Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Ngjarja e datës 22 maj 1984 e njohur ndryshe si “Revolta e Qafë Barit, e ndodhur plot 40 vjet më parë, përmban një dosje voluminoze që ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, nga ku herë pas here janë bërë publike në media një numër dokumentesh që hedhin dritë mbi atë revoltë, e cila asokohe tronditi jo pak regjimin komunist të Tiranës, Veç të tjerash atë e tregon edhe fakti, se në shenjë hakmarrje dhe terrori, pak ditë më pas, regjimi komunist ri-dënoi me burgime të gjata, plot 24 të dënuar të atij kampi, të akuzuar si protagonist të asaj revolte dhe pushkatoi të dënuarit, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli, ndërsa kishte mbetur i vdekur nga torturat, Sandër Sokoli dhe i plagosur me plumb, Kostandin Gjordeni.
Vetëm pesë ditë pas asaj revolte, të të dënuarve politik që vuanin dënime të rënda në atë kamp pune të detyruar me kushte nga më të vështirat, më datën 27 maj 1984, komanda e Repartit 311 të Qafë Barit, bëri një mbledhje për të analizuar atë ngjarje, duke renditur kronologjikisht gjithësa kishte ndodhur aty, (me emrat e të dënuarve dhe efektivave të policisë e kuadrove drejtuese të atij kampi), si dhe arsyet që çuan në atë ngjarje, si dhe masat e marra me detyrat përkatëse, që do të zbatoheshin nga efektivat dhe komanda e atij reparti, në të ardhmen.
Në pjesën e dytë të këtij shkrimi që po publikojmë sot, po vazhdojmë me publikimin e dokumentit të analizës së bërë nga Komanda e Repartit 312 të Qafë Barit, e cila është firmosur nga komandanti Riza Musollari dhe kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Pukës, Edmon Çifligu, ku tregohet se si vazhdoi dinamika e ngjarjes e datës 22.V.1984, pas ardhjes në atë kamp-burg të zv/ministrit të Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Drejtorisë së Zbatimit të Veprave Penale.
Më tej në dokumentin në fjalë, jepen me detaje dhe hollësira “shkaqet dhe mangësitë që çuan në atë ngjarje e detyrat dhe masat konkrete për përmirësimin e gjendjes në të ardhmen”, duke dhënë edhe emrat konkret, si nga ana e efektivit ushtar-policë-oficer, “të cilët në kushte të pabarabarta numerike, treguan guxim dhe trimëri gjatë përleshjes me të dënuarit”, si dhe disa emra të burgosurish politikë, si; “Dalip Zhaboli dhe Hajredin Fratari, të cilët me veprimet e tyre nxitën dhe inkurajuan të dënuarit në atë revoltë”.
DOKUMENTI SEKRET ME ANALIZËN E BËRË NGA KOMANDA E REPARTIT 311 TË QAFË BARIT, PËR NGJARJEN E REVOLTËS SË TË BURGOSURVE TË ATIJ KAMPI, NË DATËN 22 MAJ 1984
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S e k r e t
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr.
KOMANDA E REP.311
Qafë Bari, më 27 V.1984
Analizë
Mbi ngjarjen e ndodhur më 22.5.1984 në regjimin e të dënuarve të Repartit 311, në Qafë Bari.
Kur erdhi zv/ministri i Punëve të Brendshme, të dënuarve që morën pjesë në këtë revoltë, ju bë thirrje që brenda pesë minutave, të mblidheshin në vendin e caktuar, të gjithë ata që do të dëgjonin emrin, sipas listës që u lexua, gjë e cila u zbatua menjëherë pa asnjë hezitim dhe sipas rregullit, të dënuarit u lidhën dhe u shoqëruan për në Degën e Punëve të Brendshme në Pukë, 24 të dënuar, ndaj të cilëve organet e hetimit dhe të prokurorisë, morën masat e nevojshme.
Për këtë ngjarje të rëndë që ndodhi në repartin tonë, e cila as na çudit, sepse armiqtë mbeten gjithmonë armiq e, ata kudo dhe kurdoherë, mundohen që të na pengojnë në rrugën tonë, as na trembin, sepse ne jemi të fortë dhe të pamposhtur me Partinë dhe shokun Enver në krye, ne duhet të nxjerrim dhe të përcaktojmë drejt shkaqet e kësaj ngjarje, mangësitë dhe dobësitë e punës sonë dhe detyrat që na dalin për të përforcuar më tej vigjilencën dhe gatishmërinë për sigurimin e plotë të të dënuarve.
Së pari: Zbulimi e goditja nga Partia dhe shoku Enver poli-agjentit Mehmet Shehu dhe bandës së tij: Kadri Hazbiu, Feçor Shehu etj., u ka prerë shpresat armiqve të brendshëm e të jashtëm. për të marrë kalanë nga brenda, e për rrjedhojë veprimtaria armiqësore edhe në repartet e riedukimit e. veçanërisht e atyre për krime kundër shtetit, është intensifikuar në forma nga më të ndryshmet:
Të gjoja trajtimit jo të mirë, të kundërshtimeve për zbatimin e rregullave, ankesave të shumta që nuk u ndeshën me të dënuarit të cilët, ju kundërvunë policisë, por me qëndrimin e tyre i inkurajonin ata, e kjo ndodhi se në Këshillin e Riedukimit dhe në organikat e brendshme, ishin vënë element armiq të betuar, që asnjëherë nuk mund të kthehen nga rruga e tyre armiqësore, si Dalip Zhabolli dhe Hajredin Fratari, bir krimineli dhe sabotator, për të cilët mbajmë përgjegjësi, përse nuk i kemi shikuar me sy klasor, por jemi nisur vetëm nga aftësitë e tyre, për ta kryer këtë detyrë.
Ngjarja e datës 22.5.1984, në repartin tonë, është një ngjarje që tregoi edhe njëherë se; armiku nuk bëhet kurrë mik dhe ai është siç ka thënë Partia dhe shoku Enver, gjithmonë është përpjekur dhe do të përpiqet të pengojë ndërtimin e socializmit në vendin tonë, por nga ana tjetër kjo ngjarje, tregoi edhe njëherë gatishmërinë, vigjilencën dhe urrejtjen klasore të efektivit tonë, ndaj armikut të klasës.
Këtë konkluzion e nxjerrim sepse gjatë përleshjes që ndodhi brenda në regjimin e të dënuarve, efektivi i repartit, kuadro e policë, ndonëse në raporte jo të barabarta, treguan guxim dhe trimëri ndaj tyre e, nuk morën parasysh asnjë pasojë, që mund të vinte për jetën e tyre, por me urdhër dhe me vështirësi, u tërhoqën jashtë rrethimit.
Në këtë ndeshje, u dalluan të gjithë shokët që morën pjesë, por veçanërisht; oficer Mersin Haska, policë Simon Deda, Fiqëri Çakalli, Beqir Vrenezi dhe Pëllumb Burnazi, si dhe i gjithë efektivi ushtarë, të cilët e kishte bërë të pakalueshëm rrethimin e repartit dhe për disa ditë, me shërbim tepër të përforcuar, nuk është dukur dhe nuk duket asnjë shenjë lodhje e, ulje vigjilence.
Kjo tregon se efektivi ynë i udhëhequr nga mësimet e Partisë dhe të shokut Enver, është i gatshëm të japë dhe jetën për mbrojtjen e atdheut tonë socialist.
Por megjithatë nga analiza në tërësi e kësaj ngjarje, ne evidencojmë disa të meta dhe mangësi që favorizojnë elementin armik, për t’ju kundërvënë kërkesave të regjimit të brendshëm e të rregullave, të vendosur në formën më të ashpër.
Me gjithë masat e marra, rregulli i fortë që vendosën në repart kur erdhën të dënuarit për krime kundër shtetit, ato nuk u mbajtën e u ndoqën me atë vigjilencë që duhej, nga efektivi në përgjithësi, e veçanërisht nga efektivi i policisë, në regjimin e të dënuarve.
Kështu p.sh., kontrollet e hyrje-daljeve në regjim, nuk janë bërë me vigjilencë të lartë, sipas kërkesave të rregullores, por janë krijuar koncepte jo të drejta, ndaj disa të dënuarve, e veçanërisht të atyre të dënuarve të organikave të brendshme, duke i konsideruar të riedukuar e, të padëmshëm.
Kontrollet periodike të bëra nga ana jonë, ndonëse janë bërë në rregull nga pikëpamja numerike, ato nuk i kanë shërbyer sa dhe si duhet qëllimi e, kjo nga fakti se grupi i të dënuarve që veproi ndaj efektivave, kishte të fshehura shumë sende dhe mjete të ndaluara, si; thika, leva, baromina, etj., të cilat ishin të pazbuluara nga ana jonë.
Po kështu edhe të dënuarit e caktuar në organikat e brendshme, në zyrat dhe lokalet e tyre, u gjendën raki, pinca, gërshërë, sqepar, etj. Kështu p.sh., kryetari i Këshillit të Riedukimit, Dalip Zhabolli, tha se rakinë ja ka sjellë familja në takim dhe e ka futur në repart, pasi nënoficeri i rojes, nuk i bënte kontroll të ushqimeve, sipas rregullave.
Këto vërtetojnë se efektivi i policisë, nuk e ka kryer detyrën si duhet dhe se ne si komandë, nuk e kemi ushtruar kontrollin si duhet.
Për këto, të meta mbajmë përgjegjësi ne si komandë reparti, komandanti i togës së policisë, shoku Edmond Caja, shefi i stërvitjes dhe shërbimeve, shoku Avdulla Dervishi, i cili pak është marrë me problemet e forcimit të regjimit të brendshëm.
Dobësi dhe të meta evidencohen edhe në punën e punëtorit operativ, Miti Kurici, i cili në qoftë se na ka informuar dhe ndihmuar mirë, për për tendencat dhe rrezikshmërinë e të dënuarave në ruajtje, të cilën siç e thamë dhe më lart, e njihnim, nuk ka ndjekur e njohur më nga afër dhe më thellë, disa probleme dhe dobësi që përmendëm në regjimin e brendshëm.
Si p.sh., për njohjen më mirë të personave që punonin në Këshillin e Riedukimit dhe organikave të brendshme, të cilat siç u vërtetuan nga ngjarja, ishin njerëz jo të përshtatshëm për këto detyra. Për këto të meta dhe mangësi, ne jemi të ndërgjegjshëm dhe i premtojmë Partisë dhe udhëheqjes së Ministrisë, se në të ardhmen, nuk do të lejojmë më dobësi të kësaj natyre.
Në të ardhmen, veç masave konkrete që u muarrën nga udhëheqja e Ministrisë, për stabilizimin e plotë të gjendjes në repart, na dalin dhe këto detyra:
- Të forcohet puna për edukimin politik dhe ideologjik të efektivit, për të krijuar bindje të shëndosha për rrezikshmërinë e të dënuarve në ruajtje, duke e lidhur këtë me ngjarjen e datës 22.5.1984, për të forcuar vigjilencën dhe gatishmërinë luftarake, për të kuptuar dhe zbatuar praktikisht luftën e klasave në marrëdhënie me të dënuarit dhe familjet e tyre
- Për të rritur aftësitë profesionale kryesisht në njohjen dhe zbatimin e kërkesave të rregulloreve të bëhet një program i veçantë dhe të punohet me efektivat e policisë dhe kuadrot.
Afati, brenda datës 30.5.1984.
Nga kuadrot oficer. Avdulla Dervishi dhe Edmon Caja.
- Të shkarkohet nga detyra Këshilli i Riedukimit dhe të zëvendësohet me të dënuar të tjerë që punojnë dhe sillen mirë dhe që aktivizohen në luftën kundër shfaqjeve të huaja dhe elementëve negativë.
Afati, deri më 30.5.1984
Kryejnë; M. Haska, N. Asllani e M. Kurici.
- Të bëhet organizimi i ri i brigadave dhe turneve të punës, ndarja nëpër fjetore, sipas brigadave dhe studimi i organikave të brendshme, duke e zëvendësuar të gjithë elementin negative dhe indiferent.
Afati deri më 30.5.1984
Kryejn; M. Asllani, E. Caja, M. Haska, M. Kurici.
- Të merren masa të rrepta, që të mos lejohet asnjë lëshim në zbatimin e normave dhe të rregullores gjatë hyrjeve dhe daljeve të të dënuarve në regjimin e brendshëm, si dhe gjatë takimeve me familjet e tyre.
Detyrë e përhershme
Ngarkohet gjithë efektivi, kuadro dhe policë.
Kontrollon, Komanda e Repartit.
- Të bëhet mbledhja me të gjithë punonjësit e lirë që punojnë me të dënuarit dhe duke marrë shkas nga ngjarja t’u flitet për rrezikshmërinë e të dënuarve e për rrjedhojë për qëndrimin që duhet të mbajnë ata, rritjen e vigjilencës e veçanërisht të atyre që administrojnë dhe përdorin lëndët eksplozive.
Afati deri më 10.6.1984
Kryen komanda e repartit.
- Të merren masat që të mbahet në gatishmëri mjetet e ndërlidhjes dhe të bisedohet me Ministrinë për rregullimin e linjës Qafë Bari-Tuç
Afati deri më 30.6.1984.
Kryen komanda e repartit.
Komandanti, i Rep. 312, Riza Musolllari.
Kryetari i Degës së P. të Brendshme, Edmond Çifligu. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016