonte. Kishte nevojë për të holla dhe puna ishte burimi i vetëm i tyre. Nuk kishte rrugë tjetër veçse të pranonte.
Nëpunësi mbushi fletën e pranimit për punë dhe ia dorëzoi. Agroni u paraqit në zyrën e kuadrit të ndërmarrjes. Zëvendës shefja e kuadrit, një grua rreth të dyzetave, e pa me vëmendje. Iu duk fytyrë e njohur. U mendua dhe pastaj u kujtua se ishte pikërisht ish-kryeinxhinieri i ndërmarrjes elektrike të qytetit, që ishte dënuar disa vjet më parë. Vështroi fletën e punës dhe ndjeu keqardhje për të. Iu kujtua historia e trishtuar e familjes së tij.
– Më vjen keq, – i tha, – por e vetmja gjë që mund të bëjë për ju, është t’iu dërgoj në sektorin e investimeve. Atje do jeni më mirë se në bujqësi.
– Ju faleminderit shumë! – u përgjigj Agroni me mirësjellje.
Mori shkresën që i dha ajo dhe u nis për në sektor. Kur mbërriti atje, ora kishte kaluar nga dymbëdhjeta. Trokiti në portë.
– Hyni! – U dëgjua një zë nga brenda.
– Më falni, këto janë zyrat e sektorit të investimeve?
– Po, përse jeni munduar?
– Më kanë dërguar nga zyra e kuadrit, për të punuar në sektorin tuaj.
Nxori shkresën që i kishte dhënë shefja e kuadrit dhe ia dorëzoi. Personi nga ana tjetër e tavolinës e mori dhe e lexoi. Duke i shtrirë dorën të porsa ardhurit i tha me mirësjellje:
– Jam Astrit Duka, përgjegjësi i sektorit, ndërsa ky shoku këtu – dhe tregoi një burrë që qëndronte përkrah tij – është brigadieri Robert Krasta. Mirëserdhe në sektorin tonë. Çfarë profesioni keni?
Agroni gjeti një mjedis të ngrohtë në atë zyrë. U mendua pak, si i zënë ngushtë dhe u përgjigj:
– Kam edhe s’kam.
– Ç’doni të thoni me ato fjalë?
– Dikur quhesha Agron Canaj, tani nuk e di nëse më njohin me këtë emër.
– Ç’doni të thoni?
– Po ja, jam inxhinier elektrik, por nuk gjeta vend bosh për këtë profesion. Kam punuar, gjithashtu, edhe si murator, por nuk kam asnjë kategori.
– Si ka mundësi? Ku keni punuar?
Agroni nuk foli. Po mendohej nëse duhej të thoshte që kishte qenë në burg. Më në fund e vendosi dhe tha me një gjysmë zëri:
– Kam gati një muaj që jam liruar nga burgu. Kam punuar nëpër kampe në profesionin e muratorit, por për fat, nuk kam asnjë dokument.
Astriti me Robertin panë njëri-tjetrin në sy.
– Përse keni qenë dënuar?
– Një mal me akuza, sabotim, agjitacion e propagandë, terrorizëm dhe ku e di edhe unë se çfarë tjetër.
Një heshtje pasoi fjalët e tij. Askush nuk foli për disa minuta. Ndërkohë ndërhyri Roberti:
– Ku e keni bërë burgun?
– Në Spaç, Burrel dhe Qafë Bari.
– E njihni Besim Muratin?
– Kemi qenë miq. Po ju ku e njihni?
– Edhe unë kam qenë i dënuar politikë.
– Sa vjet keni bërë?
– Pesë. Po ju?
– Dymbëdhjetë.
Biseda mund të vazhdonte gjatë, po të mos kish ndërhyrë Astriti:
– Lëreni tani këtë bisedë. Ç’njerëz keni në familje?
– Vetëm nënën plakë.
– Nuk jeni i martuar?
– Kam qenë dikur. Kam patur një grua të mrekullueshme dhe një fëmijë të rrallë.
Astriti mendoi se do ta kishte ndarë e shoqja, kur ai hyri në burg. Por Agroni vazhdoi:
– Ato tani nuk janë më. Kanë fluturuar në qiell.
– Na falni! Ngushëllimet tona. Si quheni? Oh, më falni!
U kujtua për shkresën e dërguar nga zyra e kuadrit. E hapi dhe shënoi në librin e personelit:
“Agron Bexhet Canaj, punëtor kategoria e parë, datëlindja 15 mars 1930, vendlindja…”!
Shënoi emrin e qytetit dhe adresën e banimit.
– Mirë atëherë, – tha – nesër do të filloni punë në pallatin që ndërtojmë në hyrje të qytetit. Atje do të jeni me Robertin. E kemi shokë të mirë. Do të gjeni edhe njerëz të tjerë të mirë. Kur të fillojmë instalimet elektrike, mund të punoni si elektricist. Në orën 6.30 të jeni atje.
– Faleminderit!
– Dëshironi t’iu bëj një kafe. Ta pimë së bashku. Zakonisht veglat e kafesë i mbajmë këtu, – i ofroi Roberti
– Me kënaqësi.
Roberti mori xhezven, hodhi kafen, sheqerin dhe ujin dhe e vuri në furnelën elektrike që mbanin aty. Duke ua dhënë shokëve u tha:
– Gëzuar!
– Gëzuar! – u përgjigjën Astriti dhe Agroni së bashku.
– Mos rrini i ndrojtur, – foli përsëri Roberti. – Ne jemi miqtë e tu. Për deri sa erdhe të punosh me ne, do të jesh miku ynë. Nuk duam të dimë për të kaluarën tënde se, në fund të fundit, edhe ne jemi pjesë e asaj kaluare.
Fjalët e Robertit e ngrohën. Ndjeu dashamirësi në ato fjalë. Kishte kohë që nuk kishte ndjerë një gjë të tillë.
– Kam nevojë për miq të mirë dhe besoj se te ju do t’i gjej ata.
– Me siguri.
Porta e zyrës u hap dhe brenda hynë Besimi me Yllin.
– Nuk na dashka vjehrra, – tha Besimi. – Sapo i paskeni pirë kafetë.
– Kujto qenin dhe bëj gati shkopin, – iu përgjigj Roberti, pastaj duke i treguar Agronin i tha:
– Nuk po e njeh?
Besimi kthehet, vështron Agronin, që deri në atë çast nuk e kishte vënë re dhe i hidhet në qafë.
– Agron, ti je? Po kur qenke liruar or mik?
– Para dy muajsh.
– Po ti Ylli, përse nuk i flet? Është shoku yt, Agron Canaj.
– A mundem t’i flas?
– Leri tani ato fantazira dhe përqafohuni. Ja lini ato së kaluarës.
– Kush janë fantazira, Stefani të cilit nuk i dihen as eshtrat ku i ka?
Përparimi që mbeti nën gurët e galerisë, apo Gazmendi që edhe sot e kësaj dite lëngon, i shtruar në spital nga tuberkulozi?
– Njeriu me zemër të madhe di edhe të falë.
– Nga gjashtë shokë që ishim kemi mbetur vetëm dy, unë dhe ky. Gjergji vazhdon të dergjet në burgun e Burrelit. Kush është fajtori për të gjitha këto?
– Unë jam fajtori. U thyeva para dhunës së paparë. Por, a e dini se çfarë dhune u ushtrua mbi mua?
– Po mbi ne mos vallë nuk u ushtrua?
– Nuk besoj se mund të ketë dhunë më të madhe se ajo që pësova unë…!
– E cila qenka kjo dhunë kaq e madhe?
– A mundem ta tregojë vallë? Jo, ajo do të vdesë bashkë me mua. – Heshti për disa minuta – Po largohem. E shoh që jam i tepërt këtu – i drejtohet Yllit – Më fal! Këtë ta them sinqerisht. – I zgjat dorën, të cilën ai e refuzon – Mirupafshim!
– Mirupafshim! Mos harroni, nesër në 6.30 në punë, – e kujtoi edhe njëherë Astriti.
Ylli heshti. Agroni u largua i menduar.
– Ç‘qe e gjithë kjo skenë që zhvilluat? – pyeti Astriti
– Më mirë të mos flasim më për këtë çështje. – u përgjigj Ylli
– Agroni është kryeinxhinieri i ndërmarrjes elektrike që u dënua para shumë vjetësh, së bashku me Yllin dhe shokët e tjerë, – vazhdoi bisedën Besimi. – Gjatë kohës që ishte në qelitë e Sigurimit, i vdiqën vajza dhe gruaja. Vajza u hodh nga ballkoni i spitalit psikiatrik, ku ishte shtruar, ndërsa e shoqja, helmoi veten. Këta e akuzonin se i kishte denoncua kot së koti kur ishte i arrestuar.
– Ndoshta nuk kishte mundur të duronte torturat – tha Astriti.
– Ndoshta dhe kjo mund të jetë. – Besimi ndiqte arsyetimin e tij – Por një gjë dua t’ju them. Për sa e njoh unë ishte një intelektual i përsosur dhe njeri i veçantë. Kurrë nuk provokonte njeri. Miku i vetëm i tij, ishte ndonjë libër që i binte në dorë. Qëndronte i vetmuar. Kjo ndoshta nga humbja e gruas dhe vajzës.
– A thua ta kenë detyruar? – tha Roberti.
– Megjithatë unë i qëndroja pranë. Për këtë jam grindur edhe me Gjergjin, Yllin, Gazmendin dhe Përparimin. Bile një ditë, për të provuar që kisha të drejtë, bëra një veprim prej të marri.
Robertin e shtynte kureshtja të mësonte sa më shumë për mikun e ri.
– Çfarë bëre? – e pyeti.
– Një ditë i thashë: – Agron, unë do të arratisem. Do të vish me mua? – Më vështroi i habitur. Ndoshta më mori për të marrë. – Si do të arratisesh? – Më tha. Unë ia ktheva: – Në galerinë numër katër, ka një dalje që përfundon jashtë. Në fillimet e minierës, kjo dalje ka qenë hyrja e galerisë numër një. Me kalimin e viteve, galeritë u bashkuan dhe kjo hyrje u mbyll me një sasi gurësh. Kam mundur të hap një birë të vogël, sa për të kaluar një njeri barkas. – Nuk më ktheu përgjigje.
Pas dy ditësh, më tha se nuk pranonte të vinte. – Ruaj veten – më tha – Jeta vjen vetëm njëherë dhe duhet ta ruash atë. – Kështu kaluan ditët. Prisja të më arrestonin për këtë marrëzi. Por kjo nuk ndodhi. Kur kaloi dita e caktuar më tha: – Pse nuk e realizove planin? – Unë u mendova dhe në fund i thashë të vërtetën. A e dini se çfarë më tha? Këtë opinion e kam dhuratë nga miqtë e mi.
– Kështu të tha? – pyeti përsëri Roberti.
– Pikërisht kështu.
Ylli që deri në ato çaste kishte qëndruar në heshtje, duke dëgjuar bisedën e miqve të tij, ndërhyri:
– Ato janë të gjitha dokrra. Ai vetë na akuzoi në sy të punonjësve të ndërmarrjes, ditën që na arrestuan.
– Megjithatë, unë ju këshilloj ta mbani pranë. Është njeri i shkëlqyer. Do mësoni shumë prej tij. Ylli, thirri mendjes! Mos e humb shokun tënd. Aq më tepër tani që do të punoni në një brigadë.
– Nuk mundem. Para syve më dalin fytyrat e shokëve që nuk janë më. Nuk e di nëse do ta falin edhe ata.
– Të siguroj unë se po.
– Nuk e di, nuk e di, – tha në fund Ylli, duke u menduar.
Besimi me Yllin u larguan duke biseduar me njëri-tjetrin.
– Si t’u duk mysafiri i ri? – pyeti Astriti, Robertin, kur mbetën vetëm.
– Nuk e di. Nuk njihet njeriu me një takim. Por, sipas mendimit të Besimit, duhet të jetë njeri i mirë.
– Ashtu? Atëhere duhet ta mbajmë afër.
Roberti me Astritin, ishin shokë të ngushtë. Ishin njohur që në fëmijëri dhe shoqërinë e kishin ruajtur edhe kur u rritën. Roberti kishte bërë pesë vjet burg, për agjitacion dhe propagandë. Shpërndante trakte antikomuniste në qytet, së bashku me dy shokë të tjerë të moshës së tij. Ishin pesëmbëdhjetë vjeçar, në klasën e parë të gjimnazit. Por edhe pasi u lirua nga burgu, Astriti i qëndroi pranë. Fati e pruri që të gjendeshin në të njëjtën ndërmarrje. Ai e tërhoqi në sektorin e tij, ku e kishte vendosur brigadier.
Në të vërtetë, Roberti ishte shumë i zoti dhe i ndërgjegjshëm. Kishte mbaruar gjimnazin me të gjitha dhjeta. Nuk e kishin lejuar të vazhdonte studimet e larta. Shenja në biografi, e ndiqte hap pas hapi. Fati i tij ishte se në ushtri, në repartin e punës, kishte mësuar mjeshtërinë e muratorit. Kështu shpëtoi nga të qenit punëtor i thjeshtë, çka ishte shumë më e lodhshme dhe me më pak të holla. Ishte një nga specialistët më të mirë në profesionin e tij. Një gjë e tillë e ndihmonte për të ecur përpara, për aq sa e lejonte regjimi.
Sa për Astritin, ai i përkiste një familje nga ato që mund të konsideroheshin asnjanëse. Nuk kishin patur njeri as me komunistët dhe as me nacionalistët. Gjatë Luftës, kishin qëndruar të papërzier në asnjë anë. Kishin parë punën e tyre. I ati kishte qenë një tregtar i vogël. Grumbullonte lëkurët e bagëtive dhe i shiste. Ky ishte profesioni i tij. Me këtë profesion, ushqente familjen.
Ishte burrë i ndershëm. I tillë ishte dhe i biri, i cili kishte mbaruar shkollën e mesme të ndërtimit dhe kishte fituar titullin teknik i mesëm. Për këtë arsye, e kishin emëruar përgjegjës të sektorit të investimeve në ndërmarrjen bujqësore. Ndershmëria e shtynte të ruante miqësinë me Robertin, pavarësisht nga biografia e tij. Bashkë, bënin lloj-lloj bisedash pa u druajtur. Kishin pothuajse të njëjtat mendime. Kjo mendësi i shtyu të mbanin një qëndrim miqësor edhe me Agronin. Nga biseda e shkurtër që bënë me të, formuan një opinion të mirë për karakterin e tij. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm