Dashnor Kaloçi
Pjesa e katërt
Memorie.al/publikon dëshmitë e kolonel Idriz Seit Sadikaj, ish-ushtarak i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Mehmet Shehut, që nga periudha e fëmijërisë, kur ishin shokë të ngushtë në fshatin Çorush të Mallakastrës, i cili në vitin 1982 u dënua me 10 vjet burg politik, si dhe dëshmitë e ish-oficerëve madhorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë shërbyer shumë vjet pranë ish-sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe anëtarit të Byrosë Politike, Hysni Kapo, që mbulonte organet e ‘Diktaturës së Proletariatit’, si: Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sigurimin e Shtetit, Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, Gjykatat, Hetuesinë, Prokurorinë, etj. Dëshmitë e rralla të tyre mbi misteret e vdekjes së Hysni Kapos në Paris, akuzën e Vitos drejtuar Ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, si dhe skenarin e mundshëm të Enver Hoxhës për eliminimin e Kapos dhe Shehut që në vitin 1973, kur Hoxha kaloi një infarkt të rëndë dhe jeta e tij u vu në pikëpyetje, e për atë gjë, ai fillimisht bëri fajtor mjekët e tij që i’a kishte sugjeruar dhe afruar Hysni Kapo!
“Në shtatorin e vitit 1979, pasi u mësua lajmi i vdekjes së Hysni Kapos, në një nga klinikat mjekësore të Parisit, ku ai ishte i shtruar prej pak ditësh dhe kurohej nga një sëmundje e rëndë, menjëherë bashkëshortja e tij Vito Kapo, takoi ministrin e Punëve të Brendshëm, Kadri Hazbiun dhe mes lotëve e ngashërimeve i`u drejtua atij duke i bërtitur: ‘Pse ma helmuat Hysniun?!’ Pas kësaj akuze shumë të fortë e tepër tronditëse që ajo hodhi ndaj tij, ministri Hazbiu krejt i përmbajtur dhe i qetë i` u përgjigj: ‘Çfarë ke që më drejtohesh mua, pse nuk i thua atij…’?! Me fjalën ‘atij’, Hazbiu e kishte fjalën për Enver Hoxhën. Nënteksti i përgjigjes së Kadri Hazbiut, njeriut të rafinuar dhe inteligjent, i cili kishte drejtuar organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Sigurimin e Shtetit që nga viti 1949, ishte më se i qartë për bashkëshorten e Hysni Kapos, që deri në atë kohë ishte numri ‘dy’ i Shqipërisë komuniste dhe konsiderohej si një nga njerëzit kryesorë dhe më të mundshëm që do të zëvendësonte Enver Hoxhën pas vdekjes së tij.
Ajo përgjigje fare e shkurtër që Kadri Hazbiu i dha Vito Kapos kundrejt akuzës së saj, fliste shumë! Hazbiu nuk e pohoi që bashkëshortin e saj, Hysni Kapon e kishin helmuar, por as e mohoi atë gjë! Por ai duke shfajësuar veten se nuk kishte gisht, apo se nuk ishte i implikuar në atë për të cilën e akuzonte Vitua, dashur pa dashur, i linte asaj të kuptonte se: ai nuk kishte ndonjë vërejtje për akuzën e saj, por adresa ishte e gabuar dhe ajo akuzë duhej drejtuar jo ndaj tij, por mbi Enver Hoxhën”.
Kështu shprehej mes të tjerash koloneli në pension dhe ish-i burgosuri politik, Idriz Seit Sadikaj, në dëshmitë e tij me rrëfimin e bujshëm mbi misterin e vdekjes së Hysni Kapos, njeriut më të fuqishëm të shtetit komunist shqiptar që prej vitesh, mbante postin e Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe njeriu më i besuar i Enver Hoxhës, (si sekretar i Komitetit Qendror, ai kishte detyrë funksionale kontrollin mbi organet e Diktaturës së Proletariatit, Ministrinë e Brendshme, të Mbrojtjes, Prokurorinë, Hetuesinë, etj.), e cila bëhet publike nga Memorie.al.
Mehmeti mbledhje me autoritetet fashiste!
Çfarë bëri më pas Mehmet Shehu me atë skicë-program politik që kishte hartuar në atë kohë kur sapo ishte kthyer në Shqipëri nga kampet e Francës, ku bashkë me disa shokë të tjerë shqiptarë mbaheshin të internuar pasi kishin marrë pjesë në Luftën e Spanjës? Lidhur me këtë Idriz Seiti kujtonte: “Në atë kohë unë dëgjova se një kopje të atij programi, Mehmeti ja dërgoi për ta parë Zenel Shehut në Toç të Tepelenës, i cili ishte komandant i partizanëve të asaj zone si dhe Hysni Kapos, Bilbil Klosit e Kozma Nushit nga një kopje të atij programi për ta parë. Në shtatorin e vitit 1942, Mehmet Shehu i shoqëruar dhe nga Bilbil Klosi, zhvilloi një mbledhje sekrete me autoritetet kryesore të pushtetit vendor të Ballshit, ku morën pjesë Besim Belishova, (drejtor shkolle dhe Federali fashist), Hidajet Lekdushi (nënprefekt) Shefit Llanaj, (Komandanti i rrethit) që konfirmoi dhe miratoi vendimet e mbledhjes, por nuk u ndodh aty fizikisht, si dhe Haki Ballshi (eksponent i Ballit Kombëtar) dhe Namik Kanani. Për realizimin e këtij takimi dhe qëllimet e tij, ishin marrë mendimet dhe të nacionalistëve demokratë dhe antifashistë të Mallakastrës, si Bektash bej Cakrani, Eqerem Qamili, Qazim Selfo, Tefik Sfiri, Sefedin Yzeir Greshica, Zenel Mane Islami, Rrapo Lelo Çorushi, Xhelil Bilal Velaj, etj. Kjo mbledhje që u zhvillua në konspiracion të thellë dhe masa të forta sigurie me vullnetarë të armatosur nga Mallakastra, Tepelena dhe Komuna e Krahësit, (ku bëja pjesë dhe unë), u zhvillua në shtëpinë e Namik Kamanit brenda në Ballsh. Pjesëmarrësit e takimit, kryesoheshin nga nënprefekti i Ballshit, Hidajet Lekdushi. Mbas prezantimit të të pranishmëve nga ana e Bilbil Klosit, e mori fjalën Mehmet Shehu. Ai paraqiti përpara tyre programin e tij politiko-ekonomik dhe ju propozoi atyre që ta miratonin atë”, kujtonte Idriz Seiti, takimin që Mehmet Shehu dhe Bilbil Klosi zhvilluan me autoritetet fashiste të Ballshit.
Debatet në mbledhjen me autoritetet fashiste
Po si vij më tej ajo mbledhje me autoritetet më të larta të pushtetit vendor dhe eksponentëve të njohur nacionalistë të mallakastrës e tepelenës, ku ishte prezent edhe Mehmet shehu? Lidhur me këtë, IdriZ Seiti, tregonte: “Në atë takim e mori fjalën edhe nënprefekti i Ballshit, Hidajet Hajro Lekdushi, i cili mes të tjerave tha: ‘Ne qeveri na thënçin se nuk jemi qeveri fare, sepse njerëzit na vinë të armatosur deri në zyrat tona. Kështu si e ka nisur rinia këtë luftë, ajo do ta fitojë. Por për reformat që do të bëhen pas mbarimit të luftës, do të ketë përsëri luftë, se çdo bej i ka nga 100 opingarë me vete’. Më pas në atë mbledhje u ra dakord për kryerjen e disa aksioneve të cilat u realizuan më vonë, siç ishin atentatet për vrasjen e Sabri Bej Kaltanjit, kryetarit të Komunës së Symizës- Fratar Mato Muratit, nënkolonelit të Kuesturës, kapiten Rrapo Binerit, etj. Pas këtyre aksioneve, brenda vitit 1942, u kryen dhe aksione të tjera kundër postave të xhandarmërisë, si në Mallakastër dhe në Krahës të Tepelenës. Namik Kamani, personi që lëshoi shtëpinë e tij për atë mbledhje historike, mbeti kampeve të shfarosjes së nazistëve gjermanë, kurse shumë nga nacionalistët që ndihmuan luftën antifashiste në Mallakastër dhe Krahas të Tepelenës, si: Hidajet Hajro Lekdushi, Besim Belishova, Qazim Selfo Hekali, Sefedin Yzeir Greshica, Zenel Toçi, Axhem Resuli, Syrja Bej Vasjari, Muhamet Ramadan Llakaj etj., të cilët çuditërisht u ekzekutuan pas çlirimit. Por takimi i Ballshit, do t`i nxirrte probleme Mehmet Shehut, sepse në Mallakastër, aty nga nëntori i vitit 1942, erdhën Dushan Mugosha dhe Kristo Themelko, të cilët e takuan Mehmetin në shtëpinë e Bilbil Klosit në Klos. Mugosha dhe Themelko e kritikuan ashpër Mehmetin, pse kishte bërë kompromis me fashistët, në kundërshtim me vijën e partisë. Unë nuk isha i pranishëm në atë takim, por e mësova më vonë, se Mehmeti kishte bërë debat të ashpër me ta. Atë gjë e pashë dhe nga fizionomia e Mehmetit kur doli nga takimi, ku ishte nxirë sterrë”, kujtonte Idriz Seiti, bashkëpunimin e Mehmet Shehut me autoritetet fashiste të Ballshit dhe kritikat që i’u bënë atij për kompromis me armikun, nga Kristo Themelko, i dërguari i Enver Hoxhës dhe “Sala” Dushan Mugosha.
Incidenti i Mehmetit me ambasadorin sovjetik!
Ndonëse pas Luftës Mehmet Shehun u ngjit në funksione të larta shtetërore, si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Ministër i Brendshëm dhe Kryeministër, ai nuk e harroi kurrë shokun e tij, Idriz Seitin, i cili vazhdoi karrierën si ushtarak i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nisur nga funksioni i tij, si Kryetar Dege i Punëve të Brendshme në disa rrethe, si Kukës, Lezhë dhe Peshkopi, Idrizi ka pasur rastin ta shoqëronte shpesh Mehmetin, së bashku me Enver Hoxhën e me funksionarë të tjerë të lartë të shtetit. Lidhur me këtë, Idrizi kujtonte: “Mehmet Shehu vinte shpesh për gjueti në pyllin e Vainit dhe Kunes në Lezhë. Aty nga viti 1961, kur isha kryetar i Degës së Brendshme të atij rrethi, më kujtohet një rast që Mehmeti erdhi për gjueti së bashku me Kadri Hazbiun dhe ambasadorin sovjetik Ivanov. Gjatë drekës në Klubin e Gjuetisë, Mehmeti i tha Ivanovit të ngrinin një dolli për djalin e tij Feliksin, i cili ishte diplomuar shkëlqyeshëm në Bashkimin Sovjetik, ndonëse kishte qenë jashtë kontrollit të prindërve që ishin në Shqipëri. Ivanovi ju përgjigj: ‘Faleminderit shoku Mehmet, por unë më tepër jam i kënaqur, se djalin e kanë caktuar në një Republikë të Bashkimit Sovjetik, siç është Shqipëria dhe ai aty do të ketë mundësi që të punojë dhe të zbavitet’. Pas fjalëve të Ivanovit, Mehmeti i nevrikosur ju drejtua: Shoku Ivanov, bën mirë që para se të flasësh duhet të mendohesh, se Shqipëria as ka qenë dhe as do të jetë ndonjëherë Republikë e Bashkimit Sovjetik’. Dhe pas kësaj, ai u ngrit dhe iku, duke na lënë në tavolinë pa drekë, Kadri Hazbiun, Ivanovin dhe mua. Më kujtohet një rast tjetër në vilën qeveritare të Kunes, ku Enveri me Mehmetin, pasi hëngrën darkë, shkuan të flinin në dhomat e tyre, e para se të ndaheshin, Enveri e pyeti: Mehmet, çfarë do të lexojmë sot? Mehmeti ju përgjigj: Unë për vete kam marrë “Lahutën e Malsisë”. Pas asaj përgjigje, Enveri nuk foli asnjë fjalë dhe të dy u ndanë për të fjetur. Ndonëse Mehmeti kishte studiuar në Moskë, nuk e kisha dëgjuar asnjëherë të fliste për Bashkimin Sovjetik. Më kujtohet në vitin 1942, kur ai u lirua nga kampi i përqendrimit të Francës dhe erdhi në shtëpi, unë e pyesja shpesh për Spanjën ku ai kishte luftuar. Mehmeti më shpjegonte dhe më fliste me neveri për luftën e klasave. Ai më thoshte: Ju nuk e kuptoni se sa e tmerrshme është lufta e klasave”, kujtonte Idriz Seiti, atakimin e Mehmet Shehut me ambasadorin Sovjetik dhe përgjigja që ai i dha Enverit se kishte marrë për të lexuar librin e Gjergj Fishtës, si dhe përbuzjen që ai kishte për luftën e klasave, që e cilësonte si diçka të tmerrshme.
Seiti: Si ja ktheva Mehmetit ‘skicë – programin politik”!
Pas mbarimit të Luftës në vitin 1946, sipas një urdhri të Komitetit Qendror të PPSH-së, të gjithë ish partizanëve, ju bëhej thirrje që të dorëzonin të gjithë dokumentet e luftës që kishin vlera. Pas kësaj dhe Idriz Seiti, mori dokumentin që i kishte dhënë dikur Mehmet Shehu, së bashku me një letër të Dushan Mugoshës e një tjetër të Tuk Jakovës, dhe kopjet e tyre i dorëzoi në Komitetin Qendror të PPSH-së. Lidhur me këtë, Idrizi kujton: “Sipas urdhrit që na u dha, unë i dorëzova nga një kopje të letrave të Tukut e Dushan Mugoshës, si dhe një kopje të skicë-programit politik, që më kishte dhënë dikur Mehmeti, pa e ditur se ajo letër vite më vonë do të bëhej “varri im” dhe i gjithë familjes sime, si dhe i vetë Mehmetit me familjen e tij. Aty nga viti 1973, kur punoja në Ministrinë e Punëve të Brendshme në nga sektorët me delikatë, vendosa që t`ja jepja Mehmetit origjinalin e skicë-programit politik, të cilit ndonëse nuk ja dija plotësisht rëndësinë, e kisha ruajtur si një kujtim të shtrenjtë, nga komandanti im i Luftës që ishte në postin e Kryeministrit të Shqipërisë. Para se t`ja dorëzoja atë, e foto filmova në Laboratorin e Ministrisë Brendshme dhe mbajta një kopje për vete, që ta kisha përsëri si kujtim. Pasi i kërkova takim, Mehmeti më priti në zyrën e tij dhe unë i thashë se kisha shkuar për t`i dorzuar atë dokument që më kishte dhënë që në gushtin e vitit 1942. Ai pasi e lexoi letrën më tha: ‘Idriz pse e ke ruajtur’ dhe mbi të bëri një shënim, duke shkruar…?! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016