Nga Sokrat Shyti
Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Unë e falënderova për kujdesin e treguar ndaj meje dhe familjes time, për përkrahjen dhe mbështetjen, jo vetëm pse me dha mundësinë të mbledh një shumë të hollash e me çliroi nga një detyrim ndaj nënës, por më shpëtoi nga rënia në limonti e dëshpërim.
– “Programimi i kohës gjithnjë ka rëndësi parësore për çdo njeri”, – theksoi ai. – “Ajo thënia kaq shumë e përdorur dhe mjaft e rëndësishme: ‘Koha është flori’, ka parasysh programimin. Çdo minutë e çuar dëm në ditë krijon një boshllëk kaq të madh pas disa viteve, sa nuk e beson që ti ia ke shkaktuar vetes këtë humbje, e cila nuk zëvendësohet me çfarëdo lloj sforcimi. Prandaj secili prej nesh, duhet vazhdimisht t’i drejtohet vetëdijes me pyetjet: sot e përdora kohën me nikoqirllëk? A i kreva të gjitha detyrimet? Vetëm kush e edukon veten me disiplinën e punës, i ka bërë vetvetes shërbimin më parësor”.
Ndjehesha i lumturuar që mora këto vlerësime të çmuara nga drejtori im i shkollës shtatë vjeçare dhe po largohesha krenar nga shtëpia prindërore, me detyrime të përmbushura, ashtu si i takon çdo djali të moshës time, që ka dhënë ndihmesën më të mundshme për mbarëvajtjen e shtëpisë, i bindur se gjatë vitit të ardhshëm mësimor, nuk do t’iu bie në qafë e nuk do bëhem barrë për ndonjë ndihmë të vogël mujore.
Nënës ende nuk ia kisha treguar bashkëbisedimin tim me drejtorin e shkollës, se prej ditës së sotme, e ndërpreva punën, ndaj nesër nuk do shkoja herët në mëngjes si zakonisht, por pas orës 10. Ajo, duke mos e ditur çfarë kishte ndodhur dhe duke patur parasysh merakun tim për punë, u shqetësua për vonesën e pazakontë dhe u fut në odë, të shihte pse s’po ngrihesha nga shtresat.
– “Nuk e ndjen veten mirë”?… – pyeti ajo e shqetësuar.
– “Më fal që nuk të vura dje në dijeni, për ndërprerjen e punës”! – i kërkova unë ndjesë, duke u çuar ndenjur. – “Ike vetë, apo të thanë ata”? – shtoi ajo e trembur.
– “Meqë e përfundova bllokun e parë të Amzës dhe koha për të ikur në konvikt po afron, ishte çasti i përshtatshem ta dorëzoja punën e berë”, – iu pergjigja për ta qetësuar.
– “Mbeti i kenaqur drejtori i shkollës”? – deshi të dinte ajo.
– “Më bëri vlerësimin duke më përgëzuar dhe më dha disa këshilla të çmuara për punën, që t’i kem parasysh në të ardhmen”.
– “Në vend të çlodheshe, iu shtrove punës që ditën e parë”!… – tha ajo me ankesë.
– “Jam mjaft i kënaqur që e kalova kohën duke punuar, sepse jo vetëm vura veten në provë, por stërvita dorën me bukurshkrim”! – ia ktheva duke e përqafuar.
Rrugës, duke shkuar për në shkollë, m’u kujtuan shokët dhe shoqet e klasës. Disa prej tyre pas mbarimit të shtatëvjeçares, nuk vazhduan më tej studimet: Djemtë, që mezi prisnin të merrnin dëftesën e lirimit dhe thanë; shyqyr na u hoqën qafe mësimet, u dhanë pas zanateve.
Kurse një pjesë vajzash, mbetën shtëpiake. Dëgjova që dy apo tre prej tyre, i kishin fejuar prindërit, meqë erdhën propozime nga kandidatë me punë të mirë dhe banim në kryeqytet, pavarësisht nga mosha e papërshtatshme, se këto ishin ende të brishta, adoleshente! Ndërsa ne të tjerët, u shpërndamë nëpër shkollat e mesme të qyteteve më kryesore të vendit. Vetëm Maliqi nga shokët e fëmijërisë, vazhdonte me mua gjimnazin në Shkodër, si konviktor.
Kur vërejta drejtorin në platformën e jashtme të shkallëve, më pështjelloi një shqetësim i brendshëm dhe më ngacmoi pandehma, mos ndoshta burokratët nuk ia kanë dhënë pagën time. Ose janë treguar dorështrënguar, kanë caktuar një shumë sa gjysma e asaj të parashikuar, me lloj-lloj shpjegimesh dhe kjo gjë e ka nervozuar.
M’u duk vetja në këtë çast, si ai fshatari me qypin e kosit në kokë, i cili duke ecur llogariste me vete, sa lek do fitojë, kur ta shes dhe me këtë shumë, do blejë disa vezë, të cilat do t’ia shtrojë klloçkës, pastaj kur zogjtë të rriten e të bëhen pula, do ta ndjejë veten të kamur, sa nga kënaqësia, do hedhë valle! Dhe nën shtysën e këtij mirazhi dehës, i dha një lëvizje të vrullshme trupit, sa qypi me kos, i fluturoi nga koka e u bë copa-copa!…
– “Jeni mire nga shtëpia? – me pyeti i shqetësuar drejtori. – Sepse fytyra jote e ngrysur, e ka një shkak të brendshëm…”?!
– “Ndoshta sot nuk u ngrita herët, si ditët e tjera, kur vija në punë dhe ende dukem si i përgjumur…”, – iu përgjigja unë.
– “Hajde ngjitemi lart të firmosësh borderonë”, – shtoi ai me ton të qeshur. Pas kësaj, përgjigjeje më erdhi në vend ngjyra e fytyrës dhe m’u rikthye besimi, se pandehma ime e para një minute, ishte mirazh i shkaktuar nga trembja, nën frikën e pasigurisë të akrobacive të disa burokratëve sharlatanë, të cilët vazhdimisht të çojnë deri tek çezma dhe s’të japin pikë ujë për të pirë”!
– “Pas shumë kundërshtive të ashpra, mes meje dhe zyrtarëve, ramë në ujdi për një pagë mujore, pesëmijë lekë”, – tha drejtori, duke më zgjatur borderonë ta shihja me sytë e mi. – “Në fillim ata këmbëngulën të paguhesh si nxënës. Kurse unë ngulmova se çdo punë vlerësohet sipas vëllimit dhe cilësisë. Sipas variantit të tyre, ti sot do të merrje, gjysmën e kësaj shume”! – shtoi ai i nxehur.
– “Kur e pashë që këta nuk hiqnin dorë nga pagesa si nxënës, u thashë se këtë çështje, do ta shtroja për shqyrtim në organizatën bazë, pastaj në Byronë e Komitetit të Partisë së rrethit, sepse çfarë propozoni ju, është fund e krye një shfaqje e mirëfilltë kapitaliste, me shfrytëzimin e të miturve! Pas këtij paralajmërimi, burokratët u trembën dhe më dorëzuan zarfin me të holla. Unë i numërova, plot dymbëdhjetë mijë e pesëqind, firmosa borderonë e tyre, futa zarfin në xhep dhe u nisa për këtu”.
– “Sot i paskeni tërhequr”?!.. pyeta unë me njëfarë habie.
– “Edhe për këtë u bë debat, – shtoi drejtori. – Ata këmbëngulën me kokëfortësi që kjo shtesë, të shënohet në fund të borderosë së shkollës, domethënë në muajin shtator. Unë ua hodha poshtë, me parashtrimin e gjendjes urgjente, se ti je konviktor, pa asnjë të ardhur, së shpejti nisesh dhe familja s’ka asnjë mundësi për të ndihmuar. Duhet ta dish: burokracia të merr frymën, po nuk iu kundërvure me forcën e arsyetimit”!
E falënderova drejtorin bamirës, që gjatë këtyre muajve më trajtoi si djalin e vet, duke ma lehtësuar ndjeshëm barrën e tronditjes nga humbja e babait, dhe me krijoi kushte punësimi, të cilat dhanë fruta të mrekullueshme: më dukej sikur kisha fituar një shumë përrallore!
– “Kam besim të plotë, që në Gjimnazin elitar ku ti studion, do ta përfaqësosh deri në fund me dinjitet, shkollën tonë”! – tha drejtori duke më përqafuar. – “Këtu tek ne ishe komandant çete. Atje me siguri duhet të jesh krenaria e Gjimnazit! Dhe pas marrjes së Maturës me rezultate të shkëlqyera, rrugët i ke të hapura, për të vazhduar studimet universitare, në një degë të zgjedhur, që u jepet kandidatëve me aftësi të shquar! Të priftë e mbara”!
Edhe pse përshëndetja e drejtorit ishte vijimësi e bujarisë së tij, pa të cilën s’do më krijohej kjo mundësi e mrekullueshme për të shëruar dhimbjen dhe ta kaloja kaq frutdhënëse kohën, mua nuk po më durohej të largohesha prej këtu, nga ky mjedis ku punova plot dy muaj e gjysëm dhe hodha në të pastër Amzën e re, sepse doja t’i tregoja sa më parë nënës zarfin me shumën e të hollave, t’i dorëzoja kësaj shtatë mijë e pesëqind lek, duke mbajtur për shpenzimet vetjake, të gjithë vitit, vetëm pesë mijë.
Nëna mbeti e shtangur, kur nxora nga xhepi zarfin dhe shpërndava mbi nim kartëmonedhat. Pastaj, kur u tret mjegulla e hutimit, foli me zë të dredhur: – “Të them të vërtetën, deri në këtë çast, nuk e besoja se do të të paguanin…”- tha ajo. – Më shumë më shkonte mëndja se do ta quanin punë vullnetare, me shpjegimin se aty, ke qenë nxënës i kësaj shkolle, ndaj të takonte t’ ia shpërbleje shkollës, pasi këtu more dritë e dituri. Në fund do mjaftoheshin me dy fjalë të mira e, me një fletë lavdërimi…”!
– “Ata këtë gjë kishin ndërmend të bënin, dhe do ta bënin po të mos këmbëngulte drejtori i shkollës: Pas mbarimit të punës, do më thoshin fjalë të mira e, do më jepnin gurë në trastë! Por fatmirësisht për ne, në sajë të përpjekjes së drejtorit të shkollës, u vlerësua puna ime si gjithë punët e tjera, dhe aq sa i takon”! – shtova me kënaqësi, duke e përqafuar.
– “Të kanë paguar si të rritur”?!… – pyeti ajo duke hedhur vështrimin mbi kartëmonedhat.
– “Njësoj sa rroga e motrës time, që punon në postë”!- iu përgjigja me krenari.
– “Që ta dish: këtë shumën e caktuar për shtëpinë, do ta mbuloj në baule, si diçka të shenjtë, dhe nuk do ta prek”! – premtoi ajo. – “Le të jetë aty për çdo rast nevoje. Kot nuk kanë thënë të parët tanë: paraja e bardhë, për ditën e zezë! Ka rëndësi që unë e kam të mbledhur mendjen, se ke me vete një lek për të njomur gojën, pasi ti, ore bir, je i zgjedhur në ngrënie, nuk përshtatesh dot me kazanin e konviktit”.
Ditët që mbetën deri në ikje, i kalova duke sistemuar plaçkat. Bleva në dyqan veshje të brendshme, sigurisht më të domosdoshmet, kanotiere e mbathje, bluza të trasha pambuku dhe këmisha fanellate, që të mbajnë ngrohtë, duke patur parasysh dimrin e acartë, me ngrica, dhe se rrugicën nga konvikti deri në shkollë, e tejçonin rryma të ftohta therëse, që na i mpinin veshët e gishtërinjtë e duarve. Gjatë këtyre ditëve, shkova disa herë tek shtëpia e motrës së madhe, që të çmallesha me tre nipat, (i madhi nëntë vjeç, i dyti shtatë, dhe i treti një).
Më kujtohej fëmijëria ime, kur Maksi me Sifin, ishin fare të vegjël. Motra i vishte të dy njësoj, me paliçeta dhe bluza të bardha me flutura, dhe ua krihte flokët, si mëndafsh i verdhë, me xhufkë. Meqë kisha afërsi moshe, vetëm shtate vjet nga i madhi, dhe i doja kalamajtë e vegjël, i merrja shpesh të dy për dore, të shëtisnim.
Shenjat tregonin se dy vëllezërit, kishin dorë për pikturë, por vetëm i madhi vazhdoi studimet pas mbarimit të shkollës tetëvjeçare, në Liceun Artistik të Tiranës. Para se të nisesha, shkova edhe një herë me fqinjin tim të gjendur, Muken, në Kishën e Golemit, të përshëndetesha me babanë dhe vëllanë e dytë, t’iu thosha këtyre, se do mundohem të jem i denjë, si ata, duke ecur nën shembullin e tyre, dhe do ta nderoj mbiemrin e familjes sonë! (Edhe këtë radhë, mbi dy varre kishte buqeta me lule të freskëta!).
Kur u kthyem nga Kisha e Golemit, shkuam tek shtëpia e Mukes, të takoja nënën Kade. Kur ajo hapi krahët të më përqafonte e puthte, unë i thash të mos më shtrëngonte kaq fort, sa të më “sypte”. Ajo bashkë me Muken, u shkrinë së qeshuri. Pastaj nxori nga sepetja dy ftojë e dy shegë, që i kishte vluar, i mbështolli me gazetë dhe më uroi rrugë të mbarë e suksese në mësime.
Për të nderuar përpjekjet e drejtorit të shkollës, një ditë përpara nisjes, shkova t’i shprehja edhe një herë falënderimet e merituara, duke i premtuar se do ta mbaja lart emrin “Model” të shkollës. Ai më përqafoi me dashuri atërore dhe theksoi se kishte besim të plotë, që do t’ia dilja në krye të fitoja një bursë studimi, jashtë shtetit.
Tani, para nisjes, e kuptoja sa rëndësi pati për mua, koha e përshtatshme e ardhjes sime në shtëpi, kur plaga e dhimbjes nga humbja e babait, kish filluar të zinte koriçkë dhe të gjitha shërbimet e përcjelljes në banesën e fundit, qenë kryer me madhështi e dashuri nga banorët e Kisha. Pastaj erdhi zgjidhja dobiprurëse e punësimit tim, e cila u shoqërua me marrjen e asaj shume të hollash, aq të domosdoshme për mua dhe shtëpinë.
Më tej vajtja tek varret e babait dhe vëllait, bashkë me nënën. Qëndrimi i heshtur brenda hapësirës së Kishës. Përkujdesjet e uratës dhe kisharit. Ndërhyrjet e zgjuara të priftit, për të shmangur qarjet me piskama. Këshillat e nënës Kade.
Interesimi i Mukes për gjetjen e “Xhip”-it. Të gjitha këto na e lehtësuan ndarjen nënë e bir, ditën e nisjes. Sigurisht u përlotëm dhe ndenjëm të përqafuar një copë herë. Por ia dolëm të mos qanim me dënesa. Koha e gjatë e ndenjes, regjimi ditor i caktuar, bisedimet e ngrohta nënë e bir, risollën tek të dy vitet kur banoja këtu, si djalë i kësaj shtëpie dhe nxënës shkolle.
Mukja qe’ interesuar, pa më thënë mua, mos kombinonte ikja me shërbim në Tiranë, e komandantit apo komisarit të brigadës, në njërën nga ditët e javës të fundit të gushtit. Dhe më befasoi të nesërmen, kur më njoftoi që; “në orën shtatë te mëngjesit, të ndodhesh me valixhen para Degës Ushtarake, pasi do udhëtosh bashkë me komandantin e brigadës deri në Tiranë”!
Ndjehej mjaft i gëzuar që e kishte rregulluar këtë rrugëtim komod, i cili shkurtonte me disa orë kohën dhe pakësonte lodhjet, pasi nuk dihej nëse do gjeja vend për t’u ulur në tren, kur në “Xhip”, do rrija rehat dhe do arrija shumë më shpejt në agjencinë e autobusëve, për të blere biletën.
Kur zbrita nga “Xhip”-i, falënderova komandantin e brigadës që ma lehtësoi udhëtimin. Ai më hodhi një vështrim, sikur po pyeste; “po ti, nga dole”?! (sepse gjatë rrugës, nuk kishim shkëmbyer asnjë fjalë, rrinte i heshtur, me mendje tek raportimi në Ministrinë e Mbrojtjes, si do ta prisnin shefat e mëdhenj gatishmërinë e repartit të tij) dhe i tha shoferit: “Nisu”!
Në agjencinë e udhëtarëve, pranë Sahatit të qytetit, kishte mjaft pasagjerë. Në sportelin e mbyllur qe’ vendosur njoftimi “Për sot s’ka bileta”. Po të mos kisha ruajtur letrën e përgjegjësit të agjencisë së udhëtarëve të Shkodrës, për kolegun e tij të kryeqytetit, me anën e të cilës i kërkonte të më jepte një biletë nga vendet e rezervuara, jo vetëm do mbetesha aty, por do rrija i lidhur për të mbajtur radhën deri në orën e shitjes, për ditën e nesërme. Prandaj trokita tek dera e kabinës. Kur shitësi hapi derën, i dorëzova letrën dhe prita i shqetësuar si do përgjigjej.
– “Paske mik të fortë!…- tha ai, duke prerë biletën. – Të zë autobusi? Po të jap numrin pesë, meqë je nxënës i pesave…- buzëqeshi ai. – Kështu më shkruan”.
– “Më porositi t’ju jap të fala dhe falënderime! – i thashë unë duke marrë biletën. – Në çfarë ore niset autobusi prej këtu”? – e pyeta.
– “Në orën një të jesh këtu, – u përgjigj ai. – Kur të zbresësh nga autobusi, mos harro t’i përcjellësh mikut tim të falat dhe përshëndetjet. Valixhen lëre këtu, për të mos e patur bezdi me vete. Të paktën këto orë që je i lire, të mos kesh ngarkesë kur futesh nëpër dyqane. Nëse të duhet të hysh në vende me shumë njerëz, si këtu, hap sytë nga xhepistët. Ose më mirë, mos u përzje. Dhe po pate ndërmend të blesh diçka, përdor kartëmonedha sa më të vogla, që të mos biesh në sy, pasi xhepistët i njohin konviktorët dhe e dinë që para fillimit të vitit shkollor, mbajnë me vete një shumë të hollash.
E falënderova për biletën dhe këshillat, që më mësuan si të jem i kujdesshëm. Vendi më i përshtatshëm për të kaluar kohën, m’u duk libraria e librit sovjetik, që ndodhej pranë sahatit të qytetit, sepse aty gjithnjë ka qetësi, nuk shtyhen njerëz si në dyqane, mungojnë xhepistët dhe të kënaqen sytë, kur sheh nëpër rafte libra me kopertinë të trashë e, lidhje të mrekullueshme. Sa hyra, hodha një vështrim mbi raftet e librit artistik. Ndjeva kënaqësi kur pashë; “Vojna i Mir”, “Ana Karenina”, “Prestuplenie e Nakazanie”, “Idioti”, “Zapiski iz mjortvovo doma”, “Tihij Don”, “Doç Kapetana”, “Evgenij Onjegin”, “Sjostri”, “Majakovskij”.
Fatmirësisht të gjitha këto vepra ishin përkthyer mjeshtërisht në gjuhën shqipe dhe të lexuara prej meje. Por vihej re një ndryshim rrënjësor në cilësinë e botimit: Botimet tona dukeshin të vjetruara, sikur kishin dalë nga shtypshkronja para një shekulli, ndaj autorët ndjeheshin të dëshpëruar që veprat e tyre qenë katandisur mos më keq, me këtë lloj paraqitje mjerane, si dorëshkrime klandestine! Librat që vinin nga Moska, shkëlqenin, sillnin prej andej madhështinë e shtetit gjigant! Më pas, interesimi im, kaloi tek librat e arteve figurative. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016