Nga Reshat Kripa
Pjesa e gjashtë
-“Njerëzit që kurrë nuk e kanë njohur diktaturën dhe tiraninë, e kanë të lehtë të jepen pas retorikës për lirinë, duke harruar fare realitetin e thjeshtë e të tmerrshëm, të shtypjes së njimendtë atje ku ekziston përnjimend”.-
Giovani Sartori: “Edhe njëherë për teorinë e demokracisë”.
Memorie.al/ Robert Krasta, e kishte bërë zakon që në çdo përvjetor të prindërve, të shkonte në varreza dhe të vendoste një tufë me lule, mbi varrin e tyre. Vështronte fotografinë e stamposur në porcelan dhe fillonte bisedën me ta. Këtë zakon, kishte kohë që e kishte bërë. Biseda sikur i qetësonte shpirtin. U tregonte për gjithçka kishte ndodhur në familje. Ndonjëherë, kur gjente vështirësi në ndonjë gjë, u kërkonte ndihmë atyre dhe i dukej sikur ata i përgjigjeshin. Ndoshta kjo, mund të ishte ndonjë hamendje e tij, megjithatë ai e besonte.
– Megjithatë, unë do të qëndroj këtu dhe do ta pres deri sa të vijë. U ul në një bordurë betoni pranë hyrjes së Degës. Një polic, iu afrua dhe i foli me një zë të butë:
-Nëno! Mos rri kot. Ai nuk vjen për disa ditë. Ka shkuar për një mbledhje në Ministri. Nëna e pa me vërejtje në fytyrë. Iu duk djalë i mirë. – A ke nënë, o bir?
– Po moj nënë dhe ajo të ngjan ty. Gjithë ditën rri në dritare dhe pret të kthehem unë, sepse kjo puna jonë ka edhe rreziqe.
– A e sheh? Nënat janë krijuar për të vuajtur tërë jetën nga meraku për bijtë e tyre. Zemra ime, është bërë copë. Më rrëmbyen djalin më të mire, si ndonjë kriminel. Biri im është i pafajshëm.
– Mos ki merak nëno, po qe i tillë, me siguri do të dalë së shpejti.
– Faleminderit, mor bir, për fjalët e mira!
U ngrit dhe filloi të largohej duke u menduar. Në çast i shkrepi në mendje të shkonte në Komitetin e Partisë, të takonte Sekretarin e Parë, të cilin e njihte.
Ishte një burrë rreth të pesëdhjetave, një ish-partizan që kishte luftuar në batalionin e komanduar nga i shoqi. Mendoi se një gjë e tillë, do ta ndihmonte. Shkoi atje dhe i paraqiti kërkesën dezhurnit, që ishte te porta. Ai mbajti shënim emrin dhe foli me dikë në telefon. Nëna vuri re se kishte diçka që nuk shkonte në atë bisedë. Dezhurni u ngrit, mbylli xhamin e sportelit që, të mos dëgjonte nëna dhe si mbaroi tha:
– Nuk është këtu. Ka shkuar me shërbim.
– Si nuk është këtu? Të gjithë paskan ikur nga ky qytet? Kush qeveris atëherë?
– Unë kaq di t’u them.
Nëna u largua dhe u ul në një Bar-Kafe aty pranë, prej nga shihej hyrja e Komitetit të Partisë. Iu kujtua skena e shumë viteve më parë kur, kishte kërkuar të takohej me Enver Hoxhën. Edhe atëhere i kishin thënë se nuk ishte. Siç duket kjo ishte një mënyrë e njohur përcjelljeje. Por vendosmëria e saj, kishte bërë që ta takonte atë. Kështu do të vepronte edhe sot. Do të priste deri sa të mbaronte orari i punës që, të vërtetonte nëse i kishin thënë të vërtetën.
– Çfarë do merrni nëno? – foli kamarieri.
– Një kafe shqeto.
Kamarieri i solli kafen dhe ajo po e pinte me ngadalë. Ndërkohë, hyri një burrë dhe meqenëse tavolinat e pakta ishin mbushur me njerëz, i’u drejtua nënë Gjylos:
– A mund të ulem edhe unë të pi një kafe?
Nëna i bëri shenjë me dorë që të ulej.
– Djalë, bëmë edhe mua një kafe, ashtu siç e di ti, – foli i porsaardhuri.
Siç duket, ai ishte një klient i rregullt i atij lokali. Të dy pinin kafet pa folur. Së fundi ai tha:
– Nga të kemi moj shoqe?
– Nga qyteti.
– Të shoh shumë të mërzitur. Çfarë halli ke? Thuama mua se ndoshta mund të të ndihmojë.
Nëna e pa me vërejtje. Kush ishte ky person që kaq shpejt ishte hapur me të? Mos ishte ndonjë provokator i dërguar nga Sigurimi i Shtetit?!
– Të gjithë gjykatësit e botës të mblidhen dhe nuk i zgjidhin hallet e mia.
– E përse? A ka gjë që nuk mund të zgjidhet në këtë botë?
– I tillë është halli im.
– Vallahi, nuk po të kuptojë fare. Çfarë mali të paska rënë përsipër që, nuk të le të ngrihesh?
– Është një mal aq i lartë sa, nuk e kapërcej dot.
– Mos e lësho veten, moj burrëreshë.
– Mbrëmë mora goditjen më të rëndë.
– Çfarë goditje?
– Më rrëmbyen dritën e syve dhe e hodhën në skëterrë.
– Ku?
– Ju thashë, në skëterrë.
– Në burg?
– Po.
– Përse?
– Nuk e di. Për këtë jam këtu sot.
– Kush është drita e syve të tu?
– Im bir, kush tjetër. Agroni im, Agron Canaj.
Plaku po mendohej. Ky mbiemër i kujtoi një histori të kohës së luftës.
– Canaj…! Canaj…! Ky mbiemër më kujton një mik të vjetër. Çfarë keni të bëni me Bexhet Canajn?
Nënë Gjyla, hodhi vështrimin mbi të panjohurin.
– Ka qenë im shoq.
Plaku e vështroi i habitur.
– Për besë! – tha duke i rënë ballit me dorë. – Paskam rrjedhur fare! Si nuk të njojta? Kanë kaluar tridhjet vjet nga ajo ditë e zezë. Unë jam Syrjau, ai që pruri trupat e Bexhetit dhe Sabriut.
– Syrjau? Si është e mundur? Po si qenke transformuar kështu mor i zi?
– Po, pikërisht unë jam. A e mban mënd atë ditën e zezë kur solla trupat e Bexhetit dhe Sabriut? Isha djalë i ri, i mbrujtur me ndjenjën e atdhedashurisë dhe i gatshëm të jepja jetën për të. Por Zoti nuk donte që unë të vritesha. Ai kërkonte më të mirët. Donte Bexhetin dhe Sabriun. Ata ishin shumë më të mirë se unë.
Fati kishte caktuar që unë të vuaja. Sa do të kisha dashur të kisha pasur fatin e tyre. Të paktën nuk do të shikoja këtë armiqësi që, është hapur midis vëllezërve të një gjaku. Më fal që po të flas kështu, por më dhemb zemra. Ajo është që i thotë këto fjalë. Kam bërë njëzet vjet burg. Shikomë mirë. Jam vetëm pesëdhjetë vjeç, por dukem si shtatëdhjetë. Burgu, më katandisi në këtë gjendje.
Syrjau heshti. Nënë Gjylës i’u kujtua çasti kur ai erdhi në shtëpinë e tyre, për të sjellë kufomën e të shoqit, vrarë në betejë. Ishte një djalë i ri dhe mjaft i pashëm. Kurse tani kishte para vetes një njeri, të plakur para kohe, një njeri që kishte humbur gjithçka. Kush e kishte katandisur në këtë gjendje?! Nënë Gjyla nuk i jepte dot përgjigje kësaj pyetje.
– Përse të dënuan?
– Ti e di, unë bëja pjesë në çetën nacionaliste. Pas lufte, na rreshtuan në anën e humbësve dhe këtë duhej ta paguanim me jetën tonë. Kështu tim at, e pushkatuan, ndërsa mua më dënuan me njëzetepesë vjet burg, nga të cilat bëra njëzet. Por le ta lemë tani këtë bisedë. Më thuaj, përse e kanë burgosur tët bir?
– Ku ta di unë e mjera? E arrestuan mbrëmë. Kam ardhur të takoj Sekretarin e Parë. Ka qenë shokë me Bexhetin. Me siguri do të më presë dhe do të më shpjegojë gjithçka.
– Do të doja të ishte ashtu si thua ti, por nuk e besoj. Tashmë ju jeni shndërruar në një familje reaksionare. Pikërisht, këtyre familjeve, u largohen të gjithë.
Nënë Gjyla hodhi vështrimin nga dritarja. Pa të dilte nga godina e Komitetit të Partisë sekretarin. U ngrit rrëmbimthi dhe sa hap dhe mbyll sytë i doli përpara.
– Shoku Ali, ju lutem, kam ardhur për të biseduar diçka me ju.
– Shoqja Gjyla, më fal, por nuk mundem. Tani kam një takim të rëndësishëm, ndaj po nxitoj. Shko brenda dhe paraqitja sekretarit të dytë, problemin tënd.
– Unë mendoj se duhet ta bisedojmë bashkë atë problem. Ju keni qenë shoku më i afërt i Bexhetit dhe jo sekretari i dytë.
– Më vjen keq, por nuk mundem.
– Ju faleminderit për konsideratën që paskeni. Kur erdha këtu, mendova se, do ta gjenit pak kohë, sa për të biseduar. Shokët tuaj më gënjyen, ata më thanë se ishit me shërbim. Tani ju nuk gjeni kohë. Megjithatë, ju faleminderit përsëri. Rrini i qetë. Nuk do t’ju shqetësoj më.
Ktheu krahët, duke e lënë Sekretarin e Parë të habitur, nga kurajoja me të cilën ajo grua i kishte folur. Deri atë ditë, askush nuk kishte guxuar ta kundërshtonte dhe, ja tani, ishte kjo grua që ia përplaste neverinë në fytyrë. Cila ishte ajo forcë që e shtynte të bënte një veprim të tillë? Ishte zhgënjimi i papritur dhe dashuria e nënës për birin e saj. Këtë gjë, nuk ishte në gjendje ta kuptonte, Sekretari i Parë, një nëpunës fanatik.
Nënë Gjyla, u fut përsëri në klub dhe iu drejtua Syrjaut:
– Kishe të drejtë, as që denjoi të bisedonim.
– Mos u mërzit. Duhet të bëhesh e fortë. Dallgë të tjera të presin.
– Mirupafshim, po iki në hallin tim.
– Për çdo gjë që të keni nevojë, unë do të jem i gatshëm t’ju ndihmojë.
Nënë Gjyla, u largua duke i bërë një shenjë me dorë. E çfarë ndihme mund t’i jepte ai i ngratë, që nuk dinte si të përballonte jetën e vet. Megjithatë, e tha fjalën e mirë. Kjo tregonte shpirtin e tij. Dy pika lot i rrodhën nga sytë. Nxori shaminë dhe i fshiu. Në atë çast, besoi se e kishte humbur djalin e saj.
Qelia ku mbyllën Agronin, ishte një birucë, jo më e madhe se një kotec pulash. Një portë e rëndë hekuri, ishte i vetmi komunikim me korridorin. Dritare nuk kishte. Qelia mund të ajrosej nga hapësira që linte porta në fund të saj, rreth një gisht, prej nga hynte dhe një rreze drite. Kur hyri Agroni dera u mbyll dhe ai mbeti në errësirë. Nuk shihte asgjë. Filloi të ecte me ngadalë, si një i përgjumur.
U përplas pas një muri. Bëri dy hapa djathtas dhe ndeshi në mur. U kthye prapa dhe përsëri mur. Nga kjo kuptoi se qelia e tij nuk duhej të ishte më e madhe se 2 X 1.5. Ndjeu një erë të rëndë t’i shponte hundët. Ishte erë myshku, përzier me atë të amoniakut. Mirë era e myshkut se vinte nga lagështira, po era e amoniakut, ç’kërkonte atje? Me siguri duhet të kishte urinuar dikush. Ndoshta ndonjë fatkeq tjetër, si ai. Po përse?
Vallë nuk i nxirrnin për të shkuar në nevojtore? Kërkoi ndonjë vend për t’u ulur, por nuk gjeti. U mbështet pas murit dhe po priste. Pak nga pak filloi të dallojë konturet e qelisë. Ishte aq sa e kishte parashikuar. Nuk kishte asgjë brenda, as shtrat dhe as ndonjë karrige për t’u ulur të paktën. Ishin vetëm dy sofate betoni në cepat e qelisë, që nuk kishte mundur t’i shikonte më parë. U ul në njërin prej tyre dhe filloi të mendonte:
“Me siguri mbyllja në këtë qeli, është bërë me qëllim që të më paralajmërojnë për pasojat. Ata duan që unë të denoncoj shokët e mi. Ky është një lloj presioni. Mbahu Agron! Burrëria jote këtu do të duket. Do të kërkoj takim me kryetarin dhe do t’i kërkoj shkakun e këtij trajtimi. Edhe sikur të isha fajtor, duhej të më dënonin aq sa meritoja dhe nuk duhej të më trajtonin kështu. Ky është barbarizëm. Vetëm në burgjet naziste, trajtoheshin njerëzit në këtë mënyrë”.
Ju kujtua mbrëmja e kaluar. Ishte një mbrëmje gëzimi. Ditëlindja e Iridës ua kishte ngazëlluar zemrën. Mos ishte ky gëzim që e vrau? Jo, jo nuk kishte mundësi. Si mund ta vriste gëzimi i vajzës së tij, të vetme? Iu kujtuan fjalët e së bijës në çastin e arrestimit:
– Babi, pse të kanë lidhur? Mos e merrni babin!
Ndjeu një dhimbje në shpirt. A do të ishte e zonja Irida të përballonte këtë goditje? Si do ta trajtonin në shkollë? Mos vallë do ta diskriminonin? Një gjë e tillë i therte në zemër. Kur mendonte pasojat që mund të kishte ajo, e ndiente zemrën ta lëshonte. Nëna, a do e duronte dot këtë dhimbje? Ajo vuante nga tensioni i lartë i gjakut. Agroni i druhej ndonjë hemorragjie cerebrale.
Po Lumtua, si do t’i bënte ballë gjendjes? Si do të rronin vetëm me rrogën e saj dhe pensionin e nënës? Tri femra pa asnjë përkrahje. Të gjitha këto mendime, silleshin rrotull në kokën e tij. Nuk ishte i zoti t’u jepte përgjigje. Në atë gjendje mjerane, në të cilën ndodhej, më tepër e shqetësonte e ardhmja e të dashurve të tij. Së fundi e mblodhi dhe i tha vetes:
– Rri i qetë! Tani duhet të mendosh se si duhet vepruar. Duhet ta peshosh mirë çdo përgjigje. Hetuesit janë mjeshtra në profesionin e tyre. Ata t’i nxjerrin fjalët me çengel. Duhet kujdes me ta. Pasi të kalojmë këtë lumë, shohim e bëjmë pastaj.
Këto fjalë, sikur e qetësuan shpirtin e tij. Filloi t’i shihte gjërat me një sy më realist. Në fund të fundit, do të kalonte edhe kjo dhe çdo gjë do të rregullohej. Ai ishte i pafajshëm dhe nuk kishte pse të trembej. Dëgjoi çelësat që vringëllinë në portë. Hyri Myfiti, roja i qelive.
– Eja të kryesh nevojat personale, – i tha me një zë të thatë dhe monoton.
Nevojtorja ishte aty pranë, në fund të korridorit. Brenda saj ishte edhe një çezmë. Agroni kreu nevojat dhe doli.
– Ku është lavamani? – pyeti.
Myfiti qeshi me të madhe
– Dashke edhe lavaman zotrote! – tha me një zë tallës, Mos do edhe ujë të ngrohtë? Lahu te çezma në nevojtore.
Hyri përsëri, lau duart dhe u hodhi edhe syve disa grushte me ujë. Pastaj nxori shaminë e dorës dhe u fshi. Kur hyri në qeli, i tha rojës:– Dua të takoj kryetarin e Degës. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016