Nga Fatos Lubonja
Pjesa e dytë
Memorie.al / Shkrimtar, publicist, gazetar dhe analist i njohur. Që në vitin 1975, kur sapo kishte përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, (dega Fizikë), u arrestua dhe dënua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke u akuzuar për “agjitacion e propagandë, kundër pushtetit popullor”, për shkak se gjatë kontrollit të banesës, ju gjetën disa ditarë dhe fletore me shënime, ku kishte shkrime “kundër realizmit socialist dhe me përmbajtje armiqësore”. Po kështu, në atë kohë u arrestua dhe babai i tij, Todi Lubonja, (anëtar i Komitetit Qendror të PPSh-së dhe drejtor i Radio-Televizionit Shqiptar), i cili u dënua me 25 vite heqje lirie dhe vuajti dënimin në burgun e Burrelit, deri në vitin 1988, e më pas në internim, së bashku me bashkëshorten Liri Lubonja dhe djalin tjetër, Agimin. Ndërkohë, Fatosi, gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Spaçit, në vitin 1979, arrestohet sërish, i akuzuar si “pjesëtar i një organizate kundërrevolucionare” ku bënin pjesë edhe Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Nuredin Skrapari, Beqir Alija, Vangjel Xhomo, Robert Vullkani, Dhimitër Stefa, Muho Bala, Petrit Orieti, etj., (ku Kokomani dhe Lezho, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan) dhe ridënohet përsëri, duke kaluar afro 17 vite të jetës së tij, në kampet e burgjet e atij regjimi. Fatos Lubonja, është njohur prej të gjithë bashkëvuajtësve të tij, ish-të burgosur politikë, për qëndrimin e tij dinjitoz, gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, duke mos pranuar të punonte në kampin e Spaçit, gjë e cila e detyroi regjimin e asaj kohe, ta mbyllte në burgun e Burrelit, prej nga ai u lirua në marsin e vitit ’91, me kontingjentin e fundit të të dënuarve politikë, që u liruan nga kampet e burgjet e atij regjimi. Që prej asaj kohe, Lubonja është aktivizuar në jetën publike, jo vetëm si publicist dhe shkrimtar, por edhe duke ndjekur me pasion të lartë intelektual, zhvillimet politike e sociale të tranzicionit shqiptar. Prej vitit 1994, së bashku me një grup bashkëpunëtorësh, ai ka botuar revistën kulturore “Përpjekja”, që është vlerësuar si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë. Për këtë si dhe për impenjimin e tij intelektual, i janë akorduar shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Pas viteve ’90-të, Fatos Lubonja ka shkruar librat: “Ploja e madhe”; “Në vitin e shtatëmbëdhjetë” dhe “Ridënimi”, etj., ku disa prej tyre janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera, jashtë vendit, ndërkohë që është vazhdimisht i pranishëm në shtypin e përditshëm, me ese dhe artikuj të ndryshëm, si dhe analist i politikës etj., në mediat vizive. Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim, është shkëputur nga libri i tij, “Ridënimi”, ku bëhet fjalë për ridënimin e tij në kampin e Spaçit.
FRAGMENT NGA LIBRI “RIDËNIMI”
Në oborrin ku kisha ardhur para pesë muajsh u gjeta së bashku me katër të ridënuar nga “organizata” jonë: Beqirin, Dhimitrin, Nuredinin, Robertin dhe tre nga organizata tjetër, Bardhoshin, Sarandi Lulon dhe Ernest Krajën. Aty pranë na priste autoburgu.
Nga porta e kaushit, sollën edhe disa të dënuar për herë të parë, kryesisht mosha të reja, që do të udhëtonin së bashku me ne. Na lidhën dy nga dy për duarsh dhe na futën rrasur e plasur, së bashku me dengjet e teshave të atyre që ishin dënuar për herë të parë, në kafazin prej llamarine të autoburgut.
Ky ishte një klub i mbyllur nga të katër anët, me ca si ndenjëse të hekurta rrethe-qark dhe një kovë për të vjellë në mes. Pak ajër dhe pak dritë mezi futej nga një si kapak i vogël, i hapur në tavan. E dinim se udhëtimi ishte një torturë, por s’na bënte përshtypje pasi, më në fund po takoheshim me njëri-tjetrin dhe mund të flisnim e të flasim lirisht.
Nuk kishim as kureshtjen më të vogël për të biseduar me të rinjtë apo, për të parë nëpër atë dritarezën e vogël që ishte mbi derë. Biseda kryesore sillej rreth fatit përfundimtar të Fadilit, Vangjelit dhe Xhelalit. Roberti dhe Sarandi, kishin qenë në birucat afër me të tyret në katin e parë. Ata kishin kaluar ato net, thuajse pa gjumë dhe ishin të sigurt se nuk kishin dëgjuar të vinin t’i merrnin për t’i pushkatuar.
Edhe atë ditë, në mëngjes, kishin dëgjuar t’i nxirrnin lidhur me litar për në nevojtore. Akoma kishin një shpresë se ndoshta nuk i pushkatonin. Sarandi tregonte për gjyqin e tyre, sesi Xhelalit nuk i besohej kur iu dha me pushkatim…dhe kishte kërkuar ndonjë orë të përgatitej për fjalën e mbrojtjes.
– Ndoshta kanë dashur t’i trembin dhe ua fal jetën Presidiumi – tha ai një mendim që mbeti pa koment.
– Kam shpresë se Vangjelin, nuk do ta pushkatojnë, – i thashë Robertit që e kisha në krah.
– Kurse unë kam pak shpresë, – më tha ai.
– Pse? – e pyeta.
Do ta tregoj më vonë.
Kishte momente kur disa pyetje që drejtonin mbeteshin pa përgjigje, kur biseda ngecte dhe ndjeheshim si të huajtur ndaj njëri-tjetrit. Atëherë zbulonim, befas, që ajo ngjarje sikur na kishte shtypur e dhënë një formë tjetër dhe çmeriteshim tek konstatonim te vetja dhe te njëri-tjetri, trajtat e reja që kishim marrë.
Pas çerek ore udhëtim e morëm vesh se po shkonim drejt veriut, sepse autoburgu mori rrugën e Fushë-Krujës. Kishim pothuajse bindje se, do të na dërgonin në burgun e Burrelit, por, kur të rinjtë që qenë te dritarja e vogël na thanë se kishim hyrë nën harqet e urës së Zogut, u bë e qartë se po na rikthenin në Spaç.
Kjo ishte zgjedhja më e rëndë. Biseda u spostua. Nuk po përfitonim as të vetmen të mirë që kishte ridënimi, largimin nga Spaçi. Do të duhej të futeshim përsëri në minierë, për vite e vite të pambarimta. Mali i minierës, filloi të na minëzohej kërcënueshëm.
Kur arritëm përpara portës së hekurt të Spaçit, autoburgu ndaloi pa e shuar motorin. Ndërkohë që hapej dera, Bardhoshi nxori jashtë shqetësimin që na kishte kapluar të gjithëve:
– Për kokë të mëmës, këtu na kanë sjellë për të na bërë gropën. Ma ka thënë hetuesi që asnjëri nga ne nuk do të shpëtojë gjallë.
Autoburgu u fut brenda kampit në zonën e ndaluar, ku bëhej kontrolli i “mishit”. Dolën një nga një të kërbunjur dhe filluan të çmpiheshim në pritje të kontrollit.
Pas pak na u afrua roja i brendshëm që, për koincidencë, ishte po ai, Pjetër Leka, që më kishte përcjellë para pesë muajsh pasi më kishte bërë kontrollin. U avit për nga ne dhe, me atë dhëmbin e tij të hirtë prej metali, filloi të na pyeste se sa vjet ishim ridënuar.
Poshtë dëgjohej zhurma e të burgosurve, të cilët sigurisht tashmë e kishin marrë vesh ardhjen tonë dhe ishin grumbulluar tek fusha, në pritje që të zbrisnim e të na takonin. Disa koka më guximtare dhe më të paduruara, u futën tek dera e vogël për të na parë dhe përshëndetur.
Mirëpo diçka nuk po shkonte. Ndonëse kontrolli kishte mbaruar dhe të rinjtë tashmë kishin zbritur, vazhdonin të na mbanin aty. Kaluam kështu ndonjë gjysmë ore në pritje kur, papritur, na urdhëruan të hipnim përsëri në autoburg. Këtë e pritëm me gëzim se na u ringjall shpresa se ndoshta prej aty na çonin për burgun e Burrelit. Megjithatë nuk ishte e lehtë që, pas asaj lodhjeje, të udhëtoje përsëri.
Sapo hyra në kabinën e llamarintë më tmerroi era e kovës së të vjellave. E ndjeva se nuk do të shpëtoja dot nga kjo torture, në rrugën e kthimit. Megjithatë, teksa u nisëm, mbizotëroi ndjenja e lehtësimit, mendimi se Spaçi nuk na kishte pranuar ngase mund të ishin ankuar dëshmitarët të cilët, ishin kthyer aty para nesh.
Autoburgu filloi të ecte më me shpejtësi nga sa erdhi dhe kjo e bënte edhe më të rëndë marramendjen nëpër kthesat e rrugës.
Edhe një herë e humbëm shpresën e burgut të Burrelit kur, pasi kaluam urën e Zogut, vazhduam drejt për në jug. Kishte mbetur Tirana dhe Ballshi. Kjo do të përcaktohej 50 km. më tej, në Fushë-Krujë.
Kur mbërritëm atje, unë gjendesha me kokë në kovën e të vjellave. Kisha një copë rrugë që s’bëja punë tjetër veçse shtrëngohesha të nxirrja gjithë ç’kisha brenda dhe, meqë stomaku ishte bosh, tortura bëhej edhe më e rëndë. Megjithatë kthesa që morëm për Tiranë sikur më bëri esëll. Çfarë po ndodhte? Përse përsëri në Tiranë? Një ankth i ri na pushtoi të gjithëve. Mos vallë kishim ndërruar mendje?
* * *
Përsëri u hapën të njëjtat dyer, ngjita të njëjtat shkallë, që kisha ngjitur kur më kishin sjellë para pesë muajsh dhe u gjeta përsëri në birucën time.
Ajo ishte ashtu siç e kisha lënë; katër batanijet në qoshen e djathtë dhe pagurja e urinës gjysmë e mbushur. Udhëtimi deri në Spaç m’u duk sikur kishte qenë ëndërr.
Pasi mbarova edhe shërbimet e darkës në WC, sapo u ktheva në qeli, rashë menjëherë të flija. Ndjehesha aq i lodhur nga troshitja me autoburg, sa atë natë më zuri gjumi si asnjëherë tjetër.
Të nesërmen, ditë e martë, prisja me ankth se çfarë do të ndodhte. Hamendjet lindnin njëra pas tjetrës dhe derdheshin e humbisnin në një humbellë të zezë. Kjo u bë edhe më e errët kur askush nuk na thirri atë ditë.
Edhe e mërkura kaloi po ashtu.
Të enjten paradite diçka ndjeva, se po lëvizte andej nga hetuesia e vjetër. U rrasa me sy e veshë te dera dhe, pas ndonjë ore pritjeje, dëgjova të më vinte nga korridori një zë pak si i ngjirur burri, që m’u bë si një i njohur.
– Do të të jap listën që të m’i sjellësh me radhë.
“Kjo duhet të ketë të bëjë me ne. Vetëm ne jemi shumë këtu”- thashë me vete.
Pas disa minutash dëgjova të afrohej, që nga korridori tjetër zhurma karakteristike e tërheqjes së zhargave, kombinuar me hapat e gardianit shoqërues. Hapa shpejt rrezen time. Pashë të parakalonte përpara një xhaketë kafe dhe një kaki. U futëm për në hetuesinë e vjetër.
Po prisja. S’kaluan dy-tre minuta dhe çifti i hapave u kthye për nga kishte ardhur. Po të sillnin një tjetër, do sigurohesha thuajse plotësisht se kjo kishte të bënte me ne. Dhe vërtet, pas disa minutash, përsëri u dëgjua e njëjta zhurmë. Përsëri më parakaloi një xhaketë komande kafe e shpëlarë, që m’u bë si e Beqirit.
Edhe ky mbaroi punë shumë shpejt dhe u kthye.
Kjo shpejtësi ma rriti ankthin. Kaq shpejt mund të jepej vetëm ndonjë akuzë e re.
Nuk di a isha i pesti apo i gjashti kur u hap dera ime dhe m’u shfaq Ali Balla, me hekurat gjermane në dorë. U ktheva me duart prapa shpine. E ndjeva se isha i zbehtë në fytyrë. Ai më futi hekurat e m’i shtrëngoi pa thënë asnjë fjalë.
Kapërcyem korridorin e qelive, u futëm në atë të hetuesisë së vjetër dhe aty ai më ktheu djathtas në një nga dhomat e para. Vetë qëndroi jashtë, në pritje.
U ndodha përballë një fytyre që e njoha menjëherë. Ishte nëndrejtori i Sigurimit të Shtetit, Kapllan Sako. Nuk mund ta harroja ditën e parë të arrestimit tim të parë dhe fjalët e tij të para: “Të kemi marrë të të pyesim se, cilat janë pikëpamjet e tua politike”.
Qysh prej atëhere nuk e kisha parë më.
Kapllani po më priste në këmbë. Vura re se pak kishte ndryshuar. Po ai, i hollë, i mprehtë, gjysmë i thinjur, tipik njeri i Sigurimit që nga veshja deri tek krehja e flokëve. Një person tjetër me fytyrë shumë të zezë, që nuk e njihja, ishte ulur prapa tryezës së punës. Në qoshen e kësaj tryeze, afër meje, më zuri syri një fletë të bardhë formati.
– Ti je Fatosi? – më foli Kapllani.
– Po – iu përgjigja. – A më njeh mua?
-Po.
– Ku jemi parë? – shtoi ai, mosbesues në e mbaja mend.
– Në korrik të ‘74-ës – iu përgjigja.
I erdhi mirë që e mbaja mend.
– Pse mbajte këtë qëndrim në gjyq? – më tha. – Nuk e prisnim këtë prej teje.
– Nuk kam bërë gjë – i thashë. – Nuk mund të pranoja gjëra që s’i kam bërë.
Nuk kisha ndërmend aspak të përleshesha me të, sepse mendimi i vetëm që kisha në kokë ishte, se këta tani po përgatisin një dënim tjetër, nga i cili duhet të ruhesha shumë.
– Domethënë gjykata jonë popullore, të paska dënuar kot ty?- e ngriti zërin ai.
“Ky duket sikur e beson edhe vetë atë që ka kurdisur”- thashë me vete, i çmeritur sesi e përmendi ai fjalën “gjykata popullore”, sikur të ishte diçka e shenjtë, gati, vetë populli!
– Aty janë dosjet. Le t’i hapim përsëri- iu përgjigja me një dukje vendosmërie.
Ai heshti një çast, nuk deshi ta zgjaste këtë muhabet dhe si kundërpërgjigje më tha:
– Po të thuash: “Do ta kem Fadil Kokomanin shokun tim më të ngushtë”, di ti?
E ndjeva që kjo fjalë më kishte hapur punë.
– E kam thënë në kuptimin moral- iu përgjigja.- sepse mbajti një qëndrim si burrat.
Ai sikur u mrrudh nga kjo përgjigje.
– Çfarë burri, more, çfarë burri?- foli duke shtrembëruar fytyrën dhe në atë çast iu afrua asaj fletës së bardhë në cepin e tryezës dhe e tërhoqi me vrull:
– Ja, ja ku e ke shokun tënd më të ngushtë.
Nuk di sa ma orientoi gishti i Kapllanit vështrimin për andej e sa u orientova vetë. Nën atë fletë të bardhë kishte pasur disa fotografi të bëra natën, me blic, të gjitha së bashku sa formati i fletës që i kishte mbuluar.
U tërhoqa fillimisht nga njëra prej tyre ku pashë sytë e Fadilit, Vangjelit dhe Xhelalit, që po më shihnin me një vështrim më shumë si të hutuar e të çmeritur sesa të frikësuar. Ishin ulur në një ledh me duart të pranguara prapa dhe të përshkuar të tre së bashku, me një litar. Ishin fotografuar disa çaste para pushkatimit.
Kapllani vazhdonte të bërtiste me histeri: “Këtu e ke vendin”! “Këtu e ke vendin, po erdhe edhe një herë te kjo derë”!- dhe drejtoi gishtin për tek njëra nga fotografitë. M’u shfaq një fytyrë e buhavitur, e zaptuar nga një pllakë gjaku që hapej nga lulja e ballit dhe mbulonte sytë, një pjesë të hundës, të faqeve e pastaj zgjatej me tre-katër currila gjer poshtë në gushë.
Mezi njoha se ishte fytyra e Fadilit. Nuk di çfarë drithërime e çuditshme më përshkoi. Ajo pamje m’u duk një gjë e frikshme, gati-gati e huaj. Diçka të ngjashme kisha ndjerë në fëmijëri kur shihja fotot e diversantëve, të vrarë të ekspozuara në stendat e Ekspozitës së Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Kapllani vazhdonte të ulërinte se edhe unë do të meritoja plumbin ballit, edhe mua do ma shkërdhenin kokën po të vija prapë në atë derë.
Aq i hutuar dhe aq nën trysni ndjehesha, sa nuk pata mundësi të përqendrohesha mbi pamjen e Vangjelit dhe të Xhelalit të vrarë. Syri më rrëshkiti vetëm tek fotografia tjetër e madhe poshtë, ku ishin të tre trupat të shtrirë, ngjitur njëri me tjetrin, të vdekur dhe çuditërisht m’u fiksua ajo xhaketa gri e Pirros, që e kishte Fadili në trup gjatë gjithë gjyqit.
Nuk e di se si e ngrita kokën pa thënë dot asnjë fjalë.
– Ti të thuash: “Do ta kem shokun më të ngushtë Fadil Kokomanin”! – shfryu edhe njëherë Kapllani.
– Po çfarë të them? – iu përgjigja.
– Të rrojë Partia, të thuash, të rrojë Partia. Roje merre! – iu drejtua Aliut.
Ika në heshtje. Më futën përsëri në qeli dhe aty, krejt i dërrmuar, fillova të vërtitesha pareshtur.
Pllaska e gjakut mbi fytyrën e Fadilit s’më ndahej nga mendja; bashkë me të edhe ajo ndjenjë që pata kur i pashë të vdekur. Përse isha tëhuajtur aq shumë? Përse më kishte kapluar ndjenja fëminore e frikës ndaj të vdekurit? Pastaj më shfaqej Kapllani. Si ishte e mundur t’i dukej normale që, fill pas vrasjes së miqve dhe ridënimin tim, të kërkonte të them “Të rrojë partia”? A luante teatër vallë, apo i ndjente vërtet ato që thoshte?
Pastaj më shfaqeshin sytë e Xhelalit, Fadilit dhe Vangjelit, ai vështrim i tyre, më shumë i hutuar e i çmeritur sesa i tmerruar. Nuk donin ta besonin atë që po ndodhte. Dhe prapë fytyra e Fadilit të vdekur.
Përpiqesha të çlirohesha nga mbresa e parë që më kishte ngjallur ajo pamje dhe të përjetoja ndjenjën e keqardhjes, por nuk arrija. Një marramendje që s’po mundja ta frenoja filloi të m’i pështjellonte skenat që kisha përjetuar ato muaj, pa më lënë më të ndalesha në njërën prej tyre.
Rashë të flija me shpresën se, kur të zgjohesha, do t’i shihja më kthjellët të gjitha ato që kishin ngjarë…dhe në ëndërr i pashë të tre gjallë, mbështjellë me kapotat e murme të burgut, duke ecejakur me të shpejtë, për të ngrohur këmbët, tek sheshi përpara berberhanës së Spaçit! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016